Agim Vinca

Prishtinë | Date: 28 Maj 2016 | Duration: 121 minuta

Im vëlla që ishte kujdestar klase, i thotë kolegut të vet, […] ‘Jepu disa probleme [matematikore] gjatë verës të ushtrojnë,’ dhe ai na dha disa fletë të shtypura në makinë. Dhe unë edhe shoku im i klasës […] që e kemi kry tetëvjeçaren bashkë, Xhelali, gjithë verës kemi ushtruar në bahçe, i themi ne, në kopsht nën hijën e mollës. Ai ishte pak më i mirë se unë,  gjithë verën e gjatë, korrik, gusht deri në shtator, matematikë i ndanim herë veç ai, veç unë, pastaj a e kemi mire? Mirë, njëherë, e dy herë, e tri herë po ushtronim. Ushtronim edhe mendonim tash, po mirë, mirë e dhamë provimin, po në qoftë se s’e japim ç’të bëjmë? Po të ngelje në klasë atëherë ishte koritje e madhe, s’kishe fytyrë të dilje në katund as kurrkund.

Edhe ne me mendjen tonë të atëhershme fëmijnore patëm marrë një vendim […] në qoftë se ngelim në klasë, nën një, ishte ta vrasim vetën, po të bëjmë vetëvrasje; nën dy, ishte ta vrasim profesorin me thikë se armë nuk kishim, thikë mund të gjenim, s’kishim as thikë, por mund të gjenim, mendja jone, tre opsione i kishim; dhe nën tre, kjo ishte pak më e lehtë, të iknim në Shqipëri. Vendlindja ime Veleshta, […] e ka dymbëdhjetë kilometra Struga. […] Hypnim në anije në Strugë, liman, udhëtonim dy-tre orë, ishte udhëtim shumë i bukur  […] Edhe shkonim në Shën Naum. […] Luanim, këndonim, shokë, shoqe kështu, dhe aty ishte afër kufiri […]  Ne nuk lejohej të afroheshim aty, por e sodisnim nga larg dhe mendonim tashi në qoftë se s’do ta jepnim  provimin nga matematika, ishin tre opsione: vetëvrasja, vrasje edhe ikje. Mendonim që atje mund ta realizojmë ikjen në Shqipëri, sepse për brezin tim dhe për brezin para meje Shqipëria ishte njëfarë parajse dhe të gjithë të rinjtë e asaj moshe ëndërronin të iknin në Shqipëri, po të gjithë.


Erëmirë Krasniqi (Intervistuesja), Noar Sahiti (Kamera)

Agim Vinca u lind më 1947, në Veleshtë të Strugës, Maqedoni. Vinca është poet dhe studiues i letërsisë shqipe. Ai doktoroi në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetitin e Prishtinës, ku është profesor ordinar në Fakultetin e Filologjisë dhe ku ligjëron Letërsinë e Sotme Shqipe.  Ai jeton dhe punon në Prishtinë.

Agim Vinca

Pjesa e Parë

[Intervistuesja kërkon nga folësi që ta prezantojë vetën, familjen dhe rrethin në të cilin është rritur. Pyetja është prerë nga video-intervista]

Agim Vinca: Po, unë jam Agim Vinca, profesor i Fakultetit Filologjik të Univerzitetit të Prishtinës, dhe shkrimtar. Kam lindur para 69 vjetësh, në një fshat shqipëtar në Maqedoni që quhet Veleshtë. Banorët e Veleshtës quhen Veleshtarë burrat, Veleshtare gratë. Ka edhe një këngë nja një qind vjet të lashtë që është shumë e njohur, kënga veleshtare “Moj Kokone”. Veleshta është shtatë-tetë kilometra në largësi të… larg nga Struga, në drejtim të rrugës që të çon nga Struga për në Dibër, rrugës magjistrale. Në të majtë janë vargmalet e Jabllanicës, ku është edhe kufiri shtetërorë midis Shqipërisë dhe atëherë Jugosllavisë, tani Maqedonisë, në të djathtë Drini i Zi që buron nga Shën Naumi, nga liqeni Ohrit dhe rrjedh në drejtim të Dibrës, për të kaluar kufirin atje te ura e Spilës që thuhet, dhe për t’u takuar me vëllan e tij Drinin e Bardhë në afërsi të Kukësit.

Jam fëmija i tetë i prindërve të mi, nënës Nadirës dhe babait Nexhatit. Nëna amvise, babai bujk. Nëna e pa shkollë, analfabete, por jashtëzakonisht inteligjente, të gjithë i lavdojnë nanat e veta, por nëna ime ishte {tund kokën} e paparë. Një grua me një dhunti të rrallë për ta menaxhuar familjen, shtëpinë, për t’i pritur miqtë, për t’i rritur fmitë, për t’i edukuar, për të gjitha. Babai i kishte kryer katër shkollë [klasë] fillore në ish-Jugosllavinë e Parë, kishte qenë nxënës i shkëlqyeshëm dhe deri sa vdiq i mbante mend vjershat serbishte që i kishte mësuar te msusi i tij Derebanovic, që i thoshte.

Jam, si thashë fëmija më i vogël, sugari si thuhet te shqiptarët, prindërit e mi lindën tetë fëmijë, tetë të gjallë, katër djem dhe katër vajza. Fshati im është një fshat i madh, i banuar vetëm me shqiptarë, me një natyrë të bukur, me njerëz bujarë, punëtorë, të vyeshëm, nga pak edhe sherret, por i kanë ndjekur shumë edhe rrugët e gurbetit. Por, edhe kanë ikur edhe kanë mbetur, dhe ata që kanë ikur rikthehen, gjatë pushimeve sidomos, dasmat i bëjnë aty e kështu me radhë. Unë jam rritur aty në atë fshat, me një natyrë të bukur, me shumë gjelbërim, me ajër të pastër, me ujëra që rrjedhin, me bagëti, me punë fushe. Arat familja ime i ka pasur kryesisht buzë Drinit të Zi, i cili atëherë kishte një shtrat, një shtrat të mrekullueshëm, uji ishte i gjelbër, ndoshta edhe që reflektoheshin bimësia, shumë i kthjellët, kishte edhe një bio, biodiversitet shumë të pasur, gjithçka kishte. Më vonë e prishën mandej, e prishën në emër të ndreçjes, melorimit të tokës që thojshin në fillim të viteve ‘60-të.

Nganjëherë them me shaka se nuk e di, a më parë kam filluar të eci apo të notoj, sepse meqë jam rritur buzë Drinit jam hedhur shpejt në lum, me guximin e një fëmije qe s’është i vetëdijshëm për rreziqet mbas. Po fëmijëria ime është sigurisht një kapitull interesant i jetës sime, sikurse dhe i çdo individi në këtë botë. Por, meqenëse, unë në çastin kur po e bëjë këtë rrëfim, ketë bisedë me ju, kam një si jubile timin personal edhe të brezit tim, unë do ta kapërcej pak fëmijërinë {kollitet}. Me falni! Edhe do të ndalem te djalëria, te rinia.

Në Veleshtë, ku linda dhe u rrita, e kreva edhe shkollën fillore, shkollën fillore tetëvjeçare si thuhej atëherë, shkolla kishte emrin Fejzi Vinca në atë kohë, tani ia kanë ndërrue. Fejzi Vinca ishte një njeri i fisit tim, që kishte bërë përpjekje të hapte shkollë shqipe në Veleshtë qysh në vitin 1908, në kohën e Hyrjetit [Kushtetutës Otomane], por pa sukses mjerisht, por ai kish sjellë abetarën e parë aty nga Selaniku, ku kish studiuar. Kish sjellë ide të Rilindasve, atë frymë, domethënë frymën e të qenit shqipëtar, bijtë e Skënderbeut, edhe idetë e Rilindasve, të Naim Frashërit me shokë. Që atëherë në fshatin tim ka ardhur kënga, “O trima luftëtarë, o bijtë e Skënderbeut” dhe në familjen Vinca. Por, fanatizmi ka qenë i madh sigurisht dhe ai nuk ka pasur sukses ta hapë shkollën shqipe. Shkolla shqipe pastaj është hapur në kohë të Shqipërisë, si thuhet në vitet ‘41, ‘43, pas okupimit italian, kur është krijuar e ashtuquajtura Shqipëri e Madhe, kanë qenë zona të ndikimit italian, gjerman, e të tjera, sipas ndarjeve të atëhershme gjeopolitike, periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

Pasi e kam kryer shkollën fillore, si nxanës i shkëlqyeshëm në kushte të vështira, tetë fëmijë, familje e përndjekur që jetonte nga bujqësia. Dy vëllezërit e mëdhenj, njëri ka pasë ra në burg, tjetri ka bërë shërbimin ushtarak në vitet kur unë kam qenë fëmijë. Babai me punët e bujqësisë edhe me ndihmën e motrave bile, dy motrave qe s’ishin martuar ende, se një, e madhja ishte martuar gati kur kisha lindur unë, edhe pastaj shkollën e mesme e kam ndjekur në Strugë, gjimnazin. Për fat, në vitin, në vitin 1960, në Strugë u hap për herë të parë një shkollë e mesme, gjimnazi. Kishte një emër të dy personaliteteve të kulturës bullgaro-maqedonase, dikur bullgarë atëherë maqedonasit, “Vëllezërit Milladinov”. Atë emër e mbante shkolla sepse emrat shqip ata s’i preferonin, pushteti i atëhershëm bile as i sotmi.  Edhe në vitin 1960 u hap shkolla sepse deri atëherë në Maqedoni shkollë të mesme kishte vetëm në Shkup, ishte ajo normalja e famshme “Zef Lush Marku”, dhe në Tetovë kishte më duket normale dhe gjimnaz, kurse në këto qendrat tjera shqiptare si Struga, Dibra, Kërçova, Gostivari, Kumanova u hapën shkollat në vitet ‘60.

I takoja brezit të tretë të gjimnazistëve, domethënë dy gjenerata kishin kaluar para meje. Dhe në ‘62, si të thuash, u ndava nga jeta fëmijërore, u ndava edhe nga ato kafshët e shtëpisë me të cilat unë isha rritur edhe i doja kështu si njerëzit edhe fillova një jetë të re, jetën e një djaloshi adoleshent i cili tashti do të ndiqte rrugën, jetën në shkollë të mesme. Nga fshati në qytet udhëtonim herë në këmbë, herë me biçikletë, herë me autobus. Kishte një autobus që qarkullonte, sigurisht autobusi edhe duhej paguar bileta, ne nuk kishim shumë mundësi, prandej herë-herë udhëtonim me biçikletë, ndonjëherë edhe në këmbë. Tetë kilometra rrugë ishin, në këmbe bëhej për një orë, me biçikletë për 15-20 minuta. Kështu, në mëngjes shkonim në shkollë, një ndërrim kishte atëherë sepse ishin gjithsej tre paralele, dy ishin në gjuhën maqedonase dhe një në gjuhën shqipe.

Ky udhëtimi me biçikletë është një rrëfim në vete, sepse udhëtonim edhe në sezonin dimëror, kur binte shi e bore. Dhe unë mbaj mend në një nga ato vajtjet për në shkollë me dy apo tre shokë të tjerë të klasës, ose dy nga ata ishin pak më të mëdhenj [një] gjeneratë para, në një fshat që është midis fshatit tim Veleshtës dhe Strugës, Vranishtë quhet dhe është fshat i banuar me popullatë maqedonase. Binte shi dhe borë bashkë, më shumë borë se shi, ajo quhet skllotë, dhe ne vozisnim biçikletat ashtu siç ishim të veshur hollë, me duart lakuriq, si të thuash, pa dorëza sigurisht. Dhe e di se kur sasia e të reshurave u shtua ne e kthym aty në fshatin Vranishtë, ishte një shtallë,  shtalla kishte mbet nga koha e kolektivizimit të bujqësisë që ishte bërë në Jugosllavinë e viteve ‘48, ‘50, ’51. Pastaj, meqë Jugosllavia e atëhershme u riorientua diqysh, u hoq dore prej kolektivizimit, por shtalla kishte mbetur dhe ishte buzë rrugës, rruga ish e paasfaltuar, xhade[1]. Dhe ne kthyem aty të pushonim pak derisa të pushonte bora, shiu.

Dhe mbaj mend se ishim mbështetur për muri, dhe nga të ftohtit mu më ka rënë të fiktë në çast, dhe shtalla ishte, aty kishin ndenjur bagëtia. Atëherë s’kishte më bagëti, por ishte me kashtë, sanë që i thonë në Kosovë, madje edhe me bagla, dhe për një çast më ka rënë të fiktë. Dhe po, kanë qenë dy shokët e mi të cilët janë shqetësuar shumë edhe më kanë rënë faqeve dhe kanë rënë [me] ujë {tregon me duart}.  Pas disa çastesh jam kthyer domethënë, më është kthyer vetëdija, ata janë shqetësuar shumë dhe pastaj kur kemi shku në shkollë, e kemi vazhdu rrugën, i kanë treguar dikujt dhe u murr vesh kjo punë. Dhe meqë vëllai im ishte edhe profesor i imi, pas asaj një kohë kam ndenjur ne banesën e tij në Strugë për sezonin dimëror. Eh, ajo jeta shkollore (psherëtinë) ka qenë interesante si gjithmonë, me kujtime, me vështirësi, me probleme të ndryshme.

