Historitë gojore të grave aktiviste ofron një hapësirë të veçantë që jep dukshmëri dhe qëndrueshmëri historisë së subjektivitetit të grave që në vazhdimësi, nëse jo e harruar, së paku ishte margjinalizuar. Qoftë të angazhuara në protesta kundër okupatorëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kampanjën për heqjen e shamisë, në luftën kundër analfabetizmit të grave, të angazhuara në lëvizjen nacionaliste, në rezitencë kundër Milosheviqit dhe në luftë për të drejtat e grave përtej ndasive etnike, gratë tregojnë tregime presonale të fuqishme që kryqëzohen me ngjarjet e mëdha historike të kohës.

Zyrafete Muriqi Lajçi

Aktiviste politike

Mu m’kanë lidhë me ni prangë, janë kanë do pranga plastike, jo kështu, zinxhirët që i kanë prangat këta që janë metalike. Me Mirvetin e dy kah dy na kanë lidhë tanave. Na kanë qit’ me ni kombi, janë kanë këta inspektorat me neve. Muj me pasë harru po m’duket që u kanë Dema, Demë Muja dhe Jakup Llonqari. Muj edhe me pasë harru, nuk e di kto çikat nashta e majnë mend edhe ma mirë. Na kanë çu në Mitrovicë. Rrugës, se kombi u kanë kështu me hapësirë t’hapur përmbrapa, janë kanë ata stolat rreth e rreth. […] Jem pa me njana-tjetren po nuk kem pasë asni mundësi me ia dhanë, për shembull, naj informacion njana-tjetrës qysh ka shku procedura e hetimit deri aty. Përveç se Hava niherë, a din, kështu ma boni me shenjë që e kanë rrehë atë durve edhe me m’vetë mu a t’kanë rreh ty me shufër, a din. Qata sa për me kuptu pak qysh ka shku procedura e hetimeve. Po edhe u dike bre se aty i lejshin dyrtë çelë apostafat për me i ni njana tjetren t’u bërtitë. Aty u dike krejt situata qysh ka shku.

Zelije Kryeziu Ramadani

Aktiviste politike

Aty më ka befasu qëndrimi i nanës tem, Zelfi, pa asni ditë shkollë. Po e dhanun me mish, me zemër, me shpirt për çështjen e Kosovës. [Aty] E kom pa atë nanën e guximshme, si shumë nana tjera të Kosovës kur u çu. Nana jem ka majtë shami, ka qenë e mbulume kur ka dalë jashtë në rrugë. Unë nuk p’e di, po për mu është befasi. Kur ajo u çu edhe po bohet gati, e lidhi atë farë fanullën kështu rreth gojës {përshkruan me duar se si e ka lidhë} e mushi me qepë. Fanullën e lidhi me qepë. Tash na dolëm krejt. Unë isha aty në ato radhët e para. Ishin edhe shumë gra tjera, ishin edhe shumë të tjerë. Na fillum me demostru, ‘Pavarësi, Demokraci, Republikë!’ Thanjet e kohës, ‘Liri!’ U gjujt bomba lotsjellës e para për atë lagje. Nuk e kini idenë. […] Nana jeme kur erdh ajo lotsjellësi i parë para demostruesve, nana jeme ka mbajtë dimija me pala, edhe me ato i hapi ato palat edhe u ulë përmbi atë bombë lotsjellës, atë lotsjellës. Na krejt të tmerrum po bojna, ‘Ma, ma, ma!’ Arriti me marrë atë lotsjellësin pa u shpërthy. Se ajo e kishte ata zzzz {onomotope} që bojke, hala pa e qit’ atë timin. […] Edhe ia kthen nana prapë [gazlotësjllësin]. E gjithë masa filloi të gjitha bombat çka vishin m’u mobilizu edhe m’i kthy prapa. Kjo ishte kulmi që i revoltonte policët se si po organizohen këta.

