Musa Dobruna

Prishtinë | Date: 29 prill dhe 8 maj, 2015 | Duration: 182 min.

N’qato fjalë erdh komandant Shefqet Peqi edhe tha, ‘Gjindemi në pragun e shlirimit definitiv të atdheut t’Shiprisë, por operacionet tona do të vazhdojnë edhe në tokat jugosllave deri në dëbimin e plotë të forcave naziste nga vendi. Ky është urdhëri i gjeneral kolonel Enver Hoxhës, komandantit tonë gjeneral kolonel Enver Hoxhës.’ Me kte e përfundoi, ne u çumë […] Hyjmë në dhomën e pritjes t’burrave si i thojshin atëhere (qeshë), qysh i thojnë edhe sot […] M’prezentoi para Fadil Hoxhës dhe ai vazhdoi muhabetin me… t’pranishmit aty. Në mesin e t’pranishmëve ishin edhe dy partizanë të brigadës maqedone, po t’veshun me tesha shqiptare me plisa t’rrafshët dibranë, edhe harkë edhe tirqë t’zi. I zoti i shpisë gjatë gjithë kohës ka heshtë. Erdh koha e sillës e shtrumë bukën, nji sofër t’pasun qysh dijnë shqiptarët kur dojnë me pritë mysafirët e nderumë. U kry silla, erdhën kafet e elbit (qeshë), sikur tash që po i reklamojnë. Edhe t’u pi kafe, i zoti i shpisë e morri fjalën edhe iu drejtu’ Fadil Hoxhës, ‘Fadil,’ i tha, ‘djali jem, po e shoh që nuk qenke vetëm. Ktyne nuk iu zihet besë’.

Kjo ka qenë refren n’kohën e Luftës Botnore n’Gjakovë, du me besu’ se edhe n’Kosovë, se me serbë edhe malazezë nuk ka besë. Na e dojmë dhe e përkrahim Lëvizjen, por sa herë që iu bjen n’men lufta e përbashkët me serbë e malazezë, njerëzit kanë rezervë. Kjo ka qenë bindje manej e krejt Shtabit të Lëvizjes Antifashiste Nacional Çlirimtare – komunistëve shqiptarë po flas, për komunistë, shqiptarë t’Kosovës të cilët kanë marrë vazhdimisht qësi informatash – se populli osht’ me Lëvizjen Nacional Çlirimtare, por Vllaznim Bashkimi s’iu pëlqente për shkak të vujtjeve shumë të mëdha që ka pësu’ populli shqiptar në Jugosllavi n’atë kohë, në Jugosllavinë Mretënore.


Jeta Rexha (Intervistuesja), Donjeta Berisha (Kamera), Hydajete Dobruna (gruaja e folësit), Pranvera Dobruna (vajza e folësit)

Musa Dobruna u lind më 7 janar, 1931 në Gjakovë. Ishte veteran i Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në vitin 1950, ai përfundoi Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë dhe punoi gjatë gjithë jetës si mësues. Ai kishte pesë vajza dhe jetonte me gruan e tij Hydajeten në Prishtinë. Ai ndërroi jetë më 30 gusht, 2023.

Musa Dobruna

Pjesa e Parë

Jeta Rexha: Zotni Musa, ju lus me u prezentu nihere edhe me vazhdu me na tregu diçka për fëmininë tuj.

Musa Dobruna: Po, quhem Musa Qazim Dobruna, emrin e babës kuptohet. Biri i Qazimit dhe Shefkijes. Prindërit e mi kanë qenë familje pasanike, mund të them edhe shumë të pasuna. Por që shpejt, mas kapitullimit të Jugosllavisë Mbretnore, janë varfnu deri në shkallën ma të ulët të mundshme, dhe osht’ dashtë që kafshatën e bukës ta sigurojmë në mënyrë të ndryshme. Baba im, për shkak të jetës së pasun që ka pasë në rininë e hershme dhe deri në vitet e martesës, nuk është marrë me ndonji zeje, ose nuk e ka ni nevojën si duket. Përshtypja ime osht’ e tillë. Dhe ka mbetë që në ditët e varfnisë me gjetë ngushëllim në pije. Herë, herë. ka qenë deri në delirium, ate e ka bo për… edhe nga mllefi që ka pasë atëherë ndaj regjimit të Jugosllavisë Mbretnore.

Sidomos, osht’ për t’u thonë rasti i kthimit të tinit nga një fshat i Gjakovës me kerr e kuaj dhe ndalet në qendër të qytetit. Një grup ushtarësh me nji atëhere, fotograf qysh të dush me i thonë, ka qenë nji kamerë speciale, e kanë bo nji dokumentar, e ai dokumentar gjendet në kinotekën jugosllave. Skenari [është] tu e rrëmby pushkën e ushtarit jugosllav dhe tu iu drejtu atyne, ndërsa gazetari françez ka inçizu edhe ka marrë ka bo fotografi. Njihere kom pasë rastin me pa nji dokumentar që jipej në kinemanë e Gjakovës në atë kohë. Por, mas Luftës së Dytë Botnore për me tregu… qëllimi ka qenë për me tregu egërsinë tonë ndaj ashtu… dhe me arsyetu masat, mas Kongresit të Versajës. Dihet krejt çka ka ndodhë. E masa kryesore e para ka qenë varfërimi i familjeve të mëdha, gjithandej nëpër Kosovë, e tash po flas për Gjakovën.

Gjyshi ka qenë shok i ngushtë, do të thoja mik në pikëpamje t’afrimit të kontakteve me Hasanin e Jakup Ferrit, asaj familjes të famshme të veriut të Shipërisë në Mal të Zi, Plavën e Gusinë. Edhe kumar e ka pasë Hasan Jakup Ferrin që ndryshe i kanë thonë Hasi i Jakup Ferrit, qe gjyshi i Rexhep Ferrit akademikut. Ata kanë bo konak në kullën tonë në Gjakovë, e ma vonë në ditët e rinisë pak sa ma të vjetër, vjen koha e martesës. Dhe ndodhë atëhere kur regjimi monarko-fashist do t’i kisha thonë, i Karagjorgjeviqëve, ka zbatu Reformën Agrare sipas projekteve serbe. Nuk po i përmend, nuk jam historian. Kreatorët e atyne projekteve. Por di që n’atë kohë qeveria e Pashiqit e ka zbatu Reformën Agrare dhe neve sikundër të gjitha familjet e mëdha në Kosovë na ka lonë pa toka.

Familjes tonë i ka lonë aq sa duhet për me majtë ekzistencën, të cilën osht’ deshtë copa-copa me e shitë, parcela-parcela për me pagu taksat e asaj kohe, tatimin. Që ka ndodhë, edhe n’kohën kur unë jom bo me ditë edhe me pa që në praninë e dëshmitarëve me nënshkru fletëzen se e ka marrë kërkesën për pagesën e tatimeve e ka nënshkru. Po shumë shpejt osht’ deshtë me shku në organet e pushtetit atëhere, me deklaru pse s’e ka pagu të gjithë tatimin (qeshë). Se do të thotë ia kanë futë noj letër atje, gjysmën ose nji pjesë e ka pagu, ai e ka pagu krejt por…Kjo ka shkaktu pastaj rrëmbimin e pasunisë. Dhe osht’ marrë toka në të cilën edhe sot ekzistojnë objeketet, për shemubll të kooperativës bujqësore në Skivjan dhe objekteve përcjellëse t’asajna. Edhe nji ambullancë dhe nji godinë administrative, të gjitha kto kanë shërby për shëndetësi, tregti, shkollë, kulturë përgjithësisht, por në tokën tonë.

Nuk ka zgjatë shumë dhe tokën që e kemi punu vet, çifçija që ka punu nji kohë aty e ka marrë e ka regjistru si të veten edhe ne mo nuk kemi pasë qasje aty. Kështu kemi metë pa… kemi jetu në rrogë me mëditje ku osht’ shitë baba jem për me majtë familjen. Kjo ka qenë shumë e dhembshme. Maj në men ditë pa bukë. Po kjo ka qenë qëllimi i Jugosllavisë Mbretnore. Atëherë gjet rrugë me dalë edhe me u marrë me shpekullim t’i themi. Me dalë në Shipni me marrë duhan, me shitë ktu, me shitë dhe ka shfrytëzu që prej andej ka sjellë libra, ka sjellë voj trandofili, ka sjellë edhe gjana tjera. Edhe porosi prej andej, aktivitetin nacional-kombëtar. Dhe rasti p’i themi tragjik, po ishte edhe tragjik ndodhë që karavani me libra, duhan e voj trandofili, në vjeshtë e vonë të vitit 1937 rrethohet shtëpija jonë. Dhe jo vetëm shtëpija jonë, por rruga e Çabratit prej mahallës të Hamkës qysh i thonë e deri në mahallën e Mulla Jusufit.

Hyjnë xhandarmëria dhe policia që e runte qytetin, që e mante rendin në qytet, dhe të uniformumtë, financierë të uniformum, bajoneta, i majshin kështu ato bajonetat {tregon me duar}. Kontrollunë në shpi, por nuk gjetën gja për shkak se karavani ka mrri diku njiqind metra para se me hy në terrenin e shtëpisë ku banonin, dhe vritet prijësi i karavanit. Të tjerët ikin, por nuk mrrijnë me ra në dorë të xhandarmërisë të atëhershme. Më kujtohet Shpend Halili, nji malësor burrë i pashëm, që erdh mas disa ditëve me e pa babën masi e lirunë prej burgut. Nji javë e kanë torturu siç dinin ata. Ka ndodhë edhe në shytimin, me i ra shuplaka kështu, {tregon me duar} kur ia kom çu shtrojën mbulojë. Burgu gjindej te Ura e Islam Begut në Gjakovë, ajo urë mo fatkeqësisht nuk ekziston mo në formën e çfare e ka pasë. Tash ajo gjindet veç nji pikturë në zyrën e Shoqatës së Luftëtarëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare në Gjakovë. Ka edhe të tjera… që jom unë në fillim të Çarshisë së Madhe të Gjakovës.

Afër kullës që edhe sot ekziston, osht’ muzeu s’e di me siguri a osht’ muzeu muze etnografik, apo kështu historik në pjesën e vjetër të qytetit, afër dy tyrbeve. Osht’ e Eminit dhe nji tyrbe tjetër të cilës nuk ia di emrin e që osht’ ma e vjetër se Teqja e Sheh Eminit. Sheh Emini ka qenë njeri i shkolluar, ka qenë arqitekt në kohën e Turqisë. Ka projektu objektin e shpisë të vet, tyrbes edhe teqes, ajo ekziston edhe sot. Aty mo nuk ekziston xhamia në krye të pazarit, që osht’ rrzu mas Luftës së Dytë Botnore. Nuk e di, mund të… ashtu sikundër edhe Xhamia e Islam Begut, që ka qenë para se të hyjsh, ta prekësh Urën e Islam Begut, ka qenë Xhamia e Islam Begut mu në qendër. Edhe ajo e ka nji histori të posaçme për të cilën e kom vetëm nji detal.

Siç ndodhë edhe sot edhe atëherë, hoxha mbajshin, predikonin ato çka atyne iu intereson, religjionin. Kanë qenë dy hoxhë të shkolluar Hafiz Guta dhe Bajram Mulla Agani. Bajram Mulla Agani ka qenë axha i Fehmi Aganit, gjyshi i ministrit aktual i shëndetësisë edhe… tash nuk e di për çka përgjigjet. Ndodhi me 21 mars 1942. Baba im solli ushqim për me bo nji sillë, për musafirët që do të vinin, dhe pjesën tjetër për teqe. E ka pasë rendin me e çu ushqimin. Nona ime ka qenë gru e fortë, dhe i tha, “Unë sot me krahë të… gusës {lëvizë duart},” të themi ne, “ e fshij magjen për me bo pak kuleqë për fmitë”. Do të thotë s’ke mill në magje. “E ti, kto…” “Mori, merre e ta përgatitë ti!” E tash në qat, “Mori”, i thotë ajo, “kqyre njeri,” se burri nuk thirrej në emër (qeshë). “Kqyr njeri,” tha “Zoti edhe teqja i kemi qita që jemi bo sebep e që i kemi qitë në dyje”. Bash qito fjalë, po i them në mënyrë besnike. Prapë baba im e ngriti zanin pak, si burrat që ishin atëhere dhe gjithë idhnim doli.

U kthy masi u bonë gati kto bashkë me shokun. Me nji njeri aty, i bajti ato, i ka çu në teqe, musafirët pritshin, i ka dorëzu aty dhe babai, Baba quhet ai i teqeve të Bektashijve, quhej Baba Hamëz, njeri që e ka shëtitë botën. Edhe i thotë “Shka ki biri im?” Se e sheh prej shprehjes se nuk osht’ Qazimi i djeshëm, po diçka tjetër (qeshë). Dhe “Jo kurgjo…” “Fol” tha. “Po pata pak telashe me Shefkijen,” se edhe ajo ka qenë Bektashi. “Pse?” Tha, “Qështu…” “Po ka ajo të drejtë. Ajo ka të drejtë. S’pari fëmijëve, e ktu çka të teprojnë”. Dhe e qetëson babën, vjen baba, fillon tash pija. Shërbejsha unë por edhe nana. Flitshin për Lëvizjen Antifashiste Nacional-Çlirimtare, kjo ndodhë mas demonstratave antifashise që jonë bo në Gjakovë. “Po a din bre Sadik,” i thotë baba “që edhe sot kur bie shi ose o vronët, mu më dhamin brijtë prej rrahjeve që i kom pësu prej xhandarmërisë?” Tha, “Po, pak ka njerëz që nuk i kanë pësu, por maje n’mend çka po të them, në qit’ luftë që po hyjmë do ta fitojmë çoçaz”.

