Hulumtimi mbi Luftën e Dytë botërore në Kosovë synon të sfidojë idenë që egzsiton vetëm një e vërtetë mbi historinë e Kosovës gjatë Luftës së Dytë botërore, ose që një grup, qofshin ata Shqiptarë apo Serb, nacionalist apo socialist, e zotëron atë të vërtetë. Nëpërmjet intervistave të historisë gojore me gjeneratën që e kanë përjetuar luftën në fjalë (kurdo që ajo është e mundur), apo dëshmitë e pasardhësve të tyre, ne jemi të përkushtuar në mbledhjen e të gjitha tregimeve, duke i përfshirë këtu edhe ato që nuk trajtohen shpesh, pa marrë parasysh a propagandohen nga sheti, kombi apo grupimi politik.

Mihane Salihu – Bala

Aktiviste e shoqërisë civile

Mihane Nartilë Salihu Bala u lind më 20 prill, 1973 në Prishtinë. Si studente ka qenë anëtare e kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës. Gjatë periudhës prej 2000-2006 ishte pjesë e grupit të studentëve të Ballkanit në vizitë studimore ndërkombëtare në Afrikën e Jugut, kur punoi me grupe të ndryshme të shoqërisë civile në Republikën e Afrikës së Jugut; vazhdoi studimet në Akademinë Humanistike Norvegjeze në Lillehammer dhe punoi si trajnere në fushën e dialogut. Salihu Bala, ka magjistruar në departamentin e Socilogjisë në Univerzitetin e Prishtinës. Sot, ajo është e martuar dhe jeton me familje në Prishtinë.

 

Votim Demiri

Kryetar i Komunitetit Hebraik në Kosovë

Mas Luftës Dytë Botërore kemi jetu në ni shtet sekular, edhe tash jemi shtet sekular, por pjesa dërmuse e njerëzve kanë qenë ateistë. Çka e di une për religjionin? E di prej nonës në shpi. Kur kanë qenë festat hebreje, nona na tregojke, përgatitke çka duhet me përgatit për atë ditë, por [kjo ishte] në kuadër të familjes. Bie fjala, kur kemi pasë festën e passoverit, nona ime gjithmonë kur bojke oriz me pulat ma jepke kambën e pulës, por për passover vetëm krahun më jepke sepse sipas adetit hebrejve duhet fmija me mësu me fluturu. U ankojsha unë, ‘Bre mami kështu… a s’bon [kambën]?’

Zeqir Sopaj

Veteran i Luftës së Dytë Botërore

Se Fadili [Hoxha] thojke, ‘Duhet me iu dhanë edhe na diçka. Kur t’shtrohet sofra, duhet me qitë diçka n’tavolinë. E kujna o qikjo? Ka me iu dhanë haki. Na Kosova, pak n’botë, po ni vo, qajo vo ka me iu dhanë hakin’. […] Na po luftojmë bashkë, shkije, shqiptarë me e hjekë fashizmin edhe okupatorin. Kur t’kryhet lufta kem me kanë gjithësecili kem me pasë hakin e vetë. Na kem mu konë me Tiranë, Tirana punon me konë t’donë. Për qata kemi liftue, na kemi ditë, komunistat e Kosovës e kanë ditë që kem me punu me Tiranë, se jo me Beograd. […] ‘Kur t’kryhet lufta, gjithëcili ka me çue dikush ni bakshish. Na Kosova ni vo, qasaj kom me iu dhanë haki. Dikush e çon ni cjap, e dikush ni dash, dikush ni ka’. ‘Po na pak bre jem’. ‘Ani qajo, ka me iu dhanë haki, qasaj’. Po neve nuk na u dha tani, në ’48-tën e knej.