Zyrafete Kryeziu Manaj

Aktiviste politike

Pas burgut më janë kufizu të gjitha të drejtat e mija. S’kam pasë të drejtë as të punoj, as në institucione shtetërore, as të merrem me aktivitetin sportiv siç jam marrë, as me aktivitetin letrar. Domethonë, ose kom ndryshu emrin ose gjeja lidhje miqësore për të botuar kështu ndonjë poezi aty ktu. Kështu që, domethonë kom qenë nga ai burgu i vogël kom dalë në këtë burgun e madh që është thirrë Kosovë edhe derisa jam martuar me bashkëshortin. Para se të martohem unë kom bërë kurorëzim me burrim tim për të ndryshuar mbiemrin. E kam ndryshuar mbiemrin edhe kom pasë mundësi të punoj pastaj nja katër-pesë vite në komunën e Klinës. Mas pesë vite më bijnë në gjurmë edhe aty dhe më largojnë edhe aty. Prej atyhit shkoj në komunën e Lipjanit, në Gadime. E shoh në gazetë që kërkohej ni punëtore e edukatës fizike atje, kërkohej ni arsimtar. E çoj kërkesën time atje, më pranojnë edhe punoj aty disa muj. Po kërkonin këtë karakteristikën e përshtatshmërisë politike që kërkohej në atë kohë. Unë s’kisha ku ta merrja.

Hatmone Haradinaj Demiri

Profesoreshë e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe

Axha jem ma ka bo ni, ni kasetë, më ka thonë, ‘Merre qeta’, ma ka rregullu krejtë me kangë patriotike, ‘merre qeta edhe nsho në konvikt’. Domethonë qajo ka qenë jo me ta dhonë detyrë drejtëpërdrejtë, unë e kom marë, edhe domethonë me dhetë mars në mbramje gati që askush ska flejtë, gjithë natën kemi nejtë jashtë koha ka qenë shumë e mirë, e nxehtë, edhe tanë kohën e kom nshu kasetofonin në dritare, konvikti numër një, krejtë ato kangë patriotike. […] Po ni ndjenjë atë natë që, kurkush nuk ka flejtë deri vonë, pra krejtë, ka qenë ni lloj, ni lloj lirie para se me ndodhë ajo fortuna që, që ndodhi të nesërmen. Pra krejtë kem, e dishim që dishka po ndodhë, jo drejtëpërdrejtë me ardhë me thonë… 

[…]Jemi bashkangjitë drejtëpërdrejtë te menza i kemi marë do qepë me veti, i kemi marë edhe do, do gozhda i kemi shti në shishe, as vetë nuk e di pse i merrshim, shka munem me bo, po megjithatë ato kanë qenë që i kemi marë me veti, qeptë nëse na gjujnë lotsjellës. Kush e ka bo atë ide na as nuk e dishim, se hera e parë ishim që marim pjesë në ni demonstratë të drejtëpërdrejtë me gaz lotsjellës, edhe domethonë ajo natë ka qenë nata që jonë bashkangjitë njerztë, moment të caktume.  

[…] Ka pasë brohoritje, ‘Kosova Republikë’, ‘Trepça prodhon, Beogradi ndërton’, ‘Republikë, ja me hatër…’ Ato niherë s’kanë qenë, fillimisht kemi thonë se, ‘Po dojmë kushte’, ‘Duam bukë, duam…’, a din, kanë qenë pak ma të lehta, sidomos në fillim të protestës në menzë. Tani ma vonë gradualisht, si zakonisht kur vijnë domethonë, niherë fillojnë më të vogla atëherë kanë fillu domethonë ato parullat secili me qitë njo, njo të vetën, në mënyrën tjetër, edhe deri sa ka ardhë deri te ekstremi.

Igballe Novosella Mehmeti

Pravnik i aktivista

Ish koha e verës e zakonisht shkojshin në deti. Neve s’e kishim hallin e detit, e kishim problemin e vllaznive. Cili o në burg, cilit duhet me i bo paketë, ku osht’… Kisha marrë dy çanta të mdhaja. Më doket në atë kohë ish edhe Selatini edhe Sabriu, te dytë në burg. Me dy çanta të mdhaja edhe unë drejt. E takohum në qytet, në shesh [me nji shoqe], thotë, ‘Ku po shkon?’ Burgu ka qenë ku osht’ edhe sot. Na prej Dodonës e zakonisht shkojshum… Kena pasë të drejtë dy herë në javë, fillimisht dy herë në javë, pastaj jena bo ni herë në javë, të hanën edhe të ejten, me i çu veç teshat. Kurse çdo dy javë kur e kishim vizitën, jau çojshim edhe ushqimin.