Morrën të tretë gotat edhe i çunë {bën sikur po pin}. Por, t’u e çu gotën Sadiku mendoi me za edhe tha, “Masanej…” tu e çu gotën. “E masandej…” E çunë gotën, baba thotë, “Mirë Sadik, po çka ke qajo ‘masanej’?” Qikjo ka rëndësi të madhe tash, mund ta shkëputni kte, ka rëndësi shumë t’madhe. “Masanej,” thotë “do t’ia nisim edhe nji lufte tjetër të cilën gjithashtu do ta fitojmë, por me mundim ma t’madh”. Osht’ lufta e fundit që përfundoi. “Mo, bre Qazim… ti Sadik, edhe i luftë a?” “Po, {pohon me kokë} gjithashtu do ta fitojmë!” Sadik Tafarshiku mas Luftës së Dytë Botnore, si antifashist që ishte, e bonë udhëheqës të Punëve Botnore. A e din çka jonë Punët Botërore? Punët komunale banesore atëhere quheshin Punë Botërore. Shumë shpejt mas ksaj ai ra në burg. I man… nuk e di sa vjet burg, por mas burgut angazhimi i tij ka qenë shpërndamja e librit në çdo fshat t’Kosovës. Ka vdekë vonë, dhe sot Bibloteka në Ferizaj mban emrin “Sadik Tafarshiku”.

Baba im ka pasë edhe nji shok tjetër. Ai ka qenë t’i themi me gjuhën e përparshme hafini ose shpiun (qeshë), në kohën e Turqisë, në kohën e Austrisë, qato pak ditë sa ka zgjatë Lufta e Parë Botnore, në kohën e Jugosllavisë Mbretnore, në kohën e fashizmit (qeshë), dhe mas Luftës së Dytë Botnore bashkëpuntor i Shërbimit të Sigurimit Shtetënor Jugosllav. Ka vdekë në Romë si imam i xhamisë së Romës. Dhondër i Shitave, burri i hallës të Vehap Shitës (buzëqeshë), i cili e ka hekë prej listës Vehap Shitën që ka qenë në burgun ku sot gjindet gjyqi i Prishtinës. Gjyqi Komunal, aty ku ka zhvillu veprimtarinë “Rilindja” deri vonë, shpija botuse “Rilindja”. Dhe në vend të tij osht’ hy në listë Fahri Hoxha të cilin e kanë varë me 28 gusht, 1944 së bashku me Ganimete Tërbeshin. Dhe, nji a dy malazeze tjera, gjithësej dhetë jonë varë. Qikjo osht’ vetëm nji episod i asaj pjese të rezistencës antifashiste deri në qat’ moment.

Aktiviteti ka vazhdu pandërpre. Unë kam qenë i kyçun si mbajtës i lidhjeve në mes të udhëheqësisë së partisë dhe të gjitha familjeve që kanë përqafu Lëvizjen Antifashiste Nacional-Çlirimtare, gjithë andej Gjakovës, komplet Gjakovës. Jonë shumë familje, unë kom diku të regjistrume rreth tre qind, ma saktë i kom 316 familje me të cilët unë kom mbajtë lidhjen në mes të Hamdi Shehut, ma vonë në mes të Safete Nimonës, që ka pasë nofkën ‘Guseva’ edhe ma vonë mas kompromitimit, e ndërroi nofkën në ‘Lule’. Ajo edhe ka flejtë në shpi tonë, s’bashku me nji malazeze që e ka pasë nofkën ‘Fatime’. Të dyjat te ne, edhe Nazmije Nimani e treta ishte, vijke me ferexhe. Deri në komprometimin e tyne, edhe dalën në hallall.

Ka qenë e vështirë ajo kohë. Unë kom pasë bashkëpuntorë të ngushtë Fehmi Aganin, ndjesë pastë. Sami Bashotën, ndjesë pastë ka vdekë në Finlandë, edhe me urdhën të tij e kemi vorrosë në Gjakovë. Ka qenë i persekutum mas Luftës së Dytë Botnore për idetë e tij kombëtare. Si mësimdhanës ka afirmu figurat e kulturës, tu e përfshi edhe Fishtën e ndalumë dhe shkrimtarë tjerë të ndalumë. Osht’ marrë shumë shpesh në biseda informative, dhe dihet si kanë përfundu ato. Në fund osht’ deshtë ta braktisë vendin edhe të shkojë jashtë ku ka përfundu jeta e tij në mënyrë… vetëm ai e din. Kom pasë edhe shumë shokë të tjerë për biografinë e të cilëve nuk du të flas për shkak të devijimeve që kanë pasë me rastin e marrjes në biseda informative të njerëzve që kanë rënë në konflikt me idetë e atëhershme.

Në familje kemi rreth 37 vjet burg, jo për ndonji veprim kështu fizik, t’i themi, kundër regjimit. Përveç vllaut të fundit i cili i zhgënjym tejmase, masi e ka nxerrë prej pune ka shku ka bo nji mollotov dhe ia ka flugë Komitetit në vitin 1984, Komitetit të Gjakovës. Për ate osht’ dënu 14 vjet burg. Dhe mandej kur ka ardhë koha ka shku në UÇK, bashkë edhe me njimdhetë tonë, të familjes tonë. Ndër ta ka qenë edhe Sokoli. Osht’ njëri prej 30 të udhëheqësisë ma të naltë të UÇK-së, si prokuror ushtarak. Mund ta keni pa ndoshta në Klan. Nuk ka pranu të pasunohet si shumica e tjerëve që i kanë shfrytëzu pasuninë e këtij vendi të shumëvujtun për interesat personale. Ai sot shfrytëzon banesën e tij që e ka marrë si luftëtar i Lëvizjes Antifashiste Nacional-Çlirimtare, dhe për meritat se ka qenë partizani ma i ri, pa i mushë të 14-tat {pohon me kokë}… kjo osht’ epizod tjetër tash (qeshë).

Pjesa e Dytë

Musa Dobruna: Përkundër historiografisë serbe, thuhet se rreth 1400 famijle serbe jonë shpërngulë prej këndej, prej Rrafshit të Kosovës dhe Dukagjinit. Pjesa dërmuse e popullatës janë shqiptarë me origjinë ortodokse, të paktën vetë, gjatë ktyne viteve mas luftës të fundit të UÇK-së ke rreth 30 kisha janë të zbulume nëpër Kosovë. Në qat’ kohë prej fshatit prej kah mbaj emrin Dobruna, jonë shpërngulë përveç tjerëve, tre vllazën të ni familje. Njeni o nalë në Gjakovë, njo në Shtime, tjetri ka shku në Turqi. Me ate të Turqisë, gjyshi edhe baba im, kanë pasë lidhje deri në vitin 1937, ‘36, jo ‘37… ‘36. Une e maj në men musafirin e lartë që e kemi tash të çmushëm nga lart… në vitin 1936. Mandej osht’ ndërpre çdo lidhje, çdo kontakt me ta.

Familja e Shtimës, unë duhet të besoj se osht’ familja prej nga del Hajredin Hoxha, profesor Hajredin Hoxha. Ai ka dhanë sociologji në Fakultetin Filozofik të Prishtinës deri në vdekjen e tij në Greqi. Ai ka pasë guximin që në një simpozium që osht’ majtë në Novi Sad, me thonë se Serbia nuk ka shliru Kosovën siç pretendon historiografia e serbe. Por thotë, “Serbia e ka okopu Kosovën”, që ka qenë guxim i madh me thonë në vitet ‘70-ta. Ka qenë guxim i madh por ai e ka thonë. E ka thonë edhe për arsye se ka qenë i afirmum si profesor dhe ata e kanë thirrë në biseda informative gjithmonë qysh ka ndodhë me njerëz tanë nga ana e organeve të shtetit, organeve të dhunës fizike. Qikjo osht’ ajo.

Dhe të parët e mi kanë marrë toka sa kanë deshtë, Skivjan, Dujakë, tri kilometra përmes lumit. Mos me iu lutë Zotit a po bjen shi a jo. Ujë ka pasë, toka e mirë, tona të mirat. Kanë marrë nji pjesë të Bella Cërvkës afër i bije kjo pjesa kah Rahoveci. E kanë marrë nji fshat që quhet Ujëz, afër Gjakovës, i bje afër mbi Urën e Shenjtë në të djathë kah të shkojsh për Prizren. Fshati Dol afër Gjakovës gjithashtu edhe aktualisht ne me tapia e kemi mbi 13 hektar tokë e pyje. Oseki i Pashës afër Gjakovës, Skivjani, Baballoqi, Shishmuni i Rrafshit, dhe Raça e Moglica. Do të thotë, e shprehur sipas… zhargonit të vjetër, kemi qenë nji lloj feudal, kemi qenë feudalë (buzëqeshë). Kemi pasë feudet tona dhe ka ndodhë ajo ana pozitive e familjes sonë që i kemi pranu si çifçijë fshatarët prej Malsisë së Gjakovës, dhe kurrë me ta nuk kemi bo kontratë. Rregull e shkrume edhe e pashkrume ka qenë, në qoftëse kontrata nuk përsëritet në krye të tri vjete, toka bohet e tyne. Unë e vlerësoj si akt pozitiv.

Familje e Haxhi Hoxhëve, pasardhës osht’ Fadil Hoxha… prej të njejtit fshat osht’. Familja e Dolshëve në Gjakovë gjithashtu jonë prej të njejtit fshat. Familja e Spahijve të Gjakovës gjithashtu prej të njejtit fshat. Manej osht’ nji familje që e ka emrin Zarari (qeshë). A e din fjala zarar çka e ka kuptimin?

Jeta Rexha: Sherr? A osht’ sherr?

Musa Dobruna: Jo! Zarar osht’ humbës (qeshë). Falimentus, osht’ marrë me diçka me aktivitet ekonomik ose ka dështu. Ose si tash që ndodhë, ka falimentu, ashtu zarar. Dhe jonë edhe do familje tjera, po kryesisht, kto familje janë të të njejtit fshat. Kom pasë fatin në 2003-shin… në 2013-shin me shku me pa, jonë anë të bukura, po duhet dora e njeriut me i punu. Ka dy liqejë të vegjël dhe nji luginë përtej kufirit, do të thotë në anën e shtetit shqiptar atje. Fëmitë e tyne shkollohen në anën tonë, në shkollën e Dolit… e Godenit. Ja… kështu (buzëqeshë). Masnej për të tjerat, mas përqafimit të idesë së Lëvizjes Antifashiste Nacional Çlirimtare, baba im si bektashi dhe gjithë sekti i bektashijve ka qenë në Lëvizje. Dhe siç e përmenda Sadik Tafarshiku ka qenë nacionalist i paepur dhe i tillë ka vdekë, por që ka lexu shumë. Dhe mas burgut që e kanë mbajtë osht’ bo aktivizer për përhapjen e librit shqip dhe siç thonte ai, “Më ka metë vetëm maja e Lubotenit pa e çu nji libër” (buzëqeshë).

Nji shembull të tij, si lexus, si i apasionum, e lexon Vilhelm Vajtlingun me titull serbisht, “Harmonije, Garantije i Slobode” “Harmonitë, Garanca dhe Liria”, dhe “Liritë”, propagator i paepur i ideve të Marksit. Dhe t’u folë për çashtjen e barazisë në mes njerëzve, osht’ shok i ngushtë i Llasallit. Nuk i keni lexu ju këto sene. I përkasin pjesës së marksizmit. Llasalli osht’ nji gjermon dhe nji entuziazist që t’u folë për barazinë e plotë në mes njerëzve don me ndihmu marksizmin dhe lëvizjen punëtore ndërkombëtare me idetë e Marksit. Dhe shkrun në kohën e tij, nji gazetë e gjermanve për barazinë e plotë të njerëzve. Kjo ka randësi edhe sot për njerëzit, se nuk ekziston nji jetë e nji njeriut, barazia e plotë kishte me qenë e panatyrshme. Të nesërmen del Engelsi dhe thotë në nji artikull “Llasalli, i ka bo një shërbim të keq Lëvizjes Komuniste Ndërkombëtare, për shkak se nuk mund të ketë barazi të plotë mes njerëzve. Por, barazi të plotë para ligjit”.