Adem Pajaziti

Ekonomist

Në këtë intervistë, Adem Pajaziti rrëfen për babain e tij, Shabanin, i cili kishte përjetuar një nga ngjarjet më të errëta të dhunës partizane në fund marsin e vitit 1945, shumë kohë pas çlirimit të Kosovës nga okupimi gjerman. Ky është rrëfimi për rekrutimin e dhunshëm të mijëra shqiptarëve nga Kosova; për marshimin e tyre të pashpresë nëpër malet e bregdetit malazez; për torturat e përjetuara gjatë  atij marshimi; si dhe për vrasjen masive pas arritjes së  tyre në  Tivar. Para vdekjes, Shabani i kishte dhënë  një intervistë  djalit të  tij, të cilën mund t’a gjeni këtu. […] Interesant se lufta i lidhë njerëzit shumë. N’fshat tonin kanë qenë dhjetë n’qat’, të gjithë kanë mbijetu. Dhe ata disa kanë migru, kanë dalë nëpër tjera, po mendoj n’tjera qytete mrena Kosovës. Por ata që kanë qenë aty janë shoqëru mes veti dhe e kanë pasë ni afërsi, dhe çdo herë i kanë thanë njani-tjetrit si shok i luftës, nuk i ka thanë n’emën po shok i luftës, ‘Ky shoku i luftës, shoku i luftës’. Po asnihere kur janë ba t’gjithë s’bashku, edhe nëse kem pasë iniciativë, ose kem ba përpjekje me i shti me spjegu, as nuk kanë dashtë asnihere me e spjegu. Individualisht e spjegojshin, e tregojshin si ka ndodhë; kur ishin s’bashku nuk dojshin fare, edhe thojshin, ‘A na keni marrë me na gjyku këtu për këtë rast, a çka po doni? S’e shpjegojmë, s’e tregojmë fare!’

Shaban Pajaziti

I mbijetuar i Masakrës së Tivarit

Po, ish’ çu me pi ujë ai gllabarsi aty. E atëhere ai oficeri, ai strazhari i bjen dimgjik pushke, ai ia nxjerrë pushkën, ja nxjerrë pushkën edhe i bjen strazharit, dekun e len. Atëhere shokët e vet e kanë kap atë gllabarsin e ia kanë hjekë pushkën […] Oficeri i fshike njerstë, atëhere ka tha, ‘Deset za njega, ‘Dhjetë për ta, ka m’u bo batare për k’ta qe e ka vra, ky u kanë partizan i ’41-shit.’ I ka qitë dhetë aty n’ren, kur ka thane, ‘Još deset [dhjetë më shumë]’, ‘Edhe dhetë,’ thotë, ‘tjerë’. E ka kapë e janë nisë, janë nisë, dhetë u banë, 19 u banë, m’kapi edhe mu, edhe mu m’kapi, po mu ma çoj zoti menjen, ni shoq i jemi e ka pasë ranacin nja dy metra pej neve larg, e mu mu dok qe m’tha edhe mue, e unë jam çue, e kom kap ranacin e jam kthy, jam hi te k’ta, jam ungjë. 19 janë shkue. E atëhere ata i çunë, 19.

Enver Topilla

Aktivist

Fshati si fshat i joni tash jonë bo pak ma shumë ushtarë, po unë kisha me vepru’ si t’isha pytë unë, t’isha kanë faktor… i gjithë populli shqiptar u kanë n’luftë, të gjithë janë veteranë t’luftës, për mu po flas. Jo me dallu’ tash kshtu, mu s’po m’pëlqen kështu. Pse edhe nana që e ka dhonë bukën, edhe ajo që i ka strehu’ fminë, edhe njeriu që s’u nda prej familjes t’vet, edhe njeriu e ka ditë që po vrahet edhe s’ka hekë dorë nga ajo, se populli shqiptar u kanë shumë i vogël dhe jonë bo shumë ushtarë. Po ma mirë u kanë si n’Francë të gjithë me i bo ushtarë, me i bo veteranë t’luftës po flas, veteranë. Se sistemi jugosllav u kanë shumë i keq, po edhe ni gru n’rast se ja ka la dikujt do kpuca, ja ni parë qorapa e kanë shkru’ që e ka nihmu’ ushtrinë. Shqiptarët tonë kanë punu’ për luftën, prej akademikut deri te bujku.