Unë me këtë rast do të thosha se më së pari kur filluam në gjimnazin, ne nxënsit shqiptarë 70 përqind të lëndëve, mos më shumë, ne i kishim në gjuhën maqedonase, sepse nuk kishte kuadër. Ishin nja dy-tre gjithsej mësimdhënës shqiptarë, i gjuhës shqipe, i fizikës, matematikës, lëndët tjera histori, gjeografi, biologji, kimi, e të tjera, që ishin… të gjitha i dëgjonim në gjuhën maqedonase. Dhe ne që vinim nga fshatra etnikisht të pastra ku nuk kishte të tjerë, dhe ku flitet vetëm shqip, nuk e dinim gjuhën, kishim shumë probleme, shumë vështirësi. Kishim mësuar edhe në shkolle fillore nga pak maqedonisht, por atë e mbanin disa mësus shqiptarë që s’e dinin as vetë mirë. Edhe në fillim patëm shumë vështirësi, ata të qytetit jo, ata e dinin maqedonishten, të Strugës edhe ndonjë që ishte nga një fshat i përzier, ne të tjerët nga fshatrat etnikisht të pastra Veleshtë, Laderishtë, Thangall, Livadhi, Dollogozhd, Zagraqan, Shumë Kalishtë, Kalishta pak ndryshon, nuk dinim dhe mësonim përmendësh, po përmendësh.

Unë e mbaj mend edhe nuk e kom aspak problem ta them, bile e them me kënaqësi, se humori më i mirë është humori në llogari të vetëvetës. Në biologji kishim një profesoresh të imët me trup, me syze, që kishte mbiemër serb, ishte serbe që kishte ardhur në Maqedoni, jetonte në Ohër jo në Strugë. Quhej Roza Stojanovic, ky ishte mbiemri. E pamartuar ose e ndarë nga burri, me një fëmijë, një vajzë, dhe ajo udhëtonte. Edhe ajo nga Ohri vinte me autobus mbante mësim, kthehej. Ajo shpjegonte mësimin, por ne nuk e kuptonim, unë për vete flas dhe mbaj mend se kur ajo na ka shpjeguar trurin, trurin njerëzorë, unë kam pasë mësuar përmendësh, pa e ditur që mozok [truri] maqedonisht, serbishte i thonë mozak, maqedonishte mozok një germ kanë dallim  mozak – mozok, napredak – napredok. Mozok e mbaj mend edhe pas 50 e më shumë vjetësh definicionin: mozok je jedno masno tkivo koja se sastoji od slojnih zlezdi, që do të thotë, truri është një masë yndyrore që përbëhet nga gjëndra dhjamore. Ky është, dhe në fillim e kam mësuar përmendësh. U desh të kaloj një muaj e gjys, dy-tre që unë ta kuptoja se mozak ishte truri domethënë.

Po kështu edhe në lëndët tjera, sidomos Historia ku ka ja kështu rrëfim gojor, narrativë, mësimdhënësi profesor ishte maqedonas, pak i ngarkuar ndoshta, se ndaj një shokut të klasës që e kisha edhe shok banke, familja e të cilit kish pasë një konflikt me familjen e tij mbante qëndrim shumë denigrues. Por, është interesant të thuhet pasë kaq shumë vitesh se shkencërisht ata ishin më të ndershëm seç janë sot mësimdhënësit edhe në Maqedoni edhe në Kosovë edhe në krejt Ballkanin, edhe në Shqipëri, edhe në Serbi. Sepse ai na thoshte ne qysh atëherë, profesori maqedonas Pande Skeparoski quhej prej fshatrave Drasllavica kështu maqedonas, na thoshte ishte pak thuthuq dhe na thoshte, “Slušajte deca, dëgjoni fëmije. Maqedonasit e sotëm,” thoshte ai, “nuk kanë të bëjnë fare me maqedonasit antik”. Mu kjo më kujtohet shpesh, sepse politika aktuale në Maqedoni sidomos e viteve të fundit po del se është shumë problematike. Ka një tendencë të ndërlidhjes me Maqedoninë antike, bile Shkupi nga qytetet më të bukur të Ballkanit, një qytet shqipëtar, qendër e Vilajetit të Kosovës është ngulfatur, është mbytur, është shkatërruar me kuaj, me luajë, me komitë, me figura të antikitetit grek e tjera e tjera. Kurse atëherë, ai thoshte që maqedonasit e tanishëm, këta sllavo-maqedonasit nuk kane asgjë me ata.

Kjo nga pikëpamja shkencore ishte shumë e drejtë, tjetër që ata herë-herë kishin paragjykime të rënda për shqiptarët. Për shembull, profesoresha e Gjeografisë që ishte po ashtu maqedonase, ishte një grua e re ajo, e gjatë, ndoshta si njeri nuk ishte e keqe kështu, vinte me dukët nga më larg, nga ato fshatrat, qytetet e Maqedonisë lindore. Në vitin e dytë, a tretë kur bëhet gjeografia e Evropës, na foli për të gjitha vendet e Evropës në përjashtim të Shqipërisë. Po kjo duket e pabesueshme sot, por domethënë, dhe ne me atë ndërgjegje, vetëdije që kishim atëherë e diskutuam, “A t’i themi? Po i themi. Kush po e merr përsipër?” E caktuam një shokë të klasës i cili ishte nga Frangova, Selman e kish emrin, po i ramë në Strugë dhe e dinte më mirë maqedonishten. Dhe kur erdhi kjo profesoresha ne e bëmë atë demarshin tonë, “Pse profesoresh mësuam për Bullgarinë, për Greqinë, për Jugosllavinë po se po, për të gjitha vendet rreth e rrotull vetëm për Shqipërinë [jo]?” Ajo duket nuk e priste këtë reagim dhe u nxe pak, më kujtohet dhe tha, “Jo, s’mësuam, sepse është vend i vogël, sepse nuk ka industri të zhvilluar, sepse nuk ka ndonjë ekonomi”. Ne thamë, “Pavarësisht nga kjo, ajo është një vend që ekziston në hartën gjeografike, është shtet, mund t’i thoni këto, po pse i anashkaloni, nuk është mirë”. Mirëpo këto reagimet tona sigurisht që dikush i regjistronte, domethënë.

Erëmirë Krasniqi: Ka pasë konsekuenca?

Agim Vinca: Po, po ka pasë edhe konsekuenca, se pas kësaj ne bëmë, klasa ime të cilës i takoja unë ishim nja 25, 30 ndoshta, në fillim ishim më shumë. Por, pastaj do vajza e lanë shkollën se ende kishte fanatizëm kështu. Për shembull, kisha unë një shoqe te klasës Haxhere e kishe emrin, të cilën e kisha edhe pak si farefis, babai i saj e kishte çuar në shkollë por kur e kishte parë njëherë duke kaluar me qerre te salla e fizkulturës me shorca[2], në atë çast kish marrë vendim ta largoj nga shkolla, dhe ajo nuk e vazhdoi më gjimnazin. Im vëlla që ishte Nuhi Vinca, që ish profesor i Gjuhës Shqipe dhe kujdestar klase, i thotë, “Daja Shukri,” ashtu quhej, “pse po e ndalë vajzën? Është nxënëse e mirë, mëson mirë.” “Krejt, krejt i duroj, por atë me shorca me dalë atje, këmbët lakuriq s’mund me duru”, domethënë kështu ka qenë. Dhe në klasën e katërt ne ishim të gjithë djem vetëm dy vajza, që të dyja ishin nga qyteti. Dy vajza, Pranvera dhe Xhokserja, njëra rron, njëra fatkeqësisht jo.

Dhe tani ajo profesoresha e Biologjisë me mbiemër serb ishte zevzeke pak, ndonjëherë kërkonte shumë, dhe ne vendosëm ta bojkotojmë. Hyri pas asaj reagimit ndaj profesoreshës se Gjeografisë, ajo hyri në klasë një ditë me ditar dhe po donë të bëjë përsëritjen e lëndës. “Ngrihu ti, fol?” Nuk fliste, tjetri jo, i treti jo dhe pastaj ne filluam njëfarë murmurime në shenjë proteste, “MMMmmmmmmmmmm”, por kur murmurisin 20, 30 e më shumë zëra përnjëherë, ajo murmurimë bëhët pak a shumë ushtimë. Dhe ajo e pa domethënë që ne kishim vendosur ta bojkotonim, e mori ditarin dhe kur po dilte nga klasa, njëri nga shokët e klasës e kapi një drrasë që merren ato, ishin karrige me dërrasa që dilnin kështu {tregon me duar}, të shkatërruara dhe ia lëshoi kështu parketit, dhe ajo arriti deri te këmbët e profesoreshës. Dhe kjo pastaj u bë problem i madh dhe u quajt akt nacionalist, sepse nxënësit e paraleles së dytë, a të tretë, ngaqë ishin tri paralele, dy të parat ishin maqedonase e treta shqiptare, e kane përzënë nga klasa profesoreshën maqedonase e cila vetëm pse është e kombësisë tjetër. Dhe me këto u mor me ditë të tëra jo vetëm drejtoria e shkollës, por edhe inspektorët e sigurimit shtetëror.

Unë jam njëri nga ata që është marrë në pyetje, domethënë fëmijë 16, jo atëherë kam qene 15, 16 a i kam pasë, a s’i kam pasë. Njëherë nga drejtori i shkollës që ishte maqedonas edhe bërtiste shumë, dhe kërkonin nga unë meqë e kisha vllaun kujdestar klase që unë ta denoncoja atë. Unë e dija kush ishte sigurisht, por nuk e bëja me kurrfarë çmimi. Kjo ishte edukata ime. Bile unë solidarizohesha me shokët e klasës, në mos isha prijësi i aksioneve tilla, edhe më thoshte, “Ti shkel mbi nderin e vëllait tënd,” ai drejtori. Thojsha, “Jo, unë jam individ në vete, ai është profesor, në shtëpi kemi dallim në moshë 15 vjet, as atje s’komunikojmë”. Pastaj kur ai e pa tha, drejtori me musteqe bërtiste shumë {imiton fytyrën e drejtorit} në kupë të qiellit, tha, “Ky më nuk është më problem i imi”, telefonin dhe thirri sigurimin shtetëror UDB-në, UDB-a. Po, UDB-a ishte në qendër të qytetit, edhe erdh inspektori, një inspektor i tmerrshëm i sigurimit shtetëror, Bushko e kishte emrin. Bushko ish i shkurtë, me do sy kështu të nxjerrun, me fytyrë të mbrehtë edhe revolverin e kishte këtu {tregon me duar kah beli}. Po, dhe na merrte një nga një në pyetje, në zyrën e sekretarit dhe kërkonte domethënë, ne i thamë, “Jo,” ne ishim të papërgatitur, “s’mund të flisnim dhe s’e kuptojmë mirë gjuhën, s’e kuptojmë kemi probleme”. Nuk u zbulua.

Erëmirë Krasniqi: Nuk e dorëzuat?

Agim Vinca: Nuk u zbulua, sigurisht. As unë as të tjerët, se edhe të tjerë i mori, bile unë kisha, kishte disa tendenca edhe nga njerëz familjare kështu tërthorazi me tregu cili ishte ai,  “Se kanë me ju përjashtu prej shkolle, ty të parin por edhe ata tjerët”, thojsha, “Le të na përjashtojnë, ne s’kemi ba gja, ne kemi kërku në qoftë se ka mundësi të zëvendësohet një profesor shqiptarë”. Dhe kështu ndodhi pastaj në fakt, ajo profesoresha me mbiemër serb u largua, nuk deshi më të jap msim në atë klasë. Dhe në vitin e tretë erdhi një pedagog shqipëtar, i cili kishte kryer agronominë dhe njifte mirë bimësinë, por anatominë s’e njifte fare pothuajse, por na jepte msim ai. Me të pastaj kishim ndoshta telashe tjera po nuk e kishim telashen e gjuhës dhe të paragjykimeve ndërnacionale.

Viti i parë, viti i dytë nisi të ndryshoj nga pak struktura e mësimdhënësve, të përmirësohet. Në vit [të]  tretë erdhi edhe një profesor i Filozofisë, Logjikës, Psikologjisë, pastaj edhe ndonjë tjetër, por ende gjysma e lëndëve ishte si të thuash në gjuhën maqedonase. Unë  isha nxënës i mirë, shumë i mirë, sepse të kaloje shkëlqyeshëm aty ishte pothuajse e pamundur, një për shkak se lëndët zhvilloheshin maqedonisht, e dyta ngaqë një pjesë e profesorëve, jo të gjithë, kishin edhe një mosdurim, një dozë shovinizmi dhe e treta ngaqë ishte një shkollë me kritere shumë të forta. Atëherë shkollat e mesme ishin të tmerrshme, domethënë shumë nxënës ngelnin në klasë, përsërisnin klasën, tashi është liberalizu sistemi i arsimit është krejt diçka tjetër.

Dhe unë mbaj mend, do të doja ta evokoja edhe këtë kujtim këtu, se e kam 50 vjetorin, si të thuash, të kryerjes së gjimnazit. Në vitin e dytë unë isha kandidat për të kaluar me sukses të shkëlqyer, unë Agim Vinca. Kisha tetë pesëshe në ditar dhe në dëftese. Dëftesën e kam ende, por dëftesat dhe ditarët, e gjitha administrata ishte në gjuhën maqedonase me alfabet cirilik, me mbiemër përpara, ata ne na e shkruanin mbiemrin përpara dhe renditja ne ditar behej me alfabetin cirilik, meqë unë e kam mbiemrin Vinca dhe V-ja ne alfabetin cirilik është shkronja e trete, A, B, V e kane ata, ne e kemi A, B, C, isha numër pesë në ditar, isha kandidat për shkëlqyeshëm. Urdhëro?

Erëmirë Krasniqi: Çirilicën a e njihshe ti?

Agim Vinca: Po, po, e disha, e mësuem.

Erëmirë Krasniqi: Se gjuhën e mësojshit në shqip, apo?