Nuk mund të ketë barazi të plotë në mes meje që kom hy në moshën e katërt, dhe të riut që mundet mrena ditës me gropu këtë, me e rregullu {dëfton nga oborri}, e unë nuk mundem as dy here me i ra asaj (qeshë). Dhe me marrë të mirat materiale të ekzistencës njisoj si ai, si une. Nevojat e tij për ekzistencë për ushqime, për kto sene jonë shumëfish ma të mëdha se për mu. Dhe me marrë prej shoqnisë baraz si ai, si unë, nuk bon. A o qashtu? Unë nuk mund të kërkoj, osht’ e panatyrshme me kërku me pasë rrogën e nji ministri. Pa marrë parasysh kontributin që mundem me dhanë, se ai ka detyra shumë të mëdha për këtë popull. A o qashtu? Ju për shembull keni shumë detyra dhe merita që e kryni këtë detyrë. Kontributi im osht’… veç, por kontributi i atij në minierë atje, në horizontin e shtatë a tetë ku e ka jetën në rrezik dhe nxerrë xehe për të mirën e popullit, për të mirën e vendit, jo të popullit. Unë po flas… se kjo osht’ pak gjuhë e vjetër. Për të mirën e vendit, ai duhet marrë edhe dhetë herë, njizet herë, tridhetë herë ma shumë se unë. Qikjo osht’ puna. Do të thotë barazi të plotë në mes njerëzve kurrë s’ka me pasë. Edhe për nji arsye tjetër të veprimit të ligjit mbi harmoninë në natyrë dhe shoqni, që vepron vazhdimisht. Kaq (buzëqeshë).  

Ndodhi mobilizimi i rinisë për formimin e brigadës së shtatë dhe të tetë shqiptare të Kosovës, mos t’i them shqiptare, të Kosovës. Por lexohet, dihet. Dhe në të njejtën kohë mobilizimi i të rijëve për me shku në luftë për çlirimin e viseve në Mal të Zi dhe në Dalmaci, osht’… kjo ka të boj me vrasjen në Tivar. Keni ni? A po? [i drejtohet intervistuesës] Jo vrasje, po plojë! Unë po flas tash për gjeniun e popullit, e ndin lëkura se diçka nuk osht’ në rregull me këtë mobilizim. Pse të shkojnë djemtë tanë me çliru viset tjera, na e kemi çliru vendin tonë dhe ne duam ta organizojmë pushtetin ktu me qita njerëz. Ndodhi që nji turmë doli në shesh në Gjakovë dhe në shejë proteste, Ali Tetrica, nji prej atyne nxorri thikën dhe e preu veten {bën sikur po pren fytin me dorë}. Mobilizimi u ndal. U ndal në Gjakovë, dhe prej Gjakove, shkoi dhe vdiq në Tivar, Dervish Vula. Nji gjakovar osht’ vra atje. Do të thotë viktimizimi personal i Ali Tetricës që ka qenë në Lëvizjen Antifashiste Nacional-Çlirimtare boni vetëvrasje, u ndal.

Filloi u bo demonstrata e grave të Gjakovës kundër shkumjes së bijëve tanë në Vojvodinë. Ka qenë demonstrata e parë në Jugosllavi. Gjithmonë në Gjakovë jonë nisë disa gjana. Për fat të keq, tash nuk na kanë dashtë serbët, nuk po na donë as shqiptarët. Po më vjen keq! Osht’ vështirë me hy në punë në institucionet e Kosovës si dihet që je i Gjakovës, nuk bon. Kjo o përshtypja ime e gabushme, ndoshta, por vështirë osht’. Dhe Gjakova ka mbetë me shtatë lypës, menxi e lidhin mujin me mujë. Shembull e kom vllaun tim, osht’ nji prej tredhetë kryesorëve të Shtabit të UÇK-së dhe prokuror i luftës. Ai jeton në banesën time në Gjakovë të cilën e kom marrë si meritë e pjesëmarrjes në Lëvizjen Antifashiste Nacional Çlirimtare. Nana jeme ka qenë jo e para, po ka qenë në mesin e katër-pesë grave kryesore që i kanë pri demonstratës kundër shkumjes së bijëve tanë në Vojvodinë. Në krye të saj ka qenë Sabrije Vokshi, heroinë. A keni ni për te?

Donjeta Berisha: Na tregoni diçka ma shumë për nanën e juaj.

Musa Dobruna: Urdhno?

Donjeta Berisha: Na tregoni diçka ma shumë për nanën.

Musa Dobruna: Nana ime, ju thashë në fillim ka qenë gru e fortë dhe e gatshme për sakrificë. Ndërsa baba im, ka qenë shpirtmadh, ka qenë shumë dorëlirë. Si duket, ato nxehtësi valësh i kanë pasë të përbashkëta. Për nanën nji rast të viteve të ‘50-ta, nji lypëse shtatzanë hyn në oborrin e shpisë tanë, ulet e lodhun thotë, “Më jep pak bukë”. Nana shkon e merr tenxheren me pasul me mish edhe bukë, e i jep me veti e shkon. Dhe vjen baba mas orarit të punës. Nuk ka pranu me u bo far kryetari i komunës nëpër fshatëra, “Nuk kom shkollë, atje duhen njerëz me shkollë”. Ai e ka pasë vetëm shkollën fillore, por jo. Vjen me hangër sillë, “Çka ka për sillë?” Nana i thotë, “Çka ki pru?” (Qeshë). Se ajo e ka bo gati ato përpara, i ka fshehë por… tash nuk don me e pranu, t’i themi “faj” {bën thonjëzat me duar}, tash nuk osht’ faj ai, po… dhe, ungjet e ha, po i paknaqun me çka ka gjetë. Nuk e di, nuk e kom s’paku përshtypjen e njerëzve të pasun që osht’ me njifarë butësie me e marrë ato mirë çka ka gjetë (buzëqeshë). Po du me thanë se kanë qenë shpirtmëdhenjë.

Tash nji digresion, po kaloj në vitin 1941. U shpall se filloi lufta në Jugosllavi, në lagjen ku ishim na ka qenë nji mekanik. Erdh nji serb e mori pushkën e qiti dhe dha shejë se prej sot Gjakova gjindet në luftë. Ishte ditë pazari dhe xhandarmëria dhe paramilitarët dhe në atë kohë ka pasë paramilitarë, vritshin njerëz rrugëve. Ne nuk e kemi mbyllë derën e shpisë, se kur turma ka marrë me ikë, nji derë mbyllë, nji derë mbyllë, dera jonë ka qenë e hapun. E kemi pasë mundësinë se kemi pasë edhe nji derë tjetër që dilej në nji oborr të madh të gjanë, kështu që shpëtojshin njerëzit. Dhe nji dalje tjetër në anën tjetër të rrugës ku kanë mujtë me ikë. Mirëpo, për fatin tonë nuk hyjshin xhandarmëria. E gjejshin derën mshelë, e lijshin ashtu. Po ju thojshin dobrovoljac, vullnetarë, ashtu dobrovoljac i thojshin. Mirëpo, për fatin tonë, erdhën dy gjermanë në motorr dhe mo u ndalë ajo. Filloi plaçkitja e kasanave, qysh ndodhë mas çdo lufte, ose…

Për herë të parë në shpi na kemi pasë t’i themi pesë qind kille misër, kallamoq qysh të dush m’i thanë, prej kasanës që ka marrë baba. Edhe ka qenë hera e parë që ato, ushqimin e ka pasë në kali… me kerr, ka ulë në kallamoq. Të njejtin kallamoq e kemi çu e kemi blu edhe për veti. Kemi kalu qat’ kohë, ditë shumë të vështira, por kjo madhësia e popullit tonë osht’, nuk jonë vra kolonë. Serbë e malazezë që kanë ardhë prej viseve tjera gjatë Jugosllavisë Mretënore i kanë marrë tokat e qytetarëve, të vendasve. Dhe në qato kohë erdh nji i anës të kufinit, nji malazez dhe iu lutë babës, “Ju si familje e madhe dhe e fisit Gash, na prini dhe ata nuk na ngucin neve”. Dhe qashtu ndodhë, kolona prej dhetëra kerreve me kafshë që ishin, kalojshin shpërblim pare nuk kishin, babës ia jepshin ka nji pushkë secila familje. Pushkët i futshin nër… ashtu rraqe çka kanë pasë. Dhe kur kalonin pranë rojeve gjermane, baba iu dorëzojke nji pushkë ose dy atyne, ata babës ia rrihshin krihët, pushkët tjera i kishim na aty. Vazhdojshim rrugën, i çojshim deri në Deçan. Kolonët malazezë që kanë ardhë prej Malit të Zi në tokat tona.

Qato pushkë pastaj i kemi shitë edhe e kemi punu tokën, molla e duhan. Qat duhon ma vonë e përpunonim dhe e shitshim. Mirëpo, pat qenë interesant se patëm marrë dy vajza që i bojshin paqeta dhe qashtu të paketume, ka tre qind deri në pesë qind kilogram duhon i kemi çu për në Sijenicë. A e din ku o Sijenica? Në Sanxhak. Novi Pazar, Sanxhak. Mirëpo, kah malet e Rugovës, nëpër Pejë, e atje. Kanë kalu nëpër zonën ku e kanë pasë çetnikët. Osht’ dashtë nji pjesë me ju falë atyne duhon, se duhonin e pijshin krejt. Mandej, vijshin ma tutje partizanët edhe atyne edhe kanë mrri deri në Sijenicë ku ka qenë nji aktivist i Lëvizjes Nacional-Çlirimtare musliman përndryshe, Deda. Vetëm këtë emër e di, s’ia di mbiemrin. Kthehej për andej, jo me pare, po me dhenë, kuaj, bylmet, djath e kajmak si… ndërrim i mallrave. Dhe dhentë u duhke me i rujtë, na qytet s’kemi pasë, po ndodhi që 25 krenë dhenë u deshtë me i qitë në fushën e tyrbes përtej Erenikut në Gjakovë me i kullotë.

Dy ditë ma vonë po vjen Ismet Mula. A e din kush osht’ Ismet Mula? Jo. Dikur ka qenë drejtor i shtëpisë botuse “Rilindja”. Djali i tij e ka pasë nji dyqan fotografish qaty te “Dora”, poshtë e ka pasë nji atelie, qitu banon diku. Ismet Mula e sjell nji letër, të mbyllun kuptohet. Unë isha me vllaun dhe thotë, “Këto duhet me ia dërgu Fadil Hoxhës. Por në dimën keni me marrë prej njësitit të parë që mund ta takoni gjatë shkumjes në fshatin Devë.” Me mu erdhi edhe Asim Bluta. Asim Bluta ka qenë nji prej aktivistëve të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare dhe e shoqnova deri në fshatin Devë. Letrën e mbajsha unë. Atje arritëm sa ra muzgu, trokitëm në derën e parë të një kulle, aty na doli roja partizane se paska qenë shtabi aty. Na la të presim, shkoi e lajmroi komandantin, ai zbriti shkallëve, erdh na morri, na çoi në katin e epërm. U ulëm dhe për verifikim na luti ta knonim nji kangë partizane.

Për verifikim, “A dini kangë partizane?” E knum kangën për Hysni Zajmin që sapo ishte vra në Plavë së bashku me të zotin e shpisë ku osht’ strehu Hajro Shamanoviqi. Atyne ju pëlqei kanga dhe na morrëm me u çu. Komandanti na tha, “Mund të udhëtoni mas darke në përcjelljen e partizanëve”. E hongrëm darkën dhe u nisëm natën nëpër hanë. Mrrijmë në Babaj të Bokës prej Devës, na drejtun në shtab. Atje kishte qenë Shtabi i Brigadës së Pestë Shqiptare, komandant Shefqet Peqi. Ai e morri letrën, e ndezi shkrepsën e lexoi vetëm titullin e tha… e mbylli, “Nuk osht’ për mu. Fadili gjindet në operacionet në luftë kundër kolonës gjermane që tërhiqej prej Greqisë”. Vetëm kaq dhe ai shkoi në punë të vet. Na shkumë e gjetëm nji kasolle, u shtrimë qashtu të lodhun edhe na zbardhi drita edhe dolëm në sheshin e fshatit, loma i thojnë aty ku bohej gati gruni, e hedhshin në atë kohë. Dhe pamë nji epror tu iu folë partizanëve për gjendjen aktuale të asaj kohe. Kur shkova aty e pashë nji shok temin Skender Hoxha e ka pasë emrin dhe dy serbë, njërin prej të cilëve deri vonë e kom shoqnu herë pas here. Ka ditë shqip si une. Dhe nji serb tjetër, i cili ma vonë ka bo krime në Gjakovë.

Dhe prej atyhit ndërkohë ka ardhë Asim Bluta dhe ka thonë, më tha se erdhi Fadili edhe po shkojmë po takohem me Fadilin. Kemi shku në kullën e gjyshit të Jusuf Bajraktarit. Jusuf Bajraktari tash osht’ akademik, anëtar i Akademisë të Shkencave për çashtje të historisë. Ka qenë drejtor i Entit të Historisë deri vonë. Aty ka qenë takimi im i parë me Fadil Hoxhën dhe në kullë kom ndigju bisedën e të mëdhenjëve të rritunve. I zoti i shtëpisë ndigjonte, dhe ka përcjellë me kujdes të pranishmit, në mesin e të cilëve ishin dy partizanë me plisa të rrafshët të dibranëve, me herkë dhe tirqë të zi. Por nuk flitshin asnji fjalë. Erdhi silla, u ulëm, silla e begatë, u ulëm, hangrëm. U kry ajo, arritën kafet e elbit, në atë kohë me elb i pijshim. I zoti i shpisë e morri kafen e po i thotë Fadil Hoxhës, “Fadil, po e shoh që nuk qenke vetëm. Ktyne nuk ju zihet besë”. Ishin ata dy partizanët të brigadës maqedone që e kanë majtë kontaktin me brigadat, me njësitë tona partizane. Fadili iu përgjegj, “Si me ty sot, e kom pasë nji rast në Ferizaj”.