Rexhep Bunjaku

Ish i Burgosur Politik

Që t’kthehet te unë, t’bëhet kthesa 180 gradësh, që konfrontohem me Jugosllavinë ka qenë rrëfimi i qeti Jovo Bajatit se si kanë mbytur shqiptarë. Se deri më 9 Maj, kur kapitulloi Gjermania kanë vra e kanë masakruar pa gjyq. […] Nji natë po m’tregon, tha, ‘E shtrinim viktimën n’shpinë {i hap krahët dhe imiton shtrirjen}, e mbërthenim me gozhda si Krishtin edhe me hu i mëshonim krahrorit, spirra e gjakut stërpikte tavanin, ne ekzaltoheshim, hinim n’trans nga kënaqësia duke vra shqiptarë.’ […] E mbuloja kokën me batanije, qaja si fëmijë. E aty u pata betuar me zot e me djall se do t’punoj kundër Jugosllavisë. […] U ktheva n’Ferizaj. Prej Ferizajt bëra ç’bëra, dola prej OZNA-ës si i sëmurë. E luajsha rolin se jam i sëmurë nga turbekulozi. Ani se s’kam pasë kurgja. M’transferuan. […] Edhe u ktheva n’Kaçanik. Aty u bana shef i përgjithshëm i Seksionit t’Punëve t’Brendshme, n’Kaçanik. Edhe do shokë pa e ditur ishin kenë t’lidhun me Komitetin Qendror t’Shkupit, NDSH, t’Lëvizjes. Edhe ni ditë erdhi Hajrush Orllani. Rexhep…’ tha, ‘Sot do t’mbledhemi ta formojmë Komitetin e NDSH-së n’Kaçanik.’ Unë mezi që pritja. Edhe u mblodhëm, shtatë vetë. Diskutumë, e banëm programin, e formumë Komitetin e Rrethit t‘Kaçanikut NDSH.

 

Enver Tali

Aktivist Politik

Mirëpo, t’u shku te kojshia, kojshia e kishte nji djalë ma t’madh se une për njo katër-pesë vjet, ‘Hajde’, thotë, ‘t’shkojmë na t’mshifemi’. Ku mu fshehë? Ata kishin kuaj. E si të tillë kishin plehme me bari t’thatë si i thonë sanë, aty thotë, ‘Hajde t’shkojmë t’hypim n’plehme e t’hijmë n’sanë’. ‘Mirë!’, unë ma i ri se ai. As nona s’e dinte as kërkush s’e dinte. U çumë, hypëm n’plehme. Ai hyni në nji qosh në nji kand e asaj dhomës, nxurrë bari edhe hyni, n’kambë ashtu, u mshef, do bari e qiti përmi {tregon me dorë sipër kokës}. Unë ato s’mujsha me e bo se isha ma i ri se ai. Mledha pak sane, e qita aty, u shtrina, e mlova kokën me sanë, komtë m’kanë metë përjashta. Kur kanë hy këta për me lypë dikenin s’kanë gjetë atje n’plehme ashtu. M’gjetën mu, po m’ngrehin për komësh. M’murrën mu, m’nxurrën prej atyhit edhe m’qitën n’oborr… n’oborr jo, po n’rrugë. N’stomp të atij përronit kanë pushkatu shumë njerëz, edhe aty ishin nja shtatë a tetë pleqë t’lagjes t’lidhun. I njifsha unë ata se ishin t’lagjes. Edhe mu m’lidhën me ata pleqë për pushaktim. Tre vetë na rujshin me automata t’rusit asi… mitroloz që lëshohet n’tokë me tri kamë. Edhe, ishin të armatosur deri n’dhamë. […] Kanë vra çka kanë vra, edhe neve na erdh reni me na vra. Mirëpo, si t’lidhun ashtu mas shpinës tonë, te ura te asaj përrockës, po vijnë partizanët e Shaban Haxhisë. Edhe ata me armë, ‘Mo luj, mo luj, mo luj!’ Po piskasin. Këta i çunë durtë te nalte, ‘Mo luj, mo luj’!. I çunë durtë te nalte. Na kthymë me kqyrë edhe ata petokrakat i kishin, tash qysh m’i besu. Po, nejse deri sa folën shqip, kishim shpresa. Kur erdhën aty, ‘Çka jonë këta?’, ‘Armiqë’, neprijatelj i thojshin ata, armiqë, armiqë. […] Ai ma mshoi n’krah {i mëshon shpatullës} edhe m’çoi, se unë kom qenë pak i dobët pak prej shnetit. M’çoi pak te nalte, tha, ‘Edhe ky fëmi, armik a?’ Kishte një pistole n’dorë, te tretë i vrajti pa bo zo, ata që na pritshin neve.

