Beti Muharremi

Prishtinë | Date: 7 shkurt, 2015 | Duration: 54 min.

Ka qenë shumë vështirë me pa vehten që je në rrugë. Thjeshtë je angazhu’, ke punu’ me t’gjitha forcat, bile mu pas nji viti, dy viteve m’kanë pas avancu në punë. Kam qenë udhëheqëse e grupit për financimin e komunave dhe bashkësie vetëqeverisëse të interesit, dhe për nji moment me u gjindë në rrugë pa kurrëfarë faji, pa kurrrëfarë dëshmije. Dhe, kur kom ardhë në shtëpi, erdhi edhe burri prej punës edhe ndoshta nuk e kom kuptu’ ashtu peshën sa po i them burrit t’u qeshë, thashë, ‘Burrë, prej sot jom n’shpi, jom amvise. Çka t’dush thuj, une boj n’shpi’. Po filloj me ba hajgare. Ndërsa, ai me shumë seriozitet tha, ‘Ani gru se edhe une jom njejtë si ti’. Domethanë në t’njejtën ditë me 12 korrik të vitit ‘89 e kanë largu’ edhe burrin tim prej punës edhe i’a kanë ndalu’ hymjen në ndërtesë.


Jeta Rexha (Intervistuesja), Kaltrina Krasniqi (Intervistuesja/Kamera), Donjeta Berisha (Kamera)

Beti Muharremi u lind me 19 dhjetor 1954 në fshatin Kabash të komunës së Vitisë. Kreu studimet e ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, e u punësua në Sekretariatin Krahinor te Financave. Aktivizmin për të drejtat e gruas e filloi që në vitin 1999 kur u angazhua në kampin e Stankovecit. E udhëheqë organizatën jo-qeveritare “Dera e Hapur”. Jeton në Prishtinë me të shoqin, dhe ka dy djem e një vajzë.

Beti Muharremi

Fëmijëria

[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarën për fëmijërinë e saj.]

Belgjyzare Muharremi: Une jam Belgjyzare Muharremi, jetoj në Prishtinë, aktualisht e udhëheqi nji organizatë të grave që quhet “Dera e Hapur” është organizatë jo-qeveritare. Kam lindë me 19 dhetor 1954 në fshatin Kabash të komunës së Vitisë. Shkollën fillore e kam kry në Kabash dhe në Viti, ndërsa shkollën e mesme në Gilan, shkollën “Skënderbeu”, shkollën normale, u qujtë “Skënderbeu”. Fmininë e kom kalu’ në Kabash, kom pasë gjyshin, gjyshen, nanën që shumë kom qenë e lidhun me te, babën, shumë halla… e kom edhe nji vlla. Me profesion jom ekonomiste. Prej fminisë nuk di çka kisha nda me ju. Fmininë e herëshme e kom kalu’ në Kabash. Ma merr menja që kom qenë fmi shumë i qetë, shumë i urtë, meqenëse baba im ka qenë msus në atë kohë, ndër msusët e parë sepse nuk ka pas kuadra atëherë, edhe shumë të ri. Pasi që e kanë kry klasën e gjashtë, kanë shku’, i kanë çu’, i kanë dërgu nëpër kurse të ndryshme. Dhe nga familja jonë , gjashtë persona – baba, halla dhe disa halla dhe djem të axhallarëve janë ba msusë, msusët e parë n’atë vend. Edhe shkollën fillore e kam kry në një shkollë e cila ka qenë afër shtëpisë tonë. Ka qenë shkollë e vogël, mirë e organizume. Kom pasë msusen e parë, msusja Ilmije që shumë e kemi dashtë edhe shumë na ka dashtë (buzëqeshë). Pastaj, ka qenë interesant se kur kom fillu’ me punu’ pas shumë e shumë vitesh edhe jemi taku’, ajo m’ka njoftë edhe m’kishte mbajtë n’mend dhe me emën, sepse nana ime kishte kontaktu’ me te, pasi që nuk ka pasë foshnjore n’atë kohë, dhe nana ime ka dashtë me m’dërgu ashtu n’shkollë, n’foshnjore. Atëherë ishin marrë vesh me msusen që unë me shku’ me viju’ klasën e parë por si foshnjore, pesë vjeçare kom qenë atëherë. Mirëpo, kur osht’ kry klasa e parë, mu kanë dashtë me m’nda prej shoqnisë, shoqeve dhe shokëve t’klasës. Dhe, unë kom vazhdu’ klasën e dytë bashkë me shoqet edhe shokët e klasës (buzëqeshë). Pastaj, në klasën e… prej klasës t’pestë deri n’tetën osht’ dashtë me udhëtu’, me shku’ në Viti. Shkolla fillore domethanë prej klasës t’pestë deri n’tetën osht’ dashtë me udhëtu’ nja gjysë ore ashtu. Çdo ditë kom udhëtu’ me fmitë e axhallarëve edhe fqinjët tjerë për Viti, edhe jemi kthy n’kamë. Kemi shku’ n’kamë edhe jemi kthy, shumë t’vegjël kemi qenë. Edhe jemi kthy… ajo ka qenë interesant, mjaft interesant për ne, për mu.

Rinia

[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarën  për rininë e saj.]

Shkollë t’mesme nuk ka pasë atëherë, edhe osht’ dashtë diku tjetër me shku’ ma larg. Ma larg ku me shku? Në Gilan. Meqenëse familja edhe prejardhjen e ka prej Gilani, edhe kom pasë hallat aty, une kom vazhdu’ shkollimin e mesëm në Gilan. Dhe ka qenë interesant, kemi diskutu’ me familje, me gjyshin. E tash gjyshi osht’ interesu’ për çka me vazhdu’ une, çfarë shkollimi me pasë. Pastaj, nana, baba, halla gjithashtu kanë marrë pjesë n’këtë diskutim dhe kemi vendosë që osht’ më s’miri me shku’ në shkollën e mesme në Normale, pasi që për femrën osht’ e randësishme me pasë kohë ma t’lirë për familje, për shtëpinë, për fmitë, për burrin. Kshtu që, unë kom vazhdu’ shkollimin në Gilan. Aty kom banu’ te halla, pasi që i kom pasë hallat aty. Është interesant me e cekë ktu se sigurisht shkolla ka vendosë që për me qëllim të nxitjes të shkollimit të vajzave n’atë kohë, sepse shumë pak vajza ka pasë. N’krejt klasat që i maj n’mend unë, krejt klasa ka qenë djem, vetëm nga dy vajza kanë qenë dy-dy, domethanë pesë deri n’gjashtë vajza kanë qenë në klasë. Pjesa tjetër e klasës ka qenë e bame prej djemëve. Dhe, siç thashë ma parë për nxitjen e shkollimit të vajzave kanë vendosë që klasa me qenë e përbame vetëm prej vajzave. Ajo ka qenë nji përvojë shumë interesante për mu edhe për t’gjitha vajzat që kemi qenë aty. Mirëpo, megjithatë vajzat e kanë braktisë shkollimin. Mergjithatë pasi që jonë kry dy vite, domethanë viti i parë edhe viti i dytë i shkollës t’mesme, prapë neve na kanë shpërnda nëpër klasë tjera ku kanë qenë edhe djem. Prapë kemi qenë pakicë domethanë në shkollë t’mesme.

