Flora Brovina

Prishtinë | Date: 26, 27 qershor dhe 12 gusht, 2018 | Duration: 532 minuta

Motra ime ishte qaq e vogël kur kemi vizitu babën në Pejë. Burgu i Pejës ishte plotë me t’burgosun shqiptarë. Pse e di këtë? Si fëmijë, pra isha e vogël nuk shkojsha në shkollë. E di sepse para burgut mblidheshim krejt familjet që kishin me hy me i vizitu të burgosurit edhe me ndonjë torbë kështu n’dorë {bënë se mbanë torbë në dorë}.

[…] Po këto trishtime që i bartë fëmijëria do të na përcjellin tanë jetën, sepse fëmijëria len gjurmë. Për fat mua nuk më ka shëndrru në një njeri të urrejtjës, por m’pëlqen që nuk m’ka mundë harresa. I mbaj n’mend, për shkak se kurrë nuk i marr si personale, por kujtoj që i ndaj me gjithë ata njerëz që pritshin me i pa të vetët në burg. I ndaj me gjithë ata njerëz që kane qenë të, të leqitur, familje të dënuara politike të leqitura nga shoqëria dhe kur as kojshiu nuk ka ardhë më t’vizitu sepse ka pasë frikë.


Aurela Kadriu (Intervistuesja), Donjetë Berisha (Kamera)

Flora Brovina u lind në vitin 1949, në Skenderaj. Ajo është poete, pediatre dhe aktiviste e të drejtave të grave. Brovina është rritur në Prishtinë, aty ka marr edukimin fillor dhe ka studiuar mjeksinë. Pas përfundimit të specializimit në Zagreb, ajo kthehet në Kosovë dhe për një kohë ka punuar si gazetare për “Rilindjen”. Shumë shpejt pas kësaj përvoje ajo u kthye në profesionin e saj, ku punoi për shumë vite në repartin e pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës. Sot, Brovina është deputete në parlamentin e Kosovës dhe jeton në Prishtinë.

Flora Brovina

Pjesa e Parë

Aurela Kadriu: Vetëm me prezantu vetën në fillim edhe nëse mundesh me na tregu diçka për kujtimet e hershme të fëmijërisë? Domethonë, çka mbani n’mend prej fëmijërisë, familjen, vendin ku jeni lindë, ku jeni rritë?

Flora Brovina: S’pari po prezentohem. Quhem Flora Brovina, e lindur jam me 30 shtator, 1949, në Skenderaj. Kjo që jom nga Skenderaj osht’ një diçka që m’duket shumë simpatike, që jom e lindur në Skenderaj. Dhe i përshtatet ndoshta natyrës time sepse prindërit i kam që të dy gjakovarë. Ende në Skenderaj ndodhet shtëpia dy katëshe ku kam jetu vetëm tre muaj, sepse pastaj prindërit e mi, baba ishte kryetar i rrethit n’atë kohë dhe nana nënpunëse në komunë. Ata detyrimisht u shpërngulën në Prishtinë. Dhe në moshën tre vjeçare babi im do të burgoset dhe ne do të mbesim të gjitha femra, katër gjenerata.

Stërgjyshja që kishte mbetë pa djemët e vet, gjyshja që kishte djemët në burg, në burgjet e Jugosllavisë dhe përfundunë në Goli Otok. Dhe nana ime që ishte shumë e re dhe tri motrat e mia. Këtë përjetim të fëmijërisë jam munduar kalimthi me përshkru edhe në romanin tim, “Stinë Jargovanësh”, sepse në prezentim duhet ta paraqes vetën se s’pari e ndjej vetën krijuese, poete. Edhe romani osht’ një roman poetik, sado i trishtë për ngjarjet e fëmijënisë time edhe të rritës time, të jetës. Por edhe të tjerëve, sepse çdo përjetim i kësaj gjenerate duhet t’përcillet te gjenerata tjetër.

Dhe me profesion jam mjeke, pediatre. Studimet i kam kry, i kam fillu në Beograd, kam qenë dy vjet, ndërsa i kam përfundu në Prishtinë. Njihere kam punu si gazetare në gazetën “Rilindja”. Do t’iu jap si dokumentacion një fotografi në kohën kur jemi pranu gazetarë dhjetë veta. Në mesin e tyre edhe Jusuf Gërvalla, Mehmet Kajtazi, e disa gazetarë t’njohur tani më për opinionin tonë. Jom krenare se i takoj kësaj gjenerate. Sado që unë morra përsipër atë që unë po përgaditesha, se isha studente e mjeksisë, pra përciellja shëndetësinë edhe çështjet sociale.

Një tjetër diçka që kam qejf ta spjegoj kur flas për fëmijërinë ose rininë time të hershme… kam arritur të punoj dhe të studioj krahas, pra t’punoj gazetare dhe të studioj mjekësinë, sado që osht’ një fakultet i vështirë. Falë edhe një motori që n’atë kohë osht’ fenomen, sepse asnjë vajzë s’e kam pa që i grahte motorit. Por mua m’u nevojitke për shkaqe shumë praktike, se harxhonte pak, nuk kisha mundësi me ble veturë. Dhe, dhe nuk e kisha kompleks pse jam femër dhe po i  grah motorit. Mësimet mbaheshin deri në orët e vona edhe ishte praktik që ta kem përcjellës, shoqërues motorin.

Krejt këtë e spjegova për arsye se desha t’them se lirinë e kam fitu në familje, lirinë personale dhe përmes profesionit. Profesioni i gazetarit osht’ një profesion studius që t’futë në interesime për tema të ndryshme t’jetës edhe në terrene gjthashtu, të shtin ta duash vendin në të cilin punon edhe jeton, pra në këtë rast Kosovën. Mendoj se çdo pllamë t’saj e njofta përmes të gazetarisë.

Ndërkaq studimet e mjekësisë i fillova për shkak të letërsisë, sepse kam qenë një tip i mbyllun për shkak të fëmijërisë time shumë t’vështirë, emocionalisht të vështirë se jo… edhe materialisht, po kjo e dyta osht’, çështjet emocionale jonë ma t’randësishme. Dhe që nuk isha shumë komunikative, nuk kisha shumë shoqe, dhe isha e lidhun shumë për shtëpinë. Edhe sot jam e lidhun për shtëpinë. Dhe kisha nevojë që të kem diçka të afërm dhe ky u bë libri. Libri sot e atë ditë m’përcjellë si shoku dhe shoqja më e ngushtë.

Edhe ta përmend një shembull që ma tha një ditë nipi im, njëmbëdhjetë vjeçar, tha, “Gjyshe, të gjitha fjalët që duken që nuk janë t’mira në raste të caktume jonë edhe pozitive. Për shembull, t’i thush dikujt, ‘Manjak’ është keq. Po t’thushë, ‘Gjyshja ime është manjak pas librit’. Është pozitive” (buzëqeshë). Dhe unë e morra komplimentin me një vërejtje dhe pikëpyetje, domethonë fëmiu e ka kuptu që ia kom tepru pak në të lexuar.

Tjetër, jemi gjashtë motra dhe vëllau. Pra, jom rritë në një familje t’madhe më një frymë shumë t’mirë të dashurisë familjare, sidomos me përkushtimin e nanës. Edhe me një baba që e ka kuptu mirëfilli jetën, domethonë e barazisë gjinore dhe nga prindët, nga prindët, sidomos edhe nga gjyshja kam kuptu barazinë gjinore. Prandej, jom mundu gjithmonë me nda drejtësi dhe barazi. Sot një gazetar i akredituar nga Kombet e Bashkuara më pyeti, “Ku e ke mësu këtë lirinë e gruas dhe të drejtat e grave ose edhe çështjet humane?” Dhe unë i thashë, “Në modelin e familjes që osht’ gjyshja ime”.

Gjyshen ideale, idol në jetë, dhe ajo gjithnji më frymëzon edhe pse kaherë ka vdekë. Ajo ka qenë e lindur në vitin 1900, dhe ta ndëgjosh prej një gruaje që osht’ e lindur… sa? Dy shkuj, po del se dy shekuj, jemi në shekullin XXI. E të ndëgjojsh vizionin e jetës dhe, dhe të flet ajo për pozitën e gruas kështu. Domethanë, e dhënë njiherë për shkollimin e fëmijëve të vet, mandej ka mbetë e vejë, nanë vetëushqyese. Mandej ka qenë anti-fashishte dhe për shkak të çështjes të atëdheut ka mësu vetë shkrim-lexim.

Në kohën e Luftës të Dytë Botërore osht’ zanë rob dhe ka qenë në burgjet ma t’randa të Kosovës. Në burgun e Gjakovës, në burgun e Prizrenit, në Prishtinë në kamp. Ka qenë kampi i Prishtinës, shumë, burgu ma i randë. Dhe pastaj bashkë me babën tim, i cili gjithashtu ka qenë rob lufte, ka përfundu në kampin Rodan afër Vienës, në Austri. Pra, në kampet gjermane. Dhe përvoja e saj jetësore, ajo fuqia e saj që ta hekë ferexhen me shoqet e veta, t’bon hapa gjigand, për mu, që sot ne t’shkolluara, mbesat e saj nuk po mund të bëjmë diçka më shumë për gratë. Më jep forcën që në jetë t’jem e udhëhequr nga fjalët e saj, nga puna e saj dhe ta kem idol, që kujtoj duhet ta njohin edhe të tjerët. Ja kam shumë borxh gjyshës. Kjo është vetëm një copë n’libër, një hyrjë në libër. Dhe librin tjetër që quhet, “Rruga” ose “Udhëkryqi”, ta shofim, ia kushtoj gjyshës. T’u mendu që ia kushtoj grusë shqiptare, asaj dhe shoqeve të gjyshës.

Ajo më ka mësu si t’ecë. Thotë, “Të ecesh kryelartë, për mikun dhe armikun”. Kjo osht’ fjalë e madhe sepse ne mund të i njofim miqtë dhe të ndjehen krenarë që ne ecim ballë hapur në jetën tonë, por pse për armikun? Për armikun sepse kur t’sheh që nuk je i përulur pas t’gjithë atyre dhunimeve që t’i bon, atëhere sikur ai dobësohet. Njifarë forme e mund armikun dhe kjo m’ka ndihmu shumë. Më ka ndihmu edhe qasja e gjyshës me fenomenin e luftës. Lufta i hanë fëmijët e vet, ai që nisë luftën i humbë fëmijët e vet, kështu ka ndodhë në çdo luftë. Edhe gjermanët i kanë humbë fëmijët e vet, kanë bo krime, por i kanë humbë fëmijët e vet. Por gjyshja nuk fliste kundër, kundër gjermanëve, ajo fliste kundër luftës, kundër konfliktit, sespe i theksonte edhe gjërat pozitive që ka taku.

Për shembull, një gru gjermane që e ka taku në Vienë… edhe në mes telave gjëmborë osht’ njoftë me një gru e cila çdo ditë ka ardhë i ka pa të burgosunit në kohë të ftoftë me ato këpucët me dru, dhe me fustanin fare, fare t’hollë dhe i ka ardhë keq. A dy djemët i ka pasë ushtarë gjerman, domethonë lufta, nuk e di në cilën luftë. Dhe një ditë ajo vjen edhe ia sjellë gjyshës time një pallto që të ngrohet. Një ditë tjetër nga pranvera vjen edhe qanë edhe i thotë, “Eja të…” i dëfton diçka. Dhe i tregon se dy djemët e saj, ia tregon fotografinë, thotë, “Janë vra n’luftë”. Dhe këto të dyjat qajnë. Kjo qanë për djemët që janë vra gjerman, gjyshja jeme qanë për fëmijët e vet që s’ka marrë vesh se… përveç babës tem që e kishte aty, qanë për fëmijët e tjerë.

Dhe ky fenomen mu m’ka ndihmu kur isha në burg, sepse gjithnjë e disha se në krahun e armikut duhet t’kenë dikush që mendon ndryshe. Dikujt që i janë vra fëmijët e vet, pa faj. Madje m’kujtohet një djalë, kur na çojshin në, në kerrin e policisë, mu m’çojshin në gjykatë, atë e çojshin gjithashtu në gjykatë. Dhe ishte një djalë shumë, me një fytyrë {preke fytyrën e sa} skofiare, një djalë i butë. Sigurisht ndonjë fëmi intelektuali që s’ka mund të ikë prej Serbisë dhe ka mbetë peng i rekrutimit të ushtarëve. Dhe po mendoja për pindërit e tij, n’vend se të mendojsha për fatin tim, unë po mendoja për fatin e tij, sepse ai ishte shumë i mërzitur, shumë, shumë i mërzitur. Po du me thanë, lufta i atakon të gjithë.

Në situatën, pra unë u edukova nga këta prindër, m’duket e spjegova fenomenin kur baba dhe axha im ishin në burgje. Jetonim t’gjithë këto gjenerata grashë pa shtëpi. Me një shtëpi me qera dhe gjyshja ime hyni në punë që t’na mbante. Mirëpo, u mësuam t’jemi shumë stoike, qysh e vogël, të jemi stoike. Dhe mos të tregojmë, mos të jetë problemi i parë hallet tona, po të jetë qëndresa jonë. Kjo të bën shumë të fortë.

Koha që do të pasojë do t’jetë një kohë shumë e vështirë. Edhe mbasi baba doli prej burgut mbas një amnestie t’madhe, edhe axha, dolën, ishin pa punë, por kryesisht baba n’vend se të liro… të tërhiqet, të dëshpërohet, ai filloi studimet dhe kreu studimet. Kur unë fillova studimet, ai kishte, ai i kreu. E kam letrën ku ai m’shkruan, “Sot diplomova”. Dhe e kom shumë kujtim t’bukur.

Në këtë kohë unë do të merrem me shkrime. Si vajzë në shkollën fillore në “Elena Gjika”, atëhere “Vuk Karadžic” quhej, mësuese e kam pasë një Lirie Tanefin nga Elbasani, kuadro i dërguar nga Shqipëria dhe kjo ish përparësi e imja. Dhe ajo do të më frymëzoj, përveç nanës, ajo do të jetë frymëzimi im për shkrimet, kur fillova të i botoj edhe në revistat e para. Mandej edhe ta udhëheqë grupin letrar. Edhe në gjimnaz gjithashtu.

Të gjitha motrat ishim nxënëse të shkëlqyeshme edhe vëllau gjithashtu. Neve të gjithave na shkonte matematika. Edhe unë mendoja do ta studiojë matematikën ose diçka nga teknika. Teknika sepse baba im kur doli nga burgu, kishte ushtru në burg elektro-teknikën, domethonë ishte bo mjeshtër i elektros dhe unë e asistoja. Por nuk ndodhi kështu, mora një profesion që i pëlqente nanës time dhe kisha shumë frikë prej profesionit, mjekësisë. Fillimisht në Beograd regjistrova stomatologjinë në konkurs, domethonë hyna në provim edhe e dhashë provimin për stomatologji, konkurencë shumë e madhe. Ndërkaq provimin për mjekësi hyna si rezervë, në qoftë se dikush nuk vjen, atëherë… por sa mbrrina unë në Kosovë më erdhi telegram se jam pranu.

Nuk e besoja se, mendoja se mjekët duhet t’jenë të gjithanshëm, i gjithëdishëm dhe si t’ia qëlloj unë sëmundjes edhe çka ndodh në qoftë se nuk ia qëlloj. Kisha një fantazi qaq t’randë në kokën time saqë dyshoja ose t’jem e mirë ose hiç. Dhe kjo m’bëntë…. Mandej edhe gjatë studimeve vonohesha në provime sepse doja të i mësoja të gjitha dhe ishte shumë e vështirë dhe t’lexoj shumë. Kjo osht’ jeta deri te periudha ku do ta njoh edhe burrin tim edhe do të fillojë familje…

Aurela Kadriu: Para se me dalë aty i kom edhe disa pytje…

Flora Brovina: Po, urdhëroni…

Aurela Kadriu: Po m’intereson, e përmendët që gjyshja ka qenë anti-fashiste, a ka qenë pjesë e ndonjë organizimi apo ka qenë…

Flora Brovina: Ka qenë, është fenomeni i Grave të Gjakovës, ku kanë qenë shumë shoqe dhe i kanë bo demostratat e grave në Gjakovë kundër burgosjeve që kanë ndodhë në qytet. Pastaj kanë marrë pjesë masovikisht në varrimin e dëshmorëve të parë, kanë hudhë kunora dhe kanë qenë aktive në mbajtjen e postës, në mobilizim, dhe gjyshja osht’ zanë në këtë aksion.

Aurela Kadriu: E për shkak të këtyre aksioneve janë nxanë rob a?

Flora Brovina: Po, gjyshja osht’ zanë rob. E baba osht’ zanë tjetër kund, osht’ zanë në Maqedoni.

Aurela Kadriu: Edhe e përmendët që prindërit kanë qenë gjakovarë, pse kanë nejtë në Skenderaj?

Flora Brovina: Ka qenë kryetar i rrethit, baba ka qenë kryetar i rrethit. Domethanë Skenderaj, Drenas, Mitrovicë, nuk e di edhe sa rrethe ka pasë. Ndërsa osht’ burgosë si nacionalist. Domethanë ka qenë në grup, kanë mendu se osht’ organizator i një kryengritje, sepse kanë fillu, ka qenë pushteti ushtarak në Kosovë në ato vite, ‘49, ‘50. Domethanë, ma herët, menihere mas Luftës ka ardhë pushteti ushtarak dhe kanë ba shumë trysni në popullatën tonë. Dhe babi im natyrisht nuk osht’ pajtu edhe kjo ka qenë një motiv, tash akuzën për çka e ka, por kjo ka qenë motivi.

Aurela Kadriu: E sa vjet kanë qëndru n’burg?

Flora Brovina: Baba ka qëndu pesë-gjashtë vjet, ka qenë i dënuar dhjetë vjet. Axha ka qëndru ma gjatë, ai ka qenë ushtarak i lartë.

Aurela Kadriu: Domethanë ma s’pari u shku…

Flora Brovina: Axha…

Aurela Kadriu: Po, axha edhe baba a kanë shku direkt në Goli Otok apo kanë…

Flora Brovina: Baba ka qenë në fillim, fillimisht në burgun e Prishtinës. E kom vizitu, e shkruj këtu momentin kur e kom vizitu. Dhe në burgun e Pejës, që ka qenë shumë burg i keq, dhe prej aty në Nish. Dhe unë e kam vizitu gjithashtu babën në burgun e Nishit, kom qenë e vogël por e kom mbajtë, fotografinë e burgut e kom mbajtë në mend. Saqë kur na kanë çu neve në burgun e Nishit, domethanë kolonën e të burgosurve kur e kanë shpërngulë në Serbi, jemi ndalë në çdo burg. Në burgun e Nishit unë e kom njoftë ndërtesën. Ka qenë një, një trishtim në njëfarë mënyre, sepse më është kujtu edhe më janë kujtu disa detale aty afër te hyrja, te burgu.

Aurela Kadriu: Qysh i mbani n’mend përjetimet në burg?

Flora Brovina: I mbaj n’mend… thashë edhe i kam përshkruar. I mbaj në mend sepse i përmend edhe në libër, është takimi kur, hera e parë kur jemi taku ka qenë dimër. Ai është burgosur me 30 shtator, ‘43, pra në ditëlindjen time është burgosë. Edhe unë po e prisja dhe… e kom përshkru edhe momentin kur osht’ burgosur, sepse e mbaj n’mend fort mirë. Dhe një ditë unë me një kusheri timin, fëmijë edhe ai, e kishim afër shtëpisë burgun dhe po kalonim ka burgu. Unë nuk e dija se ishte burg aty. Një njeri doli nga ndërtesa dhe m’tha, “Mos po don me e pa babën?” Kumeditë kush ka qenë. Kom qenë e vogël, pesë-gjashtë vjeç edhe natyrisht që do të shkoja. Edhe ai m’futi dhe e pashë babën, por ky ishte gabim që unë kalova aty. Burgu ka qenë ku osht’ sot Gjykata, a ka qenë Gjykata afër muzeut? Në anën tjetër të muzeut.

Aurela Kadriu: Ah, po, po, Gjykata e Qarkut.

Flora Brovina: E Qarkut, po. Çka osht’ ajo ndërtesë? Ma vonë ka qenë “Rilindja”, kom punu në atë ndërtesë edhe më është dukë krejt se e njof. Edhe babën e kam pa edhe në vizitë kur kam shku me nanën edhe bisedën e di, bisedat e para. Motra ime ishte qaq e vogël kur kemi vizitu babën në Pejë. Burgu i Pejës ishte plotë me t’burgosun shqiptarë. Pse e di këtë? Si fëmijë, pra isha e vogël nuk shkojsha në shkollë. E di sepse para burgut mblidheshim krejt familjet që kishin me hy me i vizitu të burgosurit edhe me ndonjë torbë kështu n’dorë {bënë se mban torbë në dorë}.

Kryesisht blejshin gjana që për mu ishin shumë të çuditshme dhe s’kisha kond ta pys. Blejshin qepë, përveç tjerash blejshim qepë. Jo se kishim shumë para që t’i çojmë babës diçka të mirë, po… ndoshta gurabia, e çka lejoheshin, por qepët kurrë s’i kom kuptu pse i çonim. Ma vonë, tani e di kualitetin e ushqimit të qepës, prandaj ma vonë i kom kuptu këto sende kur jom bo mjeke. Por, atëhere si fëmijë mendojsha, “Pse qepë?” Për shembull, jo molla, po qepë… nuk e kuptojsha.

Dhe ajo që m’kujtohet gjithnjë ka me qenë një vijë ndarëse, dy vija ndarëse, disa metra. E kam një poezi kushtu vajzës së Jusuf Gërvallës, Donikës, ku munohëm t’ia spjegoj se si është të mos e kesh babën edhe ta kesh tri metra larg dhe të mos guxojsh as ta përqafojsh, as ai ty. Dhe ne rrinim larg tri metra, vetëm shifeshim dhe kurgjo tjetër.

E motra ime e vogël, Fëllanza, ajo hiç, hiç nuk e kuptonte. Se kur baba hyni n’burg ajo nuk fliste, ishte e vogël, nuk kishte fillu të flet. Tani ajo i shtynte policët sepse donte të përqafonte babën dhe ata nuk e lejonin. E kjo do të më kujothet shumë, gjithnjë do të më kutjohet ky moment. Edhe disa të burgosur tjerë, që më vonë i kam njoftë e që i kishin kambët e lidhura me zinxhir dhe disa topa të hekurit. I kishin dënu për jetë. Eh aty i kam pa.

Por, këto trishtime që i bartë fëmijëria do të na përcjellin tanë jetën, sepse fëmijëria lenë gjurmë. Për fat mua nuk më ka shnëdrru në një njeri të urrejtjës, por m’pëlqen që nuk m’ka mundë harresa. I mbaj n’mend, për shkak se kurrë nuk i marr si personale, por kujtoj që i ndaj me gjithë ata njerëz që pritshin me i pa të vetët në burg. I ndaj me gjithë ata njerëz që kane qenë të, të leqitur, familje të dënuara politike të leqitura nga shoqëria dhe kur as kojshiu nuk ka ardhë me t’vizitu sepse ka pasë frikë. Kur kushëritë ose të afërmit kanë marrë leje në qoftë se nuk kanë ardhë e ke pasë një rast t’veçantë.

Motra ime e treta, Flutura, ajo për shembull kishte frikë nga mashkujt, sepse në familjen tonë kurrë s’hynte asnjë burrë. Thashë, katër gjenerata femra dhe kurrë asnjë burrë. Dhe kur vinte kontrolluesi i orës së rrymës ai nuk hynte në shtëpi por thoshte, “Lexoji numrat”. Na i lexonim numrat edhe ia tregojshim, ai besonte dhe qajo ishte. Edhe Flutura kishte frikë. Kështu që, këto fenomene më kanë bartë, por jam e lumtur që nuk më kanë shnëdrru në person që i urren të tjerët.

Aurela Kadriu: E përmendët që e mbani n’mend momentin e burgosjës së babës, por nuk e elaboruat më tutje.

Flora Brovina: Po e mbaj n’mend. E mbaj n’mend se ishte, për mu ishte dita e lindjes, ditëlindja dhe menxi po pritja që t’vie baba. Ata trokitën dyert, thashë jetonim në shtëpi me qera dhe ata policët me do këpuca të randa, si çizme, si këpucë ushtarake erdhën me zhurmë dhe e vetmja gjë që pashë se gjyshja u trishtu diçka. Ndoshta baba im ka pasë paragjykim që do të burgoset, por unë si fëmijë nuk e kam ditur.

Dhe kur erdhën ata, filluan ta bastisin shtëpinë dhe gjyshja i pyste, “Ku? Pse s’është… ku mbet djali? Ku është?” Ata nuk e kërkonin babën, por e bastisnin shtëpinë. Dhe unë si e vogël deshta t’bëjë diçka dhe kam përshkru edhe në libër… shkova te teshat, në dhomën e fjetjës teshat e palume në dollap dhe e dija ku baba im e mbanë një revole (buzeqeshë). Kjo është pak qesharake për mu tani, por qe si fëmijë.

Dhe e marrë revolën edhe veç e mbaj {mbanë një fletore gjoja revolja}, kujtoj se ajo vet duhet me trokitë dhe t’i vret ata që na trishtuan, sepse të gjithë u trishtuan. Sidomos gjyshja ishte shumë e fortë, ajo nuk qante kurrë, por ajo sikur u bë një gru që u bërtiste policëve, policët shtyheshin me të. Nana jeme u bë si dru. Ajo plaka që ishte ma plakë shumë se gjyshja, ajo mbeti si e hutume në minder edhe ma kurrë gati s’është kthjellë, sepse i hupi mendja. Si pleqët kur bohën senil. Mendonte se duhet t’iki dikund, t’shkon dikund, s’dinte çka po don. Nana e gjyshës.

Edhe unë kur nxorra këtë revolën ata diçka m’bërtitën edhe m’hudhën kështu {bënë sikur po e shtynë dikë}… kur rashë, rashë te, për muri, dhe koka m’dhimti. M’kujtohet një shtrat ishte ngjysë uthulle, më një si mëndafsh shtrati i mbuluar. Dhe unë rashë te shtrati, u rumbullakova me shtratin. Dhe atëherë nana u afru te unë, nana më lëmonte. Edhe une nuk qajta, për inat nuk qajta (qeshë) se lotët i kisha, dojsha të qaj, por nuk doja, m’vinte inat. Si fëmijë doja të qaj… e këtë të qamën e kom pak problem, me ma thanë një fjalë t’randë menjëherë qaj. A me m’ndodhë shumë gjana t’vështira kurrë nuk qaj. Edhe prej atij momenti, sikur u shnëdrrova në një person rezistues. Gjithiçka bojsha për inat.

Nejse, do t’i kujtoj momentet ma interesante kur e kam ble… librin, prapë e kam n’libër, këtë libër {tregon me dorë nga libri}… kur e kam ble çantën edhe abetaren. Nana ime mësoi prej gjyshes të qepë, nuk qepte shumë, mirëpo neve vajzave na qepte fustana, si t’iu qepë kukllave. Dhe prej fustaneve të vjetra i bënte fustana t’reja, se nuk e kishim ne gjendjen [ekonomike] që t’shesim mend. Dhe une n’shkollë dukesha më elegantja sepse mu m’qepte nana, a po? E ajo ma qepi, ma qepi një fustan t’bukur dhe dolëm që të blejmë çantën. Më bleu çantën ma t’shtrejtë, s’e di ku kishte, domëthonë kishte fitu paret, ka qepë ndoshta diçka ose i ka dhanë gjyshja. Edhe çantën shumë të bukur të lëkurës, ngjyrë kafe. Dhe i tha shitësit, “Abetarën?” Tashi ma mbështjelli abetarën më thotë, “Ruma abetarën”.

Neve na kishin hy para disa ditësh, para se t’shkoj n’shkollë na kishin hy vjedhësit… jo vjedhësit, po na pikonte tavani dhe na kishte, na kishte… gjyshja i kishte thirrë mjeshtrit. Ata mjeshtrit e kishin ndreqë kishe tavanin, babi im kishte shumë libra. Dhe kur nana hynë n’dhomë, sheh që s’ka librat. Ishte libri i [Gjergj] Fishtës për shembull, shumë i randësishëm edhe disa libra tjerë i kishin marrë. Gjyshja e konstaton që ishin vjedhë librat. Dhe tash thotë, “A din çka? Këtu i kanë vu përgjuesit. Prandej kini kujdes çka po flitni”. E tashti u bëmë njëfarë shpie kështu sikur t’kemi frikë edhe me folë mes veti, jo, po t’flasim… ky fenomen shumë më rëndonte. E fenomeni tjetër që m’rëndonte, nana kur mërzitej me lanë vetëm edhe prandaj une u bana ma shumë e lidhur për nanën edhe për shtëpinë. Ndërkaq që motrat ishin t’vogla. E kjo është.

N’shkollë isha nxanëse shumë e mirë. Ishte një dalje shumë e randësishme për mu. Fillimi i shkollës, por shkolla jonë ka pasë një… mosha kur kom shku n’shkollë ka pasë një fenomen tjetër. Çdo ditë sikur klasa zvogëlohej me shpërnguljet për Turqi, sepse ishte shpërngulja e madhe kur filloi për Turqi. Edhe shoqja ime e bankës, t’cilën e kam taku para nja dy-tri vjetësh për herë t’parë, sepse e kam kërku, ajo quheshte Alie, banonte tash ku është përmendorja e Skendërbeut, ka qenë lum dhe ajo buzë lumit e kishte shtëpinë. Ishte shumë nxënëse e mirë. Një ditë ajo shkoi. Mandej shkoi një shok tjetër. Edhe kështu klasa po zvogëloheshte. Kjo ishte një, një dhimbesë. Në anën tjetër si familje e leqitur ose e distancuar prej tjerëve, edhe pse isha nxanësja më e mirë në shkollë nuk kisha privilegj të të mirit. Sepse shpeshë here privohesha dhe e shifsha që mësuesës time po i vjen keq pse mu më distanconin, kur ajo vet më zgjidhte për shembull dikund në programe.

E mbaj n’mend njëhere, mirëpo s’di ta them emrin, t’kujt. Ishte, më kishin zgjedhë si fëmijë simpatik, me flokët kaqurela, t’bardha, edhe m’kishin veshë… mësuesja ka qenë shkodrane. Gjithashtu pra kuadri i… atëhere kur i kanë pru kuadrot nga Shqipëria. Ajo më zgjodhi për me nda, dy fëmijë, të veshur me tesha kombëtare që do t’ia dhurojnë udhëheqësve të Kosovës tufën me lule. Edhe njeni nga udhëheqësit, thashë nuk e përmend emrin kush, mund ta përmend naj here tjetër por tash jo. Ndoshta kur t’i shkruj vet kujtimet. Ai më kapi, më çoi te naltë edhe më pyti, “Si quhesh?” Unë ia thashë së pari mbiemrin tim, pastaj emrin, me qëllim sepse isha… unë isha rritë n’qet moshë. Isha n’klasë t’dytë.

Isha rritë sepse, e disha se kur t’ia them mbiemrin ai e din kush jam (qeshë). Me emër s’mund ta di. Dhe ai kur e dëgjoi mbiemrin tim më lëshoi prej naltë, poshtë dhe u bë se s’kishte lidhje me mu. Dhe unë e pësova një ramje prej së nalti dhe kjo për mu ishte trishtuese dhe dobësi e atij udhëheqësi shumë e madhe. Kom qenë në përcjellje të atij kur ka vdekë, por me kujtimin e ramjës si fëmijë shtatë-tetë vjeç. Domethanë, u frigu prej mbiemrit tim, të një fëmije që i kishte prindërit n’burg. Këtë e kom përjetu.

Tani çka t’them për fëmijërinë… kur doli axha jem prej burgut unë nuk e njifsha, sepse nuk e kisha pa kurrë. E kisha idol. Idol sepse ishte njeri shumë i ngritur, dinte shumë gjuhë, ishte shumë i dashur. Dhe t’gjithë të burgosurit në Goli Otok kur e kanë kujtu, qoftë mu m’kanë thanë drejtë për drejtë, e kanë pasë mësues, ua ka mësu të burgosurve alfabetin. Ka qenë njeri i qetë, njeri shumë më një diapazon…

Edhe m’kujtohet një libër, kur n’faqen e parë e kom vu fotografinë e Onufrit, ka qenë vetëm Anton Çetta dhe axha im që e kanë komentu njësoj. Unë qëllimisht e kom vu dhe ata si e kanë pa e kanë ditë që osht’ fotografia, ikona e piktorit Onufri. Dhe karakteristikë e tij është e ‘kuqja albaneze’ i thojnë ose e kuqja shqiptare. Dhe karakteristika e dytë osht’ Onufri kryeneq. Të dytë e kanë pasë një nivel t’shkollimit shumë t’lartë dhe për këtë jam krenare. Edhe babën tim edhe axhën i kam pasë shumë shokë. Prandaj edhe krejt përjetimet, shumë përjetimet e tyre në burg i di.

Aurela Kadriu: A mundesh me na tregu diçka për to?

Flora Brovina: Besoj që do t’i përcjellë, do t’i pëcjellë. Po, do ta përshkruj një, një përjetim kur gjyshja ime na la neve dhe tha… kishte shumë kohë që neve nuk kishim dëgju për asnjenin, sepse kur fillonin kohnat e këqija ata ishin të izoluar në atë, në atë domethanë oazë të gurtë. Dhe gjyshja tha, “Dua t’shkoj t’i shoh a jonë gjallë dhe si janë djemët e mi”.  Po t’shkojshe, atëhere po t’shkojshe në Pejë, jo prej Gjakovës me ardhë në Prishtinë, duhet të fleje në Pejë, se rrugët ishin shumë t’gjata. Sado që sot absurde, s’mundesh me marrë me mend. Edhe gjyshja u nisë për në Goli Otok.

Ajo serbishten nuk e njifte qaq, elementare e njifte por jo… dhe vetëm të udhëton atje… rrallë kanë shku njerëzit m’i vizitu, jo veç për shkak t’asaj por edhe për shkaqe politike. Kur tregonte axha ma vonë, kur nga maja e shkambit atje, gurëthyes a çka kanë qenë, e kanë pa një pikë t’zezë që po afrohet edhe duke u afru po ndryshon kontura, po vjen duke e marrë formën e gruas. Se gjyshja ishte me tesha të zeza. Dhe ai e sheh dhe thotë, “Kjo mundet me qenë vetëm nana ime, sepse ajo nuk na ka lanë kurrë”. Eh kjo.

Momenti i dytë ka qenë kur u bo amnestia, një amnesti e madhe, atëhere i pari që priste të lirohet nga amnestia ishte axha. Edhe pse ishte ma i madh se baba, ai nuk ishte martu. Nuk ishte martu për arsye se sikur kurdiseshin martesa multinaconale (buzëqeshë) ose dy, vllazënim bashkimit. Edhe ai nuk deshti të vendosë në baza politike martesë, por ta merr atë që e don. Dhe kishte mbetë pa martu, ishte burgosur. Ishte një burrë shumë i pashëm, kom dëgju ma vonë prej grave të gjeneratës qysh e kanë pëlqy shumë.

Nejse ai priste amnestinë që ai do të lirohet se ishin bo tetë vjet. Babi im nuk priste. Dhe kishin bisedu, baba po i jepte porosi vëllaut se t’kujdeset për neve vajzave, domethonë diçka çka e porositë për familjen. Ne ishim katra me nanën, tri motra. Edhe axha po i premtonte, kur dëgjon emrin e vet, se ai do të amnestohet. Ne nuk e dinim këtë fakt.

Unë isha rritë në shtëpi ku kurrë s’kishim dëgju muzikë apo veç ku i këndonte nana ninullat e motrës që ishte në djep. Kështu që edhe sot s’di të këndoj, as nuk di, nuk di, vallëzoj shumë dobët, unë si diçka… e motrat e mia ndryshe. Sa i përket kangës, hera e parë që kom këndu kështu sollo (qeshë) osht’ kur prej burgut të Pozharevcit m’kanë çu në burg të Nishit për me e marrë dënimin. Dhe prej, domethënë për ta mund atë të keqen brenda meje i kom dhanë vetës kurajo me kangën. Më janë kujtu krejt kangët që i këndonte babi im me ne në familje. Domethënë, këngë revolucionare dhe shumë t’bukra.

Aurela Kadriu: Çfarë kangë i këndojshit rrugës për Pozharevc, apo prej Pozharevcit?

Flora Brovina: Po që këto kangët revolucionare…

Aurela Kadriu A i mban n’mend?

Flora Brovina: Po, po i mbaj n’mend, si jo. I mbaj n’mend, mund t’i shkruj ndonjihere edhe tekstet. Po nuk e kom ditë që i di tekstet, prandaj edhe kom vazhdu… saqë i zbuta edhe gardianët, mandej e ndalën dikur veturën edhe m’thanë, “Mos po don ujë? Ose po don diçka? Mos po t’trubullohet?” Dhe kjo ishte e çuditshme sepse nuk e kishin mendu ndonjëherë që mundem me këndu në atë pozitë. Unë isha shumë e sëmurë në burg, do ta tregoj ma vonë.

Aurela Kadriu: A na tregon ndonjë tekst?   

Flora Brovina: Urdhëro?

Aurela Kadriu: A na tregon ndonjë tekst të kangëve?

Flora Brovina: Po nashta m’kujtohet, pak masi t’pushoj. Edhe…

Aurela Kadriu: Pse…

Flora Brovina: Urdhëro?

Aurela Kadriu: Vazhdo, vazhdo.

Flora Brovina: Edhe isha tu e tregu që, për shembull një prej fenomeneve osht’ ky, momenti kur erdhën. I pari erdhi baba. Baba kur erdhi, të drejtën me t’thanë nuk erdhi sikur ka shku, ishte ma i dobët, sikur ma i zbehtë edhe mendojsha se ata e kanë lëshu se osht’ i sëmurë. Dhe si fëmijë, si fëmijë që çdo fenomen don me ia spjegu vetëvetës, unë mendoja se baba s’e ka gjendjen e mirë shëndetësore. Të gjithë u habitëm kur erdh. M’kujtohet nana e veshi, e kishte veshë… mëngjesi ishte, i ndëgjuam do hapa, hapa si ushtarak, këpucat, ato t’randa. Edhe baba e kishte një valixhe t’drunit. Edhe për mu ishte shumë interesant, valixhja e drunit. E nana kur doli, doli me fustan mbrapshtë. Domethënë, sepse u ngut me hapë derën kush erdhi.

Mirëpo, axha vonoi. Axha vonoi edhe erdhi pak më vonë. Edhe unë veç fillova me shku n’shkollë. Kur n’shkollë erdhi dikush dhe m’tha se ka ardhë axha edhe unë vrapova, vrapova. Në shtëpinë tonë më ngjante… kishin ardhë shumë njerëz prej krejt Kosovës, se këta ishin persona t’njoftun në Kosovë, baba me axhën. Edhe burgosjen e tyne njerëzit sikur e ndjenin në shpirt. M’duket sikur kur ka ardhë Adem Demaçi, sepse përveç dhomës t’pritjës edhe salloni ishte plot me njerëz. Edhe në oborr kishte shumë njerëz. Edhe unë vrapova, vrapova pa frymë edhe pse shkollën ne e kishim shumë afër. E dini ju ku është shkolla “Meto Bajraktari”?

Aurela Kadriu: Po.

Flora Brovina: E ajo lagjja sikur “Pejton” që osht’ aty e kam shtëpinë e babës. Edhe tani kur hyna gjithë ata njerëz, edhe une nuk e njof axhën. Shkova me turr ta shoh dhe ta përqafoj por mbeta. Atëhere baba m’thotë, “Po pse s’e përqafojsh axhën?” Thashë, “Po cili është?” Kur kam thanë unë cili osht’ burrat ia kanë fillu me qajtë. E dolën, “O dreq, çka na bane, çka na bane…” Se domethanë qaq ishte një dukuri e çuditshme. Ndoshta këta ishin edhe të burgosurit e parë politik ose ishin ashtu që kishin dhanë shumë për, për luftën. Kishin shitë shtëpinë e vet për me ble armë, për… kishin ndihmu domethënë, kishin qenë t’shkapërderdhun e çka me thanë.

Janë shumë çështje për të cilat edhe mundem t’flas. Për shembull, axha ishte revoltu me, me ish-shokët e vet t’luftës për shkak të kryengritjes ose mas torturimit të popullatës të Gjilanit edhe ajo do t’jetë një peshë që ata e kanë dënu. Sepse ishte shnëdrru në një person që nuk i pëlqejshin sendet që po ndodhnin në Kosovë. Përndryshe, këta jonë edhe pjesëmarrës në Mbledhjen e Bujanit. Pra ajo kauza e tyre që çështjen e Kosovës të vendosët me vetëvendosje nuk ishte realizu. Ishte motiv shumë i madh mos me qenë t’knaqun.

Kjo frymë e atëdhedashurisë, ta duam Kosovën, por synimi osht’ ma i madh se sa Kosova, sepse ndarja po shkaktohet dhunshëm, pa na pytë. Kjo do të jetë motivi që ne do të, krejt motrat do të ushqehemi me atëdhedashuri. Dhe une e mbaj n’mend kohën e Rankovićit kur na ishim të përcjellur, se ishim familje e etiketume. Për 28 nëntor e vënim flamurin shqiptar në mur dhe solemnisht të gjithë rend e përshëndetshim, e puthnim flamurin, dhe e jepnim një betim të atëdhedashurisë. Thu sa vjeçe kemi qenë? N’klasë të dytë, tretë, katërt, pestë (qëshë), e këto motrat e mia edhe ma t’vogla.

Dhe m’kujtohet një kusheri i imi që erdhi me nusën e vet dhe ajo po e përjetonte këtë betim pranë flamurit për herë t’parë. Ajo fillon të qanë, sepse i erdhi shumë emocionuse ky moment. Ne, për neve nuk ishte emocionuse, por ishte një përkushtim shumë domëthënës, se s’ka dashuri ma t’madhe dhe s’ka sakrficë që ia vlenë më shumë se atëdheu.

Aurela Kadriu: Përmendët kur ka ardhë baba prej burgut nana që ka dalë, por nuk e përfundutë tregimin.

Flora Brovina: Nana doli me fustan veshun kështu për së mrapi dhe ishte qesharake kështu që na shtyni të qeshim. Baba im ishte i ri, ende ishte i ri edhe kur doli prej burgut, se ishte i ri edhe kur hyni. M’kujtohet atëhere u mblidheshin krejt ish të burgosurit bashkë ose familjet që kishin pësu nga lufta. Ishte familja e Hyrie Hanës, Hyra me motrën vinin te ne. Baba i binte mandolinës dhe të gjithë këndonin. Para se t’vinin do ta kujtoj një fenomen. Para se të vinin këta, ishte zakon që për festat e nëntorit dajrexhitë me tupana të shkojnë derë më derë, sikur për bajram edhe të hynë shtëpi për shtëpi edhe t’i mëshojnë muzikës edhe t’marrin disa t’holla. Dhe gjyshja jeme gjithnjë, vjet për vjet thoshte, “Mos hyni n’shtëpinë tonë”. Kështu që te ne kalonin, nuk hynin.

Mirëpo, atë vit ajo i tha, “Ejani te ne!” Se kishte dëgju që lirohen, do të ketë amnesti edhe mendonte… Një kusherinë e imja ishte, kushërinë e babës, vajza e babës ishte në burg edhe ajo ishte liru, e familjës Vokshi edhe ajo e futi muzikën. Kur erdhën ato, une me motrat e mia u mshefëm mbas derës sepse s’na pëlqente me ndëgju muzikë. Një vajzë e kojshiut vallëzoi aty. Dhe kjo është një diçka që do të mbetet shumë kujtim sepse ishim, nuk ishim të trusuna na, nuk ishim të trusuna. Por ishim a… asociale jo, po ishim disi rrethi tjetër po bënë qef, na do të mbajmë problemet tona që i kemi. Me një fjalë as muzika s’është e jona. Kjo.

Pra muzikën do ta shijojë për herë t’parë kur kthehet baba prej burgut dhe kur i mbledh shoqet e veta, shokët dhe e mbaj n’mend pikërisht Hyrie Hanën, që keni ndëgju ndoshta. Është një personalitet që ka vdekë dhe e kishin humbë edhe vëllaun ato. Dhe do të mblidhemi troç e troç edhe do të këndojnë, por unë ende s’isha liru prej faktit që mos të e dëgjoj muzikën. E shijojsha shumë edhe sot e shijoj. Shpesh shkruj me muzikë, sidomos muzikë t’lehtë ose muzikë serioze, por jam afonike (buzëqeshë) nuk e interpretoj mirë. Kështu, këto janë ato çka do të më kujtohen.

Do të më kujtohet edhe një rast tjetër, shumë osht’ interesant është, n’bazë të mbiemrit ju po e dini, po e merrni me mend sa domethënës një prejardhje të stërgjyshit e kemi nga fshati Brovinë. Edhe atje deri vonë ka qenë edhe kulla e trashëguar e gjyshit, por më vonë osht’ prishë. Ishte një dimër, përpara bëheshin dimrat shumë t’vështirë, binte bora me metër, unë si fëmijë mbulohesha me borë. Dhe një dimër të tillë vjen një kushëri i largët, që domethënë nuk dishim me spjegu çka i bjen me pasë, por e kishim kushëri prej fshatit Brovinë. Dhe ai vjen, tërë ato tirqit i kishte të grisura dhe t’qepura me arrna, ose kështu të qepuna. Dhe kishte marrë dy duqë, në njërin duq kishte pasul dhe në tjetrin kishte pemë të ndryshme, molla, arra ose diçka.

Dhe kur erdhi hera e ardhshme, një person, burrë erdhi. Kishte udhëtu prej fshatit, kishte fjetë në Han, në Pejë, mandej kishte ardhë këtu dhe i lodhun mjaft. Dhe gjyshja u gëzu shumë. Ne u gëzum por nuk e njifshim. Edhe gjyshja, ai tha diçka, i tha gjyshës, “Kom ardhë me ju marrë, sepse dimri osht’ shumë i vështirë dhe kemi bisedu n’fshat, me bo me ju ndodhë juve, mozallah, vdekja dikujt prej fëmive ose diçka, për shkak të urisë, ose për shkak të ftoftit atëhere si ta ndijmë na vetën që e mbajmë një mbiemër? Ku jemi ne, kemi diçka, e ndajmë bashkë”. Gjyshës i shkunë lotët. Edhe unë u çudita. Gjyshja i tha kështu, “A din çka? Kjo fjala jotë do të na qet në pranverë. Na me fjalën tënde do të udhëheqemi deri në pranëvre dhe mos na mbani gajlen. Shumë faleminderit. Në qoftë se diçka ma keq ndihemi e dijmë tani që kemi një derë”.

Kjo ka qenë diçka fenomenale dhe unë s’e kom harru kurrë. Madje ia di edhe emrin, Sadri e ka pasë emrin, axha Sadri. Edhe motra ime shkonte e lëmonte, thonte, “Axha osht’ shumë i mirë, nuk i ka pantollat çkyme”. (Qeshë) Ai i kishte të grisura, e kjo, “Nuk i ka pantolla e çkyme”. E kështu.

Aurela Kadriu: E qysh ish ai betimi të cilin ia bojshit flamurit? Çka thojshit?

Flora Brovina: Po secili për shembull i thoshte, “Betohem në dashurinë e vendit dhe popullit tim”. Qe, kështu. Betoheshim në gjunjë, në njërin gju, dhe e puthshim flamurin. Ka qenë rrezik me ta gjetë, koha e Rankovićit, me ta gjetë flamurin. Ajo s’bonte, menjiherë hishe n’burg ti edhe krejt familja. Po qe, e bojshim. Edhe masi doli baba. M’pëlqen, ka qenë baba një shembull i mirë që, sidomos kur vazhdoi me u shkollu. Edhe atëhere ne mbanim qetësi që ai të mëson (buzeqeshë), edhe ne mësonim por edhe ai mësonte. Krejt osht’ meritë e nanës. E pëlqej atë përkushtimin e nanës për familjen, për fëmijët, për babën.

Pjesa e Dytë

Aurela Kadriu: Dashta me t’pyt për këtë periudhën sidomos kohën kur ka qenë baba n’burg, cili ka qenë roli i nanës t’juj? Çka ka bo nana? M’intereson qysh u kujdes…

Flora Brovina: Tani, ju e dini se shumë familje që sidomos familjet që kanë të burgosur politik e kanë pasë problemin e bashkëjetesës, sepse e para punë që bën i burgosuri politik që dënohet shumë vite është që t’i thotë bashkëshortit, në rastin tim, unë bashkëshortit tim ose bashkëshortes baba, tjertë i thonë, “Ti mund të jesh e lirë me punu çka t’dush”, për shkak se nuk don që ajo të pëson, derisa ky është i dënuar brenda në burg. Shoku i jetës të pëson nga dhuna që mund të ekzistoj ma tutje ose ta humb jetën për shkak duke pritur lirimin.

Këtë e kom bo edhe unë kur u dënova dymbëdhjetë vjet, por e bëri edhe baba im, i tha nanës se mund të jetë e lirë, që ajo të jetë….  E keni pa edhe Adem Demaçi i ka thanë t’shoqës qështu njisoj ose Ukshin Hoti i ka thanë t’shoqës, por jo të gjithë e kanë kuptu meniherë çka domethanë ajo. Sado që unë jam mundu me shpjegu pak ktyne dyjave që i përmenda, se i burgosuri ka nifarë detyre morale ta bëj këtë gjest ndërsa e palës tjetër është që të qëndroj, njësoj të bëj një sakrificë. Nana ime për fat e kishte gjyshen afër e cila tha, “Qenke i marrë” tha, “si mendon ashtu?” Tha, “Ti hiç mos çaj kokën!” E kështu që e mori në mbështetje nanën edhe nana mësonte ni kurs rrobaqepësie por qepte ndoshta diçka shumë thjeshtë, jo diçka. Më vonë u bo rrobaqepëse për neve vajzat, por jo për dikë tjetër, mjaft ishim ne dhe arriti.

Gjyshja hini në punë punonte në një trafikë duhani, shiste cigare. Dhe kjo ishte një diçka shumë e mirë. Sa i përket stërgjyshës është shumë interesant, stërgjyshja vdiq në shtëpinë tonë dhe kur vdiq ajo ne s’kishim burrë për ta përcjell në varreza. Ishte kështu i besonte fesë dhe gjyshja e çoi në xhami xhenazën, për ta falë xhenazën. Atje, kur ato xhemati, kur e pa që pas kësaj kufome po qëndron vetëm një plakë, atëherë kush është kjo që s’paska kërkend vetëm një gru po qëndron pas kufomës. Ishte shumë e tmerrshme edhe atëherë kanë pyt, “Kush është?”

Vëllaznit e gjyshës ishin njerëz të pasur, kishin pasuri edhe në Prishtinë unë i di dyqanet ku ende janë, dyqanet edhe shtëpitë, ku ata kishin. Njëri kishte shtëpi, dy shtëpi dhe tri dyqane po ia kishte marr shteti, tjetri për fat të keq kishte përfundu në burg për shkak, shkaqe politike. Ishte nacionalist dhe madje kishte ikë prej burgut dhe ishte strehu në Shqipëri. Atje prapë kishte hi në burg dhe normal për shkak se ky nuk e deshte njëri nga politikanët serb edhe qikjo ishte arsyeja. Edhe tani nuk kishte kush ta varros këtë plakën, krejt xhemati njëzëri vendosin që ata ta përcjellin në varreza dhe ishte bo një varrim i bukur me njerëz krejt t’panjoftun. Edhe gjyshja kur erdhi na pritshim që ka me qenë shumë e trishtume se vetëm ajo shkoi me përcjellë, na fëmitë s’kishim me shku edhe nana ime s’kish me shku se ajo e kursente nanën.

Kur erdhi gjyshja ajo ndriçonte prej gëzimit tha, “Jo, jo s’do t’qaj asnjë pikë loti, sepse ju bo nifarë përcjellje sikur të ishte nana e dhjetë djemve”. Dhe ishte një fenomen pra, populli ishte që reagonte n’mënyrë shumë të zgjuar, sepse ta përcjellësh, domethanë gjyshen e djemve që i ka nipat në burg dhe djemtë i ka kërkundi. Njonin atje, njonin gjithashtu të sëmurë i kishte mbetë në Mitrovicë. Atëherë s’ki çka me thanë, kjo ishte përvoja ime jetësore në këtë moshë. E një pjesë e bukur e jetës jo për shkak se kemi pasë, sepse nuk kemi pasë, ani pse babën e kisha jurist, e nana ishte shumë ekonomiste e mirë në shtëpi. Ajo sakrifikoi punën e vet për shkak tonin dhe për shkaqe politike pra, ishte në punë por nuk punoi më tutje.

Ne ishim mësu me qenë të kursyer, domethanë shpesh këpucat e mia kur shkoja në shkollë kur vija motra i priste këpucat e mija. Kjo që më telefonoi, i priste këpuctë e mija që t’i veshë dhe ajo t’shkonte në shkollë, ashtu ndodhte edhe me pallton ose kur babait tim i prisheshin këto pantollet ose diçka tjetër. U mësova edhe unë të punoj sikur nana dhe nga pantollat e babës bëja rollka dhe në shkollë kurrë s’e kanë ditë që neve sakrifikojmë shumë, sepse kemi qenë ndoshta më elegantet në klasë, shifet edhe në fotografi. Kemi qenë shumë të ledhatuara nga nana edhe baba. E mbaj në mend nana ime me orë të tëra më rregullonte flokët edhe gjyshja madje edhe më mësonte me ecë drejt mos me ecë kokë ulur dhe, dhe natyrisht me u vesh bukur m’u dokë prej diçkafit m’u dokë bukur, shijen… ka qenë estetike e kam mësu nga ato, nga këto dyja.

Nuk më ka mungu mandej masi ka ardhë baba, nuk më ka mungu diçka shumë sepse bojshin çdo gja. Për shembull, unë kisha shumë kukulla dhe shoqet, kur bona shoqe mandej ato lujshin me kukullat e mia. Po mu kukullat m’i bonte nana sepse i mbushte me pambuk ose me diçka, i qepte bukur, me dorë e me këmbë e bleja vetëm kokën, kurse ato kishin kukulla që theheshin dhe thoshin, “Jo këto thehen, më mirë po luaj me t’jujat”. Kom pasë lirinë brenda në shtëpi. Përpara ka qenë shija e mirë të kesh oborrin, kopshtin me pemë, perime të cilat i ke mbjellë vet edhe tash ato rriteshin edhe ti e ndjejshe vetën aq mirë. Mos t’hyjmë tash kaq në detale se kom shumë me t’tregu e bohemi shumë vonë.

Aurela Kadriu: Më intereson, a ka qenë e zakonshme me punu gratë në trafika qysh ka punu gjyshja juj?

Flora Brovina: Jo, s’ka qenë, jo. Përkundrazi, s’ka qenë.  Edhe gjyshja edhe pse punonte edhe të gjithë e dishin që është një gru që ka sakrifiku për atdheun se djemtë i ka në burg për atdhe, jo për veten e vet, se po i rritë mbesat e veta, se domethanë punën e vëllaznive ua tregova. Njerëzit me shumë respekt e nderonin gjyshen, shumë respekt. Edhe kur e shifshin në rrugë edhe te dyqani, po dyqanët kanë qenë shumë t’pa, domethanë, nuk kanë qenë shumë të mira dhe shpesh herë ajo ngrinte në dyqan prej ftohtit. Më kujtohet kur vinte, ato durtë sikur të ngrime s’mund t’i mblidhte durët dhe nëna ime ia hukaste, ia frynte që t’i ngrohen ose bënte diçka për të që të ngrohet me ujë të nxehtë ose diçka. Këtë sakrificë qysh e vogël e kam hetue te gjyshja.

Aurela Kadriu: Ku e ka pasë dyqanin?

Flora Brovina: Dyqanin e ka pasë, së pari e ka pasë te shkolla “Elena Gjika” që është nji ku e kalojsh shkollën “Elena Gjika” është një ndërtesë, një shtëpi e vjetër si muze, e aty ka qenë ni barakë. Edhe aty, “Zenel Salihu” m’doket rruga, quhet ajo rruga, e di aty kanë qenë ato qytetarët e vjetër të Prishtinës që e nderonin gjyshen dhe dyqanin tjetër e ka pasë te rruga “UÇK” tani ku është…. Na shtëpinë me qera e kena pasë ku është Banka BPB, e aty ka qenë një shtëpi me shkallë të gjata jashtë, serbe, serbë kanë qenë ata që na kanë dhanë me qira. Është rrënu ajo dhe është maru kjo.

Ndërsa gjyshja në qosh të rrugës kur është… domethanë, kjo rrugë kur vazhdon edhe pak te poshtë kah Qafa, kur fillon rruga për me dalë, ni rrugë kështu si e verbërt si dalësh jashtë vazhdon kah Qafa, po këtu është një rrugë tjetër e qaty në qosh e ka pasë. E aty e kom pre unë gishtin, sepse afër e kisha shpinë dhe kisha shku te gjyshja edhe me djalin e hallës t’ia mbyllim derën gjyshës me tel dhe dera aty ma zen mu gishtin edhe aq ka qenë. Ashtu kemi qenë, domethanë jashta rrjedhave të njerëzve, saqë kur m’kanë çu te mjeku mu m’ka marrë ni qytetar me plis, m’ka marrë. Edhe kjo rruga ku është përmendorja krejt kanë qenë dyqane t’vogla, t’vogla, t’vogla, edhe une u ndjejsha nalt e ai më mbante nalt dhe une shifsha dyqanet derisa, fjala “Po m’dhem”. Ambulanca ka qenë, m’duket ka qenë ajo rruga ky Kelmendi…

Aurela Kadriu: “Bajram Kelmendi”, te “Katër Llullat”?

