Gjyshi im Metush Krasniqi

nga Kushtrim Krasniqi

Metush Krasniqi (1926-1986) ka qenë një anëtar i respektuar në udhëheqsinë e Ilegalës dhe i burgosur politik, i cili vdiq pak kohë pas lirimit nga burgu.

Në këtë tregim nipi i tij Kushtrim Krasniqi, analist financiar nga Prishtina, e kujton atë si të fuqishëm dhe të ashpër, por poashtu edhe si gjysh të dashur.

Metush Krasniqi 1942 (1)


Gjyshi im Metush Krasniqi

U linda më 3 korrik, 1977, dy muaj para kohe. Isha një foshnje e dobët, edhe pas katër muajve ende luftoja për jetë, kur gjyshërit e mi, të cilët jetonin në Dajkoc, fshat afër Kamenicës, u thanë prindërve të mi, “Pse nuk e bini djalin te ne? Ndoshta fshati do t’ia përmirsoj shëndetin, do ta forcojë atë”. Më dërguan në fshat dhe unë bëra mirë e ma mirë. Dhe afërsia e gjyshit tim me mua rritej më shumë.

Gjyshi im Metush Krasniqi, tash vonë është nderuar si hero kombëtar nga të dyja shtetet, Presidenti i Kosovës dhe Presidenti i Shqipërisë. Ai u lind më 19 gusht, 1926; ai u arrestua për herë të parë më 1958. E dënuan tetëmbëdhjetë vite, por e liruan pas tetë viteve, si rezultat i rënies së Rankoviqit dhe fundit të regjimit të tij terrorizues në provincë. Familja jonë ka traditë të gjatë të përfshirjes në politikë, të paktën prej shekullit XIX. Dy anëtarë të familjes janë vrarë në Krime dhe më pas të tjerët, gjeneratë pas gjenerate vazhduan traditën. Një kushëririt iu desh të largohej nga Jugosllavia e Parë asokohe, dhe u kthye gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Kosova ishte nën okupimin italian.

Si rezultat i okupimit nga ana e forcave italiane përgjatë Luftës së Dytë Botërore, shqipëtarët e Shqipërisë vinin në Kosovë që të hapnin dyert e shkollave në gjuhën shqipe, gjë që ishe një hap para. Gjyshi im përfundoi shkollën e mesme në Gjilan, dhe më pas shkoi në Shkollën Normale në Gjakovë dhe u bë mësues. Në të katërdhjetat e tija, ai u kthye në shkollë dhe studioi Juridikun; u bë jurist.

Gjyshërit e mi më rritën. Gjyshi im ishte njëri ndër udhëheqësit e njërës nga organizatat nacionaliste të nëntokës, nuk më kujtohet emri detajisht, pasi që ishin të shumtë. Në ‘70-tat e vona ai tashmë ishte i njohur nga “Ilegalja” dhe në të ‘80-tat për shkak se lëvizjet shqipëtare po fuqizoheshin dhe po bëheshin më serioze, ai u mundua që t’i bashkojë shumicën e këtyre organizatave dhe arriti për një kohë të shkurtër. Shumë nga organizatat kishin koncepte komuniste, ishin të lidhura me regjimin komunist në Shqipëri, lidhjet i kishin shumë të forta, dhe natyrisht regjimi Shqipëtar nuk e përkrahi gjyshin tim, i cili ishte demokrat, pro-perëndimor, shkurt, ishte halë në sy për regjimin e Shqipërisë.

Unë isha shumë i ri, por më kujtohet hera e parë kur policia, UDB-a, shërbimi sekret ishte në kërkim të tij, erdhën në shtëpinë tonë më 1981, pa paralajmrim dhe e arrestuan. Ka ekzistuar një ligj parandalues që merrte në burg të dyshuarit sa herë që kishte ndonjë demostratë apo ngjarje politike që mund ta rrezikonte sigurinë e vendit. Në vitin 1981, gjyshi im ishte në burg për katër muaj, edhepse nuk kishin ndonjë dëshmi për shkelje ligjore. Isha katër vjeç dhe më kujtohet shumë mirë, ka qenë një ndër kujtimet e mia të para.