[Pjesët në vijim të intervistës janë realizuar më 8 maj, 2015]

Pjesa e Tretë

Musa Dobruna: Përqafimi i Lëvizjes Antifashiste… i turmave po flas për Gjakovën, jo për naj vend tjetër, se nuk e di. Ka qenë aq i madh sa dihet, fashistët Gjakovën e kanë qujtë Moska e Vogël. Italianët i thojshin “Piccola Moskva”. Tash do ta ilustroj edhe me diçka tjetër të viteve të ‘60-a. Pllenumi i Katërt i Lidhjes të Komunistëve të Jugosllavisë, por e vazhdoj këto masanej… Emin Duraku me shokë, Hajdar Dushi, Xheladin Hana, Alush Gashi, Xhevdet Hamza, Enver Pula, Xhavit Nimani me vllazën e motra, e shumë të tjerë nëpër Kosovë, e kanë përqafu si luftë shumë të drejtë për çlirimin kombëtar dhe social, që masnej me ndrrimin e raporteve, murr kahje paksa anti-popullore. Kto anti-popullore lexoni anti-shqiptare, se ishte koha e nji frymëmarrjeje tjetër. U hapën shkollat, deri te universitetet edhe Akademia e Shkencave që ishte pengesë e shovenistëve serbë, që bijke ndesh me ideologjinë e kishës ortodokse serbe e cila sot udhëheqë politikën shtetnore serbe edhe sot. Kryetari i shtetit serb duhet të betohet në librin e shenjtë ortodoks {zgjatë dorën sikur të jetë mbi libër}, pro-sllav, qysh të dush m’i thonë. Osht’ punë e tyne! Puna jonë osht’ të punojmë për vetveten, jo kundër tjerëve. Megjithëse, kjo si e tillë, na ka kushtu dhe na ka rrudhë aq sa jemi. Për shkak të njifarë tolerance pak të teprume. Me ia nisë për msusët?

Jeta Rexha: Po.

Musa Dobruna: Mas fillimit të luftës në Jugosllavinë e atëhershme që ishte fillimi i Luftës së Dytë Botnore për ne, grupe qytetarësh që për çfarëdo arsye i kanë tkundë Shipninë gjatë periudhës së Jugosllavisë Mbretënore ktheheshin. Një pjesë e tyne në krye me Emin Durakum, Fadil Hoxhën, Hysni Zajmin, Xheraldin Hanën, Hajdar Dushin, dhe nji plejadë mësusish të tjerë, Zeki Shehu për shembull daja i Pajazit Nushit erdhën dhe e fillunë hapjen e shkollave shqipe. Kjo ndodhi diku në maj të ‘41, ishte periudha maj ‘41. E maj në mend që në shkollë jom regjistru si dhetë vjeçar në klasën e parë fillore. Dhe më ka regjistru Jusuf Puka. Osht’ interesant me e përmen Jusuf Pukën, për shkak se ka qenë edhe mësus i babës tim (qeshë). Dhe vjen, e ban regjistrimin na ndajnë klasët, germat e para, shkronjat e para siç doni me ju thonë, m’i mëson Haki Taha të cilin e kanë vra pastaj Shërbimi Sekret i Serbisë, atëhere i Jugosllavisë. Dhe e kanë lonë kinse ai e ka vra Milladin Popoviqin, çka nuk ka qenë e vërtetë. Dhe, masnej ndërrohen msust sipas nevojës që ka qenë dhe vjen puna deri te Zeki Shehu m’mson, ai vdes shpejt. Dhe na ndrroheshin msustë shumë shpejt. Prej të gjithëve kemi mësu se Lëvizja Antifashiste Nacional-Çlirimtare osht’ lëvizje për çlirimin nacional dhe social të popullit, pa përjashtim… pa përcaktime fetare dhe nacionale.

Fati historik ka deshtë që ne t’i bashkohemi [lëvizjes] anti-hitleriane, anti-fashiste, anti-naziste qysh të doni me i thanë, dhe kjo i përket rreshtimit të Lëvizjes Antifashiste Nacional-Çlirimtare në krahun e aleatëve të mëdhej Shteteve të Bashkume të Amerikës, Anglisë, Francës dhe Kinës në atë kohë, Bashkimit Sovjetik kuptohet. Bashkë me ne, atktivitetin anti-fashist e kanë zhvillu edhe serbët edhe malazezët edhe të tjerë. Komunistët kanë pasë vizion dhe e kanë shfrytëzu nji moment kritik në Gjakovë. Me ardhjen e italianëve u hapën gjashtë-shtatë bordele, më falni që po shprehem kështu, dhe e shfrytëzunë mosknaqësinë e popullit ndaj ktyne akteve. Dhe, na u bashkunë të gjitha forcat anti-fashiste, në mesin e të cilëve nuk kishte komunistë. Kishte njerëz që nuk e dojshin komunizmin, nuk e kanë deshtë komunizmin. Pse? Ata e kanë identifiku me Rusinë, rusi osht’… ia kemi pa sherrin gjithmonë edhe maroi puna aty.

Megjithate, populli na u bashku, dhe komunistët si organizatorë të mirë dhe propagantorë të shkëlqyshëm kisha me thonë, e mobilizunë popullin e Gjakovës. E unë kom bindjen se nuk ka pasë qytetarë gjakovarë që kanë luftu kundër partizanëve, edhepse e kanë ditë edhe nuk i kanë deshtë partizanët. Akte anti të armatosuna nuk ka pasë. Tash, unë e kom bindjen e thellë, dikush mund të thotë se, mund të mos pajtohet, por të gjitha lëvizjet që kanë ekzistu gjatë Luftës së Dytë Botnore kanë qenë shqiptarë. Për çashtjen shqiptare kanë luftu në mënyrën e vet. Edhe Balli Kombëtar nuk ka pasë ndikim të madh në Kosovë. Zogistët, Legaliteti dhe intelektualët e pavarun qata që i kemi pasë. Edhe shpiunët ma të mëdhenj siç ka qenë Beqir Maloku për shembull, ai ka qenë komandant i xhandarmërisë, ka ditë si merr frymë Gjakova po nuk ka marrë masa. Osht’ bo atentat në te si komandant se edhe si shpiun shumë i afirmumë me karrierë qysh në kohën e Turqisë. Kanë bo atentat në të, Fadil Hoxha me shokë, por vetëm osht’ plagosë. Ai ka ditë se si merr frymë Gjakova. Gjakova ka qenë krejt në lëvizje (qeshë) dhe italianët e qujshin “Piccola Moskva” – Moska e Vogël.

Kisha me bo nji digresion, mas Luftës së Dytë Botnore, në vitet ‘60 kur mbahej Pllenumi i Katërt i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, ku u demasku Shërbimi Sekret Jugosllav, sidomos ai serb. Dhe e pys nji operativist si i thojshin atëhere që osht’ gjallë hala, në tavolinë ishin katër, dy u çunë, ai nuk e ka pi duhanin, po nuk ia ndante cigare mas cigares, i thom, “Mirë Nuhi, çka osht’? Kur ia nise duhonit?” Tha, “Çka osht’ politika?” Masi e kom kry stazhin në punë në Sekretariatin e Punëve të Mrendshme, t’u shërby nëpër të gjitha qendrat e Kosovës, jom pensionu dhe ka marrë vesh Dushan Mugosha atëhere sekretar politik, udhëheqës kryesor i Krahinës Autonome në atë kohë dhe thotë m’u kthy në shërbim dhe, “Ki me shku me shërby në Gjakovë”. Dhe, notat që i jep ai tash, por thotë, “Kom punu me sukses në të gjitha qendrat, por ma vështirë se me punu në Gjakovë nuk ka”. ”Pse?” “Për shkak se nuk dijmë kurrëniherë se me kon kem punë”. Osht’… s’e di, osht’ popullatë interesante. Jonë shumë pragmatistë, por në pafuqinë e tyne tash kanë metë {ulë duart kah dyshemeja} shtaga e lypës.

Aktualisht, shtagën e lypësit ia kanë dhonë Gjakovës edhepse kanë rreth tre mijë në UÇK, në mesin e tyne unë kom… jemi njimdhetë na që kemi marrë pjesë, fëmitë e motrës edhe të vllazënve. Qët digresion e bona për me pa se çka osht’ Gjakova. Gjakova sot osht’ e nëpërkambur. Kjo o bindja ime e palëkundur. Gjakova që ka pasë 27 mijë punëtorë, sot mezi e lidhin mujin me mujë. Për mu, prijësit e UÇK-së Gjakovën e kanë tradhëtu. Le të thojnë çka të dojnë ata. Murrëm dy havanxhi që e grijshin duhanin, ashtu bohej (buzëqeshë) në mënyrë… Dhe kemi pasë dy vajza që bojshin paketë. Atë duhan të paketum, zakonisht kah pesë qind kilogram i ngarkonte baba e i çonte në Raushiq afër Pejës dhe prej andej me karavan me kuaj të ngarkum i çonte në Sijenicë. Kalonte nëpër viset që i kanë pasë çetnikët, praktikisht i ka korruptu t’u i dhonë duhan, e duhoni në atë kohë nuk gjindej. Kalonte në zonën e partizanëve, edhe aty u deshtë me iu dhonë duhon dhe mrrinte me aq sa i ka tepru duhon në Sijenicë te udhëheqësi mbiemnin e të cilit nuk ia di, por Dedë e ka pasë emnin. Atë duhon e këmbente me dhenë, mish të terun, bylmet, kuaj, qylyma e tjera sene, po pare jo.

Kur erdh në Gjakovë, pa u bo dy ditë, unë me vllaun i kullosnim delet, dhentë. Erdh baba im me Ismet Mulën dhe Asim Blutën dhe ata aktivistë të Lëvizjes Antifashiste Nacional Çlirimtare. Letrën e morra… Ismet Mula dhe baba u kthynë, Asim Bluta erdh me mu. Rrugës për në Devë, takojmë një njeri e kishte pasë shoqën përmas në kali. Na pytë, “Ku po shkoni?” Asimi u përgjigjë se po shkojmë te filani… nji njeri që na pyti e njifke. Dhe po vazhdojmë rrugën, ai shkoi në punë të vet. Mrrijmë në Devë masi ra muzgu. Në kullën e parë që pamë dritë trokitëm në derë, dul nji partizan. Ia dhamë letrën, thotë “Këte ia tregoni komandantit”. Komandanti zbriti shkallëve, e morri letrën, e lexoi, tha, “Nuk osht’ për mu” E mbylli, thotë “Ejani nalt”. U ulëm, ai, dy partizane edhe nji partizan ishin rreth nesh. Na verifikun s’pari se kush ishim, dhe për me ia mbyllë krytë asaj na vetën a dijmë kangë partizane. E knum pa… menjihere, kangë për Hysni Zajmin dhe Shahmanoviqin, Hajro Shahmanoviqin që jonë vra tradhëtisht në Plavë. E knumë kangën, ju pëlqei shumë dhe murrëm m’u çu. Komandanti tha “Jo, do të hani darkë e pastaj do të ju jap përcjelljen dhe do të shkoni në Babaj të Bokës.”

Komandant ishte Elez Isufi, mësus i vllaut tim. Elez Isufi ishte bir i Isuf Elezit që ka marrë pjesë bashkë me Ismail Qemalin në Shpalljen e Shipnisë të pamvarun. U çumë morrëm rrugë për Babaj të Bokës, natën nëpër hanë, ishte vjeshtë e bukur. Mrrijmë në Babaj të Bokës dhe iu drejtumë komandantit të Brigadës Pesë, Shefqet Peqi. Ai dul, si ndodhi me Elez Isufin, e ndezi shkrepsën {bën sikur po lexon letrën}, “S’osht’ për mu. Shoku Fadil gjindet në operacionet kundër kolonave gjermane që po tërhiqen prej Greqisë. Nesër kthehen,” dhe shkumë me pushu. Hyjmë në nji kasolle atje, tokë. E bomë nji pushim (qeshë), pushim i thoshim. Të nesërmen u çumë paksa heret dhe dolëm në sheshin e fshatit, në loma i thojshin ata ku bohej hedhja e grunit, në mënyrën tonë kështu dhe pamë nji grup partizanësh. Komandanti në komë i qortonte se, “Ne kemi marrë pushkën me luftu kundër fashizmit por sa ma pak m’u damtu. Nuk osht’ mirë që të luftoni në kamë. Toskët luftojshin në kamë” (qeshë), qashtu ka qenë atëhere… toska i vogël.