Shkollimi i mesëm ka qenë shumë nji përvojë e mirë, shumë nji përvojë interesante. Kemi qenë s’bashku dy shkollat, gjimnazi edhe shkolla e mesme normale në t’njejtin oborr. Edhe, e maj n’mend atë zhurmën, e maj n’mend muzikën që lshohej gjatë kohës së pushimeve, pauzave n’mes t’orëve. Edhe osht’ nji përvojë jashtëzakonisht e mirë për mu. Pastaj, unë kom pasë… që atëherë kom mendu’ me vazhdu’ shkollimin, por meqenëse shkolla e mesme normale ka qenë pesë vjeçare, atëherë unë kom shku’ te drejtori edhe e kom lutë drejtorin, “Drejtor, a mundeni ju me m’leju’, me m’a mundësu’ që me kalu’ në gjimnaz?”, pasi që  kemi qenë në nji oborr, “me kalu’ në gjimnaz vitin e katërt, për me mujtë me kry për katër vite shkollën e mesme”. Ai m’ka thanë “Unë nuk t’kisha preferu’ me kalu’ n’gjimnaz sepse ne dëshirojmë nxanësit si ti edhe si.. disa nxanës që janë tjerë me i mbajtë në shkollën tonë”. Edhe kam vandosë që… tri vajza kemi qenë ashtu të dallume, edhe një djalë; gjatë pushimeve verore e kemi kry klasën e katërt, kshtu që kur ka fillu’ viti shkollor, ne prej vitit t’tretë kemi kalu’ në klasën e pestë, që do t’thotë që për katër vite e kom kry shkollën e mesme.

Pastaj me familjen prapë kemi diskutu’ çka me vazhdu’, çfarë shkollimi me vazhdu’. Dhe, unë kom pasë dëshirë me studiu mjeksinë, por pas diskutimeve që i kemi ba, kemi vendosë bashkarisht me viju’, me u regjistru’ në Fakultetin Ekonomik. Në Fakultetin Ekonomik ka qenë gjenerata mjaft e fortë. Po menoj, n’bazë të thanjës të profesorëve edhe n’bazë të revistave të atëhershme që kanë shkru’, sidomos nxanësit që e kanë kry  atë vit gjimnazin në Prishtinë kanë qenë jashtëzakonisht të aftë. Dhe, kemi qenë pesëqind studenta. Pesëqind studentë që janë regjistru’ vitin e parë. Edhe profesorët i kemi pasë jashtëzakonisht t’mirë, unë kom pas fatin që e kom pasë hallën n’Prishtinë, kom banu’ edhe te halla edhe në konvikt, kshtu që kom pasë mundësi edhe me u shoqnu’, me u njoftu’ me shoqe nga Peja, nga Gjakova, edhe nga Deçani, nga t’gjitha viset e Kosovës.

Kom kujtime shumë t’mira nga fakulteti: shoqërimi me studentë, pastaj profesorët i kemi pasë jashtëzakonisht t’mirë. Vitin e katërt kur e kemi kry ka qenë në modë edhe praktika, me shku në ekskurzion.  Kemi shku në Çekosllovaki, në Poloni, ka qenë nji përvojë jashtëzakonisht e mirë. Pastaj ato mramjet e maturës, edhe në shkollë t’mesme edhe në fakultet, ato jonë mbajtë, atëherë ka qenë shumë interesant. Por, prej pesë qind studentave që jonë regjistru’ vitin e parë, n’vitin e katërt kemi qenë 120, kte e mbaj n’mend. Pasiqë, pas katër viteve kom diplomu’, n’vitin prej ’72 kur jom regjistru’, n’vitin ’76 kom diplomu’. Dhe, kom pritë, dy mujë e gjysë kom kërku’ punë dhe jom punësu’ në Ministrinë e Financave, atëherë osht’ qujtë Sekretariati Krahinor i Financave.

Me 7 janar jam punësu’, pastaj në shkurt jam feju,  në korrik me 7, jom martu. E kom burrin, bashkëshortin me t’cilin jetoj, dhe i kam tre fmijë, dy djem dhe nji vajzë. I kam tre nipa dhe një mbesë. Kur jom martu, kom shku’ me jetu’ te prindët e burrit, ata e kanë pasë një banesë në qendër t’Prishtinës, afër Hotelit Grand tash, tash ku osht’, mirëpo Hoteli Grand atëherë nuk ka egzistu. Kur jom martu unë Hoteli Grand… ka fillu’ ndërtimi i Hotelit Grand, ka fillu’ ndërtimi i Grand Hotelit. Edhe mu shumë m’ka pengu’ ajo, se kemi pasë banesën në rrugë, domethanë bash përballë Hotelit Grand. Ndërsa unë isha msu’ në një qetësi, ma ndryshe. Dhe, filloi ndërtimi i Hotelit, viti ‘77, dhe domethanë e kemi përcjellë atë ndërtimin e Hotelit. Ka qenë diçka interesant sepse edhe banesa nuk ka pasë shumë n’Prishtinë. Bile kur kom ardhë n’Prishtinë për herë t’parë ajo rruga që t’çon prej Fakultetit Ekonomik deri te konviktet ku jonë, ajo ka qenë me baltë, baltë t’kuqe, baltë e kuqe ka qenë. Nuk ka pasë rrugë t’asfaltume, dhe ka pasë mjaft pjesë me kalldërm.

