Hulumtimi mbi fushatën e pajtimit të gjaqeve është përqëndruar në ngjarjet të cilat kanë ndodhur në Kosovën e viteve 1990-1991, në fillim të regjimit represiv të Millosheviqit. Duke i mbledhur historitë gojore nëmpërmjet intervistave me protagonistët e kohës – ish të rinjtë të burgosurit politik, klerikë të besimeve të ndryshme fetare, shkrimtarë dhe studiues – ne synojmë të krijojmë një arkivë që do t’i japë zë interpretimeve të ndryshme dhe shpesh kontradiktore të fushatës, të asaj kohe dhe pas saj.

Myrvete Dreshaj

Ligjeruese në Fakultetin e Edukimit

… por në Aksionin për Pajtimin e Gjaqeve shpesh na ka ra që si gjini të ballafaqohemi sidomos me atë tradicionalitetin e odave. Vështirë nganjëherë jemi kuptuar, dhe në librin tim për pajtimin e gjaqeve unë kam disa kujtime të mia që tregojnë brumin e kësaj situate.

Në oda kur kemi hyrë, ka pasur pleq të cilët fare nuk na e kanë zgjatur dorën, domethënëna kanë treguar se nuk është vendi i juaj këtu se ju duhet të shkoni te shtëpia e grave. Ndërsa shokët tonë që ishim me ta, e vërenin menjëherë këtë, ata në këso rastesh vetëm e hapnin bisedën ndërsa e vazhdonim ne vajzat. Është shumë e çuditshme, por ka pasur shumë pleq që këmbëkryq janë ulur në odë dhe gjithherë e kanë gjetur pozitën me shpinë nga ne, që ne të qëndrojmë pas shpinës së tyre.

Ndërsa ne duke folur, duke treguar misionin, duke kërkuar faljen e gjakut ata dalëngadalë kanë filluar të bëjnë lëvizje dhe në momentin e fundit janë gjendur ballë për ballë me neve. Kjo, për ne si gjini ishte edhe një fitore tjetër shumë e madhe, fitore e gjinisë, sepse ata harronin se jemi ne femrat që po e kërkonim faljen e gjakut.

Ibadete Bunjaku – Ahmetaj

Aktiviste në Fushatën e Pajtimit të Gjaqeve

Ni plak, gati para vdekjes ishte. Edhe nuk na pranoj mrena. Po na njek me thupër. Po ju thotë djemve t’vet e…. T’u bo… na kemi insistu zakonisht, vazhdimisht edhe hym mrenda. E kish pasë shqiponjën e madhe {tregon me duar}. Shqiponjën. Shumë patriot. Edhe gjatë bisedimit, e bisedimit, e t’nervozohna une. Thashë, ‘Hiqe këtë shqiponje, ti s’koke burrë!’ Kap shqiponjën, edhe t’ja shkeli, thashë…. E tëm qiti jashtë, e nuk m’pranoj mo hiç.

Mas ni jave, kanë qenë grupacione të ndryshme. Tha, ‘Ja,’ tha, ‘pa m’ardhë qajo çika’, tha, ‘une veç qasaj kom me ja falë’, tha, ‘tjetër kujt jo’. […] Edhe shkova. ‘E pse axhë bash ksajna?’ Tha, ‘Eh, për me hjekë shqiponjën prej atyhit’, tha, ‘duhet me pasë koxha forcë’.

Behram Hoti

Profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe

Fillunë, filloi m’i gjetë m’u identifiku kush ishin ata vrasës. Vrasësi me gjithë vlla t’vet u burgos… këto janë t’dhimshme këto… shkoi në Nish. Njoni, njoni vrasës vdiq në Nish, njeni, njenin e lirunë. Baba me dashamirtë e tij filloi m’u hakmarrë, kur na s’ishim t’lemë e t’lindur asnjo, dhe e nxorr gjakun e nanës. Prej atij momenti në shpirtin tim ka hy se gjakderdhja, vlla-vrasja…. Shikoni, ata që e sulmun familjen tonë, e likfidun familjen tonë, ja lamë historisë. Ata ishin shumë t’domshëm për shiptar. Por, flitet se pushkë hakmarrëse për nanën e vet, e për babën e vet kush nuk ka qit’ si plaku im, pushkë pozitive. Po, pastaj fillunë, unë, lindi në shpirtin tim edhe isha student i profesor Anton Çettës dhe shumë të tjerë, e njifsha jashtëzakonisht mirë, se kur erdh baba prej burgu profesori e vizitoi babën në Drenicë….Mori tregime, anekdota të ndryshme historike, politike, gjithë atë urtinë e tuboi, vazhdimisht vinte në Drenicë.