Flora Brovina: …po që është tash, pa shku te “Katër llullat” në qosh që është tash një qendër, si qendër tregtare, jo qendër tregtare po ushqimore. Eh qaty. Po unë kam mbetë në vend se me qep, qe kqyr {tregon gishtin}, ka mbetë më i vogël e kanë gjujt këtë copë në vend se me qep, s’ka qenë ashti.

Aurela Kadriu: E në cilën lagje, se e përmendët ma herët që keni qenë në “Elena Gjikë” dhe “Meto Bajraktari”?

Flora Brovina: Unë kam qenë në “Meto Bajraktari”, klasën… deri në klasën e katërt. Mandej kom shku në “Elena Gjikë” se s’ka pasë klasë shqipe, deri në klasë të katërt ka pasë.

Aurela Kadriu: E në cilën lagje e keni pasë shpinë?

Flora Brovina: Qaty te shkolla “Meto Bajraktari”.

Aurela Kadriu: Çfarë lagje ka qenë kjo?

Flora Brovina: Baba im, e ka ditë, e ka parandje ndoshta se po e përcjellin edhe krejt çka ka pasë diçka me vleftë e ka shitë, edhe e ka parapagu deri te ni masë shtëpitë të reja në qat lagje, që kanë qenë ni katëshe, krejt shtëpiat ni katëshe. Si tash ajo lagjia Gradić Pejton [Qyteza Pejton] që po i thojmë edhe kanë qenë lagje të mira. Përndryshe, ajo lagje ka qenë bashqe dhe unë e mbaj në mend ku ka rrjedh lumi dhe kur ka punu te shkolla afër shkollës, shkolla ka qenë n’bashqe. Edhe kur kanë punu mullini, ka vaditë, domethanë ka pasë mulli me… dhe ka vaditë. I thojshim bashqja Kaqamak. Kështu ishte diçka e mirë. E aty kemi jetu ka qenë lagje e mirë, e mirë ka qenë, aq e mirë ka qenë saqë edhe spiunat i kemi ditë, i kemi njoftë.

Kur u burgosa dhe kur isha në dhomën e torturave momenti ma i trishtushëm në jetën time, se po e mendojsha edhe para se t’hijsha aty, po mendojsha krejt çka po m’pret, se dikush para meje ishte. Muret ishin krejt me gjak, kur në derë doli një person që unë si e vogël tonë kohën e ngucshim i thoshim “Stojan Pola bander”, domethanë “Stojani gjysëm shtyllë” se ka qenë shumë i madh. Edhe na fëmijët e lagjes e ngucshim, s’ka qenë shumë normal. E ai tashti ishte në polici, njeriu që i torturonte të tjerët. Tash mund ta marrish me mend se çfarë logjike kish ai me torturu njeriun, a e dinte masën e torturës a… ? Prandaj edhe muret ishin krejt me gjak a dhe kur m’pa mu nuk u bo se m’njef, bile kështu t’i kujtohet pak fëmijëria, hajt t’thotë, “Hajt p’ia fali, se kjo ndoshta ma pak ka thanë, ata tjerët ma shumë”. Jo, jo ai njësoj veproi sikur me të tjerët. Kjo ishte momenti që për mu ishte…

Aurela Kadiru: N’cilin vit keni shku n’shkollë fillore?

Flora Brovina: Nuk e di, veç e di qe kam shku shtatë vjeç. Edhe kom… ni ditë po bisedojsha me do, shoqninë time edhe thashë, “Momentet më monotone të jetës time janë mosha gjashtë deri në shtatë vjeç”. Sepse unë kisha dëshirë të shkoja gjashtë vjeç, por isha e dobët dhe gjyshja ime shumë ishte përqendru në shëndetin tonë dhe thoshte “Jo, jo” sepse m’çonte, koti m’çonte te mjeku me m’kontrollu pse jom e dobët edhe me m’dhanë vitamina. Ajo madje dy vjet m’ka çu në Shkup me i drejtu dhambët, ka qenë shumë çështja estetike ka qenë te ajo shumë me rëndësi. Edhe m’çonte sepse këtu nuk kishte mjek, stomatolog. Edhe si fëmijë s’pritonte të më çonte me tren edhe qajo domethanë përkushtimi i madh i gjyshës e kështu që n’këtë periudhë kom shku në shkollë.

Aurela Kadriu: A e mbanë në mend Shkupin?

Flora Brovina: Po e mbaj në mend.

Aurela Kadriu: Çfarë qyteti ka qenë?

Flora Brovina: Po ka pasë parqe shumë, ka pasë parqe e mbaj në mend parkun, ka pasë shqiptarë edhe që e njifshin gjyshën time. Njëherë ka qenë ramazan, kurrë s’e harroj këtë moment, edhe na ishim ulun në park edhe hanim bukë, unë e gjyshja. Edhe atëherë erdhi një njeri dhe u përshëndet me gjyshen edhe tash gjyshja ma vuni mu fajin, “Kjo dreq është untu që kur e kur…” (qesh). Gjyshja po arsyetohet, se gjyshja ime nuk mbante… në familjën tonë nuk mbaheshin festat fetare. Për disa arsye edhe sot e qasaj dite, jo pse ishin komunistë, jo, por për arsye se gjyshja e kishte lanë ramazanin kur ishte burgosë. Kur s’kish pasë ujë me u pastru edhe kur s’kish pasë mundësi me e mbajt prandaj e kishte lanë. Por ajo mendonte kështu, se ka qenë diqysh ndryshe prej grave plaka që i kom njoftë. Ajo ka thanë, “Në qoftë Zoti është, e sheh vujtjen time, s’ka sakrificë ma t’madhe se kaq edhe mos t’më detyron që unë ta mbajë”.

Ajo e dinte, i dinte këto lutjet fetare në gjuhën shqipe edhe mu m’thoshte për barazinë gjinore, “Duhet ta kuptoni barazinë gjinore nuk është barazi gjinore ti t’i bojsh puntë e tua edhe të burrit, t’bojsh gara me burrin dhe mandej t’bojsh gara me kunatën që është në shpi. Domethanë, të jesh njësojë e pastërt, njësoj të bësh punët e shtëpisë. Jo. Por barazi gjinore është t’i ndani puntë dhe disa punë duhet të ndikojsh që shteti t’i marrë përsipër”. Ajo mendonte se madje edhe një pjesë të ushqimit, sikurse tash që ndodh duhet të jenë shërbime shoqërore. Për shembull, ta zamë pasulin, me nejt tre sahat i zimë jo, por shko merre atje hazër bleje edhe bjere në shpi. Ashtu mendonte ajo, thojke, “Mos u bo si gomari kur çdo send e qet në shpinë, ‘Hajt se unë mundem, unë mundem’. Ti nëqoftëse kujdesesh për pastërinë e fëmisë mos e merr përsipër edhe me i ndihmu masdite, po le te merr përsipër burri”. E kështu e mendonte dhe çdo gjë që m’ka thanë ajo ka qenë e saktë, gjithnjë m’del e saktë.

Aurela Kadriu: A ka qenë e shkollume?

Flora Brovina: Gjyshja jeme kur ka shku, fillimisht e kanë çu në Mejtep edhe për dy muj të tërë tregonte tha, “Ni, ni pe e merrte t’kuq hoxha”, edhe i ka thanë, “prej ktuhit e këtu lexo çdo fjalë qitu n’qit rresht”. Edhe tashti dy muj ditë ni rresht edhe arabisht. Kjo ka thanë, “S’po marrë vesh çka po foli”, edhe tani ka pasë polemikë me atë. Ajo sa e vogël ka qenë edhe polemikë. Atëherë ni ditë ka thanë, “A din çka? S’jom budallë me shku atje kur s’pe di çka po flas. Edhe nuk shkoj ma!” Nuk ka shku ma.

Kështu që, shkrim leximin e ka mësu vet, ka ditë edhe çirilice e ka mësu vet. Ajo ka qenë nji shumë shumë interesante dhe m’pëlqen si tip shumë. Për shembull, m’kujtohet kur ka qenë nihere smutë edhe kishin ardhë shoqet e veta plaka edhe vjen infermieri me i dhonë gjilpanë, domethanë e ka pasë kështu të lindun çashtjen e feve. Edhe i vjen infermieri edhe kur t’vjen, ato krejt çohen në kambë edhe ia bojnë atij infermierit, “Haxhi Shefqet” sepse ai paska qenë në haxhillëk, jo haxhi, po në detyrë ka qenë si infermier. Kjo i thotë, “Edhe ty po t’vjen mirë që po ta bojnë apo? Por ti ke qenë në detyrë, ti s’ke shku me u bo haxhi, se me qenë haxhi veshësh ndryshe”. Ka thanë, “Hiç s’po t’vjen marre” (qesh). Kështu ka qenë.

Për shembull, ato zakonet e vjetra që nuset rrishin në kamë derisa ta pin vjehrra kafen. Më kujtohet kur kishin ardhë dy nuse të fqinjëve te ne dhe ato nuset në kamë, ajo vjehrra a din gëzushëm se nuset po i rrijnë në kamë, thotë, “A din çka? Këto zakone boni në shpi t’juja, këtu uluni. Dhe a po t’vjen mirë që ato po t’rrijnë n’kamë ty derisa ta pish kafen a?” I thotë shoqës t’vet.  Shumë interesant ka qenë, shumë ni tip interesant. Ajo ka qenë shumë pedante dhe qepte te ni rrobaqepëse e njoftun në Prishtinë teshat dhe masi t’i qepte vinte n’shpi fillonte me i shkep s’i pëlqente se, “Jo qitu s’ma ka bo bash tamon krahun, duhet ndryshe, t’ma bon ni jastyk pak ma t’nalt se krahtë m’u kanë lëshu e këto kështu… jo pullën s’ma ka bo bash mirë”, dhe nana jeme i rrinte te koka dhe ia rregullonte masi ia qepte prej fillimit. E kjo ka qenë gjyshja, ka pasë…

Gjyshja jeme nuk ka vdekë… gjyshja jeme masi ka vdekë nana jeme është shu, s’ka deshtë me jetu. Ka thanë, “Jo, masi m’vdiq njeriu që deshta ma s’shumti e ndava me të…” E thirrshin nëpër shkolla që të flet për luftën ose diçka, edhe asaj një herë nuk i kujtohej, “Çka do t’flas unë atje?” Po them, ajo 90 vjeçe ka vdek. Ajo nana ia spjegonte (qesh), nanën e Meto Bajraktarit e ka pasë shoqe. Kjo ia shpjegonte ndoshta këtë, këtë, këtë. Nana jeme s’ka qenë në luftë, ka qenë e vogël por e dinte krejt çka do të thotë gjyshja. Kështu që, gjyshja ka qenë shumë tip interesant e kështu. Kështu që, për gjyshën kom çka me fol.

Aurela Kadriu: Gjyshja a ka pasë fëmijë tjerë apo vetëm nanën e juj?

Flora Brovina: Gjyshja ka pasë babën tem.

Aurela Kadriu: A nana e babës…

Flora Brovina: Nana e babës. Ajo ka pasë dy djem e ni vajzë. Dy djem e ni vajzë ka pasë. Vajza e vet kur vinte me na pa neve rrinte me leje të Komitetit me pa nanën edhe fëmitë e vëllaznive që i ka në burg. Qe kqyr qysh ka qenë koha.

Aurela Kadriu: N’cilin vit jeni regjistru në shkollë t’mesme?

Flora Brovina: Po, duhet me numëru vitet…

Aurela Kadriu: Domethanë, tetë vjet ka qenë shkolla fillore…

Flora Brovina: Shkolla fillore edhe masandej… edhe ka pasë, kemi pasë ni përparësi sepse nxënësit e shkollës “Elena Gjika” ose përpara “Vuk Kardžić” kishin profesorë shumë t’fortë, ishin shkollat ma t’forta sidomos në matematikë dhe në gjuhë. Dhe për këtë arsye ne ishim nxënësit ma t’mirë, kjo si grup i nxënësve ishim ma t’mirët.

Sivjet e festum 50 vjetorin, qe e gjeta kur jom… 50 vjetorin e maturës domethanë para 54 vjetëve në gjimnaz. Sivjet u mblodhëm për herë t’parë, 50 vjet që e kam kry maturën. Ishte shkollë shumë serioze. Ishte karakterisike se mbanim veshje të shkollës, ato uniformat e shkollës ku shkrunte, uniformat e zeza me ni shkronjë G – Gjimnazi, Gimnasia e kuqe, dhe kishim shumë për qejf që ishin dy ngjyra kuq e zi. Nxanësit nuk dilnin shumë në qendër të qytetit, e kishim profesorin shumë t’vështirë, na kontrollonte. Aktivitete kishim.

Unë për vete merresha me atletikë isha një atlete mjaft e mirë, sidomos në vrapime të shkurta edhe ndonjëherë bëjsha gara me djem. Ndërsa më pëlqente matematika thashë, isha shumë aktive në letërsi. Aty fillova me fitu çmimet e para në qytet me raste t’veçanta ose në fletorën e gjimnazit, ishte një jetë e kandshme. Atëherë sikur filloi një qetësi, një harmoni që kujtoj fëmijët e mi nuk e kanë pasë, një… nuk e kanë shiju kohën e gjimnazit sikur une. Kishte siguri në qytet edhe një periudhë ndoshta më e bukura e jetës.

Aurela Kadriu: Qysh e ka pasë emrin gjimnazi?

Flora Brovina: “Ivo Lola Ribar” po tash “Sami Frashëri”, është i njejti gjimnaz. Kishte pak vajza në klasë, më shumë ishin djem, na ishim pesë veta. Nuk e di klasët e tjera, mendoj gjenerata tjetër do të ketë pasur më shumë vajza, por e imja kaq kishte. Dhe unë ulesha me djem në bankë e këto ishin ato…

Aurela Kadriu: A ishte e zakonshme me garu vajzat në atletikë?

Flora Brovina: Jo, ndoshta jo, sepse m’kujtohet kur fitova… tash e kam koleg edhe shkrimtar ni shok klase që ishte mjaft i zhvillum, i vinte zor qaq shumë që e munda thojke, “S’mundet vajza profesor me m’mujt. Pse më mundi?” A din, se unë garova… në vend se të garoj me vajza sepse me kohë, e matshin kohën, jo domethanë vajzat me vajza, por koha. Dhe mu m’qëlloi me garu me djem edhe unë në 400 metra, në 800 metra i munda djemtë. Dhe njërin prej tyre Ali Berisha, më kujtohet e ka pasë emrin e kalova edhe tash krejt klasa ia bojshin, “Të mundi, të mundi”, dhe atij mandej i vinte zor.

Përndryshe, kam qenë pak për shkak të motrave, kam qenë ni tip që motrat kam ditë me i mbrojt edhe fizikisht. Jom zanë me djem, jo kam qenë tip i tërhjekun por me m’i nguc dikush motrat dija shumë keq të sillesha, si djal i keq. Edhe i mbaj në mend personat që jom zanë me ta për shkak të motrave. Për shembull, e kem ba ni akull para shpisë edhe thojshin, “Jo këtu veç djemtë. Mos!” “Po unë e bona akullin. Jo, ju”. “Jo, ju jeni vajza”. “Kush vajza? Hajde guxoni rrëshqitni këtu!” E masnej me ni të zanë qe qishtu… ose herën tjetër disa që janë emra, emra. Domethanë pak a shumë të njohun, por jam zanë kam ditë me u zanë për motrat e mija, se edhe ato ma kane kthy njësoj me mbrojtje.

Jemi shumë t’lidhuna, nashta për këtë që e shpjegova krejt jemi shumë t’lidhun n’mes veti…. Nuk kam qenë tip që kam shku, për shembull, edhe atëherë janë mbajt ditëlindje, do farë takimesh mbramje shoqërore, nuk kam shku nëpër këto sepse sikur baba jem ma bonte, “Mirë, në qoftë se shkon, po mos e bo zakon t’shkojsh qaq shumë ose shko me orar”. S’di ma bonte ni orar edhe unë mandej vendossha mos me shku hiç.

Motrat e mia pak ma ndryshe. Kanë pasë ma shumë shoqni dhe mu më mjaftonte shoqëria ime dhe e atyre. Mandej edhe mbramjeve, domethanë masditeve unë kthehesha sa binte muzgu, kthehesha prej lojnave në shtëpi dhe motra, kjo që m’thirri në telefon më thoshte, “Sa t’kam inat, se ti kthehesh herët dhe mandej krejt m’thojnë mu pse po vonohesh” e kjo ka qenë.

Përndryshe, na në nji moshë në fillore, madje madje e kom pasë shumë për qejf nuk e di si i thuhet prraçka, a e di çka është prraçka? I kam pasë qef prraçkat dhe sillesha pak si djal dhe këtu në xhep e majsha prraçkën edhe plotë xhepat me gurzi t’vegjël ose me tela edhe kur s’më pëlqente dikush tangap {onomatope}. Unë njiherë i kisha edhe shoktë e mi dhe njifarë grupi që bojshim sherre, po këto pak kanë zgjatë, kërkush s’ka trokitë [derë] që po boj sherre unë.

Nihere kur isha duke i kopju detyrat në klasë, nuk e di se cilat ishin, sigurisht në matematikë. Isha duke i kopju detyrat, ni koleg i imi më ngacmonte me ni lidhëse të këpucës edhe ma bonte orë e çast, ma hudhte, më ngacmonte dhe më pengonte, dhe unë i thashë dy-tri herë, “Mos më pengo!” Ai prapë. Edhe atëherë m’u kujtu që unë di me qenë edhe djal, di me qenë ndryshe edhe e kapa edhe e solla disa here edhe në fund e gjujta edhe ai ra edhe theu bankën.

Atëherë thashë… e kemi pasë profesorin kujdestar shumë t’vështirë. Dhe kur u thy banka hini profesori tha, “Kush e theu bankën?” Unë po çoj gishtin me tregu që unë, por ai s’më jepte fjalën. Atëherë u çu ky shoku që e munda në vrapim, deshti ai me tregu, edhe profesori u idhnu shumë edhe ai u çu edhe t’u qesh tha, “E ka thy Flora”. “Çka?” “Flora e ka thy”. Thotë, “Kështu kështu e gjujti këtë nifarë Bajramin, e gjujti…” Ai ma vonë u bo drejtor dikund, “E gjujti edhe u thy”. Ai thotë, “More qyqan!” Tash i bërtet atij pse është qyqan (qesh) edhe thotë, “Ti?” Thashë, “Po unë desha me shpjegu qysh ndodhi prandaj çova dorën”. Ai mendonte që unë doja të ndaja drejtësi, se unë gjithmonë ndaja drejtësi. E tha, “Bankën” tha, “do ta paguani ju krejt, jo Flora”. Edhe ashtu unë shpëtova. Domethanë, kjo ka qenë.

Përndryshe, ani pse tregova nji, nji, nji episodë kur herë pas here m’duket se edhe sot më ndodh që me m’i nguc dikush motrat e mia shndërrohem në diçka tjetër, luaneshë kisha thanë. Megjithatë, më pëlqen feminiteti dhe kujtoj që është bukur me qenë femër. Gjithmonë m’ka pëlqy të qenit femër, kurrë s’kam deshtë me qenë djalë. Shpesh ma bante baba jem, “Ty të kam për dhetë djem, po…” mandej i kujtohej, “po vajzë t’kam”. Sepse e dinte që s’kam qef me qenë djal, se m’pëlqen me qenë femër. Sidomos më pëlqen amësia, m’pëlqen qysh ajo ndjen kur është e dashurume ose dashurinë që ka ndaj prindërve m’pëlqen. Më pëlqen kreativiteti i saj në familje qysh është kur ia nisë ma s’pari me përgadit gjërat e para t’ushqimit për familjen, ambëlsirat ose me e zbukuru shtëpinë e krejt ato m’pëlqejnë.

Në anën tjetër, për shembull unë tregova që kam mësu zanatin e babës, elektro. Për shembull, kam ditë me maru cimenton, me shtru cimenton, kam ditë me maru murë. Domethanë, gjithçka… me babën tem e kemi bo tavanin bashkë, e kemi bo tavanin me dru krejt tavanin e ni dhomë timën, pra kam ditë me punu. Edhe sot di me punu krejt shtëpinë me ngjyrosë. Në moshën time unë kam qef me u çu edhe me ngjyros vet, por gjithnjë pse jam femër, jo sepse e imitoj ni djalë.

[Kjo pjesë e intervistës është realizuar më 27 qershor, 2018]

Pjesa e Tretë

Aurela Kadriu: Po ia nisim, nashta, qysh keni vendosë me studiu mjeksi dhe në cilin vit keni fillu studimet?

Flora Brovina: Të drejten kurrë s’e kom besu që do t’bahem mjeke, nuk kam pasë ni, nuk e kam shpreh gjatë shkollimit naj dëshirë që të bohem mjeke, jo se s’e dija rolin e mjekut por… nana ime gjithnjë na fliste për një mjeke në Kosovë që kishte ardhë prej dikah larg dhe se si pacientët kanë nevojë për të do t’shkojnë ta marrin me pajton me kuaj. Dhe mu m’u dukej, nuk më pëlqente dhe mendojsha që mjeksia është shumë shkencë e randë dhe a do t’ia dali?

Unë për veten time kisha afinitet për letërsinë të studioj gjuhën, kisha afinitet për matematiken, t’isha profesoreshë e matematikës. Njëra nga motrat e mia, Flutura, u bo profesoreshë e matematikës dhe shërbeu 42 vjet ose 43 dhe tani ka dalë në pension, ajo ma plotësoi këtë dëshirë. Ndërsa në testin që e bëjnë profesorët në gjimnaz, ata m’thojshin që duhet ta marrë arkitekturën ose elektro-teknikën, shkenca teknike masi që këto ishin afinitetet e mia. Kam qenë drejtimi shkencor.

Megjithatë, unë vendosa të bëj një kompromis dhe t’shkoj t’studioj në Beograd në mesin e shumë studentëve që kishin konkuru. Konkurova s’pari në Fakultetin e Stomatologjisë tu mendu që ky është një zanat që i afrohet mjeksisë dhe nuk ishte se është më pak i rrezikshëm për njeriun. Thashë, kur fillova t’merrem më shumë me letërsinë, atëherë më lindi idea që mund të bëhem edhe neuropsikiatër dhe të njoh më mirë shpirtin e njeriut për shkak të letërsisë. Pra, mjeksinë e mora për shkak të letërsisë se letërsia është dashuria ime e parë t’cilës nuk iu kom nda asnjiherë edhe jam shumë e lumtur që nuk iu kom nda librit dhe kisha afinitet me lexu shumë. Prandaj edhe mjeksia këtë e kërkon, leximin.

Në konkurs fitova, u pranova në stomatologji. Ndërkaq në provimin për mjeksi të përgjithshme isha në grupin e studentëve rezervë që mund të pranohen ose jo. Dhe unë u ktheva me lajmin se jam pranu në stomatologji këtu në Prishtinë, mirëpo sa erdha unë erdhi edhe telegrami që jam pranu njëkohësisht edhe në mjeksi. Tani, nuk mund ta merrsha gjysën e mjeksisë kur mund ta merrsha të tërën. Pra, fillova studimet e mjeksisë në Beograd.

Ishte shumë e vështirë ndarja, ishte e vështirë. Ideja se baba im gjithashtu ishte student në vitet e fundit, provimet e fundit dhe gjendjen materiale nuk e kishim qaq mirë sa ta çonë dikënd në Beograd të studioj. Më ndihmun të afërmit e mi, halla ime s’pari që më përkrahu në gjysëm vjetorin e parë dhe në gjysëm vjetorin e dytë u gjinda me shoqet se formova shoqninë. Dhe kam përjetime shumë interesante në atë vit të parë, kur për herë të parë do ta ndij vetën, do ta ndij vetën si një zezake në Afrikën e Jugut. Që do të thotë, diskriminimin për shkak të përkatësisë nacionale drejt për së drejti e kam përjetu në lëkurën time si e përjeton zezaku në mesin e të bardhëve që kanë paragjykime për lëkurën e vet.

Madje edhe kur vishesha elegante sikur po si mund të jesh kështu, une kisha qef. Nana ma kishte qep një mantil ishte ngjyrë, ngjyrë jeshile e çeltë dhe shumë elegant dhe n’vend se t’marr komplimente thoshin, “Jo, jo, ju nuk jeni shqiptar”, se shqiptartë ishin ata që punojnë punët ma t’randa në ish-Jugosllavi dhe u ndjejsha shumë keq. Ndonjëherë aq keq u ndjejsha saqë si studente hypja në tramvaj dhe ndalesha në stacion ku i shisha shqiptarët duke e thy betonin me ato maqinat që iu dridheshte krejt trupi edhe vetëm për t’i përshëndet ata. Edhe m’pëlqente kur m’quanin disa më t’vjetër, m’quanin bijë. E në këtë, në këtë kontekst thashë, i kam disa kujtime disa ma t’vrazhda disa më ndryshe.

Për shembull, profesoresha ime e kimisë, asistentja, kurrë nuk m’thrriste me emër, ma dinte emrin se nuk ishim shumë në grup m’quante sllovene, për shkak të flokëve bjonde ndoshta edhe theksit nuk e di, po më quante sllovene edhe sahere i thosha nuk jam sllovene jam shqiptare ajo thoshte, “Po mirë mu po m’dukesh si sllovene edhe unë po t’thërras kështu”. Asniherë, domethanë nuk e ndjejsha vetën mirë. Diskriminimin e vrejsha edhe te provimet paraprakisht dhe maj në mend njëherë kur kërkova që t’pytëm përpara të tjerëve, t’hyj n’provim përpara në provim.

Nuk ishte i lehtë, semestral, dhe kur hina profesori para të gjithëve na tha, “Në qoftë se e dini këtë pytje keni kalu”, domethanë ngec me ni pytje, ngec ni student dhe tha, “Kush e din?” Une e çova dorën dhe u përgjgja, tash ndoshta për shkak t’theksit, sado që  mirë e flas serbishtën, m’tha, Çka je ti? “Šta si ti?” Edhe unë iu përgjegja, “Nuk jam motër medicionale jam ish-gjimnaziste”. Domethanë, nuk kam lidhje me mjeksinë. Ishte fjala për mobilizimin e krahrorit si duhet ta bëjmë mobilizimin dhe kjo ishte një pytje profesionale.

Atëherë, ai thotë, “Ne pitam te to. Jel si Šiptarka?” Domethanë, nuk po t’pys a je motër a jo, por a je shqiptare? Dhe kur erdhi radha ai, unë u përgjegja pozitivisht. Mirëpo, nuk m’tha që e dhashë provimin dhe mund t’dalish, por më renditi me të tjerët që të pytem. Dhe kur më erdhi radha që të pytem, ai ma jepte pytjen dhe ma kthente shpinën dhe fliste me të tjerët. Unë përgjigja ni pytje, dy, dikur i thashë, “Profesor, m’falni, ndoshta edhe ma jepni ndonjë notë t’mirë, ndoshta m’jepni në përgjegjet e mia, por unë nuk e du këtë notë. Ma jepni indeksin se s’du të përgjigjem me fyrje”. “Auu,” tha, “qenke nervoz”. “Jo, jo, nuk jam nervoz, po nuk e lejoj veten të më ofendoj dikush”. E mora indeksin, ia mora dhe dola. Domethanë, ky ballafaqim ose për shembull me…

Tani po mësoja me një shoqën time, kisha zanë një shoqe dhe po mësonim bashkë. Unë mësoja me të sepse ajo më ndihmonte që të përsëris mësimin dhe natyrisht edhe serbishtën. Ndërsa ajo mësonte me mu sepse landën e kisha mësu mirë, i konvenonte, dhe ishim… ajo banonte te një plakë dhe ishim së bashku. Kalonim shumë mirë, ajo ishte prej Serbisë së mesme, ishte puro serbe e Serbisë, jo prej rrethit që thojnë.

Edhe me ni moment shumë e kam kujtim këtë kolege, në një moment ajo trokiti dera dhe ajo doli me pa kush është dhe kur u kthy m’tha, “Ky shqiptari”, edhe une mbeta, “Kush?” Tha “Ky shqiptari që na banë qym… thëngjillin për nxemje”. Edhe unë thashë, “Vërtetë, do të dal t’flas me të”. Tha, “Jo, jo, nuk është si ti shqiptar, por është si me thanë rom”, “Jo, nëqoftëse ti thu shqiptar, atëherë unë e konstatoj çka është”. Edhe dola… “M’fal” thashë, “ni moment”. Edhe dola në koridor.

Ai me dy kofat me thëngjill, kështu punojshin shqiptartë në Jugosllavi dhe i thashë, ishte në moshë, ishte tanë i përlyn me tesha të zeza prej thëngillisht që bante nëpër banesa të ndryshme edhe unë i thash “Axhë, a u lodhe?” Ai lëshoi kofat edhe, “Bijë, çka po bon ti ktu?” E njofti gjuhën që jam shqiptare, sepse unë fola me gjuhën e tij dhe i thashë që po mësoj, “O vetëm të mësojsh e t’mos mbetesh si ne. Të mësojsh, të mësojsh, po për çka po mëson?” I tregova.  

Tha, “O të lumët ne”. Dhe u gëzu shumë edhe m’tha, “Nëse t’vyn diçka, ta dish unë këtu punoj edhe për çdo gjë që t’vyn”, do t’më përkrah. Kur u ktheva në dhomë, shoqja ime po qante, po qante, po qante me dënesë dhe tha, “Unë nuk po muj me kuptu,” tha, “unë nuk deshta me bo diferencë, por mendojsha që nuk ishit njësoj”, “Jo,” thashë, “na jemi klasa punëtore e Jugosllavisë, ne jemi ata të diskriminumit”. Edhe atëherë ia spjegova edhe këto përjetimet e mia edhe n’klasë edhe në shoqëri.

Ishte njëri nga kolegët, edhe këta do ta mbaj në mend, një koleg, një kolege në t’vërtetë e vetmja zezake në amfiteatër prej 500 vetëve dhe rastësisht u njohëm ndoshta kishim të njejtën, i njejti shqetësim na mundonte dhe u ulëm u bëm shumë shoqe. Ajo ishte prej Etiopisë dhe u quante Mesti. Dhe n’amfiteatër kishte mjaft studentë që ishin beogradas që ishin shumë ma të sjellshëm, edhe njëri që e kishte vërejt që kishte një simpati ndaj meje. Ai banonte në rrugën kryesore të Beogradit, ashtu thoshte që banon dhe ai tanë kohën kishte qef me u shoqnu me ne dyja. Edhe unë i thom, “Pse jemi zezake apo për çfarë?” Edhe ai thotë, domethanë i vinte interesant.

Edhe unë nuk kisha qef të shoqërohem, sepse s’më pëlqente. Mandej, s’më pëlqente sepse e vërejsha që tjerët shokë e ngacmonin se m’pëlqente mu, por ishte diçka që kjo më shkaktonte averzion. Dhe ai e gjeti një mënyrë tjetër që t’i hyjë në qef, se edhe shokët e mi shqiptarë njisoj e xhelozonin, pse ti e shofish, pse më shifte mu edhe Mestin. Edhe ai atëherë e gjeti një metodë, që në amfiteatër, në amfiteatër rendi i parë mbushej shumë herët në orët e hershme domethanë para se… domethanë shumë ma heret se fillonte mësimi edhe ai rezervonte tërë rreshtin e parë ose rreshtin e dytë ose rreshtet e para, për krejt shqiptarët çka ishin shqiptarë.

Në grup isha vetëm unë vajzë dhe ai vet nuk ulej, por atyre iu rezervonte që t’ju hynte në qef. Madje, madje filloi edhe me mësu ndonjë fjalë shqip. Edhe kur shkojshim ma vonë bonte, “Mirëdita” mu m’vinte shumë zor. Dhe një ditë, ishte kështu vardisës jo sikur shqiptarët, edhe unë një ditë e pashë që nuk muj ma, nuk kam se si me largu prej vetës.

Jo, ndodhën, ka qenë viti 1968 kur isha në Beograd edhe ndodhën demostratat këtu në Kosovë. Motrat e mia ishin pjesë e demostratave edhe unë atë ditë sa kisha mbrri, mora vesh që motrat kanë dal në qytet dhe në qytet është rrëmujë. Njëri nga shokët e Fluturës u vra dhe unë e njifsha atë djal, është dëshmorë. Dhe atëherë edhe unë deshta me iu bashku, dhe duke ecë m’kujtonte ku është përmendorja Nëna Terezë, m’rrshiti kamba dhe u lëndova qaq shumë në gju sa e gjakosa gjunin tepër randë. Edhe kur m’kalunë ditët e pushimit të nëntorit unë në fakultet shkova me kambën e lidhur.

Tani askush nuk besonte që unë nuk kam qenë në demostrata ose që nuk jam lëndu nga dhuna në demostrata. Realisht unë isha, por nuk isha pjesa kryesore e demostratave, por m’rrëshqiti kamba sepse rrëmuja e boni t’veten. Dhe e ndëgjojsha kur po pritshim për me hy në sallat e ushtrimeve kur këtij, se ia kom harru emrin, i thojshin, “Qe kjo simpatia jote është çu kundër Jugosllavisë a?” Ai ni kohë nuk foli, e ma vonë m’u desh me i thanë atij, me trillu ni send sepse m’u bo shumë monoton thashë, “A din çka? Unë jam e fejune dhe te ne me t’bo vaki me t’pa i fejuni jem që ti m’ndjek atëherë nuk e ke shumë lehtë me shpëtu. Të lutëm mos më ndiq”. E kjo ishte nji diçka që e largova.  Domethanë, na ishim popull edhe që na njifshin si për të vrazhdë, por nuk mund të bëhesha e vrazhdë me të.

E tregova këta se ma tutje do t’flas për…. Kur u nisa e kisha synim që t’kryj t’paktën dy vjet, pa pasë obligime ndaj vetëvetes, që do të thotë t’mos ketë ndonjë synim që t’më pëlqen dikush, vetëm fakulteti është synimi im. Të paktën qaq, t’ia nis një rrugë, t’afrohem te profesioni, por ishte shumë e vështirë ishte koha mas demostratave shumë e vështirë dhe personeli, profesorët ishin shumë diskriminus. Kurrë në jetën time s’jam ndi ma e diskriminune, ndoshta n’burg, sepse çdo hap…. Morëm një dhomë me një shoqën time, morëm një dhomë në… privat edhe në një kohë t’caktune ajo zonja e shtëpisë m’tha, “A mund t’rrish veç ti se nuk po mundemi ma me të mbajt”, pra mas demostratave nuk mujm me mbajtë ma shqiptar.

Aurela Kadriu: I tha shoqes?

Flora Brovina: Jo, mu m’tha. Mu m’tha, “Vetëm ti të rrishë e jo ajo”, unë i thashë, “Unë nuk rri”. Atëherë ne të dyja shkum ilegal në konvikt, në qytetin e studentëve në dhoma shumë t’kqija sepse ne u kombinoheshim shqiptarët mes veti. Dhe m’kujtohet në shtratin ku flej ishte afër kjo llavaboja, çdo mëngjes kur shoqet… pesë-gjashtë shoqe në një dhomë të kombeve të ndryshme, dhe kur ato i lanin dhambët ose faqet mu m’pikatke shkuma e sapunit e pastës t’dhamve n’ftyrë m’përlyente, por u mësova që t’jem diçka që duhet ta kalojë. Nuk kam qenë shumë e urtë dhe sidomos fyrjet nacionale nuk i kam duru kurrë, prandaj edhe disa herë kam hasë në probleme.

Maj ka qenë, maj, ne nuk ishim kthy në Kosovë për pushimin e majit, sepse kishim me mësu. Ishim disa shoqe dhe kishim dalë te dritarja dhe po këndonim, por jo me zo shumë t’naltë dhe njëra nga ato banuset e konviktit po na thotë, na shanë me nanë, “Umuknite! Albansku majku!” Domethanë, plasni edhe mshileni gojën edhe na shanë nanën. Dhe kjo nuk ishte e durushme për mu edhe unë ni minut zbres poshtë edhe kurrë s’kom mendu për vetën a mundet me m’ndodhë diçka. Kom zbrit poshtë i kom mshu derës e kam çelë derën edhe kom thanë, “Kush foli?” Ato e kishin mshef atë vajzën edhe thashë, “Do ta za, se e pashë kush është”.

Atëherë krejt dhomat m’kërkuan falje, se nuk do të ndodhë ma. Edhe kjo domethanë kërkon falje dhe a mundet me ardhë me ju kërku t’gjithave. E them këtë me qëllim t’caktun. E përmend këtë shembull sepse është se t’i qëndrojsh të drejtës tande, nuk bën vetëm të heshtish, ndonjëherë duhesh të reagosh. Sidomos kur e ke gjithnjë armikun atë që t’sulmon, sepse e provon një herë, të dytën herë të shkelë ma shumë. Ngjajshëm m’ka ndodhë edhe disa herë që kam qenë.

Një herë tjetër një gru që unë nuk e njifja, një studente m’u afru dhe m’tha, “Ju shqiptarët” tha, “gjithë këto privilegje i keni këtë e këtë e… po kurrë nuk ngopeni me të drejtat e juja”, dhe filloi me na ofendu. Unë isha me ni koleg, ai ka vdekur, ka qenë ortoped në Prizren, Fadil e ka pasë emrin, Fadil Berisha vllau i spikerës Fadile Berisha, shumë i mirë. Por, në një moment derisa kjo fliste unë i thom, m’ofendoi në kuptimin, “Ju jeni në tokën tonë dhe po kërkoni diçka ma shumë” s’di çka. “Kush n’tokën e juj?”

Edhe deshta ta sulmojë dhe në atë moment u mshel, ajo vrapoi iku dhe u mshel semafori edhe une nuk munda me vrap… me e kap. Ishte afër “Sllavisë”. E ky Fadili m’tha, “Flora,” tha, “nëse ti ishe zanë me atë vajzë, unë nuk do të mund të ndihmoja”. Thashë, “Qysh? As nuk kërkoja ndihmë prej teje”. Tha, “Nuk mund të ndihmoja sepse shumë ma shumë janë këta që janë rreth e rrotull që mund të na sulmonin ne të dyve, sesa unë që do të mund të ndihmoja ty. Prandaj nuk bone mirë”. Thashë, “Nuk bona mirë, por ajo ma nuk do t’më thotë kurgja”.

Ma vonë e kam pa atë vajzë edhe unë jam bo se s’po e njof në një konvikt tjetër dhe ajo, ajo që kam bo është pak keq për biografinë time, por e kam bo. Ishte ni qeshme dhe në bibliotekë ne po mësonim. Në koridor ishte qeshmja edhe dritaret po shifeshin, ajo u çu edhe filloi me m’fol tash mirë për shqiptarët. Domethanë, që këta tanët sikur tanët janë, ndoshta ishte prej Kosovës nuk e di. Dhe shkoi te qeshmja dhe unë u ngrita ngadalë, ngadalë me librat n’dorë, kur u afrova te qeshmja e kapa për flokë ia shtina kokën në ujë e dheza qeshmën shumë, ajo krejt u lag dhe i thashë, “Përshëndetje”, ajo ma boni {shpjegon me durë} e fshiu ftyrën dhe tha, “Përshëndetje”. Kurrë ma s’ka bo, asnihere, asnihere.

E kom pasë zakon tjetër, për shembull kur më thirrshin në telefon ka qenë centrala edhe tash për shembull, “Flora prej dyshit”, unë dhomën numër dy ose dikon tjetër prej dika e thirrshin edhe tash sikur me ni fjalë ta thojshin edhe ni fjalë tjetër që të ngacmojnë edhe unë i thojsha ju thojsha përgjegjën domethanë, “Nemojte da me shurdhujete” kur u thojsha “shurdhujete” unë u knaqsha se vërtetë m’pengojshin. Dhe tash ajo ishte sikur me ju thanë fjalën ma t’keqe në modë, se as nuk mund ta shqiptonin. E kjo ka qenë loja ime me vetvetën kur…

Aurela Kadriu: E çka i bjen kjo?

Flora Brovina: Kurgjo hiç, mos m’shurdhoni, po ja u thojsha shqip sepse unë vet sikur ngopesha me këtë. E sa i përket kësaj Beogradi m’pëlqente shumë, ni qytet i bukur me dy lumenj të mëdhej me një gjelbërim të hershëm të pranverës, m’pëlqente. Sidomos më pëlqenin ekspozitat, m’pëlqente biblioteka qendrore ku mësojsha shumë në atë biblioteke, ku mund edhe t’i gjeja njerëzit me komuniku. Edhe na nihere mas një pauze të leximit mblidheshin edhe pa u njoftë, po ishim njoftë se lexonim domethanë aty si ftyra. Edhe ndonjihere tregonin barcoleta, serbët dijnë shumë bukur me tregu barcoleta janë mjaft spirituoz, edhe kalonim ni pauzë t’mirë.

Ni ditë edhe unë u tregova ni barcoletë edhe nuk u pëlqeu hiç fare, tregojshim edhe barcoleta politike, por isha e re edhe nuk ma murr mendja që ata… kur i prek në tel janë qaq të ndjeshëm sepse çdo ditë ata tregonin edhe për shqiptarët. Barcoleta ishte sepse një ditë, dy serb në Dedinje, Dedinja ishte qendra e udhëheqësisë e Jugosllavisë ku jetonte edhe Tito jetonte, dhe unë iu thashë që, “Dy gra shqiptare kanë dalë prej villave të tyre dhe po thojnë, ‘Ky serbi ende s’e pruni thëngjillin dhe jemi mërdhi sot, sepse s’e pruni thëngjillin’, domethanë, viti 2000”. Edhe askush nuk qeshi. Njëri prej atyre tha, “Kqyre,” tha, “na tashmë jemi bo shokë, por këtë barcoletë mos e trego tjetër kund se mund me u sjell keq” tha. Me ni fjalë, ishin të ndjeshëm për vetëvetën.

Mbaj në mend, e fillova me shoqën e dhomës që qajti kur erdhi plaku me thëngjillin, tani ne dyja ishim t’gatshme për provimin dhe kur shkoi ajo e mori notën, kaloi. Tash mbas asaj m’erdh radha mu dhe përnjëherë po m’kontrollojnë, po m’kontrollojnë, sepse mos ki naj armë. Tash kjo ishte shumë ofenduse, kurrë s’kisha pa që studentat i kontrollojnë t’u hi në provim. Qaq kom pasë shqetësim sa kom pasë probleme edhe me, tash para kamerës m’vjen keq ta them por po e them, mestruacionet në vend më erdhën, domethanë prej shqetësimit. Si, unë t’kem armë?

Domethanë, shumë më erdhi inat dhe kur hyra në provim profesoresha m’i boni pytjet qaq mbrapsht saqë unë s’e kuptojsha pytjen çka po m’thotë. Ta bon ni pytje që derisa ti, derisa ta kuptojsh pytjen çka po t’pyt… po nejse u përgjegja qashtu qysh u përgjegja, kisha qef shumë ma mirë, por u përgjegja dhe ajo nuk m’kaloi. Çka ndodhi? Kolegia ime që po priste te dera dhe u shqetësu shumë pse mu kështu, kur i fola për diskriminimin s’e kuptoi mirë, por kur e pa konkretisht, ajo atëherë mori indeksin e vet, dhe m’vjen keq qe tash s’ia di emrin se kanë kalu shumë vite dhjeta, dhjeta vite 40, 50 vite, jo 50 vite

Ajo e mori indeksin dhe i tha, “Profesoreshë, nuk e du notën sepse kjo e dinte ma mirë se unë landën dhe ju me qëllim keni dëshirë ta rrxoni dhe nuk e du këtë notë”. Ajo u çudit profesoresha, i bërtiti. Por, domethanë unë e përjetova. Nuk e di ndonjë student shqiptar në Universitetin e Prishtinës a i ka ndodhë që naj kolege ose koleg të thotë, “Jo, kjo ka ditë ma mirë”, dhe t’thotë, “mu ma dha notën ma t’mirë”. Jo nuk i ka ndodhë e mu m’ka ndodhë në Beograd që studentja me ia kthy profesoreshës notën, sepse është ndi keq që e pa diskriminimin ndaj meje. Pra, gjithnji ka edhe njerëz që janë ndryshe nga të tjerët që nuk janë t ëngarkum.

Në këtë mes do ta kujtoj edhe një rast tjetër kisha, kisha diçka isha e mërzitur në lidhje me provimet ndoshta kollokvium s’kisha dhanë, nuk e di s’po m’kujtohet edhe landa… dhe nuk e di isha në dilemë çka me bo, nuk desha që tash ta vajtoj provimin. Atëherë vendosa me shku me pa lojën e topit, vetëm që ta hjek atë, isha adhuruse e topit gjithnjë edhe si e vogël. Edhe shkova në stadion, por nuk pyeta kah janë cilët, luante “Zvezda” me “Partizanin”, edhe “Partizani” sikur janë ma t’qetë “Zvezda” ishin ma t’kqi, por mu bileta m’kishte qëllu kah ata. Edhe tani duke e pa lojën unë reagova se jam pak temperamente dhe unë reagova në favor të “Partizanit” edhe krejt publiku u kthy, “Po ti, çka lype ti ktu?” Dhe ja pra këto ishin disa përjetime pak për mu shumë të çuditshme.

Tjetër në studime përveç provimeve dhe jetës në konvikt do t’i shpjegoj edhe disa gjëra. Ni ditë na thërrasin neve që të bashkohemi me shqiptarët, shqiptarët ishin shumë t’lidhur, kishin shoqatën e përbashkët të studentëve edhe ni dhomë ku ushtronin. Ishin tashmë personalitete këta njerëz, “Shkendija”, ku bashkoheshim këndonim kangë, bënim ekskurzion edhe për shembull, ni ekskurzion i përbashkët do t’jetë në Avalla ku do t’jenë edhe disa studentë nga Frushkagora. Frushkagora janë fshatrat shqiptare të shpërngulura shumë moti të fisit Kelmend dhe mbiemrin e atyre që ishin me neve në autobus m’kujtohet realisht Lleshi e kish mbiemrin, po s’dinte ta shqiptonte mbiemrin e vet dhe thoshte historian, historinë e studionte, dhe thoshte Llosh, Marko Llosh, kjo ishte.

Eh, atëherë Zeqirja Cana ishte kryetar i shoqatës dhe këtu kam njoftë edhe kolegë gjithfarë. Domethanë, prej çdo qyteti që studiojshin në fakultete të ndryshme. Dhe ne ishim motrat, shumë t’kujdesshëm ndaj neve, sepse është një kohë ndryshe ku pak vajza studionin jashtë Kosovës. Në ndërkohë u hap fakulteti në Prishtinë, Fakulteti i Mjeksisë dhe në nëntor ndoshta është hapë, nuk e di ma vonë.

Aurela Kadriu: Në cilin vit?

Flora Brovina: Po ma vonë ndoshta është hapë, në ‘70-tën. Nuk po e mbaj në mend, por e di që është hapë shumë shpejt atëherë. Në ndërkohë, do të ua shpjegoj edhe ni rast. Tani… në këtë kohë kam pasë edhe disa aktivitete për mu t’randsishme, erdhi edhe motra ime të studioj, kjo që ju takova sot, teknologjinë, një degë e teknikës, nji degë që nuk ishte, ishte shumë interesante dhe mjaft e vështirë. Unë kisha edhe përkujdesje ndaj motrës atëherë. Disa provime i kisha dhanë dhe fillonte viti i dytë, banoshim në konvikt.

Ni ditë kishim dalë të dyja të shëtisim dhe afër televizionit të Beogradit, në qendër të qytetit, për një moment na rrethon një bandë e djemve dhe unë që gjithnjë në çantë mbaja një piru, sepse kur shkojshim në menzë s’kishte piru ose lugë dhe unë mbaja pirunin. Ni pirun me dorëzen shumë të randë, i them motrës, “A din çka? Ti ik, ik edhe lajmëroje ni polic që jam e rrethume. Ik, ik prej rrethit, aunë luftoj me ta”, se kam ushtru edhe pak. Edhe e kisha një çantë të vogël t’kuqe edhe e nxjerr këtë, ishte muzg, edhe e nxjerr pirunin edhe t’drejten me t’thanë hera e parë edhe e fundit që kom sha shqip.

I kom sha ata dhe kur kam sha atëhere e kanë kuptu që jam shqiptare edhe kanë thanë, “Šiptarka je, beži!” [Shqiptare qenka, ik!] A din, Ubiće nas. [Do të na vras] se po i vizllon revolja n’dorë”, edhe janë shpërnda. Edhe motra ime nuk kishte pasë guxim, kishte mbetë disa metra ma atje t’u prit çka po ndodh, s’ka guxu me shku me m’lanë te ni polic a diçka, por ka mbetë tu prit çka po ndodhë. Edhe kur e ka pa që krejt u shpërndanë, “Çka bone?” “I shajta”. Eh domethanë, kjo ishte fuqia e fjalës sepse na njifshin si ni popull i egër se luftonim për jetë, e rrethune prej ni bande, qe qaq.

E spjegova se nuk ishte e lehtë të studiojsh jashtë, sado që kam kujtime t’bukura, nuk thashë që nuk kam. Për shembull, takimi me disa njerëz që sot janë figura t’rëndësishme, ni piktor që tani jeton në Francë, Berisha, babat tonë kishin qenë bashkë në burg dhe ne rasisht u njofëm t’u e përmend fëmininë. Dhe domethanë e mbaj në mend këtë shoqëri, jo shumë gjatë se ne sa u njofëm, por  e kam simpatike se vazhdon. Ndonjëherë kur shkoj në Francë m’kujtohet edhe kur dola kur shkova për herë t’parë, ai m’priti bashkë me burrin tim e i lumtur, qe për shembull kjo.

Ne formum një grup letrar dhe sidomos femrat, ishim më shumë femra dhe mbajtëm edhe orë letrare jemi pasë thirrë mysafir Stepčevićin edhe shkrimtarë, edhe ni shkrimtar që e ka shkru ni libër shumë interesant për došlaci [ardhacakët], qe tash s’po mkujtohet emri, e ka përkthy Esat Mekuli, libër shumë i rëndësishëm dhe i veçantë. Më vjen keq që nuk e mësojnë të rinjtë, ku flet për kolonizimin e Kosovës në kohë mas luftërave ballkanike. Sidomos për malazezët kur vijnë në Kosovë në rrethin e Deçanit, Gjakovës kur atyre n’fillim ju hapin një dhomë, ju marrin dhomat, e mandej ju marrin krejt shpinë e formohen edhe kolonitë e para të ardhacakëve kolonist, pra të Malit të Zi. Kjo përmes poemave të tij.

E kishim mysafir, sado që ishte pak i trembur, por kishim dhe ky aktivitet do të jetë i mirë. Unë, atëherë Radio Televizioni i Prishtinës ishte në Beograd, studion e kishte në Beograd dhe unë e kisha në konvikt një shoqe që studionte gjithashtu teknologjinë dhe ishte prej Mitrovice dhe e cila ishte femra e parë teknologe shqiptare. Dhe kisha dëshirë që t’boj një reportazh për të edhe e shkrova skenarin që ta bëj dikush tjetër, por skenarin dhe redaktori më tha, “Jo udhëhiqe vet”.

Aurela Kadriu: A kishe fillu me punu në atë kohë?

Flora Brovina: Jo, jo atëherë fillova.

Aurela Kadriu: N’cilin vit?

Flora Brovina: Po viti do me thanë ‘69-‘70.

Aurela Kadriu: E mandej a jeni zhvendosë në Kosovë?

Flora Brovina: Po, mandej, mandej kam ardhë këtu, edhe e bona këtë reportazh dhe pak e kishin shkurtu, por është repotazha e parë në televizion që e kam bo për femnën e parë teknologe shqiptare në Kosovë dhe Hafize Avdiu është kjo teknologia dhe ndjehem krenare për këtë reportazh sepse nuk e njohim. Lulet e para, domethanë, luleborat e para të shkencës tonë, kush ishte dhe se sa vështirë e kishte secila prej nesh që fillonte ni rrugëtim të parë. Reportazha m’kujtohet është inçizu në Batajnicë, aty e kam pa edhe ku ndodhet Batajnica. Atëherë nuk kishte poligon të ushtrisë, ma vonë është ba.

Thashë do t’njoh njerëz t’veçantë, në mesin e tyre do ta njoh edhe Ukshin Hotin, dhe i ruj kujtimet shumë të freskëta sado që kanë kalu 50 vjet për këtë njeri që është i madh, nuk e dishim që po njifeshim. E kisha njoftë njëherë me ni ballo të studentëve, po dukej shumë njeri mendjemadh dhe ishte një moment i veçantë kur një shok i imi m’thirri për shkak se, m’thirri t’shkoja në ballo edhe ishin 20 djem shqiptarë, veç une isha femër dhe aq ishin t’afërm djemtë, kjo ishte privilegji jonë. Aq ishin të afërt, aq ishin t’mirë, aq ishin t’bukur secili, saqë ra n’sy secili që kujdeseshin rreth meje, saqë ranë në sy edhe ato femrat në ballo shumë m’xhelozun.

Po vallzoja me njërin nga shokët, me Shpendin nuk e di me cilin edhe i ndëgjoj kur thonë, “Po kjo nuk është diçka e veçanta, pse krejt djemtë po sillen, djemtë ma t’bukur po sillen rreth saj”. Ata ishin veç vllaznit e mi, ata nuk e dishin këtë ndjenjen tonë të lidhshmërisë ,që ishim vllazën e motra. Nuk e kuptojshin, kujtojshin që t’gjithë po m’vardiseshin, “Jo nuk është e vërtetë”. Unë isha motra e tyre në mesin e gjithë atyre djemve, dhe na dy qeshëm, por e transmetum këtë te shokët e tjerë. Pra kto kënaqësi është zor t’i kuptojsh.

Me Ukshinin kishim bisedu për çështje shumë t’randsishme si ni, domethanë ma e reja më spjegonte se sa t’randësishme janë malet për ne. Të drejtën me të thanë, unë nuk pata dëshirë kur mora vesh që është një politikan, unë nuk pata dëshirë që t’flas me të, thashë, “Më fal, njëherë”. Më pëlqeu të bisedojmë, madej kur m’tregoi çka punon…. Erdhën disa shokë dhe kur na panë neve bashkë në rrugë, në rrugë ne u takum se e kisha taku në ballo dhe tani u takum në rrugë.

Në ndërkohë dy veta po kalonin edhe u ndalën të na flasin, ne ende s’ia dinim njëri tjetrit emrin dhe kush ishim, dhe njëri prej atyre kolegëve po na prezantonte shoku i vet dhe thotë, “Ky osht’ domethanë Ukshin Hoti, osht’ politikan punon në Këshillin Ekzekutiv Federativ”. Dhe kjo më mjaftoi që unë t’mos dëshiroj me fol më me të dhe mu më prezantoi, “Studente edhe poete kështu kështu” dhe tani ata shkun ne mbetëm dikush tjetër. Domethanë, na njoftoi dhe unë i thashë, “Ditën e mirë!” Tha, “Qysh ashtu? Ne ishim t’u bisedu”. I thashë, “Jo, nuk kam qejf asnjë fjalë me bisedu me politikan”.

E tregova këtë tregim për me tregu sa averzion kisha ndaj politikës, kurrë s’e kam besu që unë do t’merrem me politikë, asnihere kurrë. Jo averzion, por edhe nga prindërit e mi e kisha porosinë që  t’mos më ndodhë rastsisht të dashurohem me ndonjë djal të politikanit, as unë as motrat mia, e lëre ma tashti ta takojsh një politikan që po t’pëlqen. Ishte një figurë shumë imponuse për me t’pëlqy, por ishte politikan, thashë, “Nuk mundesh, ti nuk mundesh me qenë shok i imi sepse i urrej politikanët” dhe ai thotë, “Unë nuk jam dosido politikan, unë jam shkencëtar politikan”, “Jo,” thashë, “nuk vjen në konsiderim”. E thotë, “Unë do t’hakmerrem për atë që ti po mendon”, se ai e kishte pasë babën, unë nuk e kam ditë që e ka pasë babën njësoj të përsekutum. Kjo do të thotë, unë nuk isha hakmarrëse por nuk i doja, kjo ishte ngulitur diçka nga fëmijëria.

Mirëpo, më impononte dituria e këtij njeriu do t’flas dy tri fjalë për këtë njeri. Më impononte dituria e këtij njeriu që dinte shtatë, tetë gjuhë. Shtatë, tetë gjuhë s’kom pa naj njeri që din ma shumë, i cili ishte i vetëdishëm për njohuritë e veta dhe ishte i guximshëm me u shpreh, i cili dinte edhe të qanë. Kur është diçka shumë delikate dinte edhe të qanë edhe të duron kur ti diçka e kundërshton ose i thu, je ma e vrazhdë. I cili aq shumë edhe atëherë foli për… m’foli për popullin tonë dhe për malet të cilat… unë natyrën e du shumë, por malet nuk i njifsha qaq shumë që e meritojnë ekzistencën tonë. Thotë, “Malet gjithnjë na kanë mbrojtë vërtetë se ku të fshiheshim”.