Agim Vinca: Jo, jo, alfabetin ne e dinim, se ne edhe [në] shkollë fillore e kishim mësuar, prej të pestës deri të tetën. Por, në shkollë fillore na jipte një msus i cili s’e dinte as vet mirë, kur na jepte temën e hartimit, në dërrase e shkruante moeto selo, katundi im, pastaj e fshinte atë dhe e shkruante me “J” mojeto dhe më pyeste mu si nxënës i mirë, “Si mendon ti?” Unë thojsha, “Po, s’e di unë, por mendoj që është pa ‘J’”, dhe ashtu ishte në fakt. Por, alfabetin ne e dinim, e dinim se e kishim gjuhën, fjalorin, shprehjet, pastaj i mësuam. Domethënë, isha kandidat për shkëlqyeshëm, kisha tetë pesëshe, këto lëndët shoqërore, por drejtimi ishte matematikor. Meqë ishte një klasë shqiptare, një paralele edhe kur deklaroheshe për drejtimin e shkencave humanitare [humaniste] të fusnin këtu se s’mund të na ndanin edhe kisha domethënë, dysh në fizikë dhe njësh në matematikë.

Nuk më shkonte matematika dhe profesori i matematikës, arsimtari ishte shqiptar i qytetit, vdiq relativisht i ri, ishte shumë i drejtë domethënë, por ishte tmerrësisht i rreptë edhe nuk kishte shumë metodë. Domethënë, ai e njifte vetë mirë matematikën, por nuk kishte aftësi t’ua transmetonte njohuritë nxënësve. Kishte punuar para se të hapej gjimnazi i Strugës në gjimnazin e Tetovës, domethënë ishte Strugan, dhe atje tregoheshin legjenda për të se si në riprovim nxënësve u ka rënë të fiktë duke e zhvilluar problemin në dërrasë të zezë, dhe ky profesori i ka thënë, “Shko laj faqet, fytyrën, sytë edhe kthehu zhvilloje problemin deri në fund, në qoftë se do ta kalosh klasën”. Na la në riprovim, ndonëse isha domethënë kandidat për shkëlqyeshëm edhe ndonëse vëllai im ishte kujdestar klase, ai thotë, disa pedagog thonë, “Të ia përmisosh, të ia vësh tresh që të kaloj shkëlqyeshëm”, ai thotë, “Jo, jo, profesori vendos”, dhe na la në riprovim mu edhe një shokun tim të klasës nga vendlindja ime, Xhelalin edhe të tjerë.

Erëmirë Krasniqi: A e kalutë?

Agim Vinca: Po e kalumë, por derisa e kalumë hoqëm. E ky është një episod që po ashtu vlen te rrëfehet, besoj se flet edhe për rrethanat edhe për mentalitetin edhe për iluzionet djaloshare. Tani meqë na ngeli në klasë, im vëlla që ishte kujdestar klase i thotë kolegut të vet, ai ishte më i vjetër, “Jepu disa probleme [matematikore] gjatë verës të ushtrojnë”, dhe ai na dha disa fletë të shtypura në makinë. Dhe unë edhe shoku im i klasës dhe që është edhe shoku im që e kemi kry tetëvjeçaren bashkë, Xhelali, gjithë verës kemi ushtruar në bahçe, i themi ne, në kopsht nën hijën e mollës. Ai ishte pak më i mirë se unë, gjithë verën e gjatë, korrik, gusht deri në shtator, matematikë i ndanim herë veç ai, veç unë, pastaj a e kemi mirë? Mirë, njëherë, e dy herë, e tri herë po ushtronim. Ushtronim edhe mendonim tash, po mirë, mirë e dhamë provimin, po në qoftë se s’e japim ç’të bëjmë? Po të ngelje në klasë atëherë ishte koritje e madhe, s’kishe fytyrë të dilje në katund as kurrkund.

Edhe ne me mendjen tonë të atëhershme fëmijnore patëm marrë një vendim që ishte vendim shumë i rëndë, në qoftë se ngelim në klasë, nën një, ishte ta vrasim vetën, po të bëjmë vetëvrasj; nën dy, ishte ta vrasim profesorin me thikë se armë nuk kishim, thikë mund të gjenim, s’kishim as thikë, por mund të gjenim, mendja jonë, tre opsione i kishim; dhe nën tre, kjo ishte pak më e lehtë, të iknim në Shqipëri. Vendlindja ime Veleshta, Qafëthanën vendkalimin kufitar Shqipëri-Maqedoni tani i ka dymbëdhjetë kilometra Struga. Në vijë ajrore është edhe më afër maleve, e këtë pjesën nga ai vargmali i Jabllanicës nuk e njihnim ne, por e njihnim mirë pjesën te Shën Naumi ku buron Drini i Zi. Ajo është matanë Liqenit të Ohrit se është shumë i madh, por atje ka qenë një traditë në pranverë edhe kur ishim në shkollë fillore, edhe në gjimnaz bëhej një ekskursion me anije, njëditorë.

Anije, hypnim në anije në Strugë, liman, udhëtonim dy-tre orë ishte udhëtim shumë i bukur, nuk është tash. Edhe shkonim në Shën Naum, rrinim, atje merrnim ushqim me vete, ashtu ato që kishim atëherë. Luanim, këndonim, shokë, shoqe kështu, dhe aty ishte afër kufiri, dhe te kufiri pylli në të dy anët ishte i prerë, i qethur. Në njërën anë ishte pak më lartë, nga ana Jugosllave, a nga ana Shqiptare njërën anë pak më poshtë, po ajo ishte si te thush, sa dy dhoma kështu mos më më shumë. Ne nuk lejohej të afroheshim aty, por e sodisnim nga larg dhe mendonim tashi ne qoftë se s’do ta jepnim provimin nga matematika, ishin tre opsione: vetëvrasja, vrasje edhe ikje. Mendonim që atje mund ta realizojmë ikjen në Shqipëri, sepse për brezin tim dhe për brezin para meje Shqipëria ishte njëfarë parajse dhe të gjithë të rinjtë e asaj moshe ëndërronin të iknin në Shqipëri, po të gjithë.

Erëmirë Krasniqi: A kishte që kanë ikur, a veç pat’ mbet si ëndërr për brezin tuaj?

Agim Vinca: Jo, kishte shumë që kanë ikur. Në fakt janë pak para meje, sidomos nga Normalja e Shkupit, unë njoh edhe sot e kësaj dite njerëz, disa nuk rrojnë ma, që dy shokë, tre kanë ikur. Disa kanë mbetur atje, disa i kanë kthyer, disa i kanë çuar nëpër do kampe të punës, janë mërzitur, janë penduar. “A doni të shkoni në shpi?” I kanë kthyer, i kanë shti në burg pala Jugosllave, ka x raste, ka edhe nga Kosova po këto viset kufitare më shumë. Kjo ishte. Atëherë çdokush e ëndërronte këtë, sepse një që ish ajo dashuria për Shqipërinë vendin ku flitet vetëm shqip, ku edhe polici të flet shqip, ku edhe sekretari i parë i partisë edhe bashkënxënësit me të cilët mund të jesh në shkollë e tjera e tjera, edhe profesorët.

Edhe në këtë e kishim për fat, meqë ne gjatë asaj verës nën hije të mollës, ushtruam, ushtruam pa pushim. Në shtator e dhamë provimin, e kaluam klasën dhe vazhduam vitin e tretë. Në vitin e tretë dhe të katërt, pastaj nuk e di pse na ka dhënë një profesor maqedonas, aty ka shumë maqedonas, shumë maqedonas që janë me origjinë shqiptare, por ortodoks. Për shembull, profesori i edukatës fizike e kishte emrin Ile Misa, jo Misosk, rron ende. E shoh kur shkoj, bile me biçikletë e shifsha, se edhe unë kur shkoj atje e kam një biçikletë. Një profesoreshë e frëngjishtes që vinte nga Ohri, edhe ajo kishte mbiemër Stojna Kotil, jo Miskin, a po kupton? Po ata ishin asimiluar edhe ndodhte që të tillët mund të ishin edhe më të këqinj ndaj të vetëve, si të thuash, sepse është ai kompleksi i distancimit nga origjina, nga raca e vet.

Po, ai profesori maqedonas kishte kritere shumë më të buta se ky shqipëtar, dhe nuk pata më probleme për notë kaluese. Më shumë jo, edhe s’kisha aspirata të bëhem matematikan, qysh atëherë shkruaja vjersha, skica, tregime, botoja te “Flaka” për fëmijët në Shkup, te “Pionieri”, domethënë kishim edhe një grup letrar, edhe ajo ish bota jonë, bota jonë ish botë e librit, ne lexonim shumë. Unë mbaj mend kur vishin pushimet dimërore, zgjasin 15 ditë, në shkollë kishte një bibliotekë me libra shqip, kishte një bibliotekë edhe të qytetit ku punonin dy gra, njëra shqiptare tjetra maqedonase. Edhe një nga këto gjysme-vjetoret, mund të ketë qenë viti i dytë, unë kam marrë me vete një thes me libra, po një thes, me thes {tregon me duar} që t’i lexoj gjatë pushimeve. Dhe e kam bërë rrugën në këmbë atë ditë më kujtohet, Ramazan ishte edhe prej Strugë bashkë me shokë deri në Veleshtë, tetë kilometra ishte, e tjetër çka kishim ne? Në atë kohë radio s’kishte. Në familjen time radio ka hyrë meqë kisha dy vëllezër të shkolluar, dy motra, një vëlla që kishte qenë njëherë në burg, mandej në gyrbet edhe një familje që ishte arsimdashëse, kisha një dajë shumë përparimtar, një nanë shumë inteligjente dhe një baba që edhe vet kish kryer katër klasë në atë Jugosllavinë e Kraljit [Mbretit]. Radio ka hy.

Erëmirë Krasniqi: Çfarë radio dëgjojshit?

Agim Vinca: Radio Tiranën. Po, po, radio Tiranën edhe radio Shkupin edhe radio Prishtinën, këto i dëgjonim. Bile radio ishte, kisha dhënë çmos ta gjeja atë aparat, ishte i madh dhe ishin emrat e qyteteve të Evropës, po më duket edhe Tiranës radiostacioni, Paris, e Shtutgard e ku di unë Romë, e kështu të shkruara edhe ishte me sustë. Unë e mbaj mend, atëherë e kam dëgjuar edhe këngët e Nexhmije Pagarushës, atëherë kam dëgjuar për burgosjen e Adem Demaçit në ‘63-shin, mbas shpërndarjes së flamurëve organizata LRBSH, “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” ka shpërndarë flamuj në krejt Kosovën, Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Vushtrri, Prizren, ishte organizate e madhe, në krye me bacën Adem. Unë e dëgjojsha, bile me mendjen time të atëhershme thojsha Kosova tashti është bërë Shqipëri sepse si të vie flamuri, kështu mendoja unë, ndërron identiteti.

E bota jonë ish botë e librit, kinemaja ishte po ashtu shumë e frekuentuar. Struga është qytet relativisht i vogël, kishte një rrugë kryesore, një vetëshërbim këndej {tregon drejtimin me dorë}, përballë ishte kinemaja, kino kultura. E aty unë kisha parë filmat e parë kur kam qenë nxënës i klasës së tretë fillore, na kishin çuar prej fshati në qytet, bile mendonim ne se ata, ato figurat, personazhet kur dilnin në gros plan[3] do të dalin tek ne. Në fillim kur ishim fëmijë, pastaj në gjimnaz e frekuentonim vet kinemanë, domethënë prenim biletën shifnim filma. Filmat ishin me titrim serbisht atëherë, vetëm serbisht, as maqedonisht jo, se shqip as që bëhej fjalë. Por, ajo bota e kinemasë sigurisht na e zhvillonte fantazinë përveç kësaj të librit edhe ajo që kishim trashëguar nga vatra familjare, se vendlindja ime dhe familja ime ishte familje që e donte këngën, ku pihej, pihej me shëndet, raki pihej po po me sofër, me dollibash, këndoheshin këngë të bukura të lashta edhe dasmat ishin shumë të bukura, të jashtëzakonshme, por edhe vdekja vajtohet atje. Edhe nëna ime ishte një nga vajtueset më të famshme të fshatit, e kishte të lindur atë, Nadirja thojshin kur vajton {demostron me duar vajtimin}, edhe motrat e mija sidomos, njëra nga motrat e ndjera Shpresa e pat’ trashëguar atë, ajo ishte vajtuese par exellence.

Erëmirë Krasniqi: Ishin dokumentuar ato?

Agim Vinca: Po, se kjo motra ime e ndjerë ishte edhe folkloriste edhe i ka mbledh ato, i ka botuar po, ato janë si tragjeditë antike. Njëra grua i prinë tjerat e ndjekin, kori dhe antikori si te Homeri, te Eskili, te Sofokliu, te Euripidi, është traditë e lashtë ajo, traditë e lashtë. Tani ka ardhë duke u rrënuar sepse zhvillimi, modernizimi i jetës e ka reduktuar. Festat e motmotit po ashtu ishin një bukuri e rrallë, dita e verës, Shën Gjergji, festat e motmotit edhe festat fetare, meqë popullata e atij vendi është shqiptare, myslimane sigurisht edhe Ramazani mbahej jo kaq sa sot. Edhe Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, domethënë na vishnin me naj kmishë të re, pantollone të reja, gëzimi ynë i madh. Mësonim për herë të parë t’i grahim biçikletës, kishte njëri biçiklete dhe paguaje pare që ta msoje biçikletën.

Erëmirë Krasniqi: Për festa i bojshit qeto a?

