Përmes këtij hulumtimi, Iniciativa për Histori Gojore do të dokumentojë punën e PostPesimistët, një grup rinor kulturor aktiv nga viti 1995 deri në vitin 2003. Kjo shoqatë u financua nga një organizatë norvegjeze dhe ishte pjesë e një rrjeti më të gjerë që operonte nën po të njëjtin emër në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kroaci. PostPesimistët në Kosovë kryesisht ka mbledhur njerëz nga gjimnazi “Xhevdet Doda” në Prishtinë, nxënësit e të cilit kishin ende mundësi të ndiqnin mësimin në ndërtesën e shkollës përgjatë regjimit të Millosheviçit, ndërkohë që shumicës së të rinjëve shqiptarë iu desh të mbështeten në edukimin e kryer në shtëpi, nën të ashtuquajturin sistem paralel të edukimit.  PostPesimistët ka organizuar mbrëmje kulturore për rini, poashtu punëtori të ndryshme për fotograf dhe gazetari. Por aktiviteti i tyre kryesor ishte publikimi i një reviste nën të njëjtin emër dhe shpërndarja e saj tek të rinjtë. Revista Post Pesimistët më vonë u bë shtojcë e së atëhershmes Koha Javore.

Doruntina Basha

Dramaturge/Skenariste

‘Post-pesimistat’ kanë qenë të vetmit të cilët organizojshin ndeja, ekspozita, kanë pasë revistën […]  ish ajo dritarja e vogël e vetme që a din, mujshe me kqyrë jashtë edhe me të interesu çka po ndodhë andej. […]

Ka qenë njifarë tendence me normalizu jetën e rinisë në Kosovë në atë kohë, pos asaj ka qenë diçka hala ma shumë, për shkak se ‘Post-pesimistat’ kanë qenë pjesë e nji rrjeti rajonal, edhe për shumë prej neve ka qenë mundësia e parë edhe hera e parë që na me taku moshatarët tonë jashtë Kosovës, edhe kjo ka qenë jashtëzakonisht e randësishme për atë kohë për shkak se kemi jetu në rrethana ku ka qenë e pamundun, pothuajse e pamundun me taku dikon tjetër që jeton jashtë kufinit të Kosovës.  

Kështuqë, ‘Post-pesimistat’ kanë pasë ndikim jashtëzakonisht shumë të madh qysh jemi formu na si rini në atë kohë, na që kemi qenë pjesë e tyne, po mendoj edhe në përgjithësi rinia të cilët kanë marrë pjesë në aktivitete të ‘Post-pesimistave’ ose në nji ose tjetër mënyrë është asociu me ‘Post-pesimistat’.

Zana Nixha

Arkitekte

[…] Kështu, babi ka qenë ni kohë t’gjatë atje [Tiranë]  edhe dikur vendosëm që na duhet me qenë bashkë, nuk mundemi me jetu të ndamë. Plus mendonim që ndoshta perspektiva për mandej për studime, për kto, për ne osht’ shumë ma mirë me qenë atje se sa në Kosovë. Edhe nana mujke m’u inkuadru me punu n’profesion t’vetin atje, n’Kosovë nuk, nuk kishim mundësi. Kështuqë vendosëm t’gjithë me shku atje. […] Këtë herë vendosëm t’gjithë me shku edhe m’u inkuadru n’shkollë, secila, unë, motra, vllau n’kopësht e tjerë.

Unë kom shku me ni, s’po di si me thanë, me… ndoshta edhe ‘Postpesimistat’ m’kanë ndihmu, mos me shku me paragjykim, me qenë i hapun edhe me pranu me qenë pjesë e tyne. Domethanë, se shumica që shkonin atje e kishin nifar, ‘Ata kshtu, ata ndryshe, ata s’dijnë, ata flasin…’ Jo, edhe kom shku me ni shumë entuziazëm n’fakt. Sepse atje ish nji jetë pak ma ndryshe, atje shkojshe n’teatër (buzëqeshë) shumë ma shpesh, ose kish koncerte gati ton’ kohën. Edhe e di që mas shkollës gjithmonë me shokët e klasës, me shokët e klasës n’fakt meniherë  fillova me ndejtë.

Agon Maliqi

Analist i Politikave/Aktivist

[…] E maj n’men jashtëzakonisht mirë ditën e parë kur kemi hy në gjimnazin ‘Sami Frashëri’. Për neve ka qenë përjetim shumë… domethonë se shumë hapësina t’qytetit kanë qenë të ndalume për neve, tash përnihere m’i pa për herë t’parë. Unë e maj n’men shumë mirë kur kom hi n’gjimnaz i mahnitun me sallën… domethonë me krahasu me shpinë e Herticëve ka pasë qenë domethonë si naj pallat mbretënor na u doke. E maj n’men kur kom hy në, në, në ‘Boro Ramiz’ për shembull në sallën e sporteve që ka qenë… ke kalu aty gjithë jetën edhe s’ke, s’të ka çu kurrë rruga me hy n’sallë të sporteve. Domethonë, në moshë tash 15 vjeçare për herë t’parë me hy në, në sallë t’sporteve ka pasë qenë ni përjetim i jashtëzakonshëm.