Libri im “Stinë Jargovanësh” e ka gati kuptimin e kësaj, sepse dikush mendon se ai po i përngjanë poezisë. Jo, në “Stinë Jargovanësh” kam dashtë me thanë që çdo pranverë kur çelin jargovanët që është muaji prill dhe maj, malet janë të përgaditura për me i prit luftetarët dhe ne do t’bohemi gati se liria nuk fitohet ndryshe me këtë. Këtë mësim e kam marr prej atij, jo e kam ditë ndoshta edhe prej prindëve t’mi, por për malet kemi fol veç me të. Gjithashtu edhe letërsi dinte shumë, ai i njifte shkrimtarët ma t’njoftun origjinal, për shembull kishte mas disa kohësh kishte arritë që t’mi përkthen poezitë origjinal, kur kuptoi që m’pëlqejnë të Pablo Nerudës. Fatkeqësisht nuk i kam sepse ia kam kthy atij, ia kam kthy e ai në….

Ndërkohë një ditë, unë kisha frikë qëndrimin tim ma tutje atje, se m’dukej që mund ta humb rrugën në oborrin tim. Prandaj, vendosa të kthehem, dy arsye ishin që t’kthehem: e para ishte që profesorët e Beogradit po vinin këtu në Fakultetin e Mjeksisë po mbanin mësimet dhe nuk kisha nevojë me nejt në Beograd, nuk kisha as kushtet; e dyta, kisha vendosë t’mos sfidohem nga ky takim që m’u impononte që e spjegova, prandaj të iki prej kësaj situate që mund të pëson edhe mjeksia.

Pjesa e Katërt

Flora Brovina: Atëhere, e tregova… domethënë e shtrova çështjen që do të kthehem. Askush s’e besonte që kam forcë të kthehem, sepse ta kryjsh fakulltetin në Beograd sikur më e madhe se një fakulltet që sapo hapeshte. Po synimi im ishte diçka tjetër, ishte bota krijuese, ishte prindët, të gjindem këtu. Dhe një synim i imi gjithë i përhershëm, që deri me një moshë, i kreva studimet, s’i kreva, unë duhet ta krijoj pavarësinë time ekonomike. Që do të thotë, se duhet të punoj. Limiti i kësaj moshe, ishte mosha 23 vjeç. S’ka rëndësi çka punoj, por diçka do të punoj. Mësuse, të jap mësim dikun ose në fshat ose kudoqoftë. Kisha edhe profesione tjera që m’kishte ushtru gjyshja (kollitet) edhe erdha.

Spjegova që nuk e kisha lehtë. Kisha humbur shokët, shoqet sepse ata po studionin diçka tjetër, kish një distancë më shumë se një vjet që nuk i kisha pa dhe ndihesha shumë e vetmume. Më kujthet një pjesë të kohës e kom kalu… atëhere e bleva motorin, e bleva motorin me paret që fitova në televizion, e m’i shtoi edhe baba. Baba ma dha propozimin për motorin edhe e kisha shok shumë të ngushtë. Ma plotësonte krejt çka më mungonte.

Tani ku është kjo qendra, platoja e bustës të Skenderbeut dhe amfiteatri, aty ishte një ambient i përshtatshëm, reklamat e filmit a diçka. E lija motorin aty dhe ulesha te shkallët e teatrit dhe bleja misra dhe hajsha. Kjo ishte knaqësia ime, kështu, e mbasditeve. Nuk kisha shokë e shoqe. Ata posedojshin shkenca teknike shumica dhe disi m’humbën. Ndërsa ende s’kisha formu shoqni me studentët e mjekësisë. Madje m’shifshin pak më njëfar syni, “Ja kjo ka ardhë prej Beogradit…” A din, ata vetëknaqëshin me t’arriturat deri aty. Dhe unë nuk ndihesha mirë.

Në ndërkohë, domethënë ndodhi edhe diçka shumë e madhe për kombin tonë. Është ardhja e ekipeve të mjekëve profesorë nga Tirana. Është viti ‘73, domethënë në vitin e tretë i kemi pasë profesorët nga Tirana. Edhe kjo ishte një knaqësi e veçantë. Edhe orët e… atë javë mësonim prej mëngjesit deri në mbramje dhe privilegji im ishte që unë isha me motorin, sepse kjo ishte përparësi.

Në ndërkohë do të njifem me burrin tim, një student i dalluar i Fakultetit Ekonomik. Dhe i cili, si ndoshta rrallë ndonjë student tjetër, s’kom dëgju, duhet të ketë por unë s’kom dëgju, e kreu me dhjetëshe për tre vjet fakultetin. Ishte i bukur, vajzat e pëlqenin. Nuk ishte tipi im (buzeqeshë), por u mësova me të dhe e bona një shok shumë t’mirë, i cili edhe sot më mungon shumë.

Ai ishte shkrimtar, shkrunte, punonte në “Botën e Re”. Dhe unë mendoja se është ndonjë shkrimtar prej Shqipërisë, sepse tema ishte shumë jashta moshës t’tij, edhe une e besojsha që ai është. Kur i tregova se edhe unë shkruaj, ai ishte nga Dibra dhe nuk kishte njohuri për mu, se po t’ishte nga Prishtina m’dinte që shkruj. Dhe i tregova se shkruj dhe kam disa çmime këtu në Kosovë dhe ia tregova fletorën me poezitë e mia, ai bëni kështu {kalon faqet e fletorës shpejtë}. M’kujtohet, dhe mu m’erdhi shumë zor. Unë gjithnjë sfidohem kur dikush bëhet, s’të përfillë… edhe atëhere vendosa me u bë poete.

Brenda një jave ose dy, i ruj të gjithë ato gazeta, brenda një jave ose dy, unë krejt çka kisha i kopjova edhe i futa nëpër zarfa. Dhe të gjithë ato zarfa i dorëzova në redaksi të ndryshme. Për shembll, “Rilindje”, “Zëri”, “Bota Sot”, e kështu brenda… Dhe ky e blente gazetën e shifte emrin tem. Dhe tani i pëlqente ajo poezi që ma kishte bë, “S’më pëlqyekan”. Ai mu kështu ma boni, e boni kështu, hiç s’e lexoi veç e ktheu.

Pse po e spjegoj këtë? Sepse në këtë kohë kur unë fillova të merrem me poezitë, kur vendosa se kisha frikë shumë të bëhesha poete, sikur edhe mjeke, sepse mendoja që letërsia don një përkushtim të veçantë, don një seriozitet. Për mu shkrimtarët ishin koka e kombit, sikur Samiu [Frashëri], Naimi [Frashëri]. Tash si unë t’hy bash n’qatë grumbull? Jo. Në qoftë se ia fllojë për t’u tallë, atëhere s’ka nevojë të tallem.

Edhe m’kujtohet Edi Shukriun e kisha shoqe dhe ishim bashkë në Beograd. Kur ajo po përgadiste përmbledhjen e poezive dhe i kishte krejt faqet dhe i unë i them, “Një pytje, a ke frikë që ke vendosë me bo libër?” Ajo thotë, “Pse t’kem frikë?” I thashë, “Po poezia shqipe na meriton të tërën. A do të i kushtohesh tash poezisë a shkencës?” Nuk e kuptoi frikën time. Dhe tani unë, për inat të këtij djali që do ta kem ma vonë burrë, unë vendosa me bo librin.

Edhe është libri im i parë që u botu në vitin ‘73. Tashti ishte një kënaqësi, sado që… unë kur e kom marrë librin e parë në dorë kom fillu me qajtë, se m’u ka dukë që ka vyjtë një seriozitet ma i madh për librin e parë, nuk m’ka pëlqy.

Aurela Kadriu: A ka ndonjë poezi që e mbani n’mend?

Flora Brovina: Po, ka. Po, do të iu tregoj edhe librin më vonë. Edhe kjo është koha e studimeve, shumë e vështirë, por shumë e randësishme për mu, sepse u përqendrova që landët t’i mësoj, jo të studioj ta kryj shpejtë e shpejtë, por të studioj. Ndoshta ta përmend në një provim që kam… për shembull, unë për t’hi në provim në neuropsikiatri, që më pëlqente shumë shumë, kom lexu edhe krejt Frojdin, bibloteken e Frojdit e kom, e kom lexu Fromin. Nuk kom shku dosido. Për shembull, për me shku në provim të gjinekologjise që e kom mësu nantë mujë landën, kom lexu edhe serbisht edhe librat e Shqipërisë, edhe…. Mirëpo ishte një zakon, “Këtë që them unë, jo ti të zgjerohesh, se s’ke nevojë si student të zgjerohesh”. Dhe për këtë m’vinte si pakuptim.

Edhe njëhere e përsërisë, ka qenë kënaqësi e veçantë ta kesh profesor Musa Haxhiun, një profesor i kalibrit shumë t’lartë. Dhe t’jesh gazetare domethënë dhe t’kesh mesazhe shumë t’veçanta. Jam shumë krenare për një punë timen në gazetari. S’pari, unë tregova edhe dje kur po bisedonim se u pranova në një grup, në një konkurencë shumë t’madhe, prej njëqind kandidatësh u pranum shtatë a tetë persona si gazetarë. Sepse tani konkurova që t’jem gazetare, për shkak se desha ta mbaj vetëvetën edhe s’dyti deshta me tregu që mu nuk m’i shkrun kërkush poezitë, po i shkruj vetë. Sepse ishte moda që burrat me emra femra dilnin në opinion sikur po i shkrun një femër. Dhe kjo nuk më pëlqente.

Aurela Kadriu: Pse?

Flora Brovina: Se femrat ma pak e shprehnin ndjenjën e vet përmes poezisë ose prozës. Ishin emra të rrallë, dhe burrat këtë hapësirë e shfrytëzonin për ti ndihmu ndonjë emri që ashtu mbeten emra anonim. Dhe mu m’pengonte tani që shokun tim më t’cilin po shoqërohesha e kisha gjithashtu autor. Dhe desha ta dëshmoj që unë i bëja vet dhe prandej hyna n’gazetari.

Kur pranova ka qenë ky redaktori i Republikës së Jashtme… Republikës së Mbrendshme, t’cilin e morra… kur m’lajmërun që jom pranu une shkova në redaksinë e “Rilindjes” dhe thashë, “Një pytje e kam dhe duhet ta zgjidhë, a jam pranu pse jam femër? A jom pranu se kom ditë pytjet që i keni parashtru? Sepse duhet t’vendosë a t’vi a mos t’vi”. Tha, “Mund t’i shofish përgjigjjet, ti je e dyta që i ke plotësu ma mirë… domethënë para teje vetëm Jusuf Gërvalla i ka plotëu ma mirë pytjet, dhe ti ke fitu e dyta. Nëse nuk beson eja kontrolloje vet”. Se thojsha në qoftë se jam pranu se jam femër, unë nuk vi, se s’kom kohë të mësoj tani gazetari kur studioj mjekësinë. Ishte shumë e rrallë që të studiosh dhe të punosh.

E desha përnjiherë gazetarinë si një profesion shumë t’bukur. Edhe sot e respektoj shumë, sado që ndryshon profesioni i gazetarisë në kohën time me këtë tash. Gazetarët ishin ma t’respektum dhe kishin ma shumë sfida politike. Duheshe me notu në një situatë jo t’sigurtë. Rubrikën që përcillsha ish shumë e afërt me profesionin, pra shëndetësi dhe çështje sociale. Njëhere më thirri dekani i fakultetit që ishte edhe profesori im, Musa Haxhiu, dhe m’tha, na thirri krejt gazetarëve, por na tha se do të vjen, Kongresi i Stomatologëve të Jugosllavisë do të mbahet në Kosovë.

Dhe masi që e ndëgjum këtë lajm ai kërkoj që të ndalëm, dhe m’tha, “A din çka? A ta bojmë një ekip na dytë? Ti do të shkrujsh, ti e din vetë çka bon, dhe ta afirmojmë që në Kosovë ka nevojë për hapjen e Fakultetit të Stomatologjisë. Tashti ti si gazetare e din çka bon”. E morra këtë detyrë pa qenë e sigurt për suksesin, domethënë pa qenë e sigurtë se a do t’ia dal, por me shumë vullnet që ta ndërtojë strategjinë. Tani në gazetën e kësaj kohe çdo faqë so të përcjellë me kërkesën për Stomatologji. Për shembull, m’kujtohet në Podujevë kaq banorë, asnjë stomatolog, në Prishtinë kaq banorë, kaq, kaq… për shembull tjetrën e afirmuam, çështjen gjysma: viti i parë dhe i dytë janë identik me Fakultetin e Mjekësisë. Pra s’ka nevojë për investime në kuadro.

Atëhere kur u hap Fakulteti i Mjekësisë në Kosovë nuk kishte as një doktor shkence. Ndoshta ka qenë Musa, por nuk kishte ose doktor Imami. Ndërsa tani ishte një mjek dotor shkence që e plotësonte kushtin që të hapet Fakuteti i Stomatologjisë. Dhe në këtë, u majt takimi i personelit mjekësorë dhe sektretarë quheshin atëhere për çështje shëndetësore. Dhe në këtë takim doli edhe profesor Musa foli, edhe sekretari, domethënë ministri për shëndetësi, se ne si krahinë nuk kishim të drejtë të kishim ministër, po sekretar. Ai doli dhe tha, “Po s’mujmë na me hapë fakultet sepse është harxhim, jonë këto, ato…”

Dhe profesor Musa kur doli në tribunë vetëm m’pa dhe unë e dija që tani fjalët e tija  do të i shënoja në gazetë, jo këto, “Mujmë, s’mujmë…” Po do të mujmë! Dhe ashtu doli lajmi. Domethënë në takimin professional që u mbajtë, ku ishte prezent edhe sektretari u tha se, “Kemi kuadro që ta hapin Fakultetin e Stomatologjisë, se kjo gjysma e landëve…” Edhe një takim tjetër që ndodhi me mysafirët që erdhën në kongres, e bam një lojë sepse një ekip që shkoi u taku me Ilaz Kurteshin, kryetari i kuvendit, kuvendit të Kosovës, ata… Përveç tjerash u bisedu, profesor Musa foli për nevojën e hapjës së fakultetit. Kryetari i kuvendit nuk tha diçka t’veçantë, por unë e shkrujta artikullin masdite dhe e dorëzova, dhe i thashë redaktorit, “A din çka? Këtu është një rrenë. Në këtë lajmë ka një rrenë, domethënë një të pavërtetë”.

Titullin e mbante “Kosova…” jo, “Në Kosovë duhet të hapet Fakulteti i Stomatologjisë”, tha Ilaz Kurteshi. S’tha, por as nuk tha jo as po. Edhe unë thashë që tha. I thom une redaktorit, “A din çka? Nëqoftëse dikush dënohet për qet lajm, që po m’duket e ka një të vërtetë, atëhere le të dënohem unë, jo ti. Unë e mbaj peshën, e marr përsipër. Përjashtom prej punës edhe hajt”. Atij i pëlqeu lajmi edhe e qiti. Edhe Ilaz Kurteshi ishte, më vonë u bë luftëtar për m’u hapë fakulteti. Kom qenë shumë e lumtun, shumë e lumtun kur u hap fakulteti.

Edhe rishtazi e kam kuptu rolin e gazetarit për ta nxitë një proces të randësishëm për vendin, por edhe për ta shembur një proces që s’ka nevojë. Për shembull kom përcjellë me vëmendje fushatën e debateve, dabeteve shterpe dhe shumë negative. Edhe formuan opinion negative te populli për të zgjedhurit e tyre dhe për subjektet politike pa qenë nevoja. Sepse gjysëm të dijshëm ishin ata që komentojshin dhe nuk komentojshin qysh duhet. Prandaj them t’jesh opinionist, t’jesh ai që e ndryshon situatën për të mirë, duhesh me qenë pak ma ndryshe. Duhesh me qenë ekip edhe me ditë ku je nisë, edhe çka po don, pse duhesh me kritiku diçkafin ose jo.

Dhe sot Kosova ka stomatologë, por i mungon politika e mirëfillët shëndetësore dhe sidomos politka e preventivës stomatologjike. Përgaditja domethënë e fëmijëve, edukimi i higjienës së gojës që fillon si higjiena elementare, sot i mungon. Pra edhe tash kemi nevoja të mirëfillta në stomatologji, edhe pse fakulteti qe ku është edhe ndoshta njerëz ka pa punë. S’e besoj që ka, stomatologët s’ka nevojë me qenë pa punë, por po them, për shembull. Kështu që, ja kjo ishte puna që po bëja.

Ndonjëherë merrsha edhe kritika të rrepta prej profesorëve t’mi kur unë e kritikoja shëndetësinë. Sepse si i ri je shumë kritik edhe i sheh sendet. Kom ditë me kujdestaru në klinikat e ndryshme. Tanë kohën, qoftë me komunikimin e njerëzve që rrinin pranë derës dhe pacientët që prisnin lajme, thu se jonë ata t’burgosur, e jo pacientë. Dhe për higjienën që edhe sot është aktuale, për higjienën në klinika. Dhe nga profesorët e mi shumë t’respektum, kom pasë dhe kritika me gisht, “Do të vish deri te provimi im, do të vish!” Dhe përgjigjja ime, “Po, do të vi. Por besoj që kriter do të jetë dija, jo artikulli im në gazetë”. Përkundrazi, ndonjëherë m’ka ndodhë që ka qenë edhe kjo e dyta (buzëqeshë).  Dhe kom vujatur mjaft.

Deri te diplomimi, jo nga gazetaria por në përfundimin e studimeve, sepse si absolvente u martova, u bëra dhe nënë, dhe i’u përkushtova shumë familjes. Familjes së gjerë, që nuk është sot karakteristikë, domethënë kisha dëshirë që familja e burrit tim ta këtë shancën, kunetët e mij ose edhe dikush të afërmit, ta kenë shancën e shkollimit. Ata vinin nga Dibra, dhe në Dibër, une e dashuroja këtë qytet, para se ta njoh burrin. Dhe u bëra një nuse e përkushtuar për familjen. Dhe jam krenare për këtë, hiç nuk m’vjen keq që si absolvente i kam zgjatë studimet, sepse kujtoj që ia vlenë. Familja ia vlenë për çdo sakrificë.

Aurela Kadriu: Qysh i keni ndihmu me studiu?

Flora Brovina: Po, ata kanë jetu me neve dhe unë kam punu gazetare. Dhe s’kom pasë forcë fizike ose një skutë s’e kom gjetë që t’kujdesem edhe për fëmijun, edhe për ushqimin, edhe për veshëmbathjen, edhe për kujdesin ndaj tyre. Sepse kemi jetu në një banesë ma t’ngushtë, s’kom pasë mundësi. Edhe kur këto jonë kry, atëhere, kur ata pak a shumë i kanë kry ato punët e veta edhe kanë fillu me shku në shtëpi ose fëmija pak është rritë… Uraniku ka qenë, ky djali im i madh ka qenë dy-tre vjeç kur unë i kom përfundu studimet.

Aurela Kadriu: Në cilin vit keni diplomu?

Flora Brovina: ‘81.

Aurela KAadriu: E në televizion prej cilit vit deri në cilin keni punu?

Flora Brovina: Jo, s’kom punu në televizion. Në “Rilindje”.

Aurela Kadriu: Po mendoj në “Rilindje”, m’fal se u ngatërrova…

Flora Brovina: Prej ‘73 deri ‘81.

Aurela Kadriu: E qysh të gjeti ‘81-shin?

Flora Brovina: Viti ‘81 m’ka gjetë në rrugë si gazetare (buzëqeshë). Realisht demostratat kishin fillu në mbramje, në shtëpi isha vetëm dhe… E shprehi këtë përmes poezisë, e kam poezinë “Viti ‘81”, një poezi që ka hy në antologjinë e shkrimtarëve të Europës, e botume në Amerikë. Dhe osht’ koha kur ndalën tanket në rrugë, një situatë shumë e vështirë ku unë nuk mund të jem indiferente si mjeke edhe dal iu ndihmoj të plagosurve. Dhe kur fëmiju im ishte në çerdhe dhe ne sapo, s’kishte shumë kohë që ishim kthy, verën, në verë….

Domethënë ne disa muaj përpara kishim qenë në Shqipëri dhe djali im dinte shumë poezi të bukra për Shqipërinë. Edhe mësuesja e çerdhes kishte pasë shumë frikë mos po… kishin hy policët në çerdhe, këtu te udhërkryqi te menza, para Institutit Albanologjik ajo çerdhja e madhe. Dhe ajo frigohet për këtë fëmijë, mos ky nuk din edhe nuk din të mbrohet me këto poezitë e veta edhe unë shkoj ta marr fëmiun. Studentët ishin të ndarë, dhe kur une e shpërthej kordonin e policisë thom, “Nuk mund të më pengoni se fëmiun shkoj ta marrë”. Kur u shpërthy kordoni atëherë studentët u bashkuan njëri me tjetrin dhe e formuan kolonën e madhe.

Mandej e çoj fëmiun te shtëpia jonë, banesat në “Aktash” osht’ në rrugën, shumë të larta, rrokaqiej, ishte kati i shtatë. E çoj djalin te shtëpia dhe bashkë më kunatin tim, ata mbesin se unë kisha një detyrë në spital si gazetare. Dhe fillojnë me gjujtë policia gaz lotësjellësh. Edhe ndëgjoj zërin thotë, “Mos ma vritni nanën! Mos ma vritni nanën!” Bërtet, djali, ai e ka zanin pak ma t’lartë. Njëkohësisht isha shtatëzanë me djalin tjetër. Ai do të lind në tetor, këto kanë ndodhë në mars, ai do të lind në në tetor.

Pra isha shtatëzanë dhe kisha shumë frikë për fëmiun tim, isha para abortit dhe jashtëzakonisht kom pasë frikë, se kom pasë edhe probleme për me mbetë shtatëzanë. Kjo është situate që kurrë s’mund ta harroj, por është edhe diçka që më shtyni. Unë isha dashuru në gazetari, dhe mendoja tash si mjeke. Unë kisha diplomu ma herët, por nuk kaloja në profesion. Se dojsha ta shfrytëzoja profesionin e gazetarës ta lindë edhe fëmijun e dytë, se është ma lehtë, se është pak vështirë t’ia fillosh menjëherë mjeke dhe të kesh pushim mjekësor.

Dhe në ndërkohë po mendoja, m’vinte keq me lanë, shumë m’vinte keq. Dhe mendoja që do të punoj mjeke në “Rilindje”, domethënë mjeke e Mjekësisë së Punës. E di tash atë ndërtesën e qeverisë, krejt tullë për tullë si është ndërtu se ndahej edhe nga të ardhurat tona mater… domethënë për t’u ndërtu ajo. Dhe unë sidomos edhe shifsha edhe atë kthinën, qe sot jonë zyret e 21-shit, ku ishte ordinanca e Mjekësisë së Punës. Sepse është një profesion ku punohej me ato maqinat me plumb e sende edhe m’pëlqente ajo. Por kur shpallën konkurs për mjek të punës, dhe unë isha e diplomume, domethënë në të ‘80-tën, isha e diplomume, atëhere m’thojnë…. “Ne…” Unë thashë, “Po mirë, unë mund të punoj”. Tha, “Jo, lypim mjekët specialist”. Thashë, “Po unë krejt studimet i kreva pa bursë, i kreva pa ndihmë, duke punu që asnjë student tjetër s’ka punu kështu, edhe tashti po kërkoni që edhe specializimin ta kryj pa asnjë ndihmesë? Jo”.

Atëhere u idhnova. Po s’ishte kjo që fillova punën, por ishin demostratat e prillit, në prill kur u bo… puntorët e Trepçës hynë. Dhe ishin edhe kunetët e mi andej-këndej nëpër protesta të studentëve. Dhe u vranë disa studentë aty mbas, në udhëkryq mbas kuvendit, në një udhëkryq ku ëshët ajo, afër Shtëpisë së Shëndetit, është përmendorja aty. Edhe ishte prill, 4 prilli kur unë e morra djalin tim, Uranikun, dhe ai kur i shifte policët ju brtitke, “Fashista!” Ishte shumë rrezik.

Aurela Kadriu: Sa vjet i ka pasë?

Flora Brovina: Katër. Edhe shkum, edhe këputa beharin e parë, unë e këputa dhe i thom, “Uranik,” atje ishte pellgu i gjakut, ishte shtëpia e mallnave ajo ndërtesa, dhe i thom, “Hudhe këtu ti përshendesim dëshmorët”. Kjo m’la përshtypje shumë. Isha në rrezik për abort, thashë. Kur shkova te mjeku krejt ishin serbë. Dhe njena nuk deshti me m’shiqu. Atëhere unë u revoltova shumë edhe i thashë një mjekut shqipëtar, “Ty s’të vjen turp? Qysh silleni kështu?” Domethënë isha shumë në gjendje të keqe. Dhe i thashë asaj mjekës, i thashë, “Kqyre, nesër unë do të jem kolegia juj”.

Vendosa që domosdo të hyj të punoj aty bashkë me këtë mjekën. Konkurs kishin shpallë për disa sektore edhe m’thote drjetori, m’thotë, “Merre pediatrinë”. Unë e morra pediatrinë dhe jam shumë e lumtur, kurrë s’kam mendu që do të bëhem pediatër. Jam e lumtur që e kom marrë sepse pacienti ma… domethënë që t’jep shancën me tregu aftësinë tande është fëmiu. Edhe suksesin e sheh menjëhere, sepse reagon shpejtë dhe ti atë s’mundesh me pytë, “Ku po t’dhemb? E si po t’dhem?” Sepse është i vogël dhe nuk din me tregu. Ai qanë, po kur i heket loti fëmiut është dhuratë e madhe për mjekun.

Edhe arrita për një kohë t’i përkushtohem fëmijëve edhe m’duket që kjo m’dha një forcë, një lumturi se ia qëllova. Edhe ma nuk e lypa ato dy, dy zgjedhjet tjera që ishte neuropsikiatria dhe…. Do të iu tregoj, se dje i thashë drejtorit të neuropsikiatrisë, thashë, “Unë shumë e kom deshtë neuropsikiatrinë edhe sot e du”. Mirëpo jam, momenti kur kom vendosë mos me marrë është kur kom pa, ishte viti ‘81, kur shumë nga njerëzit që po ndiqeshin nga policia gjenin ndonjë strehë se ishin të malltretuar, gjenin strehë në neuropsikiatri. Dhe mjekët neuropsikiatër ishin shumë pak të mundshme me ju dhanë, shumë pak. Dhe atëhere e pashë se ajo është një shkencë ku, thoj… në mjekësi thojnë, “Ma t’mençur mjekë jonë neuropsikiatrit, që ma s’pakti mujnë me ju ndihmu të sëmurëve. Ndërsa më pak dijnë kirurgët, të cilët ma s’shumti ju ndihmojnë.”

E kirurgjija gjithashtu m’shkonte shumë, shumë. Doktor Gazmend Zajmi… Gazmend Shaqiri m’thoshte, “Pse s’e merr kirurgjinë?” Mu edhe shoqës time, Teuta Dodës, “Pse s’e merrni kirurgjinë? Të jeni të parat femra kirurge?” Dhe unë isha feju, isha e fejuar dhe i them, “A din çka profesor, po m’duhet shpesh me heke unazën e po kom frikë po m’humbë”. Simbolikisht, domethënë nuk mund të i përkushtohem ditë e natë kirurgjisë, sepse është një botë tjetër kur harron që ke shtëpi dhe ke burrë edhe fëmijë. E duhet të i përkushtohesh dhe kjo… nuk mund të i përkushtohesha e tillë. Aq më tepër që unë isha një shpirt poetik edhe nuk mund të i përkushtohesha pra. M’shkonte shumë.

Shpeshë herë profesorët e mi m’lishin ta përfundoj operacionin, domethënë në mbylljen e fundit. Madje m’shkonte ky zanat shumë i… një zanat, përveç se shkencë edhe zanat, ku… zanatin thonë e vjedhë edhe me sy. Pa e ditë fare ai, kisha vjedhë mjekun që qepte mas, ma mirë se të gjithë të tjerët, sepse kishte kry specializimin në Gjermani. Ky ishte doktor Bujar Bukoshi. E qepte, jo si qepet, por me të kthyme të penit. Dhe kom ushtru në jastëk deri sa e kom mësu të qepnën me… mos m’u pa fare, fare, domethënë përputhen dy buzët e prera dhe nuk shifet fare peni që ke qepë.

Ai ka qenë mendjemadh, një mjek shumë i vetëknaqur me veten, por unë si studente msheftas, pa më vërejtë hiç, me orë të tëra e shihja t’u qepë. Jashta edhe sallës, domethënë në xham por e përcjellja. Dhe i kom tregu mandej që i’a kom vjedhë zanatin atij. Kjo më ka ndihmu ma vonë, ma vonë kur u mbyllën, kur m’përjashtuan prej punës, kur…

Aurela Kadriu: N’cilin vit ju përjashtuan?

Flora Brovina: Më përjashtuan në të ‘90-tën.

Aurela Kadriu: Qysh?

Flora Brovina: Qysh (buzëqeshë)…

Aurela Kadriu: Konteksti…

Flora Brovina: Situata… jo, ka… para se ta përfundoj këtu do të them në vitin ‘85, ‘86 fitova të drejtën e specializimit se nuk ishte e mundur menjëhere sa ta kryjsh fakultetin, ishte një vit stazh, mandej disa vite pune, nuk na jepnin neve shqiptarëve, kishim dretoreshën sërbe. Ajo bënte shumë presion edhe ishte një kohë e keqe politike. Kishte fillu shumë m’u shfaq një situate që neve, për neve e panjoftun.

Pjesa e Pestë

Flora Brovina: Ishin disa shoqe që morën specializimin e pediatrisë dhe ishte kënaqësi që t’jemi bashkë dhe t’fillojmë specializimin në Klinikën Pediatrike dhe të mësojmë ndryshe nga koha kur kishim qenë studentë sidomos në praktikë. Mirëpo, të gjitha kishin vendosë të shkojnë edhe t’vazhdojnë specializimin në Zagreb. Atje përveçse specializimit që zgjaste katër vjet do t’kryjmë… do t’kryj personalisht për veten po flas, do t’kryej edhe studimet posdiplomike, jo që m’nevojiteshin diçka por doja t’i thelloj studimet, studimet në shkencën të cilën po merresha praktikisht. Ishte vit shumë i vështirë, në ‘86-tën shkum edhe u ktheva në vitin ‘90-të.

Në shtëpi kisha lanë burrin, dy fëmitë, vetëm. Kujdesi i familjes, vjehrra dhe motra e burrit thanë, “Unë nuk du t’bregosem për fëmijët sepse kam dhanë shumë për familjen dhe tani duan t’ma shpërblejnë me kujdesin ndaj fëmijëve”. Realisht unë kisha edhe familjen, babën, nanën, motrat e mia që kujdeseshin për fëmijtë, por t’shkojsh me ni brengë, aq shumë kliometra të udhëtojsh me trenin Akropolis, tanë kohën nuk të zë gjumi i qetë që i ke lanë fëmitë.

Nihere kam dëgju për disa shkrimtarë që konkretisht m’kanë pa mu edhe shoqët e mia duke udhëtu për mësimnxanje, sa ma t’madhe për t’qenë sa ma t’ditur për me ia kthy këtij populli, kur na kanë pa tu udhëtu në dimër, borë edhe fëmitë atje te peroni në Fushë Kosovë kanë pasë ni emocion t’veçantë. Sepse ishim si ni çetë që don ta ndryshon shëndetësinë, don të bën diçka për Fakultetin e Mjeksisë, ishim gjeneratë e parë e Fakultetit të Mjeksisë dhe kishim ambicie shumë. Shpesh here me shoqe na zinte nata t’u bo plane se kur ktheheshim do ta bëjmë këtë, do ta bëjmë këtë.

Atje hasëm në një mikëpritje shumë t’mirë, por edhe konkurencë dhe dolëm konkurent. Nuk ishim kokë ulura sepse kur po udhëtonim profesori jonë i peditarisë na tha, “Ju po udhëtoni në Zagreb por do të ndjeheni si kokërrmeli, të vogla” dhe nuk ndodhi kshtu. Përkundrazi, atje zumë shoqni me mjektë e rij që ishin në specializim. Më kujtohet ni shoqe e imja kishte hobi pikturën, ishte piktore përveç mjeke dhe ajo kërkoi që unë ta hap ekspozitën e saj të pikturave. Pra, më pranoi në shoqëri dhe gjithashtu u shoqërum me asistentët, me profesorët sepse ata panë se ne nuk shkojmë vetëm për të studiu, ne e konsumonim edhe jetën e Zagrebit. Unë atje takova shkrimtarët, shkonim në orë letrare, shkonim n’teatër, në ekspozita të ndryshme, kështu që i morëm gjithçka Zagrebit që mundet me na dhanë për kto katër vjet.

Por e kishim vështirë të shofim kopshtet e fëmijëve, parqet, secila prej nesh kishim fëmijë dhe mandej vazhdonim me orë të tana i lenim librat dhe flitshim për fëmijë. Fëmijët tanë pësuan, domosdo që pësuan madje e kisha vështirë edhe të bisedoj me telefon, sepse kur më thoshin, “Nanë, me serbët po luajmë, po luajmë lojë futbolli” e dija se në Kosovë ekziston kjo, ni vendim, se nëqoftëse zihen fëmijët do të ndëshkohen prindërit. “Mos luni ashtu,” prej atjehit, “po luni vet me veti. Mos luni me ata se dojnë ta ndëshkojnë babin nëse ziheni”. “Po ata na thirrën dhe ne si t’themi t’mos lujm” e kjo ishte shumë rrënqethëse. Mirëpo, shkencës iu rrokëm shumë.

M’kujtohet kur niherë erdhi burri im të më vizitonte dhe unë ndodhesha në repartin e Onkologjisë, Makologjisë dhe Onkologjisë, në katet e epërme ishte në spital dhe kisha ni vajzë në prag të domethanë vdekjes dhe aq e desha shumë saqë isha krejt e hutume. M’thanë që po t’pret burri po unë isha hutu edhe kur dola ajo vdiq, por unë desha t’i them edhe prindërve se vdiq, s’kisha ma se si ndryshe. Edhe sot i kujtoj ata pacientë, secilin veç e veç në çfarëdo reparti. Dhe ndonjëherë prej të sëmurave një vajzë nga Spliti m’pyste, e kishte kamën e amputune edhe ishte shumë e bukur floktë e ramë edhe unë i spjegojsha se floktë edhe rritën, kama nuk rritet edhe ajo thoshte, “Po mirë unë kur t’rritem edhe pak, a mund ta mësoj gjuhën shqipe dhe të bëhem spikere në gjuhën e juj?” Dhe i thosha, “Po mundesh dhe unë t’marrë n’shpinë time dhe mësojmë bashkë”.

Po du me thanë, me fëmijët lehtë e lun lojën edhe mundesh me ia u ofru shpresën për nesër se edhe ata ta ofrojnë ty. Ishte kënaqësi e veçantë me u njoftë me qytetartë e Kosovës ose shqiptarët që kahere kishin shku atje jetonin në Zagreb ose kudo tjetër në Kroaci, që ndiheshin qytetarë t’barabartë, ma mirë e kishin pozitën. Në mesin e tyre ishte ni njeri që kishte ambëltore, quhet ambëltorja “Zagreb” dhe e cila me produktin e vet dietetik, sepse pa sheqer me produkte tjera kishte, ishte zgjedhë si ëmbëlsira më e mirë torta e tij. Një tortë e thjeshtë me çokollatë, por shumë e mirë.

Dhe ne i shkonim atje dhe kur na dëgjoi që ishim pesë, gjashtë shoqe që ishim të gjitha gra dhe kujdeseshim shumë për dukjen tonë sepse dojshim me lanë përshtypje dhe kur na dëgjoi t’u fol tha, “A mund t’ulem me juve?” Dhe kuptoi që po studiojmë, tha, “A din çka? Mjaft kemi qenë shqiptarë dhe shyqyr Zotit u bomë jahudi” i erdhi se jemi bo një popull i cili e ka ambicie shkencën dhe përkrahjen e njëri tjetrit. Ajo që m’pëlqente atëherë ishte se shqiptarët sidomos nga Maqedonia e përkrahnin shumë njëri tjetrin në zanate. Për shembull, burektore ose kur shkonim në pijacë për të blerë pemë, ne flisnim shqip se të gjithë shitësit ishin shqiptarë, ëmbëltoret ishin të gjitha shqiptarë, restaurantet edhe ndoshta për tallje flisnim shqip. Por, ajo që m’pëlqeu që nëse vinte dikush i ri këta i jepnin një investim dhe ai mund të dështonte një herë por jo dy herë, domethanë, obligohej moralisht që të fiton dhe të fillojë të punoj mirë. Kjo m’pëlqente.

Tjetër, njëherë kishim shku në nji teatër dhe asistentja jonë tha, “A t’vij edhe unë me ju?” Pra, ajo lakmonte kur ne shkonim. Në teatër një shok i imi shkrimtar tha, “Mos shko sepse është një shfaqje që flet për shqiptarët dhe do të ndjehesh keq”, “Jo,” thashë, “do të shkoj”. Dhe kur shkum vërtetë e përqeshin shqiptarin që po flet keq serbishten edhe këta në publik u qeshte me fjalët e tij të shtrembërta në gjuhën sllave edhe ne nuk qesheshim. Mirëpo, kur ai bonte ndonjë hipotezë domethanë t’fuqishme diçka bënte mirë tashi ne gjashtë-shtatë veta qesheshim e qesheshim e krejt publiku u kthente nga ne (qesh) dhe në fund kur dolëm thanë, “Çuditshëm, ju qesheshit ndryshe nga ne”, po thom “Ju s’e kuptut shfaqjen, ne e kuptum”. E kështu na ka ndodhë edhe në teatrin “Jazhavac” një dramë e ngjajshme pra ishim shpesh objekt përqeshjesh.

Mirëpo e veçanta që m’ndodhi është kjo, nga Zagrebi mësova shumë sende që ishin edhe ma shumë se sa peditaria. Për shembull, mësova kardiologji sepse kishin fillu stentimi i parë në Jugosllavi, kishte fillu përdorja e konografisë edhe ata te fëmitë dhe unë kisha mundësi që përmes shoqërimit me këta pedagog që t’marr pjesë ne konografinë e t’rritunve ose fëmijëve edhe profesorët e tjerë të neurologjisë. Gjithashtu ma mundësunë që t’shkoj t’marr njohuritë ma themelore të kësaj aq më tepër që isha mësu ta vjedh zanatin, të shoh se si mjekon në gastrologji, por të jap mendimin.

M’kujtohet nihere kur profesori e kishte ni rast edhe i kishe mbledhë krejt mjekët e ri edhe po i pyste për diagnozën difirenciale, çka mendojnë? Çka është? Çka mund tjetë ky rast? Edhe i jepshin të gjithë kancer i zorrëve, kjo, ajo krejt sëmundjet ma moderne tha, “Ta pysim nihere kolegën nga jugu. Çka mendon ti?” Unë i thashë, “Mund të jetë edhe tuberkuloz”. Sepse unë kisha tuberkuloz në praktikën time, kisha pasë shumë raste tuberkuloz e njifsha tuberkulozin. Ata s’e kishin pa dhe ai tha, “Qe ku është përvoja”, dhe ajo doli tuberkuloz.

Kjo ishte për mu një disi satisfaksion para kolegëve, por tregonte që përvoja ishte shkollë e veçantë. Kisha pasë në ditë njëqind pacientë dhe domosdo do ta diferencoja tuberkulozin, t’u e deshtë me domethanë te lukthi te fëmitë. Gjithashtu mësova për asmën për sëmundjet e veçanta që është sëmundja mukuicidoza që për studimet e mia s’e kisha mësu kurrë, nuk e kisha ndëgju, dhe atje mësova për herë t’parë tani edhe me diagnostifiku pëmes djersës. Dhe m’u dha mundësia përmes profesoreshës time që t’lidhem me Institutin e Fëmijëve në Paris që këto analiza t’i çojmë atje dhe profesoresha m’tha, “Kur kthehesh,” tha, “ta mbajmë lidhjen që ti rastet që dyshon t’i bish njësoj në qeto mundësi t’i kesh që edhe para se me lind fëmija t’i bojmë këto analizat gjenetike”. Më mësoi ajo që t’i çojmë në Paris. Isha shumë krenare që do t’vij edhe do t’i boj këto punë. Mirëpo, situata sa vinte e keqësohej gjithnjë e ma shumë.

Në ndërkohë nana ime ishte shumë sëmurë dhe unë preferova që ajo të vijë ta bëjë korografinë në Zagreb, për fat t’keq isha pjesëmarrëse gjatë ekzaminimit të korografisë dhe e pashë që nana ime s’kishte zgjidhje dhe u dëshprova shumë. Mjeku preferoi që t’shkon në si e pat emrin jo në Beograd, po në Novisad ni spital shumë t’njoftun të kardikirurgjisë dhe t’bohet operacion te ni mjek i njoftun sërb. Dhe unë e përcolla nanën s’kishte zgjidhje tjetër dhe e përcolla nanën për Prishtinë dhe drejt shkova atje.

E mbaj në mend, nana ishte shumë krenare me mu, n’spital ajo n’mëngjes mshifte kur vija në klinika të gjitha shoqet e veta sikur m’kishin idol. Ka shumë sende që i kujtoj në këtë klinikë në Zagreb. Profesori im gjithashtu një prej profesorëve m’kishte njoftu me motrën kryesore, një prej motrave, sot këtu punon, motër nderi dhe me metodat e punës… sepse gruja e vet punonte në laborator e shihte se interesimi është deri në fund dhe pasiqë në spital hyna bisedova me profesorin atëherë profesori m’tha e pa inçizimin tha, “Nana duhet menjëherë me u bo operacion”. Aty pritej me muj e vite deri te ai profesor.

Unë prej gëzimit që ma n’fund e zgjidha problemin e nanës m’shkun lotët dhe kur dola në koridor edhe njerëzit m’panë t’u qajtm dhe thashë se u kry do ta pranon edhe atyne diqysh u erdh sikur bashkëndjen me mu edhe tani e mora nanën. Në ndërkohë kishte motra ime t’martohet e fundit edhe e mora nanën edhe shkum n’spital tani edhe baba ishte, një muj ditë unë nejta aty pranë nanës, mora shtëpi me qira i ndërpreva studimet, librat i mora me vete por nuk mësoja. Nana ishte shumë randë edhe erdhi fundi, e përjetova shumë keq.

Sot, sot, sot janë tridhjetë vjet që m’ka vdek nana. Sot me motrat ishim për qat shënim, ishim bashkë edhe kisha ni nanë shumë t’veçantë, ju fola n’fillim për nanën. Ni nanë e përkushtuar dhe si paciente ishte e çuditshme e urtë saqë mjekët thoshin, “Po kjo s’po tregon që po i dhem”, “Po nuk është kjo që flet” unë thosha. Dhe kur nuk e besova që ajo po vdes se isha ni natë ma parë me të në mëngjes e mora vesh se ishte t’u dhanë jetë, profesori ia filloi me qajtë pra ishte serb dhe aq ma tepër ai mu më dha më boni mundësinë që t’kem veturën. Mendo tash, në klinikë ta jep veturën që t’mund t’i bëjsh gati dokumentet e daljes nga spitali, çertifikatën e vdekjes e krejt këto, sepse vinte vetura tjetër që të merrte nanën.

Në familje kishte fillu dasma për motrën dhe unë po vija me nanën e vdekur, e kisha vëllaun shumë të ri s’kishte 14-13 vjeç edhe ra ni hije shumë e keqe. Nana m’kishte lanë edhe fjalë thoshte, “Edhe nëqoftëse vdes unë, mos e ndërpreni dasmën e motrës sepse mund të vdes gjyshja që është shumë më e rëndësishme, shtylla e familjes dhe nëqoftëse ndodhë kjo atëherë ndërpritet”. Erdha dhe ishte moment shumë i vështirë që tash do t’i bije shkurt.

Dhe mora përsipër tani obligimet e familjes, ndërpreva studimet atje specializimin, e martova motrën, ni muj mas kësaj vdiq gjyshja. Gjyshja nuk vdiq, gjyshja u shu sepse nuk mund të jetonte pa nusën të cilën e kishte rrit me ni fjalë, ishin të pandashme në vuajtjet e tyre. Edhe sot njerëzit më ndalin dhe me thonë që kom pasë ni nanë t’mrekullueshme si njeri i veçantë, sepse i di që të gjitha shoqet tona, të gjithë shokët e vllaut ose shokët e mi se unë kisha shumë shokë, ajo la përshtypje gjithkun ku jetoi, te kojshitë te gjithë njerëzit edhe neve na mungon, por ishte inspirim i gjithçka që kemi mbërri, gjithçka.

Madje, kujtoj që ndikoi edhe te baba ndryshe. Baba im kishte shumë dekorata t’luftës, kishte dekorata që kurgjo s’i vynin natyrisht, se ai shkoi në burg. Dhe m’kujtohet vorrimi i nanës, të gjitha dekoratat ia hodhi në varr. Dashti me thanë që ajo është meritore për jetën e tij dhe jo dekoratat. Kështu që edhe niherë m’kujtohet edhe unë kam shumë dhe nuk e di çka m’vyjnë, i respektoj të gjithë ata që m’dhanë por më e afërmja gjithmonë do të mbetet familja, ajo që të inspiron në jetë ajo që të mbanë fuqishëm. Dhe natyrisht nji zankë në familje është ni plagë ma e ranë se sa dikun tjetër. Unë kujtoj që shtylla e shoqërisë është familja.

Tani në këtë situatë e kisha shumë të vështirë të vazhojë dhe situata në Kosovë sa vinte e keqësohej, do t’shkoj prapë për me i dhanë provimet e fundit, unë e kisha kry specializimin por studimet posdiplomike m’kishin mbetë provimet e fundit. Dhe kur shkova me i dhanë provimet, dy gjana do t’i theksoj, e para se mjektë profesorët e mi m’thoshin, “Si është situata n’Kosovë?” Edhe e dyta do të nij prej profesoreshave ma t’vështira do t’më propozonë të rri atje, sepse është mëkat që t’mesish, domethanë në Kosovë. Sigurisht, “Plasë lufta dhe mund të ndodh gjithçka, Eja këtu tek unë”, kjo ishte një privilegj shumë i madh që mu ma boni, sepse ishte profesoresha ma e njoftun në botë.

Cargollen, një profesoreshë shumë e vështirë dhe pak studentë e dhanë provimin tek ajo nga Kosova. Gjenetikën e jepte, e ajo m’kishte fut komunikim me studentët, unë shpesh u spjegoja studentëve rastet edhe pse nuk jam një tip që rrasem ose kam qef me qenë e para, por dalë ngadalë ajo po m’fuste në këtë shkencë. Pra ma dha rastin që të njoh edhe klinika jashtë Kosovës, jashtë Jugosllavisë dhe tani po më jepte mundësinë që të punoj në klinkë. “Jo,” thashë, “Pikërisht tani unë edhe pa e kry këtë specializim, subspecializim, unë do t’kthehem atje”

Kam kry pra specializimin nga pediatria klinike dhe studimet posdiplomike që janë 18 provime. Njëherë kur shkova të jap provimet ishte një situatë tepër tepër shumë e randë në Kosovë dhe ndjejsha sikur e ndane përgjysmë, kisha frikë a do t’mund t’i kryj dhe do t’vijë, kjo ishte situata. Dhe masi e dhashë provimin dola të shëtisë edhe rasisht e pashë ni, s’dija ç’të bëja me kohën dhe e pash ni shpallje se shkrimtarët kanë ni promovim libri dhe titulli i librit quhej “Vuk u Novostima” domethanë “Ujku në gazetë”, edhe thashë unë do t’shkoj atje.

Ju thom disa shoqeve shqiptare, mjeke që kishin ardhë atje, të shkojmë në orë letrare, “Uu në orë letrare!! Ne i kemi mendtë në Kosovë, kumeditë mos po ndodhë diçka”. E pashë që nuk është muhabet për orë letrare edhe unë shkova. Mund ta merrni me mend se unë isha e veshur me t’zeza se m’kishte vdek nana. Edhe hyj në sallë edhe në karrigën time ishte një letër “Ujku në gazetë”, si e pashë m’u mushën sytë me lot. Isha ashtu e ndjeshme edhe po fillonte ora letrare, artisti po reciton poezinë “Ujku në gazetë” mu po m’shkojnë lotët sepse unë e ndjejsha ndryshe këtë poezi, unë e ndjejsha ujkun në Kosovë edhe lajmet që ishin kundër Kosovës, shqiptarëve nëpër gazeta, unë e shisha ujkun realisht njeriun ujk.

Filloi tash ligjeruesi që ishte një njeri shumë i njohur, unë s’e kisha ditë kush është, një profesor Branjiç profesor shumë i njohur, profesor i Qosjes, profesor i Sabri Hamitit dhe profesor shumë i nderum në botë. Dhe ai po ligjeronte dhe ai e kish vërejt që unë po qaj kur recitonte dhe e përmed prapë ujkun, prapë e komenton dhe mu prapë lotët dhe u bo ni orë letrare shumë interensante. Në fund diskutimi publik edhe kjo ishte demostrata ime e parë, qikjo çka po tregoj qitash edhe me ni fjalë po hy në temën që ndoshta duhet të flasim ma shumë, por s’di a do t’mbërrijmë.

Edhe u çu ni plak shumë i vjetër tha, “A din çka? Fjala ujk në poezi nuk shkon sepse gjuha poetike kërkon fjalë ma t’buta ma t’mira edhe nuk shkon” edhe tjerë s’di çka diskutun edhe u bo ni diskutim. Tanë kohën profesori pyste edhe më shihte mu, “A ka edhe dikush diçka me thanë, a ka edhe dikush diçka me thanë”, kjo është sikur një thirrje që ti t’flasish. Kjo ma dha ni shtytje edhe unë u ngrita, thashë, “Ju ndëgjova me vëmendje, por du t’prezentohem, unë vi nga jugu, jo nga jugu i Afrikës nga jugu jonë që do t’thotë edhe e pranoj para jush që kisha një dilemë shumë t’madhe t’rri në ora shtatë e gjysëm t’i ndëgjoj lajmet apo të vij në orë letrare, thoni çka ka lidhje lajmet edhe poezia se unë e du poezinë?”

Thashë, “Ka lidhje se unë doja të kuptoj çka po ndodh me popullin tim atje, sa ka t’vramë si mund ta kem familjen, fëmitë e mi, sepse sot Kosova është pushtu”, e kishte marrë kushtetuta atë ditë kishte shumë t’vranë dhe në anen tjetër thashë,  “në brendi e ndjeja vetën se duhet t’luftoj për t’drejtat tona dhe erdha në orë letrare për ta dëshmu që s’kemi vdekë jemi shumë që do ta ngrisim Kosovën prapë n’kamë. Ani pse tanksat edhe kamba fashiste po e shkel Kosovën” thashë, “unë jam këtu dhe jam e gjallë dhe shumë të tjerë janë në kambë sot për Kosovën që u pushtu”.

Krejt salla u çu në kambë edhe thashë, “Ujku, zotni m’falni dhe ujku jo n’gazetë po ka hy n’shpijat tona dhe poezia në ta bajë, në qoftë se kurrë s’e ka bajtë tash le ta baj”. Krejt salla u çu n’kamë edhe jo që u çu n’kamë edhe erdhën m’përqafonin, qanin, m’kujtohet ni djalë që s’kishte pasë çka me m’dhanë edhe ma dha ni shkrepse edhe po thotë, “Të du shumë”, dikush diçka, s’di. Profesori kish mbetë vetëm shifte edhe unë s’e dija kush është ky artisti, shkrimtari që ishte gjithashtu nga Dalmacia, u çu hypi në binë tha, “Zonjë nuk ta di emrin, por mike e dashur shqiptare” tha, “vetëm ti m’paske kuptu, pikërisht kom fol për qat ujk. Unë jam dalmatin, kemi diçka bashkë”. Kjo ishte kulmi i kulmit të asaj që e kisha mendu, kurrë s’e kisha mendu që kom me e bo një protestë kësisoji intelektuale, që gjithnjë ndihem krenare e maj në mend kur i kom tregu burrit tim në shpi dhe ai u përlot.

Profesorin do ta kem mik përjetë, profesori tani nuk mund t’më lëshonte, nuk mund ta paramendonte se u shpërndamë. Mbaroi ora letrare edhe po thotë, “A din çka? Kam një propozim dhe me drejtorin u morëm vesh ta vazhdojmë bisedën në një tryezë t’rrumbullakët edhe nuk të lëshojmë”, “Mirë…” thashë.  Unë, edhe pse shoqet po më prisnin, edhe kur shkojmë u ulëm të gjithë edhe po bisedojmë ai tha, “Na ki befasu shumë, shumë, por jam edhe unë krenar që ndodhi qikjo”.

Ora letrare u shndërru në protestë intelektuale edhe tha, “Unë e kam një befasi për ty” edhe sa bisedum erdhi ni gru edhe kur erdhi e përqafoi ate edhe ky po i thotë, u pa që ish gruja e vet, ky po i thotë, “A din çka? Përshëndete zonjën në gjuhën që e don ma s’shumti” edhe ajo po ma bon “Mirëmbrëma”, kjo ishte befasi. Dhe unë s’e merrsha me mend që ajo nuk ishte shqiptare, ajo ishte kroate, por të përshëndet ajo në gjuhën që e don ma s’shumti. Ishte balkanologe, e dinte rumunashtën, greqishtën, serbishten, por edhe shqipën dhe kishte pasë qenë një kohë këtu, çfarë koicidence a!

Shumë gjana m’ndodhin kështu ajo kishte pasë qenë këtu disa javë në ato seminaret që mbahen të albanologjisë dhe kishte jetu në familjen e profesorit Sejdiu, Shefki Sejdiut, e kishte shumë respekt. Vërtetë është një njeri shumë i ngritun profesor Shefkiu, por ajo kishte shumë konsideratë për të dhe tani kur m’njofti tash burrë e gru me nji rreth edhe ma t’ngushtë, “Jo, ki me ardh n’shpi”, nata ishte ora 10:00- 11:00, “Jo, ki me ardhë n’shpi se unë kam qef t’ju shërbej në shpi teme” thotë ajo. Thashë, “Unë duhet t’kthehem” banojshim në konviktin e mjekëve në Mirogoi. Mirogoi është afër varrezave dhe nuk është fort përshtatshëm me shku në orë kaq të vonë, tha, “Jo na t’përcjellim edhe nuk vjen n’konsiderim me ardh me neve n’shpi”, edhe unë shkova.

Atëherë, më tregoi që e njeh profesor Qosjen, Sabri Hamitin, ka qenë mentor i  disa studimeve ose çka e di unë. Madje, madje kur e kuptoi profesori do t’i tregoj Sabri Hamitit për këtë kontakt ose çka kom bo për çudi unë do t’bahem ma e afërt me Sabri Hamitin, sepse ai do t’çuditet që unë e njoh një njeri qaq t’njoftun n’botë edhe që ka mendim shumë pozitiv. Ju keni ndëgju që shumë herë ka fol në parlament edhe e ka përmend emrin tim, e unë kujtoj që pos tjerash rrjedh nga kjo edhe nga kjo, sepse njerëzit të paktë jonë që i shprehin mendimet qaq lehtë për dikënd.

Pos kësaj, bashkë me kolegët mjekë ma t’ri se unë, ne do t’përpiqemi me bo edhe punë tjera, tash unë ta shfrytëzoj shkumjen time aty që t’bojmë për Kosovën që ishte pushtu. S’pari do të thrrasin t’gjithë shqiptarët që t’japim gjak edhe shkojmë te kryetari i Kryqit të Kuq, njeri shumë i njohur, njeri shumë i madh për Kosovën edhe do t’kërkojmë që gjakun ta grumbullojmë edhe ta përcjellim. Ai tha, “S’ka problem na e bojmë. Mirëpo dhe n’televizionin e Zagrebit do t’flasim për pushtimin e Kosovës, për dëshmorët e parë, për plagosjet që kanë ndodhë në Kosovë”, se tash i morëm lajmet dhe do t’bohemi figura sado që ishte shumë rrezik se po ktheheshim, t’bohemi figura që ranë në sy.

Punëtorët e shumtë shqiptarë kishin vendosë me bo protesta, dhe kur shkojmë me e marrë përgjigjen për grumbullimin e gjakut te profesor Sllobodan Llank, është një njeri shumë i rëndësishëm për tanë historinë tonë që do ta spjegojë, sidomos për kohën kur u mbyllën minatorët në zgafellë. Dhe ai erdhi me ekipin, me dhjetë mjekë nga Zagrebi si humanist dhe u ndihmoi atyne që të dalin nga zgafella t’i kontrolloj shëndetin e tyre, të mos kenë verbërinë për shkak të jetës së gjatë në horizontin e nantë e tjera.

Pra, ky ishte ai mjeku dhe ky mjek do të thotë ka kërku që Kryqi i Kuq i Kroacisë të mbledh gjakun dhe ta çon në Kosovë, mirëpo ka marrë pengesen nga Beogradi, t’cilët kanë thanë, “Ne nuk ju kemi kërku. Kosova nuk ekziston është Serbi dhe prandaj s’kemi nevojë për gjak”, dhe kur shkum ne bashkë me doktor Bardhin, shkum te profesor Llank. Ai na tha se ka pengesa dhe unë ju përgjegja, “Nuk ishte qëllimi bashkë me e mbledh gjakun, por ishte qëllimi që edhe ju kroatët ta kuptoni që sa e vështirë është t’jesh shqiptar dhe t’jesh nën thundrën serbe, qikjo ishte, ju s’muni kurgjo me ba”.