Me vjehrrit kemi jetu’ katër vite, me burrin, sepse nuk kemi pasë ku tjetër me shku’. Dhe pastaj, unë kom punu’ në Ministrinë e Financave, burri ka punu’ n’Kuvend t’Kosovës. Vjehrri ka punu’ n’kryesi t’Kosovës, kryesia – domethanë afër kryetarit ka qenë kshilltar i… kryetar Kosove, po nuk osht’ qujtë, kryetar i kryesisë osht’ qujtë. Kshtu që, burri ka pasë mundësi me marrë nji banesë sepse femrave nuk iu kanë dhanë banesa. N’raste shumë, shumë t’rralla… mashkujt, domethanë kryefamiljari ka qenë ai që ka pasë t’drejtë me marrë banesë. Dhe, pas katër viteve burrit tim i kanë nda nji banesë, prapë afër n’qendër, n’anën tjetër t’Hotelit Grand (buzëqeshë).  Dhe unë atëherë veç e kom pasë lind njënin djalë, dhe në banesën e re kur kemi kalu’, ka lindë edhe djali i dytë. Njëherë Fatbardhi, mandej Lumi edhe Besa vajza ime.

Pastaj pas disa viteve neve na kanë nda nji banesë ma t’madhe sepse fmitë fillun me u rritë, edhe kemi pasë në zgjerim t’banesës. Ka qenë ma lehtë veç kur e ki veç nji banesë me marrë nji banesë tjetër. Kshtu që, na kemi kalu’ në banesën e re në vitin ‘89. Mirëpo, në vitin ‘89 ka qenë shumë vështirë me marrë banesë sepse atëherë jonë intensifiku’ trazirat edhe ndasija a je shqiptare, a je serb. Edhe ne kemi pasë fatin që me kalu’ n’banesën e re. Dhe banesën e vjetër ku e kemi lshu’ ka ardhë një serb i cili ka punu në t’njejtin vend me burrin tim në Elektro-Ekonominë e Kosovës. Dhe unë po i them, “Osht’ banesa jashtëzakonisht e mirë, ka diell, osht’ shumë e shëndoshë, shumë e mirë”. Tha, “Jo, po t’ishte e mirë unë kisha shku’ n’atë banesën e madhe ju kishit ndejtë ktu. Po une po synoj atë banesën që juve ju kanë nda”, e reja që kishte ma shumë hapsinë, ma shumë kvadraturë, ma shumë dhoma. Unë atëherë nuk e kuptova sepse ai kishte fmitë e vegjël edhe kishte rregulla kujt i ndaheshin banesa edhe çfarë banesa. Domethanë a i ka plotësu kriteret për me ardhë n’atë banesë ku kemi jetu’ na, ndërsa ne i kemi plotësu’ kriteret për me kalu’ në nji banesë ma t’madhe. Por, pasi që punojshim, bashkë kemi punu’ me serbë e shqiptarë e atëherë nuk i kemi kuptu’ shumë ato ndasitë që i kanë mendu’ ata. Ne kemi mendu’ që ne bashkë duhet me jetu’, bashkë duhet me jetu’ dhe nuk osht’ n’rregull me pasë probleme.

Kaltrina Krasniqi: As në vitet e 80-ta nuk i keni ndi kto ndamje?

Beti Muharremi: I kom… ndi, si jo. I kom përjetu’ demonstratat e vitit ’68. Atëherë kom qenë n’shkollë t’mesme, ndoshta atëherë kom qenë ma e re edhe nuk e kom kuptu’ taman, por i kom ndi edhe prindërit e mi që gjyshi, gjyshja, hallat, baba t’u bisedu, shumë t’vegjël kemi qenë na, po nuk bisedojshin para nesh. Flejshim na, ata bisedojshin kur flejshim na. Bisedojshin tema si për shembull, “Shkoi nji kamion me armë kah rruga, kah dera jonë”. Po unë isha atëherë shumë e vogël për m’i kuptu kto ndasitë.

Pastaj, në demonstratat e ‘81-shit, unë kam qenë e martume dhe kom jetu’ bash në qendër aty afrët te Hoteli Grand, dhe ka qenë nji masivitet i studentëve i njerëzve të cilët kanë dalë në demonstrata. Pra në vitin ’81, pasi që ndodhën demonstratat dhe burgosjet e të rinjëve ka pasë tensione në zyre n’mes të shqiptarëve dhe serbëve. Në t’vërtetë disa serbe që i kom pasë n’zyre që deklaratat na pengojshin shumë të tyre, “Çka po kërkojnë, ju kemi dhanë çdo gja”. Kinse dikush dikujt i ka dhanë, jo që osht’ e drejtë e secilit njeri me jetu’, me u shkollu’, me punu’, me pasë nji jetë normale. Dhe, ma vonë kanë fillu’… përpara i kemi pasë ministrat, sekretarët e atëhershëm shqiptarë, ka qenë zotëri Xhemshit Duriqi – personi që m’ka pranu’ mu n’punë, ka qenë shumë person i aftë, shumë ministër i aftë, shumë punë t’madhe ka bo. Pastaj tjerë prapë kanë qenë shqiptarë, dhe ma vonë fillun me i pru ministrat prej Serbisë. Domethanë për me mujtë m’i realizu’ ato qëllimet çka kanë mendu’ ma lehtë përmes ministrave serbë ose goranë kanë qenë prej Beogradit. Ka pasë ardhë njeni që osht’ qujtë Garip Haxhini, njeni goran. Pastaj edhe zavendësat i bijshin serbë prej Beogradit.

Kshtu që, në vitin ‘89, në korrik të vitit ‘89, veç mbrrini kulminacioni ma s’pari, t’parët që jonë largu’ prej institucioneve janë punëtorët shqiptarë që kanë punu’ në Ministrinë e Financave, gjegjësisht në buxhetin e Kosovës. Domethanë, se atyne iu ka interesu’ ma s’pari me ardhë me marrë buxhetin n’dorë edhepse ka qenë në durtë e tyre një kohë t’gjatë. Por me 12 korrik të vitit ‘89, i kemi ndi policia që ka ardhë në hymje, edhe e kemi ditë çka po ndodhë. Pas kësaj, domethanë shqiptarët që kanë punu’ në Ministrinë e Financave, nuk kanë pasë t’drejtë, pra na u ka ndalu’ e drejta me hy në ndërtesë. Kanë mbetë vetëm serbët. Edhe, pas nji kohe na kanë ftu’ me i marrë vendimet që na i kanë lshu’ që ne e kemi lshu’ punën, që kemi refuzu’ me i kry urdhërat  e tyre të cilat na i kanë dhanë. Dhe, jemi në nji mënyrë armiqët e ktij… t’Kosovës, t’ktij shteti. Kshtu që ne kemi protestu’ burra dhe gra.