Në qato fjalë erdh komandant Shefqet Peqi edhe tha, “Gjindemi në pragun e shlirimit definitiv të atdheut të Shiprisë, por operacionet tona do të vazhdojnë edhe në tokat jugosllave deri në dëbimin e plotë të forcave naziste nga vendi. Ky është urdhëri i gjeneral i kolonel Enver Hoxhës, komandantit tonë gjeneral kolonel Enver Hoxhës.” Me këte e përfundoi, ne u çumë. Erdh Asimi, “Po shkojmë se erdh Fadili” në kullën e gjyshit të Jusuf Bajraktarit, akademik, ka qenë drejtor i Institutit të Historisë. Hyjmë në dhomën e pritjes të burrave si i thojshin atëhere (qeshë), qysh i thojnë edhe sot. Më priti Hysen Zherka, Ceni që i thojshim se ka qenë shok i imi. Më prezentoi para Fadil Hoxhës dhe ai vazhdoi muhabetin me… të pranishmit aty. Në mesin e të pranishmëve ishin edhe dy partizanë të brigadës maqedone, po të veshun me tesha shqiptare me plisa të rrafshët dibranë, edhe herkë edhe tirqë të zi. I zoti i shpisë gjatë gjithë kohës ka heshtë. Erdh koha e sillës e shtrumë bukën. Nji sofër të pasun qysh dijnë shqiptarët kur dojnë me pritë mysafirët e nderumë. U kry silla, erdhën kafet e elbit (qeshë). Sikur tash që po i reklamojnë edhe t’u pi kafe, i zoti i shpisë e morri fjalën edhe iu drejtu Fadil Hoxhës, “Fadil,” i tha “djali jem, po e shoh që nuk qenke vetëm. Ktyne nuk iu zihet besë”.

Kjo ka qenë refren në kohën e Luftës [së Dytë] Botnore në Gjakovë, du me besu se edhe në Kosovë, se me serbë edhe malazezë nuk ka besë. Na e dojmë dhe e përkrahim Lëvizjen, por sa herë që iu bjen në men lufta e përbashkët me serbë e malazezë, njerëzit kanë rezervë. Kjo ka qenë bindje manej e krejt Shtabit të Lëvizjes Antifashiste Nacional-Çlirimtare, komunistëve shqiptarë po flas, për komunistë. Shqiptarë të Kosovës të cilët kanë marrë vazhdimisht qësi informatash se populli osht’ me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, por Vllaznim Bashkimi s’iu pëlqente për shkak të vujtjeve shumë të mëdha që ka pësu populli shqiptar në Jugosllavi në atë kohë, në Jugosllavinë Mretënore. Mas sillës dhe kafet që i pimë morrëm rrugë për në Krunë, ku ka qenë shtabi operativ për Kosovë në Rrafshin e Dukagjinit. Shtabi ishte vendosur në internatin në Kosovë ku kanë, i kanë kry shkollat djemtë që për çfarëdo arsye kanë ikë nga Jugosllavia në Shipni.

Në rrugë për Krunë iu afrunë Devës. Në nji moment njifarë Musa Efendia ka qenë luftëtar i Lëvizjes Nacional Çlirimtare ashtu… i tha Fadil Hoxhës, “A të hijmë te Begu ta pijmë ka ni kafe?” Aty ka pasë shtabin Gani Begu. Gani Begu Kryeziu i cili e ka pasë Akademinë Ushtarake të kohës të Jugosllavisë të kryme, ka qenë doktor epror ushtarak. Por, s’i ka pasë njësitë e veta, edhe ai ka luftu kundër fashizmit. Bashkëpunimi me komunistët ka qenë i ngushtë për aq sa ai ka pasë besim. Në propozimin e Musait, Fadili tha, “Jo!” “Pse?” “Osht’ idhnu me mu. Ma ka çu nji letër ‘Pse po m’i merr partizanët?’” Ai në shpinë të letrës, të njejtës letër i shkrun, “Unë nuk kam stërlinga me iu dhonë”. Do të thotë, Begu ka qenë njeri i blemë, ka punu me ndihmën kundër fashizmit, me ndihmën e Aleatit të Britanisë të Madhe në atë kohë që i ka çu funta stërlinga ari për m’u financu Lëvizja.

Dy kanta të metalta qasi i kemi pasë në shpi tonë. Ndodhi që nana ime e hapë po pa e pytë babën. Edhe në moment vjen baba, “Çka po bon?” “Po e marr veç nji stërlingë,” ari ato “me ia bo djalit kur të bohet për martesë”. Baba ia murrë e la aty, e mbylli dhe ia dorëzon Gani Begut. E lamë Devën dhe mbrrimë në Qafë të Prushit ku ka qenë kufini, ku edhe sot ekziston kufini me… atdheun (qeshë). Qishtu i thonte Teki Dervishi, “Kufini me atdheun”. Aty iu tremb kali Fadil Hoxhës se i doli gjarpëri, nëpërka që ka plot atje në shtigjet shkambore në kufi. Shkoi Musa Efendia e shkeli, vazhdumë rrugën dhe u nalëm në Golaj. Në Golaj Fadili e thirri Ibrahim Zherkën, ka vdekë i ri, ka qenë historian i cili e ka deshtë Fadilin si birin e vet. Thirri po s’u përgjigjë kërrkush dhe vazhdum rrugën. Për me bo ma të lehtë rrugën Musa Efendia pyti prapë, “Ani Fadil, kom marrë letër edhe prej Demë Ali Pozharit”. “Ani?” “Ma ka çu ni letër, thotë: ‘A ma falë jetën se po bohna me ty, me kô kom?” Fadili i përgjigjet në letër, “Jo. Nëse na bjen rasti m’u taku na në fund kem m’u kqyrë nëpër thumb të pushkës”. Këte për shkak se Demë Ali Pozhari ka luftu me armë kundër partizanëve.

Por, Fadili nuk e ka ditë nji detaj. Aty ku ka vu pritë Demë Ali Pozhari me të vetë, dhe ka konstatu se në mesin e partizanëve nuk ka serbë e malazezë, osht’ tërhekë, nuk ka luftu. Po aty ku ka pasë serbë e malazezë kurrë pushkën s’iu ka ndalë. Demë Ali Pozhari mas Luftës të Dytë Botnore, në vigjilien e mbarimit të Luftës të Dytë Botnore ia therrë shkon në Greqi e manej në Turqi edhe vdes në migrim. Dhe prapë edhe nji pytje tjetër tash me e shkurtu rrugën, Musa Efendiu i thotë Fadilit, “Ani a ke  [e pakuptim] diçka tjetër?” “Kom marrë letër prej Ejup Binakut”. Ejup Binaku ka qenë sekretar i Partisë Fashiste në Gjakovë, edhe në shpinë të letrës ia kthen thotë, “Eja kur të dush”. Tash vjen pytja logjike e Musait, tha, “Ne jemi në luftë me fashizmin, nazizmin. Ti i refuzove dy, pranon me ardhë në hallall Ejup Binakun si sekretar të Partisë Fashiste”. Ktu ndryshojnë punët. Ejup Binaku osht’ person i cili në mes të dy luftërave botnore ka ndihmu sa ka mujtë të rijtë që për çfarëdo arsye jonë largu prej Jugosllavisë e kanë kalu në Shipni. Osht’ angazhu në shkollimin e tyne, punësimin dhe strehimin. Atij i kom borxh, dhe Ejup Binaku vjen në hallall.

Mrrijmë në Krunë dhe mu më caktojnë me fjetë në dhomë me Hilmi Aganin, profesor, ma vonë profesor Hilmi Agani që ka qenë. Ai mas disa javëve… masi osht’ siguru se unë jam besnik, po më thotë nji natë, “Kom me të thonë diçka, por në qoftëse ma jep besën se nuk flet, nuk i tregon kërkujna”. Thashë, “Po”. “Nji rast të rrethumë prej forcave të Muharrem Bajraktarit, na osht’ deshtë që dy netë e tri ditë të fshihemi nëpër shkurra në Has të Gjakovës, për shkak se ai ka qenë në forca të mëdha na ka rrethu. Na jemi fshehë dy netë e nji ditë,” tha, “edhe etjen e ujin e kemi shu tu marrë pemë të egra. Dhe kemi marrë lajm se forcat e Muharrem Bajraktarit jonë tërhekë. Na jemi kthy për në Krunë, rrugës për në Krunë në fshatin Cahan, Pavle Joviçeviq që ka qenë udhëheqës i Partisë në Shtabin Operativ për Kosovën në Rrafshin e Dukagjinit, i jep letër me çu në Kishaj nji fshat gjithashtu në Shipni osht’, me pritë me marrë përgjigje dhe me u kthy, me ia kthy përgjigjen, edhepse e dinte se jom i dërrmum, i lodhun, i untë. E morra detyrën, shkova e kreva dhe në ë kthim u nala në nji shtrojerë me pushu. Nuk ka zgjatë shumë dhe po i nij hapat e dikujt që po afrohet me përcjellsët, truprojet e tyne. Shkova ia dhashë raportin, u ktheva në vend temin. Ata nxorrën pite e mish, po hanë. Mu nuk më thirrën edhepse e kanë ditë që jom i dërrmum edhe unë”. “Çka osht’ kjo?” “Veç ta dish” (qeshë), vetëm kaq. Për mu ky ka qenë indoktrinimi i parë se bashkëpunimi me serbë e malazezë osht’ shumë i vështirë.

Dhe ndodhi masnej tërheqja prej Krune për me iu afru Gjakovës, kalumë në Tropojë. Në Tropojë u vendosëm, mu më caktunë me fjetë në depo të pëlhurave dhe të rrobave të ndryshme, bashkë me nji serb të Gjakovës dhe nji shkodran. Masi u vendosëm, dulëm, ramë poshtë për me marrë darkën. Une e kom pasë nji gavetë, gavetë që vehet ktu {tregon brezin}, për ushqim e për me pi e me hongër. E nxjerr ato e përgjegja serbisht, “Nisi na evidencija” “Nuk je në evidencë në kompaninë e parë, po je në të dytën”. Unë si i ndigjushëm, shkoj në të dytën, e shtrij dorën, prapë, “Nisi na evidencija”. Dhe i idhnumë, por pa protestu. Kthehem në dhomë dhe e gjej aty bacën Bajram, atë farë burri shkodran, ai e vërejti që diçka s’o në rregull me mu edhe më tha, “Çka ke mor?” Thashë, “Kurgjo!” Tha, “Jo, jo, ti nji dreq e ke” (qeshë). Dhe i tregova ngjarjen. “Çohu!” tha. Më murrë për dore, sa i kisha unë, pa i mushë 14 vjet. Shkoj në kuzhinë, “Nxirre gavetën”, ia qes, tak {bën sikur po mbushë gavetën}, ma jepi ushqimin. Edhe kjo zgjati me javë. Herë më përcillte, më shoqënonte Safete Nimani, herë Dragi Kirljeoviq, herë Xhafer Vokshi, anëtar i shtabit.

Pjesa e Katërt

Nëntor 1944 që merr flakë spitali partizan dhe angazhohemi të gjithë me kofa me çka kem pasë. Unë bashkë me nji gjermon që ka qenë antifashist, dezerter i ushtrisë gjermane, ka qenë piktor i mirë, gjithë natën kemi shkrujtë. Në mëngjes, takoj nji gjakovar, njifarë Minush Xërxa edhe i thom, “Ku po shkon?” Tha, “Po kthehem në brigadë. A po më pritni pak?” “Po”. Shkoj une me marrë bukë, nuk më jepin prapë. Prej atyhit shkoj në shtab, i paraqitem Xhafer Vokshit të ndjerë edhe i thom, “Une shkova në brigadë”. Në qat moment po zbres shkallëve edhe Pavle Joviçeviq. Ai zbriti shkallët dhe me nji pallto të ushtrisë angleze të gjatë kështu dhe hijerandë. Më mati pak edhe tha “Jo. Ne možeš!” [Nuk mundesh!], se Xhaferi i tha ky po don me shku në brigadë. Ai më mati edhe tha “Jo!” Unë fjalën e fundit ia dhashë Xhaferit. Thashë, “Shkova”. Kjo ishte data 8 nëntor, 1944.

Mrrijmë bashkë me Musa Batallin e kom pasë shok klase dhe nja dy partizanë tjerë. Mrrijmë në Bobaj të Bokës dhe diku pak pa ra muzgu vjen baba im me njifarë Sami Morinën na lajmrojnë se forca okupatore në Gjakovë mo nuk ka edhe se kazermat osht’ tu i rujt Ethem Stublla. Profesor Ethem Stublla me akademi ushtarake të kryme në Romë, dikur komandant i garnizonit të Palermos dy vjet. Dhe nisemi, bohet riorganizmi i Brigadës Katër mas operacioneve që i ka pasë dhe nisemi për në Gjakovë në komë. Ra bora e parë, kur kemi mrri te Ura e Tabakut… a keni qenë në Gjakovë nojhere? [I drejtohet intervistuesës] Osht’ ku jonë vorrezat, aty jonë dy ura. Jusuf Zherka na ka mobilizu na thirri, kemi hy në Gjakovë t’u knu, “Bashkohemi shokë ne në çeta”, kongë e tjerë, e tjerë.