Në rastin kur deshëm të organizojmë protestën, profesor Llank m’ftoi në takim të ri, do të thotë, “Mos organizoni protestë sepse policia e Kroacisë me përqindje ma t’madhe janë serb, dhe janë përgatitë kam informatën, që janë përgaditë me bo masakrën në ju”. Dhe tashti dy-tre mjekë dhe unë u shpërndamë në sheshin kryesor në Zagreb edhe i shishim shqiptarët që janë mbledhë tuba-tuba dhe shkojshim ju kallxojshim që me u shpërnda sepse është rrezik, nuk mund ta bëjmë. Disa ishin n’kafe disa kështu edhe për një moment thanë, e kapërcym këtë krizë që Sllobodan e dinte si njiqind përqind t’rrezikshme. E përmend edhe këtë mik si mik të veçantë, përpos shkrimtarit që e përmenda, se ky edhe sot e asaj dite është një prej miqve tanë shumë të ngushtë.

S’do të ndodhë disa muj më vonë, kur unë do t’kthehem dhe do të fillojë punën si specialiste dhe në Kosovë shpërthen helmimi masovik i fëmijëve shqipëtar.

Aurela Kadriu: E në Kroaci sa ishit a kishte misione aty?

Flora Brovina: Jo, s’kishte vetëm ne ishim të shqetësun.

Aurela Kadriu: A nuk u doke që ka me ndodh lufta në Kroaci?

Flora Brovina: As Kroacia, as në Bosnje jo, dikush veç e përcjellte çka po ndodhë. Më kujtohet Sllobodan Llank edhe një gjë, sepse m’pyti a e njof Adem Demaçin dhe çka mendoj për të. Unë thashë, “Zotni unë mund ta bëj pytjen e njejtë a e njef Mendelen,” tha, “Kom ndëgju për biografinë e tij”, “A e njef Adem Demaçin, pse nuk e njifni, në qoftë se nuk e njifni”, “Adem Demaçi është Mendela e Ballkanit ose e Europës dhe a nuk e don ata njësoj si Mendelën, ndonëse e don Mendelen pse mos ta du dhe ta kem hero timin Adem Demaçin i cili u mundu për shqiptarët njësoj. Pse e kemi lëkurën e bardhë, na njësoj vujmë sa edhe kanë vujtë zezakët e jugut. Ku e sheh dallimin?” Ai tha, “Më vjen mirë që e dëgjova”, tha, “çka do t’bojsh për të?” Thashë, “Do t’përpiqesha dhe do t’përpiqëm që të lirohet”. Tha, “Do ta vizitoj, çka ti them?” “Se e duam shumë”. Dhe besom pikë për fjale ia ka përcjell, këta ma ka thanë Adem Demaçi. Kjo është historia e Zagrebit që do t’vazhdoj sepse në ndërkohë, në ndërkohë këtu ndodhën helmimet.

Unë punoja në dispanzerin shkollor, drejt për drejt me qata fëmijë deshte s’deshte, mund t’kisha dilema në fillim, por shpejt dilemat u zhdukën. Njëherë e shkruaja një diagnozë të tyre, do të thotë sepse mund të kontrolloheshin edhe diagnozat domethanë në observim është duke u observu si është situata derisa t’i bojsha analizat. Ndonjëherë e kopjoja dhe e shtija në xhep që t’mos më hup historia e fëmijës, mund t’i marrin ato kartelat por t’mos më hup ajo krejt xhepat i kisha me historia t’fëmijëve.

Tani edhe jeta politike po fillonte në Kosovë krahas, domethanë këtë kohë kur isha në Zagreb jeta politike kishte fillu me u organizu, protestat e mëdha të njerëzve pa kokë, sepse kishin, vinin punëtorët me studentët mblidheshin protesta, organizonin m’kujtohet kur u mblodhën studentët në këtë qendrën “11 Tetori”, jo si e ka emrin, “1 Tetori”, po se ndryshe në grevë urie dhe unë organizoja krejt këtë lagje edhe më shumë se këtë lagje që t’mbledhim, të mbledhim dy tepsija me mantia ose pite pesë kilogram molla edhe diçka tjetër bukë ose po, po qito dy sende edhe lagje dhe studentët nuk e lejojshin çdokënd që t’hyj atje, por mu m’lejojshin edhe krejt ky koridori ka qenë i mbushun me tepsija me kojshinë tem i paketojshim që me iu çu studentëve.

Disa netë i kam kalu me studentët atje, ishte një atmosferë shumë e mirë e afrimit të njeriut me njeriun. Edhe diçka tjetër në këtë kohë, kur unë isha studente, kur isha në specializim kisha ardhë një herë në shtëpi dhe isha nga fundi këto provimet, masi më vdiq nana pra. Atëherë studentët mbetën pa konvikte se i përjashtun, dhe unë i them burrit tim t’i kërkojmë dy veta, motra e vëlla ose dy djem si qëllojnë ata e dijnë vet dhe t’ju tregojmë kush jemi si familje.

Burri mund ta shtrojë pytjen, “Po, ti ku je? Do të shkojsh në Zagreb?” Por nuk e shtroi dhe nga Lidhja e Studentëve na erdhi përgjigjja. Në derë trokitën dy vajza, njëra nga Theranda tjetra nga Prizreni, nga rrethi i Prizrenit edhe unë i prita thashë, “Hyni,” kjo ishte dhoma, “kjo dhoma juj”. Ndryshe ishin kto fjetjet {tregon për dhomën ku gjindet}, “Kjo është dhoma, dollapi, televizioni krejt çka keni është kjo. Ky është burri im, këta janë fëmitë kurgjo s’kanë nevojë për juve, por e kemi një problem se unë do t’mungoj pak”.

Ato vajza ndejtën te ne ni vjet, ndejtën derisa u ktheva unë. Mbas dy mujve u ktheva, domethanë me burrin edhe fëmitë dhe ishte këtu fjala, ni gru kështu kështu ka ba, kusherina ime ka thanë, “E di kush. Vetëm vajza e dajës tem, vetëm ajo mundet me ba kështu”, sepse burrin e kisha shok, unë e disha që ai ka me i kqyr sikur vajzat e veta. Edhe vjehrra jem madje erdhi prej Dibrës dhe kujdesej për to. Madje filloi të ju bëj edhe qendisje kur t’martohet, se njëra u feju, m’njoftoi me t’fejumin, te dyja m’kanë njoftu me burrat e vet edhe kur dolën edhe mas ni vjeti u kujdesëm për ato vajza. Do të them, ishte kohë e bashkëpunimit e gjithë punëve. Unë isha anëtare e kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve edhe kryetar e kisha Ibrahim Rugovën.

Aurela Kadriu: Ju a punut?

Flora Brovina: Po, punojsha por edhe këtë jetë aktive shoqërore e bojsha njësoj, unë punojsha mjeke.

Aurela Kadriu: A s’ju përjashtun prej punës?

Flora Brovina: Jo, jo, unë erdha tash prej specializimit, domethanë, kom ardhë në pranverë kur u bonën helmimet. Pak para helmimeve unë isha këtu, por isha edhe në jetë aktive sepse Lidhja Demokratike u formu shumë ma herët. Lidhja Demokratike realisht si ide është formu në banesën tonë, në numër tre, ku jetonte Jusuf Buxhovi, dhe grupi i parë kanë qenë babai i Memli Krasniqit, shkrimtar, ka qenë Bujar Bukoshi, kanë qenë kështu disa njerëz. Krejt tjetër kush, jo Ibrahim Rugova, kanë qenë disa ide çfarë t’bëjmë diçka, si të organizojmë popullin që t’i dalim zot. Edhe lindi ideja për formimin e një partie dhe modeli i statusit të partisë u zgjodh… nga tash po hi nga jeta politike u zgjodh nga Partia Social Demokrate Gjermane, sepse këta ishin gjermanofolës edhe Jusufi edhe Bujar Bukoshi.

Edhe nejse, në momentin kur u formu në shtëpinë e shkrimtarëve u formu kjo LDK-ja. Unë isha në Zagreb, atë ditë domethanë kisha udhëtu për provimet, mirëpo u ktheva. Përpara kësaj ndodhi nënshkrimi i 215 intelektualëve që ishte zgjidhja të kërkohet në forma të ndryshme dhe në aktivitetet e mia politike ose intelektuale ma shumë intelektuale kisha shkru edhe një letër që domosdo e kam në arkivën time. Kisha shkru një letër publike Millosheviqit, për të kërku një zgjidhje paqësore ndryshe dhe jo me urrejtje, jo me lufta, por për atë letër publike unë mund të burgosesha shumë lehtë. Ishte një kurajo që m’vjen mirë kur dikush e përmend edhe në fushata zgjedhore ju kujtohet ajo letër si një letër e veçantë edhe nënshkrimi i intelektualëve është një diçka që do ta pësojnë t’gjithë edhe unë edhe burri kishim presion tashi n’punë.

Burri im ishte drejtor i Bankës Zhvillimore të Kosovës, unë sapo isha kthy, helmimi i fëmijëve ishte aty. Unë punojsha natë e ditë edhe dojsha ta dëshmoj helmimin. Me 9 gusht të vitit 1990, pra disa muj masi ndodhi helmimi do t’përjashtohem me polici. Isha mjekja e parë, një javë përpara m’kishte ardhë një letër që do t’përjashtohem edhe unë kam thanë që nuk e njoh këtë letër, nuk më intereson as drejtoria e dhunshme, nuk më intereson. Dhe tani kishin pru policë, m’kishin lajmëru se do t’përjashtohem unë.

Shkova te frizeri, u vesha mirë dhe kisha ni tufë t’madhe të librezave të pacientëve që po prisnin te dera dhe fillova me i kontrollu një nga një. Atëherë hyjnë policët, e kam përshkru. Ndoshta s’keni pasë kohë ta lexoni, përjashtimi nga puna, kur pacienti i radhës ishte një djalë i vogël 9 vjeç, ndoshta qaq dikund do t’jetë emri i tij në dosje të dispanzerit të fëmive. Ai kur i thashë unë, “Në qoftë se don dil te një mjek tjetër që nuk janë policët prezentë” sepse këta…  “Dilni jashtë!” Ju thashë atyne se kam pacientin, “Jo…” thanë, “nuk dalim kemi ardhë kështu kështu”. Thashë, “Jo, jo, nuk keni autoritetin ju t’më përjashtoni, sepse unë jam mjeke dhe kam autonominë e profesionit”. Edhe u shtym me ta disa orë të tëra, domethanë nuk e di nja katër orë ndoshta.

Njëri prej njerëzve që kurrë s’do ta harroj është ky Ismet Beqiri, kryetari i rinisë së LDK-së së Prishtinës edhe Ismeti kishte pa që kanë ardhë polictë. Krejt ambulanca ishte tronditë se mjeku i parë po përjashtohet nga puna, paradite atë ditë ishin përjashtu disa kolegë t’mi. Unë nuk isha as drejtoreshë, as shef, as kurgjo, vetëm një mjeke që punon natë e ditë e qe qaq. Kisha ndikim megjithatë nuk i lejsha me u zanë shqiptarët me njani tjetrin, e me pacientët isha e përkushtune, e tani mas katër orësh thashë, “Du t’takohem me drejtorin e dhunëshëm” se ai pediatër ishte prej Nishit tha, “S’kom faj unë edhe unë jam sjellë dhunshëm këtu”.

Edhe unë dojsha me ditë pse po m’përjashtojnë dhe n’fund krejt këto i keni n’libër se domethanë, bisedën me policët dhe n’fund morën ata urdhër që t’veprojnë, “Postupi po naredjenju”, që do të thotë mund t’burgosin edhe thotë, “A din çka doktoreshë… ” n’qat moment kur unë vendosa me e lanë ambuacën e zbraztë e shoh që dikush, ni prind po e binte ni vajzë t’helmune edhe thom, “Jo, ta kqyri edhe këtë edhe mandej shofim edhe bëjmë”. Atëherë ishte shumë rrezik. Unë e pashë atë vajzë që kishte ardhë prej ma larg edhe në ndërkohë kishte shpërthy rinia.

Kishte hy në Shtëpi të Shëndetit edhe e rrethojnë policinë bashkë me këtë Ismetin e këta shoktë e vet tashti ishin bo radhë-radhë. Policia e trembur i thërrasin autoblindat edhe tash mbrapa nga ajo rruga mbrapa Shtëpisë të Shëndetit edhe nga kjo hyrja tjetër. Atëherë ka qenë hyrja nga rengeni, vijnë dy autoblinda. Edhe unë e kuptoj tashti në këtë konfilt ku mund të vriteshin njerëzit, unë nuk doja të isha faktori. Vjen, vjen njëri nga këta aktivistë t’rinjë edhe thotë, “Doktoreshë, këta kurrë s’guxojnë me t’marrë se na nuk i lajmë me ditë që deri në fund do të vdesim”.

Atëherë unë ju thom policëve, “Ju jeni budallë, nuk keni mend sepse nuk është ambulanca e shprazët nuk është kryesorja, kryesorja jam unë. A po i doni edhe këto ndëgjojset e mia? Merrni. Unë i kam veshtë që ndëgjoj, dijen. Ju s’mund të ma merrni kudo që jam. Prej sot, ju do t’shifni që unë do t’punoj edhe më shumë se sot. Unë e dhashë betimin!” Dhe të gjithë qajshin. Qajshin pacientët, qajshin fëmitë. Burri jem kishte ardhë aty edhe ai kur e ka pa plakën t’u kajt edhe ai ishte tronditë shumë, këto motrat medicinale krejt, krejt, krejt edhe unë dola shumë krenare. Hypa në veturë aty të rijve edhe m’shetitën pak. Nuk shkova drejt në shtëpi se fjala mos të vjen policia t’më merr. Edhe të nesërmen fillova jetën ilegale të mjekës.

Jetën ilegale të mjekës, kurrë s’e kisha besu! Edhe iu çova porosi, u organizum menjëherë mjekët që ishim përjashtu, u organizum si sindikalistë. Në letrën që ishim përjashtu nuk shkrunte kurgjo, s’kishte çka, edhe ishin përjashtu mjekët ma t’mirë, pediatër, gjinekologë, diçka shumë, diçka shumë sistematike. Po helmon fëmitë, po përjashton mjektë, pediatër edhe po përjashton gjinekologë. E çuditshme! Edhe unë dhashë urdhër që çfarëdo të bohet në Shtëpinë e Shëndetit ose me mjekët, ata të qëndrojnë edhe nëse mjekët shndërrohen në pastrusë të atij institucioni. Ma mirë me qenë në klinikë aty në dispanzer, sesa me qenë mjekë pa punë. Se edhe ashtu mund t’iu ndihmojnë pacientëve dhe jo në këtë pozitën që isha. Dhe nëqoftëse ju thonë me shkru në çirilicë, shkruani, por vetëm mos u largoni nga institucioni sepse nuk është më i joni. Kjo edhe ndodhi.

Do të vazhdoj punën menjëherë, nesër, falë edhe asaj që isha pjesë e grave aktive në Kosovë. Isha pjesë e forumit, aktive po them, edhe do të jetë shkolla një ambulantë shkollore ku punonte një shoqe e imja e cila do t’ma ofronte ambulantën. Ajo punonte paradite katër orë dhe unë e kisha krejt pasditën për me punu me pacientët që nuk kishin libreza, që ishin përjashtu nga puna që ishin t’helmuar nga krejt Kosova. Roja e kësaj ambulance shkollore do t’jetë një minator i Kishnicës, i cili shkonte dimrit e nxente dhomën, kurrë s’kam ecë n’kamë deri në Vranjevc. Pra kam punu në shkollën “Zenel Hajdini” edhe ky nuk do t’më lente, një koleg inxhinier sindikalist, e ka mbiemrin e ministrit Pacolli, domethanë Pacoll është po prej Prishtinës. Megjithatë, ai do t’më përcjell.

Do të jetë një motër Xheki, që do të jetë dora ime e djathtë, pjesë e ekipit Xhemile Ruhani, që është shumë, shumë punëtore. Ajo nuk u përjashtu nga puna, punonte në emergjencë sepse unë nuk lejova që ajo të përjashtohej, çdo gja do t’i nënshtrohej por pjesën aktive e bëri me mu edhe me fëmitë e helmum. Për fat të mirë, ne tanë kohën mbanim edhe shënime. Ekipit me vetëdije ose pavetëdije, kurrë me kërkesën time, u afrunë shumë mjekë vullnetar.

Pjesa e Gjashtë

Flora Brovina: Tani, rojet e shkollës bënin roje për sigurinë time. Dhe jo pak herë kom qenë personalisht shumë e rrezikume sepse vetë ardhja e pacientëve e kishte zgju një interesim atyre që përcjellnin. Unë sfidova policët, thashë, “Ndiqmëni po deshët, po unë kudo që jam, jam mjeke, dhe do të punoj prej sotit kudo”. Ekipit tem po i bashkoheshin gjithnjë e më shumë mjekë tjerë. Një ndër mjekët që… domethanë dikush që do të i bashkohet ekipit tim, që do ta adhuroj është zonja Elzbieta Demaku, gruja e vllaut të shkrimtatir Demaku. Ajo është psikologe e cila, ne nuk u njohëm bash mirë, por ajo përmes pacientëve që unë i dërgoja tek ajo për të u këshillu atëhere kur dyshoja se rasti është helmim apo e imiton helmimin, o kisha naj dilemë që ishte ndonjë sëmundje tjetër psiqike… atëhere ajo e formoi një afërsi me mu.

Madje, ditën kur më përjashtun nga puna, në tavolinë e pashë një libër, “Si të bëhem i fortë” nga Fromi, që ajo e kishte lanë mbi tavolinë. Dhe unë nuk e dija kush e kishte sjellë thashë, “Oh sa mirë”. Domethanë sikur me m’dhanë fuqi, por në formë shumë intelektuale, shumë të ndjeshme. Kjo m’thotë, polake me origjinë, e martuar me shqiptar, do të më thotë, “Po të më thërrsësh edhe në luftë, unë do të jem me ty”. Dhe çdokund, ne si ekip, katër pra që i përmenda, do të jemi, Aziz Pacolli, shofer, do ta disponoj veturën e vet edhe çdo gjë që është thënë në lidhje me udhëtimet do të jetë pjesë e ekipit.

Do të jetë dhe Xhemile Ruhani, motër medicinale. Kisha obligime sepse unë e kisha detyru t’punon, natyrisht t’më jep edhe informata për Shtëpinë e Shëndetit çfarë po ndodhë. Do të jetë pjesë e pandashme vazhdimisht e ekipit, do të i mbanë të gjithë ato evidencat. Dhe do të jetë edhe Elizabeta, si e thirrshin Elzhabetin, polake. Jom krenare për këtë ekip, shumë, shumë, shumë. Do të na bashkohen edhe rinia për t’na ofru mundësi të punës, të sigurisë. Qytetarët jonë përgjejësit ma t’madh për sigurinë time, sidomos të lagjës të Kodrës të Trimave, afër shkollës, ku do të bëhesha pjesë e sigurisë.

M’kujtohet një çajtore, kur ndonjëhere pacientët në kohë të liga, domethanë reshje bore, ose kohë me shi, shkonin në çajtore për t’pi çaj. Dhe pronari i pyste, “Mos keni ardhë te mjekja?” Ata thoshin, “Jo, jo. S’e dijmë për cilën mjeke”. Edhe ai ju qitke çajin edhe kurrë s’iu pagunte, sepse ky diti me e mbrojtë mjekën. Kishin ardhë ekipe të policisë civile dhe m’kishin kërku, kishin pytë, “Ku punon mjekja Florë?” “Flora? Po punon një mjeke aty në një lagje atje…” E kishin ngatërru se domethanë aty s’punon mjekja. “Po këtu nuk ka Florë” kishe një tjetër ajo.

Për shembull, njëherë fatkeqësisht e kishte çu Bujar Bukoshi, e kishte çu një ekip gazetarësh, që u prezentuan si gazetarë të hujë, por erdhën në shkollë. Dhe natyrisht këta rojet e mi nuk i lejuan, ishte një system paralel. Nuk i lejuan që ata t’hynë të takohen me mu edhe vijnë e m’thonë, “Kështu, kështu jonë disa gazetarë që i ka çu Bujari…” Bujari ishte si përgjegjës për shëndetësinë para se të bohet kryeministër. Edhe thotë, “Me i lëshu a jo?” “Jo jo, unë nuk jom këtu”. “Eh mirë”. Nuk i pranonin, nuk ishte fjala që ne të reklamoheshim, po t’punonim, dhe kishte shumë pacientë.

Ka ndodhë nodnjhere përshembull kanë ardhë me vrap, sepse s‘kishin shumë automjete… Edhe m’thojnë, “Doktoreshë, sot mos eja se krejt është rrethu lagjja dhe është frikë që t’vish”.  Domethonë, të i sanojmë pacientët që t’mos mirret vesh. Ka pasë në mesin e fëmijëve të helmuar, ka pasë edhe pacientë që kishin shërby armatën dhe kishin pasoja shëndetësore, helmim me acide, në tualet, e tjera, e tjera. E kom këtë evidencë deri në pikën e fundit. Çdo vizitë, vizitë kontrolli, të gjitha gjërat, çka ju kom dhanë, çka…. Pse thashë ekipi u zgjeru? Sepse unë kisha nevojë për t’dhana laboratorike. Çka po ndodhë me këta pacientë? Kisha nevojë që dikush t’mos më denoncon, sepse unë punoja me vulën e mjekës Afërdita Navakazi, jo me vulën time. Edhe kisha nevojë për konsultë me neuropsikiatër.

Një ditë kur… vazhdimisht i çojsha te një neuropsikiatër të kombësisë gorane. Dhe një ditë kur pacientja kishte shku te ai, sepse e dojsha një mendim pa ngarkesë, pa ju thanë që osht’ i helmuar. Dhe kur kishte shku ai i kishtë thënë, “Të fala i bënë doktoreshës Florë”. “Jo s’është doktroesha Florë”. “Po kush është?” Tashi pacientit nuk iu ka kujtu emri i mjekës, “Po qe shkruan aty”. “Po e di, po unë shkrimin po ia njoh” (qeshë). Edhe me një fjalë… në laborator punonte profesori im, doktor Dida, profesor me përvojë. Punonin mjekët e tjerë, gjithashtu e dinin për çka po mirren këto shënime. Dhe në neuropsikiatri dhe të gjithë ata ishin pjesë e ekipit.

Ne përpos në Prishtinë, veprimtarinë tonë e zhilluam edhe tjetërkund, sidomos në Gjilan. Njëherë në javë unë çdo ditë kom shku në Gjilan, në lagjën “Gavran”. Ishte një jurist që kishte hapë avokaturën, dhe ai ma jepte në disponim lokalin e vet. Kur acaroheshte situata atëhere unë kaloja nëpër shtëpiat fqinje. Më ndihmonte edhe nana e këtij, sepse ajo i merrte pacientët krejt në shtëpine e vet dhe një nga një i sillte te ambulanca e improvizume.

Tani më kisha shumë pacientë të Gjilanit dhe ishte hapë fjala që në Gjilan ishin kërcënu të sëmurët se, “Kush është mjekja amerikane që po ju mjekon? Kush është ajo mjeke amerikane…” policia kishte pytë pacientët, ata kanë thanë, “Amerikane, ne nuk mund t’ia dijmë emrin”. Edhe e kishin përshkru një mjeke me flokë t’gjata, i kisha deri këtu {prekë deri ku kishte flokët}, me fokët e bardha dhe kush është…. Unë nuk e besoja që m’njofin. Masi që më kishin qujtë amerikane, domëthënë nuk më njofin. Atëhere ju thom shokëve, Azizit edhe Xhemilës, Xhekit, ju thom, “A din çka? Ata nuk na njohin masi është kështu, e çka do të bëjmë? Do të blejmë ushqim, domethënë qebapa, diçka, kos, dhe do të kam para policisë. Nëse m’njohim, m’marrin menjëherë, nëse nuk m’njohim, barëm t’punoj. Ta kem shancën mos të kthehem koti”. Edhe ashtu vepruam, tanë natën.

Ndonjëhere kemi punu në një lagje tjetër, në dhoma të fjetjës, në kuzhinë, kudo. Kishim edhe raste tjera t’randa, për shembull, ishte një rast kur njeni nga të burgosurit kishte bo vetëvrasje. Kishte këcy prej katit të burgut dhe ishte ekzekutu sigurisht ose e kanë hedhë. Dhe tani e fejuara e tij ishte shumë e randë dhe asi raste kemi pa nëpër shtëpia. Por ishte shumë udhëtim i rrezikshëm. Ndonjëhere kemi shku edhe në fshatra të ndryshme ku jonë mbledhë pra fëmijët e helmuar, në Viti, Kamenicë, dhe të gjitha këto shënime i kam.

Shoqëria ilegale e Kosovës, duke e pa se po punoj me shumë përkushtim me tërë ekipin bashkëpunues pra edhe të kombësive tjera, kjo ishte shumë me randësi, edhe polak edhe goran edhe tjerë. Për ta vërtetu realitetin, ata do të ma mundësojnë që, do të më thërrasin, thojnë, “E dijmë se po punoni vullnetarisht, kjo është shumë e rëndësishme. Prandej kemi vendosë, kemi mbledhë mjete që ti të udhëtojsh për Zvicërr”. Në Zvicërr për t’u taku në spital me një mjek që po i trajtonte këta fëmijë në spital.

Dhe unë udhëtova në spital, kjo është shumë e randësishme edhe kjo, sepse në spital pashë pacientet e mia, sidomos këto të Gjilanit edhe Vitisë. Pacientet e mia që njerës i kisha thënë qe nuk je e helmuar, po ke problemin e konfliktit në familje. Se baba i kishte lanë nanën dhe ishte martu me një grua të vjetër ose… dhe tani ky ishte problem se i kishte lanë fëmijët. E kjo tash e imitonte histerinë e moshës edhe ish grumbullu, domethënë shumë e lehtë me dallu histerinë prej helmimit, për mu. Por dukeshte si edhe tjerët. Edhe ajo menjëherë në spital u ngrit në kambë tha, “Jo, doktoreshë, unë s’jam e helmuar, po shoqet…” Edhe mjeku u çudit, “Qysh e ke bë diferencimin?” Thashë, “Në bazë të analizave”.

Kisha sukses, kisha sukses, por thelbin e analizës së helmit nuk mund ta gjeja. Se pak jemi popull euforik, shpesh herë nuk vinte dhe unë s’insistoja që ta kem helmin, ta çojë në vend ta analizoj. Kisha gjetë një rrugë përmes Kroacisë me çu në Itali me bo, po nuk mund ta kërkoja helmin ta marr edhe ta çojë sepse qashtu ishin rrethanat, s’mund të ekspozohesh vet. Unë kisha dëgju ernat e krejt ato, po helmin s’e kisha.

Në mesin e pacientëve të mij, që jonë përmbi njëmijë pacientë, kam dy vajza që janë serbe. Ato aksidentalisht, duke u shoqëru me shqiptarë, u helmuan pikërisht në lokalet ku ishin helmu shqipëtarët. Dhe kjo është interesant për studimin. Gjashtë vjet kam punu më fëmijë të helmuar. Kur… në një moment çështja e helmimit të fëmijëve duhej të bëhej e madhe. Atëhere, më lajmërohet ky profesor Sllobodan Llang, thotë, “Të organzojmë diçka”. Në të vëretë një ekip shkoi në Zagreb edhe e bani një grevë urie për përjashtimin e mjekëve nga puna, e ju bashku doktor Llang. Mendej më lajmëroi, tha, “Lajmroj mjekët në Kosovë që të shkojnë, që ejani në Zagreb, unë po organizoj që të vini ta mbani…” Atje thirri edhe mjekë të tjerë nga bota. Dhe në Zargeb ishte dëshmia e parë për helmimin e fëmijëve.

Natyrisht, na shqiptarët siç jemi, ka filma për këtë takim, siç jemi gjithnjë nga pak kemi qef me rrah gjoks, dhe mandej dështojmë. Patëm edhe probleme mes veti sepse të shkojnë kështu, të shkojnë kështu… por megjithatë helmi u dëshmua, u dëshmu edhe nga mjekë kroat e slloven. Dhe mjekët ambicioz të klinikave, më kujtohet, pa e ditë që une… se unë nuk e morra përsipër që unë po e organizoj, gjithnjë s’kom pasë qef me ra n’sy, gjithnjë kom qenë në prapavi, sepse vetë punoja gjatë. Edhe unë ju thashë, “Këtu të bëheni gati”. Ata patën edhe donacion për me udhëtu, po mu nuk m’thirrën, se s’iu merrke mendja që unë e kom organizu.

Unë prapë se prapë udhëtova. Udhëtova bashkë me Luljeta Pulën. Më kutohe, ajo politikisht kishte folë në media për helmimin. Mirëpo, kur shkum ne atëhere i ndamë punët, unë isha profesionistja, ajo ishte politikanja. Edhe atje kur po diskutonim, këta shqiptarët s’dojshin me ma dhanë fjalën. Une po e kqyri Sllobodan Llang ia boj kështu, a din {bën me dorë} që qikaq, qikaq. Edhe ai thotë, “Doktoresha Flora”. Edhe këta metën. Ma vonë m’kërkuan falje, por ishte shumë panevojshëm falja edhe një trishtim i imi, pse kështu jemi të paorganizuar dhe pse domethënë kemi qef vetë m’u dallu dikun, kur bashkë mujmë me dëshmu ni send shumë ma fuqishëm, shumë ma fortë edhe ma zëshëm. Edhe sidomos punimi i mjekëve të Gjakovës dhe punimi im ishin ata ma thelbësorët që flitnin për helmimin, realisht.

Ky takim dhe përkrahja e Sllobodan Llangut ishte nëj fuqi që më jepte, më jepte shumë kurajo që të punoj me këta fëmijë pa e kursy vetëveten, pa e kursy shtëpinë time. Qikjo bibloteka ime e vogël ka qenë ambulancë, sepse n’gjysmë të natës vinin të sëmurët lirisht trokitnin. Në këtë rast nuk ishte vetëm fëmiu i helmuar që kishte shumë probleme, por kishin probleme edhe prindtë kur e shifnin n’atë gjendje. Kisha një rast të një vajzës dhjetë vjeçe dhe kjo vajzë kishte shenja të një helmimi konkret. U konsultova edhe me doktoreshën Zylfie Hundozi, por disi nuk mund ta merrnim përsipër…nga Stublla ishte, nga fshati Stublla e Vitisë.

Nuk mund ta merrshim këtë kaq të re dhe më kujtohet më janë mushë sytë me lotë se çka t’i boj. Dhe e luta prindin, thosha, ishte i kamur, e luta që ai të, nëse ka mundësi të del jashtë dhe të na mjekon duke e mjeku vajzën e vet, të na ndihmon edhe për mjekimin e të tjerëve. Pra përveç në Zvicërr që punova, atëhere kërkova edhe prej këtij. Dhe ai kërkonte në një spital, prej një spitali të më lajmërohet, kështu, kështu… edhe disa gjana sikur bota e morri vesh përveç kësaj konference. Edhe kjo nuk mjaftonte për mu.

Atëhere vendosa, kisha shumë dosje dhe shumë frikë që mund të më hynë policia, se tash isha edhe aktive në politikë, të më hynë policia t’mi merr dosjet. Atëhere çka? Qysh me dëshmu? Krejt ishin zhdukë, krejt gjanat ishin zhdukë. Në Shtëpi të Shëndetit i kishin zhdukë kartela… kartotekën. Spitali i zhdukshin të dhanat. Mjekët franqez i kishin marrë disa analiza, mjekët disi ndihmonin, kishin marrë disa analiza por s’guxonin me i dhanë rezultatet. Ti të bëhesh e zëshme, domethënë t’ia mshoj vetit, kokës për mu… vetëvetit domethënë, kokën t’ia mshojsh për mur, të burgosesh.

Ma s’mrami më kishin thirrë në polici, ishe fjala për çështje politike, në biseda informative m’kishin pytë për helmimet. Thashë, “E çka t’iu flas une juve për helmimet kur une jam e përjashtuar nga puna? S’e kom ditë që merreni me çështje shkencore, se po ta dija do të përgaditesha me ju folë për helmimet e luftës, për shembull sarinin, e helmet tjera. Por une s’e di që ju merreni me shkencë. Atëhere po merremi vesh jepmani një laborator dhe unë do t’i thërras njerëzit që janë të helumar të i bojmë analizat edhe mandej po ju tregoj çka…” Tha, “Eh ti po tallesh me ne”.  Thashë, “Jo, ju po talleni me mu”. Dhe kjo ishte situata.

Edhe atëhere burri im, për shkak se nuk kishim mundësi materiale, të dytë ishim pa punë, burrin e përjashtuan, i vetmi që u përjashtu nga banka sepse ishte nënshkruesi i apelit 215. Mbetëm të dytë pa punë dhe në gjendje shumë të keqe ekonomike. Burri, shitem diçka çka patëm edhe ishte shumë pak se ishte devalvim i mjeteve, dhe ai shkoi ndoshta mundeheshte diçka t’gjen punë në Shqipëri.

Me një rast kur e vizitova në Shqipëri, unë tanë kohën kërkoja që në Shqipëri t’i çojë dosjet që atje të jenë të sigurta, që t’mos m’i merr dikush. Dhe kur shkova njëhere pata rastin të njifem me dy mjekë të cilët m’pytën për gjendjen në Kosovë edhe mandej, “Pediatre? Me çka merresh?” Edhe menihere kalova në temat e helmimit. Fola për temat e helmimit edhe m’pytën, njeni m’pytë, “E çka kishe bo, çfarë analiza kishe bo?” Thashë, “Po mu m’duhen analizat me e vërtetu që është helmim. Sepse e di që është helmmi, po s’po kom rezultate”. Nejse kjo ishte një bisedë, sikur u harru kjo bisedë.

Herën tjetër i morra dosjet, por e pashë në Shqipëri sa pasiguri është. I ktheva mbas. Tani në një rast ma vonë, shumë ma vonë, kur shkova që t’bisedoj me një toksikolog, noshta do të më ndihmonte, të më udhëzonte diçka vonë, vonë. Sepse deri në vitin ‘96 kom punu me fëmijë të helumar. S’thom që tash nuk i takoj, por atëhere kom punu intenzivisht. Ju thashë që m’duhet një toksikolog për konsultë. Edhe m’çun me një institut, ai mjeku tha, “Unë nuk jom, në të vërtetë për këto që flasim nuk di aq ma shumë, sepse është një mjek tjetër në…” Më udhëzoi dikun tjetër ku ishte edhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave Mbrojtëse. Dhe pastaj shkova atje.

Edhe do të jetë një përshtypje e imja e jashtëzakonshme kur pashë Forcat Mbrojtëse, dhe parullën e Forcave Mbrojtëse Shqiptare që flet për bashkimin kombëtar dhe për, dhe për mallin për Kosovën. Dhe kjo nuk ishte krejt. M’pritën shumë mirë thanë se në Stacionin Shëndetësorë, do të shkojsha në Stacionin Shëndetësor dhe mjeku po e priste një mjeke, jo Florën. Dhe kur e shof nga shkallët po zbret një fytyrë që po e njoh edhe ai po m’shef mu dhe po thotë, “Flora!” Ka bërtitë. Ai po bërtet, “Flora!” Por, unë s’po ia di emrin, një personi që m’u kujtu që e kom taku shumë vite, noshta ‘91-shin apo qashtu diçka, e kisha taku sepse kom pasë, i pari mjek që thashë e kom taku edhe e kom pytë, “S’po di çka me bo, çfarë analiza?” Edhe ai kishte një dozë dyshimi me vazhdu, kjo është.

Mjeku, krejt çka kemi bisedu i ka ba analizat me shtazë eksperimentale. Kjo është një studim që nuk e kom publiku. Edhe e ka bo me minj, me… përveç tjerash dhomethënë me qenin. Se qeni ëshët shtaza që ka reagu krejt si pacientët e mij, sidomos si pacientët djem. Edhe aty mujta me ia spjegu vetit edhe disa fenomene që nuk i disha. Mjeku është ende gjallë, ai gëzohet çdo hapje që bamë për me… I kom pasë do obstrukcione që librin nuk e kom botu. E kom qitu në tavolinë, lamsh e kam tavolinën me vite, me vite sepse nuk mund të i heki librat pa e shkru librin. Herë m’prishet kompjuteri, herë ma vjedhin llaptopin, herë… diçka më ndodh. Edhe prapë se prapë librin do ta botoj, se iu kom borxh këtyne fëmijëve, të gjithë atyne që e meritojnë, dhe jonë më një fjalë viktimat e para të Kosovës.

Kurrë s’kom heqë dorë. Edhe tash, tash e kam taku Sllobodan Llang edhe besoj që ai do të, ai ka pranu të jetë mentor i punimit tim dhe profesori në Shqipëri që është mjek ushtarak. Ai e kërkonte helmin, ta kishte një ekzemplar. Dikush m’kishte thënë që ka një ekzemplar, një kuti që ndoshta është helmi. Unë u ktheva, mbas kësaj u ktheva në Kosovë nga Mali i Zi. Dhe e thirra atë njeriun, profesor ishte, thashë, “M’ke thanë diçka edhe kom ardhë me marrë qata”. E morra. E mbaj n’mend vetën në shtëpi, e lashë në ballkon, ku po pini ju duhan [i drejtohet intervistuesës] edhe tanë kohën thojsha ta provoj, ta provoj a ka ende helm në atë kuti, në boca. Sepse është ajo instikti i shkenctarit, don ta shef a është qashtu, a jo? Por unë nëse isha helmu atëhere kush e çonte deri në Shqipëri?

E çova këtë ekzemplarin me shumë, shumë peripeti. Se tash prapë nëpër kufi, prapë nëpër kontrolla. Dhe na kontrolluan shumë, por unë nuk bona zë. Udhëtova me një familje dhe ajo shoqja m’tha, “A ke pasë diçka ilegale?” Thashë, “Eh diçka. Nuk është shumë me randësi”. Por ato i çova. Për fat të keq, franqëzët thojnë le disparue [zhdukur]. Domethënë ato ishin avullu, helmi ishte avullu se është i tillë, që avullon. Edhe s’kishte mbetë prej helmit, por shenjat ishin vërtetu.

Për këtë çështje, për ta përfundu çështjen e helmit, unë domosdo pa i mbushë vitet jubilare që e kom vitin e ardhshëm do ta botoj librin, se s’kom qare më ku me shku. Është një emision në televizion “Lemza” e një prej pacienteve t’mia shumë të, domethënë që ka qenë keq. Sot është trajnuese e njerëzve që kanë probleme, jeton në Londër dhe e dha përgjigjjen e punës time dhe ekipit dhe asaj se kom arritë me pasë shumë fëmijë të shëruar nga kjo. Sepse i kom përcjellë edhe gjatë por dhe kam studiu punën e nxjerrjës së helmeve nga organizmi me anë të dijetës, me anë të përcjelljës të analizave të gjakut… Dhe ndihem shumë krenare, s’kom qef asnjëhere me harru që ata jonë viktimizu për shkak të përfaqësisë nacionale. Kjo është për sa i përketë kësaj pjese.

Për jetën time si mjeke natyrisht pason një periudhë tjetër kur e ki jetën e ekzistencës dhe ekzistencën tande jetësore, se i ki fëmijët dhe duhesh me i ushqy. Dhe thashë, nuk kishim mundësi me i mbajtë. Dhe ti e sheh që megjithatë ti duhesh me i mbajtë me punën tande, jo vetëm me ba punë humane, humane e fëmija me të hekë.

Një ditë kisha shku në treg të blej purri, presh. Edhe, edhe isha hutu se hallet e jetës edhe isha hutu dhe nuk po shifsha që ai shitësi i kishte qitë tri purri, është perimi ma i lirë prej t’gjithë perimeve. Pra, po e spjegoj ekonominë time. Dhe i maste preshët, po njeni ishte ma i trashë, dhe e merr e vënë një tjetër ma t’hollë. Edhe prapë i duket i trashë dhe prapë deri sa ta bani një masë ma t’hollë për dy mbështjellësa. Një njeri afër meje, unë s’ia vëjsha mendjen çka po bon, s’ish problem i imi. Një njeri atëhere i thotë, s’e di sot e atë ditë kush është ai, i thotë, “S’po t’vjen turp, për dy lëvozhga të purrinit, ose të preshit,” thotë, “U lodhe t’u i matë. A i din kujt je tu ja matë këto? Kjo gru që jetën po don me dhanë për fëmijët tanë”. Edhe ai se ku e kishte marrë informatën s’e di, se punoj aq shumë.

Dhe unë atëhere, ia kom shumë inat me qenë person i dhimbshëm ose e viktimizume, dhe mendova e thashë, “Po qyqy, unë e kom zanat. Po pse unë duhet me qenë e dhimbshme që… (buzëqeshë) Domethënë po m’vyka për ushqim edhe dikush s’po ma jep. Jo…” Edhe m’kishte ofru ni shok i imi që t’punoj katër orë te ai, prej asaj dite fillova t’punoj në ambulancë private. Ambulanca ma vonë do të jetë krejt e imja, se ai e lëshoi punën, se nuk fitojshim kurgjo. Edhe do të jetë një ambulancë e shenjtë, shenjtë. Sepse në atë ambulancë përveç që do të punoj në pjesën ma t’madhe, prapë i kom krejt shënimet, përveç që do të punoj, do të investojë në ambulancë. Dhe krejt pajisjet i kam, dhe i kam ble vetë.

Do të… pacientët domethënë vetëm nëse kishin mundësi me pagu, sepse kur nuk kishin mundësi ata ishin njësoj të trajtuar sikur ata që pagunin. Po fatkeqësisht ma shumë mbetnin borxh ata që kishin se ata që s’kishin. Se këta që s’kishin të paktën do ta sjellnin një mollë ose një diçka të falederohen. Domethënë, ju vinte keq. Po e njifja edhe më mirë psikologjinë e popullit. Puna në ambulancë ndoshta do të më bënë mjeke popullore, shumë të rands… do ta ndi vetën shumë mirë. Jo vetëm mjeke pediatër, por edhe ma shumë se pediatër.

Në ambulancën time do të jetë institucion ku do të mësojnë edhe fëmijët e shkollës të mesme mjeksore pjesën praktike, ishte ambulancë e vogël. Por në koridor ata mësonin aty. Por, s’e di, sa ma ngushtë edhe ma gjonë. Qeshtu mësojshin të gjithë. Edhe sot profesori që mbante pjesën praktike është një prej profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë në Infektive. Kështu që edhe kjo pjesë është një dije. Nuk du ta kaloj atë vaprimtarinë time si gru në politikë, por do ta përcjellë këtë rrymën e shëndetësisë në qoftë se më lejohët?

Aurela Kadriu: Po, po.

Flora Brovina: Tani ambulanca dalë nga dalë po i dilke ballë popullatës në çdo epidemi, shkollave, sepse e kishim kartotekën personale të përcjelljës së epidemive, kur po paraqitën në lagje. Për shembull fruthi, kolli i keq, verdhëza u paraqit në shkollën atje të Gërmia, kom harru si, Vla… jo…

Donjetë Berisha: “Gjin Gazulli”?

Flora Brovina: Te banesat… Në Velani, a din një shkollë…

Donjetë Berisha: Ah “Gjergj Fishta”.

Flora Brovina: “Gjergj Fishta” është aty? Eh po ajo, te ajo shkollë është paraqitë verdhëza për shkak të tualeteve, e kësi masa. Tani kjo ambulancë do të jetë një ambulancë ku mjekët e bënin pjesën praktike të punës dhe do të ishin gjithnjë të lidhur me mu, me mu ose do të ishim një ekip. Kur e kryjshin ata do të më lajmëronin ku po punojnë dhe me një fjalë ishim të lidhur. Ndoshta ishte jeta e tillë.

Nga kjo, në fillim të luftës në vitin ‘98, me, me, me konfliktin, me të lënduarit e parë në Likoshan dhe në Qirez, edhe në Prekaz, unë do të shof se ka nevojë ndryshe për edukim shëndetësor të popullatës. Dhe me shoqet e mia do të organizojmë kurse shëndetësore, që e kisha një përvojë në forumin e grusë por tani ndyshe do të organizonim këtë përvojë. Ma përpara du të them se edhe Kryqi i Kuq u mbyll, Kryqi i Kuq i Kosovës. Edhe me ndihmën e ni shokut shumë pajisje të Kryqit të Kuq, sidomos për edukimin shëndetësor i murrëm, s’po them i vodhëm, por i murrëm se ishin tonat. S’kishin qysh me vjedhë vetëveten, por i murrëm për nevoja tona. Prandaj kisha pajisje shumë t’mira të edukimit shëndetësor të ndihmës të parë.

Tani formuam dhjetë ekipe, kishte shumë mjekë vullnetar, dhjetë ekipe me mjekë, motra medicianle dhe aktivistë të Kryqit të Kuq. Kjo ishte një iniciativë personale e imja që ta bëjmë këtë. Por ishte përkrahje që domëthanë nuk kam fjalë të gjej për këtë përkrahje të atij aktiviteti t’gjithëve që u bashkuan, njerëzve, domethënë që nuk sakrifikuan [kursyen] kurgjo për t’u bashkuar. Dhe këto ekipe do të mësojnë studentët nëpër fakultete, që ishin nëpër shtëpia, do të mësojnë në çdo fakultet. T’u ia fillu prej [Fakultetit] Bujqësisë, Teknikës, Ekonomisë. Dhe ishin studentët e zgjedhun për kursin e ndihmës t’parë.

Ata po e mësonin s’koti për ta mësu një kurs, por për mu ishte një përgaditja në masë, ndoshta dhe një rekrutim i të rive për m’u bo ushtarë të UÇK-së, pjesë e të cilës kom qenë edhe vetë. Që do të thotë kisha vërejtë që ky element duhet ndryshe me… shëndetësia duhet ndryshe me u trajtu, mund të përhapeshin epidemi, mund të helmoheshim. Ata duhet të njiheshin me helmet ushtarake, këta njëmijë studentë. Njëmijë studentë. Gjithnjë kom punu me një shifër t’caktume.

Përveç këtyne mësonin gratë, vajzat për me ofru ndihmën e parë. Edhe këtu e kisha një përvojë dhe kur isha udhëheqëse e Forumit, sepse atëhere kishin mësu gratë me qenë mami, me ju ndihmu grave në lindje kur s’kemi institucione tona, por edhe punë tjera vullnetare. Edhe me këta, me këta, kjo ambulanca ime u shnëdrru në njëfarë forme në qendër rekrutimi. Sepse gjatë mësimeve që unë i mbajsha në shkollë ose i zavendësojsha tjerët, m’pytshin studentat, “Doktoreshë, a ka UÇK?” Thosha, “Mbase ka. Mos t’pastë tash, ka ma vonë”. Po mirë… domethënë dojshin me qenë konkret.

Më vonë vishin në ambulancën time, djem dhe vajza, dhe më thoshin, “A bon edhe unë me qenë në UÇK?” Thosha, “Po pse mu po m’thuni? Pse unë?” “Po ti e din qysh na çon neve atje”. Ka pasë raste kur kisha urdhërin që për shembull kur është i vetmi fëmijë ose i vetmi djalë, t’mos i rekrutojmë. Por ka pasë edhe raste që insistojshin, “Unë rri këtu flej edhe s’ka tjetër”. Krenohem me këtë rini që ishte kaq, kaq entuziaste që të jep çdo gjë prej vetës. Por edhe t’përgaditen pra, se kishte ushtrime e sende. Në mesin e tyre edhe vajza, dhe vajza shumë të vyshme që në mesin e tyne, sot e asaj dite e kam mall njenën prej tyne që kishte pseudonimin Jeta. Dhe unë shumë vajzave të Kosovës duke mos ditë, kur u burgosa t’u mos ditë ose edhe pa u burgos, se Jeta shkoi në betejën e Junikut, e betejat në Dukagjin, ajo… e Prishtinës ishte.

Ajo… unë shumë fëmijëve të sapolindur iu ngjita emrin Jeta. Kjo është një diçka që do ta kujtoj këtë ambulancë. Në ambulancë punuan edhe mjekë vullnetar, u detyrova ta hap, ta zgjanoj ambulancën sepse kishte pacientë shumë. Kishin ardhë refugjatë në Prishtinë edhe kishin nevoja shumë të mëdha. Kështu që, vullnetarisht punoja edhe deri vonë, shumë vonë, njësiti im, njesiti gueril i Prishtinës ku isha pjesë, insistojshin që ajo shtëpi, edhe pse ishte shtëpi private ta këtë amblemën e UÇK-së dhe të thuhet për historinë e saj.

Shpesh nuk kisha mjete materiale për t’pagu ilaqnat, se pagujsha vetë, dhe për ta pagu qiranë. M’kujtohet Adem Demaçi m’thoshte, “Në qoftë se nuk ke pare për qira mos e mbyll, sepse une t’i paguj”. Domethënë ishte një institucion shumë i randësishëm. Jo kjo, por një punë tjetër, që tani nëse kom kohë mund ta spjegoj, në qoftë se doni…

Aurela Kadriu: Po.

Flora Brovina: Unë prej fillimit thashë se kom qenë aktive në formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nuk e kom ditë që do të zgjidhet Ibrahim Rugova, kërkush nuk e ka mendu kush do të zgjidhet. Në të vërtetë kishin propozime tjera kush mu bo kryetar i një fronti që do të qëndronte përballë politikës serbe. E ata ishin krejt njerëz tjerë, jo Ibrahim Rugova. Nuk e di, ndonjëherë kur e them, du ta them t’vërtetën nuk e kom për me mohu roli e Ibrahimit, se e kom pasë shok shumë të ngushtë. Dhe edhe tani post mortum e respektoj, lene ma kur ka qenë i gjallë.  Madje jom shoqnu edhe me gruan e tij si studente, kështu që nuk kom ndonjë arsye për me ia mohu. Por Ibrahimi, nuk e dita që do të formohet kjo Lidhja Demokratike dhe kur u formu, u formu si front jo parti politike, por një front që te mbështet populli.

Kush ishte propozu për të udhëheqë? Rexhep Qosja, sepse ishte një figurë që kishte tregu një ego kombëtare në kongresin e shkrimtarëve në Novi Sad, ku kom qenë edhe unë, dhe një fuqi intelektuale. Dhe dikush ka pasë për detyrë që t’i thotë. Rexhep Qosja nuk kishte pranu, se ndoshta ka mendu që nuk është i përgaditun për qat detyrë. Personi tjetër që mu m’pëlqente shumë t’është ai, dhe kisha shumë njohuri edhe për punët tjera që ai ka bë. Për shembull për tubimin e ish-deputetëve të parlamentit të Kosovës, për kushtetutën e Kaçanikut, ky ishte Gazmend Zajmi.

Sepse mbledhja, mbledhja e Gazmend Zajmit tonë kohën ka qëndru në zyren e burrit tim, që ishte ndërtesa… sot ndërtesa e qeverisë, ajo e larta afër përmendorës, afër kuvendit, në katin e pestë. Dhe ai kishte, prej dritarës kishte pamjet e kuvendit ku ishin mbledhë deputetët. Dhe krejt fjalimet, procesin çka duhet me bo e dirigjonte Gazmend Zajmi. Prandaj ishte shumë adekuat për këtë punë. Fatkeqësisht, kjo është dëshmi shumë e randësishme, fatkeqësisht personi që ka pasë me shku… dhe unë jom e vetmja dëshmitare për këtë. Dhe e them me za, e jap dëshminë… personi që ka pasë me shku t’i thotë Gazmendit, nuk ka shku, për shkak se ka pasë qef të zgjidhet vetë.

Ai person ka pasë merita, por nuk e ka pasë karizmën edhe noshta përvojën ose përkrahjen e masës sa Gazmendi. Këtë ma ka thanë mu dhe burrit tim Gazmend Zajmi pikërisht në lagjen “Qafa”. Jemi taku dhe i kemi thënë, “Pse s’pranove?” “Çka?” “Po filani, a erdhi me t’thanë?” “Jo, kurrë s’e kom pa, nuk m’ka thanë. Dhe m’vjen keq që nuk m’ka thanë, ndoshta dhe do të pranoja”. Kjo është e vërteta. Pra e vërteta tjetër është se për shkak të një vdekje në familje unë nuk, një vdekjë në familje në Dibër, unë nuk isha kur u themelu Lidhja Demokratike, në themelim atë ditë. Se për krejt përgaditjet po, por aty nuk isha.

Dhe kur është propozu, domethënë këta dy nuk kanë marrë përgjegjje për këta dy persona, atëhere kush do të bëhet, kush do të bëhet? Ka dalë problem kush do të bëhet. Kryetari i Lidhjes të Shkrimtarëve, objekti në të cilin edhe është mbajtë kuvendi themelues ka qenë Lidhja e Shkrimtarëve. Edhe atëhere dikujt iu ka kujtu ka thënë, “T’i thojmë Ibrahim Rugovës, ndoshta ai pranon”. Dhe Ibrahim Rugova ka pranu.

Une s’e besoj që ai prej fillimit e ka ditë çka po bënë, ma vonë domosdo i ka dalë ballë punës dhe i ka dalë në mënyrën ma t’mirë që ka mujtë. Ka mujtë edhe ma mirë t’drejtën me t’thanë, i kom vërejtjet e mia sepse tash do të iu spjegoj. E para, ka pranu sepse ka shpëtu situatën për oragnizimin gjithë-kombëtar dhe t’u qenë një tip, një njeri intelektual ka dhanë një pasqyrë intelektuale në kontaktet ndërkombëare. T’u qenë një studiues që ka studiu në Paris, ka qenë edhe tip i butë me kulturë, por ka diçka që në periudhat tjera nuk do të më pëlqej.

Tani gratë. Më vonë gratë intelektuale, gratë me emrat shumë t’përveçshëm u mblodhën në një takim në Institutin Albanologjik dhe takimin e udhëheqte Safete Had… Safete Rogova. Ajo ishte udhëheqëse e shoqatës “Motrat Qiriazi”. Ishin shumë gra nga Biblioteka Kombëtare, ishin nga institutet e ndryshme. Them biblioteka se ishte edhe kjo Sevdie Ahmeti ishte edhe… punëtoret tjera të bibliotekës. Ishte kjo Edi Shukriu, ishte Valbon… kjo Pula, Luljeta Pula.

Edhe ne biseduam, bisedojshim për formimin e një organizate të gruas, të pavarur domethënë, sikur jo politike por diçka si pandam Lidhjes Demokratike, qysh metëm na jashta organzimit. Edhe njëfarë ambicie e gruas. Për mendjen time, e pranoj, disa ma shohin për t’madhe sepse ne të gjithë kemi qef më thanë, a din, “Pse, kush e bani këtë?” Edhe unë po them, “Unë e bana”. Sepse të formosh front, nuk ki nevojë m’u nda, po bashkohu.

Edhe mendova që duhet të konsultohemi tani me kryetarin e ri çka i nevojitet atij. Ato forcat politike legale po bashkoheshim me Lidhjen Demokratike, po bashkoheshin sindikatat, dhe ne gratë të ndahemi, kurfarë kuptimi. Edhe e thirra Ibrahim Rugovën dhe ia komunikova se gratë duhen të oragnizohen… A une e anulova, kur ishim në këtë takim, unë i luta kështu, thashë, “A din çka? Po m’duket se s’keni ide se çka po doni me ba. A t’i japim vetës kohë që t’bëjmë një ndryshim, të mendojmë pak?” Në ndërkohë u mblodhën në shtëpinë e Edi Shukriut, e kom, e shkruam një letër si protestë për krejt gjendjën edhe… Luljeta Pula dhe Edi Shukriu, këto i shkuran.

Ndërkohë, unë u takova me Ibrahim Rugovën dhe i tregova çka po dojmë me ba, thashë, “Çka ke nevojë ti? A ki qef gratë me qenë bashkë apo t’jemi t’pavarura?” Ai ishte shumë liberal, tha, “Po unë s’du t’iu imponoj. Pra t’jemi bashkë, mund të jeni edhe të pavarura. T’jemi bashkë, po ju të veproni veç”. Kjo ishte shumë optimale, a po? Edhe këtë mendim unë e imponova. Nuk e imponova me thanë, “Kështu të bëhet”. Por e përhapa si një ide që është mirë kështu të bëhemi, sepse s’është mirë me qenë e veçantë. Disa kolege t’mia t’u deshtë me thanë se ne e kemi ba, dikush na ka prishë, kemi dashtë vetëm… s’ka nevojë vetëm. Kush na i prishi? Unë s’jom mshefë që unë. Unë thom, “Unë”. Por,  jo për mu, po për t’përgjithshmen.

Kështu që, realisht Forumi Gruas në fillimin, në fillimet e veta ka qenë organizatë e pavarur në kuadër të Lidhjes Demokratike. Me një fjalë, kërkush nuk na ka pengu çka dojmë na me bo. E di që kur u zgjedhë kryetarja e [Forumit] Gruas, ishte Luljeta Pula, një figurë që kishte fillu me bo një emër, sidomos në rastin e prezen… paraqitjës t’saj në lidhje me intoksikimin e nxënësve, me helmin e… toksike. Ajo pati një fjalim të guximshëm, një paraqitje shumë të guximshme, kjo bëni jehonë te popullata.