Ka pasë shumë femra në Ministrinë e Financave, tri – katër kemi qenë gjenerata ime, pastaj kanë ardhë edhe femrat tjera ma t’reja që e kanë kry ma vonë Fakultetin Ekonomik. Kemi protestu’ çdo ditë, dilshim. Atëherë kanë qenë aktuale protestat sepse filloi largimi i punëtorëve shqiptarë nga puna, dhe çdo ditë u mbajshin protestat në rrugën kryesore,  tash në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe aktualisht “Nëna Terezë”.

Unë spjegova që kom hy shumë heret në shkollë, me qëllim që me kalu’ foshnjorën, por kjo nuk ka ndodhë, domethonë pasi që e kom vazhdu’ klasën e dytë, pra plus në shkollën e mesme e kom kry për dy vite për nji vit edhe në… gjatë studimeve kam qenë e rregullt dhe kam diplomu’ në t’vërtetë, para se me i mbushë 22 vjet. Ka qenë për shoqërinë, edhe për rrethin diçka mjaft e avansume, për arsye se unë n’Komunë, kur shkojsha n’Komunë thojshin se edhe pas katër viteve nuk ka me diplomu’ askush. Domethanë vajzat jonë regjistru’, shumë pak vajza jonë regjistru’ në shkollimin universitar. Nji shoqe, dy shoqe t’mija t’klasës jonë regjistru’ edhe e kanë kry apo nuk e kanë kry. Edhe pas disa viteve jonë regjistru’ vajzat e axhës, pastaj edhe ato e kanë kry. Domethanë një numër mjaft i vogël i vajzave osht’ shkollu’. Unë nuk di pse kanë ndodhë, por me siguri ekonomia familjare atëhere, ekonomitë familjare nuk kanë qenë aq të zhvillume sa me mujtë me i çu në shkollë edhe vajzat edhe djemtë. Pasi që thashë, krejt klasa ka qenë me djemë, domethanë osht’ dashtë dikend me e mundësu’, me iu dhanë mundësi për shkollim, ka qenë djali  sipas t’gjitha gjasave, sepse faktet po tregojnë, a?

Për mu ka qenë shumë interesant n’Prishtinë. Prishtinën e kom dashtë dhe n’Prishtinë kom mbetë me jetu’. Domethanë n’vitin ‘72 e kom regjistru’ Fakultetin dhe në ‘86 e kom përfundu’. Me 1 janar t’vitit ’77 kam fillu’ me punu’. Pastaj, jom feju’, jom martu’, kshtu që osht’ nji përvojë jashtëzakonisht e mirë, unë veten e kom pa n’Prishtinë. Disi nuk kom mujtë me mendu’ diku tjetër me jetu’.

Lufta

Ajo ka qenë një periudhë shumë stresuse për të gjithë ne si për t’gjithë kosovarët, ashtu edhe për mu edhe për familjen time. N’atë kohë, domethanë aktivizmi ka vazhdu’ n’vitin ‘98, n’fillim t’vitit ‘99. Në shkurt, kah fundi i shkurtit t’viti ‘99 ne fillum me u rrallu’, edhe fillum mos me u taku’ shumë me pjesëtarët e Kryqit t’Kuq edhe t’Shtabit t’Emergjencës, se na takoheshim. Dhe fillun ato lidhjet me u shkëputë edhe m’u mbyllë nëpër banesa, nëpër shtëpi. Në banesën tonë erdhën edhe disa familjarë tjerë që menojshin që do t’jenë ma t’sigurtë n’Prishtinë apo nuk e di pse. Dhe, fillun njerëzit me u mbyllë nëpër shtëpi, fillun me u thy shitoret, vitrinat, edhe serbët fillun me i marrë senet prej shitoreve se shqiptarët nuk guxojshin me dalë. Domethanë unë banesën e kom pasë n’qendër edhe ne nuk guxojshim me dalë prej shpisë.

Ne pregaditshim ushqim n’shpi, përveç kësaj, edhe lidhjet telefonike edhe kjo m’u ka dukë shumë interesante dhe e pamundun, po ja që ishte e mundun, lidhjet telefonike të shqiptarëve u ndërprenë, ndërsa të serbëve funksionojshin. Unë kom mendu’ që për shkak t’situatës jonë ndërpre lidhjet telefonike, por jo, serbët kishin telefon, na nuk mujshim me komuniku’ me askend. Kte e kom pa, e kom vërejtë sepse kojshia i parë kishte ble banesën prej nji serbës, edhe te ajo funksiononte telefoni, pse osht’ banesa në emën të serbit. Dhe me kto ndërpremje të komunikimit, nuk dijsha ku e kom babën, ku e kom vllaun, ku i kanë ata familjet. Dhe, një ditë, prej telefonit t’kojshisë e thirra hallën n’Shkup, edhe m’tregun që vllau im me familje dhe baba kanë shku’ në Shkup. Kanë pritë shumë n’kufi, por ata kanë arritë me dalë. Po, ne nuk dojshim me u largu’ prej Prishtine, prej Kosove, ne nuk kemi bo kurgjo, po dojmë me nejtë n’banesën tonë.

Mirëpo, prej banesës… hymja jonë i ka çdo kat pesë banesa, dhe është 12 katëshe, domethënë 120 familje kanë qenë aty. Prej t’gjitha familjeve vetëm 14 familje mbetëm shqiptare, n’atë ndërtesë. Dhe, një ditë kojshia i parë i joni serb, erdh e trokiti në derë edhe e kërkoi burrin tim edhe bisedun. I tha, “T’lutem a mundesh, a mundemi me u marrë vesh që nëse ju rrezikoheni, unë do t’ju mbroj familjen e juj se po shoh që keni shumë antarë aty, Por, nëse ne rrezikohemi, atëherë a mundeni ju me na mbrojtë prej noj rreziku t’mundshëm?”, “Mirë,” thamë “por, a bon t’lutem me folë me telefon me familjarët t’shofim ku janë, ku s’janë”. Edhe tha “N’rregull, qe merre çelësin, munesh me folë n’telefon, me përdorë telefonin”. Edhe kur kom shku’ aty kom bisedu’ me vllaun prapë edhe ai tha, “Merrni tesha, se osht’ jashtëzakonisht ftoftë, keni me mbetë shumë në kufi”. Edhe, n’rregull, jemi marrë vesh ashtu, kur e kom pa në ballkon ka qenë një snajper edhe nji çese plot e mbushun me plumba. Domethanë që ai kojshia i ka pasë.

