Hulumtimi mbi Prishtinën fokusohet në kulturë, histori dhe arkitekturë. Këto dimensione trajtohen përmes rrëfimeve personale dhe mundohen të ofrojnë një mori narrativash nga perspektiva të shumta, duke demokratizuar diskursin publik dhe mënyrën se si historitë lokale tregohen. Me anë të tregimtarisë digjitale duam t’i vëjmë në pah shumë fytyra të këtij qyteti dhe të kontribuojmë drejt një kuptimi më të shtresëzuar të zhvillimeve socio-ekonomike dhe urbanistike, duke filluar nga periudha mes dy luftërave botërore deri më sot.

Projekti Prishtina Ecë është pjesë e Dialogut Ndër-Komunitetete përmes Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse të Trashëgimisë Kulturore, e implementuar nga UNDP dhe e financuar nga Unioni Evropian që kontribuon Stability and Peace (IcSP)

Minir Dushi

Inxhinier i Xehetarisë

…e kom përjetu kur i kanë marrë jahuditë atë natë, kur i kanë mledhë, se unë kom qenë n’shpi. Nji axhë i imi çdo t’hane vinte këtu për pazar t’martën, e t’mërkuren n’mëngjes shkonte në Gjakovë. Ishte edhe ai axha atë natë kur papritmas dera, ka qenë një derë me çekiç, vijnë i mshojnë çekiç, dë, dë, dë {onomatope}, s’e harroj edhe sot. Tani, po, bim… bom, bom bom {onomatope} e rrëzojnë derën, edhe hijnë.

Kur hijnë aty në korridor, axha doli përjashta, ata i thanë, “Hin mrena!” Ata ishin SS shqiptarë në të vërtetë, ai regjimenti [Skanderbeg]… E i murrën jahuditë krejt, metë shpija bosh, n’pizhama si kanë qenë njiashtu i kanë marrë. Metëm, ishte trishtim i madh ajo.

Fisnik Ismaili

Deputet në Kuvendin e Kosovës

…bustin e Vukit që u kanë i ulun para Filologjikut, e kishin lidhë me nji traktor edhe bash korzës e ngrehshin zhag me çu në otpad atje n’bërllog, në deponi. Edhe e ngrehshin zhag ajo gzhhhh {onomatope} e grrithke asfalltin edhe ish bo pothujse i bardhë prej pështymës e këlbazit që e kishin pshty te tonë, e ish terë ajo (qeshë). Edhe e ki pasë njonin që shkojke përmas edhe e kish hekë njonën papuqe prej komës, veç me nji papuqe edhe i mshojke asaj skulpturës së bronzit, dang, dang, dang, dang {onomatope} [ilustron me duar njeriun duke goditur skulpturën] s’u nalke, dang, dang, dang. Ai tjetri t’u folë, ‘Ama edhe papuqen tjetër’. E t’e shtini me hekë edhe papuqen tjetër, ai vazhdoi dathë. Këta dang, dang, dang, dang t’u e rrehë papuqe skulpturën.

Ilir Gjinolli

Arkitekt

Kur i shikojmë transformimet, normal e shohim edhe ni fazë zhvillimi historik të qytetit edhe të shoqnisë. Në kuptim edhe ekonomik edhe kulturor edhe social, ndryshimet që kanë ndodhë, ndryshimet mrena shoqnisë, domethanë ndryshimi prej periudhës Otomane në periudhën para moderne osht’ i hatashëm n’kuptim social. […] [Shoqëria] Ka qenë tjetër fare e bazume në konceptet e ni shoqërie islame, kurse kjo tjetra në tendencë në shoqërinë moderne evropiane që në Kosovë kryesisht osht’ manifestu me shkatërrim. Shkatërrim të ni indi edhe të shoqërisë edhe indit të ndërtuar urban.

Ajten Pllana

Veterane e arsimit

A dini çka më pengonte ma s’shumti [në Prishtinë]? Në atë kohë, këtu gratë në shtëpi krejt rrishin me dimija ose kule, kule iu thojshin. Ishin ashtu si dimija, por jo ashtu t’gjana, në Shkup ke ne nuk veshin dimija kërkush. Qytetarët nuk veshin, bile edhe të fshatrave që vinin nuk mbanin. Ajo më pengonte. Edhe vajzat, vajzat e reja jo pantallona në atë kohë, por jo larg me dalë, por në lagje, në shtëpi gjithë me ato kule. Mu m’shkojshin nerva shumë, shumë m’pengojshin. Thojshin, ‘Ama shumë nxet, me këto shumë mirë’.

Şükrü Zeynullah

Veteran i arsimit

Shumë gjëra kanë ndodhur atëherë. Kishim njerëz të njoftur, ishte doktor Tefik Rashiti. Ai ishte doktor. Ishte edhe Xhabiri para tij, Xhabir grabitësi, atë e njihnim për hajdut. Sidoqoftë, ai ishte një njeri i ndershëm, por ai u keqkuptua. Ai me mjeshtëri grabiste nga të pasurit, ai kishte një bicikletë të vjetër, ai grabiste dhe ua jipte ato gjëra të varfërve. Ai i merrte ato në shtëpi dhe pastaj i shpërndante. Ai ishte grabitës, hajdut, por një njeri shumë i mirë. Kur hynte ai në dyqan apo në kafene, të gjithë ngriteshin në këmbë. Ai ishte shumë i ndreshëm. […]

[Ai jetoi gjatë] Luftës së Parë Botërore, në atë periudhë. Atëherë. Ende edhe sot flitet për të si një hajdut i ndershëm nga Prishtina. I ndershëm, pa gënjeshtra, ai ishte shumë human, ai ndihmonte. Ai e linte vetën pa ngrënë për t’u dhënë ushqim të varfërve.