Dhe ishte, edhe sot mendoj që ka qenë gruja ma karizmatike në historinë e Lëvizjes së Gruas, sepse kishte një qëndrim prej mbretëreshe, kishte një fjalim shumë të bukur, dinte me majtë fjalime. Ishte… konkurencën nuk e zhvillonte me gra por kishte qef me iu kalu edhe burrave. Madje edhe si kryetare e grave, ajo u bë një rivale e Ibrahim Rugovës, sepse i përgaditke fjalimet çdo t’premte, ajo donte me tregu çka… nuk ishte shumë bashkëpunore me gratë, për fat të keq. Edhe kjo është shumë më rëndësi për Lëvizje të Gruas. Pata një, unë edhe ajo patëm një problem, ju tregoj juve sepse ju përcollët jetën time deri qitu.

Pjesa e Shtatë

Flora Brovina: Gratë ishin një fuqi e jashtëzakonshme, edhe sot e kësaj dite une shumë mburrem me gratë e Kosovës, jashtëzakonisht. Ato, ato gjithmonë m’kanë dhanë inspirim të veçantë. Ato ishin, vetë t’organizohen, nuk ka pasë nevojë me folë shumë. Po e kujtoj momentin, kur një herë dëgjova që në qendrën e rinisë, “Boro e Ramiz” si quheshte përpara, ishin mbledhë, në një sallë ishim mbledhë shumë gra. T’u qenë se isha pjesë e udhëheqësisë të Forumit të Grusë, unë nuk kisha dëgju për një takim të tillë. Luljeta Pula erdhi me vrap dhe iu drejtu Jusuf Buxhovit, që ishte sekretar i Lidhjes Demokratike, “Çka është kjo, pse u mblodhën gratë?” Domethënë, pa dijen e saj. Ajo mendonte që është provokim. Edhe morri udhëzimet, i këmbynë udhëzimet që nuk i kam të njoftuna, por Luljeta nuk shkoi në tubim. Mendonte se për ta është provokim.

Ndërkaq, unë mendoja ndryshe. Se gratë jonë mbledhë edhe në qoftë se dikush i ka prvoku që të mblidhen, ne nuk duhet t’i lamë në dorën provokuesit. Pra, takimin duhet ta dirigjojmë vetë. Dhe me shoqen e Jusufit, shumë thjeshtë të veshura mos m’u dallu shumë, shkumë në sallë veç të vëzhgojmë. Pra, aty me gra që unë i kisha t’njoftura, i kisha shumë potente në çdo zë të gruas, dhe m’erdhi mirë që qëlluam. Tani ato, sidomos një profesoreshë Dida, në shkollën Ismail Qemaili, grua e autoritet, nana e Jeta Didës, pianiste…. Ajo kërkoi që t’flas dhe unë fola, domethënë se gratë duhet me qenë bashkë për me qenë ma t’forta në çdo kësi situate dhe ta përkrahim domethënë gruan.

Përfundoi takimi, kishte edhe gra në moshë, kishte me shamia. Përfundoi takimi dhe filluan të dalin. Por se çka u ngatërrova unë, në lidhje me… ndoshta naj kush m’pyti, naj gazetare e Kosovës diçka ose nuk e mbaj n’mend për çka mbeta pak ma… nuk dola menjëherë me turmën. Edhe në sallë hyn policia. Shumë rrezik për mu. Njena nga gratë, njena nga gratë që ka vdekë vjet, e kom fotografinë e saj dikun nëse e gjej, nana e Fatime… një poetës, Fatime Berisha, po… Ajo hyn, hyni me shoqet e veta n’sallë, i nali krejt gratë në koridore dhe tha, “Si? E lamë doktoreshën vetëm a të na marrin a? Na s’qenkemi gra”. Krejt koridoret kishin policë. Ato u kthyen edhe m’rrethekuan mu edhe thotë, “Jo, pa t’çu n’shpi na nuk t’lshojmë”. Edhe kjo forcë domëthënë është diçka e jashtëzakonshme. Aty e kuptova realisht çka domethënë gratë. Ato nuk e njohin rrezikun hiç, hiç.

Edhe një përvojë të tillë jetësore çfarë kisha kalu unë, nuk kishte kalu Luljeta. Tani ajo po bënte disa gafe, që mu m’lëndojshin. Dilte në media të premteve dhe fliste shumë mirë, jashtëzakonisht bukur, një paraqitja të mrekullushme. Na, kryesia nuk dishin çka ka me folë, se nuk na lajmëronte. Domethënë, na ishim veç një dekor i pjesës. Njëherë bashkë u gjenda… se gjithnjë lodheshte shumë sepse investonte shumë, shumë. Njëhere u gjinda në “Rilindje”, në ndërtesën e “Rilindjes” ku kisha punu ma herët dhe Luljeta e morri fjalimin që kishte me mbajtë, shkoi e shtypi, e korigjoi, e paloi. Erdhi tashti krejt ekzemplarët i palon veç e veç dhe t’dhanunat dhe, “Huuh, sa u lodha!” Dhe unë thashë, “Lene këto, se këto muj edhe unë me t’i përgaditë ose mundet edhe ndonjë aktiviste me t’i përgaditë”. Tha, “Jo, unë nuk i besoj”. “Kujt s’po i beson?” Tha, “Nuk i besoj kërkujt”. “Ahh…”

Për shkak se kishte edhe gazetarë aty në “Rilindje” edhe shokët e mi, unë heshta. Por, u ndjeva shumë e lëndume. Atëherë në mbledhjen e kryesisë mas nja s’di sa ditësh, kur e udhëhiqte normal Ibrahim Rugova, tha, “[Ide] të ndryshme?”. Thashë, “Unë. {ngreh dorën lartë} Prej sotit nuk jam anëtare e kryesisë. Mund t’jem anëtare e thjeshtë e Kryesisë të Forumit të Gruas, pra edhe kryesisë qendrore”. Thashë, “Nuk jom mo se nuk muj me qenë”. “Arsyeja?” Thashë, “Arsyeja është vetë kryetarja”. Ajo aty.

Thashë, “Sepse njeriut nëse nuk i besohet s’ka pse është”. Thashë, “Unë vetëm një pyetje e kom për kryetarën, kisha pasë qef me m’u përgjegj. Ku e ka mësu dyshimin? Ku e ka mësu dyshimin? A ka pasë gjatë jetës të vetë ndonjiherë që e ka djegë dikush edhe e ka peshu dyshimin sepse është familje e privilegjume në shoqëri? Edhe nuk e di ku e ka mësu, ajo që dyshojsha duhet të isha unë, jo ajo. Prandej, unë nuk nevojë me nejtë këtu hiç. Muj me punu shumë, po nuk muj mo me ndejtë”. Ibrahim Rugova tha, edhe atij i kishte ardhë te hunda, tha, “Në qoftë se duhet m’u largu, le të largohet tjetër kush, jo ti”. Edhe unë ndejta.

M’erdh keq, a din që e qita… po s’kisha qare pa e qitë këtë. Mos t’më shiten ata që vijnë me privilegje, tani me m’u shitë se po kanë frikë prej këtij e atij.  Ai takimi i parë i grave, {numëron me gishta të dorës} ajo nuk ishte, s’e organizoi kërkush, unë s’e di kush e ka organizu. S’është me rëndësi kush e ka organizu, gratë ishin aty, tonat ishin. Gratë e bijëve nëpër burgje, gra intelektuale, po çka po mshefësh? A je lidere, a jo? E dyta, kjo që s’po m’beson edhe anëtarës të kryesisë nuk po i beson, po ti as Ibrahim Rugovës nuk po i besojshe, një dështim i dytë.

Ma vonë u kap me Ibrahim Rugovën diçka, nuk e di, s’kom pytë kurrë çka, por domethënë rivaliteti, shumë rivalitet. Edhe kjo tashti dha dorëheqje prej Forumit edhe u largu prej LDK-së, me mendim të saj se tash Forumi shuhet, dhe metëm na pa kry edhe shuhemi. Realisht nja tri-katër ditë nuk punuam kurgjo. Po një ditë u çu një Nafie, a si e ka pasë emrin, Naki, një anëtare, një gru shtëpiake, por ka qenë anëtare e kryesisë edhe tha, “A jemi normal, a jo?” Tha, “Neve as nuk na ka lindë Teu.. kjo Luljeta, as nuk kemi lidhje me Luljetën. Na pëlqente e zgjedhëm, shkoi, na nuk vdiqëm. Po përse s’po punojmë?”

Edhe ne u mblodhëm. Tani vendosëm me zgjedhë Melihate Tërmkollin. Edhe një gru që kish tregu, një vajzë e re që kish tregu trimëri edhe kërkonte… unë për veti isha me helmimet paralel edhe as nuk e kisha ambicien me qenë aty. Mirëpo kjo, edhe kjo dëshmi është gjithashtu shumë origjinale, që dikush tjetër nuk do ta thotë kurrë. Luljeta edhe Melihatja ishin shumë të lidhuna. Edhe kur e zgjodhëm këte, përkohësisht a, ajo na sabotonte qysh mos me pasë sukses. Atëhere u mblodhëm për herë tjetër, ishte zavendëse, prandej zavendësonte kryetarën.

E tani herën tjetër kur u mblodhëm thanë, “Jo, ajo jo, por ti”. Unë nuk kom qef m’u largu kurrë prej frontit, kurrë s’jom largu prej rrezikut. Jo pse e kom ambicie me qenë, por nuk muj me thonë një punë t’rrezikshme që s’e boj. Bash t’rrezikshmën e kom qef, a këto tjerat muj mos i bo. Thashë, “Mirë, e marrë këtë detyrë, por nuk bëhem kryetare. Unë do të i koordinoj punët deri te kuvendi. Domethënë e marr përsipër vetëm kështu nëse m’pranoni si koordinuese”. Edhe shpesh përmendet, “S’ka qenë kryetare, por ka qenë koordinuese”, me mendimin që kjo veç i ka çu punët deri qaty.

Jo, une s’kam pranu me qenë kryetare, sepse në masë populli e deshti Luljetën. Eh, qaq vështirë është me zanë vendin e dikujt që është qaq e popu… të Ibrahim Rugovës, a ia zuni dikush vendin? Jo. Edhe te femrat nuk mujshe me ia zanë vendin Luljetës. S’ish nevoja me ia zanë. Aq më tepër që edhe unë, me gjithë këtë që e patëm… ajo, ajo m’kërkoi falje, tha, “Na i kemi gjyshet shoqe, baballarët…” “Po, po baballarët po. Por baba jem ka qenë tjetër kund, baba jot, a din, tjetër kund. T’merremi vesh, po shokë kanë vazhdu edhe nanat, edhe baba…” Krejt familja, por ja ndryshe kemi qenë.

Edhe nejse, çka ndodhi? Ndodhi që une u bëra koordinatore. Dhe tani punët i zhvillojshim në terren, natë e ditë punët në terren. Po afroheshte koha që të mbahet kuvendi. U mbajt kuvendi i partisë, tani edhe kuvendi i grave. Nuk isha e kënaqur me pozitën e grusë në parti, nuk jom asnjëhere, as sot, në cilëndo parti. Edhe kur po e përgaditsha terrenin, unë kisha ftu edhe gra nga Shqipëria, se edhe kisha marrë pjesë atje në një takim me aktivitete të ndryshme.

Harrova me thanë, si koordinatore e Forumit të Gruas kisha oragnizu disa demostrata për të cilat mburrem shumë, bashkë me kryesinë. Kisha organizu demostratat kundër dërgimit të djemëve tanë në burg… në ushtri. Djemtë ta sabotojnë Armatën Jugosllave. A ka diçka kundër Jugosllavisë ma shumë se sa me thonë, “Sabotojeni Armatën!” S’ka.

Aurela Kadriu: N’cilin vit kjo?

Flora Brovina: ‘90. Qatëhere, paralel, ‘90, ‘91-shin e kom lëshu LDK-në. Edhe kisha marrë pjesë në Shqipëri, në takimin e parë të grave gjithë shqiptare. Këtu kom edhe fotografinë, besoj që qetu e kom. Edhe kishim bo do punë shumë t’randësishme. Kjo e sabotimit të Armatës u organziu në mënyrë shumë t’mirë, sepse morrën pjesë gratë masovikisht, Ilegalja na mbronte. Jo që nuk na gjujtën me diçka por na mbronte. Kur e krym barëm m’kujtohet erdhën disa djem të Ilegalës edhe po m’thojnë, “Doktoreshë, urime!” Thashë, “Kush je ti?” Une fjala se po na kontrollon, po na kontrollon policia sektrete. S’dojsha as me kontaktu me këta djem.

Në ndërkohë kishim nisë një peticion. Ju kujtohet Afrim Preberza, a keni dëgju? Afrim Preberza është një fëmijë trembëdhjetë vjeç nga Fushë Kosova që serbët e vranë me shati. Ishte një krim shumë i dhimbshëm. Unë sot edhe sot kontaktoj me prindërit e tij. Edhe kjo ishte motiv, përveç tjerash, përveç helmimeve, përveç krimeve që po ndodhëshin, vdekjeve në spital të fëmijëve, e shumë sendeve tjera, ishte kjo kupa kur gratë, fëmijët u mbushën. Edhe nisëm një peticion, që e ruj origjinal, me kilogram. Se përpara s’kemi pasë ksi disketa, kompjutera, edhe u duhshim krejt me i shaptillografu ose shumëzu.

Edhe në një bunker atje në Kodrën e Trimave ishte maqinat shaptillografike. Une fare s’e disha kush po i bon, vetëm se Ilegalja s’kisha emra, “Shokë, qita m’duhet, bomani”. S’di sa kilogram peticione duhet me, duheshte me i shpërnda organizatave të ndryshme ndërkombëatre, t’jetë zëri i grave. Dyqind e njëzetmij gra edhe fëmijë e kanë nënshkru. Nashta kur vini herën tjetër iu tregoj, se nuk i kom hapë ma, i kom n’podrum dikund. Tashti këto, “Mbronani Jetën”, titulli i letrës ka qenë “Mbronani Jetën”. Edhe këtë peticion ia shpërndamë UNICEF-it, Kombeve të Bashkume, shteteve të veçanta, e në mes tjerash edhe kryetarit të Jugosllavisë që ishte Stipe Mesiq në, në Zagreb.

Harrova t’iu them se disa nga shoqet anëtare të kryesisë, ishte Violeta Xhaferi, një punëtore e pa lodhshme e kryesisë së Forumit të Gruas. Ishte Sanije Gashi, një gru shumë intelektuale, për mu shumë e respektume dhe shumë punëtore e padukshme në Lëvizjen e Gruas…

Aurela Kadriu: Valbona…

Flora Brovina: Valbona, po, jo në Forumin po thom, ma vonë do të jetë Valbona tjetër kund tash, se kom faza, faza. Edhe më vonë Forumit iu bashku edhe kjo nana e Xherit…

Donjetë Berisha: Naxhi.

Flora Brovina: Po. Naxhie Buçinca, një gru punëtore edhe domethanë një burim i energjisë t’re. Ajo ma vonë është bashku po në peticion ka marrë pjesë. Tani këtë… do të iu spjegoj sepse i kam edhe fotografitë kur, ndoshta fotografia ime kryesore është qajo, kur kemi shku me dorëzu peticionin në, te Mesiqi. Për me shku te Mesiqi ne duheshim me udhëtu një gepek material, dy torba dhe… Se dyqind e njëzetmijë nënshkrime. Dhe plus Sania kishte përgaditë dëshmi, fotografi, një album, por jo album, por fotografi… krejt çka ka ndodhë me fotografitë e Këshillit të Drejtave të Njeriut, po edhe fotografi t’vetat. Dhe vendosëm me kalu kufinin, me shku n’aeroport të Shkupit, e me flutru atje.

Mesiqi kishte bo shumë t’madhe se ai kishte nevojë për përkrahjen e Kosovës. Dhe kur shkuam na priti shumë mirë, na prtitën. Unë tonë natën s’kisha flejt. Sepse du t’iu tregoj edhe fotografinë, e provojsha fjalimin qysh me lanë përshtypje. Dhe desha t’jem e drejtë për drejtë po femnore. Edhe ajo Sanija m’kishte forografu msheftas. Edhe kur shkuam atje tha, “Po unë pritsha një delegacion”. Thamë, “Zotni na s’kena mundësi me ardhë me delegacione, mjaft jemi na dyjat edhe qitu {prekë hundën me dorë} do të vimë”.

Edhe u ulëm aty edhe thashë une, thashë, “Si kryetar kemi pasë nevojë me ju njoftu…” Tha, “Une krejt i di çka, gjendjen e Kosovës e di krejt”. Thashë, “M’falni, kur jeni taku me femnat e Kosovës? A e dini që ne jemi femra, dhe kemi qef me ta spjegu prej fillimit. Hiç nuk pritojmë me spjegu krejt”. Thashë, “Edhe pikërisht pse kemi ardhë, prej fillimit do të na dëgjosh. Nuk kemi ardhë me bo muhabet me ty, por kemi ardhë më bisedu me gjuhën e ekonomisë t’tregut”. “Çka po thu?” Tha ai…tha, “Kurrë s’kom dëgju kështu prej delegacioneve shqiptare”.

Thashë, “Kemi ardhë me bisedu me gjuhën e ekonomisë t’tregut. Domethënë, ti ke nevojë, me pritë sot një delegacion prej Kosovës, me dëshmu që je kryetar i Jugosllavisë. Ti ke nevojë. Na kemi nevojë për dy gjëra, ta dorëzojmë këtë peticion n’qoftë se ti flet publikisht për helmimin masovik të fëmijëve dhe përjashtimit masovik të personelit shëndetësor dhe arsimor prej insitucioneve të Kosovës. Ai {çon duart lartë dhe mbështetet}…. Edhe mandej folëm edhe gjana tjera.

Ai aq u gëzu, sa në atë moment i thirri këshilltarët, tre këshilltarë i thirri të marrin pjesë, i tha, “Shënoni”. Tha, “Kurrë s’kom qenë ma i lumtur me një delegacion se sa ju që erdhët edhe thatë qita, domëthënë jeni t’vetëdijshëm”. Ai kujtonte që mu m’ka përgaditë Ibrahim Rugova (buzëqeshë). Se ato fjalë që me aq guxim ia thojshe në ftyrë presidentit të Jugosllvisë, ai kujtojke… Tha, “Unë e kom thirrë sa herë udhëheqësit e juj t’mirren vesh, kështu, kështu…” Edhe m’porositi m’tha, “Të i thuash Ibrahimit le t’mbanë qeveria e Kosovës, le t’mbanë mbledhje, mos t’mbanë mbledhje, le ta qet deklaratën që sot u mblodhëm në Nish”. Tha, “A kanë mi gjetë ata në Nish a? Ku u mblodhën?” Tha, “Le t’rren, le të thotë morrëm qet vendim… Për shembull vendimin për shëndetësi diçka një vendim, s’ka randësi. Po boni do dokumente që t’jenë dëshmi”. Shumë praktike a?

Edhe tashti na priti shumë mirë. Ia dhamë ato dëshmitë dhe i pranoj, dhe shifnim ato forografitë po them. M’duket se ta tregova pak [i drejtohet intervistuesës] m’duket se po, ndoshta jo. Edhe kur zbritëm unë me Sanijën, me neve ishte edhe një aktivist, Viktor e ka pasë emrin, s’ia di mbiemrin, shqiptar në… shkencëtar ka qenë, që t’jemi tre vetë. Ai, kur zbritëm në qytet, si gra që ishim, ne hymë në parfumeri me ble ndonjë karmin ose diçka, parfum a diçka… me kqyrë diçka… me kqyrë diçka në dyqane. Kur atje Radio Deutsche Welle, dhe aty Deutsche Welle me zë e dëgjuam, thotë, “Sot kryetari i Jugosllavisë, Stipe Mesić, në Zargeb e priti delegacionin e grave dhe u fol për helmimin e fëmijëve, helmimin masovik të fëmijëve shqipëtar e kështu, e kështu, e kështu…” Thotë, “Edhe për përjashtimin e mjekëve…”

Se ai ma boni pytjen tha, “Vërtetë i kanë përjashtu mjekët a?” Thashë, “E çka po ta merr mendja? A lehtë punoj unë msheftas policisë, ilegalisht, apo kisha ndejtë me gjithë dëshirë me punu edhe me i marrë 500 dinarë rrrogën…” Atëhere 500 dinarë, 500 euro. Thashë, “Po qysh njeri a është budallë mos me punu e me pasë mirëqenie?” Dhe ai foli, i pari politikan i jashtëm, jashtë Kosovës, se edhe tonët s’kanë folë hiç, por po them, njeni që e ngriti zërin për helmimet e fëmijëve edhe për mjekët. Kjo ishte mjaft…

Tjetër, aty ne para gazetarëve deklaruam që ne këtë peticion do t’ia çojmë edhe shtetit amë, pra Shqipërisë. Po ku mujshim na me ia çu Shqipërisë peticionin (qeshë) kur vula, se ta qitshin vulën që ke shku në Shqipëri, atëhere t’shtishin edhe në burg. Sikur ka ndodhë, për shembull Agim Vinca ka qenë dy javë në burg pse e ka pasë vulën. Kështu që, nuk mund ta çojshim. Në Shqipëri në vitin ‘90 po ndodhshin gjana, gjana të mëdha, po ndodhte revolucioni pra, rrënimi i një sistemi. Ende s’ishte rrënu, po ishte sistem i prisht. Edhe një… kryetarja e Partisë Socialiste, ish formu Partia Demokratike ose jo, Studentore ishte, Lëvizja Studentore. Kryetarja e Nadire, jo, si e pat emrin, qishtu diçka, nejse ia di emrin… Ishte, na kishte bo një ftesë bashkë me Shoqërinë Civile që t’shkojmë në vizitë në Shqipëri. Unë e kuptova këtë mesazh, domethënë, “Eja në Shqipëri”. Ejani në Shqipëri se keni deklaru që do ta bini peticionin a? (buzëqeshë) A është qikjo? [i drejtohet intervistueses]

Aurela Kadriu: Po.

Flora Brovina: Ku ju kujtu asaj gruje që as nuk e njifsha të më thërret që t’shkojë. Edhe ne shkuam, unë e Sanija. Mandej erdhi edhe… me ne ishte në delegacion por jo në protokoll, edhe Afërdita, Afërdita Saraqini edhe Naxhie Buçinca. Tashti kur shkuam atje ishte kryetar Ramiz Alia, edhe do t’iu përshkruj bisedën me Ramiz Alinë. A doni? [ i drejtohet intervistuesës] Biseda me Ramiz Alinë ishte e ngrohtë, një burrë që ta mbushte mendjën e burrë shtetasit, elegant, deri ia pashë çorapët, se e kisha mësu këtë vëzhgim nga kroatët, ata t’shofin prej kambës deri te koka, domethënë në fund kokën, të i shofin çorapat ma s’pari. Edhe ai ishte shumë elegant, një burrë me një qëndrim serioz, më pëlqeu, si burrë shtetas.

Mirëpo kur filluam të ankohemi ne, “Kështu, kështu, ka ndodhë kështu, e djemët po na marrin rekrut, e ata po lagrohen për me shpëtu jetën, e këtë, e këtë…” Ai në një moment, “A din çka?” Tha, “Unë me ua tregu t’mijat, ua mundi tujat”. Domethënë Shqipëria ka halle shumë. Që është e vërtetë, kishte halle shumë, s’kishin as bukë, as ujë. Edhe tonë kohën sa mrrina edhe pashë gjendjen e Shqipërisë, mu ia filluan lotët. Edhe mbaj syza të errëta unë tanë kohën i mbajsha syzat {bënë gjoja sikur prekë syzat} edhe m’shkonin lotët. Sanija s’i shihte diçka keq ma bënte, “Flora!” Me një fjalë veni syzat.

Çka bamë… Edhe mu m’erdhi shumë inat kur tha se ne kemi hallet tona, sikur me thanë e kemi këta… Thashë, “M’falni zotni, hallet e juja jonë edhe hallet tona. Po hallet tona, a jonë t’jujat? A s’jonë?” Tash, ai metë, se s’pritke edhe ai që ti po ia thu kështu tap, tap {onomatope}, s’ishim mësu, kryetarët e shteteve, ani, me ja u thanë drejtë për drejtë. Tashti i thom, thashë, “Ne realisht nuk kemi ardhë me… E di, e pamë gjendjen në Shqipëri edhe e dijmë. Nuk kemi ardhë me lypë kurgjo. Ne vetëm po tregojmë që kemi qet gjendje ku kemi nevojë formalisht me e mbështetë shpinën për nji gardh, s’po them mur.

Po duam t’i tregojmë botës se kemi ku ta mbështesim shpinën. Domethënë, kemi nevojë një mbështetje. Nërkaq për të i dalë Zot Kosovës edhe pse Kosova është në përqindjen ma t’madhe gra…” Atëhere ka qenë, pytni gjeneratat e viteve, të këtyre viteve që kanë qenë n’shkollë, ndoshta kanë qenë dy-tre djem në klasë, e krejt vajza. Ashtu ka qenë Kosova, shtëpiat kanë qenë ma shumë gra, se burra. Pra ishte ajo gjendja e familjës time t’vogël celulë ku krejt ishim gra. Edhe tani shoqnia ishte krejt gra. Qysh mos t’i dal une Zot kësaj shoqnie me gra, a?

Edhe i thom atij, thom, “Ne jemi ma shumë gra, se burra. Nuk është se ne po frigohemi ose do të ikim, por një ditë neve na ka ardhë shpirti qe këtu {prekë fytin}… Një ditë neve do ta ngrisim kushtrimin, t’i dalim Zot këtij vendit tonë. Se nuk durohen këto dhuna, t’na i vrasin fëmijët, t’na burgosin, krejt këto, nuk durohet. Pra kur ta ngrisim ne gratë kushtrimin e lypim rrugën pa pengesa Durrës-Kosovë, qaq, kurgjo s’po lypim tjetër. Djemët tonë kthehen, se s’kanë qare pa u kthy me na dalë Zot, se tash kanë ikë masovikisht”. Ahh njeriu u shashtris, auuu {onomatope} veç ka mbetë.

Edhe atëhere e ka marrë, e ka lëshu një aparat që bënte vuhuhu {onomatope} edhe Sanija inçizonte, nuk e di a i ka inçizimet… edhe thotë, tha, “Unë e njoh gruan kosovare, unë e di trimërinë e saj…” Ah, tjetër kush u bo, harroje, edhe që është president edhe krejt. Edhe na thotë domethënë që është i mahnitun me gruan dhe që do të ndihmoj por ja janë rrethanat çfarë janë. Tani edhe erdh koha që t’shkojmë, ai aq ma u lidh tash me ne sa harroj protokolin. Nisi me dalë jashtë, bashkë me neve për shakllë, i kaloi ato rojet që rrinë te dera. Dolëm n’oborr {buzëqeshë} ato rojet kur e panë {bënë sikur trembet} u trembën se presidenti doli në oborr me i përcjellë musafirët, s’kishte ndodhë!

Edhe kur në oborr u ndal, tha, “A muj diçka me ju lutë?” Jo, paraprakisht u ndal të shkallët, edhe po m’pytë mu, thotë, “M’fal a muj me ta bo një pytje? Mbiemri që mbanë, a është mbiemri yt, apo i prindëve? Domethënë, po m’intereson mbiemri yt”. Thashë, “Mbiemri im është i prindit tem, domethënë nuk e kam… Begu ka qenë dashtë me pasë mbiemrin e burrit, po unë e kom emnin e babës”. Tha, “Mos i njifni dy vllazën që kanë vujtë shumë nëpër burgje? Mos rastësisht me këtë mbiemër?” Thashë, “Baba dhe axha im”. “A jonë gjallë?” Baba im kishte vdekë, axha ishte gjallë. Ai metë, tha, “E di krejt sakrificën e tyre”.

Tani s’shkoqej prej meje. Po edhe me Sanijën shumë… Sanija është shumë zonjë, s’di a e njifni? A e njef? [i drejtohet intervistuesës] Njëra prej ma zonjave për mendjen time. Edhe tash doli në oborr edhe po na thotë, “A din çka? T’ktheheni edhe një herë?” (Qeshë) S’mujke m’u nda. Thotë, “E kom një takim, tash momentalisht, e kom një takim me kryetarin e partisë Agrare të Kosovës, e që ishte tash krye akademiku i Akademisë të Shekncave edhe Arteve të Kosovës, Hifzi Islami. Edhe m’erdhi keq me i thonë, “Jo, hajt po kthehmi”. Tha, “S’tshtë… është krejt formale…” Domethënë si koktel aty, tavolinat e rumbullakta… Edhe na s’patëm masnej më shumë muhabet, po ai s’mujke m’u nda (buzëqeshë). Kjo ka qenë përshypja ime domethënë në këtë takim. Atyne iu nevojiteshe ky peticion, jo neve. Se na e thamë në Zagreb që ia dorëzojmë shtetit amë.

Pjesa e Tetë

Flora Brovina: Në takimin me, pas takimit me Ramiz Alinë ne patëm ni publikim, domethanë ne patëm takime t’shumta edhe me mediat sado që ishte shumë e rrezikshme, po kjo u bo mediatike mjaft. Dhe e dyta, patëm oferta nga gratë demokrate që na dinin si të vetat, ishte ni… në kuadër të partisë të sapo formuar demokratike në Shqipëri, ishte formu edhe grupi i grave ose forum ose si e quanin ata, modelin e lidhjes demokratike. Ndërkaq, partia socialiste, gjithashtu ne ishim nikoqire të grave socialiste dhe shoqëria civile që vinte e prezentuar, pak jo shumë e madhe në Shqipëri atëherë, vinte me prezencen e Valentina Leskos e cila ishte edhe nikoqire e jona njëkohësisht pra së bashku. Kjo përvojë ishte shumë e re për ne, derisa insistonin që të takohim veç e veç dhe ashtu ia bëmë.

Ishte ni takim shumë prekës sepse gratë demokrate ishin shumë të çiltërta t’na tregojnë realitetin në Shqipëri dhe po ju them të drejtën një realitet i trishtë, ku unë tanë kohen kam mbajt syzet, ndoshta e thashë edhe pak ma herët, sepse m’shkonin lotët. Njerëzit jo vetëm që nuk kishin mjaft me hangër, për higjienën e tyre, ishin në sy shifeshte se ishin të uritur po nuk kishin asgjë, po m’duket edhe ujë nuk kishin mjaftushëm për t’i la flokët, ishin t’papastër.

Me gratë demokrate të mbledhuna ni sallë t’madhe ishte prezente edhe një grua që gjithnjë do ta mbajë në mend. Tani ma kemi komuniku edhe në vitet ma pas, ajo e ka vizitu edhe Kosovën qendrën për rehabilitimin e nënës dhe fëmisë, domethanë pas luftës dhe ka mbajt edhe refugjatë gjatë kohës së luftës. Është zonja e parë kirurge shqiptare, Rrushe Negolemi, ni gru demokrate pra. Derisa ne po flisnim për përvojën tonë në Kosovë, për organizimin e grusë, për ndihmën që u ofrojmë grave për ta shpërndarë këtë përvojë edhe te ato, atyne iu shkonin lotët. Dhe zonja Rushine Guleni u ngrit dhe tha, “Ju zonja qepni pelena për gratë me fëmijët e posalindur sepse mund ta gjeni bezin ose materialin për pelena, këtu as material për pelena s’ka”. Tha, “Besoni që neve fëmitë kur lindin i presim në gazeta”, dhe s’kishte aty çka ma tutja. Tani po rrënqethem nga tmerri dhe ishte shumë e tmerrshme.

Dëshira e… kisha oferten nga këto mikëpritëset që të vizitojmë Krujën, unë dhe kolegia ime, t’shkojmë të viziojmë Krujën ose Vlorën dhe unë para tyre e dhashë ni përgjigje ndryshe thashë, “A din çka, nuk do t’shkojmë në Krujë sepse Kosova është Krujë. Na jemi në rrezik që t’fillojë lufta dhe nuk do të shkojë në Vlorë sepse atje festohet fitorja”. Por do ta kem ni kërkesë tjetër, do t’marrim ni rol tjetër ne gratë do ta shof si në atë kohë shumë gjëra të rëndësishme kulturore po vidheshin nga vendasit që i shisnin ose edhe nga t’hujt që ua dinin vlerën.

Ndër to brenga ime ishte fotot, këto ikonat e Onufrit dhe thashë, “Unë kam dërshirë ta shoh Beratin, këtë Beratin dhe ta vizitoj, t’i shoh ikonat e Onufrit”, jo Beratin në fillim thashë dhe ata mbetën, “Po pse Beratin?” “E po kam dëshirë ta shof Beratin”, dhe kur mbërrimë atje atëherë shkova ta vizioj, t’i vizitoj ikonat e Onufrit për herë t’parë unë po takohesha me Onufrin. Ju mund ta merrni me mend për mu çka ishte Onufri, ishte kulmi i artit kombëtar të cilin kurrë s’e kisha pa. Domethanë, ai kishte punu ndoshta 500 vjet përpara dhe unë nuk e kisha taku ndonjëherë. Rastëisht kisha pa ni ikonë të Onufrit, ni foto të ikonave të Onufrit dhe isha magjepsur për shkak të njohurive që mora, se Onufri dhe shkolla e tij kishin vepru gjatë edhe nxënësit e tij madje në ndikimin e shkollës t’tij ishin prezent në tërë ikonografinë e kishave të bregdetit Adriatik e në Dalmaci.

Për shembull, e kisha pa, por jo në Shqipëri dhe aspak në Kosovë dhe unë kisha kuptuar edhe nga njerëzit e ditur, xhaxhai im edhe ishin të vetmit, dhe unë këtë ikonë, këtë foto, e vura në kopertinën e librit tim në librin tim me poezi “Mat e çmat”. Dhe ia shkrujta ni poezi Onufrit, Onufrit të cilit e qujnë Onufri kryeneq sepse ai portretin e Shën Mërisë e vë krejt ndryshe në pozicione, krejt ndryshe nga ikonografia e mëparshme. Jo pse ishte, domethanë nuk ishte i djathtë ishte i majtë, por pëkundrazi e vë ndryshe dhe së dyti karakteristikë e tij është e kuqja, e kuqja karakteristikë e në këto ikona që quhet e kuqja albaneze. Kështu e kanë qujt ose e kuqja shqiptare, dhe gjithnji më është dukë si këtë të kuqe e përcjell ai me gjakun, domethanë flijimit të popullit t’vet. Unë e kam ndje kështu si poete.

Dhe çka më ndodhi, dyert e kishës ose kishat atëherë nuk kanë qenë në funksion. Dyert e kishës ishin, po ta shtyjë ni fëmijë e hapje derën dhe brenda ishte thesari, që e quj unë thesar, besoj edhe sot kështu vlerësohet, por atëherë në vitin 1990 ky ishte thesari brenda. Ikonat e varura në mur ni, dhomat me lagështi dhe m’besoni në disa ikona shkonin edhe zhapijtë dhe unë u tmerrova. Kjo ishte qëllimi i shëtisë në Shqipëri, vizita e parë.

Tani kërkova nga gratë që të takohemi të dy partitë të mblidhen dhe të takohemi bashkë dhe thashë kur kthehem, kur t’i takoj bashkë do t’iu jap përgjegje pse shkova në Berat dhe jo në Krujë. Domethanë, ishte përgjegja që e thashë, shkova në Berat sepse na gratë kemi punë, kemi punë ta rujmë vendin tonë, jo vetëm fëmitë tanë t’i msojmë t’i rujnë pasuritë e vendit sepse këto nuk kthehen ma edhe këtë detyrë e morëm përsipër.

Masiqë erdha në Kosovë si forum pra i grusë bom disa punë gjithashtu t’mëdha, edhe Kosova i kishte pasuritë e veta që duhet me ia prezantu edhe lashtësinë e vet që duhet me ja prezantu dikujt. Atëherë, meqenëse unë me ndihmën e shoqatës “Motrat Qiriazi” po punoja në Has dhe t’u e ditë se Hasi është nji vend i lashtë, vendosa që me ndihmën edhe të Drita Statovcit ni etnografe profesoreshë, enografe e njohun t’më ndihmonte që të bënim ni ekpozitë me veshjen e Hasit. Kosova ka 24 veshje të femrave edhe ne do ta paraqisnim veshjen ma t’vjetër të Hasit që është veshja e Hasit, pra ku përkuthën edhe fetë edhe lashtësia dhe tërë zakonet tona përmes veshjes së grave të Hasit. Mund ta dish nji gru a është e martuar apo jo, a ka fëmijë, a ka djalë apo është e vejë do me thanë i ka vdekur burri, a është vajzë a jo, dhe së dyti me këtë veshje me ato jastëkat që ato i mbajnë.

Më interesonte të konstatoj, sepse ka fillu të humb kuptimi i veshjes së Hasit, por në veshjen e Hasit qoftë te muslimanët qoftë te katolikët do t’i gjejsh figurat e vjetra të lashtësisë, sikur janë të fesë pagane të paganizmit, hanën, diellin, yllin etj., shtazët. Ndërsa, pastaj ato edhe ndahen edhe këto që i mbajnë në breze në lashtësi nuk kanë qenë prej drurit, do ta konstatojmë edhe tash. Në qoftë se i gjejmë veshjet e Hasit, por do të konstatojmë se ato kanë qenë n’fillim prej leshit të dhisë që kanë pasë për qëllim me e rujt brezin, me e rujt shtatzaninë.

Por, më vonë e kanë lujt edhe funksionin se t’mos shihet cila grua është shtatzanë e cila jo, për shkak edhe të terroreve që janë bo. Sidomos luftrave Ballkanike, Luftës së Parë Botërore, kur kalojnë hordhitë kriminele serbe, ushtria serbe nëpër Has nëpër lum në këto regjione edhe bojnë gërrdi duke i pre edhe barkat e grave shtatzanë. Dhe kështu në njëfarë mënyre gruaja është kursy. Ma vonë ajo shndërrohet në… edhe përdoret si mbajtëse, jo deformim i kukave por mbajtëse e djepave kur ato kanë qenë në ikje ose në ecje për diku. Këtë ekspozitë do ta hapi dikund në lagjet e Dardanisë atje ku ndodhen kafiteritë e njohura, që unë për momentin nuk po muj me ia qëllu, kafiteritë…

Donjetë Berisha: Te Santea?

Flora Brovina: Sante, bash te Santea do të hapim ni lokal, lokal shumë i frekuentun i të rinjëve ku pronari na lëshoi krejt lokalin. Do t’marrim edhe djepa t’vjetër qindra vjeçarë, do t’i ekspozojmë, në hapje do të marr pjesë edhe Mark Krasniqi. Do të marrin pjesë edhe… e përmenda këtë si simbol të pjesëmarrjes edhe të personaliteteve të tjera edhe do t’botojmë një broshurë ose ni katalog ku do t’flasim pse e hapëm ekspozitën, si ni shenjë demostrate për vlerat kulturore që po na shkelën në këtë periudhë.

Aurela Kadriu: N’cilin vit është hap ekspozita?

Flora Brovina: ‘90 ose ‘91, saktësisht do t’iu jap katalogun dhe do ta shikojmë bashkë. Më falni për këto kohën…

Aurela Kadriu: Jo, s’ka problem.

Flora Brovina: Se janë 20 vjet e tutje.

Aurela Kadriu: A ka qenë kjo një lloj kulture me i hap ekspozitat?

Flora Brovina: Po s’kemi pasë vend ku t’i hapim dhe ne i kemi hap këtu në këtë kafiteri. Një pjesë të këtyre broshurave pa na kërku fare edhe pse i kam dorëzu në Lidhjen, në t’vërtetë unë isha nda prej, paska qenë viti ‘91-’92, se unë isha nda prej Lidhjes Demokratike. Tani gruja, Lidhja e Grusë Shqiptare e hapi këtë, por ni pjesë të broshurave e dorëzova tek selia e Lidhjes Demokratike, ku frekuentonin delegacione ndërkombëtare dhe pse jo të mos ja japish ni formë të protestës dhe shumë delegacione shumë personalitete që vinin në Kosovë vinin ta vizitojnë këtë ekspozitë.

Unë nuk kisha ciceron dhe ne gratë e Lidhjes së Grusë mbanim rend që t’iu spjegojmë. Unë drejtën me t’thanë mund të di diçka nga arti nga letërsia, por etnografe nuk jam. Por, për të qenë cicerone për atë moment, t’paktën, lexova shumë libra që m’i siguroi profesori im kujdestar në gjimnaz, profesor Syla dhe, Hamdi Syla, dhe kujtoj që kaq {tregon me duar} ka qenë biblioteka me shumë libra për folklorin shqiptar dhe mësova shumë, mësova shumë thua ti kam provim. Mirëpo, kur ciceroja kur u shpjegoja këto detale të folklorit mysafirëve t’jashtëm, gjithmonë u thojsha që ky është shpjegimi i një mjeke dhe jo i një etnografe dhe më falni nëse diçka ka mbetë pa thanë. Kjo do t’jetë formë intelektuale e protestës, sepse nuk kishim mundësi për forma tjera.

Tani për t’vazhdu edhe pak edhe për ta përfundu për aktivitetin tim në Forumin e Grusë edhe pse e nisa me këtë epozitë që nuk është e Forumit të Grusë, por gjithahstu u ka ndihmu edhe atyre se e kam dorëzu ni pjesë t’madhe të broshurave dhe do të shpjegoj edhe ni aksion t’mirë. Atëherë ishim afër njëri tjetrit si mbërritëm, na kur nuk kishim asnjë fond dhe ishim të gjitha të papunë t’i bojm këto broshura kaq t’bukura. Mbërritëm sepse na ndihmun të gjithë furrtarët, sidomos furra, kjo furra, si quhet “Qerimi”, po “Qerimi 1” ashtu quhet dhe furrtarët e tjerë të cilët e pritën me kënaqësi këtë aksion dhe ishin donatorët e kësaj broshure. Atëherë nuk ishin qaq të lira broshurat, nuk e di tani.

Ata i pritën edhe mysafirët që erdhën nga Hasi ku ju shtrun edhe ni drekë, erdhën shumë gra, këto në…  pse e përmend sepse kur ta shifni broshurën do ta konstatoni. Kishin fotografi që flisnin vet, fotografi ku do të ringjallet edhe koha e epeve që ne i thojmë epeve greke ku… ose i kangëve epike të lashtësisë duket se kangët greke janë këndu thuhen kshtu, a n’të vërtetë ka ndodhë në Has, ku gratë i lajnë pëlhurat në bregun e ujit. Janë shumë interesant kur t’i shofim këto fotografi do t’iu shpjegoj

Tani aktiviteti me Forumin e Gruas ishte në intensitet shumë t’madh, ishte koha kur ne do t’i ftonim tash gratë e Shqipnisë të vijnë këtu. Meqenëse, unë kisha lidhje me gratë në tërë territoret ku flitet shqip, atëherë në kuvendin e grusë që do të mbaheshte në Prishtinë, unë ftova që ato t’vijnë mysafire, t’marrin pjesë të gjitha me një manifestim ku tregohet forca e grusë, organizimi i grusë dhe shërben si shembull dhe të gjitha kishin nevojë në vendet e veta ta kenë ni organizim të tillë. Problemi ishte ku ta mbajmë dhe problemi ishte si ta mbajmë kur ishim nën tutelën e Serbisë, policisë.

Unë për vete mendoja që atyre në fund t’iu tregojmë ku e mbajmë, kështu që i ndamë detyrat, mysafirët do t’vendosën nëpër shtëpitë tona. Organizimin fillimisht do ta mbajmë në Medresën e Prishtinës të cilën e shfrytëzojshim shumë në atë kohë, ishte ni institucion që na kishte ofru vet komuniteti musliman që mund ta shfrytëzojmë për programe, për konferenca, për kongrese të ndryshme. Dhe këtu do t’mbaheshte Kuvendi i Parë i Grusë Demokratike.

Unë bisedova me drejtorin e Medresës dhe e mora pëlqimin edhe ka qenë pra viti ‘91 – ‘90, ende isha, s’po m’kujtohet a isha n’punë, se menjëherë fillon policia t’më kërkon, posa domethanë dola filloi policia t’më kërkon. M’kishte kërku n’telefon këtu n’shpi, m’kishte kërku në punë edhe nuk m’kanë gjetë. Atëherë, në nji moment pasi u ktheva në shtëpi, se duke punu, bon telefoni edhe e ndëgjoj zërin e drejtorit të Medreses.

Ai një njeri shumë i sjellshëm, shumë i çuditshëm, domethanë shumë korrekt, po fliste shumë çuditshëm dhe më tha, “Doktoresha Florë si je? Ajo që kam thanë nuk mund të realizohet”, tak telefoni. U çudita sepse nuk ishte e natyrës së atij ashtu t’flet, t’paktën edhe ni fjalë e thotë. Dhe prapë telefoni, prapë ai thotë, “Nuk mund ta mbash Kuvendin në Medrese”, tap telefoni. Më erdhi çudi, thashë ky njeri ose ka… përvoja na kishte mësu, thashë ose ka ndonjë kontrollë ose është në zor dhe çka është kjo përgjegje?

Nuk do t’vonojë shumë policia do t’vjen në shtëpinë time. Në atë moment kur erdhi policia në shtëpinë time, kishte ardhë, kishte ardhë ni vajzë edhe m’thotë… domethanë në atë moment, në t’vërtetë jo erdhi policia dhe më mori, se disa herë m’kanë marrë. Ishte ni vajzë dhe unë e kisha ni pacient në dhomën e punës, ni fëmijë i vogël nga fshati, dhe hyj në dhomë dhe i them nanës, nuk flas vetëm i thom, “Mbaje n’gji”. Dhe n’këtë dhomë ishte kjo gruja, ajo fjala kusherinë e imja, ni aktiviste, dhe policia hyn, djali im trembet se e din që nuk bon me ia çelë derën, por ata hyjnë deri në mes dhe kur dal unë ju thom, “Si guxoni me hy pa leje edhe m’i trembët fëmijët”. “Jo, e kemi urdhërin që t’marrim në pytje informative”, atëherë kështu quhej, “Po, mirë dilni jashtë qe po vijë”.

Kisha shumë dokumente në çantë, “Vetëm sa t’iu la ktyne diçka që të hanë drekë, të hanë diçka t’blejnë” dhe në kuzhinë shkoj e derdhi çantën krejt çka kom, vetëm lejën e njoftimit e marrë edhe disa pare sa për…  edhe dal. Më priste ajo vetura e policisë. Në polici m’urdhërunë që kuvendin t’mos ta mbaj, e dinin që do ta mbaj në Medrese. Aty unë nuk mujta me kuptu, por ma merrte menja se drejtori i Medreses është dhunu. Çka ishte e vërtetë, ishte malltretu shumë që kishte pranu që ta organizon edhe gjithnjë do t’më vie keq, por do t’jem falënderuese për të, për qëndresën e tij dhe ne kemi mbetë miq.

Aurela Kadriu: A kanë qenë shqiptar a serb këta policë?

Flora Brovina: Polictë? Serb, t’paktën ai që fliste. Në polici do t’më thonë që nuk guxon me e mbajtë, “Po ku ta mbajë?” Thashë, “Tashti nuk kam ku ta mbaj. Ju do t’më ndihmoni, gjemani ju tash”. Unë do ta mbajë se Lidhja Demokratike ishte regjistruar, thashë, “E pse mos ta mbajmë,” thashë, “gratë e rrezikojnë Jugosllavinë?” Thashë, “Ne duhet t’organizohemi ta mbajmë është diçka legjitime”.  “Po ku do ta mbani?” Thashë, “Po ju shihni, a është e lirë Salla e Kuqe apo ndonjë sallë tjetër? Unë nuk e di ku ta mbajë tash”. “Jom ti e din e s’e din e…” Tanë ditën mbeta, domethanë atë pasdite deri mbramjën vonë unë mbeta aty. Jo e mbajë, jo s’e mbajë dhe ka ora 18:00 domethanë menihere u bo errët.

Përveç tjera herë kërcënohesha, herë m’pysnin për helmimet, unë nuk e pranoja që merresha me helmimet, dhe thashë, “Unë nuk e kam ditë që policia merret me shkencë, se po ta dija do të përgaditesha me iu mbajtë ligjeratë për helmimet. Ato çka po lypni ju rezultatet e helmimeve, ma jepni ni laborator, dy javë kohë edhe ju jap mendimin. Tash e qysh po lypni helmimet prej dikujt?” Thashë, “Po nuk e kam ditë që po merreni me shkencë”. E panë që po tallem. Por gjatë kësaj bisede, kryesori nuk ishte me mu i rreptë.

Me ni moment hyni ni shqiptar dhe ai filloi me bërtitë, jo që bërtiti para të gjithëve por m’u vërsul mu saqë unë mendova se do të mbetëm si miza në mur kur e vrasish. Ashtu domethanë u turr saqë koka m’krisi në mur. Mirëpo, njeriu lufton për jetën, ai bërtiste, unë bërtisja edhe ma shumë, “Çka po m’bërtet, unë nuk jam e shurdhët, s’ki nevojë me bërtitë se as nuk po t’frikësohem”, kështu i thashë. Nuk e njifsha për pamje por ma vonë kam kuptu që ishte njëri për fat t’keq nuk ja di emrin, po e di se është vra mas lufte.

Ka qenë njëri ndër njerëzit ma t’kqi n’polici edhe bërtima ime ishte bërtimë për jetë ndaj tij edhe pse ishte shumë i fuqishëm edhe ta shtinte tmerrin. Ndoshta boni që inspektori kryesor, me musteqe pak si t’kuqe pak si flokë kuq, ia boni me shenjë që t’del jashtë, ai t’del jashtë. M’tha “Ulu…” tha, “a din çka ky është pak i gutshëm”. Tash herë ftohtë herë nxehtë, thotë, “Ky është pak i gutshëm, por ne do ta pijmë nga një kafe”, “Jo”, thashë, “unë nuk pij kafe kurrë, kurrë nuk pi kafe”, se realisht unë nuk e nali kafën tonë ditën, por atij i thashë, “Nuk e pij kafën”. Nejse kafja erdhi, tha, “Mos u tut,” tha, “nuk ka kurgjo kafja”, dhe e provoi kafën e vet, “Nuk ka asnji send ndoshta ke frikë se kemi qitë diçka”, i thashë “Jo, nuk besoj që jeni kaq t’poshtër saqë t’i qitni najsen edhe kafës, diçka që t’më huton. Nuk keni as arsye”. E lash kafën edhe fare s’e preka. Ai doli jashtë që unë t’habitëm dhe ta pij kafën ose diçka tjetër.

Këto detale i spjegoj ndoshta për shkak se ndoshta është interesant dhe në një moment në fund t’sallës e shoh një daktilograf. Daktilografi sigurisht 200% ka qenë shqiptar dhe ma bon mu kështu {shpjegon me kokë}, me fjalë tjera, mos e pi kafën, m’jep shenjë që t’mos e pij kafën. Tani merre me mend që n’polici sa ka qenë e rëndësishme që t’kemi njerëz si ai daktilograf që s’ia di emrin. Sa ka qenë…? Jo, për mu që isha në njëfarë mënyre si e përgaditur se unë s’do ta pij kafën, me ditë që ma qesin n’gojë me zor, por për ndonjë të ri që ndoshta gjindej aty dhe po t’ia bon ai mos ta pijë, ah sa ka qenë e rëndësishme.

Domethanë u morëm vesh edhe unë po dilja shumë e rraskapitur pas kësaj bisede informative, dhe befasia ime, dy shokët e mi të ngushtë me t’cilët punoja natë e ditë për trajtimin e fëmijëve t’helmum, tanë kohën kishin qenë aty përballë SUP-it që e qujshim, duke m’pritur n’çfarë gjendje do t’dal. Ishte Aziz Pacolli dhe Xhemile Ruhani që po m’prisnin. Dhe kur dolëm ata fillun të qajnë dhe po m’përqafojnë edhe thanë, “Çka do t’bojmë tash?” “Tash do t’lypim sallë, por sigurisht na përcjellin se tash do t’shofim ku po shkojmë ku po lypim sallë t’re”. Dhe s’kishim shumë kohë se e kishim caktu datën edhe mysafirët ishin këtu, m’pysnin edhe për mysafirët, krejt fjala ishte për mysafirët, “Ti ke thirrë prej Shqipnisë mysafirë”, “Po, moti kom thirrë, jo tash”. E ky shqiptari ma bonte, “Po ne kemi këtë faksin që e ke çu”,  “Po faksi është i ni datë kumeditë kur” edhe s’e pranojsha.

Realisht mysafirët kishin ardhë, në kufi në Vërmicë kishin dalë shoqet e mia t’i presin edhe ato ishin vendosë diku nëpër fshatra atë ditë. S’kishin mrri në Prishtinë, po ishin vendosë në fshatra, t’nesërmen vishin në Prishtinë. Ne atë natë duhet të organizonim sallën. Shkova në shkollën “Emin Duraku” dhe e pash sallën, ata kanë pasë ni sallë jo shumë t’madhe, dhe i thashë drejtorit, nxinte 200 vetë, dhe i thashë drejtorit, “A mundet me ma përgadit sallën për nesër për orën 10:00?” Unë e dija që nuk do ta mbajë aty.

Shkova në shkollën “Zenel Hajdini” ku e kisha ambulancën, aty e kishin sallën e fiskulturës ku mbaheshin takimet e mëdha. Një sallë e mirë, mund të mbahej kongresi edhe aty, kuvendi, salla thashë, “A mund të përgaditet podiumi që aty t’mbahet mbledhja?” Tha, “Po mundet, mundet” tha drejtori. Edhe “Mirë” thashë. Filloi me i përgadit që t’kemi kohë nesër ta mbajmë. Askush s’e dinte n’ora sa mbahej edhe ku mbahej. S’fundi shkova edhe në shkollën “Arsim Vokshi”, aty ishin edhe disa shoqe të Ilegales dhe sallë nuk kishte, por në foajenë kur hysh kishte mundësi të mbahej kuvendi dhe thom përgaditeni. Tri vende kom thanë përgaditeni, se e disha që vjen policia pas meje sigurisht m’përcjellin dhe mund thojnë, “Qysh tre vende po dojnë me e mbajtë?” Kështu nuk mund t’ia qëllojnë se n’cilin vend do ta mbajmë. Unë për vete dhe ato shoqet e mia, ishim dy-tre veta, e dinim që do ta mbajmë në shkollën “Asim Vokshi”. Kishim ni alternativë.

Ni aktivist erdhi dhe më tha, “Doktoreshë,” tha, “e di që je në zor…” ishte  dhandrri i Xhekit, Xhemiles, “E di,” tha, “që je në zor, po ka edhe alternativë tjetër, t’kemi organizu dy autobus dhe kemi edhe vetura që n’qoftëse dikush na pengon ta mbajmë edhe në Lupq në fshatin Lupq dhe ne jemi mikpritës dhe mos u ngushto”.

Gratë nga Maqedonia, Presheva e Bujanoci kishin mbërri ktu, gratë nga Shqipëria kishin ardhë atje dhe ne ishim 500 delegate dhe vetëm salla e “Asim Vokshit” na mjaftonte. Policia m’kishte thanë, “Nëse e mbanë do t’burgosim”, unë s’kisha fol, çka me thanë? Unë do ta mbajsha. Se kur e merr ni punë e kisha porosi edhe prej babës tem, që kur e merr ni punë dhe vendos ta udhëheqish mos e kthe ma kokën mbrapa edhe mos mendo ma as për fëmitë e tu, por unë do t’i shoh. Ai ishte gati i paralizum, por ai thoshte kështu.

I dyti që do t’më përkrahi ishte burri im, i cili kurrë nuk m’la bash vetëm të mbes, domethanë që t’mos mundem me arrit aty ku ia kisha nisë. Ai gjithë e mendonte që unë mund ta bëj një punë që është e vështirë dhe e rrezikshme dhe kur vendosa që atë ditë në mbledhje të shkojë pak ma herët që t’mos takohem me policinë dhe ta shoh se si është organizu ambienti. Salla ishte e mjaftushme, ishte ogranizu natën shumë bukur dhe fillon mbledhja. Ndoshta këta e kom shpjegu ni herë apo?

Aurela Kadriu: Jo.

Flora Brovina: Jo? Atëherë ishte Kuvendi i Parë i gjithë grave shqiptare kishin ftu edhe mysafire për t’i nderuar, mysafire gratë e shquara të Kosovës, përveç mysafirëve nga Shqipëria. Dhjetë gra ishin nga Shqipëria, kishte thashë edhe nga Maqedonia, Presheva, Bujanoci, Mali i Zi dhe e kishin ftu edhe Luljeta Pulën si kryetare e parë e Forumit dhe erdhi dhe m’u bo qefi që erdhi. Ishte Nekibe Kelmendi në Kryesinë e Punës, bashkë me mu ishte Edita Tahiri që sapo ishte zgjedhur, s’kishte shumë kohë që ishte zgjedhë anëtare e kryesisë së Lidhjes Demokratike me propozimin tim. Nekibja ka qenë edhe ma herët se kishte ndodh diçka e çuditshme pas largimit të Luljeta Pulës nga Forumi, u lëkund Forumi i Grusë Demokratike dhe disa organizata pretendojshin të largohen fare. E kishin idole kit Luljetën dhe një ndër to ishte organizata e grave, Forumi u Gruas në Prizren, që kishte gra shumë intelektuale, nën udhëhqjen e Luljeta Çekut, ni gru shumë intelektuale dhe e fortë dhe shoqeve të saja në mesin e tyre edhe Edita Tahiri që ishte ni oratore shumë e mirë.