Lumturije (Lumka) Krasniqi

Kontabiliste

… njenës diku ka rrethi i Istogut ia kishin vra babën edhe ajo s’dojke me falë, familja po, e ajo s’dojke me falë, tmerr ka qenë rasti. Edhe ajo e kishte emrin [Besa], po tashti ia kish dhonë fjalën, besën babës të vet që unë s’kom me falë gjakun, kom me ta nxirr hakun. Kështu që, të nesërmen shkum na edhe nuk e fali. Edhe kur u ktheva unë në shpi po i thom babës, ‘Babë,’ thashë, ‘du me të pyet diçka’. Babi tha, ‘Çka?’ I thashë, ‘Nji, kshtu nji pyetje,’ thashë, ‘për shembull larg qoftë me të pasë vra dikush ty,’ thashë, ‘e ti me më thanë merrma gjakun, unë me të premtu që kom me ta marrë gjakun, e tash m’u kërku prej popullit e për hir të lëvizjes m’u kërku me falë gjakun që ta kom premtu ty që e marrë hakun, e me falë çka kishe thanë ti? A ish dashtë unë me falë, a asht’ dashtë premtimin me mbajtë?’ Tha, ‘Kur asht’ çështja kombëtare,’ tha, ‘kurrë premtim mos mbaj, personal. Premtimet personale thyhen për çështje kombëtare. Gjithçka,’ tha, ‘jo veç mu, por krejt familjen me ta vra, a kërkon kombi, a kërkon flamuri,’ tha, ‘duhet jo më falë, por duhet edhe jetën me dhanë. Kështu që,’  tha, ‘qekjo asht’t përgjegja jeme, për çështje kombëtare, për flamur’.

Kështu që, pak a shumë u preka, mendova pse ajo çika nuk po e falë, kështu që javën tjetër veç ish pajtu ajo, ish pajtu që do ta falë edhe shkum. Masandej, mas dy javëve kemi shku edhe e fali gjakun, por më kujtohet tronditja shpirtënore e asaj vajzës, kurrë s’kom me harru, ajo, bisteki i saj. Kur hyni në dhomë, më shumë na qanim sesa që qante ajo. Tmerr, tmerr!

Marjan Dema

Rektor i Univerzitetit të Prishtinës

Familjet m’njifshin edhe natyrisht ka qenë e vështirë për mu kur ndëgjojsha që kish raste me falë djalin i cili nuk e dinte kush ia ka vra […] Ia kanë falë dorasit të panjoftun edhe përdorej kjo, ‘Kur Marjani ka falë tri gjaqe, unë nuk kom gojë me ju kthy’.

Domethanë, kjo ka qenë diçka që njikohësisht m’ka ba mu ndi mirë, mirëpo m’ka ba njikohësisht edhe mu ndi keq se ai ka falë pra. Për ata ka qenë rasti ma i rani, se çdo problem për personin o problemi ma i madhi. Mirëpo, megjithatë n’raport me peshën e randë që e ka pasë falja e gjaqeve të tre vllazërve n’raport me nji falje, ajo e ka pasë atë efektin e vet. […]

Mirëpo, megjithatë njerëzit kanë qenë ata heroj, unë i quj heroj që e kanë nxjerrë atë fjalë, e kanë kry atë vepër. Fatbardhësia osht’ që prej atyne pajtimeve nuk ka pasë hakmarrje. Domethanë, pajtimet kanë qenë, kanë qenë pajtime t’pastra, nuk kanë qenë pajtime që t’paguhet gjaku ose t’blehet, apo t’paguhet dikush.

Selman Boçolli

Inxhinier i Ndërtimtarisë

Kanë fillu bisedat. Ni fjalë më duket që s’e harroj kurrë, Anton Çetta e pyeti Haxhinë, mixhën tonë, tha, ‘Sa vjet i ke bo?’ Tha, ‘Tetëdhjetë e tri.’ Tha, ‘Ishalla edhe unë i boj qaq’. Atëherë u bo nifarë gazmendi aty, a din. Kështu që, jonë çu ka jep, ‘Kush e ka menën’ tha, ‘m’u pajtu, çonu qetash burra’, edhe jonë çu në kamë, jonë marrë ngryk aty […]

Menjiherë si jemi marrë ngryk e jemi ul me pi ka ni kafe, kanë ba fmija tyne në vrap yyyyy {onomatope} se kati i dytë e asi kanë vrapu, në vrap kanë shku në bahçe tonë e i kanë thirrë tontë edhe kanë lujt top tanë ditën e gjatë.

Ajo ka qenë interesant, thojsha, ‘Ku-ku, ça kokëm konë, si s’na ka ra në mend edhe fmija’. Ka ndodh që fmija tonë me fminë e tyne në shkollë fillore kanë qenë ni klasë. Kur vrapojshin me lujt njonën anë ose kështu, tha, ‘U nalshin trrak. {onomatope} Edhe mos me ardhë deri te…’ a din, asi momente, pak a shumë të vështira kanë qenë.

Ma e vështira kanë qenë me majtë na, po mendoj asisoji deri te pajtimi, edhe na edhe ata, mos me ardh deri te ni zamkë ma e vshtirë apo tragjedi ma e madhe.