Unë me dy çanta në dorë, po shkoj, thotë, ‘O Igballe, çka bone?’ Thashë, ‘Qe valla, ti?’ ‘Po shkon në pushim a?’ Thashë, ‘Po’. ‘Paske m’u kënaqë’. Thashë, ‘Po, po, u knaqsh edhe ti si unë’, a po din. Ajo s’e kuptoi mirë. Unë shkojsha në burg me çu paketa. […] Përndryshe, e kishin problemin te familjarët, fëmija e vegjël, nuset pa burra. Domethonë, nuk ish problemi jonë atëhere me shku në deti a diçka.

Mevlyde Mezini Saraçi

Shkrimtare

Kur u blloku Drenica, Drenica mbeti në krizë, i numëronin rezervat e fundit. Atëherë, Forumi i Gruas, kryesia e Forumit të Gruas në organizim edhe me organizata tjera të grave që fillunë funksionimin atëbotë, [organizuan marshin] ‘Ni bukë për Drenicë’. Delegacioni i Forumit të Gruas nga Gjakova u shtyp që në nisje në Gjakovë dhe nuk na u leju të vazhdojmë për Prishtinë. […] Na u nisëm sepse ishte ni pikë qendrore, të takohemi në Prishtinë edhe të nisemi për Drenicë. E tani nisja jonë duhej të bëhej nga Prishtina. Na u nisëm, neve na ndaluan në Gjakovë në hyrje. Ishim të organizuara me ni makinë edhe sapo na ndaloi policia, ata i dinin lëvizjet tona dhe kishin marrë ni informatë që do të ndodhë nisja me bukë. […] Domethonë, çdo aktivitet që kemi bërë jashtë Gjakovës në mënyrë të organizuar janë munduar të na shtypin. Por që fatkeqësisht në Drenicë na nuk kemi mbrri të jemi askush nga Gjakova, sepse na ndaluan që në fillim.

Lindita Cena

Juriste

Ata u bllokuan, domethanë nga forcat serbe dhe nuk kishin mundësi që të siguronin as ushqim, as barnat elementare për të cilat kishin nevojë se ishin të rrethuar nga forcat serbe. Protesta ka qenë e organizume për datën 16 mars 1998. Nisja është parapa të bëhet nga Dragodani te Ambasada Amerikane. Aty është mbledhë një numër shumë i madh i vajzave, grave, të  cilat, secila e kishim nga një bukë në dorë dhe barnat, me shpresë që me shku me, me ju dërgu familjarëve që kanë mbet të bllokum në Prekaz. 

Domethonë, qysh në tubim ka pasë provokime nga njerëz të ndryshëm. Po na nuk jemi ndalë. […] Afër shkollës bujqësore aty, domethonë përgjatë gjithë rrugës na kanë përcjellë njerzët me vetura, me regjistrimet sërbe. Edhe kanë provoku, kanë bërtitë, janë mundu me na frikësu ose me na… Po na s’jemi ndalë, kemi vazhdu rrugën tonë, as s’kemi bërtitë po e kemi ditë qëllimin për çka jemi duke shku atje. 

Në një moment nuk e mbaj mend as vet, sekondat janë konë në pytje kur dikush prej atynve që kanë provoku hyjnë me veturë brenda në turmën e protestuesve. Edhe aty nuk e di ma çka ka ndodh, se unë i kam humb ndjenjat, domethonë kam qenë njëra prej atyne të cilat më kanë shkelë me veturë edhe nuk e di. Nuk e mbaj në mend ngjarjen më çka ka ndodh aty.

Igballe Rexha Jashari

Ekonomiste

…kur fillun demostratat e 1 prillit [1981], faktikisht isha në shtëpi se nuk e dita, meqë nuk isha n’ato grupet, nuk isha… por, meqë dëgjova që u shpërthy atje, atëherë domethonë u nisa menihere edhe pas meje erdhi motra ime që ishte vetëm 15 vjeçare n’atë kohë. Sigurisht, unë përpiqesha, domethonë ajo t’kthehet n’shtëpi po ktu te kuvendi ku osht’ domethonë aty i kemi pa që janë protestustë duke ardhë, demostrustë faktikisht, domethonë, dhe ne jemi bashkangjitë aty.