Unë e piketova Editën, m’pëlqente e folnja e saj që ishte edhe bindëse. Mirëpo, këto gra kur u largun isha shumë e mërzitur sepse për mua ishin ni forcë edhe tani ne veprum diçka, vendosëm bashkë në kryesi t’veprojmë ndryshe. Ato ditë, m’falni për këtë largim që po e boj, po e kom qëllimin që të mrrij prapë në t’njejtën temë. Ato ditë kishte ndodhë që po i sillnin ushtarët e vrarë në armatën Jugosllave dhe në mesin e atyre ushtarëve edhe një ushtar nga regjioni i Krushës ose i Rahovecit i cili u varros në Xërxë edhe u bo ni varrim shumë i madh. U dorzunë ato kurorat në varrin e tij shumë kurora, por ni ditë ose dy pas qasaj, policia i dogji të gjitha kurorat dhe kjo ishte ni vrasje e dytë.

Tani ne gratë vendosëm t’shkojmë t’çojmë kurora t’reja, mirëpo para se t’çojmë kurorat unë ftova gratë e Prizrenit që t’takohemi në Therandë. Theranda ishte, domethanë ni vend ma i vogël shumë se Prizreni, por kishte gra qaq t’mira t’gjitha moshave, kishte gra qaq aktiviste t’dhanuna pas atdhe dashurisë, mas organizimit që do t’shërbejnë shembull për mua gjithnjë. Ato janë gra që hoqën unaza edhe qaforet për me ndërtu shkollën, ato që dhanë mundësi materiale prej vetëvetës për gjithçka. Çdo aksion që e bojshim ne dhe ishin shumë të qëndrushme në këto fërkime që mund t’i kemi edhe sot si politika, s’kishte politikë ishte veç atdheu si Kosova. Edhe unë i ftoj këto gra që t’takohemi bashkë në një mbledhje dhe t’marrin leksionin nga gratë e Therandës që t’qëndrojnë, t’mos ndahen se s’osht’ personi që e udhëheq ni lëvizje, por është lëvizja që e zgjedh personin dhe personi mundet me qenë edhe i vdekshëm edhe i ndrrushëm, se pa nji bohet por pa t’gjitha nuk bohet.

Kujtoj që kjo lujti rol dhe ne ia arritëm që gratë e Prizrenit t’i kemi afër. Kjo është edhe arsyeja që propozova që Edita t’jetë anëtare e kryesisë. Filloi mbledhja me përshëndetje me dallime shumë t’mëdha mes nesh, sepse në mesin e delegateve kishte shumë gra që kishin provu burgun, burgjet e vështira të Serbisë që kishin idealizu Shqipërinë tepër shumë, mendojshin vendi i parajsës nuk e dishin realitetin, dhe çka me thanë tjetër, nuk mund ta durojshin dikush t’flet keq. Dhe e kundërta, ishin gratë e Shqipërisë, të Lidhjes Demokratike që gjithashtu kishin provu t’gjitha t’kqijat edhe nuk flisnin mirë por duheshte shumë tolerancë, shumë durim në takimin e parë dhe unë e spjegoj këtë para mediumit. Kur u ngritën gratë e Shqipërisë dhe fillun me fol keq për Shqipninë salla uuuuuu {onomatope} dhe thom, “A din çka, ne jemi mbledh që ta dëgjojmë shoqi shoqen, nuk ia dijmë dhimtën njëra tjetrës, të kemi durimin”, këto, “Po si është e mundur njeriu me fol kundër vendit t’vet”, ishte pak ni tension por i cili u përballu sepse ne kishim vendosë t’njifemi është takim i parë dhe n’fund do t’vinte konkluzioni.

Unë e kisha pa Shqipërinë e disha që këto kanë të drejtë, por kurrë nuk kisha mujt në takimet që më ftonin në takimet e Lidhjes Demokratike burra dhe gra kur erdha prej Shqipërisë m’thonin, “Si ishte Shqipëria?” Dhe u thosha, “Është aty ku e ka vendin”, kurrë nuk thosha është mirë apo keq sepse po thosha, “Nuk ishte mirë”, sjellja dëshprimin. Neve na udhëhiqte entuziasmi, na udhëhiqte shpresa që kishim ni vend ku me mbështet shpinën dhe nuk kisha guximin t’iu tregoj se nuk ishte mirë, por as t’iu lavdëroj diçka që nuk lavdërohej, se mu lotët më shkonin çka kisha pa. Kështu që, ky takim ishte shumë i randë.

Në anën tjetër ishte i randë për ni ambicie që vazhdon edhe sot, ambiciet politike të individëve që të formojnë klane që t’arrijnë sa ma nalt. Ndër to do ta përmend me plot gojën edhe Edita Tahirin, kur e zbuloi për herë t’parë ambicien e saj personale që të shkatërroj Forumin e Gruas, të bjen njerëz të klanit ose njerëz që ajo i don edhe i përkrah, jo që kanë identitetin e vet. Dhe nuk lejon që të rrjedh edhe kuvendi, qaq i rrezikshëm, qaq i vështirë i organizun që ajo fare nuk kishte marr pjesë edhe nuk e dinte si është organizu dhe ta merrte ni rol, ani pse ishte anëtare e kryesisë. Kishte edhe burra aty anëtar të kryesisë mysafirë, prandaj s’kishte nevojë mjaft që ne e kishim ftu që t’jetë në Kryesi të Punës

Policia natyrisht në orën 10:00 kur filloi Kuvendi e kishte rrethu Kuvendin. Mysafirët nuk dinin as delegatet, por mu m’vinte porosia ndaj mikës që ma sillte mikja Xheki që ishte drugza e të gjitha aktiviteteve t’mija edhe pa t’cilën s’di si t’veproja. M’thotë, “Doktoreshë po t’kërkon Policia”, “Cila polici?” Thotë, “Po t’kërkojnë ty”, thashë, “Unë nuk dal”. Ajo mas 15 minuta tha, “Doktoreshë ata po insistojnë që t’dalish”, “Po nuk dal”, edhe po vazhdonte mbledhja. Ishte shumë e vështirë ta udhëheqish ni mbledhje kur kishte presion çdo 15 minuta se po t’thërret policia, vazhdonte mbledhja, në anën tjetër kishte presion nga Edita e cila ma merrte mikrofonin dhe donte me vazhdu mbledhjen ashtu qysh ajo, pa skenar që e kishim bo na si Kryesi e Forumit, domethanë edhe me fjalë.

Ndonjëra nuk e kuptonte situatën, nuk e kuptonte që duhet me i qetësu plagët dhe njëra që s’po du me i përmend emrin prej nesh përdorte fjalë t’kqija ndaj grave, ish të burgosurve, “Çka jeni çu peshë?” Fjala, “S’jeni ju ato që…” ose për shembull, ato u revoltun po na prishin krejt Kuvendin edhe tash kur unë ju thojsha, “Uluni, uluni, kadal-kadal do ta zgjidhim këtë punë” qetësoheshte. Edhe me ni moment prapë policia hyn brenda.

Tash e disha që do t’më arrestojnë, mirëpo a do t’mund t’më arrestojnë para 500 vetave dhe a do t’lejojnë këto 500 veta t’arrestohem nuk e besojsha. Tu i njoftë gratë nuk e besojsha. Prandaj edhe nuk dilsha, se po t’isha dalë isha arrestu n’vend. Edhe kur hyjnë thanë, ka qenë ni delegat, ni anëtar i kryesisë, Gjergji, mbiemrin që kërkush s’i tha me u çu n’kambë ai mu përgjigj para policisë, as policia nuk iu drejtu atij por se di pse këta anëtarët e kryesisë e ndijshin vetën qaq kompetent. Ndërkaq nga Ibrahim Rugova e kisha kompetencën që Forumi i Grusë është, një asociacion, aneks, por nuk është pa pavarësinë e vet, e ka pavarësinë e vet.

Pra, këta dy e lujshin rolin shumë kompetent, diçka mbi kryetarin e Forumit, kryetarën, Dhe çohet ky Rexhep Gjergji edhe i thotë, “Urdhnoni!” Ata thojnë, “Jo, deshta me ditë a ka këtu mysafir nga Shqipëria?” Edhe ai thotë, “Po”, thu ti është shumë normal me i thanë po. Atëherë ngritet Sanije Gashi, anëtare e kryesisë, dhe del para policisë, kurrë s’do ta harroj këtë trimëri t’saj edhe i thotë, “Zotëri, këto janë mysafiret e mia”, fjala t’gazetës… thotë, “Jo, të Forumit. Veç nuk pata ku t’i la dhe i mora me veti”, “E mirë, eja ti me neve pra”, dhe e morën.

Sanija nuk heq dorë që ato janë mysafire të redaksisë edhe janë në kalim e sipër se ato kishin marr, kishin marr viza kaluese nëpër Kosovë, thuhej se po shkonin në Rumuni, se nuk kishin t’drejtë të vinin në Kosovë nga Shqipëria. Ato janë vetëm në kalim e sipër dhe unë i ndala s’kisha ku t’i la dhe qikjo ishte krejt. Edhe Sanijen nuk do ta ndalin, por ktyre të gjitha do t’ju japin vula t’zeza që t’kthehen menjëherë në Shqipëri për 24 orë, por kjo nuk na prishi neve fare kuvendin. Kuvendi vazhdoi edhe në ni moment e zgjodhën grupin, detalet po i spjegoj se du ta spjegoj pse e lëshova, pse e lëshova Lidhjen Demokratike.

Këtu domethanë në ni moment u zgjodh kjo komisioni verifikues, fillun votimet, ishte bo ni punë që Edita nuk e dinte që unë e di. T’u desht që t’i bindte të gjitha delegatët, mysafirët që edhe sot janë dëshmitare, të paktën mysafiret nga Maqedonia janë dëshmitare se edhe atyne t’ju thotë, “Mos votoni për Florën” dhe e çuditshme se mund t’ma thoshte edhe mu, “Ti mos konkuro”, dhe unë masi e kisha këtë informacion edhe masi që jam ndryshe, jo qaq ambicioze në politikë ndoshta. Unë u ngrita dhe u thashë, “Ju kisha lutë t’mos më propozoni për anëtare t’kryesisë, sepse e para nuk jam anëtare e dëgjushme e partisë”, domethanë si poete që jam edhe ndoshta vetvetiu nuk jam e dëgjushme dhe nuk jam e përshtatshme me qenë në Kryesi të Forumit, e kam kry punën time deri te kuvendi kështu kur e kam marrë detyrën kam thanë deri te kuvendi.

Megjithatë u mblodhën votat edhe ka qenë ni zonjë që, që, jo, Çibriçi, m’doket kështu e ka pasë mbiemrin, nga Drenasi, kryetare e komisionit dhe kur komisioni… se u pa hypi shkallëve. Dhe në dhomë u ngrit Edita Tahiri dhe i thotë Nekibe Kelmendit, “Eja t’shkojmë edhe ne në komision që t’i verifikojmë votat”, kjo do të thoshte kontrollim i votave. Kjo Nekibja nuk shkoi, megjithatë e dinte çka domethanë me hy në komision. E kjo Edita shkoi. Dhe posa e msheli ajo derën dhe unë e përcolla me sy, dhe paramendo tonë kohën e kisha presionin e policisë, shoqës që e kishim në polici dhe edhe këtë duheshe ta mbaje parasysh.

Ajo shkoi unë e ndërpreva diskutimin, thashë, “Më falni n’këtë moment, në dhomën ku po numërohen votat, shkoi edhe anëtarja e kryesisë pa lejën tonë. A do ta lejojmë a jo? Nëse jeni për apo kundër të votojmë”. Salla votoi kundër, me qenë ajo se na po i besojmë komisionit që e zgjodhëm vet, aty e zgjodhëm, unë nuk e propozova komisionin. Atëherë thashë t’i zgjedhim dy veta që t’iu thom atyre, pra Editës që t’i thotë, “Dil jashtë!” Dhe i zgjodhëm dy veta, kuvendi i zgjodhi dy veta dhe i thanë, “Dil jashtë!”

Tash ajo kur doli u arsyetu, “Jo nuk shkova për me i numëru votat, po për me kqyr a po din ato”, nuk e di çka, “a po din me numëru”. Po qysh nuk dijnë gratë që jepshin jetën për aktivitetet, nuk dijnë me numëru! I kishin zgjedh gratë e duhura, që unë nuk i njoh, por ishin aktiviste edhe qaq shumë edhe sa nuk jom ndalë unë që t’i dij emrat e secilës veç e veç. Kur doli Edita, e dita se ma nuk do t’jemi bashkë, e dita se kom pa një gjest, unë kam bo një gjest, që nuk mund të jem aty ku është edhe ajo se nuk shkon. Ja komunizëm, ja demokraci. Unë për vete isha demokrate. Jo tash t’më urdhëron nisoj si n’kohërat e mëparshme komisari politik, t’më urdhëron gjithçka. Dhe kjo ishte ni, ni, për mu ishte ni dëshprim shumë i madh, por isha e knaqun me vetën, me delegatet që e bam ni gjest [që tregoi] që nuk i ka hije ecjes përpara.

Tani kongresi dha rezultatet. Në mesin e të gjithëve unë kisha fitu ma s’shumti vota. Edita tha, “Mos e shpall kryetarën e Forumit” po t’kishte qenë kushdo prej anëtarëve që kishte fitu ma s’shumti vota, unë do ta shpallja, por masi kisha qenë unë dilte që unë kam qef njëqind përqind t’isha kryetare. Prandaj, unë s’isha njëqind përqind me qenë kryetare, tek e fundit kisha edhe punë tjera, por masi isha vet unë shpalla kush e kush ka fitu vota, por nuk e shpalla kryetaren. Ajo u nënkuptu para komisionit se kryetare isha unë, por realisht nuk isha unë. Të nesërmen nuk e thirra, unë ende s’isha shkarku se s’e kishin zgedh kryetaren. Nuk e thirra kryesinë, por e thirri Edita prej selisë së Lidhjes Demokratike, Edita Tahiri na thirri të gjithave në mbledhjen edhe kjo për mu ishte e çuditshme që t’na thirrë dikush.

Kur po shkoja në mbledhje po ju tregoj t’drejtën s’di a mundeni me e përceptu t’paktën po e them publikisht le të jetë e dokumentune diku, mu dukej sikur toka po m’shembej, kisha dhanë gjithçka prej vetës për ta organizu grunë e gruja ishte e organizune në kuadër të Lidhjes Demokratike. Ndoshta informacioni ma i mirë, s’ishte me rëndësi emri i partisë, por ishte gruja ku ishin bashku edhe gratë që kishin vujt nëpër burgje edhe gratë e protestave të viteve kaq e kaq krejt ishin bashkë. Dhe ishte një atmosferë pune e jashtëzakonshme, si ato që punojshin në bujqësi si ato akademike. Dishin me respektu grunë akademike, kur ndonjëra doktoronte ne ja bënim solemnitetin sepse gëzoheshim që kemi tash edhe ni gru doktor-shkence dhe edhe aksionet e puntë që i bojshin konkrete në teren. Mu m’shembështe toka, m’dukej që kur qitsha kamën m’sharronte se e dijsha që do t’marr ndonjë hap shumë radikal.

Kur arrita në mbledhje të gjitha ishin mbledhë dhe thashë do t’ia filloj. Edita fliste, thashë “Edita, më fal, unë ende nuk kam dhanë dorëheqje, ende jam kryetare derisa ta zgjedhim kryetaren e re…” Thashë, “Meqenëse je shumë ndikuese tek anëtaret e kryesisë, s’pari po t’falenderoj që e ke thirrë kryesinë e re tu mendu që unë jam lodh edhe nuk kam pasë kohë, por realiteti është se unë i përcolla mysafirët deri n’kufi, ato që kishin marrë vula të zeza tjerat që u kthyn. Prandaj s’i thirra, por t’falenderoj që i thirre ti dhe tani duke qenë se je ndikuse tek anëtaret e kryesisë dhe do ta bojsh ndikimin që kënd ta zgjedhim kryetare, nënkryetare e këto tjera, t’kisha lut që t’dalish jashtë. S’kemi nevojë për anëtare të kryesisë sepse të gjitha jemi të pjekura. Unë po e shoh ni brum mjaft t’mirë të anëtarëve të kryesisë i cili mund t’ketë mundësinë ta zgjedhim ma t’mirën”. Tha, “Jo, nuk dal”.

Thashë, “Kqyre Edita, edhe unë nuk jam ajo që kam qenë sepse na jemi zgjedh mes veti, domethanë ni grup grashë kanë thanë, ‘A po e udhëheq Forumin e Gruas?’ dhe jo me dëshirën time e kam udhëheqë dhe kam thanë, ‘Deri në kuvend’. Por, sot unë kam marrë votat e 500 grave dhe do ta përcjell dëshirën e 500 grave. Unë jam tjetërkush [sot]. Prandaj, të lus dil sepse nuk do t’i përmbahemi urdhërave, por do t’punojmë qysh na merr mendja, qysh e kena statutin, e kemi rrregulloren dhe s’ka me gisht”, “Jo…” tha, “unë nuk dal”. Thashë, “Në qoftë se ti nuk del dhe unë s’mundem detyrën e parë që ma delegojnë zgjedhesit me e kry, dal unë”. U them, “M’falni, nuk po mundem me e kry detyren se s’po m’len”. Kjo u kuptu mirë nga anëtarët e kryesisë, ato ja fillun me qajt, tu m’njoftë se m’njifshin mirë m’njifshin. “Doktoreshë mos dil ti”, po thashë, “Na s’kishim… me u kap me u rreh a?” Edhe ju thashë, “Jo, unë do të dal”. Edhe Edita m’njifte se domethanë e vendosur jam, por jam edhe e butë dhe a din çka tham dhe unë nuk do t’ia harroj, nuk jam ajo që i harroj gjërat, ndoshta jom ajo që i harroj emrat por ngjarjet jo.

[Rrëfimi vazhdon nga pjesa e tetë e video-intervistës]

Pjesa e Nëntë

Flora Brovina: Ajo tha, “Mirë, a do të rrish t’paktën të na ndihmojsh në rendin e ditës?” Kurrë s’do t’ia kisha bo dikujt qita, kurrë s’do t’i kisha thanë kështu dikujt. Kur e din sakrificën që e ka bo për qat asociacion, t’paktën t’i thush faleminderit për punën që e ke bo ose respekt për punën që e ke bo, se unë mburrem me punën që e kom bo në Forumin e Grusë. Të drejtën po t’them s’e kom për mburrje, sepse e kom bo me zemër dhe m’vjen shumë mirë. E ato ende, ende dhe në këto fërkime politike i kam shoqe dhe e respektojmë njëra tjetrën.

Ndërsa ajo m’tha, “A mundesh?” Domethanë me na ndihmu në disa pika që i kishte caktu ajo. Ndejta edhe ni pikë çka kishin. Gratë s’e besojshin që dal dhe u çova atëherë dhe i lashë me lot n’sy. Kjo është largimi im prej Forumit të Grusë. Nuk e di si është komentu ma vonë, por hatri m’ka mbetë shumë jo pak edhe te miku im Ibrahim Rugova, sepse unë kam qenë shumë e sinqertë me punën time. Madje i kam raportu shpesh edhe ai ndonjëherë m’ka thanë, “Unë e di që punon edhe vetëm puno edhe…” por kur u largova sigurisht u ndje i lëndun ndoshta pse u largova dhe nuk e ka pa të arsyshme t’më pyt, “Pse u largove?” Por e ka marr përgjegjen atëherë kur Edita Tahiri u largu prej tij, sepse e ka pasë ambicien vetëm për… e ka pasë ambicien e madhe politike dhe kur e ka pa se diçka nuk është në rregull ka kqyr tjetërkah me përfitu. Kjo është edhe kjo është edhe i qëndroj kësaj deri në vdekje, sepse… unë e respektoj Editën si një personalitet, por kujtoj se ajo shpesh e përvetëson, i përvetëson ngjarjet historike, shpesh herë bohet edhe luftëtare e quan vetën dhe nuk është e tillë.

Aurela Kadriu: Për protestat e vitit ‘98 dashta me t’pyt, ku keni qenë? Qysh ka ndodhë? Në mars është kjo.

Flora Brovina: Ni protestë du ta shpjegoj edhe ni protestë tjetër du ta shpjegoj. A e kom spjegu ‘95-ten kur është burgosë Sanije Gashi?

Aurela Kadriu: Jo.

Flora Brovina: Du ta spjegoj edhe atë protestë sepse nuk përmendet kërkund. Ne formum, formum këtë mas disa mujve formum Lidhjen e Gruas. Lidhja e Gruas është formu n’këtë dhomë, ishin njiqind gra, ato që morrën pjesë pa marrë parasysh…. Ideja ishte që t’kemi gra pa marrë parasysh se a i takojnë ndonjë partie, që atëherë po formoheshin partitë apo jo, pa marrë parasysh përkatësinë fetare ose jo. Pra, se ishin formu edhe disa parti me ideologji t’caktuara, por t’gjitha t’jemi bashkë, Lidhja e Gruas, me qëllim t’i ndihmojmë grave.

Të drejtën kjo ishte ide e fillimit edhe kishte për qëllim përgaditjen e grave t’mos na gjejë në asni situatë të befasuara, të pa përgaditura, e kam fjalën për luftë. Jo se unë e ndjellja luftën, por aty kishte mend dhe sy për ta pa situatën edhe vet situata i ngjante luftës, se ishin krejt t’papuna, krejt jashtë rrjedhave dhe me insistimin e shoqeve të mia, domethanë, “Pse s’e formojmë tash? Pse s’e formojmë tash?!” Ne u mblodhëm njiqind veta dhe se s’mund të mlidheshim ma shumë edhe vendosëm me formu grupin iniciativ edhe Lidhjen e Gruas.

Të nesërmen, ndoshta pse kati poshtë dikush na ka përgju ose dikush edhe ka spiunu, nuk e di bash mirë se çka ka qenë, por t’nesërmen të gjitha u ftum, krejt kryesia u ftum një nga një në polici. Disa nga këto gra u tregun t’dobta. Ma vonë kanë vazhdu t’jenë shoqëri aktive, domethanë shoqëri civile ku përfitoheshin edhe mjete materiale dhe nuk e di nuk i kam pa kurrë në sy, nuk jemi kqyr në sy, por kanë pasë frikë. Disa kanë pasë presion nga familja, masi u murrën në pytje, disa kanë qëndru qaq trimnisht dhe kurrë nuk do ta mendoja se mund t’jenë qaq trime. Në mesin e tyre trimneshave do ta përmend Valbona Zherka-Pallaska, ndoshta ju kom tregu për këtë?

Aurela Kadriu: Po, e keni përmend Valbonën.

Flora Brovina: Po, e kom përmend sepse gjithnji kam qef ta përmendi, nji piktore shumë atëherë e afirmune ndoshta ishte njëra prej ma t’afirmunet edhe e cila qëndroi. Për demostratën m’doket se ju kom fol kur u mbajt në platonë e Pallatit të Rinisë. E përmend këta sepse tani nga Qendra Informative e LDK-së nuk kishte informacione për punën e Lidhjes të Grusë Shqiptare, ne çka do që bojshim nuk shkonte informata deri te Lidhja, deri te, në informacione të ditës nuk dilte, rrallë ndonjë, nihere ka dalë ni informatë që jam kërcënu unë dhe familja ime por s’kishte mjaft informacione. Në kuadër të Lidhjes së Grusë Shqiptare kemi punu qaq shumë saqë është e pa mundur ta imagjinosh, natë dhe ditë.

E tani po arrijmë në vitet, në vitet pak para luftës kur terrori po shtoheshte, kur kishte nevojë gratë na thirrshin edhe në shtëpia, ku rrethoheshin periferia e qytetit dhe policia ishte afër shtëpive të tyre dhe ne shkonim shumicë për mos, për me tregu nifarë force. Ishte kohë e ni krize ekonomike, m’kujtohet edhe krizë. Nejse, e spjegoj dikun tjetër këtë çështjen e situatës ekonomike n’vend ishte shumë e vështirë. M’kujtohet kur m’ka vdek baba nuk kisha pare për me e ble sandëkun për babën edhe kur ishte ai i sëmurë mu m’duheshte me punu tërë ditën për me ia ble ni infuzion, kjo ishte kriza, edhe pse isha mjeke vet prapë se prapë nuk kisha mundësi.

Në ambulancën që kisha marrë me qira ku punoja nuk kisha mundësi as me pagu qiranë dhe njëri ndër ata që e kishte vërejtur këtë, dhe vendosa ta mbyll sepse unë edhe kështu punojsha vullnetarisht punë tjera, dhe Adem Demaçi m’thotë të mos e mbyll këtë ambulancë. Një ambulancë që ishte ni dhomë dhe ni paradhomë. Aty vinin edhe nxënësit e shkollës t’mesme të bëjnë praktikën, unë ju kisha leju me profesorin dhe mjekët e posa diplomum e kanë praksën obligative një vjeçare ku n’mes tjerash duhet ta kryjnë edhe përvojën e pediatrit ni muj. Dhe vishin ta kryjnë stazhin pediatrik tek unë dhe ky ishte ni komunikim shumë i mirë për mu me mjektë e ri. Dhe kujtoj një përvojë, një njohje me këtë gjeneratë e cila do ta bartë peshën shumë t’madhe t’kohës që do t’vjen, pra peshën e luftës.

Tani, si Lidhje e Grusë, ne po na njihnin dita m’ditë edhe të tjerët dhe me ni takim që u mbajt në fund të vitit, në shkurt, me 28 shkurt të vitit 1998 do t’ftohet edhe Lidhja e Grusë në atë takim, dikund në lagjen e vjetër të qytetit, domethanë afër shkollës “Emin Duraku” dikund me ni shtëpi private. Do të ftohemi që të bisedojmë për ni demostratë që do të mbahet në mars, demostratë t’madhe popullore dhe t’marrim pjesë në organizim.

Në ni moment kur u bo pauza, debatojshin në forma të ndryshme kur u bo pauza e mledhjes, kur dolëm morëm vesh që në Likoshan dhe në Qirez po fluturojnë këto avionët, helikopterët e policisë dhe kishin vra shumë njerëz. Në atë moment kur mbaroi kjo pauza, unë nuk u ktheva në mbledhje por i thom Shukrie Rexhes, Shukrie Rexha ishte ni ish e burgosun politike, aktiviste dhe i thashë, “Shukrie t’lutëm hin brenda thuju burrave…” se shumica ishin burra, “Thuju burrave të thrrasin gratë që t’bohemi në ora 4 ose 5”, kom harru, “Të mblidhemi te zyra amerikane”. Ju kom tregu këtë apo?

Aurela Kadriu: Jo.

Flora Brovina: Të mblidhemi te zyra amerikane, gjitha gratë edhe të vijnë edhe gratë e tyre t’protestojmë për ngjarjet në Qirez dhe në Likoshan. Unë t’drejtën nuk kisha telefon, nuk më punonte telefoni, nuk e di a nuk e kisha pagu a çka, por shkova te kojshia i parë. Dhe gra aktiviste kisha gjithandej, dhe e luta që t’i lajmëroj shoqet e veta dhe ato shoqet e veta dhe kështu unë në mënyrë induktive qysh bojshim gjithnji, t’i lajmërojmë gratë se në ora kaq duhet t’jemi këtu.

As vet s’e kisha mendu që duhet t’jemi gati 3000 gra para dyrve të ambasadës, nuk shkum të gjitha përnjëherë por aty u mblodhëm. E gjetëm në befasi vet udhëheqsin e zyres sepse ka qenë pasdite dhe kishte qenë t’u pushu dhe ai ndër tjera m’ka ardhë interesant që m’ka thanë, “Më fal se nuk mbrriva as sakon ta veshi”. Domethanë ishte veç në bluzë, dhe kur ndëgjoi për çka po kërkojmë, domethanë po fillon lufta, “Frika jonë është se po fillon lufta”.

Derisa u vranë 20 e sa vet në mesin e tyre edhe ni gru shtatzanë e familjes Nebiu, atëherë filloi lufta, edhe fëmiu në bark u vra. I erdhi shumë keq, gratë ndodheshin jashta në rrugë e unë isha me ni delegacion brenda tek udhëheqësit. Pasi kishin fillu mbledhjen, në mbledhje hyri edhe Luljeta Pula e cila ishte në mledhje bashkë atëherë kur na kishte thirrë edhe Adem Demaçi, por ajo erdhi edhe këtu. Në ni moment kur po dilshim, ishim tu dalë prej ktij takimi nuk e di pse mu dha, domethanë, prej nifarë ngushtese se nuk e di as vet isha tu mendu dhe e thashë fjalën kësi soji, “Nuk po di çka me ba”.

Njeriu rrallë herë në takime zyrtare thotë diçka çka mendon me vetveten, por unë e thashë fjalën, “Nuk e di çka me ba”, dojsha diçka me ba edhe ma shumë se sa kaq. Ky m’tha, “Zonjë, je duke bërë atë që duhet bërë”. Kjo është një fjalë shumë e madhe e që do t’më udhëheqë shumë në jetë. Je duke bërë atë që është e nevojshme me bë, sepse po s’u ngrite vet me e mbrojt lirinë tane s’ka kush mundet me t’ndihmu. A është kështu? Diçka ngjajshëm kisha dëgju. Thashë edhe prej njerëzve t’mi, prej babait tim që kurrë nuk m’thoshte kurseje vetën, prej burrit tim por edhe prej ni mikut tim të ngushtë që më quante motër e ishim edhe kolegë në “Rilindje”, Jusuf Gërvallës.

Kur unë deshta t’jem pjesë e “Ilegale” dhe ai m’thoshte, “Jo ti sepse ke familjen që ta njohin, je emër, poete e parë shqiptare, je gazetarja e parë, bjen në sy. Në ‘Ilegale’ bjen në sy, ndërsa në momentin kur t’dush t’bon diçka do ta gjejsh vet dhe atëherë vepro”. Dhe kjo fjala se je duke bërë atë që duhet bërë më mjaftoi që ta marrë përsipër rolin tim e që do ta kem deri në mbarim të luftës. Kjo do të thotë, prej asaj dite me shoqet e mia të Lidhjes së Grusë, të cilat veç e veç secilën e falenderoj për guximin që kanë pasë, për sakrificën, për vullnetin që ia kemi dhanë shoqja shoqës sepse ndoshta pa njëra tjetrën s’do t’kishim mujt. Por efekti që kemi pasë edhe tek burrat, sepse në Lidhjen e Grusë fillun të paraqitën edhe burra vullnetarë dhe na thoshin, “A na pranoni në Lidhjen e Grusë?”

Kjo ishte shumë e bukur dhe ishte inspirative, sepse çdo ditë kishim njerëz vullnetar, shofer, besa edhe me fakultete, besa edhe doktor shkence siç ishte Emin Kabashi, siç ishte Nebi Balaj, Kadri Dushi dëshmor të cilët u paraqiten vullnetar. Dhe të mos i përmend me emra sepse mund ta harroj ndonjërin dhe ndjehem shumë keq, të cilët u paraqitën vullnetar dhe e ndijshin vetën pjesë të ni rezistence aktive për liri e punonin në kuadër të Lidhjes të Grusë. Ne u gjindem meniherë, ishte dita e varrimit të dëshmorëve edhe ne u organizum si Lidhje e Grusë që t’shkojmë bashkë, me Lidhjen Demokratike shkum, atje ishte si ni qendër ku mund ta merrshe komunikimin dhe Fehmi Agani po përgaditeshte me shku me marrë pjesë në varrimin në Qirez dhe Likoshan.

Në kolonë, ne nuk kishim vetura dhe e pam ni gazetar gjerman dhe e lutëm a mundet me na marrë neve, t’paktën nja tre veta, masi edhe ai deshte t’shkon në varrim, tha, “Po”. Edhe u nisëm kah Komorani, kur  ky delegacioni mrrini në Komoran u ndal nga postblloku dhe policët e kthyn këtë Fehmi Aganin dhe tërë delegacionin, mirëpo ne vazhdum deri te Komorani. Unë pak e bëra ni demostrim para këtij gazetarit gjerman, e nxorra lejën time t’njoftimit thashë, “Unë jam nga Drenica dhe du t’mrrij sepse mund t’jenë edhe familja ime atje që ka pësu”. Realisht jam e lindur në Drenicë, por nuk kam familjarë ajo ka qëllu kështu rastësisht që kam lindur dhe jam krenare, mirë, m’pëlqen që kam lindur por nuk jam e Drenicës. Edhe atëherë ata nuk m’lshun e bom disa fjalë dhe u kthym edhe ne.

Unë vërejta diçka tu e njoft me synin e “Ilegales” vërejta diçka rrugës, por nuk fola. Kur u kthym u them shoqeve, “A e kemi me gjithë mend, që po dojna me marrë pjesë në varrim. Nëse e kemi, ta lutim edhe nihere këtë gjermanin ky a e ka me t’vërtetë”. Edhe e pys, “A do t’kishte pasë qef me ardhë me neve rrugëve tjera, jo rrugës që ishte e ndalune?” Tha, “Po, po, a shkojmë edhe nihere?” Dhe ne u nisëm prapë dhe afër, afër Kronit të Mbretit në anën e kundërt ishte ni rrugë kah Vasileva. Tani kah Vasileva dhe ishte afër Kronit të Mbretit e kisha hetu nji njeri që ishte ndalë dhe po rregullonte gomën e veturës, kur shkum në Komoran por edhe kah u kthym ai i njejti po punonte në gomën dhe mu më erdhi si ni shenjë ilegal i diçkajës dhe tani kur shkum prapë i njejti njeri, prapë punonte diçka te vetura, i njejti te vetura e rregullonte.

Atëherë unë zbrita pak ma larg iu afrova këtij njeriut edhe i thashë, “Mirëdita, a mund t’na tregosh kah shkohet andej?” Domethanë, as nuk i thashë te varrezat as… por vetëm andej, se në “Ilegale” s’ka nevojë për shumë fjalë, ai tha, “Doktoreshë po t’njoh,” tha, “me veturën që je nuk mund t’shkojsh”. Domethanë regjistrimi gjerman, “Veç në qoftë se ju, sa vet jeni?” Thashë jemi kaq, tha, “Do t’iu marrë unë për qata jom këtu”. E thashë, “E po e mora vesh”. U morëm na vesh hiç hiç pa fol edhe tha, “Po veturën duhet ta leni këtu”. E mirë tash duhet t’bisedojmë me gjermanin se a pranon ta lë veturën në oborrin e ndonjë shtëpie në Komoran në të djathtë t’rrugës, ai tha, “Po”. Dhe shkoi ta sheh vendin ku do t’lihet vetura.

Ne të trija shpejt e shpejt ia kontrollum dokumentet që kishte në veturë, a është vërtetë… tashti kishim përgjegjësinë, a është vërtetë ky gazetar dhe a është vërtetë ky gjerman? Mund t’mos ishte. E pam që po. Megjithatë, dokumentet thoshin po edhe ashtu si na kishte thanë. Dhe po e spjegoj se du atë vigjilencën e gruas, nuk e them timen, por të grave bashkë me mu dhe e lamë veturën. Ky na tha që t’presim edhe pak, se po e priste delegacionin e ambasadës shqiptare nga Beogradi që t’vinte orë e qast. Dhe kur erdhën edhe ata, ne u nisëm rrugëve vërtetë ilegale nëpër fshatrat që… jo ka Drenasi, por tani në fshatra tjera për t’arritë.

Kur mbërrimë ishte ni miting shumë shumë i madh, miting i them por ishte ni varrim masovik që s’mbahet mend, tanë kodra, e njerëzit me orë të tëra po prisnin, 20 e sa varre, 22-23 varre ishin t’hapura. Jo të gjithë njerëzit ishin gjetë, sepse ishin vra atje këtu, ni trishtim, familjet qanin ishin ndërtu edhe bina për t’mbajt fjalime. Unë nuk e kisha planifiku t’jem aty te bina, por qe më nxorën që t’jem edhe unë edhe fillun me majt fjalime.

Aty do ta bënë një gabim jetësor Luljeta Pula dhe m’vjen keq se do t’pëson, domethanë karrierën e saj politike. Ajo filloi me fol veç tjerash, por harroi tragjedinë dhe filloi me fol se është kandidate për deputete, se tashti Lidhja Demokratike kishte pasë, kish pasë zgjedhjet dhe s’di se çka, hiç nuk shkonte me atmosferën fare, fare nuk ia qëlloi. Sado që e tërhiqshim nga pallto që t’mos flet, “Mos fol!” a din, sepse nuk ishte rendi. Ajo u habit dhe e pësoi. Dhe kujtoj që e pagoi me karrierë politike edhe pse ishte ni gru shumë karizmatike dhe e kam respektu. E kjo përfundoi kështu, është sepse disa dojnë me e promovu vetën aty, mendojnë që qajo ka qenë kryesorja.

Tashti du ta tregoj te varrimi, derisa varrimi, në varrim domethanë familjet insistun i kapën gurët dhe donin ta gjuanin me gurë Luljetën, dhe kjo ishte ni situatë shumë e tmerrshme. Atëherë familja që kishte hup katër djem u ngritën dhe thanë, “Doktoreshë, fol ti”. Thashë, “Unë s’jam përgadit me folë”, “Jo, t’flasish ti ose na e bojmë kështu kështu kështu”. Atëherë unë u ngrita edhe e mbaj ni fjalim. Ky fjalim që mbaj për ta qetësu masën n’emën të Lidhjes të Grusë është se ne gratë do t’jemi krah për krah me burrat për t’i dalë zot atdheut kudo qofshim, dhe është betimi im para popullit që do t’jem pjesë aktive e mbrojtjes së atdheut. Kjo është fjalimi im dhe unë kujtoj se këtu kam dhanë betimin.

Mas këtij fjalimi burri m’thotë, “Se kam mbajt fjalimin pak ma gjatë”. A unë e di pse, sepse unë tu fol masa kadal dal uleshte, uleshte i lshonte gurtë dhe kur e pash se u ulën gurtë e mbarova fjalimin, e di se kam fol pak ma gjatë. Pas kësaj, unë bashkë me mjekun që është i zhdukur, që është i zhdukur mas kësaj masakre, mjekun drenicak që m’hupi emri… ndoshta më vonë m’kujtohet, po m’vjen keq për harresën time por janë vjetet, shumë po m’vjen keq. Por ky do t’më jep, ky punonte, njerëzit alivanoseshin, ky i kishte xhepat me ilaqe dhe thotë, “Doktoreshë…” ma mbushi ni xhep me barna qetësus dhe me analgjetikë dhe dolëm në masë ku do që ishte nevoja të punojmë në teren.

Ishte ni situatë vërtetë ndoshta vetëm në film mundet me u përshkru. Ndoshta këtu po e zgjas ma tutje, mirëpo prej kësaj dite anëtarët e Lidhjes të Grusë do t’jenë çdo ditë në teren, në fshatrat e Drenicës atje kudo që njerëzit kishin nevojë për ne me i qetësu, me ju lidhë plagën, me i trajtu t’plagosunit. Në ndërkohë në, në ndërkohë me 5 mars ndodh masakra në Prekaz, ne na gjeti të organizume në Prishtinë. Automatikisht u organizum te zyra amerikane prapë, zyrë ishte, nuk ishte ambasadë atëherë. Dhe mblodhëm shumë gra, me mijëra gra.

Policia na rrethoi, na rrethoi dhe ajo ura që kalon treni përfundi te në Dragodan ishte plot me policë. Policët na rrethun edhe domethanë rreth zyrës amerikane dhe mu m’kujtohet në shqetësim e sipër u ngrita në kamë edhe e shoh që zyra është e rrethune dhe i thom zotrit Hill, ai ka qenë udhëheqës, “Zotri Hill jeni rrethu, jeni rrethu. Ata janë rrethu, jo na jena rrethu, po jeni rrethu”. Ftyra e tij u zbeh i erdhi shumë keq, “Çka bojmë tash?” Fjala dal ju mbroj. “Jo,” thashë, “dal unë para grave”, dhe dola.

U them, “Gra kapuni për dore, kapuni njëra me tjetrën, disa do t’shkoni nga lagjja Kodra e Trimave”, domethanë spitali e tutje dhe disa nga ura ishim me mijëra gra dhe… “mos e lshoni njëra tjetrën edhe me kusht se në qoftë se vritet njëra, mos e lshoni me asnjë kusht mos e lëshoni njëra tjetrën, pra arma juj është dora”. Unë ndodhesha me grupin që do t’kalonte urën dhe ky nuk qetësoheshte, ambasadori Hill, atëherë nuk kishte ambasador. Zyra amerikane kishte muret dhe në një moment përderisa po kalonim urën, unë e pash që kishte hyp në qoshen e murit t’oborrit për me na kontrollu neve mos po na ndodhë diçka. Tanë kohën policët kishin hap bajonetat dhe na prekshin trupin me bajoneta, trupin tonë, domethanë duke ec na preknin kështu {shpjegon me duar}.

Kjo forcë e grusë është e papërshkrushme në histori, kjo forcë që ato nuk e lëshun njëra tjetrën dhe erdhën poshtë. Poshtë kur mbrritëm ishte demostratë e madhe dhe kishte njerëz që [kishin dalë] në përkrahje tonën, dhe ndodhi një demostratë jashtëzakonisht e madhe. Të nesërmen ose mas disa ditësh ndodhën edhe demostratat gjithëqytetare, gati çdo ditë kishim demostrata. Demostrata gjithëqytetare, i keni, do t’iu jap edhe fotografitë, do t’i udhëheqi bashkë me Isa Kastratin.

Tashi televizioni do t’i merr do fotografi tjera, do të reklamohen disa njerëz tjerë. Fatkeqësisht, disa do t’pësojnë shumë keq në qendër t’qytetit, por do t’pësojmë edhe ne që ishim tu udhëheqë. Isa Kastrati e dini është dëshmor. Unë nuk e di kush i ka bo fotografitë, por unë kam shpëtu atë ditë falë, falë disa të rive që m’kapën dorë pas dore dhe s’e di ku m’çun, sepse kështu ishte situata shumë e acarune, shumë e rrezikshme.

Pas kësaj demostrate, thashë çdo ditë do t’kemi demostrata për ta alarmuar botën dhe do t’kemi, paraqiten mediumet ndërkombëtare për me tregu se çka po ndodh. Edhe fotografitë e para të, domethanë të nanës që vdiq me fëmiun në bark, që u prezantu do t’i prezantojmë na të Lidhjes së Gruas, por pranë Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, u bom edhe pjesë e Këshillit të Drejtave të Njeriut. Një tjetër çka do t’them, ne patëm edhe dëshmorët, t’plagosunit e parë që po vinin nga Drenica n’mesin e tyre edhe t’familjes Jashari, siç është djali i Sherif Jasharit, i plagosur ne krah edhe erdhën edhe mediat e huaja. Kishte plot media t’huaja dhe kërkonin informacione konkrete, foto konkrete.

Kërkun prej meje që ta kenë fotografinë e njërit prej t’plagosurve, unë pranova vetëm se kërkova t’mos ma qesin fytyrën time që t’mundem ma tutje t’punoj. Fotot e para pra janë të këtij djali 17 vjeçar që plumi i kishte kalu prej krahut nërsqetull dhe unë punova pa dorëza. Dhe t’them t’drejtën, unë e kam një gisht të kputur dhe kjo doli në CNN, duart e mia u panë që unë po punoj dhe motra ime e kishte pa në Amerikë edhe m’thotë, “Të pash në televizion”, realisht e kishte pa gishtin tim t’kputur.

Kjo është momenti kur njerëzit fillun me e pa se organizimin e Lidhjes të Grusë… edhe fillun me na ofru edhe ndihmë, për shembull me na dhanë vetura se na shkonim në teren, shkonim në Drenicë edhe t’mos kemi probleme me shku. Fillum të mbledhim ushqime, fillum të mbledhim rroba, besa arritëm të mbledhim edhe gjëra që i duheshin Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse u takum me ta.

Garderoba e parë që do t’arrijë dhe që do ta shof unë se ajo është përdor janë disa kështu, jelek dimri jo me mangë, se s’gjetëm me mangë të jakneve, jelek të trash që ushtarët me tesha civile i kishin vesh si shenjë e Ushtrisë Çlirimtare. Këto i kam pa në mars të vitit ‘98 kur kam shku në fshatin Obri, ni territor që ishte nën kontrollën e UÇK-së dhe kur dolën para neve, ushtarët ishin krejt me ato tesha që iu kishim çu ne, që i kishim mbledh nëpër dyqane, na kishin dhanë vullnetarisht njerëzit.

Populli tregohej solidar, sado që nuk e kuptonte mirëfilli kemi apo nuk kemi ushtri çlirimtare, se ajo posa u formu është realisht posa po paraqiteshte. Tashti demostrat tjera do të ndodhin me moton, “SOS” është kjo demostrata që e spjegova kishte moton “SOS”. Kemi nevojë për ndihmë se lufta filloi, domethanë, po bie ora dymbëdhjetë SOS, pastaj 8 marsi, 8 marsi, do t’jetë demostrata me “Letrat e bardha”. domethanë, ka opsione paqësore për zgjidhjen e Kosovës, t’mos fillojë lufta. Ishte ni demostratë e madhe kundër luftës ku u bashkun t’gjitha organizatat e grave edhe Forumi i Grusë edhe Lidhja e Grusë edhe asociacione tjera edhe gra tjera që fare e fare nuk ishin të organizune, por ju bashkun këtij marshi.

Marshi ishte mendu pak ma ndryshe nga disa shoqe, fjala ma feminist, por mu nuk ma merrte mendja ashtu, s’po di s’po e them këtu. Për shembull, t’kemi edhe gjana higjienike dhe kjo nuk shkonte për mentalitetin tonë, nuk shkonte. Prandaj mjaftonte që t’shkojmë me buk dhe ndoshta ndonjë gaz a diçka, por jo ashtu. Por, megjithatë u takum të gjitha bashkë dhe duke e përdor përvojën e Lidhjes të Grusë. Gratë e Lidhjes të Grusë ndodheshin në Drenicë realisht atë ditë, disa aktivite ndodheshin në Drenicë, ndërsa ne ndodheshim këtu shumica dhe unë si udhëheqëse.

Në rendin e parë ju do t’i shifni kush janë, nejse s’ka rëndësi kush janë, unë kisha ni detyrë tjetër dhe nuk e di këto të rendit t’parë bashkorganizatorët, a e dinin se deri n’fund si është e organizune shkumja në Drenicë? Ne kishim organizu kontrollën që t’na tregojë për rrezikun në çdo fazë, për shembull, ku na pret patrulla ku rrezikohemi dhe çdo moment vinin informatorët. Unë isha në qosh, domethanë isha në ball por në qoshe dhe pos asaj kisha ni kapele për mbrojtjen e flokëve dhe mantilin e bardhë për shkak se me u njoft informatorët. Informatorët ishin edhe në lëvizje me veturë, por ishin edhe në radhë.

Njëra prej aktivisteve tona shumë punëtore me t’cilën kishim punu edhe në teren kjo, Balaj, Nazlie Balaj, e kishte marrë përsipër ni detyrë shumë t’ranë, e kishte marrë përsipër me disa shoqe që ta rregullon rendin, domethanë t’mos ecim pa rend, me ni fjalë policin e komunikacionit. Me ni shirit na e mbanim rendin që të tregoheshim edhe civilizuese dhe kujtoj që këtë detyrë e ka kry shumë me nder. Ne ishim shoqe t’ngushta, tashti kjo politika e sotit pak na ndanë me disa, por nuk na ndanë realisht asnjëherë për punën që e kemi kry. Edhe ajo e njifte edhe detyrën e të drejtave të njeriut, se punonte edhe në Këshillin e të Drejtave të Njeriut dhe prandaj e kishte marrë këtë detyrë.

Por në mesin e aktivisteve mbrapa, mbrapa nesh ndodheshin aktivistet e vërteta, ato që e njifshin edhe terenin, ne vetëm simbolikisht do t’i prezantojmë subjektet tona ndonjeherë edhe jo proporcionalisht, por jo proprocionalisht kur them e them me plot gojën dhe e di çka po them. Në ni moment dy studente, kur ndodheshim pak para urës, dy studente në Dardani tu shku kah Fushë Kosova, dy studente erdhën afër meje. S’ishte hera e parë që po më informonin se një veturë e bardhë po kalon vazhdimisht; është vetura e policëve, por e dija këtë informatë dhe në ni moment derisa njëra po m’tregonte diçka dhe tjetra ishte afër, vetura erdhi nga ne dhe na ra. Këto dy studentët ranë në tokë, unë qëndrova, por më ranë këtu te kama dhe kam pasoja prej lëndimit, por unë nuk rash.

Shpejt e shpejt këto vajzat erdhi vetura tjetër e jona i mori dhe i çoi në spital, m’pytën, “Si je?” “Mirë” thashë. Nuk tregova dhe t’drejtën me thanë në atë të nxehtë nuk më dhimti shumë kama. Pastaj vazhdum deri te ura, na rrethoi policia, kisha informatën nga këto dy vajza që populli i Fushë Kosovës që ishin me përqindje ma t’madhe serbë, janë përgadit t’na vrasin, janë përgaditë me gurë, janë përgaditë me armë që kanë dal në të dy antë e rrugës dhe do t’bohet masakër. Atëherë, në këtë moment e kisha dilemën a guxoj, a është mirë t’i sakrifikojmë gratë me gjithë atë vullnet që e kanë?

Dhe ashtu në mramje m’kishin thirrë shumë njerëz, “A vërtetë po mendoni me shku në Drenicë? A mundeni? A guxoni?” Kishte kësi. Nuk them se nuk do t’shkonim, por mbas Fushë Kosovës ndodheshin autobusët vullnetarë që i kishim organizu e që do t’i bartnin këto gra. Pra, ne do t’shkonim domosdo. Dhe pse u nisëm ky ishte motivi, sepse atëherë kishte fillu ni terror ndaj popullatës shqiptare; i merrshin gratë i veçonin prej burrave, i fusnin nëpër shkolla fmitë dhe gratë pa ushqim, pa trajtim mjekësor, kishte në mesin e tyre gra shtatzana dhe ishte shumë ni atmosferë acaruese pse na u nxitëm ta bojmë këtë. Dhe në këtë moment, ne u konsultum njëra me tjetrën e pashë atmosferën që është të kthehemi, të mos rrezikojmë më tutje.

Gratë ishin të dëshprume në masë, “Pse po kthehemi?” Realisht ne u kthejshim simbolikisht, sepse realisht ishim në Drenicë, këta desha ta them, na ishim në Drenicë. M’vjen keq të përmend disa nga shoqet e mia tani, ndoshta krejt jetën do ta kenë merak pse s’kanë marrë pjesë në demostratë, por ato ishin realisht në Drenicë. Edhe kur u kthym me bukë në dorë vendosëm që bukën pjesërisht ta dorëzojmë në Kryqin e Kuq Ndërkombëtar që ta ngacmojnë, që të ofrojnë ndihmë ktyne popullatës dhe pjesërisht ta dorëzojmë në UNHCR, dhe duke ecë rrugës deri te Kryqi i Kuq ndërkombëtar fillova të kem dhimbje shumë n’kam. Kur kena mrri te UNHCR-i kam mendu që ma nuk mund të eci sepse ky lendimi në kam aq fort kisha dhimbje sa s’e besova, m’ishte lëkund ndoshta edhe njëra unazë edhe kur jemi ulë na kanë pranu delegacionin e di që mandej ka fol Edita, nuk di ma se çka ka ndodhë.

Pjesa e Dhjetë

Flora Brovina: Prej… unë atëherit e kisha shumë t’vështirë të eci deri te shtëpia, deri te ambulanca ose kudo t’shkoj. Mezi u çova n’kambë masi që u ula, por do t’më ndihmojnë shoqet. Edhe nuk kisha guxim të lajmërohem në mjekësinë që ishte në administratë serbe dhe do ta mjekoj vet kambën, dhe do t’kem pak pasoja, sidomos do t’i ndij këto në burg kur kam qenë. Por, kjo karshi lëndimeve tjera nuk është diçka që do ta përmend qaq shumë. Por du t’them që në media u lajmëru që tri gra, tri femra janë lënduar; emrat e atyre dy vajzave u dhanë e treta isha unë që nuk e dhashë emrin tim, sepse nuk e dija as kush e shkrujti.

Demostratat patën ni jehonë shumë t’madhe kudo në botë, këto sidomos, këto me letrat e bardha, sepse ishin shumë masovike sikur, do t’them demostratat me letrat e bardha, demostratat me bukë në dorë dhe demostratat për paqen që u mbajtën në Dragodan më vonë. Do t’jenë ato që do t’kenë jehonë anë e mbanë botës, madje gazetat e shquara në botë do t’shkruajnë dhe do t’kenë foto të shumta për ne dhe do t’gëzojmë përkrahjen e grave gjithandej botës. I kam këto gazeta dhe kur filloni me marrë shënime me foto do t’iu jap edhe këto [ i drejtohet intervistuesë].

Tjetër, në fund të vitit 2001 ishte ni delegacion masi u lirova prej burgut, ishte ni delegacion në Kosovë i Këshillit të Sigurimit, ku përveç tjerash në orët e mbramjes, para se të kthehet u taku edhe me Grupin e Grave dhe me disa lidere të grave të partive. Dhe përveç tjerash ai tha se, “Ishte forca e gruas, zëri i gruas që depërtoi në botë, që tregoi realitetin për Kosovën dhe ishte shkaku i intervenimit të NATO-s”. Jam shumë krenare për këtë fjalim, këtë fjalë që e kam ndëgju nga vet udhëheqësi i delegacionit dhe e besoj se është e vërtetë, sepse jo vetëm që ishim të zëshme por ishim bashkë dhe tregonim fuqinë e vërtetë dhe realitetin.

Tani lufta po merrte hov dhe m’duheshte të bëj diçka më shumë se kaq, se aksionet sporadike duhet të ishin ma t’organizume, sidomos në sektoret e caktuara, sepse po vërenim edhe dobësinë që mund ta kishte Ushtria Çlirimtare. E them vetëm me faktin e organizimit shëndetësor, po vrehej që nuk kishin as mjete, as ambulanca. Ta zamë ordinanca stomatologjike në Qirez kishte vetëm një karrige dhe danat e thjeshta, rreshti i gjatë me nxjerrë dhamb. Dhe t’mos flasë në Obri, unë nuk pashë as tavolinë ku mund të jepej një injeksion.

Në ndërkohë, në Prishtinë u themelu Këshilli Emergjent për ndihmë të popullatës dhe seksionet e ndryshme, ku u ftunë ndër të parat edhe Lidhja e Gruas, për shkak se u vrejt se ajo është e organizume në tërë territorin e Kosovës dhe t’jepte kontributin e vet me përvojën që ka. Unë u caktova përgjegjëse për shëndetësi dhe çështje sociale dhe ky ishte ni nder i madh që i jepej Lidhjes së Grusë.

Ne e caktum edhe personin që do t’qëndrojë aty te zyra dhe vetë ishim në aksion. Në kuadër të këtij Këshillit për Shëndetësi, mendoja se duhet të ndërtojmë urat e komunikimit, t’i shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet. Ndër të parat që u ftuan ishte Shoqata “Nanë Tereza”, ishe Imami, Kryeimami i Prishtinë, Kosovës, ishte Kryetari i Kryqit të Kuq, në hije sepse ishte uzurpu edhe Kryqi i Kuq. Ishin përfaqësues…  u ftu edhe përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike, por ata nuk erdhen. Dhe domethanë ishte ni shtab relaksus nuk ishte vetëm njëpartiak apo vetëm ne femrat.

Nevoja për të hap spitale t’reja, për t’i furnizu ato ishte shumë e madhe. E para ishte takimi me t’gjitha degët, domethanë t’gjitha regjionet, përfaqësust e t’gjitha regjioneve që të flasim për përgaditjen në pikëpamje të organizimit shëndetësor dhe social, pra vendosjen e refugjatëve. Kisha premtime se do t’bohet, “Po, po jemi përgaditë”. Qoftë edhe nga Fakulteti i Mjeksisë, por shpejt do ta shofin që nuk është ashtu. Madje, madje është dëshpruse ndonjëherë edhe profesorët e mi që m’kishin dhanë landë që ishin të përgaditjes të luftës bënin kikse, që ishte qesharake dhe nuk do t’i them këtu, ndoshta i them diku tjetër. Për shembull, shkon profesori të intervenon për ni rast kirurgjik dhe me vete çka merr, nuk merr barna po merr pigjame. Në kohë t’luftës pigjame është qesharake! Ai që m’kishte mësu mjekësinë luftarake në fakultet. Domethanë kjo ishte kështu, teoria dhe praktika janë dy gjana shumë shumë ndryshe.

Do ta kujtoj momentin, në Fakultetin e Mjeksisë dhe në përgjithësi mjekët thojshin se janë të përgaditur dhe kurdo ata janë t’gatshëm, kanë akumulu edhe barna edhe mjete tjera. Gjë që unë nuk i shifja, sado që isha edhe sindikaliste në shëndetësi, nuk i kisha pa. Ndodhi që u lëndu Mujë Krasniqi, ishte plagosur dhe po kërkonin mjekë të profesionit ekspert, dhe unë thira edhe pse fqinj e kam Hashim Malokun, domethanë shtëpinë e ka këtu afër, e ka pasë i ndjerë është, dekan në Fakultetin e Mjeksisë e kisha shok dhe ishte dekan, mund t’shkoja edhe në shpi ta thërras. Unë nuk e thirra prej shpisë, por në cilësinë e udhëheqëses së Këshillit Emergjent për Shëndetësi, e ftova me telefon, “Për pesë minuta para dyrve të Fakultetit të Mjeksisë”. Kjo ishte ftesë ushtarake. Pra, Këshilli Emergjent nuk ishte, ishte pjesë ndoshta e ni organizimi shumë t’randsishëm, por ushtarak nuk ishim, nuk ishim, ne ishim civil. Megjithatë, u dashke me vepru me urdhëra, se ndryshe nuk shkonte.