Agim Vinca: Po, për festa, sidomos ditën e Bajramit të Madh edhe Bajramit të Vogël. Po tani gjimnazi, katër vjet zgjaste shkollimi, kaluan domethënë me ato telashet e fillimit, me gjuhën, me profesoreshën e Biologjisë, me UDB-ën, me inspektorin Bushko që hiqte me qëllim xhaketën që t’i shihej koburja[4] dhe na kanosej. Natyrisht nuk na banë gja domethënë, nuk u zbulua ai personi se e ruajtëm ne edhe na kërcënuan domethënë se do të na burgosnin, se do të na përjashtonin prej shkolle. Me atë idenë e ikjes në Shqipëri në qoftë se s’e japim provimin nga matematika me disa kujtime tjera, edhe ato simpatitë e para për ndonjë shoqe të klasës ose të naj klasë më poshtë, se ishin më shumë dashuri platonike si të thuash me do vargje të Hamletit, “Thuaj yt s’jam zjarr, thua qielli u shua, thuaj toka është varë, veç mos thuaj që s’të dua”. Këto janë vargjet që Hamleti ia reciton Ofelisë, e të tjerë e tjerë. Unë i kam evokuar këto në krijimtarinë time, në poezi sidomos dhe sidomos të një poeme që e kam shkruar para 30 vjetësh dhe e kam ribotuar tani së fundi me rastin e 50 vjetorit të kryerjes se gjimnazit. Erdhi fundi, mbrëmja e maturës në një hotel, këngët, vallëzimet, fotografitë, kujtimet, do fillonte një jetë e re, ku do shkosh ti, çka do të bësh ti, çka do të studiosh ti?

Erëmirë Krasniqi: Çka ishin brengat e asaj gjeneratës juaj, keni jetu me ni vend si Maqedonia, në periferi të saj, larg qendrave universitare?

Agim Vinca: Po atëherë univerzitet s’kishte as Prishtina, Shkupi kishte, sigurisht maqedonisht. Prishtina kishte disa fakultete që ishin filiale të Univerzitetit të Beogradit. Unë dëshiroja të studioja ose dëshiroja të studioja gazetarinë fillimisht, pastaj aktrimin, pastaj letërsinë, e treta e vërteta. Gazetari s’kishte në Prishtinë, kishte në Beograd dhe në Zagreb ndoshta, edhe në Shkup jo. Pasi kryem gjimnazin mu më regjistruan kështu në Shkup, në fakultetin juridik. Im vëlla që ishte njëfarë patriark i familjës tha, “Mirë është drejtësia, është me perspektivë, mund të bëhesh kështu, mund të bëhesh ashtu”, edhe më regjistruan. Shkova pak me vonesë se kishim ne ato bashqet me mollë që duhshin të mblidhen frutat dhe ta kryejmë kta pastaj shko. Edhe ndieja vetën të huaj, nuk kisha as burse as kredi, nuk kisha as banesë. Ndejta te një i afërm, një javë, dy e pashë që s’shkonte, se edhe ata ndoshta e konsideronin si barrë edhe unë ndërpreva studimet në Shkup u çregjistrova, hyra msus në një fshat të Kaçanikut, 19 vjeç, viti 1966-67, si vit shkollor.

Domethënë në ‘66-tën e kreva gjimnazin dhe mund të them se brezi im kemi qenë me fat, se në 1966 në korrik, në ishullin Brione, në detin Adriatik, në Kroaci u mbajt ai Plenumi i Katërt i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë ku ra ministri i atëhershëm i punëve të brendshme, famëkeqi Aleksandër Rankovic. I cili kishte… jo vetëm ai edhe të tjerët kishin ushtruar presion të tmerrshëm politik, policor ndaj shqiptarëve në përgjithësi, në Kosovë shpërnguljet në Turqi, burgosjet, aksioni për mbledhjen e armeve, keqtrajtimet të parreshtura, domethënë një dhunë e tmerrshme policore. Në atë kohë ajo kish qenë më e fortë në Kosovë se në Maqedoni, në vitet ‘50 dhe ‘60. Ndoshta, ngaqë edhe rezistenca edhe vetëdija kombëtare ishte më e fortë në Kosovë. Se ndodhte nga Prishtina, Gjakova disa mësimdhënëse vinin t’i jepnin mësim Tetovës, në Shkup atëherë, më vonë do të ishte e kundërta.

Dhe kontakti im i parë me Kosovën ishte viti 1966, në të vërtet ishte i dyti, po i pari kish qenë vetëm kalimthi me tren si nxënës i klasës së tretë në gjimnaz, në vitin 1964, në shtator. Sipas traditës së shkollave të mesme atëherë deri diku edhe sot bëhej një ekskursion nëpër Jugosllavi. Një ekskursion që zgjaste dhjetë ditë, ndoshta dymbëdhjetë, prej ku niseshim domethënë atje në vendlindje deri Slloveni. Edhe ne e patëm në vitin e tretë në fillim këtë. Më kujtohet nga Struga në Shkup erdhëm me autobus, kjo ishte ardhja ime e parë, kontakti im i parë me qytet të madh si Shkupi. Aty hipëm trenit dhe nga Kumanova zbritëm në Beograd, ata profesorët tanë e kishin sajuar, e kishin rregulluar që ne të mbërrinim në Beograd ditën që do të luhej një ndeshje futbollistike midis Jugosllavisë, kombëtares, reprezentacionit të atëhershëm të Jugosllavisë dhe reprezentacionit të Evropës, po në stadiumin e Partizanit.

Po, po, dhe unë e kam ndjekur atë ndeshje, e kam ndjekur po na zu një shi që na bëri pula, s’kishim as çadër dhe kisha veshë një setër të re që e vishja për herë të parë. Përpiqesha të strehohem te çadra e një zotërie të Beogradit që ishte një tifoz i madh i kombëtares Jugosllave. Shkum ne, ata profesorët tonë ishin tifoz të futbollit, edhe na vendosën në një shtëpi atje të Ferialistëve s’di çka ishte diku në periferi, na zu një shi. Më kujtohet bile dhe rezultati, ajo reprezentacioni i Evropës luante një futbollist i famshëm atëherë i Portugalisë që quhej Eusébio, ai ishte gogleteri i jashtëzakonshëm, si Ronaldo sot, Ronaldo a Rolando si quhet, Ronaldo. Edhe na zuri një shi, kur shkum ne vetëm njëri, nifarë Nehati ishte prej fshatrave Tërbesh, atje Ballabenishtë, e ndiqte në televizor, thashë, “Ti dole më i mençuri.” Ai ish thatë aty, mirë, kishte televizor në Beograd, ktu poshtë s’kishte. Edhe pastaj vazhduam ekskursionin deri në Split, deri në Lublanë.

Na kemi vizituar edhe atë shpellën e famshme të Postojnes[5], Zagreb, e Beograd, domethënë me autobus. Ne këtë rrëfim kështu do përmendja edhe një detaj që më ka ngelur në kujtesë. Aty ka qenë edhe kontakti im i parë me detin, meqë ishte shtatë orë më kujtohet në Split ishte koha e mirë edhe ne thamë, “Do lahemi!” Unë si thash që isha rritur buzë Drinit të Zi dhe Liqenit të Ohrit, domethënë isha hedhur në ujëra të ëmbla, në ujin e liqenit fantastik të Ohrit që është një nga liqenet më të bukura në botë siç dihet, edhe të Drinit të Zi, lumit tim të vendlindjes që është muza ime ku jam rritur edhe që e ndjej si aortën time, si damarët e gjakut tim. Dhe hajt thamë me këta shokët e klasës, Tefiku, Refiku, Selmani tjetri Halili u zhveshëm dhe u gjuajtëm dhe unë përjetova një zhgënjim të madh, se unë e kisha dëgjuar detin, shkojmë në det, lahesh në det, atje këtu po…

Erëmirë Krasniqi: Çka ishte dallimi?

Agim Vinca: Dallimi ishte që uji i kripur i detit mu s’më pëlqeu fare edhe unë thashë po ç’i lakmokan këtij? Po ky qenka tmerr, edhe uji i kripur në sy, në gojë. Kështu notuam pak edhe dolëm, thashë, “Jo, ma s’qenka gjë ky det”. Natyrisht që ky ish ai kontakti i parë, pastaj deti megjithatë është det. Liqeni i Ohrit është shumë i bukur, është det, por vetëm krip nuk ka, se për nga madhësia, thellësia, dhe s’e harroj kurrë kta a, sigurisht i rashë në qafë kot unë detit se deti s’kish faj. ‘64 ish kjo.

Erëmirë Krasniqi: Në ‘66-tën, kur erdhët këtu për të punuar si mësues…

Agim Vinca: Tani do kthehem aty, edhe domethënë kjo ishte dalja ime e parë ne botë si të thuash, e shoh kështu flenim nëpër konvikte, nëpër ku na vendosnin, hanim, pinim dhe u kthyem, vazhdum shkollën.

Kur erdha në fshat, mësus në fshatin Doganaj të Kaçanikut është aty buzë Lepencit, ku ndahet rruga që të çon për Tetovë dhe rruga që të çon për Brezovicë dhe emrin nuk e ka marrë rastësisht Doganaj. Bile atëherë, atëherë Erëmirë {i drejtohet intervistueses} i thoshin ende Doganovic, po Doganovic i thoshin edhe shkolla e kish emrin “Millan Zecar”, sot e ka “Ali Asllani”, dhe unë aty erdha për të dhënë Gjuhë Shqipe që e doja. Kisha qenë nxënës i shkëlqyeshëm, hartimet e mija pëlqeheshin, vlerësoheshin me nota të larta, lexoheshin po për të dhënë Gjuhë Shqipe, për Gjuhën Shqipe. Dy-tri ditët e para e kish marrë një Ramadani nga Vushtrria, e mu më thanë ka mbetur vetëm edukata fizike dhe amvisëria, në qoftëse donë? Pranova. Dhashë mësim një vit. Fshati ishte pa korrent, s’kishte rrymë elektrike, banonim në shkollë, ku ngrënë, pa ngrënë ashtu.

Ditëve të diela vija këtu në Prishtinë te kta bashkëvendasit e mi që banonin nëpër banesa private ose konviktet e hershme që kanë qenë aty te Fakulteti i sotëm Filologjik dhe Biblioteka Kombëtare, menza ishte pak më sipër. Ishin kazermat e kohës së Italisë që shfrytëzoheshin si konvikte, se konvikti i parë është ndërtuar në ‘68-tën, numër një. Edhe aty rashë në një mjedis ku kisha kolegë, ishin disa drejtori ishte shumë njeri i mirë, dy-tre arsimtarë të mirë, unë isha më i riu, veç 19 vjeç i kisha, 19 vjet po do ishin qe i kishin përjashtu prej shkollës normale me dy klase tre, do edhe me tetëvjeçare kishte, ata s’bënin tjetër gjë veç lunin shah edhe letra. Karshi shkollës ish një kafe njëfarë “Aziu”, dhe aty unë mësova të luaja me letra pishpirik[6] dhe ata luanin tërë ditën edhe pinin çaj, çaj rusi aty kam mësuar ç‘është çaji i rusit, çaj të rënd pinin aty, ky çaji me dy gjygyma[7].

Edhe ajo dashuria ime për librat e gjimnazit edhe shkollës fillore, qysh klasë shtatë, tetë, ia kisha nisë unë të lexoj “Karvanin e Bardhë”, e “Ata nuk ishin vetëm”, e ku di unë “Afërdita”, aty gjeti truall të papërshtatshëm. Dhe unë në gjysmëvjetor fillova ta lexoj romanin e famshëm të Rabindranath Tagores, një shkrimtar indian “Stuhi në Gang”, por e kreva në qershor, kur shkova në pushimet e verës në shpi dhe s’u ktheva më aty. Vazhdova studimet në vitin e dytë, se provimet i dhashë, isha regjistruar këtu në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, dhe provimet i dhashë në shtator unë. Hoqa dorë prej gazetarisë, bëra një provë për t’u regjistruar në studion e aktrimit, nuk u pranova edhe iu ktheva letërsisë. Ai ishte vokacioni im i vërtetë edhe aty e gjeta vetën, dhe tashi jam ky që jam me nja 30 libra të botuar, thonë që kanë edhe vlera, s’më takon mu të flas. Aty, domethënë në një mjedis të tillë unë lexoja vetëm “Rilindjen”, na sillte berberi që vinte prej Kaçaniku, në një thes bashkë me bukën që na e sillte ne tre katër msusve, që s’ishim vendor, por ishim nga larg dhe banonim aty edhe “Rilindjen” dhe asgjë tjetër.

E tash është me interes ky kontakti im i parë, i dytë tash me Kosovën. I pari ishte kur shkum në ekskursion në ‘64, shkum nga Shkupi, Kumanova por u kthyem nga Mitrovica, domethënë Beograd me tren Kraljeve andej ka shkohej gjithë ato qytetet e Serbisë, Shumadisë dhe hymë në Mitrovicë, Vushtrri për të shkuar në Shkup. Dhe aty unë kam parë njerëzit me plisa të bardhë, meqë treni kishte shumë njerëz ndoshta qëlloi dita, disa hypën përmbi tren, por ata ishin shumë të guximshëm sepse treni kalonte edhe nëpër tunele, po unë e mbaj mend. Domethënë, ky imazh mu më është ngulitur në kujtesë, sepse unë Kosovën e njihja nga poezitë e Esat Mekulit libri, “Për Ty” ato poezitë, “Popullit Tim”, “Plisi i Bardhë” e të tjera nga romani “Karvani i Bardhë” i Azem Shkrelit.

Erëmirë Krasniqi: Nga anët e juaja fshatarët nuk mbajnë plisa?

Agim Vinca: Jo, fshatarët e mi mbajnë plisa, por ajo është një kësulë e bardhë në formë cilindrike, jo e rrumbullakët. Atë e mbanë Dibra, Veleshta, Struga, Luma i ka pak me te shkurta kështu {tregon me duar} është plisi i bardhë, disa mbanin edhe të zeza ose edhe kaqketa edhe beretë, por im at ka mbajt tërë jetën kësule të bardhe po nuk i them plis, kësul e bardhë. Eh, aty kam parë domethënë edhe njerëz kështu të guximshëm, vital, kjo i shishim pak me çudi, ne tash përpiqeshim t’i deshifronim ato që kishim lexuar nga librat, nga “Jeta e Re”. Se unë edhe “Jetën e Re” e kisha lexuar meqë im vëlla ishte profesor i Gjuhës Shqipe edhe poet, edhe e kisha dëgjuar radion, unë e dija domethënë atëherë Esat Mekulin, Nexhmije Pagarushën, Ismet Pejën po, Azem Shkrelin, Adem Demaçin e kisha dëgjuar si njeri që po e sfidonte shtetin, që kërkonte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në fillim ne nuk ishim të vetëdijshëm politikisht, por mandej nisem të bëhemi.