Mandej, fillunë t’gjithë kojshitë, djemtë edhe burrat serbë me u veshë me veshje t’ushtrisë, dhe me 4 prill, me 4 prill neve na kanë detyru’, t’vitit ‘99 me dalë prej banesës. Edhe ata katër familjarë, katër banesa që ishin shqiptarë, kemi qenë t’detyrum me lshu’ banesën. Dhe, fmitë kanë qenë t’vegjël. Pra, kur kemi shiqu’ me marrë, me i marrë gjanat elementare t’domosdoshme dhe kemi dalë prej banesës. Po ku me shku’? Kemi pa lumin e njerëzve, nji lum prej njerëzve që po shkojnë me boshqe me tesha kah treni. Edhe, na kanë thanë policia, “Shkoni këndej te treni, te hekurudha afër Dragodanit”. Aty kemi hypë në tren edhe në Bllacë osht’ ndalë treni edhe kemi zbritë prej trenit. Na kanë udhëzu’ mos me hecë jashtë prej shinave, vetëm ku janë binarët, për arsye se thanë osht’ e minume. Nuk guxoni me i lshu’ binarët e trenit. “Shkoni drejt binarëve, deri në kufirin e Bllacës”.

E maj n’mend që ka qenë jashtëzakonisht ftoftë, 4 prilli i vitit ’99, jashtëzakonisht ftoftë, shumë shumë ftoftë. Dhe, aty ku mbrrimë, ne mbrrimë ne që kemi zbritë prej trenit. Aty na pritshin plot njerëz që kanë shku’ ma heret në kufi, dhe krejt ishin të zi n’ftyrë {prek fytyrën}, si me hi si me… për shkak të fabrikës që ishte aty. Edhe, na pritshin neve, në anën e majtë i kemi pasë policë, e n’anën e djathtë edhe përpara plot shqiptarë që jonë vendosë në Bllacë. Dhe polici n’anën tjetër i ka bërtitë njenit, nuk di për çfarë arsye. “Dodji vamo!”, edhe e ka gjujtë me plumb. Aty ka qenë burri im përpara, edhe vajza ime, vajza e vogël edhe e ka mbrojtë vajzën {mban kyçin e dorës} mos t’i ndodhë asaj diçka. Por, fatmirësisht nuk ka ndodhë, plumbi nuk e ka qëllu’ kërkend, por ka qenë një përvojë mjaft traumatike e jonja.

Aty filloi me u errësu’, filloi me u ftofë dhe plotësisht kur u errësu’, fshatërat përreth Bllacës kanë fillu’ me t’madhe me pru’ materiale të ndryshme çfarëdo copa me u mlu njerëzit mos me nirthtë. Pastaj bukë, pastaj qumësht, pastaj… gjëra ushqimore për me kalu’ na natën sa ma mirë. Po, me t’vërtetë shumë vështirë ka qenë. T’nesërmen, rreth orës dy, ne jemi… se aty ka qenë si nji livadh – Bllaca. Na jemi kyçë në rrugë, jemi kyçë në kolonë, kolona e cila ka zgjatë 15 orë. Domethanë prej orës dy të ditës t’prillit, viti ‘99. Ne, në dy t’natës, jo po n’pesë t’mëngjesit kemi arritë me ardhë në kufi. Ju e dini kufini osht’ aty shumë shkurt, ajo pjesa osht’ shumë e shkurtë {tregon distancën me duar}, disa metra. Por, ne atë pjesë e kemi kalu’ për 15 orë. Aq njerëz ka pasë, edhe aq ngadalë në kufirin e Maqedonisë, kufitarët i kanë lshu’ njerëzit me kalu’ kufirin. Edhe në nji moment, na kanë nda familjen, tha, “Ju kaloni {tregon me dorë}, ju rrini”. Unë kom fillu’ me lutë atë kufitarin, thashë, “T’lutem a bon me e lshu’ se kunati ishte andej {tregon kahjen me dorë}, gruja këndej, fmitë…” Shumë agresive, “Hajt, hajde kalo” diqysh askush nuk e ka meritu’ atë sjellje t’atij ashtu.

Dhe, kemi hypë nëpër autobusa, nuk e kemi ditë ku po shkojmë, as ku po na çojnë. Kemi rastisë që na kanë dërgu’ në kampin e Stankovecit. Aty veç ishin vendosë shatora t’bardhë, t’hollë, dhe jemi vendosë në nji shator e gjithë familja. Domethanë ka qenë familja jonë e ngushtë me pesë anëtarë, dy kunetë me gra edhe me familjet e tyre, fmitë e tyre edhe anëtarë tjerë t’familjes, fmitë e tezes t’burrit kanë qenë. Domethanë disa vetë jemi vendosë në nji shator. Dhe ne nuk kemi… pastaj aty u çelën zyret për me shku’ jashtë. Ndërsa, në Shkup nuk ke mujtë me dalë, se ka pasë rreth kampit, brenda rreth kampit dhe jashtë grilave t’kampit ka pasë ushtarë maqedonë. Domethonë, nuk ke mujtë me dalë, si duket i jonë frigu nji balanci nacional që do t’krijohej në Maqedoni po që se shqiptarët nga Kosova vazhdojnë me jetu’ në Maqedoni. Dhe, nuk ke mujtë me dalë, o’ dashtë me nejtë aty ose me dalë jashtë nëpër shtetet e ndryshme t’Evropës apo në Amerikë. Por, ne pasi që nuk e kemi synu’ ate, ne kemi qëndru’ aty për nja dy javë ditë.