Jehona Gjurgjeala

Drejtore e OJQ "TOKA"

P’e, p’e kallxoj ni rast. Ka qenë… kom qenë me do shoqe tu zhdryp teposhtë, ku osht’ tash kisha katolike te Tre, Tri-kapelat, në drejtim të nënkalimit, edhe po ecim na. Kurgjo, po ecim edhe po folim. Edhe tash tinejxhera t’animum, la-la-la, edhe kemi qenë tu e kalu ni kafiq. I ka pas disa karrika jashtë, edhe qysh kom qenë tu fol me shoqet e mia, po a din, t’animum, veç kur e kom ni, ni za tu ma ba ‘Hej mala tishe mallo’ me shumë agresivitet, që n’serbisht i bjen ‘hej ti çikë, fol ma me t’ult’. Edhe e kom kthy kryt e kom pa ni qasi, i thojshin dizellasha. Jon’ konë do ashtu djem t’ri, që u veshshin njejtë. Ka qenë nifar profili i “barabës” atëherë. Edhe, edhe jom kthy e kom kqyr edhe veç kom bo ‘Izvini’ [më fal]. Ashtu instikti jem i parë ka qenë mi kërku falje.

Edhe kom vazhdu. Edhe ai ashtu kishe, ‘Hajt po ta fali po mos m’lodh ma shumë’. Edhe na kena vazhdu me ecë, edhe po menoj që e përmeni mas 20 vjetve, edhe e maj n’men edhe qat’herë, se si me thonë tre-katër hapa ma poshtë i kom bo edhe jom konë ashtu ‘Çka m’shtin mu m’i kërku falje dikujt, që osht’ banor i njejtë si une, n’qët’ qytet, qëkjo rrugë m’takon mu qaq sa i takon atij!’ Edhe m’vike inati prej vetes, pse instikti jem ish m’u zvogëlu edhe me kërku falje. A din, thjeshtë m’u ni si i, i privilegjum që po t’len me marrë frymë n’qytetin ton’. Ka qenë rond, ka qenë rond, qaq sa nalesh edhe mendon, po natyra e njerit osht’, a din, e tillë, që ja bon vetit sa ma shumë lula, se përndryshe, osht’ vshtirë me mbijetu, osht’ vshtirë me dal prej shpisë.

Petrit Selimi

Koordinator i MMC për Kosovë

Unë e kom pasë në qendër banesën edhe ishte ndoshta ma s’lehti me fillu punën aty. U kriju njifarë youth center, qendër rinore, kishim takime, kishim ekspozita, kishim ngjarje. Organizonim pastaj edhe mbramje muzikore nëpër qato objekte që kanë qenë, kafiteri të ndryshme. Kështuqë njifarë… fillum me botimin, nji shtojcë e gazetarisë rinore në kuadër të revistës atëherë ‘Koha Javore’. Sa jena kanë na Austri erdh edhe puna e emrit, ‘Qysh me qujtë vetveten qiky rrjet i organizatave në ish-Jugosllavi?’ Edhe u kanë nji intervistë e Leonard Cohen-it, të cilin e vesin, këngëtarin e famshëm kanadez i cili vdiq dje. ‘A je optimist a je pesimist?’ Edhe ai pat’ thanë, ‘Unë jom post-pesimist’. Edhe u kanë njifarë emri ndoshta adekuat për periudhën ku kemi qenë, se me qujtë tash veten “Lulediellat e Ballkanit” në kohën kur u kanë tmerr total, u kanë pak si naive. Po qysh me shprehë tash dëshirën tonë që me dalë prej kurthës së pesimizmit edhe defetizmit edhe me luftu edhe me ba diçka, po mos me qenë emën super-optimist? Atëherë dikush pat’ propozu emrin ‘Post-pesimistët’ edhe mbet qaj emën i organizatës edhe u përdor shtatë-tetë vjet si platformë e veprimit politik, kulturor, artistik të nji gjenerate të madhe të të rijve të Prishtinës.

Garentina Kraja

Ligjëruese në AUK

Mbas këtij raportimi për Armendin, ka qenë edhe nji raportim tjetër për nji granadë dore që e kemi gjetë prapa zyrave të “Postpesimistave”. Ato zyret tona kanë qenë sot ku ka, ku është “Strip Depo”, aty kanë qenë zyrat, zyrja e “Postpesimistave”. Edhe mbrapa asaj zyre m’duket nëse nuk e gaboj, me Jehonën, po m’duket me Jehonën, kemi qenë tu shiku mbrapa edhe e kemi pa nji granadë dore. Tani ajo granadë dore, ajo fotografi realisht është bo edhe ballinë e “Kohës Javore”, t’njejtë, me t’njejtin paralajmërim. Se ne n’atë kohë bashkpunonim me “Kohën Javore”. Fillum me dalë si shtesë. Na natyrisht prapë t’njejtën mënyrë i mbledhnim paret sepse ajo duhet t’shtypej nga, nga t’dilte si supliment, si pjesë, si shtojcë e “Kohës”.

[…]

Mu personalisht “Postpesimistat” m’kanë ndihmu me kuptu perspektivën e tjetrit, se nuk o, jo gjithmonë kom qenë e hapun ndaj asaj perspektive, pjesërisht për shkak të rrethanvave n’t’cilat jom rritë edhe t’ngarkesave politike t’cilat m’kanë formësu ma herët se me mujtë me m’formsu shkolla ose rruga. M’kanë ndihmu me e kuptu perspektivën e tjetrit dhe m’kanë ndihmu me qenë politikisht e emancipume, e arsimume politikisht. I kom, nuk kom pasë në asni sekond dilema për çka është tu ndodhë në Kosovë edhe sa ma shumë që jom rritë, qaq ma shumë e kom kuptu sa e paqëndrushme është gjendja n’t’cilën jemi gjetë.