[1] Turqisht: cadde, rrugë e pashtruar.

[2] Ang: shorts, janë pantallona te shkurta qe përdorën për aktivitete sportive.

[3] Terminologji në kinematogeafi: plan i afërt.

[4] Koburja është revole, pistoletë e vjetër me çark e me tytë të gjatë, që mbushej nga gryka

[5] Shpella e Postonjes është në jug-perëndim të Sllovenisë. Është shpella e dytë në Slloveni për nga madhësia. Kjo shpellë dhe të tjerat në ato vise janë krijuar nga lumi i Pivkës.

[6] Lojë që luhet me letra.

[7] Ibrik çaji.

Pjesa e Dytë

[Fjalia është prerë nga video intervista]

…Jugosllavia e Parë, e Dytë edhe ajo e Treta deri në fund të shekullit XX. Ky udhëtim… tashti e mbarova gjimnazin dhe shkova në Shkup të studioj Drejtësinë, nuk më pëlqente, e ndieja vetën të huaj. Nuk i kisha edhe mundësitë ekonomike dhe vendosa një vit të punoj mësues për të mbijetuar. Po, e bëja udhëtimin e parë nga Shkupi për në Kacanik, rruga ishte xhade natyrisht e paasfaltuar dhe me gropa të mëdha, dhe meqenëse unë isha në fund të autobusit kur rrotat e mbrapme të autobusit binin në ato gropat e thella të xhadës, koka ime përplasej te tavani i autobusit. Po kështu ishte dhe ai udhëtim, zgjaste nja dy orë deri aty. Aty zbrita, pastaj eca në këmbë një pjesë të rrugës, shkova në atë shkollën aty, fillova detyrën si msus, ndejta një vit aty, domethënë e humba një vit praktikisht, një vit po e humba, por ishte një përvojë jetësore.

Një përvojë jetësore, pastaj në shtator unë i dhashë për 25 ditë pesë provime, katër, pesë provimet e mbetura, se vetëm një e kisha dhënë në qershor. Dhe në vitin e  dytë, të tretë dhe të katërt isha bursist i univerzitetit. Bursa, atëherë ishte Univerziteti i Beogradit, Fakulteti Filozofik, Prishtinë dhe bursa, pak kush e merrte bursën e univerzitetit se duhej nota e lartë mesatare, e kriteret ishin të forta, ishte sa rroga e mësuesit, domethënë aq sa kisha marrë rroge si msus atje tani merrja burse si student i vitit të dytë. Në vitin e tretë po ashtu, në vitin e katërt u rrit bursa, e di e mbaj mend ishte 32 mijë dinar të atëhershëm, ne vitin e dytë dhe të tretë, kurse 50 mijë denar në vitin e katërt dinar, po ajo ishte sa rroga e mësuesit. Në vitin e katërt unë i mbuloja shpenzimet e mija, studioja, banoja në konvikt në numër një atje tani te qendra e studenteve dhe u dërgoja para edhe prindërve, nënës dhe babait, dhe ajo bënte shumë përshtypje në fshat, filani edhe studion ju dërgon para prindërve.

Erëmirë Krasniqi: Domethënë, kjo ke bartja juaj përfundimtare në Kosovë?

Agim Vinca: Po, dhe unë i kreva studimet për tre vjet, u ktheva prapë në vendlindje. Kam punuar një vit profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në gjimnazin e Strugës, aty ku kisha kryer shkollën e mesme. Ndërkohë, si bursist i univerzitetit, si student me nota të mira kisha, u shpall konkurs për asistent. Kisha konkuruar dhe u zgjodha asistent.

Erëmirë Krasniqi: Në Univerzitet të Prishtinës?

Agim Vinca: Po, në Universitet të Prishtinës. Nja gjashtë muaj mendova si t’ia bëj, jo unë vet po prindërit nuk më lenin, më bënin presion, “Rri këtu, këtu të shohim ne. Ja do të bëjmë shpi, do të martojmë”, është shumë normale ajo ndjenjë e prindërit, po pastaj qëlloi që…

Erëmirë Krasniqi: Cilat vite ishin këto ‘72?

Agim Vinca: Kjo është ‘71, ‘72 vitin shkollor ‘71. ‘70-tën diplomova. ‘71, ‘72, unë punova një vit të plotë e fillova edhe të dytin, bile gati ndërkohë pata botuar librin e parë me poezi “Feniksi” Shkup, “Flaka e Vëllazërimit” 1972. Atëherë një libër ishte punë jo e vogël, atëherë edhe u prit mirë, ishin vargjet e rinisë sime, një ditar lirik domethënë. Ja këto ajo bota e… ato frymëzime, ato shqetësime, ato ëndrra, ato dëshira isha përpjekur t’i artikuloj përmes, dashurinë për vendlindjen, dashurinë për njerëzit, për botën. Eh, kështu edhe dashurinë si ndjenjë e kisha trajtuar sigurisht.

Erëmirë Krasniqi: Qysh ju nxuni viti ‘81 në Prishtinë?

Agim Vinca: ‘81, fluturonin aeroplanët përmbi kokat e njerëzve, përmbi çatitë e shtëpive edhe kokave të njerëzve, aeroplanë super-sonik, ushtarak natyrisht për të ngjallur ndjenjën e frikës. Mbas, jo mbas 11-tit, as mbas 26-tit, po mbas 2 prillit ku u aplikua gjendja e jashtëzakonshme, unë aso kohe meqë kisha magjistruar ne ‘74-tën, kisha kryer shërbimin ushtarak, isha martuar. Ndërkohë isha bërë edhe baba, kisha marrë një semestër pushim për ta kryer temën doktoratit, por pastaj erdhën, ndodhën demonstratat e ‘81-shit, e mbaj mend mirë 11 marsin.

Erëmirë Krasniqi: A keni dalë nëpër demonstrata?

Agim Vinca: Unë jo, ne nuk mund të dilnim. Ne nuk dilnim sepse domethënë automatikisht largohëshe prej fakulteti. Ata i bënin të rinjtë, studentët, por ne i kishim frymëzuar, ne disa i kishim frymëzuar dhe i mbështesnim moralisht. Por pastaj filloi periudha famëkeqe e diferencimit që ka zgjat nëntë vjet, nëntë vjet prej ‘81 deri ‘89-tën. Në ‘89-tën ne që konsideroheshim indoktrinues të rinisë, nacionalistë, e irredentistë, separatistë na larguan prej lidhjes se komunistëve, domethënë nja 70 intelektualë në krejt Kosovën, komiteti komunal, na përjashtuan. Unë isha i dënuar me parapërjashtim atëherë, na përjashtuan.

Erëmirë Krasniqi:  Për çfarë arsye e bënin parapërjashtimin?

Agim Vinca: Për shkak se… fillimisht ishim të akuzuar se jemi të ngarkuar me nacionalizëm unë edhe disa profesorë tjerë, pastaj meqenëse kolegët na mbrojtën ajo akuzë u zbut pak, u modifikua në: nuk kanë luftuar sa duhet kundër nacionalizmit shqiptar, kjo ishte. Në fakt s’kishte nacionalizëm shqiptarë, ato ishin kërkesa të ligjshme domethënë, kërkesa kryesore e demonstratave të ‘81-shit ishte që Kosova të fitonte statusin e Republikës. Çka kishte të keqe, Mali i Zi ishte republikë, Maqedonia republikë, pse Kosova mund të mos ishte? Me këto kufij që i kishte, domethënë kjo ishte kërkesa dhe ne e mbështesnim. Sigurisht kishte që i gjykonin, se brezi im, unë kam marrë pjesë në demonstratat e ‘68-tës kur isha student aty kam qenë pjesëmarrës i demonstratave, jo organizator, por pjesëmarrës domethënë në këtë sheshin “Nenë Tereza” që është tash, prej teatri aty ka filluar.

Njëherë jemi tubuar te Fakulteti Filozofik pastaj këtu. Aty janë lexuar kërkesat, pastaj ka ndërhyrë policia, kemi dashtë të shkojmë te Kuvendi Krahinor atëherë, ky kuvendi i sotëm, pastaj kanë filluar përplasjet. Pastaj këto thyerjet e xhamave, përmbysjet e makinave pak kishte. Një djalë u vra nga një ballkon më duket, një djalë nxënës i shkollës se mesme “Murat Mehmeti”, 17- 18 vjeç u vra, të tjerë u plagosen. Aty kam marrë pjesë si student bashkë me kolegët e mi. Kurse në ‘81-shin domethënë profesorë të univerzitetit kërkohej tani t’i gjykonin, dhe kishte që e bënin me qejf ato, kishte që e bënin me më pak qejf, dhe ishim ne disa që nuk dëshironim t’i shqiptonim ato akuzat e rënda, sepse mendonim që ishin të padrejta edhe ishin padrejtë domethënë. Ai ishte sistem që kishte monopol mbi pushtetin dhe që kishte monopol mbi të vërtetën.

Një anëtar i Kryesisë së Komitetit që ishte i ri atëbotë, Agim Zatriqi, ka pasë edhe fakultet dhe ka thënë vlerësimet e Komitetit Krahinor janë se, “Këto janë demonstrata nacionaliste, irredentiste, separatiste”, nga pozitat e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar dhe vlerësime të tjera nuk pranohen, nuk lejohej domethënë debati dhe ne… zgjati ajo mbledhje pas mbledhje, eh sa mbledhjet? Vetëm brenda një jave në ‘82-shin në Univerzitetin e Prishtinës prej të hënës deri të premtën janë mbajte 99 mbledhje, 99 mbledhje për diferencim, sepse krejt Univerzitetin e Prishtinës kisha pasë 99 organizata bazë. Prej të hënës deri të premtën, unë kam qenë në rend të ditës, jam dënuar me parapërjashtim. Më kanë mbrojtë kolegët e mi edhe studentë bile, disa ishin anëtar te Lidhjes, edhe si studentë. Domethënë, profesori në ligjëratat e tij merret me shkencë dhe ka qëndrim kritik ndaj fenomeneve të politikës, kësaj ose asaj ku ta di.

Edhe ‘89-tën mandej na larguan, unë isha kandidat për t’u larguar edhe prej univerziteti, por ndërkohë ndryshuan rrethanat, ra sistemi monist, u legalizua pluralizmi politik, nisën të lirohen të burgosurit politik dhe nuk kishte më kuptim që njerëzit të përjashtoheshin për bindje politike. Por, me 28 qershor, 1991, në Univerzitetin e Prishtinës u aplikuan të ashtuquajturat masa të dhunshme nga regjimi okupues serb, domethënë u hoqën te gjithë dekanët shqiptar, rektori, prorektorët dhe u vunë dekan dhe rektore serb edhe disa shqiptarë kuisling, kështu ndodhi, por edhe shqiptarë që pranonin atë regjim. Dhe pastaj unë u largova nga fakulteti me 15 shtator, 1991, se ishte fundi i vitit, pushimet verore, u rikthyem atëherë me motivacion se kam marrë pjesë në tubime protestuese jo legal. E kam vendimin. Pastaj vazhdoi domethënë diferencimi, përjashtimet, qëllimi i pushtetit serb ishte jo të na përjashtonte ne disave që kishim rënë në sy si nacionalistë, por ta mbyllte Univerzitetin, ashtu ndodhi.

Erëmirë Krasniqi: Kur u mbyll Univerziteti?

Agim Vinca: Univerziteti u mbyll brenda vitit ‘91. Dhe ne u organizuam të mbanin mësim nëpër shtëpi private, në shkollat në periferi, në objekte të ndryshme kështu. Ata i kishin ndërtesat, pala serbe, ne mbanim jashtë, domethënë nuk i njihnim ligjet e Serbisë. Ishte ai, si quhej, sistemi i shtëpive-shkolla domethënë veç shkollat fillore ishin në objekte të tyre në podrum, shkollat e mesme dhe univerziteti ishin jashtë. Edhe kështu vazhdoi nëntë vjet deri në ‘99-tën kur u kthyem pas çlirimit të Kosovës.

Erëmirë Krasniqi: Ju keni qenë të angazhum edhe në aktivitete tjera politike, organizime… a mundeni të na flisni edhe rreth pozicionimit të shqiptarëve në Maqedoni?

Agim Vinca: Tashti në vitet ‘80-të, veçanërisht në Maqedoni ishte një represion i tmerrshëm ndaj shqiptarëve edhe në Kosovë, por në Kosovë më vonë dë të përshkallëzoj ky represion. Në Maqedoni kishte një terror të vërtet ndaj inteligjencës, ndaj të rinjve, ndaj institucioneve, domethënë kërkohej që shqiptarët edhe emrat e qyteteve t’i shqiptonin në forma sllave, jo Shkup, por SkopjeEdhe kur flisnin shqip, edhe radio e Shkupit, “Ju flet radio Skopjeedhe radio Dibra, “Ju flet radio Deber”Emrat e fmive, librat, gjithë kjo bëhëj kinse në emër të luftës kundër nacionalizmit shqiptar. Në fakt, kjo kishte qëllimin ta margjinalizonte kombësinë shqiptare, t’i ngushtonte të drejtat e tyre. Nisen edhe shkollat e mesme të bëhen paralele të ashtuquajtura të përbashkëta, në një paralele shqipe fusnin pesë nxënës maqedon dhe tani mësimi duhej zhvillohej maqedonisht. U ndaluan këngë domethënë edhe këngët për Mujo Ulqinakun dhe Bajram Currin domethënë jo më të tjera. Largimi i njerëzve nga puna, burgosja, të gjitha këto.