Shtabi Operativ për Kosovë dhe në Rrafsh Dukagjin, mas riorganizimit të Brigadës Katër kosovare, e cakton kompaninë e Jahja Osmanit që ka pasë nofkën “Zhivko” me hy e para në Gjakovë. Përbamja e asaj kompanije ka qenë gati gjysë për gjysë serbë e malazezë edhe shqiptarë. Kjo osht’ djallëzia e serbëve në ë atë kohë, që me thonë se vendin e kanë çliru serbët. Po kjo nuk ka ndodhë, jonë munu në Gjakovë me bo ksi senesh. Në Gjakovë nuk kanë mujtë me i kry krejt detyrat që kanë pasë simas projekteve të tyne, eliminimin e shqiptarëve e ktyne tokave. Menihere ka vepru Shërbimi Sekret Jugosllav, t’i thom serb me fjalë tjera. Edhe ndodhë që krejt shtabin e Gani Begut e marrin, i burgosin dhe i vrasin të gjithë Kryezestë që kanë qenë, që kanë mujtë me i zanë në atë kohë, dhe i vrasin në mënyrë shumë barbare.

Gani Begun e çojnë në burg në Srpska Mitrovica. Në Mitrovicë atje ka qenë burgu famëkeq dhe atje përfundon jeta e atij. Përkundër kërkesës së qeverisë britanike që ai të mos likuidohet për shkak se ka qenë njeri i tyne, bashkëpunëtor me anglezët, do të thotë, ka qenë antifashist i djathtë, jo si Fadil Hoxha me shokë, me Emin Durakun, me Hysni Zajmin, me tjerë që kanë qenë të majtë, në anën e majtë… për shkak se ne kemi pasë përfitime shumë të mëdha prej asaj Lëvizjeje. Cilat kanë qenë përfitimet mas Luftës së Dytë Botnore të shqiptarëve të Kosovës dhe përgjithësisht në Jugosllavi, por konkretisht në Kosovë? Hapja e shkollave në gjuhën shqipe, administrata që me mundime të mëdha, me përpjekje shumë të mëdha osht’ mbërri me u bo administratë në gjuhën shqipe. Fillojnë shkollat, hapet Shkolla Normale shqipe në Gjakovë.

Unë e kryj klasën e parë edhe të dytë për nji vit me program të shkurtuar për shkak se ka qenë nevoja shumë e madhe për msusë. E kryj edhe klasën e tretë edhe në korrik të ë vitit 1950 na çojnë në kursin pedagogjik, kursin e naltë pedagogjik në Pejë. Ditën kur e marr maturën, ma dorëzon Zeqeria Rexha i madh, i madh për shkak se gjithë jetën, gjithë aktivitetin e tij mas luftës e ka derdhë për arsimimin e popullit. Dhe tha kështu, “Me pasë thonë dikush në vitin 1939 se në Kosovë në ë viitin 1941 do ta kemi administratën në gjuhën shqipe dhe shkollat në gjuhën shqipe, atë njeri do ta kishin shpallë se ka fillu me lujtë pak. Po ja që e bomë na. Por me pa konë dikush në ë vitin 1941 se në vitin 1950 na do t’i qesim tre qind msusë përniherë, atij njeri do t’ja kishin veshë kmishën e të çmendurit. Po ja që e bomë dhe ne do t’i bojmë edhe të tjerat”.

Dhe ato tjerat u bonë me sakrifica shumë të mëdha, prej shkollave fillore e deri te Akademia e Shkencave. Dhe u ndërtunë shkollat, spitalet gjatë qasaj kohe. Do të ë thotë, unë mendoj dhe kom bindjen e thellë, se rezistenca kundër t’i themi asaj kohe atij regjimi, osht’ bo në dy mënyra. Në mënyrë institucionale t’u e kundërshtu shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi e venet tjera simbas marrëveshjes e vitit 1937, në mes të Jugosllavisë Mretënore edhe Turqisë për shpënguljen e turqve prej ktuhit, se shqiptarët muslimanë i kanë qujtë turq. Rezistenca ka qenë e qasaj super-strukture politike të komunistëve shqiptarë të Kosovës. I janë kundërvu dhe dami ka qenë shumë ma i vogël se mos të kishin qenë komunistët. Kto po e thom jo për me i mshelë gojën sharllatanëve që flasin kundër Lëvizjes Antifashiste Nacional-Çlirimtare për çlirimin nacional dhe social. Por, me ju tregu se nuk keni të drejtë që në mënyrë të vrazhdë të sulmohet një Lëvizje shumë humane, Lëvizja Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Ndodhë në dhetor të vitit 1943 që në shpi tonë të vijë Ismet Shaqiri. Ishte në fund të nëntorit dhe ai e pyti babën dhe nanën time, nana ime ka qenë agjitator për Lëvizjen Nacional-Çlirimtare dhe dinte mirë me thurrë kangë vaji kur vritej ndonji partizan ose noj aktivist. Nanën e pyti, “Si osht’ gjendja, situata aty?” “Populli”, thotë, “osht’ krejt me ne, por”, po kthehem e thashë edhe pak ma përpara, “kur përmendet Vllaznim Bashkimi, bashkëpunimi me serbë e malazezë ka rezerva të mëdha”. Ai u përqesh, “Ne nuk mund t’iu themi popullit se qe nuk po bashkëpunojmë me serbë e malazezë. Po ejani, rrokni armët edhe ejani me ne për shkak se së bashku jemi t’u luftu kundër armikut të përbashkët, fashizmit. Kësaj të keqe që i ka rrëmby Evropën”.

Në qato fjalë erdhi kushëriri jem Sylejman Dobruna që ishte kthy prej Gjermonisë me u knellë, e ka punu në minierat e Ruhrit në Gjermoni, nxirrej thëngjilli në atë kohë. U prezentu me Ismet Shaqirin dhe i tha, “Mirë paske bo, koke kënellë e tash osht’ mirë me ardhë me u bo partizan se shpejt kemi me çliru venin. Kem me organizu jetën si në Bashkimin Sovjetik”. Ai kushërini jem si i rrëmbyshëm që ka qenë, tha, “Kurrë!” “Kurrë?” Tha, “Si në Bashkimin Sovjetik? Po unë jom kapuçkadër në minierë”. Kapuçkadra osht’ kryepunëtor, kështu në atë zhargonin e atëhershëm po flas. “Mu punëtorët e atyhit që jonë të gjithë të burgosun, të gjithë sllavë, rusë, serbë, malazezë, kroatë, e tjerë, më dojnë si me qenë baba i tyne”. “Qysh të donë?”

Në momentin kur kom shku une kom organizu nji formë signali, në fillim me nji kabëll e kom tërhekë kabllin e në fund në zgafellë atje ku osht’ nxerrë thëngjilli kanë qenë punëtorët për me i lajmru se po vjen komandanti, ‘Bini punës!’ Kom kriju rezerva në hymje të zgafellës, rezerva thëngjilli, i kom mbulu me gurë me diçka por i shplojshim. Vinte ai por i knaqun me punën e tij ma rrehke krahun, punëtorëve ju shtojke ushqimin që e kanë pasë vetëm bukë edhe kafe, kurgjo tjetër. Dhe, ata thonë deklarohen se mas marimit të luftës na nuk do të kthehemi në Bashkimin Sovjetik, se ma mirë e kemi ktu në llogor sesa atje”. Ismeti gjithashtu i rrëmbyshëm, po të mos kishte qenë te na, e kishte vra. Ai tha, “Atje jeta në ë Bashkimin Sovjetik, unë nuk kom qenë, ata më ë kanë thonë që nuk osht’ mirë”. Këtu përfundon.

Të nesërmen Ismet Shaqiri shkon në Konferencën e Bujanit edhe atje dihet Rezoluta e Bujanit, ju e dini keni ni? Rezoluta e Bujanit po e thom me fjalë të mija asht’ që, “Populli shqiptar i Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit dhe përgjithësisht gjithmonë ka andrru që me iu bashku tokës shtetit amë Shipnisë”. Qikjo ka qenë ajo. Osht’ kanga, hymni i Këshillit Nacional-Çlirimtar që une e di përmensh. Nuk di a e di kush në Kosovë.

Jeta Rexha: A munesh me na thonë?

Musa Dobruna: Po. Do t’i lutna dikujt prej kompozitorëve edhe melosin me e thonë, po unë po i thomë vetëm fjalët {Reciton himnin}.

Me ty o Këshilli Nacional-Çlirimtar,
Ti që na prin dhe na bashkon,
Me ty sot ngrihet populli shqiptar
dhe drejt fitores ai po marshon.

Refreni tash

Çohi i vllazën pa dallim feje, krahine dhe ideje
në luftë të përbashkët kundër fashizmit.
Çohuni të gjithë se koha nuk na pret.
Çoju të gjithë shqiptarë që don Shqipni!
Ja sot, ja kurrë, me armë duhet me dalë
të përzojmë zaptuesin dhe të fitojmë lirinë.

Qikjo osht’ ajo. Do të thotë Lëvizja Antifashiste Nacional-Çlirimtare ka qenë për çlirimin nacional dhe social. Por shpejt vjen proklarata e Shtabit të Jugosllavisë se çashtjën nacionale do ta zgjidhim në mënyrën ma të mirë të mundshme mas marimit të luftës. Në qat’ kohë ka ndodhë Konferenca e Jaltës, e Tehranit, e Moskvës në mes të… ku kanë marrë pjesë Franklin Delano Rusevelt, Vinston Çërçill, Stalini, kta tre e kanë vendosë që kufijtë e Evropës të vendosuna në Konferencën e Paqes në Paris, në Versajë të mos preken. Kjo osht’ përgjigje ma e mirë e propagatorëve që nuk e dijnë historinë, unë po them që nuk e dijnë historinë, ose që jonë tendenciozë gjithsesi tendeciozë se Enver Hoxha e ka shitë Kosovën edhe Fadil Hoxha. Kufitjë e Evropës mos m’u prekë mas Luftës të Dytë Botnore, dhe ka ndodhë qajo që ka ndodhë.

Parëz e përmenda rezistencën institucionale kundër shpërnguljes së shqiptarëve prej Kosovës. Paknaqësia ndaj regjimit ka qenë e madhe, për shkak të zhvillimit shumë ngadalë ekonomik të Kosovës dhe përgjithësisht në viset ku kanë banu shqiptarët. Kjo ka shkaktu rezistencën tjetër dhe paknaqësia në rritje ka ardhë pas burgosjes së njerëzve që nuk jonë knaqë mrena, dhe kanë vepru në mënyrë jo të armatosun por në rezistencë, propagandë po. Jonë tash, vllau im Sokoli me Adem Demaçin kanë qenë. Kadri Kusari, si e pat emrin Ismail Dumoshi e tjerë, e tjerë që kanë qenë. Në nji takim të rastit që Fadili e ka pasë aktivitetin politik të Gjakovës, ka rrjedhë informacioni, se meritë ma e madhe e nji hovi ma të madh të zhvillimit të Kosovës e kanë të burgosunit politikë. Për shkak se nuk ka pasë burg në Jugosllavinë… ish-Jugosllavinë, nuk po përmendi persona, personalitete, ku nuk ka pasë të burgosun shqiptarë. Qikjo!

Në familjen tonë vllau jem ka qenë në burg, nantë vjet. Sokoli ka qenë gjashtë vjet e gjysë i dënumë, Muslimi njimdhetë vjet. Na kemi qenë ka pak. Mu më kanë marrë në biseda informative dy herë ka katër orë, por unë nuk e di as vet, nuk më kanë burgosë. Shkaqet i kanë ditë ata sigurisht. Por, si familje kemi qenë në sy të pushtetit. Të gjithë pjesëmarrësit në Konferencën e Bujanit kanë pasë ka dikend në burg. Ka pasë prej tyne që edhe jonë vra gjatë luftës dhe mas luftës. Për shembull, qe Pavle Joviçeviq i qet në pritë forcat e Muharrem Bajraktarit. Vritet Hajdar Dushi, Sadik Pozhegu e do partizanë të tjerë, në pritë. Xheladin Hana ka qenë drejtor i shtëpisë botuse “Mustafa Bakija”, ma vonë “Rilindja”, vritet në burg, në tortura në vitin 1949. Përpjekjet kanë qenë të them mbinjerëzore, osht’ dashtë shumë punë, ndoshta edhe dredhi. Por të gjitha nuk kanë bo pare. Si rezultat i mosbesimit i serbëve dhe malazezëve ndaj komunistëve shqiptarë të Kosovës, prijës që kanë qenë të Lëvizjes Antifashiste Nacional-Çlirimtare, osht’ organizu procesi i Prizrenit. A keni ni për te?

Jeta Rexha: Jo, tregona diçka.

