Hana Bajrami

Pristina | Date: 9 shkurt, 2018 | Duration: 11 minuta

Hana Bajrami (1987), nëpunëse civile, Prishtinë


Lura Limani (Intervistuesja), Donjetë Berisha (Kamera)

Hana Bajrami

Lura Limani: Okej, nisja…

Hana Bajrami: Hajde…

Lura Limani: Action.

Hana Bajrami: Action. Unë jom Hana Bajrami. Jom 30 vjeç, edhe pak 31, m’u kanë afru. Kom lindë në Prishtinë. E kom edhe ni vlla binak, veç dhjetë minuta ma e madhe jom, that makes a big difference. Edhe qe 31 vjet jetoj qetu nëpër Prishtinë, sillna nëpër Prishtinë. Për momentin punoj n’zyre t’presidentit. Ma herët kom punu koxha puna t’ndryshme, prej projekteve t’Komisionit Europian në shoqëri civile. Pak e a shumë qikjo.

Lura Limani: A t’kujtohet vera e vitit 2007?

Hana Bajrami: Vera e vitit?

Lura Limani: 2007.

Hana Bajrami: 2007, a 2006? 2007. Ve… m’kujtohet pak se kom qenë studente. Domethonë n’vit t’dytë, n’shkenca politike edhe si vera qysh osht’ kur i krynë provimet n’afat edhe vec këqyrë… Edhe pat po, pata marrë pjesë në Univerzitet Verorë të Prishtinës. Kshtu që po m’kujtohet, po m’kujtohet. Kena pasë shumë pjesëmarrës prej, e di prej Brazilit ka qenë nji djalë, kshtu që po e mbaj, pe majsha n’mend.

Lura Limani: A t’kujtohet hera e parë që ki ndi, kur ki ndi që Kosova ka me shpallë pavarësinë? Ose ku ke qenë?

Hana Bajrami: Po. M’ka rastisë datën e pavarësisë me marrë veshë n‘ditën e parë t’punës, me 4 shkurt n’2008-tën kur kom fillu me punu n’zyre të zavendës kryeministrit të Kosovës n’atë kohë, profesori Hajredin Kuçi. Qat’ ditë e kom marrë vesh edhe ditën e pavarësisë. Edhe i kom kallzu vllaut që e di datën po s’ia kom tregu, edhe hala sot e kësaj dite ma përmend, thotë, “Paramendo mu, mu s’më ke tregu. Unë s’kom pasë me i tregu kërkujna”. Po qe, sekret i punës (qeshë).

Lura Limani: Qysh je ndi kur e ki marrë vesh? A ka qenë diçka si, njifar mënyre e ki pritë, veç ki ditë që ka me ndodhë? A ka qenë befasi? Çfarë atmosfere ka qenë n’atë kohë?

Hana Bajrami: Ka qenë, pak a shumë si krejt populli. Krejt e dishim po kërkush nuk besojke. Edhe, s’po di sot kur e menoj shumë sureale na u ka dukë. Mu m’u ka dukë, po pak a shumë krejtve i’u ka dukë qashtu. Se nuk e din çka osht’ pavarësia. Nuk e din ndjenjën me shpallë pavarësinë, a din, osht’ send qe ndodhë nji here e kërkush se ka eksperiencu. Kshtu që ka qenë, interesant ka qenë, ndjenjë interesantë. Hala kur m’kujtohet sot diqysh thom, interesant.

Lura Limani: A t’kujtohet çka ki bo atë ditë? Ku ke qenë edhe…

Hana Bajrami: Po.

Lura Limani: Çka ka ndodhë gjatë ditës?

Hana Bajrami: Atë ditë, me t’17-tin në ora tetë, kom qenë n’zyre. Ka qenë jo ftoftë, po ekstrem ftoftë. N’jetë teme ma shumë s’kom nirthtë. Edhe veç, domethonë masi m’ka rastisë fati që kom qenë n’zyre t’kryeministr… në kryeministri, në zyre të zavendës kryeministrit ka pasë hyrje, daljë, hyrje, dalje, personalitete, naltë, poshtë, naltë, poshtë. Edhe popullin e shihsha prej dritareve, na e kena pasë zyrën n’kat t’tretë edhe veç ja nisi mu mushë sheshi, i’a nisën njerëzit me festu. Domethonë përkunder qati ftoftit shumë t’madh. Edhe e di qe e kom pasë ni aparat me veti t’vogël, që thom sot t’kishim pasë kto telefonat, a din, po atëhere e kom pasë ni telefon Nokia si patikat me drita, që as foto s’ka bo. Edhe e di që i kom do foto n’shpi që i kom bo edhe thojsha, a din, hala m’u doke jo reale qajo, çka osht tu ndodhë qato kohë. Domethonë po foli po orën dhjetë-nibëdhjetë, kur kryeministri, kryeminisrti me ni pjesë t’stafit t’vet shkunë në Grand, i’a patën bo qendrën mediale para mediave ndërkombëtare. Kshtu që qeshtu u nisë dita e 17 shkurtit.