Edhe një ditë prej ditëve në kamp, ka ardhë një aktiviste maqedone. Ajo osht’ Savka, Savka Todorovska, ajo kishte qenë udhëheqëse drejtoreshë e Rrjetit t’Grave t’Maqedonisë, unë nuk e kam ditë. Por, burri im kishte punu’ nji punë t’vogël me burrin e saj, rastësisht. Edhe, burri i vet kur ka kuptu’ që ne jemi në kamp, ai kishte qenë shumë i smutë, edhe n’spital kishte qenë, edhe nuk ka mujtë me ardhë me na vizitu’,  po e ka lutë grunë e vet, “T’lutem shko se ata jonë njerëz, ata jonë njerëz sikur na.” I kishte thonë qysh m’a spjegoi (buzëqeshë). “Ata jonë njerëz si na edhe nuk e meritojnë nji gjendje të tillë”. Edhe, erdh ajo Savka edha na gjet shatorin ku ishim ne. Edhe u prezentu’, tha jom kjo, kjo, kishte pru’ disa gjana për fmi. Edhe une e luta me më nxjerrë prej kampit, me m’nxjerrë prej kampit sepse une e kisha hallën në Shkup edhe halla edhe familja e burrit t’hallës për ne kishin siguru’ banesat e veta, i kanë lshu’ shpijat e veta, dhomat e veta i kanë siguru’ për ne që me mujtë me shku’ me u vendosë aty.

Unë domethanë dola prej kampit, shkova te halla edhe Savka më ndihmoi me i nxjerrë edhe familjarët e mi, sepse shumë dyer i cokatë për me mujtë me marrë lejen për me dalë na prej kampit. Kryqin e Kuq e nuk di, n’Ministri e… nuk di ku nuk ka trokitë për me na leju’ neve për me dalë prej kampit. Ne jemi vendosë në Shkup, në një banesë ku kemi qenë tri familje, tri familje në nji banesë, tri dhoma – tri familje. Unë kom vazhdu’ te Savka jom angazhu’. Savka m’tha, “Çka ke bo ti? Çka ke punu’?” Unë i tregova, thashë “Kom qenë aktiviste, kom bo punë vullnetare humanitare, me gra me fmijë”. Tha, “Po, okej po a po don me u kyçë? Se kanë ardhë disa gra të Bosnjës, të Kroacisë, po pysin për juve çka, çfarë pozite jeni”. Unë u gzova dhe shkova menihere n’zyre te ajo. Aty kishin ardhë plot gra prej Suedisë, kishte ardhë Kristin Berger, për herë t’parë jom taku’ me Kristin Gerber – drejtoresha e fondacionit Gratë për Gra, Kvinna til Kvinna nga Suedia. Kishte ardhë Nuna Zvizdic prej Bosnjës sepse ata e kanë përjetu’ kto përjetimet tona që i përjetojshim atëherë, dhe disa aktiviste tjera.  

Pastaj, gra aktiviste prej Tetovës, Miki Emerus vinte shpesh me u marrë vesh, si çka me ba. Dhe, thamë “Nesër kemi me u taku’ me nji aktiviste nga Kosova, a po vjen edhe ti?” Thashë, “Po kush osht’ ajo?” s“Igballe Rugova”. Edhe, t’nesërmen dulëm aty, ka qenë nji park. Me Nunën e pritëm Igon, u takum me Igon. Edhe Igo kishte marrë nji, ashtu një… me vete, disa qese me fletore, me lapsa, me ngjyra po m’duket edhe tha, “Qe kto i kam për kamp”. “Për ku?”, “Për kamp në Çegran”. Okej, mu m’erdh mirë që u njoftova se shumë kisha ndëgju’ për te, por nuk m’kishte ra me u taku’ me te. Dhe, që nga ajo ditë, çdo mëngjes takoheshim disa aktiviste në Hotel Evropa, domethonë jashtë takoheshim edhe shkojshim në Çegran n’kamp. Igo ka pasë një program jashtëzakonisht të mirë që e zhvillojke atje me aktiviste të ndryshme. E di edhe Iliriana ka qenë, Iliriana Loxha, sepse ai kamp ka qenë i tipit t’hapur. Edhe, aty mandej për qëllim të evitimit të dukurive negative, aty zhvillohej program mjafti i pasun për vetëdijësim. Ka pasë gazetare shumë që vijshin prej shteteve të ndryshme për me përshkru’ situatën si osht’.

Dhe, pas kësaj… ne filllum, çka me ba ma tutje, e morrëm nji dhomë me qira edhe e qujtëm “Dera e Hapur” për gra refugjate, gra që ishin domethanë t’kampit, edhe t’vendosura nëpër familje të ndryshme në Shkup. Dhe, që nga ajo kohë domethonë viti ‘99 e tash, ekziston qendra e grusë “Dera e Hapur” të cilën domethanë bashkë me aktivistet e kemi themelu’ edhe që funksionon ende.

Trafikimi ishte aktual atëherë {pin ujë}. Me qëllim të evitimit të kësaj dukurije, zhvilloheshin aktivitete vetëdijësimi të ndryshme me artiste, kurse të gjuhës, edhe aktivitete të ndryshme,. Shumë aktivitete të ndryshme Igo me “Motrat Qiriazi” ka zhvillu’ atëherë në kamp, në kampin e Çegranit. Të kthehemi te kjo dhoma që u qujtë “Dera e Hapur”, ktu mendojshim çka osht’ mirë për gra me bo. Fillum aktivitete psiko-sociale, sepse gratë kishin nevojë për mbështetje psikologjike, për me bisedu’ për përvojat traumatike të cilat i kanë pasë gjatë asaj kohe. Pastaj, diçka tjetër që ish e nevojshme, ishte e nevojshme kujdesi shëndetësor, kujdesi primar sepse edhe shëndeti i grusë ishte mjaft i rrënuar atëherë, por edhe të drejtat e grusë sepse Maqedonia n’atë kohë ligjet e veta i përshtati n’asi mënyre që ti mos me pasë t’drejtë që ti si refugjat, mos me pasë t’drejtë me pasë kurrfarë t’drejte.