Musa Dobruna: Procesi i Prizrenit osht’ organizu për likuidimin politik të kuadrit shqiptar, komunistëve shqiptarë në krye me Fadil Hoxhën. Për secilin kanë bo dosje e mlidhet aktivi politik i krahinës atëhere, dhe në rend dite problemi i Fadil Hoxhës. Dosja qikaq ka qenë {tregon madhësinë me duar}, edhe për të tjerët. Qito që po i thom tash jonë fjalët e profesor Ekrem Murtezait akademik, fjalë të cilat i ka thonë Fadili në udhëtim prej Beogradit në Prizren. Ky ka qenë këshilltar i Fadil Hoxhës në Komitetin Qendror të Jugosllavisë. Erdh momenti i mledhjes, u ulën, filloi diskutimi dhe secili diskutim ishte kundër meje dhe kundër pjesëmarrësve në Lëvizjen… Konferencën e Bujanit, krejt. Dhe në nji moment u ndala, thashë, “Marova!” Qatëhere vendosa, kjo i shkon në atë kryesinë e mledhjes, Dushan Mugoshës i thotë, “Shok Dyq”, shqip, se ai ka ditë shqip mire, “I kom dy fjalë me ty në katër sy”. Çohet e shkon ai, “Qikjo që e keni organizu osht’ për shkak se unë i thom nanës nanë, e ti majka. Vetëm nuk shkoj. Vetëm nuk do të shkoj!” Po e përfundoj si diçka që çon peshë të madhe në përpjekjet e njerëzve tanë kundër nji regjimi, nashta osht’ e tepërt me thonë fashist, por qashtu ka ndodhë. Ndodhën masnej edhe konferencat e tjera.

Në nji aheng ku isha edhe unë, ishte Fadil Hoxha me shokët e fëminisë, i kishte thirrë në atë aheng. Kjo ndodhë kur osht’ feju Lini [i drejtohet bashkëshortes në dhomë] në vitet e ‘90-ta, kur Fadil Hoxhën e patën likuidu politikisht, e hoqën. Edhe na foli, po për [shkak] distancimin tonë prej ngjarjeve të mëdha të shtetit jugosllav në atë kohë… t’u mos na përfillë. Në anën tjetër në propagandën botnore gjithmonë kanë thonë se politika jonë e drejtë, konkretizohet mu në raportet me pakica nacionale për Kosovën, mu në raporte shqiptare. Dhe për çudi të madhe, mas qatyne deklaratave Shërbimi Sekret i Republikës të Serbisë i krynte punët e veta. Burgoste njerëz, i merrte në biseda informative dhe del masanej në shesh diçka shumë vizionare për mu.

T’u folë për jetën e vet [Fadil Hoxha], gjatë kohës të Jugosllavisë Mretënore, thotë, “Punoja në kantinë të ushtrisë të kazermave të Gjakovës dhe,” i thotë ai, “baba jem, dikur pasanik i madh, met aq keq materialisht sa e çonte vëllaun, ‘Kqyr në munesh me na dhonë naj dinar për me ble bukë, krypë, gaz” petrole, se rrymë s’ka pasë, s’kem pasë rrymë elektrike atëherë (buzëqeshë). “Dhe erdh momenti kur u bo jeta për mu e padurushme,” tha, “ika në Shipni”. E në Shipni e ka kry shkollën fillore në Shkodër atje dhe masnej ka shku në Shkollën Normale të Elbasanit. Kjo ndodhë në kohën e Mretit Zog. “Nji ditë prej ditësh, po më thërret drejtori i shkollës Aleksandër Xhuvani”, Aleksandër Xhuvani i madh. “Ulu,” tha, “djali jem,” e nxurr ni letër tha, “shif çka po shkrun”.

Shërbimi Sekret Jugosllav ia çon qeverisë së Zogut një letër në të cilën thotë, “Atje keni komunista që kanë ikë prej Kosove dhe ata do t’ju qesin ngatërresa. Njeni prej tyne edhe osht’ Fadil Hoxha”. Ai thotë, “Mirë, unë po shkollohem. Çfarë ngatërresa po ju qes juve? Po kqyri punën teme”. “Po, po. Po, po djali jem, vazhdo punën. Vazhdo mësimin”. Edhe e merr atë letër {bën sikur e futë në xhep} edhe kurgjo. Ai ka qenë Aleksandër Xhuvani. Kjo osht’ ajo pse rinia e Kosovës kanë ikë në Shipni me u shkollu ose me gjetë mënyrë ma të mirë të jetesës. Këtu, une vetëm e marr me mend, ferr ka qenë, vet ferri.

Pjesa e Pestë

Musa Dobruna: Në fillim të viteve të ‘50-a, nji qëndrim me i thonë, se atëhere kanë ekzistu ligjet, po osht’ punu simas qëndrimeve jo simas ligjeve që të bahet mobilizimi i fuqisë punëtore nëpër qendrat e Kosovës. Qatëhere, prej Gjakovës kanë shku rreth tre qind msusë edhe nënpunësa nëpër Kosovë për me organizu shkollimin edhe administratën aty-ktu. Dhe ma vonë tash, mu në vitet e ‘50-a prapë ndodhi ajo fjala kur dorëzohej diplloma e maturës e Zeqeria Rexhës të madh që ka qenë ma i zëshmi kundër regjistrimit të popullatës shqiptare islame si turq për qëllimet antishqiptare për m’i dërgu në Turqi. Kjo ka ndodhë në vitet e ‘50-a. Me qindëra, mijëra shqiptarë jonë shpërngulë prej ktuhit. Efekti i punës i qatij mobilizimi të fuqisë punëtore ka qenë shumë i madh, për shkak se ka qenë i madh ndikimi i qatyne gjakovarëve nëpër qato qendra. Nuk ka pasë qendër në Kosovë ku nuk ka pasë msusë nga Gjakova. Dhe me e lonë tash me ngritë njerëz pa merita me shpallë hero që ka luftu kundër Lëvizjes Nacionaliste Antifashiste Çlirimtare, kjo osht’ nonsens i madh. Dhe kush? Qata që edhepse e kanë pa që Gjermania po humbë, po bohen me gjermanë, po luftojnë kundër partizanëve. Qikjo ka qenë rasti me Shaban Polluzhën për shembull.

Nji rast, me 12 shtator, 1999 më ka ndodhë nji konflikt që nuk e nisa unë. Me nji civil te Hoteli Iliria, më del përpara, më thotë, “Ndalu!” Po ndalem. “Urdhëno?” Tha, “Legjitimohu”. Thashë, “Nuk po shoh. A ke autoritet me më nalë, me nalë qytetarë?” E nxurr nji karton që i shkrunte PK në të kuqe me shkronja të zeza të mëdha – PK. Unë po e lexoj thash Policia e Kosovës. Kjo ka të boj me SHIK-un. Aty kom pasë nji kacafytje verbale me ta. Dhe për me i ikë publikut kah parkingu kom hy në hotel atje, nuk dojshin me më lonë me hi te drejtori, po hyna une. Thashë… ai më qetësoi. Dola prej atyhit, po më presin tre vetë me shajtjet ma të ndyta që ishin. Edhe une për ni moment i thashë, “Eh i mjeri unë mas gati 50 vjete po u duhka me marrë armën edhe me luftu kundër të keqes”. Thashë, “Kom qenë partizan”. Tha, “Uh, gjyshi jem,” ashtu flliqtë, “ja u ka kajtë nanën partizanëve”. I thashë, “Po unë”, me të njejtën por pa shamje, “Ballit Kombëtar” {tund kokën}. Edhepse kom qenë i bindun se Balli Kombëtar nuk ka qenë antishqiptar, por rrugën e ka pasë të gabushme. Ata nuk jonë rreshtu me aleatët e mëdhenj me Shtetet e Bashkume të Amerikës.

[Bie zilja e telefonit] Qendër e madhe ose e vogël ku nuk ka pasë msusë nga Gjakova. Qikjo ka qenë, kjo në saje të atij organizimit. E kanë shfrytëzu qëndrimin për mobilizimin e fuqisë punëtore, në kuadër të saj kanë qitë msusë, nënpunësa e tjerë. Shoqja jeme Hydajetja osht’ transferu prej Peje në Rahovec hala pa i mushë 17 vjet, 16-17 vjeç, ka punu si mësuse. Masandej, osht’ transferu prej ktuhit me dekret për në Gjilan, bashkë me axhën e saj Qamil Binxhia. Atje ka punu pesë vjet si mësuse. Dhe përshtypja ka qenë aq e mirë sa s’ka. Po atje bashkë me Qamil Binxhiun e Hydajeten ka qenë Miftar Vokshi për shembull, vëllau i Asim Vokshit. Ka qenë Masar Kadia, Dervish Shehu, si e ka pasë emrin ai… njifarë Syka, edhe plot të tjerë. Mynyr Sanasi, për shembull e kanë çu në Kaçanik me udhëheqë kursin për aftësimin e kuadrit në kontabilitet në financa. Ta them si anekdotë tash, t’u pi me vendasit aty me shokët me të cilët bashkëpunu, në pije e sipër i thonë, “Hajt me na tregu, a ma të meçëm jeni ju në Gjakovë gjakovarët apo na Kaçaniku?”  Mynyr Sanasi ju thotë, “Jo, ju jeni ma të meçëm se na”. “E pse?” “I keni shpijat nër vade, e arat mi vade” (qeshë). Në Kaçanik shumë shpesh e merr uji aty. Anekdotë kështu…

Jeta Rexha: Qysh jeni taku me zojën Hydajete?

Musa Dobruna: Si?

Jeta Rexha: Me shoqën tuj, qysh jeni taku?

Musa Dobruna: Paksa e dhemshme, por osht’ çashtja e përcaktimeve të mija. Kur u hap Shkolla Normale e Gjakovës, ishin tri-katër vajza në krejt shkollën. Dhe Komiteti vendosë me na thirrë aktivin politik qysh i thojshim në atë kohë ne, kishte ardhë Xhevdet Hamza pak me vonesë deri sa erdh dhe tha, “Kom vetëm dy-tri fjali me t’i thonë. Ju po e shifni se populli nuk po i çon vajzat në shkollë. E unë po ju thom kështu, që i kqyrni me sy të të riut,” në atë kohë po edhe sot kështu (buzëqeshë), “jo që ju përjashtoj prej shkolle, por në burg. A morret vesh?” Qikjo ishte e fundit. Dhe unë i jom bindë prindërve të mi që ata me ma zgedhë shoqen e jetës. Unë nuk e kom përjetu atë jetën e adoleshentit ose të riut, edhe as të rejat. Edhe kemi mrri që Shkolla Normale të ketë ma shumë femna, sesa mashqi. Kjo osht’. E kjo osht’ prapë angazhimi i komunistëve shqiptarë.

Masanej edhe diçka tjetër që ka shumë randësi, por për Gjakovën. Organizohet dhe hapet Shkolla Normale për amvise. Vijnë prej krejt Jugosllavisë, 95 përqind të tyne kanë qenë serbe malazeze e të Bosnjës, Maqedonisë e tjera, tjera, prej Vojvodinës e tjera. Qëllimi ka qenë të martohen në Gjakovë. Asnji s’osht martu në Gjakovë, nuk e kanë mrri. Nji osht’ martu për nji serb dhe ajo o nda mas nji kohe. Qikjo osht’, qikjo o karakteristika e… po flas për atë kohë për Gjakovën. Në trollin e kazermave në Gjakovë osht’ ndërtu Shkolla Normale, shkolla për mësusë. U hapën themelet edhe masnej u organizun me shku me bo mallter, me bajtë tulla, zallë, ne, nxanësit e shkollës. Dhe u ndërtu Shkolla Normale. Së paku dy here në javë Xhavit Nimani, Zeqeria Rexha, Fadil Hoxha vijshin me pa se si po zhvillohen punimet. Dhe, kjo ndodhi n’vitin 1946 që zgjati deri në vitin 1953 kur Shkolla Normale e Gjakovës, shpërngulet për në Prishtinë, dhe atëhere ka vazhdu puna.

A din çka ndodhë diçka shumë interesant? Tendencat e hegjemonizmit serb bohen që pjesa dërrmuse e landëve në Normalen e atëhershme dhe Kursin e Naltë Pedagogjik të të rritunve të zhvillohen në gjuhën serbe. Atëhere ndodhë që Ali Hadri e bon në mënyrën e tij organizimin e nji shtrajku të nxanësve. E bojkotojnë mësimin. Merr vesh Fadil Hoxha në Beograd të cilin deri vonë nuk e kanë lonë me ardhë në Kosovë siç ka ndodhë me nji plejadë njerëzish, thjeshtë s’i kanë lonë me ardhë në Kosovë… dhe me ju folë nxanësve që m’u kthy në mësim. Na thirrën, shkumë edhe na tha kështu, “Trusni dhe mësoni. Kur të bëhi ju, kta që kanë ardhë prej Beogradit kthehen në vend të vetin e ju i merrni punët në dorë. Mos të kishin qenë këta, na do t’ishim detyru me marrë prej botës të jashtme njerëz për aftësimin e fëmive tonë nëpër shkolla”. [I drejtohet shoqes] Fjalët e Ramadanit. Më fal. Nji profesor po e vetë, ato që e ka pasë pranë, “Çka po thotë te Fadil Hoxha?” “Po thotë qështu…” “Po aii… pa da, imamo pravo,” ai ka të drejtë, të drejtë po thotë. Kur të bëhi ju, i merrni dhe i zhvilloni mësimet në gjuhën e juj. Dhe kthehen nxanësat e vazhdon puna. Në qat’ kohë Zeqeria Rexhën e përzen prej ktuhit pse ka qenë ma i zëshmi në luftë kundër qëndrimeve për shpërnguljen e shqiptarëve prej ktuhit, dhe regjistrimin e shqiptarëve të besimit islam në turq.