Dhe profesori Hashim Maloku për pesë minuta u gjind te dyert e Fakultetit të Mjeksisë. I thashë se më duhet urgjent mjeku kirurg i aftë, ai e ftoi doktor Binishin, njëri prej profesorëve t’mi gjithashtu, prodekan, i cili erdhi shumë shpejt. Mirëpo, ata në një dhomë u mbyllën dhe po e zgjatnin muhabetin po bisedonin diçka, nuk e di çka bisedonin. Dhe mu minutat m’kalojshin rastet, urgjenca nuk ka shumë muhabete dhe atëherë unë hyra në dhomë dhe prapë pa dashtë që t’jem ushtarake dhe pa dashtë që t’jem shumë e ashpër u detyrova t’jem e tillë. Dhe i them, “Profesor, a e sheh veturën atje?” Prej dritareve shihej ni veturë në të cilën ishte Gani Koci, ni ushtarak, por tani i veshur civil, “T’hypish atje, t’zbresish ku t’çon ai. Ta krysh detyrën edhe t’kthen këtu, asni fjalë ma shumë dhe menjëherë!” Profesori shkoi menjëherë.

Du të them se pa prit e pa mendu e pash vetën që po shndërrohem në një ushtarake ose në pjesë të UÇK-së, nuk e di se cili ka qenë momenti tjetër. Kjo e njejta ndodhte edhe në teren kur shkoja të vizitoja ambulancat ushtarake të luftës, ato i shërbenin edhe civilëve edhe ushtarëve. Për shembull, në Dobroshevc m’kërkonin ambulancën dhe unë i pys, “A keni pasë ambulancë?” “Po”. “Ku është ambulanca?” Ishte me ni shpat përmbi u shihte Feronikeli, përmbi Feronikel kishte shumë ushtarë edhe policë, pra policë kishte serbë dhe këtu ishte Dobroshevci dhe në mes, në shpat ishte ambulanca. Po thom, “Çka me ba? A ma lehtë e bi ni ambulancë prej Prishtinës këtu, a ma lehtë ju mundeni natën t’i merrni pajisjet e ambulancës në shpat? Por do t’iu gjujnë nga ‘Feronikeli’ edhe neve do t’na gjujnë. Prandaj, merreni aty sepse ambulanca është ni dhomë e pajisur me disa mjete për me ofru ndihmë”. Dhe kështu u bo. Domethanë, në fshat në një shtëpi u bo ni ambulancë provizore.

Shpesh u dufke që edhe kësisoji të veprojmë, shtëpijat pa prit e pa mendu bëheshin spitale ose ambulanca dhe për pajisje kishte nevojë, për ilaqe kishte nevojë shumë. Mirëpo, dita në ditë po shifja se duhej ba ni masovizim, masovizim të ofrimit të ndihmës. Prandaj, në cilësinë e udhëheqëses të këtij sektori vendosa t’hap ni shkollë ose ni shkollë të ndihmës urgjente, ndihmës t’parë. Edhe dekanit të Fakultetit të Mjeksisë i thashë, “Dekan, kërkoj për disa muj që viti i katërt dhe viti i pestë i Fakultetit të Mjeksisë të pushojnë t’i kenë të gjitha landtë. Por, t’bohen mjekë mrena disa muajve, të gjithë t’bohen mjek se s’kemi kohë tash ne t’studiojmë pesë-gjashtë vjet, por t’i mësojmë vetëm landë që i duhen luftës”, infektikologjinë, kirurgjinë qe qito na duhen. Mos t’na hapen epidemi dhe disa landë t’veçanta që i duhen luftës. Ai pranoi.

Mirëpo, krahas kësaj u mblodhëm ne edhe si Lidhje e Grusë, por edhe  si Këshill Emergjent në sektorin e shëndetësisë që t’hapim kurse shëndetësore intenzive. U formunë dhjetë ekipe mjekë dhe persona që e kanë kry kursin e ndihmës t’parë në Kryqin e Kuq, aktivista të Kryqit të Kuq edhe ni infermiere. Domethanë, nga tre vetë ishin ekipet të cilat për ni javë e përsëritën diturinë e tyre për ndihmën e parë. Në mesin e tyre kishte… gjithë ishin mjekë vullnetar e kam krejt listën e këtyne mjekëve dhe ky është ni dokument. Prandaj, gjithnjë them se kam dokumente kur flas për secilën fjalë që e them.

Tani ky ekip prej, dhjetë ekipe do t’shpërndaheshin nëpër shkollat -shtëpi, Fakultetet-shtëpi, secili ekip e kishte Fakultetin ku kishte prej 25 studentësh edhe ma shumë varet sa paraqiteshin vullnetar. Përpos kësaj, në kuadër edhe vet të Lidhjes të Grusë, ne kishim fillu këto kurse t’i mbajmë edhe me vajza, me gra në Prishtinë, në fshatra, madje edhe në fshatarat e luftës. Kishim fillu t’i mbajmë edhe me rininë pa marrë parasysh a ishte Rinia e Lidhjes Demokratike, a ishte rinia e lagjes, s’ishte hiç në parti, s’ka rëndësi. Aty ku kishim mundësi 25 vetë, 50-të. Këto gjithsej ishin një mijë, ma shumë se një mijë studentë, përveç këtyne rinisë dhe grave ato ishim t’veçantë.

Kishim synimin që këta t’i mësojmë mirë, gjithë kursin që kishin parapa dhe të bëhen instruktorë të ardhshëm për me shpërnda diturinë e tyre atje ku duhet gjithandej Kosovës. Disa nga këta aktivistë m’duket ma vonë edhe janë burgosë, studentë nga Prizreni, grupi i Prizrenit edhe unë kisha Fakultetin, unë Fakultetin Teknik kam mbajt mësimin, të gjithë kishim ka ni detyrë. Kursi zgjaste disa… ma shumë se ni javë ndoshta, zgjaste njo dy javë po m’duket. Dhe përveç tjerash, përveç mësimit, trajtimit të palëve, kishim parapa mësimin edhe kundër helmeve të luftës se si me u gjind. Në amfiteatrin e Fakultetit Teknik u mbajt nëi takim i madh bashkë me profesorin, Mentor Disha, të ndjerin profesorin Mentor Disha, mbajtëm ligjeratë për helmet e luftës. Domethanë, që t’jenë t’përgaditur se si të mbrohen edhe si t’i detektojnë kur t’hyjnë me ni fshat pët tu mbrojtur edhe që është fshat i zbrazët.

Atëherë, përveç kësaj gjithë këta studentë që kryn kursin bon edhe analiza në laboratorin e profesor Dishës, Mentor Dishës, që ndodhet këtu në Bregun e Diellit. Këta e morën gjakun që ta dijnë grupin e vet të gjakut, për të qenë donatorë për ndonjë të plagosur, por njëherësh edhe nëse vet plagosen ta dijnë çfarë gjaku mund t’marrin. Kjo doket fjalë goje kur e foli tash, por të jesh t’jesh me ni laborator të vogël privat në qendër të qytetit dhe t’shkon ni grup aq i madh i studentave të jep gjak bjen në sy. I lutëm studentët që t’jenë të kujdesshëm, të mos shkojnë në turma t’mëdha, por vërtetë nuk ka qenë bash krejt e kontrollume kanihere shkojshin ma shumë. Dhe du ta, jam krenare për profesorin tim që asnihere nuk u anku, as për mjetet materiale që i harxhonte rreth analizave dhe as për rrezikun që i kanoseshte laboratorit të tij. Dhe këto i përmend sepse shpesh herë ne nuk i dijmë krejt njerëzit që kanë kontribu në mënyrat e veta të veçanta për luftën.

Shpesh herë gjindesha në territore ku m’kërkonin specialistë dhe duhet t’i bojsha gati, sidomos,  sidomos mjek neuropsikiatër, kardiologë ose mjekë të tjerë. Edhe vet nuk i ndahesha terenit, për shembull m’kujtohet vizita nëpër xhami, tanë xhamia ishte mush me njerëz që kërkonin ndihmë shëndetësore dhe prej mëngjesit deri në orët e vona kisha marr një gepek me barna dhe duheshte me iu shpërnda. Në mesin e tyre pleq, gra, fëmijë. Kishte njerëz që e kishin humbur mendjen nga frika, nga shashtrisja, nga tragjedia që ju kishte ndodhë në familje. Kishte, kishte edhe në qytet gra që ishin shpërngulë edhe ndonjëherë u dashte me i zaptu me ua dhanë ndonjë ingjension lokal, vetëm që t’qetësohet që mos t’arrestohet nga policia.

Situata ishte shumë, shumë, shumë e randë, shumë e randë. I falenderoj të gjithë qytetarët e Prishtinës, jo vetëm që ofrunë ndihmë,  por në lagjën ku ishte ambulanca ime e që është afër ish Shkollës Teknike dhe ambulancës numër katër, te udhëkryqi ne i thoshim udhëkryqi i druve, udhëkryqi në mes shkollës fillore dhe është ni udhëkryq ni furrë aty ishte ambulanca, krejt lagjja, gratë e lagjes u lajmërun vullnetare se shtëpitë e tyre mund t’shndërrohen në spital për t’plagosur ose çfarëdo. Këtë kurajo të grave do ta përmend sa herë që t’më jepet rasti dhe kjo du t’jetë legjitime. Kështu nuk ndodhi vetëm në Prishtinë, kështu ndodhi edhe në qytetet tjera, kështu ndodhi edhe në fshtara ku gratë realisht nuk lujtën vetëm rolin e përgaditjes së ushqimit për ushtarë dhe për familjarët e tyre, por ishin edhe infermiere. Ato po mësoshin edhe me i gris çarshafët e vet, me përgadit gaza, me i sterilizu, me i ndalë plagët.

Mirëpo, kjo çeta e arsimume tanima e njerëzve që u msun në Kryqin e Kuq do t’shpërndaheshte. Shpesh studentët më pyesnin, “Doktoreshë, a ka UÇK?” Dhe isha në pozitë që, “Ndoshta edhe ka”. Unë nuk mund t’thojsha ka, se unë isha civile dhe nuk e dija a është provokim kjo pytje a… “Po, ndoshta edhe ka. Do ta shifni kur ma vonë ndoshta do t’keni kontakte, s’e di, besoj unë të ketë”. Kjo ishte përgjegja. Dhe shumë nga këta njerëz më vonë ishin pjesë e UÇK-së dhe disa nga ta erdhën në ambulancën time t’më tregojnë se po shkojnë, ta zamë në Dukagjin, mjekët e ardhshëm po shkojnë në Dukagjin vullnetarisht. Për shembull, kishte raste kur vinin në ambulancën time që thashë ishte “private”, n’thojza private, por realisht e krynte ni rol krejt ndryshe. Tani kishte shumë vullnetarë që punonin në ambulancën time, u ndalën aty me punu.

Madje u zgjerova e mora edhe ni dhomë tjetër sepse kishte aty shumë frekuencë dhe kishte të rijë që vinin dhe më thonin, “Doktoreshë, du t’shkoj në UÇK”, “Po mirë, po pse mu?” “Jo, ti din, ti din të na rekrutojsh, të shkojmë”. Me ni fjalë u bona qendër rekrutimi. Ndonjëherë m’vinte keq se kishte edhe djem që ishin t’ri, ishin djem të vetëm dhe kisha urdhër që ata t’mos rekrutohen. Pytja se, a isha pjesë e UÇK-së? Po, sepse isha e lidhur me njësitin gueril të Prishtinës, ku atyre m’duheshte t’iu ofroj edhe ndihmë, përveç tjerash edhe ndihmë shëndetësore. Ndonjëherë në depon ku Lidhja e Grusë kishte… përveç tjerash hapi Qendrën për Rehabilitimin e Nënës dhe Fëmisë, ku strehoheshin gratë qoftë t’sëmura, qoftë t’plagosura, qoftë  shtatzana, qoftë ato që po lindnin, qoftë që kishin lindur dhe s’kishin ku t’shkojnë, fëmi t’mbetur pa prind ose kishin pësu trauma dhe ne i kishim kry, disa prej nesh kishin kry edhe kurse për me i trajtu këto rastet e traumave të luftës dhe po merreshim me to.

Qendra po përfitonte ni emër, jo vetëm brenda Kosovës, po njifeshte bashkëpunonte me D’aussi Du Monde, me Kryqin e Kuq, me World Vision, po me shumë asociacione tjera të cilat na ofronin edhe ndihma dhe pra ishin bo internacional. Gjithashtu bashkëpunonte me kishën katolike, me komunitetin musliman, domethanë që edhe ata na bishin ndonjëherë edhe ata na binin ndihma. Kishte edhe prift, priftëra tjerë të komuniteteve, domethanë protestantë ku e di unë çfarë, por që e kuptonin. Ishin human dhe donin t’iu ndihmonin këtyre fëmijëve. Edhe asocione tjera humanitare si për Solidarité, për shembull nga Franca që i ofronte ato pelenat, cucllat për foshnjet.

Por, në këtë qendër kishim edhe shumë fëmijë ndonjëherë 20 beba dhe pak mjete t’punës, jo kushte shumë t’mira. Na kishte ofru ni shtëpi t’vjetër ni vullnetar nga Besjana dhe aty ishin adaptu, kishim dhomën, dy dhoma për gratë dhe dy dhoma për fëmitë ku trajtoheshin. Ndonjëherë vishin edhe shoqet e mia, madje akademike me titull doktor shkence për t’i la bebat, sepse jo gjithnjë kishin mundësi me punu.

Krahas kësaj, në kuadër të Lidhjes të Grusë kishim organizu edhe kurse jashta shtëpisë me gratë që ishin refugjate ose ishin edhe vendase për punimin e…  për t’u marrë me punë dore, sepse punë dorja sikur edhe shoqërimi njëra me tjetrën sikur e zbuste traumën e luftës por njëherashi edhe neve na konvenonte t’punojmë ashtu. Këto gra punonin xhempera për… World Visioni na binte leshra dhe ne mund t’punojshe dy punë, për shembull dy xhempera, njërin e merrshe ti tjetrin merrte World Visioni e shpërndante.

Këto gra që i ndalshin xhemperat për vete ato i dhuronin UÇK-së dhe shumë nga këto nëpër torba i shpërndanim gjithandej në territoret e luftës, ku përveç xhemperave kishim edhe ndërresa që i grumbullonim nëpër afaristë që na jepshin. Rrjeti jonë po shtoheshte çdo ditë. Në mesin e atyre që do t’na ofroheshte ishte edhe shoqata “Motrat Qiriazi” edhe gratë pa asni përkatësi organizative, domethanë pa qenë organizata. Ma vonë ndoshta janë formu organizatat e tilla, por atëherë jo. Edhe të Lidhjes Demokratike por që e kishin të ndalune me tregu që janë domethanë pjesë e jona, ato ndonjëherë i shpërndanin ndihmat në emër të Lidhjes Demokratike sado që me neve ishin t’lidhura, s’di pse ka qenë kështu. E dyta, kjo na bon, na jepte ni siguri.

Du ta përmend, ndoshta s’e kom tregu me juve rastin kur ishim nga fundi i kursit t’ndihmës së parë  me studentët dhe atëherë iu drejtum Kryqit të Kuq Ndërkombëtar që t’na ndihmonte me, të na jepte do broshura, ka pasë Kryqi i Kuq broshura ku janë instruksionet e ndihmës t’parë dhe kjo do t’na ndihmonte shumë t’i shpërndajmë ato, sepse është ndryshe kur e ke edhe t’shkruar. Dhe unë u takova me përgjegjësen e Kryqit të Kuq, ishte ni australiane që do të pësojë, do të pësojë në fatkeqësinë kur u vra ky doktor Shpëtim Rrobaj, ajo ishte plagos. Por, po flas për këtë kohën kur u njoftëm, unë i tregova se çka na duhet, ajo m’tha, “M’vjen shumë keq, po Kryqi i Kuq e lun rolin neutral dhe nuk mund t’i ndihmoj njërës palë ma shumë e tjetrës jo. Ne nuk mund t’jepim kësi broshura”.

Dhe mandej m’ftoi në kafe dhe ne u ulëm n’kafe dhe derisa po pinim kafe dhe u ulëm aty – tash ajo qendra ndodhej afër ministrisë së kulturës në ni rrugicë ku janë kafiteritë – ajo ia filloi me qajt. Tha, “Sa do të dojsha që ta jap këtë broshurë”, edhe unë thashë, “S’ka gja, mos u dëshproni, se t’shofim çka do t’bojmë”. E lamë që t’takohemi një ditë tjetër dhe t’pijmë kafe bashkë, të nesërmen më duket. Dhe po atë ditë, në shtëpinë e zonjës Hanëmsha Iljazi, djali i saj kishte kompjuter, ne atëherë s’kishim kompjutera, nja dy, tre, tre kompjutera. Dhe në shtëpinë e saj, Besimi djali i saj, do t’ulet para kompjuterit, unë do të diktoj, ndërsa kolegu im aktivisti i Lidhjes të Gruas dhe në kuadër të Këshillit Emergjent, Emin Kabashi, do të shef në mos ka gabime gjuhësore që mos ta humbin kohën dhe brenda disa orëve ne do ta shkruajm broshurën.

Broshura do t’shtypet në shtypshkronjën e pronarit të “Kosova Sot” dikund në, kah Fushë Kosova ka qenë ajo objekti i “Interprize”, a s’di si e ka pasë emrin dhe masi e kisha koleg në “Rilindje” iu drejtova që t’na e shtyp në disa ekzemplarë, 20 mijë, 20 mijë janë shumë. Edhe ai tha se s’ka punëtorë dhe nëse ka, nuk i ka bash që ju beson. Atëherë, masi që e kishim ni bashkpunim me këtë studentët, Lidhjen e Studentëve, e kishim pasë kur ata kishin pasë demostratat në ‘97-tën, kishim bashkëpunu bashkë, ne i kishim kqyr t’plagosurit si Lidhje e Grusë. Atëherë, shkum i thirrëm studentët 20, 20, domethanë kështu e kemi pa edhe natën ata i përgaditën broshurat.

Domethanë, në këto broshura përveç kursit të ndihmës së parë; se si ofrohet, si bartet i plagosuri e tjera, ndalja e gjakut, do t’kemi edhe udhëzimet se si të trajtohet në mënyrë humane i zanuri rob i plagosur. Dhe për këtë ndihem shumë krenare që ushtria jonë u sjellë në këtë mënyrë, dhe këto broshura nuk e di a janë përdorë në Gjykatën e Hagës si ni udhëzues i mirëfilltë për gjithë Ushtrinë Çlirimtare. Këta punëtorë shpesh do t’punojnë në UÇK dhe nëpër spitale dhe mbas asaj që m’kanë tregu ma vonë, “Shpesh më thirrshin doktor, se nuk e dinin që nuk e kemi t’kryer ndonjë shkollë t’mesme ose diçka”, dhe kanë pasë mundësi me shpëtu shumë jetëra dhe unë e kam besuar këtë.

Tjetër, më duhet t’përmend nevojën e madhe të spitaleve ushtarake, kisha informacione se kryeministri i Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi,  thotë se ka mjaft spitale ushtarake, por ato nuk i kam pa me sy. Barem ni moment Shpëtim Rrobaj ma pati përcjell informatën se po pyt kryeministri, “A mund t’i rujmë ne ato spitale, po t’na sjell…” Se mund t’i sjellë nga Maqedonia… “A mund t’i rujmë?” Unë thashë, “Kirurgu Bujar Bukoshi le t’vjen vet le t’i ruan, sepse ne nuk e dijmë a jemi sot edhe nesër. Për jetën tonë nuk e dijmë”, nuk mund të garantojsh ti se do ta ruaj.

M’ka ndodhë niherë që ka qenë e nevojshme shpërngulja e menjëhershme për shkak t’bombardimeve, ofanzivave që spitali t’lihet i plotë e të shpetojnë të plagosurit, po pajisjet e spitalit, rengeni krejt ato t’lihen ne spitalet e luftës në Likovc ose dikund tjetër. Dhe çka masnej me shku neve me shoktë e mi me i bajtë me krahë, shumë t’randa, dhe këto do t’i keni dëshmi herdo kurdo prej atyne që kanë mbetë gjallë që kanë vepru në mënyrë t’tillë. Pra, në luftë nuk ka të garantoj, por për aq sa jam gjallë do ta boj.

Në kuadër të kësaj, Prishtina po dyfishoheshte, Prishtina po e shumonte numrin e banorëve, sepse s’kishte familje që s’kishte marrë refugjatë. Dhe ishte nevoja e domosdoshme se ata kishin kërkesa tjera, ishin të traumatizun, t’sëmurë dhe kishin nevoja urgjente dhe ne… unë për vete vendosa, përpos Qendrës për Rehabilitim të hap disa punkte ku do t’i kem ilaqnat dhe ku do t’njoftohen mjektë ma t’afërm se ku mund t’i marrin barnat dhe të intervenojnë.

Punkte të tillë ka pasë për shembull në Institutin Albanologjik që ndoshta as punëtorët s’e kanë ditë, por ka qenë dhoma me barna ku mund të mirren ose në ndonjë lagje në ndonjë shtëpi tjetër, që t’mos na shohin neve t’u bajt policia dhe gjithashtu për intervenime gjinekologjike. Bashkëpunonim ngushtë edhe me shoqatën “Nënë Tereza”, ku i çonim pacientët, por aty nuk mund të qëndronin të plagosurit gjatë, i merrnin dhe i vendosnin nëpër shtëpia. Do ta veçojë lagjën e Kodrës së Trimave, ku gati secila shtëpi ishte edhe spital ashtu, por as Taslixhja nuk mungonte edhe në Taslixhe kishte gatshëm t’plagosur gjithëfarë ose lagjja këtu te spitali kah Veterniku.

Krejt këto janë edhe filmikisht edhe dokumente që i banë gazetarët e huj. Domethanë, repotazhat që i banë, sado që atëherë ata mundoheshin mos t’i tregojnë ma shumë të tregojnë çështjen humanitare, ma shumë t’flasin për humanizëm. Se vërtetë intervenimi i forcave të NATO-s dhe përkrahja e njerëzimit është për çështje humanitare, por edhe UÇK-ja u formu për çështje humanitare, për ta shpëtu familjen e vetë. Se ushtarët në fillim nuk kishin as këpucë, unë i kam pa ushtarët me papuqe këto të plastikës në mes të dimrit. Për shembull, në Zatriç mësues me papuqe, se s’kishte ai. Nuk ishte në punë për të ble këpucë dhe duhej edhe aksioni për këpucë edhe me ju çu këpucë.

Po ndalem te aktivizimi, domethanë po isha pjesë e mbrojtjes shëndetësore të njësiteve guerile dhe pjesë e njësitit e zonës së Gollakut, sepse bashkë me këta djem kishim shku në zonën e Gollakut që ndodhej matanë Gërmisë me pa nëse fillon lufta, arrin lufta në masa që ishte në Drenicë edhe në Prishtinë, ku mund të strehohej populli i Prishtinës që ishin shumë. Në Gërmi s’mundej sepse kishte shumë mina, kishte policë dhe ushtarë, pra duhej të strehohej o në Gollak o dikund ma tutje.

Aq ma tepër që nga regjioni i Llapit kishin ardhë në Prishtinë nga Drenica, nga regjione tjera, besa edhe nga Dukagjini kur ndodhi ni çthurje në UÇK, kur u dorëzunë armët dhe disa edhe erdhën me alarm këndej. Në këtë kohë kishte shumë mjekë që po mjekonin edhe në shtëpitë e veta, për shembull unë do ta veçoj Agron Pustinën i cili mjekoi shumë të sëmurë sidomos sa i përket ortopedisë dhe krejt i dha falas, por në veçanti do ta them nevojën për hapjen e një spitali se spital nuk kishte gjithë ky qytet. Në spitalin e Prishtinës kryheshin krimet ma të mëdha edhe dhunimet në bodrumet e spitalit të Prishtinës, sado që atëherë krejt s’i kemi ditë, por ma vonë e kemi mësu t’vërtetën.

Në lagjen e Bregut të Diellit në, si me spjegu afër kujt, jo te Xhambazët po ni rrugë ma poshtë hapëm, morëm ni shtëpi private dhe në katin e parë e adaptum për spital. Ky spital ka funksionu deri në ditën kur jam burgos unë, për qytetar dhe nevojat e luftës çfarëdo qofshin.

Aurela Kadriu: Kur jeni burgos?

Flora Brovina: Me 6 prill ‘99, me 20 prill m’fal, me 20 prill ‘99. Tani në këtë spital vinin edhe qytetarët na ndihmonin shumë qytetarët vendas, banorët përreth, edhe në kujdesin për rrezikshmërinë por edhe në pajisje. Për shembull, dikush sillte ni sofë, dikush ni parë perde, dikush tavolinë pune. Mjekët e Shtëpisë të Shëndetit që deri në atë moment punonin në Shtëpinë e Shëndetit i ftuam që mos ta ndijnë vetën si të distancum nga rezistenca gjithëpopullore, dhe ata erdhën dhe punonin me orar të caktum.

Kjo shtëpo, ky spital edhe kur ikën të gjithë ka qenë aktiv, e kam ni fletore deri në momentin kur kam mujt me punu, pak para se t’fillonte ora policore e kam shkru, “Tani po fillon ora policore, nuk e di a do t’mundem me qëndru apo duhet t’iki. Jam duke e prit pacientin se m’kanë thanë që do t’ma bijnë”, por ora policore po fillon dhe unë i shisha policët. Dhe këtë e kam lanë si dëshmi që në qoftë se vritem. barem të mbetet fletorja e shënume.

E dyta, do t’them edhe disa aksione tjera që janëgratë e kanë meritën, ne nuk kishim disa pajisje që mund t’i kenë spitalet e mirëfillta, e tani për shembull vakcina edhe çka bom? Ni ditë e përmendem te ni gjeneral të UÇK-së për regjionin e Llapit. Para se t’formohet Zona e Llapit është formu shërbimi shëndetësor, sepse mjeku që ishte praktikant te unë kishte bisedu me mu për këtë nevojë të shëndetësisë. Patjetër shëndetësia duhet t’jetë sa edhe arma dhe doktor Skenderi e dinte se çfarë duhej, por edhe konsultohej vazhdimisht se çfarë duhej bërë për spitalin, për spitalin e Zonës të Llapit.

Dhe kur jam burgosur e kam ditë saktësisht sa infuzione ka spitali, sa antibiotikë ka, sepse ky ishte informacioni që duhej ta kisha. E dija se pacientët, ushtarët e UÇK-së janë vakcinuar, ku i kanë marrë vakcinat? Vakcinat nuk mundet me i marrë dikush privat, aq ma pak dikush tjetër, por vakcinat i kemi vjedh dhe fare s’më vjen turp me thanë i kemi vjedh. Shoqet e mia nga institucionet e shtetit, ato që punonin i vidhnin dhe ne i jepnim ushtarëve të UÇK-së dhe kështu kemi bo, jo vetëm vakcinat por edhe disa barna që nuk e kishim mundësinë me i ble, ato nuk gjindeshin, as pajisjet jo.  

Kjo është ni histori e gjatë që nuk do t’ju lodhi shumë, por e gjatë për rezistencën sa i përket shërbimit shëndetësor dhe personalisht m’duket që e kam kry detyrën me dhe i kam dalë zot ashtu qysh jam eduku për shëndetësinë dhe betimin e Hipokratit. Kurrë s’kam bo dallime n’lidhje me përkatësinë nacionale të pacientëve, përkundrazi. Kurrë s’kam bo dallime regjionale. Dhe e përsëris mendimin që, pytjen që ma kanë ba, domethanë, a jam pendu? Jo që s’jam pendu, por edhe t’mos isha mjeke shqiptare unë do t’veproja po kështu. Sepse ka pasë edhe njerëz, e përmenda kolegen time Elizabeta Demaku e cila është polake dhe e cila m’kishe thanë, “Po t’shkojsh edhe n’luftë do t’vij mbas teje”. Pra, njeriu ma s’pari e mendon humanën, që t’i ndihmojë atij që është në gjendje të keqe.

Edhe si kryetare e Këshillit Emergjent e kam kry detyrën.  Ma vonë, domethanë Këshilli Emergjent sikur mas ikjes, shkuarjes së kryetarit të vet pak u dobësu dhe natyrisht unë fillova me punu vetëm në Lidhjen e Grusë. Kishim edhe ni depo t’madhe, depo ku kishim barna, këpucë, ushqime, besa ushqime që m’i sollën nga Franca, kjo Solidarité dhe m’thanë se, “Ushqimet janë për fëmijë”, kishe qumësht shumë të kondensum, kishte keksa dhe çokollata dhe unë isha e uritur. Atë ditë isha e uritur ,ata masi shkun ka qenë Renato ni djalë që e kisha njoftë në baza humanitare edhe ky Renato m’thotë “Këto janë për fmitë”. “Mirë”. Dhe e mora ni çokollatë t’vogël {tregon me duar} dhe unë ma nuk pata nevojë me hanger 24 orë thashë, “Këto qenkan për djemtë, për djemtë dhe vajzat”. Dhe vendosa t’i çojë atje ku ju duhen snajperistëve, në Zonën e Gollakut (qeshë). Dhe ata si ja jepëm këto dhe keksat njësoj ishin kualitet nuk ishin për fëmi pra dhe i çova.

Du ta përmend edhe ni rast, shpesh kemi pasë paragjykime që nga Franca nuk, Franca është aleate e Serbisëm në luftë kam kuptu që s’është ashtu, sepse jo veç Renato që m’ndihmoi por do të jetë edhe ni delegacion francez i cili do të na ofrojë ndihmë në barna dhe ilaqe. E i cili përveç tjerash do t’kërkoj nga unë të takohet me përgjegjësin për shëndetësi në UÇK dhe unë them, “Ta zamë se u takut dhe çka?” “Po do të ofrojmë këto, këto, këto po si t’i ofrojmë.”, “Po ta zamë që u takut, unë mendoj që mund t’i ofroni kështu, kështu, kështu”, I tregoj se si mund t’i ofrojnë.

Profesori që ishte ardhë me ta është shqiptar dhe përkthyes sado që unë e flas frengjishten ai po m’thotë, “Flora ndoshta nuk e kuptove, por këta po e kërkojnë përgjegjësin e UÇK-së”, Po unë po u them, “Ndoshta, a din, kjo do të ishte përgjegja”, me ni fjalë ndoshta edhe nuk ka nevojë edhe ma tepër me u taku. Ai ma përsëriti disa herë. Njëra nga anëtaret e delegacionit që ishte aty u ngrit dhe filloi t’më përfaqon, franceze tha, “Na gratë i kemi floktë e gjata, por kuptojmë ma shpejt”. Ajo e kuptoi që unë ia dhashë përgjegjen. U takut me një fjalë. Bjerni barnat edhe qaq, unë s’mund t’thosha, “Unë jam ajo që i shpërndaj aty ku duhet”. S’mund t’thosha.

Prandaj i thashë, “Ta zamë që u takut edhe ta zamë që po u thotë kështu kështu”. Ajo m’pa, m’pa dhe u ngrit t’më përqafoi. Me nji fjalë kemi pasë ndihma nga gjitha vendet e ajo shtëpia depo ishte plot e përplot, sepse kur filloi bombardimi i NATO-s, para se t’fillon kur diheshte se do të t’intervenohet në Kosovë, shumica jo po të gjitha organizatat që ndoheshin në Kosovë u shpërngulën. Në mesin e tyre kam pa njerëz humanitar t’vërtetë që me lot në sy largoheshin prej Kosovës.

Do ta përmendi një holandez, holandez i cili m’kishte ndihmu shumë për ngritjen e frekuencave të radios “Kosova e Lirë” që t’i forcon frekuencat të ndëgjohen edhe më larg emisionet. Ai nuk deshti të largohej donte të rrinte. Dhe atëherë s’e kanë leju, i kanë thanë, “Do t’lidhim edhe do t’kthehesh për Shkup edhe s’ke mundësi”. Ishte i pari që erdhi nga Holanda kur u lirova t’ma uronte lirinë. Domethanë, ka pasë njerëz gjatë kohës t’luftës që e ndjenin që ni punë t’vogël që e bëjnë në Kosovë është shumë humane e leje mo ne që ishim këtu.

Pjesa e Njëmbëdhjetë

Flora Brovina: Arrestimi.

Aurela Kadriu: Qysh erdh deri te arrestimi?

Flora Brovina: Unë mund të arrestohesha çdo moment. Dhe m’duket vetëm fati m’ka shpëtu që t’i shërbej luftës gati deri n’fund. Sepse nuk e kisha, në luftë ti nuk mendon për jetën tande dhe për vetvetën, nuk mendon. Harron që je njeri, por kujton që je robot edhe je tu e kry punën, edhe ty nuk t’gjen kurgjo. Në të vërtetë ashtu nuk më gjente, nuk më gjentë asgjë. Edhe kur m’kanë gjujtë ndoshta, për shembull tu u këthy prej Drenicës, në Vushtrri ishte policia natën dhe ne kishim një shtatëzane me vete edhe fëmijë. Dhe na gjujshin. Fëmijët ulërinin. Na gjujshin me raketa me ngjyrë t’kuqe, dhe ato binin në xhamat e veturës për me konstatu që është veturë. Dhe fëmiju i shashtrisur dhe unë i them, “Kometa jonë, këto jonë yjet me bisht që bijnë, dhe qy sa bukur!” Dhe ai, “Bravo!” Dhe rrehëm shuplakë {bënë sikur rreth shukplakë}. Me një fjalë tu dashtë me ngushëllu tjetrin harron për vetëveten.

Burgosja më zuni në një situatë shumë të randë në Prishtinë, ku edhe shokët e mi kishin konstatu që nuk guxoj me ndejtë ma në Prishtinë. Por nuk mund t’iksha prej Prishtinës. Nuk mund t’iksha sepse kisha të plagosur, sepse kisha qendrën e fëmijëve me plotë, me mijë… gati një mijë fëmijë, ku kisha gra shtatëzana, gra me fëmijë t’posa lindun, ku nuk kishin kur të shkojnë. Krejt ikshin, krejt barteshin prej Prishtinës, ato nuk kisin ku t’shkojnë. Dhe si ti la une ato vetë? Disa fëmijë edhe të sëmurë. Çdo ditë po dal n’rrugë, gratë po edhe njerëzit m’kërkonin… miell, bukë. Njerëzit, dometënë kishin nevojë.

Edhe shokët, edhe grupi im u zovgëlu, sepse nga rreziku ikën edhe ata. Mbetëm shumë pak vetë. Shumë pak, ndoshta në qendër aktivisht ishin dy, dy-tre, mos t’them kishte pak. Në spital mbeta vetëm. Normal mu më ofroheshin edhe rinia, për shembull këtu t’lagjës. E mbaj n’mend Vjosa… Vjosa Shala vinte për çdo ditë, “Doktoreshë nuk t’la t’shkojsh kërkund vetëm”. Sepse e dinte që kam rrezik. Një ditë një gru e kojshive tha, “Doktoreshë, m’duket që depon tande atje afër shkollës ‘Elena Gjika’ e kanë zbulu”. Kjo kishte ndodhë mas masakrës që ishte bo në familjën Kelmendi. Atëhere kishin kallë disa shtëpi rreth e rotull. Dhe zjarrëfikësit duke e shymë zjarrin e një shtëpie kishin hy edhe në oborrin ku ishte depoja, dhe aty kanë pa se është… ka shumë sende.

Depoja ishte një shtëpi, dy dhoma të mëdha dhe një koridor i madh plotë e përplotë tesha të ushtarëve, tesha për aksione guerile, që i qepnim ne gratë. Kishte këpucë, kishte këpucë për fëmijë, ushqim, barna, një dhomë me barna që na kishin lanë shoqatat që kishin ikë. Pandej i përmenda ato, ato kur iknin, neve na i dorëzonin. Kishte edhe teste për konstatimin e, teste për konstatimin e dhunimeve, shumë kishte. Pra ata të hujët e dini që do të ndodhin, se kishin ndodhë edhe në Bosne. E dinim edhe ne, se i kisha në evidencë gratë që kishin pasë dhunime, folën a s’folën ato.

Dhe tani kur… me Vjosën dolëm në qytet. Unë e pashë që disa romë po bartnin ato kuksa, dhe mjete që mund t’kenë dalë prej depos. E dita që depoja është zbulu. Në depo kisha edhe shumë forografi. Në mesin e tyre kisha edhe fotografinë kur e kam vizitu spitalin në Dobroshevc, dhe me ushtarë të UÇK-së, që ishte më vonë një dëshmi se ti ke qenë. Domethënë, ke qenë, e njef, ki lidhje me UÇK-në, që unë nuk e pranoja. Sepse gjithë populli është UÇK, për mu krejt populli ka qenë UÇK, edhe sot e asaj dite kështu mendoj. Disa thonë, “Pse kaq shumë ushtarë të UÇK-së?” Krejt populli ka qenë UÇK, krejt populli ka vujtë, krejt populli e ka mbrojtë kokën e vet. A është ashtu, a s’është? Këtu ka ndodhë gjenocid.

Edhe kjo ishte rrezik. Tani e dija se jam në thumb. Shokët e mi kishin organize që të tërhiqem, të më marrin, duhet të kaloj në mal. Unë saktësisht unë e kom caktu ku do të jetë shtabi. Kur kam shku në terren e kam caktu, “Këtu është ma s’mirti me qenë shtabi…” Dhe kur do të jetë spitali ma vonë, në qoftë se zgjatë lufta. Mirëpo, nuk kisha shku vet. E tani ata m’kanë kërku te fëmijët, në Qendrën e Fëmijëve, nuk m’kanë gjetë sepse nuk kom qenë aty, në spital ka qenë dera e mbyllur. Atëhere në shtëpinë time s’kanë mund me ardhë sepse e kanë pasë të ndalume. Ne kemi pasë këtu kojshi serbë shumë, dhe kemi pasë video, domethënë kontrolli. Kështu që kush ka hy dhe kush ka dalë ke mujtë me pa, në qoftë se ke qenë e lidhur me televizor. Unë i kom plotë paramilitar në podrum por…

Kjo që rrisha në shtëpi ishte si siguri, se, “Ja s’kom bo kurgjo dhe prandej s’po kam frikë”. Megjithëatë kur dilsha në qytet pak, për shembull për t’ble ndonjë bukë ose cigare, sepse me cigare ma shumë ia siguroja vëllaut tim. E shihsha që e kam një përcjellje, ata e kisha hetu. Por edhe qytetarët m’beson, disa qytetarë, n’mesin e tyre edhe kolege të mijat mjeke, “Doktoreshë mos rri, po eja, eja te na. Se ndoshta është ma e sigurtë”. Për shembull prindërit e Agim Zatriqit m’kanë thirrë. Për shembull mjekja, kolegia ime, e kisha edhe shefe bashkë me burrin e vet e nejse… Unë kisha vendosë me ndejtë këtu. Rrija ditën, që të dallohet që jom këtu. Ditën, kur kthehesha prej punëve. Por edhe fleja te kojshiu naltë. Kisha shumë punë, kisha shumë punë se kishte edhe fëmijë të sëmurë. Kishte fillu një sezonë e infeksioneve.

Dhe atë ditë u ktheva, shkova në qendër pashë fëmijët, shkova nëpër dritaret e kojshive sepse jo nga dera të më shofin. Dhe një fëmijë kishte dhimbje vesi dhe nuk kisha aty ilaqe. Erdha me marrë këtë për veshin, dhe diçka tjetër. Torbën e kisha të përgaditur për me ikë në UÇK. Pse s’kisha zgjidhje tjetër. Torbën plotë ilaqne, madje edhe revolën, edhe s’po di çka me t’thanë tjetër, krejt çka duhet për me shku ajte. Këpucë çfarë i kisha. I kisha thanë edhe vëllaut tim që t’bëhet gati sepse mbiemrat i kemi njësoj. Edhe kur erdha duke dashtë me hy, dikush ma ndali derën me kambë. Nuk e pashë unë, s’di ka doli. Tha, “Zonjë, a banon s’di kush këtu?” Thashë, “Jo, nuk po m’kujtohet emri”. Unë hyna, mbas meje hyni. Tha, “Ku po shkoni ju?” Thashë, “Ty çka t’intereson?”

Edhe morra me hypë një kat ma naltë, jo n’shpi timen. Atëhere në sekond veç kanë dalë njo tetë policë kështu civil, me tesha të zeza, që do të thotë UDB-a [veshun] është civil… policë special. Dhe m’thanë, “Hape derën. Se e dijmë kush je, edhe hapë derën se jemi tu t’kërku”. E pranoj para jush se kanë qenë sekonda ku me çelësin në dorë nuk kam mujtë me hapë derën sepse kështu m’bënte dora {lëvizë dorën sikur i dirdhet} nuk mund ta kontrollojsha, dhe m’vinte inati prej këtij që ishte afër meje, dhe bërtitke, “Hape derën!” Ai dikur i tha, “A sheh se gruja po frigohet?” Dhe kur i tha që po frigohet mu m’kaoj frika. Thashë, “Pse t’la përshtypje që po frigohem?” Dhe rrap {onomatope} e çela derën.

Mandej kom nejtë në këtë dhomë. Ata kanë ba çka kanë mujtë. Njëhere ma s’pari krejt çka kish pasuri, çka kisha e morrën, të arit… Kom qenë e martume në dibranë, plus beglerë, kështu që kom pasë shumë sende të arit, i morrën. Thojshin që i ke bo gati këto për UÇK-në. E panë valixhën, “Ku je tu shku?” E panë torbën. Thashë, “E kom bo gati në qoftë se m’përzanë policia prej shtëpisë, ta kem me vete. Dhe unë s’mund të shkoj pa mjete të mjeksisë. I kom barnat për me i ofru dikujt ndihmë, ky është mjeti im i punës”. “Po mirë, po revolja?” Thashë, “Për vete” (buzëqeshë). Ama s’kishe çka me thanë, s’kishe çka me thanë. Edhe pse në akuzë diqysh m’u kujtojshin ma t’butë kanë qenë edhe më pak m’kanë akuzu, sepse kanë mujtë me, me ekzekutu menjherë. Thanë, “A din çka? Fol çka t’folsh, veç mos harro që kemi dosjet e tua qikaq {tregon me dorë}. Prej demostratave e tutje, e tutje, e tutje… prej familjes, e krejt”. Edhe ma vërtetë s’kisha çka me folë, ma mirë mshele gojën, ma mirë hiç mos fol.

M’i morrën edhe fotografitë, shumë fotografi që m’dhimen sepse kanë qenë dokumente, megjithatë shpëtuan disa. Nuk mujtën me m’i marrë, me m’i gjetë historitë e fëmijëve të hemuar. Ma prunë një portret të Zahir Pajazitit më thanë, “Kush është ky?” Thashë, “Nuk e di”. “Po, pse e mbanë?” Thashë, “Po ka qenë i botuar, në gazetë ka qenë në faqet e mesme. Une s’e kom botu”. “Po mirë, pse e ke rujt?” Thashë, “Po sikur gazetat tjera që kanë mbetë”. T’drejtën me t’thanë kisha edhe nëpër mure, kisha disa shenja s’ju pëlqejshin. Por kjo s’ish me randësi.

Në mramje, vonë… unë isha e veshur, harrova me thanë, isha e veshur solemnisht. Me një bluzë ngjyrë vjollce, me do tentene krejt kështu {prekë gjoksin}, akrangrisht që thojnë. Edhe me një setër gjithashtu shumë elegante, por me farmerka t’zeza dhe me këpucë me lidhëse që t’vrapoj shpejtë, sepse kisha qenë në një…. Një ditë ma parë kisha qenë me pa se kishte vdekë Sami Peja, një shok i ngushtë, profesor në Fakultetin Ekonomik, një shok i ngushtë i babës tim, që kishin qenë edhe në luftë edhe në burg bashkë. Dhe prandej isha ashtu e veshur.

Tani qashtu qysh isha e veshur në orët e mbramjës më morrën, nuk më lidhën… Por shtëpia ime iu pëlqente, iu pëlqentë. Kush hynte, “Çfarë shtëpie! Çfarë shtëpie!” Pra iu pëlqente që t’rrijnë këtu. I morrën çelësat e shtëpisë… Harrova me thanë, kisha infuzionin unë, {prekë dorën} nuk isha mirë me shëndet, kisha një tension dhe isha t’u marrë infuzion, këhtu që ishte këtu {tregon me dorë} e gatshme, e imja, se u pa që n’dorë e kom shenjën. Se ata m’pytën mu, “Kujt i ke dhanë infuzion?” Thashë, “Vetës”. Isha lodhë prej punëve t’shumta.

Edhe më morrën më çunë në burgun e Prishtinës. Në burgun e Prishtinës m’lanë disa orë t’pres. Në një moment e shof berberin e burgut… burgu i Prishtinës ishte bombardu. Kishin mbetë vetëm zyret e katit përdhesë dhe në oborr… që unë gjithnjë kam dëshirë të them se kishin mbetur vetëm pjesët ku kryheshte inkfizicioni, torturat. Dhe e pashë këtë berberin, një prishtinas i vjetër, i cili kur m’pa {bënë si e habitur} u shashtris. Mbeti, “Doktoreshë…” Edhe nuk guxoi m’u ndalë, por ajo fytyra iu bë si me qenë i vdekur. Dhe unë u gëzova, thashë të paktën ky është dëshmitar ku m’ka pa, është një dëshmitar që e din. Se përndryshe n’lagjën time ku më morrën nuk ndiheshte as… nuk përptinte kurgja. A në të vërtët krejt kojshitë kishin qenë t’u pa çka po ndodhë. Por unë nuk e dija.

Në burgun e Prishtinës m’çunë në një paradhomë, ku krejt muret ishin me gjak, të përgjakura. Dhe ishte një derë ku dëgjoheshin zhurmat, dikush malltretoheshte aty. Në një momenten e morrën njenin krejt t’përgjakun e qitën… këto jonë t’vështira kur i tregoj, më besoni. Dhe doli ky që i malltretonte ata, një burrë dy metra, dhe unë e njofta, ishte Stojani. Stojani ishte një djalë i lagjës time të fëmijërisë, te shkolla “Meto Bajraktari”, e ka pasë shtëpinë në qosh, edhe sot, m’duket është bo ndërtesa ajo shtëpija e tij… por në qosh e ka pasë. Ka qenë shumë i gjatë, dhe jo shumë i mençur. Dhe na e gjithë lagjja e thirrnim Stojan pola bander [gjysëm shtyllë], domethënë sa një bander i gjatë, por i shku… Si bander mo, s’ka mend. Dhe i vinte inat, por nuk reagonte me neve, edhe ne qashtu Stojan pola bander e thirrshim.

Tash ai… Ishim në një lagje, dy-tri shtëpi ma tutje. Ai e dinte krejt historinë e famlijës sime edhe kur ishin baba e axha në burg, e dinte… Na dinte neve. Ndonjëhere kishte ardhë edhe motra, unë motren e tij e kisha shoqe t’fëmjërisë, a? Po s’e dija që Stojani punon në inkfizicion. Gjithnjë thojshin kjo shtëpi po na përcjellë. Në famijen time thojsin që këta jonë krejt spiuna dhe na përcjellin. Sepse ndodhte që edhe që ndodhte që ndonjëhere vinte kishe po lypë diçka. Por nuk e kisha futë në tru {preke kokën me dorë} shumë që  Stojanin do ta takoj aty. Ai nuk regoj fare që m’njef. Dhe unë thashë, “Me një mijë e sa… në dorë të Sojanit, çka me bo?” Ishte shumë e randë.

Mbas këtij inkfiziconi, e lodhun shumë, në gjysëm t’natës, nashta ora dy, nuk kisha orë… unë kurrë s’mbaj orë, por orinetohem. Më morrën me veturë, s’dija ka po m’çojnë tashti…

Aurela Kadiu: A je torturu fizikisht?

Flora Brovina: Po, po. Prandej po e spjegoj se nuk mund t’kalojsh pa i kry qito detyra. Isha shumë e lodhur por nuk e dija në fytrë a shiheshte kjo… edhe plus nuk e isha e veshur bash, nejse setër e kisha, edhe jaknën e kam pasë se ka qenë ftoftë, edhe pse ka qenë prill ka qenë ftoftë… një jakne bojë pjeshke. Ajo m’ka shtëpu, qajo jakna. Ajo, nuk e hoqa jaknën edhe në torturë nuk e hoqa. Por, tashti m’i hoqën ato tojat e këpuceve, edhe… Po shkoja te, dikun po m’çojshin. Kurrë s’kisha qenë në burgun e Lipjanit. Dhe u hapën dyert… një ndërtesë e bukur dukeshte se nuk mu duk… karshi këtu ku isha, atje mu duk pak ma ndryshe. Nejse me dy policë civil, edhe atje më droëzuan te… gra ishin ato policet. Ato kur m’panë diqysh m’ndejtën si gaditun. E ma vonë m’kanë thanë, “Kur erdhem kur t’prunë ty, na kujtuam që jë eprore, se setra, e veshur elegant, por kur e pamë që s’ke toja në këpucë atëhere e kuptuam që je e burgosur”.

Edhe më futën në dhomën numër dy, që ishte një dhomë… aty ishte, ishte një plakë rome nga Rahoveci, dhe ishte një serbe. Një serbe që kishte dyqind kilogram.  Ishte… do të kuptoj më vonë që ajo ishte, ushtronte kick box dhe ishte lavire me një fjalë… nuk ishte nga Kosova, ishte nga Serbia, dhe ajo ishte prostitutë, dhe punonte si prostitutë me shqiptar, me shqiptar që fatkeqësisht m’i ka përmend emrat por une nuk i di. Dhe besoj që ata ende jetojnë këtu dhe ka qenë qef me fshij këtë biografi të tyre ose ende punonjë ngjajshëm, se rrjet.cEdhe çfarë s’ka tregu ajo.

Ajo sikur laviret që shkojnë pas ushtrisë, kishte ardhë këtu me kry shërbime dhe me fitu pare. Ajo ishte shumë e rrezikshme. Por në dhomë ma e keqja… Unë s’kisha koha tash me analizu, nuk e disha këto kush çka është, po vinte era DDT, helm, helm që futet në flokë kur paraqiten morrat. Këtyne dyave ju kishin qitë. Dhe në qatë dhomë më futën. Dhe unë të drejtën me t’thanë e pata një shtrëngim {prekë gjoksin} shumë t’ra… edhe isha pa qef, edhe pata një shtrëgnim shumë t’keq. Por nuk dojsha me thanë, thojsha ndoshta edhe për situatën, qysh tashti unë… çka boj unë, si ia… Gjithë ato punë i lashë… kisha fëmijët, kisha spitalin, kisha këta djemët, djemët e guerilës që çdo ditë ishin plagosur, familja ime çka do të… unë ju kisha thënë, “Nuk lagohem prej Kosovës, jam mjeke, du t’rri”.

Mirëpo, megjithatë përdora metodat që do t’ia thoja dikujt, “Relaksohu, relaksohu dhe… Më e keqja ndodhi, tashti mund të ndodhë vetëm edhe një diçka e mirë për ty, të vrasin, kaq. Duroj dhimbjet, dhe do të vrasin, le t’kryhet edhe kjo. Por jo nga këto të burgosura”. Une serbishten e flas mirë, prandej kontakti i parë me këto nuk ishte i vështirë. Por une i studiojsha për çka jonë ato. Kjo prostituta kish hy, sikur thoshte ajo, kish hy pse kishte vra një shqiptar, për me plaqkitë. Por ajo kishte lidhje edhe me shumë tjerë që ishin inspektorë.

Ma vonë mu do të më izolojnë totalisht. Të burgosurit i qitshin nganjëhere me shëtitë në oborr, mu nuk m’qitshin me shëtitë nëpër oborr. Unë nuk kisha t’drejtë as me punu. Mu çdo ditë vinte policia, UDB-ja më merrte dhe më bijshin në Prshtinë. Në Prishtinë nuk kish… lokalet ku të merrnin në pytje ishin shkatërru. Atëhere më merrshin në pytje nëpër shtëpia. Ishte një shtëpi në Dardani, kur fillon tuneli, tuneli, tuneli, jo tuneli ku ecin veturat se aty ishte krejt me autoblinda… Por ky tuneli ku janë dyqanet, dhe në qosh, ora ku është, kur fillon n’qosh ma vonë ka qenë një dyqan i teshave, tash nuk e di a është restaurant a çka është… Ka qenë shtëpi fillimisht. Eh n’qatë shtëpi, s’e di e kujt, shtëpi e rregullume bukur, ka pasë kështu mobilie ngjyrë qielli, sikur ato që i kam unë në dhomë. Dhe aty më merrëshin në pytje.

Edhe kur bombardoheshte edhe kur… edhe kur fillonte mëngjesi deri në mramje… Çka kishin me marrë në pytje unë se di. “A e njeh filanin?” Unë s’e njifsha. Anëtarët e guerilës kurrë s’kom deshtë me ju mbajtë në mend emrat. Sepse mund të burgosesha dhe mund të më pysnin qysh e kanë emrin dhe unë po t’ja u dija, ndoshta nuk do të qëndroja do t’ju thoja, a po? I kom thirrë gjithnjë me emra që i kom trillu vetë. Për shembull, komandantin tim e thirrsha “djalë”. Për shembull, njenën nga, nusen e tij, grunë e tij, edhe sot e asaj dite e thërras “nuse”, sado që jonë t’ndamë (qeshë). Për shembull ta zamë dikond tjetër… vetë ja u kisha ngjitë emrat unë, si orientim. Edhe ata e dinin qysh i thërras. Por tash me ma thanë emrin, mujshin me m’gri për që ia disha emrin. Edhe s’dojsha me ja ditë. Nejse kur ma tha, kur ma përmendi, “A e njef këta?” Thashë, “Jo, e sigurtë jo”. Ma vonë m’u kujtu, po ai është djali (buzëqeshë). Ma vonë, domethënë truri punoi dhe e dita që për djalin po më pyesin. “Jo”, thashë, “Nuk e njof”. E doli që nuk i njof.

Shokët e mi të luftës, për te cilët m’pyesnin, ata nuk ishin këtu, prandej, “Po, i kom shokë”. Mund t’thojsha i kom shokë, por ata ishin civil. Nu e dinte kërkush a jonë edhe ata në kuadër të këtij njësiti. Më tregun se janë gjetë disa, dy ushtarë afër Gërmisë kanë gjujtë në polici, edhe policët janë vra dy policë, po edhe ata vra, këta dytë. Dhe në xhepat e tyre jonë gjetë do kartela. Ma tregunë kartelën, antarë të, domethënë, të shoqatës humanitare, edhe emni jem. Që unë i kom dhanë atyne. Thashë, “Po kanë qenë humanist”. “Po qysh i kanë vra policinë?” “Po tashti, a kom m’u përgjegj unë pse ai e ka vra policinë a?” Edhe nuk e prano… normal që nuk e pranoja, a po?

Më pysnin për Këshillin Emërgjent, dhe unë pranova që jam përgjegjëse për shëndetësinë, sepse ky popull don diçka me ju ofru. Ata mendonin se kjo do të thotë që jam ministre e Shendetsisë në qeverinë Bujar Bukoshi. Thashë, “Jo, s’kom lidhje me qeverinë. Por si humaniste e ofroj shërbimin tim”. Qendrën, domosdo që për qendrën… Thashë, “Aty jonë njerëzit e të gjitha kombësive, s’ka dallime”. Që është e vërteta. Se e bënëm bukuroshën e Qendrës, bebe e sapo lindur e kishim zgjedhë një rome, ishte ma e bukura, dhe çka të i bëjsh. Kishte edhe vërtetë të kombësive tjera.

Tani prej burgut të Lipjanit, çdo ditë më merrshin dhe kalojshim nga Çagllavica. Ndonjëherë pjesë e malltretimit ishte ajo që më çonin paramilitarëve. Paramilitarët ishin me mjekrra deri këtu {prekë përfundi fytit}, të palarë, të paveshur, ashtu t’veshur dhomëthënë pisët, me ato flokët… s’e di si ta them. Edhe me ato sytë kështu {hapë sytë} që… me do çengela, me do armë të ftofta, domethënë të çuditëshme, si t’kthyme. Unë kujtoj që jonë për premje veshësh ose për sy… diçka shumë t’vështira, që kur të i kujtoj e kam shumë vështirë t’i paramendoj. Dhe në atë veturë ma bojshin, “Shih, këtu do të lamë, te këta”. Ata të krytë, a din veç sa nuk m’ngrehshin, edhe m’ngrehshin {ngrehë bluzën e saj prapa}, është e jona, është me juve, a është medmek pre… Dhe unë tanë kohën, tanë kohën detyrën më të vështirë n’jetë e kom pasë që mos ta tregoj frikën. Vetëm te çelësi e kom pasë pesë sekonda ku m’ka dridhë dora, më kurrë s’e kom tregu se po frigohem, kurrë!