Kshtu që, kto tri objektiva vetit ia kemi caktu’ edhe u takojshim çdo t’marte edhe çdo t’mërkure. Osht’ interesant se edhe pas shumë viteve, edhe pas gjithë ktyre viteve, pas 16 viteve ne t’marteve dhe t’mërkureve takohemi në punëtori psiko-sociale, edhe kreative-relakususe që i kemi qujtë në qendrën tonë tash që e kemi në Prishtinë. Pra, kto aktivitete i kemi vazhdu’ deri në fund të tetorit të vitit ‘99 edhepse familja ime u kthy në Prishtinë se me hyrjen e NATO-s, domethonë me 12 qershor, edhe familja me 13-14 qershor kanë ardhë nji nga nji, por une kom vazhdu’ me punu’ në qendër. Vikendeve vijsha n’Prishtinë, gjatë punës ditëve t’javës punojsha me gra. Pastaj, në bisedë me Kerstin Gerberg, i thash “Po kto gra kanë me pasë nevojë edhe n’Prishtinë për kto aktivitete. Si me ia ba?” Ajo tha, “Në nëntor edhe dhetor shko n’Prishtinë edhe përgatite vendin, gjeje vendin edhe përgatite çka po don me bo atje”. Edhe kshtu ka ndodhë, në nantor edhe dhetor t’vitit ‘99, unë kom ardhë n’Prishtinë, e kom gjetë lokacionin, nji banesë rreth 70 metra katror. E kom shkru’ projektin, projektin e kom shkru’ me laps edhe me qiri domethonë, se s’kishte rrymë, ishte shumë situata e vshtirë, ishte jeta e vshtirë n’Kosovë pas luftës. Edhe ai dimni i parë ka qenë jashtëzakonisht i vshtirë, shumë i fotftë. Kompjuter nuk kishim, edhe nuk dijshim me shkru’, projekte nuk dijshim me shkru’ se n’fakultet nuk kemi pasë ndonji landë që t’ka msu diçka t’tillë me bo, po ashtu’ kom shkru’ prej, t’u mendu’ m’i qitë nevoja e grave në letër.

Domethanë, çka ato kanë nevojë, me i qitë në letër. Dhe, kanë ardhë kto aktivistet e Kvinna til Kvinnës të Suedisë, edhe ma s’pari une e kom kalu’ kufinin prej Maqedonisë, kur kom ardhë n’Prishtnë s’bashku’ me aktivistet e Kvinna til Kvinnës. Dhe jemi marrë vesh çka përshkrun projekti edhe ato menihere e kanë pranu’, kshtu që me 1 janar të vitit 2000 kemi fillu’ me qendrën e grusë “Dera e Hapur” në Prishtinë, në Dardani, në lokalet të cilat i kemi identifiku’ si t’përshtatshme për ne. Dhe gratë kanë fillu’, ato gratë që kanë qenë refugjate atje, fillimisht, ato kanë fillu’ me ardhë në qendër.

Jeta profesionale

[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarën për jetën e saj profesionale dhe karrierën.]

Dy mujë e gjysë kom kërku’ punë dhe jom punësu’ në Ministrinë e Financave, atëherë osht’ qujtë Sekretariati Krahinor i Financave. Aty kom punu’ gjatë një kohë t’gjatë, s’pari ka qenë përvojë, me marrë përvojë në t’gjitha sektoret, sektorin e bankave, sektorin e …e t’hyrave, sekorin për financimin e nevojave t’përgjithshme dhe t’përbashkëta. Dhe, pas një viti shefat tonë kanë vendosë ku, edhe simbas mendimit tim, dëshirës time ku kisha pasë dëshirë me punu’, me u vendosë në cilin sektor. Dhe kom punu’ një kohë për komunat në sektorin kufitar, ka qenë përvojë jashtëzakonisht e mirë. Aty e kom kuptu’ që territori kufitar është ma i varfëri, sepse njerëzit nuk dëshirojnë me jetu’ aty edhe ka qenë nji politikë e nxitjes për fuqizim ekonomik të asaj pjese që njerëzit me i nxitë me jetu’ aty. Më vonë kom punu’ pak në buxhetin e Kosovës.

Pastaj, jom vendosë në sektorin për financimin e nevojave t’përgjithshme dhe t’përbashkëta, gjegjësisht n’financimin e komunave dhe financimin e bashkësive vetëqeverisëse t’interesit të atëhershme – tani quhen fondet, fondi për shkencë, arsim, kulturë –  ashtu janë qujtë. Dhe kom punu’ gjatë edhe në rezervën buxhetore dhe ligjin për financimin e komunave. N’atë kohë kanë ekzistu’ 26 komuna dhe prej 26 komunave, vetëm Prishtina osht’ financu’ me mjetet vetanake, ndërsa komunat tjera osht dashtë t’ju ipen mjete plotësuse prej buxhetit, nga buxheti i Kosovës.

Ka qenë shumë vështirë me pa vehten që je në rrugë. Thjeshtë je angazhu’, ke punu’ me t’gjitha forcat, bile mu pas nji viti, dy viteve m’kanë pas avancu në punë. Kam qenë udhëheqëse e grupit për financimin e komunave dhe bashkësie vetëqeverisëse të interesit, dhe për nji moment me u gjindë në rrugë pa kurrfarë faji, pa kurrfarë dëshmije. Dhe, kur kom ardhë në shtëpi, erdhi edhe burri prej punës edhe ndoshta nuk e kom kuptu’ ashtu peshën sa po i them burrit t’u qeshë, thashë, “Burrë, prej sot jom n’shpi, jom amvise. Çka t’dush thuj, une boj n’shpi”. Po filloj me ba hajgare. Ndërsa, ai me shumë seriozitet tha “Ani gru se edhe une jom njejtë si ti”. Domethanë në t’njejtën ditë me 12 korrik të vitit ‘89 e kanë largu’ edhe burrin tim prej punës edhe ia kanë ndalu’ hymjen në ndërtesë. Atëherë tre vetëve iu kishin ndalu’ domethanë këtë. Edhe e kanë qitë nji letër t’bardhë te dera edhe thotë “Ndalohet Isah Muharremi” edhe dy vetë, dy kolegë të tij për me hy në ndërtesë ku ka punu’ ai sepse osht’ angazhu… si armik osht’ shpallë i shtetit. Fmitë kanë qenë t’vegjël, ka qenë nji padrejtësi shumë e madhe edhe qysh me kuptu’ shumë e palogjikshme, e paarsyshme, e pa… por, ka qenë nji realitet që osht’ dashtë me pranu’.

Fmitë kanë qenë t’vegjël edhe shumë prekëse ka qenë. Ka qenë koha kur vjehrri im ka dalë n’pension, edhe pensioni i tij e ka pasë vlerën tri deri katër marka, domethanë n’dinar e ka marrë pensionin. Edhe ai i merrke qato tri ose katër marka, pensionin n’vlerë t’kësaj shume edhe shkojke n’treg, blejke gjysën për veti, gjysën për neve. Çka ka mujtë me ble ai me katër marka? Pastaj, burri pat aksident edhe situata u vështirësu’ edhe ma shumë. Një pjesë të parave t’hollave që njeriu i run për ditë t’zeza që i kemi pasë në Bankën e Kosovës, as ato, edhe ato na ndalun me i marrë se edhe Banka u shkatërru’, domethonë, nuk ekzistojke mo, domethanë, t’hollat që i kem nda për ditë t’zezë, n’ditën e zezë nuk ke mujtë me i përdorë. Edhe sot e atë ditë mas njëzet vjetëve, ne ato t’holla nuk kemi mujtë me i tërhjekë prej Bankës,  domethonë, ato kanë mbetë n’bankat e Jugosllavisë.