Pas disa muajve nga arresti i tij, më kujtohet që erdhën ta arrestojnë edhe xhaxhain tim Besnikun, djalin e tij, edhe pse nuk patën sukses. Xhaxhi Besnik ka jetuar në të njejtën shtëpi me neve. Ne tashmë ishim bartur në Prishtinë nga Dajkoci, sepse gjyshja ishte sëmurë dhe kishte nevojë për kujdes shëndetsor. Xhaxhi Besnik studionte në Pejë, ishte në njëfarë shkolle të biznesit. Më kujtohet ai epizod shumë mirë, unë e prisja, sepse sa herë që ai e jepte një provim, ai vinte në shtëpi dhe më sjellte diçka, një dhuratë të vogël.

Ai erdhi nga Peja, dhe disa orë më pas polica erdhi ta arrestonte. Fatmirsisht, çfarë kishte ndodhur është se policia kishte pasur informatën e gabuar, ata kanë menduar se ai ishte në Kamenicë, që është 80 kilometra larg nga Prishtina, dhe ata shkuan atje ta arrestojnë. Nuk gjetën askënd në shtëpi. Kushëriri im shkoi ta lajmëroj hallën time dhe e gjeti atë në një fshat afër, ku ajo kishte shkuar në vizitë te daja i saj; ai i tha që ajo do duhej ta paralajmëronte Besnikun dhe se duhej kthyer në Prishtinë.

Halla ime kishte menduar se Besniku ishte ende në Pejë dhe ishte ndier e sigurt. Andaj, ajo shkoi në Gjilan për të telefonuar në shtëpi dhe t’u thoshte që nëse Besniku vjen, do duhej ta mbanim larg shtëpisë, por kur ajo ishte kthyer me veturë në vendin ku kishte qenë në vizitë, policia tashmë kishte qenë aty. Dikush u kishte treguar ku ishte ajo. Halla ime, duke ditur se ata e kërkonin Besnikun, është munduar t’u nxirrte punë dhe i kishte mbajtuar aty edhe për një orë.

Në ndërkohë, kur xhaxhai im erdhi në shtëpi, ai u njoftua se ata po e kërkonin dhe menjëherë u largua. Pas tre ditë, ai ishte në Itali. Ai shkoi në Itali ilegalisht, aty u tha, “Kam ardhur nga Jugosllavia,” dhe mori azil. E vendosën në një vend të quajtur “Latina” për disa muaj. Nga aty, pas pesë muajve, ai shkoi në Australi.

Gjyshi im ishte në burg, dhe policia i kishte thënë, “E kemi zënë djalin tënd përderisa mundohej të ikte nga Jugosllavia dhe e kemi vrarë”. Brenda dy orëve ai e ka kuptuar që djalin e ka pasur gjallë. Ai kishte menduar se ata po gënjenin dhe u kishte thënë, “Nuk më intereson nëse e keni vrarë, unë kam dy djem tjerë”. Por shumë shpejt e ka kuptuar që Besniku është i sigurt në Itali.

Pas kësaj, më 1982 babai im ishte në burg poashtu, dhe pa asnjë arsye. Babai im kurrë nuk ka qenë pjesë e “Ilegalës”, ndryshe nga xhaxhi im, i cili iu bashkua edhepse jo në rol udhëheqës. Xhaxhai im tjetër, mësues, nuk ka qenë fare i angazhuar politikisht. Familja nuk luante rol në aktivitetet e gjyshit tim, të paktën jo rol aktiv. Ata thanë që babai im kishte sulmuar një student në univerzitet. Çfarë ata dëshironin ishte të bënin presion në gjyshin tim, një djalë në ekzil dhe një tjetër në burg. Dëshironin ta dobësonin. Babai im është liruar më 1983.

Gjyshi im ishte arrestuar prapë me 4 nëntor, 1985. Tre vite më parë ka pasur bashkim të të gjitha grupeve të “Ilegalës”, dhe dihet mirë që gjyshi im ka qenë udhëheqës; ai u bë armiku numër një i Jugosllavisë. Në vitin 1985, gjyshi im ishte në burg në Prishtinë dhe Mitrovicë. Çdo dy javë kemi pasur të drejtë ta vizitojmë. Në atë kohë u bë më e lehtë të bësh vizita, sepse kishim veturën dhe mund të udhëtonim deri aty. Kur shkuam në vizitën tonë të parë, na duhej ta takonim gjyqtarin të na jepte leje. Gjyqtari tha, “Ai është shumë i ri, nuk mund të hyjë në burg”. Babai im insistoi, i tha që unë kam jetuar me gjyshin dhe që t’i evitojmë skenat. Gjyqtari na dha leje me kusht që nuk do të qëndrojmë gjatë.