Lura Limani: Çka ndodhi masnena?

Hana Bajrami: Mandej, une domethonë kur fillova me punu, kur e kuptova që po shpallet pavarësia pata insistu shumë me hi n’sallë t’kuvendit. Domethonë edhe përkundër asaj që mu duke jo reale çka po ndodhë, domethonë s’mujsha me lidhë pata insistu me hi gjithqysh n’sallë t’kuvendit. Edhe zëvendës kryeministri m’pat thonë, ka ora qashtu dy, ma pat bo, “Hanë, shko n’kuvend”. Edhe e di kur pata dalë prej ndërtesë t’qeverisë, qaq shumë fryjke, m’u pat kujtu fëmijëria se gjithë mu ka dokë interesant kur isha n’mën t’qeverisë, postës n’atë kohë edhe kuvendit, gjithë ka fry. E qajo ndjenja e njejtë. Edhe pata shku në kuvend edhe ma pat dhonë dikush ni bexh t’protokollit. Po une isha domethonë 13, as 13 ditë, dy javë si kom pasë që pata fillu me punu. Shumë pak i njifsha njerëzit edhe njizetë vjet, domethonë pa përvojë, e kish nji vjet provojë pune me ni projekt amerikan që s’kish t’boj hiç me institucione.

Edhe e di që kom shku n’kat t’dytë, ka qenë zyrja e kryetarit t’kuvendit, n’atë kohë Jakup Krasniqit. Edhe qaty jom ulë më ni fotele si fmi i vogël edhe veç këqyrsha, hishin, dilshin njerëzit edhe veç këqyrsha çka po ndodhë edhe nuk mujsha shumë, a din… Pritsha kur t’vjen koha që me shku n’sallë t’kuvendit.

Lura Limani: Edhe masnena, ti ke qenë mrena n’sallë, a po? Çka, çka je dashtë…

Hana Bajrami: Mandej unë domethonë kom përfundu n’sallë t’kuvenit si protokoll edhe kom ndihmu deputetët e kunvendit të Kosovës për nënshkrimin e deklaratës t’pavarësisë. Kjo krejt ka ardhë si pasojë se deklarata e pavarësisë osht’ e shkrume në papirus edhe ai dokument osht’ dashtë m’u nënshkru veç prej ni kimiku t’veçantë, jo domethonë… E u ditë që secili ka pasë qef me pasë ni kimik t’vetin që e kish nënshkru edhe e kish majtë n’shpi si kujtim. Edhe kjo, kjo osht’ njo prej arsyeve që kom përfundu une aty si protokol në nënshkrimin e deklaratës t’pavarësisë.

Lura Limani: Domethanë ti i’a u ke dhanë kimikat edhe si dhuratë, a qysh?

Hana Bajrami: Jo. Jonë konë dy kimika t’veçantë për qat’ letër edhe me qat’ kimik secili osht’ dashtë me nënshkru. Domethonë nuk kanë mujtë me i përdorë t’vet edhe osht’ edhe, qeky sekuencë po m’kujtohet, inçizim, kur presidenti Sejdiu e nxjerrë kimikun e vet prej gjepit…

Lura Limani: Po…

Hana Bajrami: Edhe une i thom, “M’fal president, po me këtë kimik nuk lejohet mu nënshkru për shkak t’llojit t’letrës”. Edhe ai, “Po, po n’rregull”. A din,  edhe e kthen kimikun n’gjep edhe nënshkrunë me kimikun që e kom pasë une. Dy kimikat.

Lura Limani: A t’kujtohet saktësisht kur, saktësisht çka je konë tu bo n’ora 3:50?

Hana Bajrami: Po, n’sallë t’kuvendit, domethonë n’3:37 u shpallë, deklarata osht’ lexu edhe ka qenë si invazion i gazetarëve, qaq shumë, edhe une kom përfundu n’sallë të kuvendit naltë domethonë. Edhe e di ni televizionit spanjoll ma pat, m’pat pytë, e na që e dijmë krejt spanjollishtën prej seriave, ma pat bo, “Ah, a jonë qeta kimikat qe ka m’u nënshkru deklarata e pavarësisë?” Unë i’a pata bo, “Po”. E di, m’i inçizojke durët, a din. Edhe unë kshtu, okej, a din. Domethonë në 3:50 jom konë qaty te gazetarët, momenti kur osht’ lexu deklarata edhe kur… mas atij momenti mandej kanë fillu gazetarët me dalë jashtë edhe ka mbetë veç televizioni publik i Kosovës.

Lura Limani: Çka e bo ti masnej, a ke dalë jashtë me festu?