Faza kur ma s’shumti ke mujtë me dhanë prej vetes, se veç e ke fitu’ nji përvojë, domethanë kshtu aktivisht ke msu me arritë, me kry shkollën, me kry n’afat, para afatit t’caktum, me punu n’punë dhe me kry detyrat ashtu që me t’avancu n’punë, edhe po fiton nji përvojë 13-14 vjet edhe atëherë kur mundesh ma s’shumti me dhanë prej vetit, ma s’shumti me zhvillu’ shtetin tond, me zhvillu’ me pasë përfitime edhe familja edhe krejt. Atëherë domethanë po t’qesin prej pune, edhe po t’ulet, po t’ndalet ai hovi, po t’ndalet ai hovi edhe ti po nihesh e zhgënjyme, e përbuzun. Po unë pritsha prej kolegëve serbëve me m’thirrë n’telefon me m’thanë, “Beti, si je? Si i ke fmitë? A ke me hangër, a ke me pi? Burri t’ka pasë ndeshje, si është Isa?” Krejt i kom pritë kto, po kto nuk i kam përjetu’. Nuk i kam përjetu’ edhe ate nuk e kuptojsha si ne punojshim bashkë edhe vizitoheshim për ditëlindje, për festa vizitoheshim, edhe në një mënyrë jetojshim bashkë, po kjo nuk ka ndodhë.

Atëherë shoku filloi me punu’ diçka, po çdo gja që ke punu’, çdo gja që ke punu’ ti ke qenë i rrezikum prej policisë, prej policisë financiare. Une e di para banesës time aty te Banka e Lublanës, ish-Banka e Lublanës që ka qenë, parkoheshin autobusë të bardhë t’rij, 15-20 autobusë ren. Kur pytshim, “Çka jonë kta?”, “Kta jonë policia financiare prej Beogradit që vijke.” Domethanë çdo biznis që ka fillu’, çdo punë që ka fillu’, ti t’u ka ndërpre diçka. Osht’ dashtë me fillu’ diçka me punu’ dhe, n’kushte shumë t’vshtira, domethanë ata vijshin edhe e mledhshin atë ajkën, që po sa fillojshe diçka me bo, vijshin e mledhshin ajkën edhe ti mbeteshe kërkund.

Dreams

[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarën  për intervistuesja e pyet të intervistuarën se cilat ishin ëndrrat e saja në jetë dhe nëse ka arritë t’i përmbushë ato.]

(Qeshë) Definitivisht me u arritë andrrat osht’ shumë vshtirë. Siç thash ede ma heret, unë kom mendu’ që gjithë ajo punë, gjithë ai angazhim, gjithë ai vullnetarizëm, humanitet që po bahet, po bahet me u arritë nji zhvillim ma i shpejtë i Kosovës, ma i mirë i Kosovës, ku njerëzit kanë me jetu’ ma normal, kanë me u shkollu’ ma lehtë pa pengesa, kanë me mujtë m’u punësu’. Por, edhe për shoqatën mendojsha që ka me punu’, ka me funksionu’, dy-tri vjet hajde pesë vjet noshta, nuk ka me pasë nevojë mo. Por, ajo nuk ka ndodhë. Jo që nuk ka ndryshime pozitive, ka ndryshime pozitive, sepse nëse shiqojmë prej, pikënisjen prej luftës e këndej ka ndryshime shumë. Por nuk jonë ato ndryshimet të cilat i dëshirojmë edhe të cilat i kemi synu’. Shumë po mendohet për, jo për n’përgjithësi për popullatën, shumë po menohet për veti, sidomos partitë politike, asnji parti politike… nuk munesh me pa që po menohet për popullatën. Krejt ajo çka shifet fjalimet nëpër veprimet e tyre, nuk osht’ ajo që as veprimet, domethonë fjalimet noshta po, po veprimet nuk janë… janë larg prej asaj çka ish dashtë me qenë. Domethanë punohet për vetëveten dhe për nji rreth shumë t’vogël t’njerëzve.

S’po di… unë punën e du shumë, gjithënji e kom dashtë. Gjithënji kom punu’ për me pasë nji jetë ma t’mirë. Unë kom arritë m’u shkollu’ deri në një nivel, kisha pasë dëshirë edhe me vazhdu’ shkollimin, po nuk ka qenë e mundun atëherë. Kom synu’ me pasë nji familje të shnoshë, normale, që e quj normale. Kom synu’ me i shkollu’ fmitë e mi edhe ata me punu’ punën që e dëshirojnë. Fmitë e mi kanë arritë me u shkollu’, vajza bile shkollimet post-diplomike i ka vazhdu në Nju Jork në Amerikë, por me sakrifica shumë. Domethonë me punën time edhe të burrit kemi arritë fmive me i siguru’ që ata t’a kanë nji jetë normale dhe nji jetë ma t’mirë. Por, nuk di sa, po m’duket që kjo osht’ nji përqindje jo shumë e mjaftushme e popullatës.

Shumë stresuse, me angazhime shumë, t’krejt familjes, edhe timen, posaçërisht t’burrit, shumë vshtirë osht’ për me… n’kto rrethana politike, ekonomike, n’këtë hapsirë me punu’ normal, çfarëdo pune që bon. Nëse mirresh me biznes, nëse mirresh me… çkado që mirresh, osht’ jashtëzakonisht vshtirë. Nëse mirresh me biznes, nuk ki politika normale për zhvillimin e biznesit. Nëse mirresh me punë, me shoqninë civile siç punoj unë, donatorë ka pasë, tash osht’ faza kur donatorët po largohen edhe nuk ki mjete. Pa mjete nuk munesh me zhvillu’ aktivitete. Vështirësi tjetër osht’ se shumë njerëz kosovarë që punojnë në organizatat e huja, ata janë t’lidhur me një rreth të ngushtë të njerëzve edhe nuk i përkrahin nevojat reale të popullatës. Prapë, edhe ktu kemi t’bajmë me një individualizëm edhe nji si me thanë…

Download PDF