Sylejman Çollaku

Furrëtar

Në Prishtinë e kemi pasë furrën, e kemi lshue, hini gjermani e u prishëm me zotninë [e furrës]. Shkumë n’Ferizaj me babën, qatje t’u punue. Janë kanë gjermanët aty, edhe gjermanë ka pasë, edhe pse ishin italianët. Erdhën te furra qaty, isha me babën, baba t’u shitë bukë e une t’u punu qaty. Edhe erdh një oficer me shtatë thasë miell i kish pasë, shqipen e gjermanit e ka pasë secili thes. Më tha mu, edhe unë gabova e di, ia bona vetit, tha, ‘Sa kile bukë mi jep për ni killë miell me i gatu për nesër?’, i thash, ’80 kille bukë për 100 kille miell’. Ai e dinte se sa qet millë, i qitke 140 kille miell edhe e ka pasë marrë dorën te alltia {e qet dorën në brez} si sot pe shoh,  e i ka ardhë keq se isha i ri, i ri isha atëhere, e ‘Kapi thasët!’ Nji qind kille jonë konë thasët. Jonë kanë nja dy shkallë për me hy përmi, me hy n’furrë prej sokakut. Kur i morra, shpirti jem e din qysh i kam shti mrena. U çu baba kur m’pa qashtu, u çu baba me m’nihmue, po nuk e la. Menxi zhag, menzi që i shtina mrena atë miellin edhe ato bukë s’mujti me i hangër hiç se iki gjermani, iki atë natë ikën, met mielli qaty. Buka e mielli i bardhë metën qaty, gjermani iki, shkoi, u largue. E qështu u kanë puna e gjermanit.

Hydajet Hyseni

Aktivist Politik

Është e dhimbshme që ne nuk kemi arritur ta përshkruajmë ferrin e burgut shovinist. Por, është vërtetë i papërshkueshëm! Unë kam kaluar nja katër pesë muaj në nji gjendje izolimi, që e quanin ata, ‘vendmbajtje në vend t’veçantë.’ As nuk e dije ku je ndonjëherë, dhe as nuk e dije çfarë dite është. Sepse s’kishe asgjë! S’kishe asnji mundësi kontakti. Ishte një veçim i plotë. Dhe ishin vetëm hetuesit që ndërroheshin, dhe marifetet, ustallëqet që kishin perfeksionuar ata me decenie… Tek pas nja pesë, gjashtë muajsh, kam pasë kontaktin e parë me gjykatës hetues, e avokat sipas detyrës zyrtare, për t’cilin edhe nuk e dije a është e vërtetë që është gjykatës, a është avokat, a ç’është?! N’fund t’fundit, dukej sikur s’kishte asnji randësi! Asnji kontakt me familjen, as me askënd tjetër. […]  Ka qenë nji periudhë e rëndë edhe për familjet tona. Dënimi nuk ishte vetëm individual, po praktikisht dënohej gjithë familja. Unë për një kohë t’gjatë t’burgut tim, kam pasë bindjen se e gjithë familja ime ndodhej n’burg. Kështu m’ishte thënë, dhe kështu m’ishte krijuar bindja n’forma t’ndryshme, e shkresa, e tjera, që m’i hidhnin përpara. Ndonjëherë edhe me zëra t’fëmive që ose improvizoheshin, ose inskenoheshin atje, e tjera, dhe kishe bindjen se e gjithë familja është… mbahet në burg. Kishte pasur edhe raste kur janë burgosur familje. Kanë burgosur edhe familjarë t’mi, ma vonë kam marrë vesh. […]  Si thonë, në çdo luftë, e para që vdes është e vërteta. Edhe n’luftën politike, edhe më shumë se sa n’luftën e armatosur, e vërteta vritet! Pas ngjarjeve t’81-shës, e para që qe vrarë, qe vrarë e vërteta për atë që kishte ndodhë n’81-shën. Dhe unë tek më vonë kam gjetur, kam lexuar, që ka pasur edhe intelektualë të shquar serbë, si Sergja Popoviç, që qysh atëherë, n’81-shën, ka ngritur zërin kundër asaj që po ndodhë n’Kosovë. Dhe kanë pasë guximin dhe vizionin që t’thonë që megjithatë është e drejtë ajo që kërkojnë shqiptarët. Dhe, me politikën ndaj Kosovës, dëmtohet jo vetëm Kosova, po dëmtohen Serbia edhe të tjerët. Është dëm që nuk ka pasë më shumë fuqi ky zë. Dhe nuk është e rastit! Pushtuesit janë edhe sundues t’popujve t’tyre. Prandaj ata i frikësohen t’vërtetës edhe ndaj t’pushtuarëve, sepse e vërteta ndaj tyre mund t’i ngrehë në këmbë edhe t’sunduarit në vendet e tyre, te popujt e tyre. Prandaj edhe kanë bërë gjithçka për ta pamundësuar të vërtetën që të depërtoj atje. Unë madje jam i bindur që edhe sot e gjithë ditën, ne nuk kemi arritur ta themi t’vërtetën tonë para… edhe para qytetarëve serbë. Kur kemi arritur ta themi, efekti ka qenë befasues dhe pozitiv.