Aq sa më kujtohet, mund të qëndronim deri pesëmbëdhjetë minuta, nuk jam i sigurt. Babai im u pajtua. Kur hyrëm brenda, gardiani doli dhe tha, “Ju s’mund ta vizitoni sot”. E pyetëm pse, por asnjë arsyetim nuk na u dha, nuk e kishin obligim. Më kujtohet që babai im ishte shumë i shqetësuar dhe i tha gardianit, “Ai më mirë të jetë i gjallë, nëse e dini që ai nuk është i gjallë dhe nuk po tregoni, ke punë me mua”.

Kur dolëm jashtë, babai im ishte ende i shqetësuar dhe për një moment harroi që unë isha me të.

Jam rritur nga gjyshërit e mi në mënyrën siç ata ishin mësuar t’i rrisnin fëmijët, gjë që është ndryshe nga mënyra se si prindërit e mi i kanë rritur fëmijët, apo mënyra si i rrisë unë. Raporti me ta nuk është diçka që e mbaj në mend si argëtues. Ka qenë më shumë, “Ti duhesh ta bësh këtë, ti duhesh ta bësh atë”. Ka qenë më shumë edukim se sa argëtim. Ishte për shembull, e turpshme, do të thoja shenjë dobësie nëse do i përqafoje fëmijët tu. Ekzistonte një distancë, por distanca të mësonte shumë. E fajësoj edhe vetën që nuk mund ta riprodhoj atë distancë me fëmijët e mi, dhe ndonjëherë harrojnë që unë jam babai i tyre, mendojnë që jam mik i tyre dhe nuk ma vnojnë veshin. Si fëmijë kam qenë më shumë mendimtar se sa veprimtar, nuk kisha me çka të lozja, por kisha shumë edukim.

Kur u kthyem nga burgu, i thashë babait tim, “Ai me siguri është i sëmurë dhe për këtë nuk mundi të dal jashtë”. Isha fëmi dhe ngushlloja babain tim. Ai s’mundi të fliste gjatë tërë udhtimit për në shtëpi, dhe pas disa viteve, ai më tha, “Isha shokuar kur t’i erdhe në atë përfundim, mbeta pa fjalë”. Pas dy jave arritëm ta shohim, leja e lëshuar nga gjyqtari ende vlente, dhe unë pata mundësi ta vizitoj burgun.

Me atë rast, unë shkrova një letër, përdora njërën anë të faqes dhe babai im shkroi në anën tjetër. Po supozoj që ka qenë rregull që të burgosurve nuk mund t’u ipësh më shumë se një fletë. Çfarë dua të them është se qasja ime ndaj gjyshit dhe bisedat që i kisha me të nuk kanë qenë më të ndryshme nga ato që i kishte babai im me të. Në letër kisha shkruar, “Të gjithë jemi mirë, vizitova vëllaun tënd, ai të përshëndeti”, dhe gjëra të ngjashme, “Ne jemi me ty”. Më kujtohet që babai më pati treguar që kur ka dalur ai prej burgu e kishte ruajtur letrën. I kishte thënë babait, “U ndjeva aq i bekuar që kisha këtë letër nga nipi im, sepse më dha fuqi”. Ende e kam atë letër.

Kur u kthyem nga burgu isha shumë i shqetsuar sepse gjeta gjyshin në gjendje të rëndë shëndetsore. Ai nuk ka qenë kurrë i plotë sepse ecte shumë, vraponte, por e gjetëm edhe më të dobët. Isha i zemëruar dhe thashë, “Një ditë do t’ia vë zjarrin këtij vendi”. Për ta plotësuar këtë tregim, me 24 mars, 1999, gjëja e parë që është vënë në flakë nga NATO-ja ka qenë burgu. Isha shumë i lumtur, pafundsisht i lumtur. Ishte bombarduar. Ishte një vend ku njerëzit ishin torturuar. Gjyshi im ishte torturuar, ai kurrë nuk i tregonte familjes, por ne e dinim vetëm duke ia shikur thonjtë, ose i kishte ose ishin të shkatërruar.