Dhe unë si intelektual shqipëtar që kisha lindur, e isha shkolluar, e isha rritur atje, por ja jetoja në Prishtinë natyrisht nuk ishte në natyrën time të bëja sehir, të bënim shumë ndoshta s’kishim mundësi, por ta ngrisnim pak zërin besoj që kishte mundësi duke rrezikuar vetën dhe familjen. Dhe shkrimin e parë në mbrojtje të integritetit shqiptarëve, të drejtave të tyre kundër dhunës politike e policore e kam në ‘86-tën, por shtypi ynë këtu nuk i botonte ato s’ishin në pozitat e Lidhjes së Komunisteve. Aso kohe dilte një revistë në Zagreb, gazetë, revistë e përjavshme që quhej “Danas”, dilte një herë në javë, të mërkurave më duket dhe ajo kishte një qëndrim më liberal ndaj zhvillimeve politike në Jugosllavinë e atëhershme. Aty domethënë mund të botoje shkrime, letra, reagime ndonjë artikull më të gjatë, më analitik për këto probleme, sidomos për situatën e shqiptarëve në Maqedoni, ku edhe nataliteti qe kufizuar. Ishte një gjenocid i llojit të vet po, për fëmijën e tretë duhet të paguj taksa, jo vetëm që s’merrje shtesë fëmijërore, ishte një lloj etnocidi domethënë.

Dhe aty kam filluar në ‘86-tën, pastaj kam vazhduar, kam botuar një varg shkrimesh për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, për cenimin e të drejtave të tyre, për dhunën që ushtrohej mbi ta. Disa nga to ishin polemike me intelektual maqedonas, me gazetarë, me publicistë, me shkrimtarë, disa ishin qasje kështu më analitike të problemit. Dhe e di që në vitin 1988 ndaj meje u zhvillua një fushatë e tmerrshme në Maqedoni, se ne ishim pak atëherë, ka qenë [ashtu], tashi i pëlqeu s’i pëlqeu dikujt kjo është e vërteta. Rexhep Qosja, profesor Rexhep Qosja ka bërë shkrime, unë, dhe kanë bërë Shkëlzen Maliqi dhe Veton Surroi, s’ka të tjerë. Shkëlzen Maliqi dhe Veton Surroi i bënin prej pozitash pro-Jugosllave, ata ishin për ruajtjen e Jugosllavisë, por një Jugosllavi e tërëformuar, demokratike kështu liberale, të themi pluraliste. Ne e bënim prej pozitës së mbrojtjes së interesave vitale të kombit shqiptarë, të copëtuar, të keqtrajtuar, të mbetur në sovranitete të huaja, të përndjekur, të masakruar e kështu. Dhe natyrisht, aq sa lejonin mundësitë duke ju kundërvënë masave represive që ushtronte pushteti atëhershëm sidomos në Maqedoni.

Në ‘98-tën[1] u ngrit një fushatë e tmerrshme kundër meje, të gjitha radio stacionet prej radio “Shkupit” deri te radio “Kërçova”, gazetat, domethënë “Makedonija”, “Vecer” edhe “Flaka e Vëllazërimit” që dilte shqip botonin shkrime. Bile, një nga shkrimet ishte se unë isha përjashtuar nga gjimnazi si nxënës i gjimnazit, si nacionalist, në të vërtet isha marrë në pyetje atëherë, që thashë ato, por përjashtuar jo, nuk isha përjashtuar dhe e kisha kryer gjimnazin, bile edhe isha kthyer një vit edhe mësimdhënës. Me shpifje me akuza, ‘98-tën[2] kur e panë që unë s’do ndalem, Komiteti Komunal i Lidhjes së Komunistëve të Strugës  në bashkëpunim me organet e sigurimit shtetërorë, se aty ishin dosjet, organizuan një fushatë, i detyruan, i detyruan ndoshta, jo se ata e bënin edhe me dëshirë përfaqësuesit e organizatave shoqërore politike të fshatit tim të distancoheshin nga unë. Kryetari i Lidhjes, kryetari i bashkësisë lokale i di me emra po s’pi them.

Sekretari i organizatës së Lidhjes së Komunisteve, kryetari i organizatës të Lidhjes Luftëtarëve, kryetari i Lidhjes Socialistëve të Popullit Punonjës dhe Kryetar i Rinisë, pesë botuan një letër maqedonisht ku thoshin, “Ne i gëzojmë të gjitha të drejtat”. Ata as një dokument në jetën e tyre nuk e merrnin me asnjë germë shqip vetëm maqedonisht, prej kur lind deri kur vdes. E Agim Vinca e dezinformon opinionin jugosllav, dhe ne nuk na habit qe ky vepron ksi soji sepse ky është biri i një familje nacionaliste, e ka dajë këtë, vëlla këtë, daja i këtij e ka mik atë në emigracion, gjëra te tilla. Në atë letër përmenden nja njëmbëdhjete a dy-trembëdhjetë emra të tjerëve përveç timit, po na habit si mundet një i tillë ta edukoj brezin e ri. Dhe ajo letër u botua te gazeta “Nova Makedonija” me titull “Paraqitje e skajshme armiqësore e Dr. Agim Vinces” edhe te gazeta “Danas” e Zagrebit sepse edhe ata botuan domethënë, por me tjetër titull atje, ma të bute e kishin. Edhe erdhi edhe në fakultet, zarfi i kuq me vule të kuqe, se ashtu Lidhja e Komunisteve e kishte si organizate politike komuniste, marksiste edhe kërkohej që Fakulteti Filozofik të merrte masa ndaj meje si njeri që e kisha dezinformuar opinionin jugosllav.

Natyrisht që këtu ajo nuk bënte efekt sepse kryetari i Kuvendit Sanksional ishte një koleg i imi, i cili thoshte, “Unë e di se ç’bëhet atje”. Ishte i Preshevës që kishte kry normalen në Shkup, por tha ka ardhë të më tregoj, më tregoj, e pash i thash, “Nxirre, mos rreziko për mu”, “Jo” tha. Po u botua në “Danas” dhe bëri përshtypje shumë të keqe ajo, më kupton, dhe unë u detyrova atëherë t’i hypi trenit prej Prishtine dhe të shkoj në Zagreb ta marr dokumentacionin tim me vete dhe të kërkoj takim me kryeredaktorin e “Danasit”, Mirko Galic quhej, i cili në fillim ai s’donte të pranonte, se më tha sekretaresha ka shumë punë. Pastaj unë ia dhashë kartëvizitën e një profesori atje Matvejevic, ishte një profesor letërsie edhe kritik letrarë shumë i njohur me të cilin ishim takuar gjatë ditës. Edhe ai më tha e kam mik kryeredaktorin, e shkroi aty në shpine, dhe ai më pranoi i thash, “Unë jam filani Agim Vinca, që keni botuar këtu dhe kam ardhë të ju tregoj, a e dezinformoj unë opinionin jugosllav apo ata?”

Ata në të vërtet ishin vegla qorre të pushtetit, ata ishin, e bënin këtë edhe sikur t’iu thoshin Drini i Zi rrjedh përpjetë, ata do ta nënshkruanin, edhe nënshkrimet i vënin me alfabet cirilik tre prej tyre. Edhe ia dhashë çertifikatën e lindjes, çertifikatën e martesës, katër dëftesat e gjimnazit, diplomën bile, që në dokumentacion çdo gjë ishte vetëm maqedonisht se kjo dokumentohej dhe të tjerët. Edhe ai më priti shumë mirë, me tha, “Çka mund të bëj për ju?” Thash, “Ma s’pari ta botoni një artikull timin të gjatë që pret”, edhe e botoi menjëherë në numrin e ardhshëm në një faqe e gjys. Të ta lëshonte “Danasi” një faqe e gjys atëherë ishte punë e madhe. Edhe pastaj, një grup intelektualësh të vendlindjes sime këtu në Prishtinë ju bën një përgjigje atyre, dhe kjo tani bëri përshtypje shumë të mirë sigurisht dhe kaloi ‘88-ta erdh ‘89-ta.

Në vitin 1989 në Kosovë tani ka qenë i tmerrshëm. Në Maqedoni sikur po zbutej pak klima se do te vinte pluralizmi dhe ndodhen ca ndryshime kadrovike, erdhi në krye të Lidhjes Komuniste një pak më reformator atje një Petar Gošev, ranë disa shovinistë. Edhe këtu, sepse këtu tashti Serbia e Millosheviqit bënte betejën e ndryshimit të kushtetutës dhe kthimit të Kosovës nën tutelën e Serbisë domethënë marrjen e ingerencave që i kishte Kosova me kushtetutën e ‘74-tës. Dhe ‘89-ta ishte një gjendje jashtëzakonisht e tmerrshme, fushate e egër, sharje, fyerje, akuza nënave, gratë shqiptare quheshin lavatriqe, makina që prodhojnë fëmijë e tjera, e tjera. Unë edhe ndaj këtyre kam reaguar, kam botuar bile edhe ndonjë shkrim në “Politika” edhe në “Nin”, të shkurtuara por kryesisht te “Danas”.

Tani u bart, si të thuash, problemi këtu edhe si pasojë e gjithë këtij represioni, kësaj dhune, këtyre fushatave të egra ndaj gjithçkaje shqiptare, prej etnogjenezës deri te foshnjat e porsalindura. Ndodhi greva e famshme e Minatorëve në Trepçë në horizontin e nëntë që tronditi Jugosllavinë edhe Evropën dhe në të njëjtën kohë studentet tanë u mbyllën në sallën e palestrës sportive atëherë quhej “25 Maji” tani “1 Tetori”, dhe aty unë me disa koleg të tjerë kemi marrë pjesë me studentë. Pas asaj domethënë, ato kërkesat për dorëheqjen e Ali Shukriut si anëtarë i Kryesisë së Jugosllavisë, të Rrahman Morinës që ishte ai kuislingu numër një në Kosovë, përfaqësues i Lidhjes së Komunisteve, kishte ardhë nga policia edhe Sekretarit të Komitetit të Mitrovicës, Husamedin Azemi. Ata bënë sikur dhanë dorëheqjen, pastaj u tërhoqën i nxorën minatorët, si thashë, nga zgafella, studentët nga palestra sportive dhe vazhdoi represioni, masat e ndryshme, marrjet në polici.

Unë kam qenë, më vonë e kam marrë vesh që sidomos kur duhet të bëheshin ndryshimet kushtetuese me 23 mars mbahej mbledhja e Kuvendit të Kosovës, Kuvendi i Kosovës ishte i rrethuar me tanke, kudo policë, në çdo hap milicë[3] të Serbisë edhe krejt ish-Jugosllavisë. U bënë ndryshimet kushtetuese dhunshëm, do të mbahej mbledhja e Kuvendit të Serbisë. Me 28 mars jam arrestuar në orët e hershme të mëngjesit, pesë e gjys, shtatë vetë kanë ardhë te dera e apartamentit tim, tre polic për të më tërhequr vërejtjen. Tre polic, tre civil dhe një femër ma kanë bastisur shtëpinë, kanë marrë disa fascikuj disa shkrime, më kanë marrë edhe mu me vete. Më kanë mbajt njëzet orë në pyetje, më kanë pyet prej kur kam lind e deri atëherë. Por, unë kisha një rrethanë fatlume të them, që veprimi im kish qenë publik, kisha bërë shkrime, kisha bërë diskutime, kisha reaguar publikisht, nuk u kisha takuar organizatave ilegale politike, tresheve, dhe ndoshta kjo më ka shpëtuar si të thuash.

Atë ditë me 28 mars në Kosovë janë vrarë 22 vetë, djem të rijnë dhe vajza të reja, kurse në Beograd është pirë shampanjë sepse tanimë Kosova e humbi autonominë e ‘74-tës, dhe nuk i kishte kompetencat kushtetuese që i kishte pasur më parë. Për këtë ishte luftuar me vite, shtypi jugosllav ishte i tmerrshëm sidomos gazeta “Politika”, aty ka qenë një fushatë monstruoze me shpifje, me akuza, me kërcënime, me të gjitha. Ne, disa intelektual domethënë, ka pasë që edhe janë burgosur si Ukshin Hoti me grupin e tij, më përpara disa janë marrë, disa janë kërcënuar, disa janë përjashtuar. Unë kam qenë nga ata që domethënë më kanë marrë, më kanë mbajt, më kanë pyet, me kanë lëshuar, më kanë marrë edhe njëherë prapë për apelin, apeli i dyqind e pesëmbëdhjete intelektualeve që u bë në ‘89-tën në mbrojtje të kushtetutës së Kosovës. Pastaj me 5 korrik kur është marrë dhunshëm Radio Televizioni i Kosovës, të më tërhiqnin vërejtjen që të mos ndikoj te studentët e mi që të dalin në rruge, sepse do te derdhet gjak. Kjo ka qenë fjala kryesore si të thuash, ju mbani përgjegjësi!

Erëmirë Krasniqi: Çka i thojshit ju studentëve tuaj edhe pse ishit nën mbikqyrje për këtë?

Agim Vinca: Kështu erdhi pastaj viti 1990 dhe filloi edhe ai Aksioni i madh për Pajtimin e Gjaqeve. Atë e filluan të rinjtë tanë, studentët tanë, ish të burgosur politik me dy shkurt 1990 në fshatin Lumbardh të Deçanit a te Pejës, te Pejës. Edhe e filluan sepse në demonstratat e ’89-tës në mbrojtje të autonomisë së Kosovës propaganda serbe kishte përhapur shpifjen se shqiptarët nuk i ka vrarë policia serbe, por kanë vrarë njëri tjetrin për hakmarrje. Kjo ishte pikënisja. Ky aksion morri përmasa të mëdha dhe në të u përfshinë, përveç studentëve, të rinjve, edhe profesorë univerziteti, intelektualë, shkrimtarë e të tjerë ne Kosove, ne fshatra, ne qytete, u përfshiva edhe unë.