E largova edhe niherë deri te tregu motrën time e përcolla që ajo të kthehet n’shtëpi, por ajo përsëri m’u kish bashkangjitë atë ditë. Domethonë, edhe kemi qëndru aty, pikërisht para megafonit, domethonë para atyne fjalëve që domethonë u thanë, kemi dëgju derisa domethonë intervenun policia. […]

Edhe ne kemi ikë rrugës te poshtë, me, gazi lotsjellës motrën time, domethonë, edhe ma shumë e mundoi natyrisht që, edhe e thashë që ishte barrë n’këtë rast, domethonë, për mu se u dashtë, domethonë, me majtë edhe mos me e lëshu, ku i kemi pa policinë.

Mas disa orëve edhe kemi mbrri n’shtëpi, domethonë atë natë. Po, motra ime ka vazhdu me organizimin e nxanësve t’nesërmen. Domethonë, ajo që 15 vjeçare ashtu ka qenë vet. Nga përndjekja e policisë i kanë dërgu dikund përmbi Shkollës Normale mbi Gërmi n’atë pjesë. Edhe ajo me flamur n’dorë ashtu domethonë ishte rrokullisë edhe nuk u kthy ni natë. Faktikisht ka mbetë atje.

Zyrafete Berisha Lushaj

Profesoreshë e Gjuhës Shqipe

Po ishin përvjetori i demostratave t’vitit ‘81. Unë asokohe jetoja n’konvikt, në Qendër të Studentëve, n’konvikt edhe sigurisht nuk m’kalojke asnigja pa e marrë vesh, pa e ditë. Edhe isha përgatitun që do t’ndodhë diçka, isha përgatitun se ishte edhe vllau në Lëvizje edhe isha e përgatitun që nëse ndodhë diçka, une e di çka t’flas, e di ku jom edhe e kom ditë shumë mirë qëllimin. 

[…] Unë dola me shoqe para oborrit t’konvikteve studentore. Takohna edhe me vllaun, takohna me shumë shoqe, me shumë kolegë. Nuk e kom ditë që ne po fotografohemi, secilën pozitë sepse ishin masat shumë të rrepta policore. Ishin jashtëzakonisht të rrepta. Kështu që, ranë n’gjurmë edhe pas ni kohe na burgosen mu, vllaun edhe ni shoqe. Tri vetë përniherë na kanë arrestu. Edhe pastaj aty kanë fillu torturat nën hetime ni kohë derisa janë caktu ditët e burgut. 

Ka qenë ni periudhë shumë shumë e tmerrshme, për shkakun që u dashtë me ditë çka po flet. Problemi im ish me i mbrojtë tjertë, nuk ish atëherë problemi jem. […] Mirëpo, m’kujtohet që vllavi tri vjet para meje ishte ma i guximshëm, ishte ma edhe thotë, ‘Mos fol!’ Veç këtë pjesë e mbaj mend.

Greta Kaçinari

Profesoreshë

…pas operës t’i qerasë krejt shoqninë e kishës. Eh, atëherë, unë e dua shumë Shën Ndoun, Shën Antonin edhe atij iu kom lutë shumë si vajzë e re. Bile, bile falë atij kanë ndodhur disa kthime të mëdha në jetën time edhe i them, ‘Kqyre’, domethanë unë me Shën Antonin po flas edhe po i them, ‘Kqyre, krejt çka të mbetë prej qityne pareve që kena pi kafe, krejt ty kam me t’i dhanë’. Edhe dolëm na, u kry opera. Dolëm prej operës. Hajde po shkojmë me pi nga një kafe, krejt të mbyllme, askund asnjë kafe e çelme. Ishte ora 10:00 edhe krejt të mbyllme edhe thashë, ‘O hajde bre se krejt duhet me ia dhanë Antonit’, ‘Cilit Anton?’ Po thom, ‘Shën Antonit’ (qeshë). Edhe ashtu që krejt ata çka është deshtë për kafe une i kam thanë, ‘E qe, t’i pruna ty’. 

Por, kur e kam pytë Shën Antonin edhe i kam thanë, ‘Kqyre, ti më ndihmo qysh t’dush ti’, kur ka qenë një njoftim i parë, ‘nëse ti mendon se është në rregull le t’bahet, nëse nuk mendon prishe’. E prishi të parin, të dytin. Po i them, ‘Kqyre’, prapë njësoj, ‘nëse ti mendon se nuk është për mua prishe’, u prish. Kur rasti i tretë i kam thanë, ‘Kqyre, Shën Anton, deri qetash i prishe krejt. Kësaj radhe do t’vendosi vet’.