Hana Bajrami: Jo, domethonë ajo ka zgjatë dikund ni orë, ni orë e gjysë deri sa kanë nënshkru t’gjithe deputetët. Edhe sot kur e këqyri deklaratën thom mirë, mirë i kom menaxhu se bukur kanë dalë nënshkrimet. Mandej, jo jom kthy në zyre prapë. Mandej kom shku veç deri n’shpi me menxi, kom dalë nëpër shesh tepër njerëz, a din. Me fat osht’ qata që kanë jetu n’qat kohë me përjetu qat’ moment. Edhe i shiha fmitë, e prindët e fëmi, “Babi, babi qy kjo çika”. Edhe une, “Ah, okej”.

Tu ecë pata shku n’shpi, jetoj në Ulpianë. Edhe kur shkova n’shpi mami, “Kanë thrre prej gjithkahit”. Vllau, “Ou, ku je ti”, tha, “Kqyri breaking news në CNN”.  Edhe qaty e pashë që krejt kish qenë përnime (qeshë) se hala nuk besojsha. Mandej jom kthy, kom vazhdu, e kom marrë, e kom ftu edhe vllaun kena shku n’koncert për pavarësi që u organizu në 1 Tetori. Qe ka qenë edhe aty nja minus nji qind gradë, tepër ftoftë. E ashtu me fustan elegant se koncert solemn, e di. E kom hala ni trëndafil se secila agjendë e ka pasë ka ni trëndafil t’bardh. Atë trëndafilin e kom n’shpi dikund, t’thatë ashtu, kujtim.

Prej atyhit kena vazhdu në ndërtesë t’qeverisë prap ku ka qenë koha për koncert edhe ku tri liderët kanë dalë, domethonë kryetari i kuvendit, parlamentit edhe… i kuvendit, kryministri edhe presidenti i vendit, kanë dalë, e kanë përshëndetë popullin. Edhe m’kujtohet, n’atë kohë ka qenë shef i stafit, zotri Bekim Çollaku, edhe sot osht’ shefi i stafit t’presidentit, ka qenë mbrapa meje kur e ka thirrë dikond n’telefon edhe i ka thonë, “Lshone”. Edhe e di që u zdritë qielli i Prishtinës, kur i kanë lshu fishkezjarret. Edhe m’ka metë ashtu, a din si prej filmave që t’metë “Wow” se a din, qaq shumë fishekzjarre na s’kishim pa deri n’atë kohë.

Mandej ka përfundu krejt ceremonia, domethonë agjenda zyrtare që ka qenë me punë, jom kthy n’zyre edhe m’ka thirrë vllau. Qeky vllau që s’ja kom kallzu datën, që s’ka me ma falë kurrë. Ma ka bo, i thashë, “Ku je?” Tha, “Qe, jom me ni kafiq tu festu”. Teper zhurmë edhe i thashë, “Okej, a po vjen me m’marrë te zyrja? Po vi edhe une”. N’qat’ moment tu dalë, fati apo fatkeqësia ime, ni koleg i jemi tu dalë me kerr. Edhe ai, domethonë me rratocion ai mujke me dalë n’turmë edhe tha, “Hanë, mos po don me t’çu dikund?” Tash mu m’kish ra, domethonë kom fillu me 4 shkurt me punu, e trembëdheta ditë që isha tu punu. Edhe i thashë, “Okej”. A din, se ke shumë provokuese oferta edhe vllau te hekrat e ndërtesës t’qeverisë, edhe po ma bon, “Hanë, a po vjen?” Edhe unë i thashë, “Ah, jo, jo. S’po vij une, po shkoj n’shpi”. A din, “Se jom lodhë”.

Edhe tani tregojnë qysh vllau jem qat’ natë, nga gëzimi edhe nga dehja për nderë t’pavarësisë tu thonë, “Hana u bo VIP, ka hypë n’xhip, edhe s’ka ardhë më mu”. Edhe ashtu t’u vajtu që unë s’kom shku. Sot hala domethonë e ndi njifar ndjenje, domethonë i kom ra pishman që s’kom vazhdu po përnime n’atë moment jom konë tëpër e dërrmume. Po sot t’kisha qenë kisha vazhdu 48 orë me festu po tash osht’ vonë, tash e festojna dhjetë vjetorin.

Lura Limani: Po tash mundesh me festu dhjetë vjetorin. A ki naj plan specifik?

Hana Bajrami: Po, keni agjendën n’zyre. Po kena me festu. Sdi osht’ ndjenjë e, ditë e veçantë për mu, besoj që osht’ edhe për krejt popullin e Kosovës. Bash sot kur e shifsha prej qeverisë, kur e lshojshin atë flamurin e madh, e përnime osht’ folë, e osht’ keshë e… Gjtihçka osht’ folë për atë flamur, a din, po e di që gjeneratat e ardhme ai ka me qenë flamuri tyne. Edhe une sot e ndjejë si flamur, kshtu që ka me qenë ditë e veçantë. Domethonë çdo 17-tsh, qysh do qofshim ka me qenë, i veçantë për secilin prej neve.

Lura Limani: Faleminderit shumë.

Hana Bajrami: Faleminderit.

Download PDF