Arsyet që e pash të udhës të përfshihem në këtë Lëvizje ishin, një që ishte aksion humanitar domethënë, sepse ne e kemi pasur traditën e kanunit, gjakmarrjes dhe s’ka gjë më mirë se familjet e hasmuara me dekada të pajtohen, ta heqin një barrë të rëndë nga supet e tyre. Por, përveç asaj, përveç asaj ne duhej të krijojmë një unitet, një front kundër hegjemonizmit serb, kundër dhunës, terrorit që po ushtrohej dhe së paku unë mendoja se nuk do zgjasë shumë koha që shqiptarët të detyrohen të hynë të ngrejnë krye, do të hynë në luftë dhe në luftë duhet të hynim të bashkuar të homogjenizuar. Aksioni pati sukses, gjaqet u falën, ngatërresat, plagosjet kryesisht në emër te kombit, të flamurit, të Kosovës, të rinisë së Kosovës. Kjo ishte ajo që njerëzit, domethënë i bënte që të kapërcenin mbi atë dhimbje të madhe, mbi ato kujtime të hidhura, se kishte edhe raste shumë të rënda.

Erëmirë Krasniqi: Sa ishin të vjetra?

Agim Vinca: Po kishte 30, 40 ndoshta edhe 50 vjet edhe më pak. E natyrisht, kjo e mobilizoi popullin se krahas Pajtimi të Gjaqeve zhvilloheshin edhe lëvizje tjera, forma të tjera të reagimit, e mobilizoi popullin. Unë jam përfshi me sa di, me 2 mars 1990, në fshatin Bajqinë, jo Bajqinë, por një fshat tjetër këtu afër Prishtinës. Dhe ai plaku në kopsht, ishte tubimi që e fali gjakun, quhej Hashim Bajqinca, një burrë i imët ishte e mbaj mend. Ai ka qenë kontakti im i parë me këtë edhe pastaj bëra edhe një poezi atë ditë bile, bëra një poezi që e kam në një nga librat e mi. Mars ishte, prill, fundi i prillit atëherë festohej 1 maji, unë do të shkoja në vendlindjen time, me 1 maj..

Erëmirë Krasniqi: Ju keni qenë edhe në Bubavec apo?

Agim Vinca: Në Bubavec? Po, kam qenë në Bubavec. Ka qenë një tubim i madh në Bubavec, bile atëherë kam shoqëruar edhe një zviceran që kish ardhë [për] vizitë në Kosove, mësues ishte me profesion. A kishte edhe ndonjë mision tjetër unë nuk e di, por meqë unë jam frëngjisht-folës më thanë ta shoqëroja. Dhe ai u mahnit me atë tubim të madh, domethënë gjithë ajo popullatë, ishte ditë feste, Bajram ishte, edhe hoxhallarët edhe priftërinjtë bashkë, fjalimet, vajza, gra, burra, burra me mustaqe, me plisa. Domethënë, të gjitha kategoritë, pastaj dreka, dreka në sofër, shihte ai si uleshim neve, e kam takuar pastaj pas disa muajsh gjate një vizite ne Zvicër, edhe tubimi në Bubavec ishte shumë i madh.

Në fund të prillit unë do të shkoja në vendlindjen time në Veleshtë, Strugë, dhe mendoja që meqë edhe atje kishe gjaqe, se një jemi ne, një komb, një tradite kemi, një mentalitet, ta fillonim aksionin ta shtrinim edhe atje. Dhe unë mendoja t’i merrja me një makinë ose dy disa bashkëvendës të mi, bashkëfshatarë të mi dhe t’i dërgoja në të Verrat e Llukës ata të frymëzohen dhe ta bëjnë të njëjtën gjë. Por, kur shkova atje e pash që s’kishte nevojë të shkuarit te Verrat e Llukës, se ajo që ndodhte në Kosovë transmetohej përmes televizioneve, gazetave edhe kontakteve, e kishte bere te veten, e kishte bërë efektin dhe ne u mblodhëm dhe hartuam një strategji që të fillonim Aksionin për Pajtimin e Gjaqeve në Veleshtë të Strugës. Rastisi që unë të isha në krye te këtij grupi, bile mua më erdhën meqë unë isha intelektual që kisha një emër, jo veç si shkrimtar, si profesor, por edhe si njeri që kisha rezistuar kundër pushtetit jugosllav, maqedonas, serb.

Erdhën në Ohër, isha unë te, meqë ime shoqe është nga Ohri, te familjarët e saj erdhën dy vetë me makinë, njëri prej të cilëve ishte mjek dhe kishte një problem në familje dhe tjetri një aktivist, më morën, shkum. Me 30 prill u takuam në shtëpinë e një bashkëfshatari tonë atdhetar quhej Nazif Zhuta, edhe intelektual tjerë nga Prishtina dhe nga vendlindja, hartuam një strategji, e bëmë listën e gjaqeve, ishin nja pesë apo gjashtë  gjaqe dhe nga dy, tre nga sa e sa. Filluam, a të fillojmë prej rastit që konsiderohej më i lehtë, a më i rëndë? E morëm vendimin të fillonim prej më të rëndit. Pati edhe vështirësi, por ishin dhjetë, pesëmbëdhjetë, njëzet, erdhi grupi duke u rritur. Dhe për dy ditë, për 1 dhe 2 maj në Veleshtë të Strugës për herë te parë në Maqedoni, s’kish filluar as Tetova as Gostivari, kush thotë ndryshe gënjen, këto janë fakte se janë të dokumentuara dhe [në] shtyp edhe kudo, edhe ka fotografi edhe dëshmi tjera. U pajtuan pesë gjaqe dhe u falën nja dy plagosje dhe një ngatërresë. Ishte sukses i madh, disa prej tyre ishin shumë të rënda bile, dy ishin në familjen time Vinca, fisin tim. Njëra ishte, urdhëro?

Erëmirë Krasniqi: Çka ishte natyra [rasteve]?

Agim Vinca: Po njëra ishte domethënë një vrasje, nga dy palët kishte një të vrarë, por të pa pajtuar, Reqi, Vinca. Dhe ne i kemi bërë pajtimet duke i marrë këta përfaqësuesit e kësaj familje, duke shkuar te familje tjetër, jo vetëm në shesh aty apo në odë kane pi kafe dhe ata prapë këtu, që në Kosovë nuk është bë sepse ishte më e gjërë puna, edhe ketë e kemi bë kryesisht jo në të gjitha rastet. Ishte edhe një rast tjetër ku vjehrri kish vra renë e vet po, vjehrri një kriminel ish grind me të birin, reja kish hy t’i ndante dhe ai kish qëlluar me revole prej përfundi. Dhe kjo ishte një grua nga familja ime, kushërirë, dhe unë kam qa aty kur kemi shku në atë te ata kushëritë e mi, se unë e kisha fjalën kryesore duhesha unë të flisja i pari dhe pse s’isha me i vjetri, por isha, ja të them lideri. Edhe kur kam filluar unë se duhej bindur tashti që ja kjo është kështu për të mirën tonë, ne e dimë që s’e keni lehtë, por ju nuk ua falni atyre, por e falni për ardhmërinë tuaj, të fëmijëve tuaj, të kombit, të kësaj rinie, të këtij populli, të vlerave tona, ne e kemi hasmin përballë armikun shekullor.

Këto ishin si të thuash fjalët, argumentet dhe unë kur kam filluar aty, nuk kam mundur të përmbahem nga të qarit, më ka kapluar vaji se ishte rëndë. Unë e njifsha atë, ajo domethënë ishte e familjes sime dhe ishte vrarë, si të thuash, me duart me brumë dhe i kishte lënë fëmijët. Pse fëmijë të vegjël dhe ai kish bërë burg, kish dalë ndoshta, por nuk ia falshim atij. Dhe kështu ishin raste shumë të randa, kishte lloj-lloj rastesh, asnjëri si ngjante tjetrit, patëm sukses. Dhe unë meqë unë ende isha në punë, domethënë në fakultet ndejta dy ditë tri dhe u ktheva.

Me 5 maj unë jam kthyer. Me 2, 3 maj, me 5 maj u mbajt një tubim i madh, ndoshta nga më të mëdhenjtë pas Verrave të Llukës, Bubavecit, ndoshta edhe para Bubavecit këtu në Kolovicë të Prishtinës. Dhe meqë unë kisha marrë pjesë kërkuan që edhe unë të mbaja një fjalë krahas Anton Çettës, Mark Krasniqit, Zekerija Canës, këta tre. Kanë qenë aty edhe Lush Gjergji edhe hoxha i Bubavecit, Xhevat Kryeziu edhe shumë të tjerë, shumë shkrimtarë, e intelektualë, e profesorë edhe kërkuan një fjalë. E pata shkruar kështu, “Pranvera e Pajtimit” e quajta, edhe televizioni i Prishtinës i jepte atëherë se ishte para se ta merrte Serbia nën kontroll, aty doli. Është një moment i veçantë, domethënë ishte tubim shumë i madh, bile një rast ishte, një person që unë po ashtu e njihja që ia kishin vrarë dy vëllezër nga familja Sfishta këtu i Vranjevcit i Kodrës së Trimave, dy vëllezër edhe ai ishte dhëndër i Strugës atje. Ishte njohë me një vajzë që kishte ardhë në shkollë të mesme të mjekësisë, që ishte e afërmja ime e familjare edhe aty ishte numër i madh i atyre që falnin.

Doli një mjek nga Prishtina që punonte në Zagreb quhej më duket Nazmi Krasniqi. Ishte defektolog dhe ai kish ardhë edhe doli në tribunë i paparashikuar dhe më kujtohet se tha këtë, “Ne po ia falim gjakun njëri tjetrit, por gjakun që na e kanë derdhur Millosheviqi, Kadieviqi dhe Mamula, nuk do t’ua falim kurrë!” Millosheviqi dihej kush ishte, Branko Mamula ishte admiral i ushtrisë Jugosllave, Kadieviqi shefi gjeneral i shtabit domethënë dhe atëherë ishin vrarë sa e sa djem, vinin me arkivol prej armatës, në arkivol. Krejt këto ishin domethënë pjesë e zhvillimeve, ngjarjeve, krejt ishin akumulim. Ne kishim marrë pjesë edhe në varrimin e tyre edhe kishim mbajt [fjalë] edhe në hapjen e përmendoreve te varret, e ku di unë.

Edhe pas fjalës së tij policia serbe e arrestoi atë, e arrestoi këtë mjekun që kish ardhë nga Zagrebi, i ndaloi tubimet e mëdha, i ndaloi tubimet e mëdha ku merrshin pjesë me dhjetra mijëra vetë mos të them edhe më shumë. Edhe pas disa ditësh pastaj ndërhyn Kroacia, sepse ai ishte më duket shtetas i Kroacisë dhe e liruan nga burgu atë. Kështu Aksioni për Pajtimin e Gjaqeve pastaj u shtri edhe në viset tjera shqiptare, në Maqedoni, në Tetovë, në Gostivar, në fshatra, në Kërçovë e vazhdoj edhe në vendlindje time në Strugë, në fshat atje e vazhduan të tjerët edhe mua më ftonin ndonjëherë. Ka ndodhur që kam shkuar për raste të reja, por pastaj kjo si të thuash u bë si një lloj institucioni i pashpallur.

Erëmirë Krasniqi: Pse as në Maqedoni nuk kishte raport të mirë me shtetin edhe me ligjin, pse kishte nevojë që këto hesape m’u qëru mes veti?

Agim Vinca: Ato vrasjet a?

Erëmirë Krasniqi: Po.

Agim Vinca: Ato kishin ndodhur para 30-40 vjeç, ndodhin edhe sot fatkeqësisht. Ndodhin edhe sot, vrasje ka kudo. Ne edhe një mesazh kemi dhënë atëherë, por po harrohen gjërat. Ne jemi komb me vlera, por kemi edhe shumë vese, jau kemi thënë: “Ne po i falim sot gjaqet, ju bëjmë ftesë që tani e tutje t’i hapni sytë, të mblidhni mendtë dhe mos ta vrisni vëllaun tuaj ose fqinjin tuaj për kurnjisend edhe mandej të thoni hajt se ia çoj Anton Çettën, e ma fal gjakun, jo!” Edhe një kohë domethënë kjo ka pasë efekt. Tashti njerëzit janë njerëz të gjallë, janë gjithfarësoj, edhe po qëllimi ishte të krijohej një unitet, një front dhe kjo u krijua, një vetëdije. Pastaj ngjarjet u zhvilluan se qysh u zhvilluan, domethënë dolën në skenë edhe partitë politike edhe në fund edhe UÇK-ja edhe Kosova arriti në ‘99-tën të çlirohet nga pushtimi gati shekullor i Serbisë. Prej vitit 1912-13, deri në atë vit, sepse Kosova është një truall i pushtuar, edhe Maqedonia, Serbia dhe Greqia janë zgjeruar nga Luftërat Ballkanike kanë pushtuar trojet shqiptare, Kosovën dhe Çamërinë.

Edhe ne si intelektual, domethënë, unë për vete prej kur kam rënë në mend të mija edhe jam bërë plotësisht i vetëdijshëm politikisht, do të thosha prej vitit 1965 kam menduar kështu dhe kam shumë argumente për këtë dhe kam menduar, sepse kjo është e drejtë e ligjshme e popullit tim. Do t’i mbroja edhe drejtat e tjerëve po që se do t’u cenoheshin si njeri, sepse njeriu duhet të jetë njeri, por duhet të jetë edhe humanist. Para se të jemi shqiptarë thotë Montesquieu, një filozof i famshëm francez thotë, “Je suis tout d’abord homme par hasard francais,” që do të thotë, unë jam para se gjithash njeri dhe rastësisht jam edhe francez. Mendoj që kjo është një thënje, ky është një epigraf, ky është një moto që unë si intelektual jam përpjekur ta ndjek dhe ta respektoj ne jetë.