Gjyshi im ka punuar vetëm katërmbëdhjetë vjet gjatë gjithë jetës së tij. Ai ose ishte në burg ose ishte i larguar nga puna dhe i duhej të kërkonte punë, për ta larguar prapë nga puna. Menaxhmenti frigohej ta regjistronte si punëtor, sepse policia do t’i hetonte për shkak se e kanë marrë në punë. Puna e fundit që ai ka pasur ka qenë përfaqsues ligjor në hekurudhë, asgjë speciale, por ishte punë. E kishin vendosur aty sepse ashtu mund ta kontrollonin më mirë, aty kishte shumë spiunë, dhe UDB-ja kishte qëllim t’ua gjurmoj lidhjet. Por lidhjet e tij ishin më të forta, siç po shihet nga rezultatet sot. Me pas qenë UDB-ja vërtetë e fuqishme, Serbia do të ishte ende këtu.

Ai vdiq të mërkurën, më 15 tetor, 1986. Ai ishte 60 vjeçar. Ai ishte liruar prej burgut në qershor. Gjyshi im na tha, “Njëri që më merrte në pyetje ma tregoi një listë me emra dhe më tha të bëj me gisht kah ndonjëri nga gjashtëdhjetë njerëzit në listë. Unë u thashë, ‘Nuk e njoh asnjërin’. ‘Si nuk e njihni asnjërin? Nëna ime së paku i njeh gjashtëdhjetë njerëz.’ ‘Me siguri nëna juaj e ka pasë punën e tillë që i ka njohur gjithë ata njerëz.’ Dhe hetuesi është zemëruar pa masë.”

Ai ishte hero kombëtar, por poashtu edhe gjyshi im. Kujtimi më i vështirë është kur e arrestuan më 1985, më kujtohet i thashë atij, “Pse po të marrin tash?” Dhe gjyshi im nuk u përgjigj. Ata thanë, “Na duhet t’ua vëjmë prangat”. Ai u tha, “E jetova jetën në pranga.” Ne kishim një qen, një qen shumë të zgjuar, dhe policia i dha diçka për të ngrënë për ta qetësuar sepse ai nuk lejonte askë në oborr, ai ishte një qen besnik.

Gjyshi im kishte një kujtim nga Lufta e Dytë Botërore, disa shkopa, më tha, “Kujdesu për këto”. Kur erdhën për ta arrestuar, unë mendova që do t’i gjejnë shkopat dhe se mbajtja e tyre është ilegale, dhe i fsheha diku. Përgjatë arrestit, policia kishte ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat. I thanë babait dhe xhaxhait të kthehen kah muri. Personi mbikëqyrës ishte dikush që xhaxhai e njihte, dhe kur e morrën gjyshin tim xhaxhai u tha, “Nëse nuk kthehet, më mirë braktise Kosovën”. Tridhjetë vjet më parë ligjet e Kanunit ishin më të fuqishme, nëse ke thënë, “Do të keshë punë me mua”, ka pasë domethënie të madhe. Edhe nëse ke qenë polic nuk ke mundur t’i ikësh ndëshkimit, ka pasur shumë raste kur policët janë vrarë.

Ne mendojmë që UDB-ja i ka dhënë diçka dhe e ka helmuar, sepse ai vdiq nga një sëmundje e zemrës disa muaj pas lirimit dhe ai ishte i fortë para se të shkonte në burg. Më vonë, para gjashtë apo shtatë vitesh, e gjetëm një letër të gjyshit ku i adresohej një komiteti. Ne besojmë që ajo letër ishte një fjalim i dhënë para shtatëmbëdhjetë anëtarëve të “Ilegalës” dhe faktikisht ai ka qenë takimi më i madh i “Ilegalës” ndonjëherë. Një profesor që po shkruan mbi “Ilegalën” e ka konfirmuar, ata i dijnë datat.

Kur shkuam në varrimin e tij kishte shumë njerëz nga e gjithë ish-Jugosllavia, nga Kroacia, Maqedonia, Kosova natyrisht, por shumë anëtar të UDB-së që fotografonin.

Gjyshi im kishte një mikeshë, Hyrije Hana, ajo ishte në burg në të ‘60-tat, ajo së pari ishte me partizanët, dhe më pas u largua nga Partia Komuniste. Ajo e pëlqente atë, dhe erdhi në varrim dhe solli një kurorë me lule. Ajo ishte e vetmja që foli në varrim, dhe tha, pak a shumë, sa më kujtohet, “Ke vdekë fizikisht, por veprat e tua do të lulëzojnë si këto lule”. Të gjithë duartrokitën, dhe ishte sikur nëpër filma; përderisa ajo e përfundoi, kishte ca pika shi, vetëm pesëmbëdhjetë sekonda, ishte e quditshme, unë isha përballë saj dhe letrës që lexonte, dhe fillova të qaj.