Metë Shala

Arsimtar i Solfexhos

Dola me tezen [në bjeshkë] edhe nejtëm dy ditë, në të tretën ditë u nisa une me tezën me ardhë në rrafsh, ramë në Rozhajë, prej Rozhaje me ardhë në Pejë, në fshat. Tezja në mëngjes ke tu ata [te motra e saj tjetra], kur u kthy, u kthy diçka t’u kajtë. […] Tezja po më thotë, ‘Kthehu ti në bjeshkë’. I thashë, ‘Pse, qysh me të lanë une ty? Na jemi nisë për fshat, për rafsh, për Pejë’. ‘Ja!’ Tha, ‘Kthehu ti se mu më ka deklaru’, vrasësi [djali i motrës tjetër] se, ‘dilli s’praron pa e vra njanin ose te dytë’. Unë u befasova i thashë, ‘Teze pse s’më kallxove në bjeshkë?’ Edhe u tërheka. […] Kur shkova në bjeshkë, kur mrrim naltë e gjeta të vramë, në prezencën e nanës e kish vra. Edhe djali vëllait të tij prapa shpinë ia kish bo fytin krejt zi t’u ia ngjit, edhe nana e kishte pengu shumë vëllaun [e atij]. Ia kishte lidhë durtë, edhe ai e kishte nxerrë revolen dhe i bjen me një plum në zemër. Kish pasë ra mi nanën edhe nana me menxi ish konë terhek prej trupit të tij. Kur mrrina unë e gjeta nanën te krytë e tij, e gjeta nanën te kryt e tij. Edhe policia erdhën, nuk më lejojshin me bartë kufomën.

Lala Meredith-Vula

Artiste

Violeta tha, ‘Hajde me pa këtë pajtimin e gjaqeve’, e une në fund thashë, ‘Ani, hajde’. Une, a din, [u] dorëzova se ka insistu. Kur kam ardh në Skenderaj, u konë në mars në 1990, edhe aty ishte ni tubim jo shumë i madh, ama mjaft e madhe, edhe e pash se diçka, nuk i kuptova gjaqet çka domethonë se nuk kam ditë shqip mirë, veç e kuptova që është diçka shumë ransishme nga emocionet e njerëzve.

Sali Cacaj

Fotografist

Edhe, pastaj u takuam me Nimonin tha, ‘Duhet me kqyr mu taku me disa aty’. Ka qenë ajo Have Shala, Flamur Gashi, ka qenë Myrvete Dreshaj, Zoge Shala, ka qenë ky Adem Grabovci dhe ka qenë Rexhep Kelmendi, Lulzim Dreshaj, Ibrahim Kastrati dhe më duket edhe dy, tre, vëllau i ktij Ademit edhe s’di kush tjetër ka qenë prej këtyre si studenta. E me Nimonin u takuam disa, edhe unë u thashë, ‘E keni në dispozicion lokalin krejt’. Aty u hap. Zakonisht kush ka me paraqit e bijke nji letër që thotë nji gjakësi. Kryesisht i binin në lokal tek une, por edhe njerzve tjerë ndonjë njeri apo ndonjë veprimtari ua jepke dikush letrën. Nevojtarët që ishin në gjak apo të ngujuar me njerëz qoftë ma te afërt apo ma të largët, normalisht që kishin nevojë për t’u liru dhe për t’u pajtu sepse ekziston edhe thotë tradita që u dashke vetëm me besë me lëvizë.

Hava Shala

Punëtore Sociale

Fillimi i Fushatë së Pajtimit të Gjaqeve.

Në lajme doli zëdhënësi i qeverisë së Millosheviqit n’atë kohë […] Dhe tha, ‘Nuk u vranë nga ushtria dhe policia jonë’, e tyre, ‘por u vranë shqiptarët primitivë për shkak të gjakmarrjes.’ […] Ishte shumë irrituse, ishte shumë e papranushme për mua, ishte shumë diskriminuse, ishte shumë e pavërtetë, ishte shumë jo-njerëzore.

Dhe, të nesërmen kam dalë në Pejë. Personi i parë që kam dashtë me taku e që jam nisë për ta takuar, ka qenë Myrvetja […] E kam takuar në Pejë edhe, edhe kemi fillue me bisedu, mu nuk m’kujtohet nëse ajo i ka dëgjuar lajmet apo jo. Me Myrveten jemi kuptu gjithmonë shumë mirë, kemi qenë shoqe ma përpara, para burgut, gjatë burgut, pas burgut. Dhe jemi kuptu, nuk osht’ dashtë shumë me shpjegu, nuk osht’ dashtë me ia mbushë mendjen… ajo e ka konsideruar [pajtimin e gjaqeve] shumë të rëndësishme dhe ka thanë që, ‘Do t’shofim se çka mund të bëjmë’. […]

Edhe Brahimi, Luli, Myrvetja dhe unë kemi shkuar tek Ademi atë ditë në shtëpinë e tij, dhe kemi biseduar dhe padyshim jemi dakorduar. Domethanë, nuk është dashtë shumë me diskutu, nuk është dashtë shumë me filozofu. […]

Dhe, më pastaj kemi menduar që një person, një ftyrë e nderuar e çmuar, e vlerësuar që ka edhe kompetencën e hyrjes në oda, bisedës në odë, ishte profesor Zekeria Cana dhe profesor Anton Çetta, respektivisht s’pari Zekeria Cana. Ishte i nderuar, të paktën dhe tek ne, por jo veç tek ne po ne e njifshim angazhimet e tij, literaturën e tij”.