Erëmirë Krasniqi: Ku keni qenë gjatë luftës?

Agim Vinca: Gjatë luftës kam qenë në Prishtinë. Pesë ditë në apartamentin tim me 24, 25, 26, 27 dhe 28 kam dalë në Maqedoni.

Erëmirë Krasniqi: Ju kanë larguar me dhunë apo?

Agim Vinca: Jo, unë kam dashur të ndërroj vend sepse përball apartamentin tim u vendos policia serbe. Aty është një shtëpi e një mjeku serb dikur, ku aso kohe ishte bashkësia e ujit e Prishtinës, serb ishin nëpunësit të gjithë, dhe aty u vendos policia serbe dhe unë desha te ndërroj vend të shkoj te një miku im në Ulpiane pak me tutje, por atje një natë [për]para ishin shkuar paramilitarët edhe s’ishte i sigurt vetë. Dhe unë me time shoqe me pasaporta të Maqedonisë, sepse ndërkohë Maqedonia ish bë shtet i pavarur dhe si shtetas të Maqedonisë ne kishim pasaportat e Maqedonisë provuam të dalim.

Kjo është një histori në vete. Pastaj në Veterrnik aty rrëzë te pompa e benzinës na ndali policia serbe, mu me shtini në furgon, mu kanosën me vrasje, më plaçkitën. Njëherë e tërhoqi këmbëzën e automatikut polici serb, pastaj shefi i tij që po kontrollonte pasaportat tha, “Lëre, lëre, mos i ndyej duart me të se e ndreqin ata tjerët rrugës”, kjo ishte. Edhe dikur me tha se edhe këto dëshmi ne nuk i kemi dhënë  “Imas pare kod sebe?” [A ke para me vete?] Thashë, “Kam,” “Sa?” I kisha nja 320 euro, jo euro, marka sepse atëherë meqë unë punoja në univerzitetin tonë paralel, dhe ndërkohë qe krijuar 3%. Ne startuam pa pagesë, pastaj 20 marka, 30 marka, 50 marka. Në ‘99-tën rroga ime si profesor univerziteti, me thirrjen më të lartë profesor ordinar ishte 300 marka.

Unë kisha marrë një rrogë, rrogën e fundit dhe 20 marka na i kishin dhënë, ishte festa e Bajramit në prag edhe ato i mbaj në xhep këtu {tregon kah xhepi}, s’mbaj kuletë. I nxora, polici serb i pa, kishin qëlluar edhe disa denar maqedonas qe s’kishin naj vleftë, i pa ato i shtiu ne xhep, këta denaret maqedonas tha, “Merri!” Edhe m’u kanos edhe njëherë, dikur tha, “Dil!” Kur dolëm nga makina, ime shoqe i shqyente sytë po kërkonte të shohë ku më kanë goditur. Për fat nuk me goditën, m’u kanosen me vdekje, “Ti je Agim Vinca, Agim Vinca sikur ku e kam dëgju këtë emër. Ah ti, ju i msoni ata, ata të UÇK-së. Keni kërkuar NATO-n ja tani do ta shihni.” I thash, “Po ikni në Maqedoni,” thash, “unë do të shkoja nëse ka mundësi”. U pendova bile edhe nisa të kthehem, thash më mirë sa më vrasin rrugës, në shtëpi time. Pastaj ma bëri “Mundësh, mundësh.” polici serb, por e kisha atë që mos e lëshoje se e ndreqin ata tjerët rrugës e prej Prishtine e deri në Han të Elezit. Shtatë herë na kanë ndalur, pesë herë më kanë plaçkitur, kishim gjithsej shtatëqind marka me vete. I ndava me time shoqe, disa paramilitarë të parruar serb që kishin ardhë prej Leskovci kërkonin pesëdhjetë marka, “Urdhno!”. Dolëm në Han të Elezit, aty policët serb ishin shumë të disponuar, sepse ishin të interesuar shqiptarët ta braktisin Kosovën. E mora edhe një grua të re e hypa në makinë, me dy fëmijë për dore.

Erëmirë Krasniqi: A pritë aty në kufi?

Agim Vinca: Shumë pak. Ajo gruaja ish nga Ferizaji i thash, “Ku po shkon?” Tha, “Në Shkup. “Ku?” “Te motra”, “Hyp”. Kur dola, kur kalova kufirin pjesën maqedonase më janë drejtuar nja dhjetë, dymbëdhjetë kamera, mos pesëmbëdhjete, pritshin atje. “Pse ikni? Ikni nga frika e bombardimeve te NATO-s?” Ju thash, “Jo”. “English, English”, thash, “Jo”, “French”, thash, “Jo, frëngjisht. Nga bombardimet e NATO-s kurrkush s’e luan këmbën nga Kosova, ne ikim prej terrorit të tmerrshëm serb që ushtrohet mbi popullatën civile të Kosovës, ku jeta e njeriut më nuk vlen as sa e bubrrecit. Edhe nëse të vrasin, nuk ka kush të varrosë”. Një gazetare më duket maqedonase, thash “Ata vrasin, ata masakrojnë, ata dhunojnë, ata plaçkisin, ata bëjnë…” Tha, “Plaçkisin?” “Po”. “Juve ju kane plaçkitur?” Thash, “Po, edhe mua më kanë plaçkitur.” “Personalisht?” “Personalisht. 700 marka i kemi pasë gjithsej, të gjitha na i kanë marrë”.

Edhe vazhdova rrugën e dërgova atë gruan e re me dy femijë, diku në Çair e kish motrën dhe shkova në vendlindje. Atëherë ish mbush plot me kosovarë, bilem bëjshin edhe hajgare thanë, “Ty është dashtë me t’vra (buzëqesh)”, se unë isha tani refugjat në vendlindje, po refugjat në vendlindje dhe isha refugjati më i pikëlluar kosovar. E kam përjetu shume rëndë, nuk mundesha as të shkruaja, veç kam ba telefonata 300 marka kam pagu. Kam një apartament në Strugë, kam pagu 300 marka telefon, s’kishte celular atëherë.

Erëmirë Krasniqi: Me kon mbajshit kontakte?

Agim Vinca: Unë kam thirrë Rexhep Mejdanin presidentin e Shqipërisë, Sabit Brokaj shefin e tij të kabinetit, Dritëro Agollin mikun tim, shkrimtarin e njohur, doktor Pandeli Qinon kryetarin e Forumit të Intelektualeve të Pavarur Shqiptarë të Shqipërisë. Kam thirrë profesor Arben Putën, kryetar i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe iu kam thënë, “Në Bllacë është tmerr, po vdesin njerëzit, aty me nder me thanë, aty e bëjnë nevojën, thoni presidentit të shkoj te Mariza Lino ambasadorja e Amerikës dhe t’i thotë, ‘ne i mbajmë ata shqiptarët e Maqedonisë, sepse ky është vend gyrbetgjish, i kanë shpijat bosh janë nëpër Evropë, shteti i Maqedonisë kurgjo nuk hargjon’. Po vdesin njerëzit, po behet kjo…”

Sigurisht si unë kanë qenë edhe qindra të tjerë edhe me te rëndësishëm se unë, por unë e di që Bllaca u zhbllokua dhe 300 autobusë me kosovar i kanë çuar në Korçë që të mos kalojnë nga Tetova këndej, Struga, se aty i ndalnin shqiptarët, në Korçë nga Shën Naumi është bllokuar domethënë këtë kam bërë, ishin ata brenda. Edhe do koncerte po, do promovime nuk merrja pjesë. Nuk mund të merrja pjesë e ndija veten shumë të pikëlluar dhe kam shkruar nja dy, tri poezi, një prej te cilave ishte: Ua kam lakmi miqve të mi/ Poetëve të vdekur kosovar/ Që s’e panë Kosovën kështu në zi/ Që s’e panë të djegur e të vrarë/ Jua kam lakmi miqve të mi/ Azemit, Dinit, bacës Esat/ Më mirë atje në dhe shtrirë/ Se sa këtu refugjat. E kam botu te gazeta “Flaka e Vëllazërimit” dhe disa kolegë të mi profesorë nga Gjilani e andej më kanë thënë kemi qarë kur e kemi lexuar.

Erëmirë Krasniqi: Çka bëni sot?

Agim Vinca: Sot jam profesor i pensionuar. Vazhdoj të jem në fakultet, kam kandidat për master si mentor, mbaj mësim në univerzitetin “Fehmi Agani” të Gjakovës. Më kanë ftuar dy ish studentë të mi, njëri ish shef dege tjetri dekan, dhe lexoj, shkruaj. Nuk përjashtohet mundësia që këto që i thash t’i them në formë të shkruar, pak më të sistemuara seç arrita t’i them sot. Disa edhe i kam shkruar pas kthimit, një javë pas bombardimeve unë jam kthyer. Dhjetë ditë pas bombardimeve kam bërë një udhëtim me makinën time, kisha një 101 [vetura Zastava] me dy miq kolegë, Prishtine-Pejë-Gjakove-Prizren dhe prapa.

Erëmirë Krasniqi: E keni dokumentuar?

Agim Vinca: E kam dokumentuar me një shkrim që kam bërë pas kthimit, me titull “Një ditë në Kosovën e lirë”, që është botuar në gazetën “Koha Ditore”, e cila ende dilte në Tetovë, se këtu ia kish djeg shtypshkronjën. Në katër faqe të plota, “Një ditë në Kosovën e lire”, dhe kam thënë se Peja e pasluftës ishte Hiroshimë, Peja ishte {shpjegon me duar prishjen}, Gjakova ka pas viktima në njerëz më shumë, Prizreni shpëtoi se hynë shpejt trupat e NATO-s, se afër aty prej Kukësit, edhe këtë e kam bërë. Edhe një ditar e kam mbajt për pesë ditët që kam qenë këtu, e kam botuar edhe atë në një libër timin, e kam botuar aso kohe në shtyp edhe në shtypin e Prishtinës edhe shtypin e Tiranës.

Atë ditarin e kam botuar më duket me rastin e pesë vjetorit të bombardimeve, kurse atë shkrimin, “Një ditë në Kosovën e lirë”, e kam botuar atë dite masi jam kthyer domethënë ka dalë në plot katër faqe të gazetës “Koha Ditore” edhe me disa fotografi. Përveç tekstit edhe mendoj se është dashtë më shumë të bëjmë ashtu ne intelektualet e Kosovës, nuk kemi lënë sa duhet dëshmi përfshirë edhe veten time. Mund të them se kam lënë disa dëshmi, edhe në poezi i kam artikuluar këto, edhe më përpara edhe më vonë, edhe në shkrime publicistike të tjera po “Si ai” është flakë për flakë. Aty kam fol domethënë për krejt këtë udhëtim edhe takimet edhe raste të veçanta te atyre që kanë përjetuar njerëzit. Siç e dini ju të gjithë domethënë janë të një familje në Pejë, sidomos familjes Bala, i kam shkuar atë. Plakën e shtrirë në shtrat të paralizuar, policet dhe paramilitaret serb nuk e kanë qëlluar por i kane shkuar rreth e rrotull me automatik gerrrrrrrr {onomatope}, lojëra te tilla kanë bë, këtë kanë bë, kanë dhunuar, kanë plaçkitur kanë vrarë, i kam.

Erëmirë Krasniqi: A keni shënime apo gojore?

Agim Vinca: Me gojë, me gojë se tjera s’kishim. Gojore prej familjarëve të mbetur gjallë, po po i kam me emra, e di edhe kështu familja Balaj quhej. Domethënë, në Kosove është bë ma s’pari rrugës, siç është traditë te ne, prindët e katër djemve ju ndërtojnë katër shtëpia identike, villa të katërtat të djegura. Shtëpi të mira nuk ka pasur në atë kohe, të këqija po, kështu ka qenë. Në Prizren gati s’kishe ku të hash, menxi qebaptore qaty edhe kishin kaluar domethënë nja dhjetë-dymbëdhjetë ditë trupat e KFOR-it sigurisht. Këtë e kam bërë dhe kam bë shumë mirë me një profesor Jashar Kabashi, profesor i anglishtes edhe me regjisorin Atdhe Gashin, që tani jeton në Norvegji. Bile, ai kërkonte me insistim të shkojë të shoh në Pejë a ia kanë djegë shtëpinë të bijës që jetonte në Londër, ja kishin djegur. Kurrkush nga mahalla nuk e dërgonte, ai ishte si invalid kish pësuar një aksident thash, “Unë do të çoj.” Edhe shkum bashkë.

Erëmirë Krasniqi: A i keni inçizimet bashkë që keni shku?

Agim Vinca: Jo, asnjë inçizim s’kemi.

Erëmirë Krasniqi: Ah, jo.

Agim Vinca: S’kishte atëherë celular s’kishte, s’ka asnjë inçizim.

Erëmirë Krasniqi: Meqenëse ai ishte regjisor, mendova mos e keni dokumentu në ndonjë mënyrë.

Agim Vinca: Ah, jo. Ai shkon ta shof si ia kanë kallë qikës shpinë. Ai lut njërin, lut tjetrin, thash, “Hajt unë po të çoj.” Edhe unë kisha shtytje vet. Rrugës ka ndodh të marrim ushtarë të UÇK-së, djem të rinjë me uniforma edhe me ta bisedonim, merrnim opinione, kam folur aty edhe për problemet e përplasjeve politike sigurisht. Por është dashur më shumë mendoj, është dashur, edhe s’është vonë më mirë vonë se hiç ja kështu. Kaq për sot se e zgjata unë.

Erëmirë Krasniqi: Po. Faleminderit!


[1] Padashje folësi gabon vitin. Fjala është për vitin 1988.

[2] Ibid.

[3]Serb: Milicia, policia.

Download PDF