Tash thojsha se me pa ata që po frigohëm do të më lanë qaty. Kështu që, a din, gjoja kurgjo s’kom. A në të vërtetë mrenda meje ishte më e keqja vdekje, me ndejtë në dorën e atyre, s’ka ma keq. Prandej shumë i kuptoj këto gratë që kanë vujtë në duart e paramiltarëve që janë dhunu, që janë shkatërru, që janë rraf. Domethënë, ai paraftyrim nuk hiqet. Unë sot kur e paramendoj vetën dhe Çagllavicën e kam shumë të vështirë. Edhe prekem shumë, jo për vetën, por për të gjitha ato gra.

Prej atëhere, prej aty më çojshin në shtëpi, në shtëpinë që thashë private edhe gjithnjë kam pasë një karrike me tri kambë, me një kambë t’thyme, ishte problem me mbajtë barazpeshën e trupit a, se si do të qëndroj. Edhe kjo pjesë e malltretimit që të mos përqendrohem, ta humb koncentrimin. Thashë pyetjet ishin që ta pranoj se jam pjesë e UÇK-së, se dhomethënë kot, pytje t’kota. Ata as nuk m’pytshin, thojshin se kanë dëshmi e nejse… as nuk e di çka m’kanë pytë për dikond, të tregova për çka, po pse më mërrni aty për çdo ditë unë nuk e di.

Një moment e morrën një revole dhe futën një plumb dhe e banë rulet. është ky ruleti rus. Dhe kaq ishim, {trego largësinë me dorë} sa ju që jeni, afër meje, në një dhomë. Edhe thojnë, “A e din çka është ruleti rus?” Thashë, “Po”. Vetmeveti, “O Zot, ishalla qe këtu m’qëllojnë {prekë zemrën}”. A din? Aq e kisha qef t’më qëllojnë bash këtu, ose n’kry, ose… që të vdes n’vend, a din? Sepse me kishte ardhë…  Çdo gjë durohet, vdekja duket ma e bukur ndonjëhere, ma e bukra gjë që mund të ndodhte ishte vdekja. Kush e duronte ma? Dhe ata e sollën ruletin dhe unë hiç. Vetmeveti tu qeshë, kështu e pritsha vdekjën me… “Ishalla, ishalla ndodhë”. Dhe ai nuk qëlloi. Thojnë, “Po ti a je normal, a qysh je? Po ti as qerpikun s’e lujte”.

Po tash unë s’dojsha me ju thonë atyne se unë po pres me m’mytë bre djem. A din, ma e lehta është me vdekë. Ai po thotë, “Ti sigurisht je shumë e randësisht në UÇK, je një person i randësishëm prandej s’je ka firgohesh ose je shumë e sëmurë…” Tash iu kujtu që i kisha barnat, dhe ju kisha lypë unë këto barna që ti kem me vete, edhe tha, “Ose çka është kjo kështu?” A din? E dyta nuk pranojsha që kam kërkend në Prishtinë. “A e ki dikënd?” “Jo, hiç kërkënd”. Frika ime ishte vëllau, unë vëllaun e kisha. Por nuk pranojsha që e kam kërkend se atëhere e sillsha problemin te familjet. As numër telefoni, as kërkend s’e kom edhe qaq.

Tash pas këtij malltretimi më ndodhi edhe tjetra herë kur ata deshtën të m’vrasin. Ishte, një ditë më morrën… këtë e kom tregu edhe ne televizion… një ditë më morrën me thanë të dalim jashtë. E une vëllaun e kisha po në atë objekt, objekti i gjelbërt që është… nusja e tij kishte lindur, kishte dy fëmijë, dhe rrinte te vjehrritë, familja Prestreshi. Aty, se s’kishte ku t’shkon, dhe me bebën e vogël dy javëshe, Jeta, që ia kisha vu unë emrin, s’kishin kah t’shkojnë. Madje, madje edhe materialisht nuk kishte mundësi të bëhet ma shumë. Unë thosha tash kur e marrin ata edhe t’ma bijnë, atëhere më çka do t’bëjë unë, ky maltretim, më së shumti më mundonte vëllau. Na jemi gjashtë motra e vetëm atë vëlla e kemi, unë ma e madhja, ai ma i vogli. Dhe e kisha si djalin tim, përveç vëlla, edhe djalë.

Dhe shpesh kur më çojshin te kjo ndërtesë unë u shihfsha pelenat n’ballkon të Jetës. “Oh”, thosha, “Ende qenka këtu”. Se mendojsha që ka ikë. Kjo Vjosa i kishte tregu që Florën e kanë marrë në burg. Dhe thojsha ndoshta, a din, unë se disha që i ka tregu, po thojsha ndoshta ikë dikun, se e sheh që s’kom shku edhe e merr vesh. Por ata s’kanë pasë edhe ku t’shkojnë. Edhe tash, atë ditë m’thanë, “Merre qet qese me plehnat, berllogun që ishte mbledhë, dhe çoje deri te kanta e bërllogut”. Dhe çudi pra e ke marrë njeriun, me mbanë në burg, dhe po i thu, “Hec deri te…” S’po di… “Deri te shkallët ose ma naltë ose pak ma larg se shkallët…” Ti po rrin, çka po pret? Ose me ikë e me vra, a?

Aurela Kadriu: Ose me ju afru ndoshta dikush?

Flora Brovina: Jo, jo, ai me ikë, e ti thu, “E vrava se iku”. A është qishtu? Ose e ki një alibi. Ose e dyta po pret me shku deri te bërllogu me vra edhe… edhe vetmeveti thashë, “Kuku, do më vrasin me kry n’pleh…” Me kry n’kantë a? Ato s’ishin kanta, ishin qysh ka qenë përpata, bërllog ma. Edhe unë tu hecë, ecsha kadalë, në shpinë filloi me më rrjedhë, kështu domethënë djersa, djersa e ftoftë e njeriut që… domethënë, githnjë mendojshe që edhe me vdekë duhet me vdekë hijshëm. Domethënë të paktën njeriu… ma bukur t’visësha kur më gjujshin, se sa tash. Edhe nuk e kisha qef këtë vdekje me kokë në bërllog. Se po të më vrajshin në shpinë, unë kryt n’bërllog e kisha.

Në atë moment, si në filma del një plakë. Dhe unë atë plakë e pashë, edhe e disha kush është, kojshiu ku ishte vëllau. Ishte shtëpia, dy shtëpia ndërmjet. Dhe ajo kishte telefon, ajo kishte edhe djemët policë. Dhe ndonjëherë domëthënë ndëgjoheshin kjo vjehrra e vëllaut, ndëgjoheshte me telefon me atë plakën. Dhe unë e kisha pa, ajo e dinte që unë isha domethënë motra e Ilirit, vjehrra e Artës. Thashë, “Kjo m’njef tashti”. A din, m’erdhi keq që e pashë, m’erdhi keq. Ula sytë edhe… Kur ajo plaka ju drejtu policëve, “Sine, Sine” djalë domethënë, “A keni një cigare?” S’besoj që ajo s’kishte cigare, se ajo gjithe ata, domethënë kishte tre-katër djem. Prapë ajo, ata i thojshin, “Largohu! Beži majko!” A din? “Largohu!” Ajo s’largoheshte. “Ma jep një cigare. A keni një cigare?” Edhe kjo i binte se ajo po ka qef me hy n’kontakt me këta. A këta ishin përgaditë për diçka tjetër.

Kur u afru ajo diçka folën, këta m’thanë, “Kthehu!” Edhe unë e lashë aty atë kesën, u ktheva. Nuk ish punë që unë t’iki, t’merremi vesh, se ku t’shkoj? Domethënë m’vrasin, s’kish tjetër. Kur u ktheva ma mbyllën derën, m’lanë vetëm n’qatë shtëpi, ata shkunë me plakën. Kuku tash desh jom çmendë, po ju tregoj t’drejtën, pritsha tash kur t’vijnë më vëllaun. Se ajo ju tregon që e kom vëllaun. Dhe çdo sekond… momentet më të vështira të jetës time ishin këto. Vëllaun, nusën, kënd do, fëmijët e vllaut… Djali ishte, i vëllaut ishte tre vjeç, dhe kur bombardojshin unë i thojsha, “Po unë jom këtu”. Ai thojke, “Mu halla më shpëton”. Kishte, domethënë shpëtonte prej frikës.

Edhe tani edhe vëllaut i kisha thënë bënu gati se na dytë do të ikim për… dhe ai e dinte ata. Kur u kthyen, u kthyen edhe nuk reaguan hiç. U çudita. Pas kësaj m’kanë marrë prapë. Një ditë, një ditë kur… Njeni bërtitke shumë, ka qenë shumë i vështirë, nganjëhere kokën ma futshin për muri {prekë kokën} domethënë nuk e di, shumë t’fortë e kisha këtë kokë, domethënë s’di çka… ai i urti ishte ma dhunues, a ky që bërtitke, ky bërtitke shumë sa që trupi rrënqethet, por nuk ishte dhunues, a din, nuk ishte… fizikisht nuk të malltretonte.

Kujtoj që kanë qenë malazezë, t’paktë theksin, serbë, malazezë. E njeni po m’pytë, po thotë, tha, “Çka po mendon ti?” Se unë pak drejtën… kështu jam mjaft popullore dhe nuk shes mend. Por me ata shitsha mend, dojsha mos me leju me ra në nivelin e rëndomtë, por isha intelektualja që do të flas vetëm në gjuhën e një intelektuali. Edhe ky po thotë, “Çka po mendon ti? Na jemi të tanë polic qysh i mendon… bojnë hajgare për policët?” Thashë, “Jo, kurgjo s’po mendoj”. Tha, “Po edhe na kemi kry fakultete”. “Mirë”. “Jo, une kom kry këtë, e këtë, këtë…” Thashë, “Ki kry mundet, por unë diçka du me t’thanë, ti nuk e din që je smutë”. “Qysh?” Kjo arma ime, a? (buzëqeshë) Thashë, “Ti nuk e din që je i smutë. A i ke bo naj here analizat për veten?” Tha, “Jo. Prej çkafit jom smutë?” Thashë, “Sigurisht ose i ke bubrrekët smutë ose ke naj sëmundje gjaku, se e ke fytyrën e verdhë. Unë s’besoj që veç prej egërsisë tande e ke t’verdhë. Se qe një muaj tu m’marrë në pytje për çdo ditë… sa? Tridhjetë herë ndoshta, qet’ ngjyrë e ke. Po, ti je shumë i sëmurë, shko boni analizat”. S’foli hiç. T’nesërmën i kish bo analizat, i kanë dalë keq (buzëqeshë), i kanë dalë keq bubrekët (qeshë).

Tash i vike inat prej këtina tjetrit, “E unë do ta marrë në pytje”. Tash kur m’merrke në pytje, “Doktorreshë, përnime a…” Po ma bon doktoreshë, po m’thërret doktroreshë… Tha, “Vërtetë m’kanë dalë analizat keq. E çka me bo, a din?” (qeshë) Edhe po i thom, thashë, “Kqyre, unë s’guxoj me t’dhanë udhëzime, se unë jom e burgosun, a po m’mani me çelësa? A jom e lidhur? Masandej ku kom une me t’msu? Po shko, shko ma tutje” (buzëqeshë). Beson ti, tash ata njoni-tjetrit t’mos i besojshin. Ky kish me m’pytë gjithnjë për sëmundje… “A muj me t’pytë edhe për grunë tem?…” Edhe diçka tjetër m’pyti për grunë, diçka nuk e di. Domethënë, e zbuta pak. E ky tjetri diqysh… nejse po ma u bo shumë, një muj ditë, a sa është paraburgimi, kjo faza.

Me 2 maj, me 2 maj ishte hera e parë që mu m’lëshunë në oborr, në oborr të burgut, me të burgosurat tjera. Çka me bo? Prejshim pula edhe qërojshim… kështu iu hekshim këto puplat. Po a din sa pula? Me qindra, a me mija. Domethënë na sa ishim të burgosura, s’ishim shumë… E qe qata, vetëm mu m’lanë vetëm, unë s’kisha kurgjo, ishte shumë nxehtë dhe unë s’kisha kurgjo veshë me atë fanellën e… Domethënë fanellën, po, edhe krejt mu bonën durët kuq.

Vetën njena nga ato to burgosurat, kjo nga Drenasi, kjo Podrimqaku, Zahrije Podrimqaku… ajo një gru shumë e fortë, shumë trimneshë, ajo tha, “Valla edhe me ditë që m’mysin doktroreshë, unë du me folë me ty”. Disa herë ia tërhoqën vërejtjën, “Mos fol me ata!” Ajo prapë se prapë vinte kishe po qëron pula e m’thonte, “Doktoreshë, a je mirë? A po t’dhem dikun?” M’tha, “Mu po m’vjen keq për ty se ti nuk mundesh me thanë, ‘Offf…’” Shikoni burgu i Lipjanit, qaq shumë i kanë malltretu gratë, gardienët, jo një, por tri gardiene e rrehshin një të burgosur, kot, kot. Për shembull… qaq jonë malltretime t’poshtra, që s’din njeriu me i tregu. Deri sa ma rrafja, ajo, secila prej neshë ndoshta, e humbshim vetëdijën. Jo vetëm që humbshim vetëdijen, po kishte raste shumë raste kur humbte edhe kontrollin e sfinkterëve… kështu sfinkterë quhen kontrollin, për shembull kur s’mundet me e kontrollu urinimin ose jashtëqitjen, prej t’rrafuname, mundesh me marë me mend.

Dhe ndonjëhere, domethënë sidomos mu nuk m’vinte keq kur unë, mu m’malltretojshin sepse unë isha ma e vjetra. Isha nana me një fjalë. Por kur i rrifshin vajzat 17 vjeç e me t’reja, që kurrë s’kishin dalë prej fshatit t’vet, besom edhe kur të më kujtohen m’mushën sytë me lotë. Ka qenë një tjetër Zahrije, Zahrije… prej Mollopolcit, kur…. Për shembull, ajo m’kujtohet kur i kom thonë gardienës, “S’ki qare pa m’lshu me shku me la, me pastru”. Me ujë t’ftoftë! Por domethanë sa e kom pastru m’shkojshin lotë, sepse ajo ishte me të vërtetë fizikisht ndoshta shumë më e fuqishme se unë, por shumë e re, shumë e re. Ajo s’dinte, me bo m’i thonë, “Shko tash, qe t’liruam”. Nuk ka ditë ka me shku.

Shpesh e shifsha andërr vetën… dhe i pata thanë Zahrijes në vesh nihere, i pata thanë, “Zahrije, mendo që jam nana jote. Unë jam afër teje, mos u tut n’këtë dhomë…” se e prunën n’dhomën time, “Mos u tut, unë jom këtu”. E mendojsha në qoftë se na bombardojshin, edhe burgu i Lipjanit është bombardu. Atje ka pasë radar anti-raketor dhe këta s’di pse kërkush se përmend, edhe ka qenë rrezik me ndodhë sikur Dobrava. Se ka pasë domethënë që gjunin prej burgut e gjunin raketa, ato avionët e NATO-s, prandej pse mos me e bombardu. Edhe neve na qitshin me shëtitë në kohën bash kur ishin bombardimet. Prandej ishte shumë rrezik.

Dhe thojsha vetmeveti në qoftë se bjen… edhe në oborrin e burgut kishte bunker nën tokë. Edhe ushtarët serbë, në orët e mbramjes vinin, këndonin në oborr, sikur kur vijnë pas luftës me harmonikë, kangë ruse të luftës. Hanin bukë dhe… Unë i shifsha përmes xhamit, qe sikur ky xham {tregon me dorë kah xhami} m’tregonke çka ka jashtë, se nuk guxojshim të kqyrim për dritare, por ndonjëhere kështu e shifsha prej xhamit çka po ndodhë. Dhe hyshin nër bunker fshiheshin, në orët e hershme shkojshin në luftë. Domethënë, kqyr sa rrezik ka qenë burgu prej vetëvetës… se edhe aty ka pasë ushqim mjaft. Krejt bagëtitë, lopët, gjithçka i kanë mbledhë në pasurinë e burgut, dhe aty këtu gratë punojshin. Mu veç qatëherë m’kanë qitë me punu te pulat.

Dhe mendojsha vetmeveti se me bo mu ça muri i burgut prej bombardimit, unë Zahrijen për dore dhe e dija rrugën ka muj me shku mu bashku me UÇK-ën, sepse e disha krejt terrenin ka është UÇK-ja. Thojsha, Zahrija nuk din me shku as në Prishtinë, se shkon e bjen te paramiliarët, a din? Tu e ditë ashtu…. Eh domethënë këto jonë andrrat e të burgosunit.

Aurela Kadriu: A osht’ gjallë Zahrija?

Flora Brovina: Po. Po, ka edhe dy fëmije i ka. M’duket ka bineq, djalë e vajzë.

Aurela Kadriu: Cila Zahrije osht’ kjo?

Flora Brovina: Mujota. Zahrije Mujota. Eh, na lishin me orë të tëra, jo, me ditë… ta zëmë dhoma, edhe ti tash të shofish veç një pikë, {shikon në një pikë pa lëvizur sytë} qe, qishtu tanë ditën e lume veç t’shofish në një pikë. Duket e lehtë? Jo. S’ka malltretim ma t’madh. Zahrijës filluan me i shku sytë kështu {kryqëzon gishtat} se s’kishte çka me pa. Ai mur ishte vetëm bardhë, dhe kjo, kjo ta shef murin. Unë për vete e kisha pamjen kah dera, dhe unë e shifsha njëherë dorëzën e derës, mund ta shifsha aty, s’mujshin me m’thanë ke kqyrë dika anash… dhe e shifsha atë rumbullakun e derës, syrin. Kështu që shpëtova sytë. Por, Zahrija, se këto tjerat kishin shtretërit, po Zahrija kishte veç murin, dhe iu shtramuan sytë.

Zahrijën e morrën, e morrën në pyetje, me ja kontrollu durët me parafin, na kontrollojshin durët me parafin, mos ke bajtë armë, ke tymin e barotit… Zahrija kishte edhe motrën n’burg edhe babën edhe vëllaun…

Aurela Kadriu: Në të njejtën kohë a?

Flora Brovina: Në të njejtën kohë. Dhe kur ai dilte, kur dilshim me shëtitë, ai kolliteshte… dikush ka tregu, tha, “Ai m’ka…” baba i ka tregu që ajo është doktoresha Florë. Domethënë, kështu pak a shumë… neve na qitshin me shëtit kur i rrefshin burrat, me dajak, jo me pendrek, me dru. Mund ta marrish me mend qysh është kur e sheh tjetrin tu e rraf, burrat kur ju ndëgjojke piskama në katër anët, a? Se me dru ma. E njejta ndodhte me neve, edhe ata i kanë dëgju zanat tanë.

Unë po tregoj veç tualeti qysh ka qenë. Një tualet e kish… na katër veta t’dhomës kishim veç pesë minuta, t’katërtat për pesë minuta me shku n’tualet edhe me dalë. Kush mujke me shku n’tualet e me dalë, për pesë minuta? Shkojke ajo e trasha dhe na metshim asnjona pa shku. Si femra po iu tregoj, m’vjen keq që në atë kohë… se unë deri në moshën 52 vjeçare kom pasë menstruacione. Për fat t’keq edhe n’burg i kisha menstruacionet edhe t’rregullta, në kushte shumë t’papërshtatshme. Dhe çka?

Po m’kujtohet tashti një herë kur u taku axha im, kur m’vdiq baba u taku axha im me, erdhi Adem Demaçi ta shef axhën për vdekjen e babës tim. Edhe po flasin cili ka vujtë ma shumë dhe cila torturë iu ka dukë ma e madhja. Nejse, Adem Demaçi tha, “Ma e madhja torturë më është dukë kur kom qenë në  qeli dhe kurkam fitu diarre, helmim nga ushqimi dhe e kom pasë vetëm kantën, nuk m’kanë leju me dalë, as të vjellat, as jashtëqitjen me bo jashtë”. Kjo nuk është ndoshta shumë e mirë për një dëshmi, por du ta kujtoj këtë vujtje që ai e ka spjegu. Sepse ti po vjellë, dhe ki jashtëqitje, po t’vjen me dekë, a duhet qatë erë apet ta marrish. E prapë t’vjen qajo. Është baraz me t’pushkatu, ma mirë është, a po?

E njejta po them unë, e njeta po them. Kur ishim gjithë ato femra edhe një kantë e kishim, pa kapak. Paramendo tash sa e vështirë është t’jetosh… hiqe që je intelektuale, hiqe që je në moshën, 49 vjeç kom qenë. Por si jetohet me atë dhomë t’vogël me asi farë ernash. E plus po them femnat që jonë edhe me menstruacion. As ujë s’ke, as mjetet higjienike. E tmerrshme, e pa spjegushme. Këto nuk i mendojmë kur flasim për grunë në burg. Nuk na shkon mendja që e ka edhe këtë problem, a po? Përveç tjerash.

Megjithatë kishe qef mu dukë mirë, kishe qef mu dukë që nuk je dorëzu, ani që ndoshta t’kish ardhë deri qitu {prekë fytin me dorë}. Unë nga kjo që nuk i kisha marrë terapinë, që isha e smutë, isha shku e smutë në burg m’ishin… edhe nga tortura, ma s’pari nga tortura m’ishin ajë kambët kaq {tregon me duar}. Domethënë një kambë m’ishte ma kaq {tregon me duar}, tjetra kaq {tregon me duar}. Në trup nuk isha e shëndoshë, po kambët… edhe durët. Edhe kjo, njena prej gardieneve, si duket pak ma e mirë, m’tha, “Të çoj te mjeku”. Kur shkova ajo tha, “Vetë je shëndoshë”. Edhe kjo, kjo ishte. Domethënë, unë s’mund të shkelsha me kambë, në kambë nga tortura, ajo tha, “Jo, vetë e shëndoshë”.

Njeni prej gardienëve që e dinte, domethënë turk ka qenë me kombësi, si duket ai e ka e ka hapë fjalën që jom në spital… në të vërtetë s’kam qenë në spital, se as nuk më jepshin barna me ju hekë ato, me ju dhimtë… për dhimtë po hekim, po ti s’mujshe me shkelë, e mos t’flasim për tjera. Krejt këto po i përfundoj me dërgimin, me dhjetë, dhjetë, natën e dhjetë… ose mëngjesin e njëmbëdhjetë qershoit ‘99… Do ta përmend edhe një diçka.

Një ditë në burgun, në burg po vishin autobusët me shumë të plagosur. Të gjithë të lidhur keq, domethënë me do gaza keq, dikush tu i mbajtë, dikush bëntë, “Of” {onomatope}. Gardienët ishin bo në dy radhët dhe ne po i shifshim, i pamë në dritare, unë i pashë për veti, se në dhoma kisha sërbe, edhe s’guxojsha as me tregu… përveç kësaj Zahrijës i kisha edhe dy, tri, tri sërbe u banë. Kur… e pamë se ishin të plagosur, disa ishin të veshur si UÇK, thojsha… ma kurgjo nuk kuptojshim çka paska ndodhë, gjithë këta. Ata ishin të burgosurit e Dobravës që po i sjellnin në burgun e Lipjanit.

Edhe një ditë tjetër, një natë domëthene nga data 10, 10 qershor tanë natën ushtuan muzikë, një muzikë… një zhurmë në fshatrat përreth, ndonjëherë dëgjoheshin edhe zëra fëmijësh…. Çka po ndodhë? Kush, çka është ka ndodhë kështu, hiç s’e kuptojsha. Dojsha me mrrë vesh çka po ndodhë. Në ora 4:00 të mëngjesit hynë gardienët t’shqetësuar, filluan me na lidhë, na pythsim, “Çka po ndodhë?” Thashë se sigurisht po na çojnë në pushkatim, çka ka me ndodhë tjetër? Domethënë, ata erdhën të plagosun, neve po na çojkan dikun, edhe… Thanë, “S’kemi nevojë me marrë tesha, elementare veç çka… Ndrresa të thjeshta, por mos merrni kumeditë çka”. Bukë s’na dhanë atë natë, edhe kjo ishte si nëj kursim, edhe një shejë, as nuk na dhanë dika me vete që domëthanë po nisemi dikund. Tamam pushkatim. Atëhere na futën nëpër autobusë. Ishin njëqind autobusë, kështu e kom ditë, kom dëgju se jo që i kom numru, se s’kom pasë qysh me i numëru.

Pjesa e Dymbëdhjetë

Flora Brovina: Njëhere i futën burrat, pastaj me një autobus tjetër na futën edhe neve grave. T’u shku deri te autobusi, prapë u bonë rend gardienët, na shajshin qysh mujnë me ditë me shajtë, fjalët ma t’ndyta. Madje, madje u përmendke edhe dhunimi, domethanë, “Ah t’kishim kështu t’iu bojmë, e kështu t’iu bojmë…” Fjala, edhe e përdorshin edhe pendrekun. Kur hymë në autobus të gjitha ishim të trishtume, s’kishe arsye mos me qenë. Po them pushkatimi ishte gjëja, për mu barëm, gjëja ma lehta, por çka ndodhte ma tutje, s’dishim ku po na çojnë.

Dhe filloi me u zbardhë, ndoshta ka ora 6:00, po them 6:00 ka qenë kur kemi kalu nëpër qytetin e Prishtinës. Kërkush nuk piptinte, qyteti hala s’ish zgju, po as që kish mendjen m’u zgju m’u doke mu. Ishte si i zymtë, si… edhe unë tanë kohën, na kishin thanë me i mbajtë durët te poshtë, tanë kohën thojsha se një njeri ta shof kom me i çu durët që m’u ditë që jemi të burogsur, a din t’lidhuna. As s’guxojshin qytetarët… naj qytetar i rrallë, as nuk e kqyrke autobusin. Kërkush s’e shifte hiç.

Kaluam ka SUP-i, atje është rruga ka Qafa, mandej për t’shku ka Podujeva edhe… ka Podujeva apo… s’e di valla, tash s’po m’kujtohet… po, po, ka Podujeva. Edhe… Ka rruga e babës tim, është ajo rruga “UÇK: që vazhdon shkolla “Meto Bajr…”  Kur e kom pa rrugën e babës tim m’është kujtu krejt edhe m’kanë shku lotë, thashë, “Oh po e shoh për herën e fundit”. Edhe u mërzita, mandej m’vinte zor me m’pa shoqet që u mërzita (kollitet). E dyta mërzi ka qenë kur kemi kalu ka shtëpia e kësaj, si e ka emnin ajo, është kjo dëshmorja e parë e ‘81-shit, Podujevë, kur ta kalon Podujevën… në shtëpinë e saj… E kam poezinë për to. Në shtëpinë e saj ngritën krejt paramilitarë, dhe mandej po e lejshin Kosovën, Podujeva kaloi. Në një urë, në një urë kishte shumë gazetarë, gazetarë, gazetarë, plotë, plotë, m’kujtohet edhe kinezë edhe… por, nuk i kishin leju me hy brenda.

Aurela Kadriu: Atëhere, ju qitshin prej Kosovës për arsye se kishin fillu bombardimet e NATO-s?

Flora Brovina: Jo, jo. Në kohën e bombardimeve kom qenë këtu. Bombardimet ishin në vazhdim. Po kjo ishte një datë, qe data 10 qershori, 11 qeshori, tash u bo 11 se na murrën më 10 natën…

Aurela Kadriu: Me ju qitë në Serbi për me dalë a?

Flora Brovina: Me dalë në Serbi t’lidhun. Një rresht, një kolonë autobusësh. Rrugës kishte paramilitarë, kur e shifshin autobusin me gra, dojshin yrysh me na, me, me ndalë autobusin e kumeditë çka dojshin na bo, na kërcenojshin gjithçka. E shifshim edhe një kolonë paralele me neve, kolona me vetura t’vogla, sigursht serbët, serbët domosdo… me jorgana, me dysheka, me televizora, tu ikë edhe ata. S’kuptojsha kurgjo. Unë isha ajo që duhesha me kuptu. Edhe rrugës po m’thotë një e burgosur, ma e dobëta, ma e lodhta… po m’vjen keq që ka me t’përfundu… po m’thotë, tha, “Doktoreshë, diçka du me t’thanë, nashta po na pushkatojnë, s’ka rëndsi çka na bojnë hiç, por po du me t’kallxu jo. Se Këta kurrë se kanë marrë vesh kush jom,” Tha, “Unë jom pjesë e UÇK-së. Jom nga Dukagjini, jom studente e Fakultetit të Bujqësisë”. E tha, “Veç po du që dikush ta din tamam kush jom, se nuk jom prezentu hiç”. Edhe nejse, m’erdhi mirë që e morra vesh.

Edhe tasni, ecë më tutje, koha filloi shumë mu nxehë dhe ky shoferi e kishte lëshu radion dika ka Serbia… po ndëgjoj Marrëveshja e Kumanovës. Çka u bo, a thu? Me i thonë shoferit, “Lëshoja pak”. Çfarti, ishte aty gardienja që s’na like as me kthy krytë anash, ato me pendrek. Por i bona vesht ma, {vë duart te vështët} që ta marr vesh. Po thotë se është lidhë një marrëveshje në Kumanovë, ka mbaru lufta. E na ku po shkojmë? Tash e morra vesh që jemi pengje. Po a do të na likfidojnë, a çka dojnë me bo me neve? S’e merrsha vesh. Edhe shkojshim ma tutje, në çdo qytet që ndalështe, ndaleshin krejt edhe dikush… për shembull, Leskovc u ndal një grup, kisha dëgju Leckovcin famëkeq. Hec ma tutje, ndaleshte një grup.

U ndalëm në Nish, na nxuni nata. Rrugët ishin krejt t’prishuna. Rrugët e këqija, trubllima, etja e ujit na mytke, na mytke, për një pikë ujë vdisëshim. Edhe po i thom, lypshim ujë, atëherë na i prunë dy shishe ujë, një gardiene e Kosovës, Pipi e thirrshin, e na i pruni dy shishe me ujë. Edhe po e pijmë, po tashti një shishe ty nuk t’dilke vet, qysh… tanë ditën nëpër diell. E thashë, “Mos pini shumë”. Se në fund të autobusit ne i kishim të plagosurit, nja dy të plagosur. Ju thashë, “Veç lageni gojën, mbajeni ujin n’gojë, që t’mundemi me përcjellë shishën për t’plagosurit sepse…” Qashtu ia bamë.

Ma tutje, kur mbrrimë në Nish. Në Nish e njofta ndërtesën se e kisha pa babën tem atje, kur ka qenë i burgosun, kisha shku n’vizitë. Isha e vogël, s’isha n’shkollë, por e njofta burgun. Edhe në Nish gati e kom hupë jetën, se na nalën edhe prej një autobusi një i burgosur, edhe ai plagosur, ka dashtë me dalë me marre ajër, iu ka thonë, “A bon bre veç t’marr pak ajër se diqa…” Këta i kanë thonë, “Jo”. Ai, “Veç një minut bre?” A din te dera e autobusit, veç kur e kanë rrëxu për toke dhe kanë fillu me rreh. Dhe unë prej këtuhit… m’kujtohet e kom pasë këmishën, ujë, ujë, të lagët prej djerësve. Edhe kom vrapu m’i, me shku me i ra përmbi, “Mos e mbytni njeriun!” A din? Po kur m’ka kapë, s’e di cila prej shoqeve, Afërdita ndoshta, m’ka kapë, a din, m’ka thanë, “Kthehu…” Ose Zahrija, ose Afërdita, “Kthehu mori se po t’mysin edhe ty”. A din, nuk kom mujtë me duru. Por s’e di as kush është ai që e kanë rreh.

Prej aty n’gjysëm t’natës na kanë çu në burgun e grave në Pozhorevc. Burgu i grave në Pozharevc kur hymë na u dukë si me hy në parajsë, sepse një oborr i pastër, kishte lule, ntaë, kërkush, dritat i kishin dhezë. Hop, ku mbërrimë këtu mirë boll, si mirë na u dok neve. Kur hymë na shtinë me një sallë t’madhe, në fund të sallës… shumë interesant është. Në fund të sallës, po sa dy herë qekjo, {tregon hapësirën e dhomës} ishte një televizor. Edhe prej aty na thanë, “Deshuni krejt cipër cullak”. Sikur Holokausti, a? Çka po dojnë me bo me neve m’u deshë, paramendo ti tash, sa ishim na? Njëzet gra, njëzet e sa gra, krejt cullak, na i murrën teshat edhe ndiheshe shumë e nënçmume, shumë e përbuzur, palidhje, s’disha as vet çka u bo kështu… a çka po dojnë, a din, çka po presin tash?

Unë isha ulë në një cep të tavolinës dhe mendjen e kisha te televizori, se me za ishte e në fotografi ishte Millosheviqi. Edhe na thirrshin një nga një. Këto gratë u tutshin normal. Edhe t’u folë njenja me tjetrën m’bojshin mu problem se s’mujsha me dëgju çka po thotë. Millosheviqi ja u uronte serbëve përfundimin e luftës. Kush kishte fitu? Thojsha, “Na hupëm a?” A din s’mujsha me marrë me mend kush fitoi e kush hupi. Se tashti ne atje jemi rob, po Kosovën e lashë në pus, tu flejt, a? Kosova ish me paramilitarë, me policë, tu vallëzu e tu këndu. Qysh more hupëm a? Qetash po m’shkojnë ethet thu se po ndodhë qitash, n’këtë moment. S’mujsha me marrë me mend, me gjithë qef do t’ja kish nisë me qajtë me za, por s’mujsha. S’disha pse jom edhe cullak, a din? Hej… një situatë e papërshkrueshme.

Atëhere na dhanë do tesha, ma vonë, masi u kontrolluan nga një, nga një çka kemi… s’kishim shumë po na kontrollojshin krejt, s’mundesh me marrë me mend çka na kontrolluan. Domethanë, mos kemi fsheh dikun diçka, shumë banale. Edhe kur na dhanë do tesha, se din, shumë t’këqija m’u veshë, edhe krejt me një dhomë flejtëm, si kasane diqysh, pa çarshafa, pa kurgjo, më do dyshekë t’flliqët. Flejtëm qaty, po ai gëzim i joni që flejtëm bashkë. Edhe unë me Zahrijën, Zahrije Podrimqakun u kapëm për dore, ramë bashkë, afër njona-tjetrës edhe ia japëm detyrat njona-tjetrës. Thashë, “Kqyre Zahrije, je ma e vetëdijshme, se tek e fundit je pjesë e lëvizjes, në qoftë se na ndajnë, dhe kqyr të ndahemi, na dyja s’guxojmë me qenë bashkë, që t’i rujmë dy grupet. Bëjuni t’forta, mos u dorëzoni moralisht”. Edhe ajo mu m’thotë qashtu njësoj. A din, edhe t’bojmë naj shenjë që të komunikojmë. Na flejtëm dorë për dore.

Tanë natën e lume, tanë natën ka ushtu muzika në Pozharevc, që është vendlindja e Millosheviqit. Nga një… djali i vet e paska aty një klub, disko klub, festojshin bre, thu ti se e fituan krejt Kosovën, se kërkush nuk ka vdekë as kurgjo hiç. Nuk merrshin vesh çka ka ndodhë. Të nesërmën në mëngjes këto gratë desh diqën prej urisë, na tri ditë s’kishim hangër tashti. Edhe erdhi kjo drejtoresha e burgut, një grua pedante, shumë e mirë, edhe tha… domethënë, “A u gjindët? A pushu…” Me fjalë t’mira, na priti shumë mirë. Thashë unë, “Një pyetje e kom. A kemi ardhë me vdekë këtu? Nëse jemi të zanun rob, a duhet të vdesim urie? Ne qe tri ditë s’kemi hangër, as s’kemi pi. As ujë s’kemi pi. E çka është kjo kështu? A din, dej ku është ai jo humaniteti juj? Në qoftë se jemi për me vdekë, vdesim edhe hajt”. Fola pak ma ashpër. Ajo tha, “S’e kom ditë që s’keni hangër. Tash iu vjen buka”.

Kur na prunë nga një copë bukë kështu, si me thanë nga një tullë bukë, m’kujtohet e zezë edhe suxhuk derri, a? Suxhuk, bajagi nga një copë {tregon me duar madhsinë e suxhukut} qishtu, kurgjo tjetër, qato. Ujë tha se mundeni me pi prej qeshmes, ishte një qeshme aty. Edhe kur t’kanë nisë gratë me hangër… A unë e kisha shumë gajle ku jemi, pse jemi, nuk m’haheshte bre a din, me shti me zor, nuk m’haheshte. Pak micrrova, nuk hangra hiç. Atëhere këto po m’thojnë, “Doktoreshë a don me i hangër këtë…” Suxhuku që kishte mbetë. Thashë, “Jo, nuk po dojsha bukë”. Ato dikur e ndanë, nja dy veta që ishin ma t’uritura, s’kaloi nja gjysëm ore kur t’i ka kapë barku, kur jonë helmu. Tash a mujshin me vjellë, a mujshin me pasë barkqitje. Prapë thirrë drejtoreshën, ajo nuk vinte tash.

Kjo ishte fillimi. Mandej pasi u qetësuam pak, fillaun me na nda, veç një natë flejtëm bashkë. I ndanë ato që ishin të dënuara. Zahrija ishte katër vjet e dënume, e kishte m’duket edhe një vjet e gjysë dënim. Ishin edhe dy gra që kishin bo vrasje, ishin për vrasje, edhe ato i ndalën aty në burg të grave. Neve tjerave na çunë në burgun hetues në Pozharevc. Në burgun hetues ishin vetëm burra dhe vetëm sërb. Se jonë tri burgje, është edhe Zabela. Zabela ishin krejt, shumica ishin shqiptarët që vujshin dënimin, ose që i kishin pru tashti me neve. Atje ishte edhe Albin Kurti, edhe ishin edhe të tjerët që do të… por Albini si dikond që domethënë njifet ma shumë, edhe të tjerët.

Kjo… në Zabelë ishim, tash na ndanë në dy dhoma. Edhe në Zabelë kishte bërtimë, kishte zhurmë, kishte kërcënime, por disi dalë nga dalë në do ta marrim pozicionin tonë. M’kujtohet t’burgosurit në Zabelë, sa do që ishin kriminel, shumica ishin për krime, ata, “Kush jeni ju gra? Gra për herë t’parë n’burg kaq shumë gra…” Domethanë, dy dhoma. Edhe pysnin, “Kush jeni? Kush jeni?” Këta na kishin thanë, “Në qoftë se komunikoni me të burgosurit naj qysh, ose në dritare,” Dritaret shumë t’nalta, thotë, “Do të dënoheni. Dënimi është tepër i rreptë”. Edhe iu mshojshin mureve, s’di çka bojshin. Edhe unë për vete s’mujta me i duru zërat, dhe ishte një revoltë e imja e mbledhur, hypa n’tavolinë e naltë të dritarja, thashë, “Jemi terroriste, jemi UÇK-së… terroriste nga Kosova, shqiptare!” Kur kanë nisë më i mëshu shuplakave {rreth shuplakat}. “Bravo, bravo , bravo!” E beson u solidarizuan me neve. “Po ju për vendin e juj keni luftu”. Na bojshin.

Në dhomën time ishte edhe një gru shtatëzanë nga Kosova, nga Ferizaji. Dhe m’vinte keq për ta, por m’erdh mirë që qëlloi në dhomën time, se tash e udhëzojsha çka do të bënë në qoftë se na ndajnë, dhe ta mësoj. Barëm pintë duhan, dhe m’vinte shumë keq që po pin duhan. Kur s’vonoi, po vjen gardieni po na bjen një tabak me keksa, me cigare, po na çojnë t’burgosunit e burgut hetues. Kjo ishte shumë e çuditëshme, “Çojuni,” thotë, “se, se…” A din, ai s’guxojke me thonë po solidarizohemi, po na tha, “qe ju kanë çu kolegët e juj”.

Më kujtohet kjo motra e kësaj Zahrije Mujotës ishte e mërzitur se edhe babën, edhe thashë, edhe motrën, nuk  e shihte motrën, nuk i lishin bashkë, i kishte aty dhe këndonte, “O zogu i malit”, një këngë shumë e dhimbshme që m’prekte shumë kur e këndonte, “Ku e kam vëllaun, e ku e kam këtë… “ E pytë zogun. Edhe ajo kur këndonte muret e burgut si aplaudim ia bojshin, sikur mi thanë, “Bravo, bravo!” Ishte një përkrahje e këtyre të burgosurve e çuditshme, bash do njerëz që s’duhet t’përkrahin, t’përkrahshin. E këtë përkrahje e kom hetu edhe kur m’kanë çu edhe në burgjet tjera. Dhe e çuditshme është kjo, prandej shpesh kur mendoj për popullin serb, kujtoj që ai është i ndarë në dysh.

Aurela Kadriu: Sa vjet qëndruat nëpër burgje?

Flora Brovina: Gati dy vjet.

Aurela Kadriu: E çka ndodhi mas luftës? A nuk u munojke shteti i Kosovës me i kthy këta të burgosur?

Flora Brovina: Në mbledhjen e Kumanovës është bo një gabim i madh. Sikur çdo herë kur kemi pasë marrëveshje, na ma s’pari s’kemi qenë pjesë, UÇK-ja s’ka qenë pjesë e bisedave…

Aurela Kadriu: Po…

Flora Brovina: E ky është gabimi i parë. Aleatët tanë ka qenë dashte me bo pjesë edhe UÇK-në, ne. S’dyti, n’çdo luftë pengjet e luftës lirohen, ne metëm për t’u dënu në bur… në gjyqet paralele të Serbisë, dhe ky është gabimi numër dy.

Aurela Kadriu: A ju thojshin naj send nëpër gjyqe kur kishit?

Flora Brovina: Po folshin, po çka?

Aurela Kadriu: Çka ju thojshin?

Flora Brovina: Po çka? Thojke, “Po t’dënon burgu i Kosovës në Nish, burgu i Prishtinës në Nish”. S’kishe çka me thanë ti, ty avokatin që ta kishin caktu, kurrë nuk m’ka besu që s’jom ministre e shëndetësisë.

Aurela Kadriu: E a kishit vizita prej njerëzve?

Flora Brovina: Po, e para që do t’vjen pas disa mujëve, domethanë ishin bo nja tre-katër muaj që kërkush nuk dinte për mu ku jom, a jom gjallë, a kush jom… vjen Kryqi i Kuq ndërkombëtar, dhe ata jom e vetëdijshme që e ka organizu djali im në Amerikë, Uraniku, me vëllaun, ose djalin tjetër, se vëllau kishte mbërri në Amerikë. Por unë për Uranikun e dija. Edhe i lutet, “Nana ime është e zhdukur, mund t’jetë nëpër burgje…” Dhe ata erdhën në burgun e Pozharevcit. Erdhën edhe na pytën të gjithëve, “A kemi naj send me i shkru naj kujt, naj letër a naj diçka?” Edhe ishin… nuk reaguan para gradienëve kur m’panë, por unë e hetova që realisht, “Si e pate emrin?” Ma bani ajo njena, që do ta kem ma vonë mikeshë shumë t’mirë. Nuk kom mundësi me iu tregu letrën e saj por do t’ju tregoj diçka, në qoftë se arrij.

Edhe ajo na tha me shku letra, edhe unë ja shkrujta letër, s’e di kujt ja shkrujta, familjës, domosdo ia kom shkrujt burrit tem. Edhe… me laps kimik. Mua më mungonte lapsi si, si dielli, edhe vendosa me ia vjedhë lapsin (buzëqeshë). Kisha disa trenerka, edhe e fus lapsin kështu {vë dorën përfundi mëngës së bluzës}. Edhe thom, “Mirë jom”, a isha bo… numër 36, teshat edhe kur kom dalë prej burgut 36 i kom pasë. Dhomethënë, isha shumë e dobët, kështu eshnat i kam t’forta, t’mdhaja por me trup isha shumë e dobët. Thom, “Mirë jom me shëndet”. Kurrë s’kom thonë që jom keq, a në të vërtetë kom qenë shumë e sëmutë në burg, prej zemrës.

Edhe e morra, ia morra lapsin. Tashti mendojsha me shkru ndonjë varg ose naj diçka me shënu në faculeta e letrës, ose të tualetit që na jepshin ndonjëheë, qe kështu. Dhoma ku ishim, dhoma ku ishim ishte një dhomë si ta zamë, si kjo, dhe këtu një kthinë {tregon me dorë} ishte tualeti pa derë. Kishte dhe një zorrë, një zorrë uji. Dhe neve për çdo ditë laheshim me ujë t’ftoftë, unë për vete lahesha për shkak të shëndëtit, me rujtë shëndetin se qarkullimin e gjakut. Por edhe ato vebdosën edhe shoqet e tjera çdo mëngjes, nuk shkojshim kurrë në banjat ku laheshin të gjithë, sepse mund t’kishin provokime, a po? A ishin krejt burra, nuk shkojshim m’u la hiç. Laheshim qaty, me ujë t’ftoftë. Kur e panë ia nisën me na pru nganjëhere, një herë në javë ujë pak ma t’vokët, sa për t’u la. Qaty i lajshin edhe teshat. Hiç, hiç nuk dilshim prej dhome. Edhe tash… por tualeti ishte pa derë, çka me thanë më ma tutje?

Një ditë… na qitshin me shëtitë edhe shpesh hishin kontrollojshin krejt dhomën, bastisje. S’guxojshim me pasë letra, s’guxojshim me pasë laps, kurgjo, as një send. Një ditë e kishin gjetë lapsin. Edhe, “I kujna është ky laps? I kujna është ky laps?” Tashti, pse me i malltretu të tjerët, thashë, “Unë e kom gjetë”. “Po ku e gjete? A kemi kontrollu krejt? S’ka pasë laps. E qysh e paske gjetë?” Thashë, “Nuk e di”. Se ato, podi ishte dërrasa të vjetra kështu që lyhen me benzin, me… po, palidhje. “Po në të çamën e këtyre dërrasave të vjetra”. “Jo, s’është e mundur, e ki dënimin”. “Po mirë”, thashë, “Dënimin, po e paguj dënimin, çka me bo?” Çka ishte dënimi? Ja me t’izolu vetëm, ja me t’maltretu. E pagova denimin, por lapsin ma morrën.  Edhe kjo ishte. Po ky ishte kontakti i parë që lidhëm më familjen, sepse Kryqi i Kuq tash e dinte që jemi aty.

Mas tetë mujve që ndodhesha në këtë burg më çunë… këtu erdhi edhe burri im me m’pa, hera e parë domethanë kur ai me pashaportë të Maqedonisë mujti me ardhë… me shumë rrezik, a? Shumë rrezik. Dhe e shifsha që është shumë i prekur dhe revoltuar, por dhe me ndihmën e “Grave në të Zeza”, Sonja Biserko, kjo Nastasha Kandić, të cilat e përkrahshin dhe ndoshta e strehojshin kur ishte në, kur vinte. I ndihmonin që ta ketë edhe lejën me m’vizitu. Edhe këto m’vizitojshin… jo, n’atë burg nuk m’kanë vizutu, ma vonë.

Tashti mas tetë muajve, në nëntor të vitit… deshta me thanë, po… në nëntor te vitit ‘99 m’kanë çu në, m’kanë çu në Nish. Në Nish kom ndejtë dy muaj. Nishi është një burg shumë i madh dhe shumë famëkeq. Një burg sikur në filma kur i sheh, dy kat, kështu me hekra, dhe me ato dyert e mëdha të hekurit që çelen dhomat e të burgosurve. Kur komunikohet me të burgosunit nëpërmes një vrime në derë, ku edhe ushqimin ia jep si qenit. Të drejtën… dhomat e vogla, me dy kate. Në dhomën ku m’futën mu kishte qaq shumë lagështi, qaq shumë lagështi sa krejt balli i murit ujë rrjedhte edhe lagështi. Dhe unë krejt çka kisha tesha i futa që të ndahen prej lagështisë.

Flejsha në katin e dytë. Kërkush nuk flente në katin e poshtëm, por unë fleja në katin e dytë prej frikës se natën mund të më hynë gardienët, të më dhunojnë. Edhe ato fytyrat e tyre nuk ishin aspak miqësore, prandej edhe s’di sa flejsha prej asaj frike. Megjithatë… tjetra, në burg të Nishit kishte shumë shqiptarë. Shumica e këtyre që i kishin marrë prej Kosovës, tani i bishin aty sepse nga ky burg shkojshin në gjykatë, në gjykim. Edhe ndonjëhere kur m’qitshin vetëm, unë vetëm, thojshin, “A del me shëtitë?” Ftoftë ishte shumë, dimën, unë dilsha me shëtitë. Po kur dilsha nëpër koridor i shifsha shqiparët, qysh me thanë, na lishin para mureve dhe ata para mureve. Ndonjëherë m’kqyrshin me bisht të syrit, a din? Edhe e di sa vështirë e kanë pasë kur e kanë pa një gru.

Ka ndodhë ndonjëhere që… për shembull po e përkshtuj njenin, një nxënës i shkollës “Xhevdet Doda”, që e kisha njoftë unë përpara, fatkeqësisht ia kom harru emrin… i cili kur m’pa {bënë si e çuditur} “Doktoresha!” Ai ishte me katër gardien, e tu e qitë me shëtitë, por ai reagoj, “Oh doktoresha!” Dhe filluan me rraf, dhe unë u shkoqa prej gardienëve t’mi dhe i rashë përmbi trup, thashë, “Pse po e rrefni? Unë jom mjekja, ky m’njeh, prishtinas, domosdo që njifemi”. E rrafën sa mujtën. Na kthyen të dyve, edhe mu m’thyen edhe ata e kthyen në dhomë. Mu m’lanë me ndejt para murit, jo me hy n’dhomë por me çka po ndodhë, dhe ata deri sa e çuan te dhoma e vet e rrifshin. Dhe nuk mund ta harroj këtë kurrë.

Tani kjo periudha në burg tjetër du t’them, këtu prapë erdhen ky grupi i Kryqit të Kuq t’na vizitojë. Ajo që i din kushtet e mia ma t’këqija t’burgut, dhe gjendjen shëndetësore natyrisht, se gjendjen shëndetësore e kisha shumë keq, kisha anginën pektoris. Domethënë, kisha shumë dhimtë në krahnor, saqë ndonjëhere mund të alivanosesha, djersë, thjeshtë afër vdekjës isha. Dhe më kishin thanë që duhet të shkojë në VMA të operohem, mjeku në Nish. M’kishin çu në spital të lidhun me zinxhir, m’kishin çu me m’kontrollu mos po imitoj sëmundjen, po s’kish aty çka me imitu. Mjeku kish thanë që jom tamam anginë. Por unë s’desha të operohem. S’desha të operohem se e kisha fitu prej stresit, nuk kisha deformim të zemrës dhe tek e fundit prapë do të kthehesha në burg. Kush do të më operonte? Prandej nuk deshta.

E dyta ishte që nuk dojsha me bo t’madhe. Unë se disha jashtë rasti im sa është bo i madh jashta burgut, nuk kisha fare ide. Ajo, emri im kishte marrë dheun, a? Por unë nuk e dija këtë. Kurgjo s’kom ditë, se shpesh më janë idhnu disa shoqata, sidomos të grave, edhe këtu në Kosovë, qysh nuk kom ditë t’i falenderoj. Po si, kur unë s’kom ditë, madje s’kom ditë edhe ma vonë, disa vite ma vonë se çka ka ndodhë. Unë i falenderoj të gjithë, edhe ju kom mbetë borxh. Por tek e fundit s’besoj që kanë luftu të gjithë për emrin tim, por për t’burgosurit. Se sikur unë që s’jom ndi hiç e lirë kur jom liru, kur kanë mbetë të tjerët ay mrenda.

Këtu në burg do të vjen thashë delegacioni i njejtë i Kryqit të Kuq, dhe në mesin e tyre ishte një gru, e cila hyni, e vetmja dëshmitare që hyni në dhomën ku qëndroja, dhe mbeti e shashtrisur, domethënë çfarë dhome e keqe e burgut. S’kishe as si të sillesh, kështu si qeli e vogël. Edhe me myk, e me terr, tri parë hekra i ka pasë. Dritarja shumë e naltë që as s’e disha kur o ditë, as kur është natë. E vetmja ishte e imja që shifsha dritë kur e kisha orën gjysëm ore, a 15 minuta me shëtitë nëpër oborr, vetëm.

Kjo gru ma vonë kisha dëgju që ka lindë, është martu pas luftës, franqeze, është martu dhe ka lindë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Dhe vajzës ja ka vu emrin tim. Dhe tani i kom shkru një e-mail dhe e kom falenderu… domethënë, e kom përshendetë, kom thanë, “Vajzës ia di emrin, po djali si e ka?” Kjo më është përgjegj shqip, ka thanë, “Vajza e ka një emër domethënës, dhe do të ia spjegoj historinë e një gruaje kështu, e kështu, e kështu…” I përmend krejt ato qysh m’ka njoftë, domethënë për çka kom qenë në burg, e krejt këto. Me një fjalë e mban emrin Flora. Dhe një franqeze, sigurisht ia ka mësu e ëma historinë time të vogël, të një populli të vogël, pse domethënë edhe t’jesh mjeke është e dënushme.

Tjetra histori që m’ndodhi në Nish, është e bukur sepse do të dorëgohem në gjykim. Dhe në sallën e gjykimit do të shoh shumë shoqe me të cilat dhe kisha komuniku, si organizata të grave të Serbisë, Gratë në të Zeza, këto shoqatat për të drejtën humanitare, një shoqatë beogradase që kishin bo protesta kundër mbylljës së shkollave në Kosovë. Kishin bo protesta për vrasjet, kishin ardhë me na ngushëllu kur u bo masakra në Likoshan, Qirez, kur u vra familja Jashari, kishin guxu me ardhë, që kishin qenë të përndjekura. Dhe tani po bënin protesta, unë s’e dija, ma vonë e kom mësu se po bojshin protesta për lirimin e të burgosurve, konkretisht për lirimin tim që në njëfarë mënyre isha shëndrru në simbol… se domosdo që unë nuk du ta veçoj vetën prej as njenit, as ma t’voglit, as ma t’vjetrit të burgosur për diçka të veçantë. Por domosdo që secilit aksion i vynë simbolika. Për shembull ishte e randësishme që me 8 mars t’bojnë gratë protesta, mujnë t’bojnë edhe me 9 edhe me 10, por ja se e zgjedhi një ditë që është e shënume. Edhe këtu me një fjalë më kishin zjgedhë mu se kjo ishte ma mirë.

Lirimi im do të vjen shumë papritur sepse unë… veç kish fillu rigjykimi, isha dënu dymbëdhjetë vjet. Dhe me këtë gjykim po e vuj, këtë dënim po e vuja tashti jo nga Nishi, po në burgun e grave në Pozharevc. Në Pozharevc tanë kohën kam qenë e mbyllur. Nuk kom qenë prej atyre të burgosurve që dalin i lirojnë, dalin në oborr ose e lanë të punoj diçka.

E vetmja përparësi tani këtu ishin kushtet pak ma t’mira, ndoshta për shkak edhe t’njerëzve që vishin ma shpesh të më vizitojnë. Për shembull erdhën deputetë, ambasadorë ose t’hujë… të Norvegjisë, ambasadori i Norvegjisë. Erdhën deputet gjerman, m’ishte nda çmimi për kurajo qytetarë në Gjermani, Heinrich Böll. Ose m’ishte nda çmimi “Tuholski” për shkrimtarë disidentë. Kështu që kishte marrë njëfarë forme, une pa e ditë këta, veç e di që ky deputeti m’pyeti, “A është ma lehtë për ty, a ma keq, a ma mirë ta shpallim çmimin?” Thashë, “Jo, shpalleni çka…” Une ma n’fund me gjendjen time shëndetësore s’e dija a do të i mbërri edhe dy-tre vjet në burg. Se masi kom dalë prej burgut i kom bo tri stente, a din, e kom pasë shumë gjendjen e vështirë.

Edhe… kështu që kjo është ajo periudha, por do ta përsëris një mendim që shpesh e kemi diskutu me Adem Demaçin… dy mendime do t’i them. E para është, i pari mendim është, Elizabeta Demaku, psikologe, e cila kur erdhi t’më vizitoj m’tha, “Sa m’vjen keq për ty”. Unë isha liru prej burgut, u çudita, “Pse Elizabetë?” Tha, “Se duket nuk ka ma vështirë se t’jesh hero i gjallë”. Thashë, “Unë s’jom hero”. “Po”, tha, “je”.

E dyta ka qenë me Adem Demaçin. Po bisedojshim një ditë dhe thashë, “Athua, ka njeri ma t’lumtun se ne dy kur e përjetojmë lirinë dhe jemi gjallë?” E përjetuam lirinë dhe i shofim rezultatet. Tashti vjen pytja, “A jonë rezultatet që i ke dëshiru?” Kurrë asnjëherë nuk je i kënaqur. Megjithatë, Kosova është e pavarur, megjithëatë shkollat funksionojnë, institucionet funksionojnë. Nuk është realizu andrra jonë, ndoshta kemi andrru një andërr shumë, shumë t’bukur, a bota është shumë e vrazhdë. Ndoshta edhe kemi mendu që jemi shumë, shumë të ditur, e nuk kemi qenë qaq. Ndoshta kemi mendu që jemi shumë t’bashkuar, sikur kemi qenë në luftë dhe pastaj, ose traumat e luftës na kanë shpërnda dhe kemi bo shumë gabime. Por kryesorja Kosova e pavarur ekziston, kufijtë e saj ekzistojnë dhe është kjo rini që duhet ta çon përpara.

Aurela Kadriu: Shumë faleminderit për kohën.

Flora Brovina: Ju falemnderit ju që gjetët kohë me m’ndëgju kaq gjatë.

Download PDF