Shkëlzen Maliqi

Filozof

Unë i thashë, ‘Kom ardhë me paraqitë një temë që nuk ekziston: Estetika bizantine’. Ai menjiherë kceu prej karrigës, tha, ‘Kush t’ka dezinformu ashtu? Qysh nuk ekziston?’ (Qeshë) ‘Mirë’, thashë unë. Tha, ‘Boma nji, nji koncept’. Unë pata nisë me lexu edhe ma herët do sene. Kur ia pruna atë draftin, ka qenë nja dy-tri tema kështu me tema që po du me i realizu. Edhe i kqyri tha, ‘Po, ti po don me bo libër’ (qeshë). Thashë, ‘Jo, jo veç qeshtu…’ Tha, ‘Mirë, vazhdo!’

[…] Edhe njëfarë dore dojsha me u bo bizantolog, me e mësu greqishtën e vjetër. Kom pasë fillu me mësu do kurse atje, por veç atëherë gati patëm hy në vitet e ‘80-ta, u ndërru edhe situata në Jugosllavi, edhe statusi im si me…. Në vitin ‘78 u pata punësu edhe në Fakultetin Filologjik në Beograd, dega e Albanologjisë. Tash, a din, të gjithëve na kapi pak edhe politika edhe këto sene edhe nuk më dukej më interesant me u marrë me atë, a din. Edhe pse kom pasë gjithmonë ide me kry atë, me botu atë punimin, me punu edhe pak. Vetëm pas 20 vjetëve, domethonë 1999 e kom botu qatë vëllimin e parë në shqip të ‘Estetikës Bizantine’.

Salih Spahiu

Arkitekt

Vet objekti i Kosovafilmit ka qenë për mu ni, ni nxitje edhe ni sfidë e madhe se si ta konceptoj objektin, për arsye se janë disa funksione tepër specifike. Siç është salla tonike që është në objekt për shkak të kushteve akustike ku bohet sinkronizimi i filmave, pastaj kanë qenë kinot, depoja ku ruhen filmat, pastaj ka qenë pjesa administrative dhe pjesa shoqërore. Ato funksione i kam zbërthy që secila të ketë integritetin e vet në aspektin e… mirëpo, prapë lidhen njëra me tjetrën tash si organike.

Prej Kosovafilmit shihet qyteti i Prishtinës tepër bukur, dhe kam shku me ngjyrat e fasadës që janë ngjyra oker diku, nëse ju kujtohet ajo e Kodakut që prodhojke filmat e ka pasë ambalazhat asi… edhe e kam lidh pak, domethanë, çështjen e përzgjedhjes së fasadës e kam lidhë pak me destinimin e objektit.

Kamile Türbedar

Floktare

Martifal. Dikush këndonte një māni [poezi popullore], e mbulonim fytyrën me një shall të kuq. Ajo e  vënte duart e saj në qymlek [ibrik]. Qymleku qëndronte nën trëndafila tërë natën. Secili vënte diçka në të, çfarëdo që dëshironin. Më vonë, ajo vajzë, e veshur me një shall të kuq, merrte gjërat jashtë nga qymleku dhe e mbante ato. Dikush do të këndonte një māni. Pastaj do të pyeste, ‘E kujt është kjo?’ Dikush do të thoshte, ‘Është e imja’. Kështu që ata do të këndonin  māni. […] Për Shën Gjergj, ne e vendosshim një qymlek gjatë gjithë natës nën trëndafila. Gjithkush nga mahalla vënte disa sende, të nesërmen, martifali. E gatujshim llokuma, për të ngrënë. Ato kopshte të mëdha… ishte një atmosferë tjetër… kojshitë… çdo mahallë bënte martifal.

Şerafedin Süleyman

Politikan

Më i vjetri filloi me procedurat. ‘P’e hapim mledhjen e srezit, a ka kush propozim për predsednik?’ Ndonjëherë flisnim në shqip, ndonjëherë në serbisht (qesh)… Stanoja Aksic ngritet në këmbë, ai ka qenë Sekretari i Komitetit të Komunës, një njeri i fortë dhe i cili i ka besu në rini, në dhënjen e mundësive. Unë në emrin e krejtve, në bazë të nenit, kështu kështu, bazuar në ligjin, kemi propozim Şerafedin Süleyman, momentalisht është në Prizren. Ata nuk e dinin që unë isha kthyer. Dikush thotë, ‘Jo, jo, këtu është!’ ‘Le t’çohët’, unë çohem. Koridori është i mbushur, sicili është i ngazëllyer se kush do të zgjedhet. ‘A ka ndonjë propozim tjetër?’ ‘Nuk ka.’ ‘T’lutna kryetarin’. Ngjitem shkallave [të binës]. Unë isha shumë i ri, 28-29 vjet. Unë nuk e shoh askën atje poshtë. Sytë më terrohen. Shkova aty, u ula dhe nxorra fletorën. I falenderova me pak fjalë në serbisht dhe shqip.