[I intervistuari flet për Lidhjen Demokratike të Kosovës, fillimi i rrëfimit s’është xhiruar me kërkesë të folësit]

U formu si lëvizje për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme. I osht’ ofru që Fehmi Agani të jetë në krye të saj por nuk e ka pranu për shkak se shumë shpesh ka qenë në biseda informative në Sekretariatin e Punëve të Mrenshme, dhe ai ka qenë gati i përjashtum prej sistemit arsimor në universitet, dhe nuk ka deshtë. Por ka qenë truni dhe zemra e Lëvizjes, Lidhjes Demokratike të Kosovës që osht’ regjistru në organet federative në atë kohë dhe ka vepru në mënyrë legale. Kryetar o zgjedhë krejt rastësisht, Ibrahim Rugova. Por Ibrahim Rugova ka qenë intelektual, njeri që e ka afirmu çashtjen e Kosovës në botë. Pak ma përpara thashë që e ka zgjanu gjeografinë e fjalës shqipe nëpër botë edhe çashtjen e Kosovës. Për krejt çka ka ndodhë, në kuadër të vet Lidhjes Demokratike, atje kanë qenë… kanë qenë qata njerëz të cilët Fehmi Aganin e kanë respektu skajësisht. Por, tash rrallë përmendet.

Kanë pësu disa ndryshime aty po, jemi njerëz dhe (buzëqeshë), kem mundësi me ndryshu pak (qeshë). Qysh thotë Fridrih Niçe, “I ngjashëm me mu osht’ ai që ndërron”, kuptohet në kontekstin pozitiv. Ndërron edhe mendësia e ktyne njerëzve tanë. Kadale, po me siguri ka me ndërru dhe na do t’ja mbrrijmë (buzëqeshë). Ashtu. Me inciativën e Fadil Hoxhës bahet ndërtimi i bustit, i kësaj të Hysni Dobrunës qatje o fotografia {dëfton kah fotografia}. Ky ka qenë një prej komandantëve të kompanive atje gjatë Luftës të Dytë Botnore si partizan. E si nënpunës ka punu në Vuçitërrn. Prej atyhit ka dalë partizan. Ka qenë njeri i urtë, si i ri as kurrë nuk u zonë me shokë. Por ku ka ardhë momenti, e ka rrokë pushkën dhe ka dalë në mal. Dhe vritet në ditëlindjen e tij me 16 tetor 1944 në Junik. Mas Luftës të Dytë Botnore me inciativën e Fadil Hoxhës, bohet busti. E kom edhe fotografinë kur e ka zbulu Fadil Hoxha.

Edhe mas luftës së UÇK-së, ia hekin përmendoren në Junik dhe ia vejnë emrin e nji heroit të UÇK-së. Na kemi bo njifarë kërkese kështu verbale, e unë do ta qes në gjyq komunën. E kanë hekë bustin e nuk dihet ku osht’. Kryetari i komunës thotë, “E kanë hekë huliganët”. Po sigurisht që huliganët e kanë hekë, po ju a keni ndërmarrë najsen me e gjetë ato. Unë do ta padis komunën. Kjo osht’ për keqardhje edhe për ni arsye tjetër. Po u hiqet emri i shkollave të herojve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, Emin Duraku, Hysni Zajmi e tjerë. Gruja e nji nënpunëse në ambasadën e Kosovës në Hagë po më tregon se afër Malishevës, nji fshat ashtu e ka hekë emrin e Emin Durakut, ia ka vnu nji luftëtari aty. Unë as që më shkon menja me e nënçmu luftën e UÇK-së dhe kishte me qenë marrëzi për mu. Por, a thu Juniku nuk do ta ndërtojë naj institucion tjetër dhe me ia ngjitë emrin e herojve të UÇK-së a? A nuk osht’ kjo fshimje e historisë a? Nuk bon! {tund kokën} Po, ça me bo.

Pjesa e Gjashtë

Musa Dobruna: Mas luftës, me urdhën të Xhevdet Hamzës, sekretar i Komitetit atëhere merret vendimi kështu verbal që unë të mos shkoj ushtar meqenëse kom qenë partizan. Dhe une ia u lo organeve me e kry atë punë. Dhe vjen viti 1955 dhe Gjyqi Ushtarak i Nishit vendosë me më dënu. Por dënimin me ia lonë si kompetencë kryetarit të komunës të Gjakovës, ai me marrë masa çka të dojnë. Dhe më thërret nji mik i familjes tanë kështu, dashamirë deshta me thonë, Qamil Zenuni, dhe më thotë, “Lexoje qata: Me shku ushtar”. E shkeva ato dhe më ndodhi me shku me kry ushtrinë. Atje kom hekë të zitë e ullinit. Kom qenë i njekun prej bashkëpunëtorëve të KOS-it atëhere, shërbimi ushtarak KOS-i. Po, kom punu shumë. Nuk e kom lonë… ato dyshimet i kanë pasë, por i kanë pasë sjelljen prej zyrës së mobilizimit në Gjakovë si njeri i rrezikshëm. Këte ma komunikojnë ata masi ta kryj ushtrinë. Ma japin atë librezën, por eprori më thotë, “Shif çka po shkrun”. Thashë, “Mu Gjakova më njeh. Kjo çka po shkrun… {tund kokën} për mu nuk ka kurrëfarë rëndësie”. Dhe ndahemi prej atyhit.

Vij në Gjakovë dhe nuk gjoj punë. Nuk më japin punë. Po unë po fshehena, ruhesha prej babës mos me ashtu…. Nji ditë prej ditësh, “A s’ke me dalë në msim a?” Thashë, “Jo”. “Çka jo?” Thashë, “Po nuk jom në punë.” “Qysh nuk je në punë? Pse?” Thashë, “Po më kanë thanë me bo kërkesë,” thashë, “nuk kom shku me qef në ushtri. Venin e punës e kom”. Kom qenë zavendës drejtor i shkollës. I rrëmbyshëm prej asajna, shkon te kryetari i komunës e i thotë, “A je kryetar ti apo Sami Zhuja?” “Pse?” “Qështu e kom punën”. Veç e merr telefonin {bën sikur po ndëgjon me telefon}, “Qitash me ia bo vendimin edhe me emnu në shkollën…” Dhe e filloi punën në vitin 1957. Jo, po… në vitin 1954-55. Më fal, a muneni me përmirësu?

Del libri i teorisë për klasën e tretë fillore. Në hymje të librit thuhet, “Të parët tonë sllavët, kanë ardhë prej Karpateve në shekullin e kaq,” tekstualisht. Dhe erdh anëtari i Komitetit në atë kohë me kqyrë se qysh po shkon puna se e zavendësojsha unë. Tha, “A ka farë problemi?” Thashë, “Po”. “Çfarë problemi?” “Qiky libër! Unë këtë njësi metodike nuk e zhvilloj”. Ai m’u përgjigjë tha, “Mos i qit’ vetit telashe. Si Ibrahim Rugova… (buzëqeshë), Ibrahim Zherka që në Komitet e ka ngritë këtë punë”. Na nuk jemi sllavë. Ndodhë që OZNA në atë kohë del e i mledhë krejt librat, ku jonë e ku s’jonë dhe zhduken. Dhe nuk zhvillohet ai mësim mo. Prapë, na Gjakova e kemi bo ato. Dhe ndodhë ma vonë edhe qikjo {e tregon librin para kamerës}. Autori osht’ Radovan Zogoviq. Citatet… këto te hymja i thotë, “Autorëve të ktyne vargjeve 1001 herë falemnderit”. Se aq shumë e demaskon regjimin antipopullor, regjimin monarko-fashist të Jugosllavisë së Karagjoçëviqëve sa s’ka. E ky o malazez, Radovan Zogoviq, shok i Esat Mekulit. Edhe këtë libër UDB-a e ka mledhë nëpër librari edhe… Une i pa ble gjashtë copa, pesë i kom falë, këto e kom rujtë. Osht’ në dy gjuhët, ja “Došljaci” “Të Ardhurit”. Serbët edhe malazezët në Kosovë jonë ardhës (buzëqeshë). Qishtu.

Jom angazhu në aktivitetin për zhdukjen e analfabetizmit, sidomos të grave. Shkrim e lexim në jetën time kom mësu bashkë me nanën time. Dhe në atë kohë më bjen në dorë “Bleta Shqiptare”, nji revistë e përkohëshme e lidhun, numrat e nji viti, a dy, a tri. Në kuadër të asajna biografia e Helen Keler. E lindur e verbër edhe shurdh-memece, bijë e nji pasaniku të madh amerikan. Në moshën tetë vjeçare ia marrin pedagogën, ia goditin pedagogën me e mësu alfabetin e hebrejit dhe emrat e kuptimit dhe emrat konkretë. I mëson krejt këto dhe në fund, çka osht’ Zoti? Simas bindjes dhe të kohës pedagogia i thotë se Zoti osht’ fuqi e mbinatyrshme që ka kriju yjet, diellin, hanën, tokën. Dhe në tokë, masi i ka kriju të gjitha të mirat materiale të ekzistencës e ka kriju njeriun si qenien ma të dashun. “Mirë,” tha “ju keni sy me shiju bukurinë e natyrës”, i thotë tash pedagogës në moshën dymdhetë vjeçare. Tha, “Po”. “Une s’kom. Keni veshë me ndigju simfoninë e zogjëve nëpër pyje në natyrë”. “Po”, “Une s’kom. Keni thonë se Zoti osht’ i plotfuqishëm, pse ka leju që unë të jem kështu, s’jom si ju”.

Ia la fajin prindërve dhe rrethanave. Ju i keni kto aftësistë, shqisat për me i shiju krejt këto, unë nuk i kom. Thotë, “Faji o i prindërve dhe rrethanave. Pse i ka leju prindët? Keni thonë që osht’ i gjithëfuqishëm, dhe keni thonë edhe për jetën keni folë. Njeriu lindë, zhvillohet, plaket dhe vdes. Pse me vdekë? Dhe pse me mos me rrnu gjithmonë, dhe gjithmonë i ri, e re?” Tash përgjegja t’i themi logjike e pedagogës osht’, “Bota kishte me u bo shumë e vogël dhe kishin me ngja lufta, konflikte mes të njerëzve, si krymat”. “Ah,” thotë, “Zoti i plotfuqishëm, pse i lejon ato? Dhe pse i lejon luftat? Dhe në qoftëse shumëzohen aq shumë njerëzit, pse s’pe bon edhe nji botë tjetër? Keni thonë se për shtatë ditë i ka kriju tona këto”. Dhe mësusja shkon te prindërit dhe i thotë, “Une ate mo s’kom çka e msoj. Ajo din ma shumë se unë”.

Helen Keler vdes në vitet ‘70-ta, Doktor i Filozofisë në vitin 1903. Vdes si komisare e lartë e Kombeve të Bashkume për ndihmë të njerëzve me aftësi të kufizuara. Prej asaj kohe une nuk besoj mo. Edhe nuk besoj edhe për nji arsye tjetër, se islamin qitu na e ka pru osmanliu me shpatë e barut. Dhe nuk kom pa përgjigje prej çarqeve kulturore edhe shtetënore të Turqisë. Pse? Të gjithë popujve të tjerë rreth shqiptarëve ju kanë leju shkollat në gjuhën e tyne, e shqiptarëve jo. Kurrëfarë simpatije nuk kam ndaj osmanliut, as ndaj islamit. Më fal nëse godis ndjenjat e juja. Qashtu.

Jeta Rexha: Zotni Musa, cilat mendoni që kanë qenë arritjet e tua ma të mëdhaja edhe andrrat e tua sa jonë realizu?

Musa Dobruna: Andërr… njëra prej andrrave të mija ka qenë dhe mbetet hala shkollimi i fëmive të mi të cilët e kanë kry, dhe i gjeneratave të matutjeshme. Kurgjo tjetër. Qikjo o andrra ime (buzëqeshë). Dhe mund të ma shohin për të madhe Halil Matoshi, por une e du bashkimin kombëtar. Unë nuk jom nacionalist në atë që i urren popujt e tjerë. Jemi populli ma i vjetër në Ballkan. Jemi popull që të parët e kemi përqafu krishterizmin se kemi qenë robë të romakëve. Dhe prej qatyne ilirëve dalin personalitete shumë të mëdha që kanë lonë gjurmë në kohë. E ke pasë Dioklecianin që edhe sot ekziston në Split pallati i tij dhe për shembull, me në saje të angazhimit të Ramadan Sokolit, hulumtus shkodran, gjejmë që kompozitor i parë i hymnit që knohet sot nëpër kishat katolike ka qenë ilir, Niket Dardani. Edhe masnej vijnë me radhë, ndahet Perandoria Romake në Perandorinë e Lindjes me kryeqytet Konstandinopojën dhe të Perëndimit me kryeqytet Romën. Dhe të gjitha çka ka ndodhë mas në histori, dihen (buzëqeshë).

Download PDF